8.8 C
Prizren
E shtunë, 27 Prill, 2024

Vagonët me rrenat e fushatës!

Lavdim Hamidi

Kur dëgjon premtimet e politikanëve në fushatë të mbushet mendja se sa me fat jemi ne kosovarët që i kemi këto mendje të ndritura e sa “nafakëprerë” janë gjermanët me politikanë të kalibrit të Angela Merkelit, apo me ish-presidentin e Parlamentit Evropian, Martin Schulz, etj.

Në Kosovën që e mban “trofeun” e papunësisë jo vetëm në rajon, por edhe në Evropë, kandidatët për kryetarë të komunave, apo edhe muaj më parë në fushatën për zgjedhjet qendrore kandidatët për deputetë, premtojnë dhjetëra mijëra vende të reja të punës, përderisa në fund të mandatit katërvjeçar ia dalin ta punësojnë akraballëkun e vet dhe disa militantë partiakë.
Fundja, më me rëndësi për ta është të punësohen familjarët e bashkëpartiakët, ndërsa të tjerët jashtë këtij rrethi të ngushtë i kanë çdo ditë në dispozicion autobusët për Serbi dhe nëse ia dalin, siç ia dolën 100 mijë kosovarët vite më parë, mund të arrijnë ilegalisht në Gjermani apo në Francë dhe njëherë e përgjithmonë ta zgjidhin problemin e punësimit!

***

Është e kuptueshme që politikanët nëpërmjet premtimeve synojnë t’i joshin votuesit. Por, shtrohet pyetja se a mbeti diçka pa u premtuar nga po këta politikanë që nga paslufta dhe çka u realizua deri më tash?
Të gjithë këta që po japin premtime megalomane vazhdimisht kanë qenë në pushtet, qoftë në atë qendror, apo edhe në pushtetin lokal, ndërsa në Kosovë shumë probleme mbesin të njëjta për gati dy dekada.

U premtuan deri në 200 mijë vende të reja të punës, apo siç po premtohet në këto zgjedhje nga një të punësuar për çdo familje, ndërsa papunësia në vend e kalon 30-përqindëshin.

Për gati një dekadë premtohet vazhdimisht liberalizimi i vizave me BE-në, përderisa Kosova vazhdon të mbetet më e izoluar se kurrë.
Ta shohim nëse kryeministri Haradinaj do të arrijë që ta sigurojë liberalizimin e vizave pas 60 ditëve, ashtu siç premtoi në fushatën për zgjedhjet qendrore të 11 qershorit se pas 3 muajve që do ta marrë pushtetin do t’ua heqë vizat me BE-në kosovarëve. Një muaj vetëm se e kaloi në pushtet dhe rezultati është negativ.
Me këtë qasje në raport me kriteret e përcaktuara nga BE-ja për liberalizimin e vizave do të jemi të lumtur sikur Kosovës të hiqeshin vizat pas tre vjetëve, në vitin 2020, e mos të flasim për afate më të shpejta kohore.

Edhe më ironik fakti është kur kreu i PDK-së, Kadri Veseli, po premton zhvillim të bizneseve, derisa për gati një dekadë sa ka qenë në pushtet partia e tij janë zhvilluar vetëm ato kompani që kanë qenë të lidhura me eksponentë të lartë të partisë së tij, përderisa të gjitha të tjerat janë të kënaqura kur e mbyllin vitin duke i mbuluar shpenzimet, e mos të flasim për operim me bilanc pozitiv.
Njëjtë qesharak do të dilte Shpend Ahmeti nëse do ta premtonte edhe në këtë fushatë një administratë të papolitizuar, kur botërisht dihet se në mandatin e parë qeverisës në Prishtinë e ka mbushur Komunën dhe shkollat me aktivistë të lëvizjes “Vetëvendosje”, të cilën dukuri e kritikonte ashpër sa ishte “nën petkun” e shoqërisë civile.

Ndërsa kreu i LDK-së, Isa Mustafa dhe kandidatët e partisë së tij për kryetarë të komunave përsëri po premtojnë dhjetëra mijëra vende të reja të punës, derisa të gjithë ne do të ishim të lumtur sikur ta realizonte çerekun e premtimit të bërë në fushatën e vitit 2014 për hapjen e 120 mijë vende të reja të punës!

Në anën tjetër kandidati i AKR-së për kryetarë të Prishtinës, Selim Pacolli, mes të tjerave për kryeqendrën e ndotur nga tymi i KEK-ut dhe i veturave të vjetra po premton trena ekologjikë, derisa nëse bazohemi në premtimet e realizuara në komunat ku ka qeverisur kjo parti politike, atëherë edhe ky premtim mund të përfundojë në “vagonin e gënjeshtrave” të fushatës.

Ndërsa nëse realizohet nisma e Fatmir Limaj për një të punësuar në çdo familje, shumë shpejtë do të vijë koha që të kërkojmë punëtorë nga ato shtete të BE-së që kanë papunësi të lartë, bie fjala në Rumani, etj.

***

Me disa “devijime minore” premtimet e fushatës si për zgjedhjet e kaluara qendrore, ashtu edhe këto lokale, mund t’i krahasojmë me premtimet që u bënë për zgjedhjet parlamentare gjermane.
Çuditërisht në Gjermaninë e industrializuar partitë kryesore në fushatën për zgjedhjet e 24 shtatorit premtonin shkurtim të taksave, punësim të plotë deri në vitin 2025, barazi sociale,…, përderisa në Kosovën e pazhvilluar këto synime premtohen që të arrihen brenda një mandati, deri në vitin 2021, e jo deri më 2025 siç u premtua në Gjermani!

Tek e fundit, po mos t’u besonim rrenave të fushatës këta politikanë të Kosovës nuk do të mundeshin të qëndronin në skenë për dy dekada. Për më keq, druhem që ky është vetëm fillimi i karrierës së tyre politike!

Më Shumë

Plagoset një person afër Xhamisë në Dragash – Policia arreston të dyshuarin dhe jep detaje

Një person është plagosur në qendër të qytetit të Dragashit. Rasti ka ndodhur afër Xhamisë në këtë qytet të Kosovës. I dyshuari është identifikuar nga Policia...

Futbollisti i Malishevës dënohet me tri ndeshje

Futbollisti i Malishevës, Rilind Haziraj, nuk do të mund të paraqitet për skuadrën për tri ndeshje.  Kjo pasi ai është dënuar nga Komisioni Disiplinor dhe...

Lajmet e Fundit