13.8 C
Prizren
E enjte, 28 Mars, 2024

Bislimi: Paga minimale në Kosovë do të jetë rreth 250 euro

 

Në prezantimin e studimit, “Perspektiven e Përgjithshme: Agjenda Progresive Ekonomike për Kosovën” nga Zyra e Fondacionit Gjerman Friedrich Ebert (FES), Bislimi, tha se grupet që diskutojnë për pagën minimale duhet të jenë ekspertë dhe jo grupe të interesit. Sipas tij, nuk mund të kenë interes sindikatat për pagën minimale, pasi siç tha s’ka asnjë logjik që dikush të hyjë në sindikatë, kur merr pagën minimale.

“I kuptoj shqetësimet për pagën minimale. Modeli që keni hartuar është pothuajse 100% në përputhshmëri me objektivat e qeverisë. Mendojmë gjithashtu se paga minimale duhet të jetë rreth numrit magjik, 250 euro. Për mua është shumë e rëndësishme të kuptohen, dy elementë. Paga minimale nuk duhet të jetë një pengesë në krijimin e vendeve të punës për punëtorët me produktivitet të ulët. Pra, duhet të sigurohemi që ajo të mos kalojë një prag të caktuar, si pjesë e pagës mesatare. Studimet e tregut të punës kanë treguar se kalueshmëria është rreth 56 për qind e pagës mesatare. Sapo të bëhet më e lartë se 56%, atëherë i dëmton njerëzit[…]Dhe elementi i dytë që është shumë i rëndësishëm për mua, është të sigurohemi që grupet që diskutojnë për pagën minimale duhet të jenë ato që kanë të drejtë të flasin, nuk duhet të jenë grupet e interesit, që do të kishin interes të përjashtonin këtë grup të caktuar punëtorësh nga konkurrenca. Dhe në këtë kontekst, nuk e kuptoj interesin që mund të kenë sindikatat për pagën minimale, sepse sindikatat duhet të përfaqësojnë njerëzit të cilëve nuk u paguhet paga minimale. Pra, nga ky këndvështrim, fituesit e pagës minimale janë konkurrentë për sindikatat. Nuk ka asnjë logjikë që dikush të hyjë në sindikatë, nëse ai ose ajo e merr pagën minimale”, tha ai.

Pjesë e kësaj tryeze ishte edhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, i cili kërkoi nga ekzekutivi politika progresive. Ai foli edhe për rolin e sindikatave në shoqëri, ku tha se fuqia e tyre në ekonominë moderne është zhdukur.

“Sindikatat gjermane kanë qenë pothuajse kundër pagës minimale, por parametrat ndryshojnë sepse fuqia e sindikatave u zhduk në ekonominë moderne, si në “gig” ekonominë, ekonomia e përbashkët, këta njerëz nuk janë të sindikalizuar, dhe këtë vit, qeveria e re e zgjedhur socialdemokrate do të rrisë paga minimale në Gjermani për njëzet për qind, sepse është treguar se fuqia e sindikatave nuk është më aq e fortë, ngase miliona njerëz mund të konkurrojnë ose kanë të ardhura të mira në tregun e punës. Mendoj se duhet parë, se çdo vend ka situata të ndryshme, por mendoj se është e rëndësishme që qeveria ka nevojë për të ardhura, pa dëmtuar ekonominë. Uroj që Qeveria në Kosovë të ketë vullnet politik për të përmbushur politikën progresive e cila përmban elemente të parashtruara në studim”, theksoi ai.

Ndërsa, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tha se Kosova ka nevojë për politika që promovojnë barazinë dhe drejtësinë sociale.

“Kjo është diçka që duhet të ndryshojë dhe dekarbonizimi i sektorit duke ruajtur sigurinë energjetike të përballueshme për qytetarët, veçanërisht për qytetarët në nevojë, do të jetë një nga sfidat kryesore me të cilat përballet vendi. Tani, për të adresuar të gjitha këto, mangësi të sistemit tonë ekonomik dhe social. Ne kemi nevojë për qeverisje më të mirë. Dhe kjo është diçka që ne si qeveri e marrim shumë seriozisht, por nga ana tjetër kemi nevojë edhe për politika më të mira, që promovojnë barazinë dhe drejtësinë sociale. Dhe këto politika duhet të bazohen në prova dhe ato duhet të jenë realiste në mënyrë që ato të adresojnë me të vërtet sfidat dhe ta bëjnë jetën më të mirë për qytetarët e Kosovës, prandaj studimet si këto janë kaq të mirëseardhura dhe ne me të vërtetë presim të punojmë së bashku për të zbatuar rekomandimet”, tha Rizvanolli.

E njëri ndër hartuesit e studimit të FES, Edison Jakurti tha se më e rëndësishme se vlera e pagës minimale janë parametrat që synohet me atë.

“Po diskutohet shumë për pagën minimale dhe masë të madhe po diskutohet për vlerën e pagës minimale. Mendoj se ma e rëndësishme se me u diskutu për vlerën është për parametrat se çka synojmë me pas me pagën minimale. Paga minimale nuk është diçka që duhet me u synuar prej punëdhënësve, por paga në të cilën nuk mundesh me ra. Disa propozime që po i dëgjojmë janë propozime shumë të larta që nëse i shohim të dhënat për ekonominë e Kosovës nuk janë të qëndrueshme”, deklaroi Jakurti.

Mes tjerash në këtë tryezë diskutimi u theksua nevoja edhe uljen e shkallës së papunësisë në Kosovë./KP

 

Më Shumë

“Guraziu” në Prizren, me 20 vjet përvojë pune në vendosjen e dyerve, laminatit, parketit, kuzhinave dhe dhomave të fjetjes

Ndërmarrja “Guraziu” është specializuar në vendosjen e dyerve, laminatit, parketit, kuzhinave dhe dhomave të fjetjes. Pronari, Arton Guraziu, ka një përvojë prej 20 vjetësh. Adresa e...

Kurti: Nëse dëshiron opozita e shpërndajmë Kuvendin dhe shkojmë në zgjedhje, qeveria s’ka arsye të rrezohet

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur për deklaratën e tij se është i gatshëm që vendi të shkojë në zgjedhje. Kurti ka thënë se...

Dhimbja

Lajmet e Fundit