13.8 C
Prizren
E premte, 26 Prill, 2024

Masakra e Dubravës, i mbijetuari Nait Hasani thotë se asnjë Qeveri nuk kërkoi zbardhjen e saj

Në seancën e veçantë të Kuvendit të Kosovës rreth masakrës në burgun e Dubravës, njëri nga të mbijetuarit, njëherësh deputeti i PDK-së, Nait Hasani, ka thënë se kjo masakër ka qenë e planifikuar nga shteti serb.

Ka thënë se këtë e dëshmon fakti që të burgosurit i kanë mbledhur nga burgjet e tjera dhe i kanë sjellë në Dubravë.

“Aty ishim mbi 960 të burgosur. Pikërisht në këtë ditë nga bombardimet e NATO-s u vranë mbi 20 të burgosur. Pastaj, serbët masakruan mbi 120 shqiptarë. Një masakër që as në skenarët më të tmerrshëm nuk do të mund ta gjeni. Ajo nuk mund të ketë krahasim as me Srebrenicën. Ishte një gjenocid”, ka thënë Hasani, raporton “Koha Ditore”.

Ka shtuar se aty ka qenë edhe Ukshin Hoti dhe se prej se e patën marrë nga burgu, nuk dihet për fatin e tij.

Hasani ka thënë se deri më tani asnjë qeveri e Kosovës nuk ka kërkuar zbardhjen e kësaj masakre.

“Me të nuk është marrë as Prokuroria e Pejës prej se e kemi bërë kallëzimin penal qe 12 vjet. Ne tani kërkojmë të dimë se përse u hesht ky kallëzim, përse nuk ka aktakuzë? Dikush duhet të japë përgjegjësi”, ka shtuar ai.

Hasani ka prezantuar edhe fotografi të mbledhura pas masakrës. Ka thënë se ka prova të mjaftueshme.

“Kujt i ka interesuar kjo heshtje? Përse ky krim ka mbetur pa u dënuar? Pse kryeprokurori i Pejës nuk po bën asgjë?”, ka pyetur ai.

Hasani ka thënë se prokuroria, me sa duket ka heshtur me “sugjerimin e ndërkombëtarëve”.

Ka propozuar që në fund të debatit, Kuvendi të kërkojë nga organet e drejtësisë, që të ngrihet aktakuzë për kriminelët serbë.

“Ne i kemi prezantuar me emra dhe mbiemra se kush janë ata kriminelë”, ka thënë Hasani.

Më Shumë

Lajmet e Fundit