13.8 C
Prizren
E premte, 26 Prill, 2024

Marria e Babës

Imer Mushkolaj

Ndaj Skandalit BMW, Isa Mustafa nuk reagoi si kryeministër, por si babë i dy djemve, kompania e të cilëve fitoi tender nga zyra e tij. Marrinë e asaj që ka ndodhur, Mustafa duhet ta mbajë për vete, e jo t’ua faturojë mediave. Lajmi i keq është skandali, e jo raportimi i tij

Fort me arrogancë e pa takt reagoi Isa Mustafa ndaj raportimeve se kompania e djemve të tij fitoi një kontratë nga Zyra e Kryeministrit, për servisimin e një veture BMW. Siç di të shfaqet në rastet kur mediat raportojnë gjëra të pakëndshme për të, ai tha se ishte marri e budallallëk që një gjë e tillë të bëhet lajm. Madje, sipas tij, lajm i keq është etja që të skandalizohen dhe të kriminalizohen ata që punojnë.

Në këtë mënyrë Mustafa, më shumë se sa kryeministër i një vendi ku skandalet e nepotizmit dhe korrupsionit nuk kanë të ndalur, po shfaqej si zëdhënës i BMW’së dhe mbrojtës i djemve të tij, duke u përpjekur ta minimizojë skandalin familjar.

Vartësit e tij ngarendën ta arsyetojnë atë që ka ndodhur, duke përmendur procedurën e rregullt të zgjedhjes së kompanisë së Mustafëve si fituese të tenderit. Thanë se rasti nuk përbën kurrfarë shkelje ligjore e as konflikt interesi.

Mund të jetë kështu, ligjërisht mund të jetë gjithçka në rregull. Por, përtej kësaj ekziston diçka që quhet moral. Ekziston diçka që quhet qeverisje e pastër. Standard i qeverisjes së mirë. Në vend se t’i mbrojë djemtë e të akuzojë mediat, Mustafa është dashur që qysh në ditën që ka marrë postin e të parit të qeverisë, t’ua bëjë të qartë familjarëve se nuk është e hijshme që ata të marrin punë e as të përfitojnë nga zyra e tij, nga pozita e tij deri sa ai të jetë në pushtet. Një gjë e tillë nuk do të ishte precedent, por veç vendosja e një standardi të mirëqeverisjes, llogaridhënies dhe luftës kundër nepotizmit.

Është vështirë e besueshme që, siç pretendon kryeministri Mustafa, ai nuk paska ditur për dhënien e tenderit. Por edhe nëse nuk e paska ditur, kur e ka marrë vesh është dashur që të bijve t’ua shkëpusë kontratën. Edhe pse gjithçka ligjërisht mund të ketë qenë në rregull dhe pa dashur të spekulohet se tenderi mund të ketë qenë i kurdisur që të fitohet nga Mustafët Junior, si oferta më e lirë. Kurdisja e tenderëve edhe për shuma marramendëse parash është e zakonshme në Kosovë dhe ka arsye të dyshohet se kështu ka ndodhur edhe kësaj radhe, aq më tepër kur në garë kanë qenë djemtë e babës.

* * *

Nuk është hera e parë që kryeministri Mustafa fajëson mediat për dështimet dhe skandalet e veta. Budallallëk e marri është pretendimi i tij se nuk qenka dashur të bëhet kaq e madhe kjo punë, e jo raportimi i skandalit.

Sipas Mustafës, nuk është lajm nëse disa mjeshtër punojnë dhe e rregullojnë një makinë. “Lajm i keq për neve është etja që të skandalizohen dhe të kriminalizohen ata që punojnë”, pretendon ai.

Natyrisht, problem nuk janë ata që punojnë dhe kryeministri duhet ta dijë se askush nuk po i kriminalizon ata. Mediat vetëm kanë raportuar se tenderi i është dhënë djemve të tij dhe kanë ngritur dilema për konflikt të mundshëm interesi. Ashtu siç raportojnë në raste të ngjashme mediat në krejt botën normale. Problemi është se Mustafa përpiqet ta arsyetojë të paarsyetueshmen, përpiqet ta mbrojë të pambrojtshmen, përpiqet t’i fajësojë të tjerët për marrinë dhe budallalëkun e vet.

Që nga fillimi i qeverisjes Mustafa nuk është treguar aspak korrekt me gazetarët dhe mediat kritike, duke i fajësuar pa arsye. Me Skandalin BMW, ai humbi një rast për të vendosur shembull, standard. Ky rast tregon se Mustafa është një nga politikanët që nuk merr përgjegjësi dhe kërkon llogari për një skandal, por mundohet ta mbulojë atë me arrogancë dhe akuza kundër medias dhe kritikëve.

* * *

Mënyra e reagimit të Isa Mustafës ndaj Skandalit BMW tregon mendësinë e tij qeverisëse, e cila nuk ndryshon aspak nga ajo e paraardhësve të tij. Ai ka ardhur në pushtet me premtime për qeverisje ndryshe, por sjellja e tij nuk përkon apak me ato që ka premtuar.

Një lider që pretendon të qeverisë me duar të pastra nuk lejon që djemtë e tij të fitojnë tender nga zyra e tij.

Një kryeministër që flet për transparencë qeverisjeje e liri të medias nuk sillet me arrogancë e nervozë ndaj kritikëve të tij dhe të punës së tij.

Një udhëheqës qeverie që ka premtuar hapjen e dhjetëra mijëra vendeve të punës duhet të mendojë më larg se biznesi i djemve të tij. Qoftë edhe kur bëhet fjalë për servisim të një veture dhe për një shumë tre mijë euroshe, që për Mustafën nuk thotë asgjë.

Ai është kryeministër dhe duhet të sillet si i tillë. Ai nuk është thjeshtë baba i bijve të vet. /Gazeta Express/

Më Shumë

Lajmet e Fundit