10.8 C
Prizren
E shtunë, 4 Maj, 2024

Censura online e Turqisë

Nga Vikas Bajaj, The New York Times

Masat shtrënguese të qeverisë turke ndaj fjalës së lirë nuk kanë gjasa të pakësohen. Të martën, Google i shpëtoi për fije bllokimit të tij në vend, pasi zbatoi një vendim gjykate për të hequr linket e disa fotografive ku shfaqeshin militantët që i kishin vënë armën në kokë një prokurori.

Zyrtarët thanë se fotografi qe një vegël e “propagandës terroriste” dhe ushtruan trysni ndaj kompanive si Google, Facebook dhe Twitter që ta hiqnin nga sajtet e tyre. Ky është shembulli më i fundit i censurës nga ana e qeverisë së presidentit Recep Tayyip Erdogan. Turqia kohët e fundit ka bllokuar edhe uebsajtin e një grupi ateist, si dhe gazetën satirike franceze “Charlie Hebdo”. Ajo bllokoi gjithashtu Twitter-in kur rrjeti social u përdor për të përhapur filmimet e paautorizuara, të bëra në kuadër të një hetimi për korrupsion.

Nuk ka asnjë dyshim se fotografia e militantëve të së majtës ekstreme që i kishin vënë armën në kokë prokurorit Selim Kiraz është shqetësuese. Z. Kiraz dhe militantët u vranë javën e kaluar, pasi forcat speciale turke mësynë në ndërtesën ku ndodheshin ata. Shumë njerëz sigurisht nuk do të ndiheshin rehat po ta shihnin atë fotografi, por zor se një gjë e tillë e bën atë propagandë terroriste. Në fakt, në vend që të lavdërojë dhunën, imazhe të tilla nxjerrin në pah brutalitetin e terrorizmit. (The Times dhe mjaft gazeta të tjera brenda dhe jashtë Turqisë i publikuan fotot).

Mjaft qytetarë liberalë në Turqi shqetësohen me të drejtë se qeveria po gjen një pretekst për ta vendosur censurën në prag të zgjedhjeve parlamentare të qershorit. International Press Institute tha në një raport të fundit se kërcënimet eksplicite dhe të fshehura ndaj medias kanë “çuar drejt një klime mbizotëruese vetëcensurimi dhe një mjedisi nga më të rrezikuarit për lirinë e shtypit në Europë”.

Në raportin e tij më të fundit të transparencës, Twitter tha se ka marrë 477 kërkesa për të hequr materiale që nga korriku deri në dhjetorin e vitit të kaluar nga Turqia, më shumë se nga çdo vend tjetër. Kompania tha se kërkesat nga Turqia u rritën me 156 për qind krahasuar me gjashtë muajt e mëparshëm. Facebook ka raportuar se ka hequr 3624 materiale në Turqi mbi bazën e vendimit të gjykatave dhe kërkesave të qeverisë në gjashtë muajt e fundit të 2014-s, me 1893 materiale në gjashtë muajt e parë. Të dhënat e fundit të transparencës së Google datojnë në fund të 2013-s.

Një tjetër aspekt shqetësues i kufizimit në rritje të lirisë së fjalës është se ajo synon në mënyrë selektive njerëzit apo materialet që kritikojnë qeverinë e Erdoganit. Sikurse shkruante Tim Arango te The Times muajin e kaluar, zyrtarët e qeverisë nuk e kanë parë të arsyeshme të ndalojnë shumë uebsajte që promovojnë idetë e islamistëve ekstremistë. Më vonë një gjykatë turke bllokoi një prej sajteve të cituara në atë shkrim, Takva haber, e cila përdorej për të rekrutuar turq që t’i bashkoheshin Shtetit Islamik.

Më Shumë

Lajmet e Fundit