8.8 C
Prizren
E shtunë, 27 Prill, 2024

Kështu flet Donald Trump

Gazmend Syla

Një flamur i madh amerikan është varur në tavanin e lartë të një hangari aeroplanësh në Wilmington të Ohios. Tjetri, hiq më i vogël, është përballë tij.

Në sfond ka një muzikë të fuqishme roku. Kënga i kushtohet Amerikës.

Mijëra të tubuar këtu duken në qejf. Ata po e presin një njeri që kanë dashur ta takojnë moti. Zor që shihet ndonjë tjetër amerikan, pos të bardhëve.

Kur ndalet muzika për pak kohë, një spiker u kërkon të pranishmëve të bëjnë diçka interesante. Ata binden. Duket sikur luten, pasi disa i ngrisin duart lart. Ndonjë tjetër i kthen shuplakat kah tavani. Binden po ashtu edhe kur lëshohet himni amerikan.

Nuk shkon shumë e hangari hapet, në pjesën ku është i varur flamuri i parë. Turma shpërthen në emocione.

Por jo, Donald Trump nuk ka mbërritur ende, ndonëse ora ka kapërcyer 16:00, kur ai do të duhej të ishte në këtë qytezë të vogël të shtetit të Ohios.

Disponimi nuk prishet. Muzika vazhdon me rock të rëndë.

Njerëzit ndizen prapë kur në pistën para hangarit zbret një avion. Në të shkruan “Trump”, me shkronja të mëdha, dhe “Pence”, me të vogla. Ky i fundit është kandidat për zëvendëspresident. Por, fluturakja e madhe nuk e sjellë të shumëpriturin. Nga ajo zbresin shumë njerëz të medieve.

Pritja vazhdon e disponimi nuk prishet, aspak. Pankartat e vogla vazhdojnë të qëndrojnë lart të ajër. “Let’s make America Great Again” dominon. “Veterans for Trump” ka goxha. “Women for Trump” janë më pak. “Hispanics for Trump” edhe më pak. Nuk ka asnjë të tipit “Afro-Americans for Trump”.

Në fakt, të tillë ka pak në këtë tubim, për të mos thënë asnjë. Deri në njëfarë kohe, kur dy gra, afro-amerikane vijnë nga jashtë dhe menjëherë e kapin foltoren. Më vonë u mor vesh se ato janë shouwomene, pasi me performancën e tyre i bëjnë të tubuarit të shkrihen në gaz.

“A e dini kush duhet të bëhet president?”, pyeti njëra, duke e dhënë përgjigjen vetë, menjëherë. “Ai që ka k…për të ndërtuar një mur”

“Ahaaa”, e plotësoi tjetra, duke e zgjatur “a”-në e fundit.

Gati se të gjithë qeshin. Me këtë gjendje shpirtërore amerikanët e Ohios e pritën një tjetër avion, kur u shfaq para hangarit. Tash përfundimisht është Trump. Kjo merret vesh pasi aeroplani i tij ka vetëm mbishkrimin e madh “Trump”. “Pence nuk është hiq”.

“Oh yeah”, klith një burrë i vjetër, kur e kuptoi se kandidati për president po vjen. “Oh yeah”.

Avioni vjen gati krejt afër foltores, nën bërtima emocionuese të njerëzve.

Trump zbret vetëm. Është i veshur në të zeza dhe ka një pallto të gjatë, që nuk e heq fare, as kur flet. Kënga që e përcjell ardhjen e tij është “God Bless America”.

“Wow, çfarë vendi”, thotë Trump, sapo hip në foltore.

Me gjasë u befasua kur e pa se ndodhet në një hangar.

Turma e do atë. Ia shfaqin dashurinë duke bërtitur “Trump, Trump, Trump…”, me shpirt.

Ai ua kthen, por disi jo me emocione të barabarta, siç e pritën të tubuarit.

“I Love Ohio…I Love Ohio”.

Nuk e zgjat shumë më falënderime. Menjëherë del te lavdërimet.

“Kam punuar mirë në Ohio dhe po qëndroj mirë në Ohio”, thotë ai. “Do të dalim mirë në gjithë vendin. Do të fitojmë Ohion dhe do të fitojmë Amerikën”.

Para se të vazhdojë me politikë, ai merret me mediet. Gazetarët i ka nja 30 metra larg.

“Media dhe gazetarët janë të pandershëm”, thotë ai, duke bërë me gisht drejt tyre. “Mos i leni ata t’ju tregojnë juve në çfarë shteti jetoni”.

Të tubuarit janë me të.

“Buuuuuu”, thërrasin ata, po në drejtim të gazetarëve.

Kur e kryen me ta, i kthehet presidentit Barak Obama.

“Nëse fitoj, nuk do ta keni më Obamacare”, thotë Trump.

Duket që është shumë i nervozuar me kryetarin aktual. Inatin me të e ka për shkak se ai po bën fushatë për Clinton.

“E kemi një president që as vetë se di çfarë dreqin po bën”, thotë ai. “Veç fushatë po bën, por do t’ia tregojmë vendin edhe atij”.

Gjatë gjithë kohës lëviz me duar. Ka shumë qejf t’i bëjë bashkë gishtin e madh dhe atë tregues, kur i numëron të këqijat Clintonit. Dhe duket se i pëlqen të bëjë rrathë me duar, në ajër, kur nxehet edhe më.

“Kush dreqin e do për president një person që edhe këshilltari i saj kryesor nuk flet mirë për të”, vazhdon Trump.

Dhe emailat e shumëpërfolur të Clinton janë temë e preferuar e republikanit. Me disponim të madh e inskenon një muhabet të demokrates dhe ndihmëses së saj kryesore, Huma Abedin.

“Huma, a i fshive emailat?”, thotë ai, duke e imituar Clintonin, si me zë të sikletshëm.

“Po zonjë, i fshiva 33 mijë”, përgjigjet, gjoja si Abedin, me një të folur që bëhet kur je e pasigurt për diçka.

Por, dalin edhe emaila tjerë.

“A i fshive edhe ata”, thotë duke e bërë Clintonin, përsëri, por tash më në siklet.

“Po zonjë. Edhe ata përfunduan. Shkuan nuk janë më”, flet tashti, duke aktruar Abedinin.

Por, a shkuan përnjëmend ata emaila. Jo, thotë Trump. Situata është komplikuar. Republikani i kthehet prapë muhabetit Clinton-Abedin.

“Oh, kemi një problem, boss”, e imiton ai këtë të fundit. “Emailat kanë shkuar në clouds”.

Clouds, sipas tij, është një vend ku ruhen emailat dhe ku nuk mund të fshihen kurrë.

“A e dini ku shkuan tash. Te një pervers”, thotë Trump, tash si vetja. Pervers e quan Anthony Weiner, ish-burri i Huma Abdein, në kompjuterin e të cilit u gjetën emailat e Clinton. “Ju them unë çfarë, ata emaila janë shumë sekretë”.

Të tubuarit po kënaqeshin me këtë performancë. E Trump nuk ndalej. Disponimi sikur po i shtohej gjithnjë e më shumë.

“O boy, o boy“, tha ai teksa po e shihte se turma po kënaqej me atë që po thoshte. “Nëse ajo hyn në Shtëpinë e Bardhë do të korruptojë shumë njerëz”, shtoi ai.

Këto fjalë e përfshinë edhe më tepër publikun në komunikim me të.

“Lock her up! Lock hep up!”, bërtinin ata.

Me këtë, po i kërkonin Trump ta fusë në burg Clintonin, kur të fitojë.

Ai ua pohon me kokë.

E meqë burgu është gjë serioze, edhe fjalimi i tij u bë i tillë. Trump nisi të flasë për planin e tij të kthejë vendet e humbura të punës së amerikanëve.

“Në kohën e Obamas u mbyllën shumë vende pune. Shkuan në Kinë, Meksikë e vende tjera, që fituan shumë para, e në morëm vetëm drogë e krim. E pandershmja Hillary do të vazhdojë kështu”, thotë ai.

Njerëzit duan të dëgjojnë kësi fjalë të rënda kur përmendet Clinton.

“Woooooo”, bërtitën ata, kur u përmend termi “e pandershme” për demokraten.

Trump i siguron se me të president, do të jetë krejt ndryshe.

“Nuk do të ndodh më njerëz, nuk do të ndodh”, thotë ai. “Vendet e punës nuk do të humbin. Do të bëhemi shtet i pasur prapë”.

E për t’u bërë i tillë, duhen penguar të huajt të vijnë në Amerikë.

Republikani do t’i ndal ata fizikisht, me një mur, për t’u futur nga kufiri jugor.

“Do të jetë një mur madhështor, njerëz, do të jetë madhështor, ju siguroj”, thotë ai. “Ndoshta do t’ia vënë emrin tim”.

Kur e thotë këtë, qeshet pak. Dhe e pret turmën të reagojë.

“Yessssssssss”, bërtasin disa. “Rightttt”, thonë tjerë.

Trump ka ende për të thënë, kur bëhet fjalë për ruajtjen e Amerikës. Shteti, sipas tij, po rrezikohet shumë nga ISIS.

“Do t’ua tregoj ferrin radikalëve terroristë”, thotë ai, duke ngritur zërin dhe gishtin. “Këtë mund ta bëj vetëm unë, 100 për qind. Clinton ka 0 për qind gjasa për ta zhbërë ISIS-in”.

Njerëzit e tubuar janë të ndjeshëm në këtë pikë. Ata e ndërprenë Trumpin duke bërtitur “USA, USA, USA”. Ai konfirmonte me kokë, duke e lëkundur poshtë-lart.

Mysafiri i madh beson që Clinton nuk është e interesuar për sigurinë e brendshme të Amerikës, por për diçka tjetër.

“Tashti ne po i ruajmë kufijtë e shumë shteteve të huaja. Besoj që shumica prej neve këtu as emrin nuk ua dimë atyre shteteve”, vazhdon ai.

Prandaj, bën thirrje që demokratja të dënohet më 8 nëntor. Ndryshe, amerikanët, sipas tij, do ta kenë punën pisk.

“A mund ta duroni edhe 4 vjet tjera Clintonët, edhe 4 vjet tjera ISIS, edhe katër vjet tjera rritje taksash dhe 4 vjet tjera humbje të vendeve të punës”, i pyet ai të tubuarit.

Përgjigjen nuk e pret.

“Aj, aj, aj”, thotë vetë.

“Noooooo”, dëgjohen britma.

Trum beson shumë që katër vjetët tjera do të jetë vetë në Shtëpinë e Bardhë dhe vetë do të vendos për gjithçka.

Ai tashmë ndodhet në hyrje të saj. I duhet ta kalojë një prag që quhet ditë zgjedhore në Amerikë, e që është të martën e ardhshme. Atij i është dashur të bëjë shumë për të ardhur në këtë pikë. Dhe këtë ua tha të tubuarve në Willmington të Ohios, të premten.

“Mos e humbisni besimin. Ua them unë, kur e nisa këtë garë, më 16 qershor 2015 dukej që ajo nuk përfundon kurrë. Kisha 17 kundërkandatë, ishin shumë, por ata ranë, shkuan, një nga një. Nuk janë më, jam vetëm unë”, thotë ai, teksa aludon në garën brendarepublikane. “Tash jemi vetëm 4 ditë larg nga ndryshimi që ju ëndërroni, dhe ai do të ndodh”.

Por çfarë do të bëj Trump, në rast se fiton? Përgjigja është e thjeshtë.

“Do ta bëjmë Amerikën madhështore përsëri”, tha ai.

Është shumë i bindur për këtë. E tha me siguri të plotë.

Fansat e tij po besojnë në të.

“Yesssssss”, bërtitën shumë prej tyre kur Trump e tha këtë, në fund të fjalimit gati njëorësh.

Pothuajse të gjithë iu bashkuan thirrjes së emrit të tij, derisa ai, në largim, përshëndettë, me duar të ngritura lart.

“Trump, Trump, Trump”.

Më Shumë

Inzaghi: Gjashtë trofe për tri vjet nuk janë pak

Trajneri i Interit, Simone Inzaghi ndihet i lumtur me fitoren e mbrëmshme në derbin e qytetit, i cili njëherësh ia siguroi edhe titullin e...

Konfiskohet drogë në vlerë rreth 70 mijë euro në Suharekë, arrstohen katër të dyshuar

Policia e Kosovës njofton se në bashkëpunim me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë dhe prokurorinë, kanë arrit të realizojnë identifikimin e katër personave të...

Lajmet e Fundit