11.8 C
Prizren
E premte, 26 Prill, 2024

Çka do të përfitojë Kosova tani?

Halit Krasniqi

Çka do të përfitojmë në këto ndryshime politike, është pyetje që i preokupon të gjitha shtresat shoqërore, pavarësisht bindjeve politike. Në këto rrethana si tani, është dëshirë e të gjithëve që të përfitojmë sa më shumë, aktualisht. Pas këtyre ndryshimeve, subjektet politike dhe militantët edhe mund të mbesin të zhgënjyer të gjithë nga pritjet që kanë në selitë e tyre.

Por, po të pyetën të gjithë qytetarët tanë, do të pajtohen me lutjen që, pavarësisht këtyre pritjeve, Kosova dhe populli i saj, mos të mbesin të zhgënjyer në këto ndryshime!

Realisht, ajo çka dihet paraprakisht, nga kjo gjendje do të përfitojmë si shoqëri shumë mësime që do të na shërbejnë si leksione: se gjatë funksionimit të një qeverisjeje, nuk duhet të sillemi me armiqësi e urrejtje ndaj oponencës politike. Së pari mazhorancat nuk duhet të sillen me arrogancë e prepotencë në vërejtjet dhe mos pajtimet, të cilat i manifeston qoftë edhe pa sens opozita. Gjithashtu, as opozita në vërejtjet e saj, nuk duhet ta trajtoj qeverinë si armike të vendit dhe të popullit të saj.

Nëse nuk ka preferencë e vullnet në korrigjimin e keq qeverisjes, as në parlament e as në rrugë, atëherë nuk duhet ta shikoj nëpër mes nishaneve me një sy protagonistët e qeverisë e as lidershipin, të cilës do qeveri. Ta sulmoj verbalisht pa pushuar qeverinë, politikat e saj, por mos ta atakoj asnjëherë integritetin fizik të protagonistëve qeveritarë. Jo për ndonjë simpati, por për ta krijuar kodin e mirësjelljes në shoqërinë tonë që duhet ta kultivojmë njëherë e përgjithmonë në breza. Nëse duhet kundërshtuar në parlament, kjo le të bëhet me argumente. Nëse duhet kundërshtuar një qeverisje për politikat e saj që nuk i pëlqejnë opozitës, kjo të bëhet sa herë ta vlerësoj opozita nëpër rrugë e sheshe, sido e ngado.

Por jo të sulmohen me gjësende të ngurta e të lëngëta, me flakë e zjarr, sikur në këto legjislaturat e njohura për arrogancë e armiqësi, siç sulmoheshin grupet parlamentare, kabineti qeveritar, kryeministri i Kosovës, që në të njëjtën kohë ishte edhe kryetar i subjektit politik, të cilit tani të njëjtit që më parë e sulmonin, kanë filluar t’i dërgojnë letra dashurie e t’i thurin poezi nga frymëzime adhurimi: …për ty baltë e pluhur do të bëhem…!

Paraprakisht sikur të mendohej ky moment, siç do të duhej, në parlament e rrugë, do të protestohej, por nuk do të digjeshin objektet qeveritare e madje nuk do të sulmohej edhe familja e tij në shtëpinë private, të frymëzuar nga qendra e selisë e cila sot e preferon për partner në koalicion dhe madje tani e preferon edhe në listë parazgjedhore.

Si do që të ketë qenë, tani edhe ky veprim është i vlerësuar dhe për admirim. Sepse këto armiqësi që janë aktualisht në mes të shqiptarëve, nuk na janë dashur, por nga që kanë ndodhur, duhet ta kenë një fund pa tjetër. Mirë që ka reflektim tani dhe megjithatë është për t’u gëzuar të gjithë: në partneritet nesër apo edhe si spektatorë.

Edhe koalicionet mund të prishën. Por jo sikur tani e as sikur në koalicionin e parafundit që deri në ditën e prishjes se koalicionit, përqafoheshin e qeverisnin bashkë dhe manifestonin ndjenja si të dashuruarit e Venedikut. Ndërsa në ditën e prishjes se koalicionit e atakonin njëri-tjetrin, sikur të ishin armiq të përbetuar. Pa menduar se në zhvillimet e ardhshme mund të imponohet nevoja për bashkëqeverisje me të njëjtin partner.

Kjo ka ndodhur sepse as si kolektivitet e shumë pak si individ, nuk e kemi akceptuar realisht çka janë këto procese nëpër të cilat po kalojmë dhe cili është misioni ynë në këto angazhime që kemi e me çfarë ekuacionesh mund të arrijmë në synimet tona historike.

Kur ta vlerësojmë realisht këtë amulli dhe kur të bindemi për ndikimin e shërbimeve intelegjente me adresa armiqësore që kanë katapultuar nëpër institucionet tona kuadro të mbështetura prej tyre në arsimim e thirrje akademike, si dhe akomodimin e tyre nëpër shumicën e selive të subjekteve politike, natyrisht se nuk mund të pritej ndonjë zhvillim tjetër më i mirë, vetëm përkundrazi: zhvillime me pasoja edhe më të rënda.

Prandaj edhe nëse nuk përfitojmë tani qeverisje më të përgjegjshme, e as legjislativ më cilësor, të paktën sjellje më të ndërgjegjshme në mes vete do të përfitojmë. Kjo është një fitore e vogël, por një leksion i madh që do të reflektoj në edukatën tonë qytetare, i cili na ka munguar deri sot. Duke përvetësuar këtë edukatë dhe duke e praktikuar në sjelljet dhe veprimet tona, e ardhmja jonë do të jetë e ndritshme dhe objektivi ynë nacional i arritshëm në kohë optimale realisht.

Më Shumë

Aksion simbolik në Prizren: Mbillen 30 fidanë në shenjë të Ditës së Tokës

Drejtoria e Shërbimeve Publike në Prizren, ka organizuar sot një aksion simbolik për mbjelljen e 30 fidanëve për shënimin e Ditës së Tokës dhe...

Kuvendi i Prizrenit bart mbi 2 milionë euro në projekte për vitin 2024

Kuvendi i Prizrenit ka miratuar sot bartjen e mjeteve të të hyrave vetanake të rritura nga ato të planifikuara për vitin e kaluar. Shuma e...

Lajmet e Fundit