11.8 C
Prizren
E shtunë, 27 Prill, 2024

Landovicë: Ushtarët akuzojnë Komandantin se e bëri dëshmor dajën e tij

landovicIsh-ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga fshati Landovicë e Prizrenit janë ndjerë të befasuar me rastin e publikimit të listave të dëshmorëve nga Brigada 125 e Zonës së Pashtrikut, aty ku shërbyen gjatë kohës së luftës.

Në listë si dëshmor ka hyrë edhe Shefki A. Jahaj për të cilin ish-luftëtarët e kësaj brigade thonë se duhet të jetë në listën e martirëve, pasi u vra si civil.

Të mbledhur pranë varrezave të dëshmorëve, ish- ushtarët e UÇK-së thonë se kanë dalë që të mbrojnë vlerat e luftës.

Enver Gashi që gjatë luftës ishte pjesë e Brigadës 125 thotë se Shefki A. Jahaj asnjëherë nuk ishte pjesë e UÇK-së dhe familja e tij nuk ka bërë ankesë që Jahaj të hyjë në radhët e dëshmorëve.

“Personin që i ka dalë emri në listë si dëshmor, unë kurrë nuk e kam pa as në odë, e as diku që na ka përcjellë neve, sikur qysh na kanë bo shumë shokë tjerë roje, që kemi shku, kemi përcjellë lloj-lloj të njësiteve dhe të brigadave edhe të shtabit të përgjithshëm që kanë shku për Pagarushë, Kleçkë, Drenicë e në të gjitha rajonet ku ka pasë luftime,” thotë Gashi.

Ai tregon se përgjegjës i UÇK-së për fshatin Landovicë ishte Osman Qerreti.

“Unë nuk e di kush e ka bo këtë, po ai që e ka bo le të japë përgjegjësi vetë, përgjegjës për fshatin tonë ka qenë komandant “Çuni”- Osman Qerreti që të ndjerin e ka dajë, vëlla të nënës,” sqaron Gashi.

Lidhjen familjare të ish-komandantit Qerreti me të futurin në listat e dëshmorëve, e përmendin edhe ushtarët tjerë.

Xhafer Gashi nuk ka dyshim se ish-komandanti e ka vendosur emrin e Shefki A. Jahajt te ata që kanë rënë dëshmorë.

“Osmani, ai e ka vëlla të nënës. E di që ndoshta ka dhënë një ditë a dy roje, por me hy si dëshmor nuk i ka takue. Atë ditë tre vetë janë ekzekutue sikur për të ndjerin që folim, Avdi Morina që është rom, Avdi Ragip Gashi edhe ai është ekzekutue në shtëpi të vet, e tash ato po e boj unë që e kam dajë, e këta po i lë anash. Se edhe 15 tjerë janë ekzekutue aty kur prej xhamisë i kanë gjujtë me granata,” shpjegon Xhafer Gashi.

Edhe Nait Thaçi, ish-ushtar në Landovicë fajëson Osman Qerretin pse Shefki A. Jahaj figuron në listën e dëshmorëve dhe thotë se nuk e ka parë asnjëherë Jahajn në radhët e kësaj ushtrie.

“Unë si pjesëtar i UÇK-së, jam edhe vëlla i dëshmorit Hamit Thaçi. Kurrë këtë njeri nuk e kam pa, jo me uniformë, po as civil me pushkë në dorë, po as nëpër këto mbledhjet që i kemi bo na si fshat. Unë kam qenë i ri në atë kohë, por kurrë në jetë nuk e kam pa atë njeri që është mbledhë me këta njerëz që na i kemi njoftë, me të UCK-së,” shpjegon Thaçi.

Ish-ushtarëve u vjen keq që po reagojnë në këtë mënyrë, por shpjegojnë se Jahaj nuk është i varrosur në varrezat e dëshmorëve, ndërsa edhe te lapidari në fshatin Landovicë emri i tij ndodhet te martirët.

Por Ramadan Jahaj thotë për KALLXO.com se vëllai i tij Shefkiu e meriton të jetë në listën e dëshmorëve.

“Ditën kritike mi ka dhënë 500 marka dhe fëmijët e vet, edhe ai ka qëndru në fshat. Me vete ka pasë edhe armë,” shpjegon Ramadan Jahaj.

Ai pretendon se edhe vetë atij iu bë padrejtësi, kur u publikuan listat e atyre që luftuan në Brigadën 125 të Zonës Operative të Pashtrikut.

“Personalisht jam i pakënaqur, në lista figuroj si pjesëmarrës, e jo si pjesëtar i luftës. Disa herë kam bajtë armë për UÇK-në,” tregon Ramadan Jahaj.

Osman Qerreti, ish-komandant “Çuni” e pranon se daja i tij nuk ishte pjesëtar i UÇK-së, por i Mbrojtjes Civile, ndërsa shton se në listën e dëshmorëve atë e vendosi Komisioni Qeveritar .

“Sa i përket rastit në fjalë është e vërtetë që është daja jem, vëllai i nënës, por ai bashkë me anëtarë tjerë të mbrojtjes civile janë angazhuar në nivel të logjistikës për mbrojtje civile, nuk ka qenë ushtar i UÇK-së,” sqaron Qerreti.

Ish-komandant “Çuni” i njohur për kontributin e madh në UÇK, thotë se ligji do t’ia gjejë vendin e merituar secilit, edhe atyre që gjatë luftës i takonin organizimit luftarak nëpër fshatra.

“Komisioni i ka kriteret edhe sigurisht në bazë të kritereve ata e kanë nda, mirëpo me procesin e ankimimit do të zgjidhen edhe këto parregullsi. Nuk e di saktësisht sepse nuk jam pjesë e komisionit që unë me u marrë me ligjin, mirëpo ata sigurisht në bazë të ligjit do ta shohin ku e ka vendin,” thotë Qerreti.

Nehat Basha, ish-komandanti i Brigadës 125 u jep të drejtë ushtarëve, ndërsa tregon se nuk ishte i pranishëm kur u verifikuan listat e veteranëve dhe dëshmorëve.

Sipas tij listat e të gjitha kategorive të atyre që luftuan në Brigadën 125 janë kompletuar më 15 shtator 1999.

“Në vitin 1999, Brigada 125 e ka përfundu listën e dëshmorëve dhe ajo që ka qenë duhet të jetë dhe do të jetë, tani pse ai është në këtë listë unë nuk e di. Unë jam komandant por nuk kam qenë në ditën kur është bërë verifikimi i listave të invalidëve dhe dëshmorëve, edhe po m’doket që kokan përzi duart këtu, por nuk do të lejojmë që të futet gjithkush që nuk ka qenë pjesë e UÇK-së në këtë rang, sepse tek e fundit do të bëjmë një krim ndaj dëshmorëve,” thotë Nehat Basha.

Basha bën me dije se parregullsi ka edhe në listat e veteranëve të Brigadës 125, në të cilat mungojnë disa ushtarë, mes tyre edhe përcjellësi i tij, por ka shpresën se procesi i ankesave do t’i rregullojë gjërat.

“Ushtari i vërtetë do të jetë veteran, ai që s’ ka qenë ushtar le të shkojë në Durrës, le ta lypi atje, këtu në brigadën 125 nuk do të ketë vend. Këtë e thotë Nehat Basha dhe e kam mbështetjen e të gjithë ushtarëve, këtë më plot përgjegjësi morale dhe penale e them se Nehat Basha do të jetë drejtësinë me e çu te ushtarët e mi, me i mbrojtë ata,” thotë Basha.

Pakënaqësi në lidhje me listat e veteranëve ka pasur edhe nga pjesëtarët e ish-zonave tjera operative të UÇK-së.

Më Shumë

Lajmet e Fundit