16.8 C
Prizren
E premte, 26 Prill, 2024

Theranda, qyteti i njerëzve që kanë shumë ëndrra

Shkruan: Albiona Hajdari

Theranda është qyteti, ku pothuajse çdo familje e ka së paku një anëtar jashtë vendit. Është qyteti, ku shtëpitë më të bukura janë të mbyllura, për t’u hapur vetëm në sezonën e pushimeve.

A ja vlen tërë kjo sakrificë? Gjykojeni vet.

Theranda është qyteti i njerëzve që kanë shumë ëndrra, por jo rrugë për t’i realizuar ato. Është qytet i izoluar, prandaj përballja me realitetin ndodh të jetë më e vështirë se sa malli për atdhe!

Të përkujtojmë rrugën e një mërgimtari, në mënyrë që të rikthehemi tek dëshira dhe mundësia jonë e humbur, ende pa dalë në dritë.

”Ma mirë me vujtë për Kosovën, se me vujtë n’Kosovë!” – Asnjë fjali nuk e paraqet më shumë e më mirë mërgimtarin, i cili qëndroi këtu, u përball me jetën e vështirë n’vendin e vet. Askush nuk e pati më vështirë se ai, me ikë prej atdheut, me u strehu dikund tjetër, larg prej nanës e babës, vëllait e motrës, shtëpisë e shkollës.

Askush më shumë se mërgimtari nuk e pati të vështirë ambientimin në tokën e huaj. Fat i mirë që pas çdo vështirësie vjen lehtësimi… Ai që vuajti mallin e vendlindjes, filloi të adoptohet me jetën e re, synimet për t’cilat ka shkuar larg. Filloi me punu, se qëllimi kryesor për sakrificë është jeta më e mirë.

Askush më shumë se mërgimtari nuk e kupton peshën e sakrificës, kur braktisë pragun e shtëpisë, e puthjet e nanës. Qëllimi bëhet frymëzim, që sa më shpejt me gjetë rrugë, e kështu, me shumë punë, jeta nisë e bëhet më e lehtë.

Malli fashitet n’memorie thellë, për të ardhë në dritë, veç atëherë kur trupi e shpirti pushojnë pak. Megjithatë, kohë nuk ka, se duhet me ndërtu gjithçka prej zeros.

E sheh, dita ditës, qysh jeta ndërron prej vendit të tij dhe aty ku tashmë jeton. Krahason, e nisë mos me i ardhë fort keq që ka lënë pas gjithçka, se tash duhet me e kriju edhe familjen e vet, e të ardhme më të mirë s’do të kishte gjetur asesi.

Mërgimtarët e lindur viteve 70-80, e dinë mirë, sa e vështirë ka qenë jeta atëherë në Kosovë. E dinë, sa e rëndë ka qenë ‘hjekia’ e tyre ditë e natë. N’punë derisa të terrohet, n’punë para se me u zdritë, me u kthy shpejt me e marrë çantën e me u nisë për shkollë. Sapo janë kthyer nga shkolla, drejt e në punë. E rutina ka vazhduar çdoherë, ndërkaq sukses është dashur të kenë edhe në shkollë, përndryshe, pse me shku?!

Atëherë, dëshira e fëmijës nuk është konsideruar fort e rëndësishme, nga që puna ka qenë primare, si luftë për mbijetesë!

Ndër vite, mërgimtari vjen në Kosovë për pushime, për të hequr mallin e shtëpisë e të familjes.

Nuk mund të qëndrojë gjatë. Vjen, lë paratë këtu dhe ikën sërish larg që të punojë.

I jep para familjes, blen gjërat e nevojshme për vete, shetitet. Ai e di sa e rëndë është jeta këtu. E di që skamja,më shumë se materiale, ajo shpirtërore e ka përbaltë jetën e secilit njeri. E di që më i mirë është ‘mashtrimi i vetes’ dhe ‘ngushëllimi në sfond’ i familjarëve të tij për një kohë të shkurtër, se sa ballafaqimi me realitetin e trishtë.

Këtu, or mik, njeriu vuan. Sepse ka dëshira të mëdha, por s’ka vesh ta dëgjojë. Edhe po të ketë, s’ka dorë që ta shtyejë përpara, ta përkrahë. Por edhe po të ketë, s’ka ëndërr që mund ta realizojë. Sepse vet vendi është i tillë. I vuajtur. S’është mësuar ndonjëherë ta ketë atë që duhet, atëherë kur duhet, për ata që duhet.

E si mund të rrijë mërgimtari në vendin e tij, e t’i copëtohet zemra, kur sheh se vëllau ose nipi janë të papunë? Se, njeriu këtu duhet të punojë shumë, veç sa për të mbijetuar? E pse të qëndrojë në këtë vend të përvuajtur, kur një jetë më e mirë për të dhe fëmijët e tij është atje larg?

Kuptohet, sakrifica e largimit, përcillet me harrimin nga fëmijët e tij, për vendin e t’et. Duhet forcë e madhe përkujtuese e rrëfyese që me ngjallë dashurinë për vendin e babait. Por, kjo sakrificë, sërish,

sërish dhe sërish, është më e lehtë se përballja me jetën e dikurshme që edhe sot do të përjetohej, veçse në tjetër formë.

E shtëpive të ndërtuara bukur, pa frymë njeriu, muret ju krisen. Por edhe kjo është më e lehtë se përballja me realitetin e vendit tënd. Malli fashitet thellë në memorie, për të ardhë në dritë, veç atëherë kur trupi e shpirti kanë pak kohë të pushojnë…

Mërgimtarët janë larg, prandaj të kthehemi tek vetja jonë, dëshirat dhe mundësitë tona të humbura, ende pa dalë në dritë. Ne që jemi këtu, a nuk duam të jemi më mirë? Zgjidhja, natyrisht se nuk është vazhdimi i krisjes së mureve, por, diçka duhet të ketë, sigurisht…

Më Shumë

Julia Fox për lidhjen me Kanye West: Më la shije të hidhur!

Ylli i “Uncut Gems” Julia Fox tha për revistën InStyle se lidhja në fakt i la “një shije të keqe”. Dhe tani, për shkak...

Sonte El Clasico — mund të përcaktohet titulli i kampionit

La Liga, një nga ligat më atraktive në futbollin evropian, vjen sonte me ndeshjen më të madh të këtij sezoni. Dy rivalët e përbetuar, Real...

Lajmet e Fundit