6.8 C
Prizren
E premte, 26 Prill, 2024

Quni: Procesi i testimit dhe vlerësimit sipas standardeve më të larta të ushtrive bashkëkohore

Ministri i Mbrojtjes, Anton Quni i shoqëruar nga komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama dhe Atasheu i Mbrojtjes së SHBA-së, kolonel Stephen Rose, sot realizuan vizitën në Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes së FSK-së në Ferizaj.

Qëllimi vizitës ishte njoftimi nga afër me procesin e testimit fizik të kandidatëve për përzgjedhjen e ushtarëve aktiv të FSK-së, i cili është duke u realizuar në kuadër të procesit rekrutues për vitin 2020.

Paraprakisht, ministri Quni, me delegacionin e tij, vizitoi Shtabin e Përgjithshëm të FSK-së, ku nga ana e shefit të Departamentit të Personelit, kolonel Ilir Shyti, u njoftua me procesin e përgjithshëm të rekrutimit, aktivitetet me të arriturat e deritashme dhe procedurat e përzgjedhjes në proces e sipër.

Në Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes, ministri Quni dhe gjeneral Rama u pritën prej komandantit të saj, gjeneral brigade Irfete Spahiu e cila i njoftoi ata me aktivitetet e njësisë në përgjithësi me fokus në angazhimin e pjesëtarëve të saj dhe mbështetjen e përgjithshme të ekipit vlerësues në realizimin sa më të suksesshëm të testimit fizik të kandidatëve për ushtarë aktiv.

Në fjalën e tij, ministri Quni, vlerësoi lart angazhimin e Departamentit të Personelit të SHPFSK-së, Ekipit Vlerësues të Instruktorëve dhe Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes, edhe pse në kushte të kufizimeve dhe masave anti-covid, për angazhimet dhe të arriturat e deritashme, duke shprehur besimin e realizmit të suksesshëm të këtij procesi, me vlerësimin e kandidatëve më të suksesshëm për garim në fazat tjera të testimit me kurorëzim të procesit duke përzgjedhur kontingjentin e ushtarëve të rinj të synuar për vitin 2020.

Nga ana e tij, gjeneral Rama, shprehu mirënjohjen për angazhimin e deritashëm dhe kërkoi nga përgjegjësit të vazhdojnë me respektimin e plotë të  procedurave, kritereve dhe standardeve më të larta të testimit, kompatibile me ato të vendeve më të avancuara të NATO-s. Përshtypjet e tij gjatë vizitës i shprehu edhe kolonel Rose, i cili çmoi lart përkushtimin e të gjithëve për realizimin sa më të suksesshëm të testimit edhe pse nën masat kufizuese anti-covid.

Në vazhdim, ministri Quni dhe gjeneral Rama, me delegacionin shoqërues, vizituan stacionet e testimit fizik, ku panë nga afër ekzekutimin e disiplinave nga ana e kandidatëve të sotëm si dhe procedimin e vlerësimit të tyre nga ana e personelit të autorizuar.

“Ministria e Mbrojtjes dhe FSK iu shërbejnë të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe iu mirëpresin juve për shërbim në FSK, pa dallim nga përkatësia e juaj etnike” tha , ndër të tjera ministri Quni në adresimin e tij para kandidatëve prezent.

Kurse, gjeneral Rama, kandidatët e pranishëm i inkurajoi për rezultate sa më të larta në testime, duke u rikujtuar nderin, privilegjin por edhe përgjegjësinë e lartë e të qënurit ushtarë e ushtare në mbrojtje të vendit e qytetarëve tanë.

Procesi i rekrutimit të ushtarëve në FSK për vitin 2020 ka filluar më 10 gusht me fazën e aplikimit duke vazhduar me shqyrtimin fillestar të aplikacioneve. Nga data 28 shtator  është duke u zhvilluar procesi i testimit fizik për të vazhduar me testet dhe procedurat tjera.

Ky proces është duke u monitoruar edhe nga ekipi i Rrjetit Ballkanik të Gazetarisë Hulumtuese (BIRN) që dëshmon transparencën dhe llogaridhënien e plotë institucionale të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së si institucionet me besueshmërinë më të lartë qytetare për vite me radhë.

Më Shumë

Kujtimet poetike të Fahri Musliut

Gazetari Fahri Musliu ka publikuar në rrjetin social Facebook disa poezi të cilat i  ka shkruar në  fund të vitit  ’70-të . “Poezitë janë të...

Shkolla ‘Bajram Curri’ në Romajë të Hasit, drejt një fushe sportive të re

Shkolla fillore “Bajram Curri” në Romajë të Hasit, shumë shpejt do të bëhet me fushë të sportit. Drejtori i Drejtorisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit...

Lajmet e Fundit