Për sot parashikohet të mbajë mot me vranësira të shpeshta dhe intervale të shkurta me diell.
Gjatë pasditës mund të ketë ndonjë reshje të izoluar në lokalitete, ndërsa vonë në mbrëmje pritet intensifikim i reshjeve në shkallë vendi, sidomos gjatë orëve të natës.
Era do të fryjë nga drejtimi i juglindes, e cila kohë pas kohe pritet të jetë e fuqishme, me shpejtësi prej 18-44 km/h.
Temperaturat minimale do të lëvizin prej 1 deri në 3°C, ndërsa ato maksimale prej 13 deri në 16°C.
Njëri nga anëtarët e komisionit për dhënien në menaxhim privat të KF “Liria”, Durak Thaçi, ka reaguar përmes një postimi në Facebook, rreth gjendjes së rëndë nëpër të cilën po kalon skuadra prizrenase, duke kërkuar largimin e drejtuesve të saj.
Ai shprehet se skuadra e Lirisë po përjeton qaste të vështira në futboll.
“ Sot, ajo ka pësuar humbje nga skuadra e kryeqytetit Prishtina me rezultat 3:1, duke vështirësuar kështu qëndrimin në Superligë. Kjo situatë ka shuar edhe ato pak shpresa të mbetura dhe skuadra e Lirisë është përfundimisht larguar nga elita e futbollit kosovar”.
Thaçi bën thirrje që të reagojnë të gjithë qytetarët, futbolldashësit, punëtorët sportivë dhe veçanërisht institucionet komunale.
Ai kërkon që të jepet fund menaxhimit të dështuar të klubit nga menaxheri Raman Kiçe dhe varësit e tij.
“Investimet për prurjet e reja në klub janë të dështuara dhe të kota”.
Thaçi thekson se duhet të kthehet klubi te institucionet që e kanë marrë.
“Raman Kiçe, pronari aktual që menaxhon me KF ‘Liria”, duhet të mbledh valigjet dhe të kërkojë falje publike për dëmin që i ka sjellë ekipit. Futbolldashësit dhe qytetarët Prizrenas nuk duhet të durojnë mashtrues të lojit të till. Thaqi premton se do të vazhdojë të bëjë thirrje publike për të ndryshuar situatën në klub.
“KF “Liria” aktualisht ndodhet në pozicionin e fundit të tabelës së Superligës në Kosovë . Klubi duhet të marrë masa të menjëhershme për të përmirësuar gjendjen dhe të kthehet në rrugën e suksesit”.
Kryetari i LDK-së në Prizren, Driton Selmanaj, ka takuar sot strukturat e partisë dhe miq të shumtë.
“Mëngjesin e filluam me takim në nëndegën “2 korriku” me kryetarin e nëndegës, Fidan Krasniqi dhe një pjesë të kryesisë. Biseda dhe plane për shtrirje të LDK-së në sa më shumë familje prizrenase”, shkruan Selmanaj.
“Takimin e dytë e patëm me veprimtarë të mirë në lagjen “Kurilla”. Në shoqëri të çajit diskutuam shumë gjëra që na lidhin me të ardhmen e Prizrenit dhe ndryshimin e domosdoshëm që duhet të ndodhë”.
“Ditën e vazhduam me dy miqë të mirë në lagjen “Dardania”, Mahir dhe Enver Shishko, dy njerëz të mirë të kësaj lagje, të cilët po japin kontribut të veçantë në të mirë të lagjes”.
“Në mbrëmje vazhduam me takim me kryesinë e nëndegës “Jeta e Re”. Biseda të hapura për mobilizim që LDK-ja të jetë edhe më e fortë dhe e shtrirë në çdo shtëpi në qytetin tonë”.
Në një sfidë shumë interesante, Proton Cable Prizreni ka mundur Sigal Prishtinën 94:91 (25:22, 15:17, 23:23, 18:19, 13:10), në përballjen e javës së 22-të të Prince Caffe Superligës.
Te vendasit u dalluan Urim Zenelaj me 23 pikë e nëntë kërcime, Ivan Koljeviq me 18 pikë e shtatë asistime dhe Isaiah Kelly me 18 pikë e 12 kërcime, kurse te mysafirët Shaheed Davis kishte 22 pikë e pesë asistime dhe Malcolm Armstead 21 pikë.
Proton Cable Prizreni është i shtati me shtatë fitore e 15 humbje, derisa Sigal Prishtina e treta me 14 fitore e tetë humbje.
Kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, ka publikuar pamje të bukura të fshatit Pouskë.
Sipas tij, ky fshat është vendi i duhur për të filluar udhëtimin dhe eksplorimin e zakoneve dhe bukurive të fshatrave tradicionale të Kosovës.
Postimi i Totajt
Përshëndetje nga fshati Pouskë – një oazë e qetësisë dhe bukurisë në mes të bjeshkëve të mahnitshme, me një pozicion të veçantë që ofron pamje panoramike të qytetit të Prizrenit, duke e bërë atë një vend të privilegjuar për të shijuar bukurinë natyrore dhe pjesën urbane në të njëjtën kohë.
Ky fshat i bukur, me njerëz të mrekullueshëm, është një vend ku historia, kultura dhe bukuria natyrore bashkohen në një harmoni perfekte.
Nëse dëshironi t’i njihni zakonet dhe bukurinë e fshatit tradicional të Kosovës, Pouskë, është vendi i duhur për ta filluar udhëtimin tuaj”, shkruan Totaj në Facebook.
U gëzova shumë që s’të pashë sot pranë lumit
Aty ku dikur sodisja pulëbardhat e harruara në fluturimin e tyre pafund.
U gëzova shumë që s’ta dëgjova as sot zërin e ngjirur të dëshpërimit
Dashuria për ty s’është urrejtje
as adhurim heretikësh.
Ti ike para gëzimit tim
Para fjalës që më shpoi në zemër si heshtë mesjete
Ku dielli i përgjakur s’është sinonim shtrigash
Është mallkim i hershëm
Që të bukur e ka vetëm emrin.
PDK në Malishevë ka bërë një reagim kundër kreut të Nismës Fatmir Limaj, i cili të shtunën njoftoi se ka marrë mbështetjen e familjes së Isni Kilajt, që aktualisht ndodhet në Hagë.
Sipas PDK-së, Limaj po keqpërdorë procesin e Hagës dhe po përdorë emrat e Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe të tjerëve, për të përfituar politikisht.
Por, PDK në Malishevë thotë se “qytetarët e Malishevës tashmë e kanë kuptuar “qëllimin fisnik” të Limajt.
“Ngarendjet e tij teposhtë-përpjetë, lokal më lokal, odë më odë, vendosja e dorës në shpinë me secilin që takohet, janë veprime tashmë demode, jashtë kohës. Janë lodhur njerëzit me këtë lloj të bërit politikë. Është barrë për qytetarin ta përballojë këtë lloj aktrimi me vite të tëra”.
Reagimi i plotë:
MALISHEVA PENG I AMBICIEVE TË FATMIR LIMAJT
Keqpërdorimi i situatave në momente të caktuara, sikurse tani që po keqpërdoret procesi e Hagës nga Fatmir Limaj, nuk është ndonjë risi. Veprimet përçarëse, sidomos në Malishevë, zanafillën e kanë që nga lufta e UÇK-së.
Kjo gjendje vazhdoi edhe pas luftës. Veprimet e tij janë evidente, “përçaj e sundo”. Kontribut i tij është përçarja e veteranëve në dy grupe të mëdha, Brigada 121 dhe Brigada 122. Situata edhe më e keqe ishte brenda PDK-së, duke krijuar grupacione, ndërsa vet Fatmir Limaj ishte dominues, sepse vet i kishte krijuar këto grupe. Në këtë kuptim dega e PDK-së nuk kishte përfaqësim në qendër, si subjekt. E rëndësishme për Limajn ishte faktorizimi i tij, e jo edhe i Malishevës. Dega e PDK-së ishte një bastion i votave, kishte arritur deri në mbi 14 000 vota. Këtë numër e përdorte Limaj dhe grupi i ngushtë i tij.
Në zgjedhjet lokale të vitit 2007 arriti t’i përçajë dy bashkëpunëtorët më të ngushtë, Gani Krasniqin dhe Isni Kilajn, për të dalë prap dominues ndaj të dyve. Votuesi i PDK-së ishte në pozitë të vështirë, po megjithatë përkrahja ndaj PDK-së nuk mungoi.
Ambiciet e Limajt nuk po ndaleshin, tash pretendimet e tij ishin edhe në nivelin qendror. Dhe prap do të përdoret Malisheva si një plaçkë, sidomos në zgjedhjet e vitit 2013, duke ngritur kauza gjoja për keqpërdorimet që po bëheshin nga qeverisja e Isni Kilajt, ndërsa këto ditë janë të shpeshta vizitat e tij në këtë familje, duke e paraqitur brengën dhe shqetësimin e tij. Kjo është politika “e kërbaçit dhe e kulaçit”. Janë të njohura deklaratat e tij kundër Isni Kilajt, Hashim Thaçit e Kadri Veselit, kundër PDK-së dhe vlerave të saj.
A e meritoi qytetari i Malishevës një trajtim të tillë, e sidomos votuesi i PDK-së?!
Pas këtyre zgjedhjeve (2013), IQM-ja në fillim, e më vonë Nisma Socialdemokrate, filloi me diferencimet ndaj votuesve të PDK-së. Me dhjetëra e qindra të larguar nga puna, vetëm për bindje politike. Kjo gjendja vazhdon edhe sot.
Politika e subjektit Nisma Socialdemokrate, që në thelb është e krijuar nga inatet dhe grupit të ngushtë të interesit, në strategjinë e saj ka vetëm mashtrimin, propagandën, demagogjinë, hipokrizinë.
Ky subjekt problem e ka pragun, kështu ishte prej fillimit. Moskalimi i pragut në zgjedhjet e fundit është tregues i qartë që ky subjekt i ka ditët e numëruara. Andaj sjellja e Limajt vetëm nëpër Malishevë tregon nivelin “e politikës së tij vizionare”.
Të mundohesh të ngresh kauza, në emër të një “Fronti të përbashkët” është edhe një përpjekje e tij e dështuar.
Ta keqpërdorësh procesin e Hagës si një kauzë, dhe të përdorësh emrat e Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe të tjerëve, për të përfituar politikisht, kjo nuk do ndonjë koment.
Qytetarët e Malishevës tashmë e kanë kuptuar “qëllimin fisnik” të Limaj. Ngarendjet e tij teposhtë-përpjetë, lokal më lokal, odë më odë, vendosja e dorës në shpinë me secilin që takohet, janë veprime tashmë demode, jashtë kohës. Janë lodhur njerëzit me këtë lloj të bërit politikë. Është barrë për qytetarin ta përballojë këtë lloj aktrimi me vite të tëra.
Partia Demokratike e Kosovës është subjekt serioz, me një bazë në të kaluarën dhe vizion të qartë për të ardhmen. Ne ftojmë të gjitha ata që njohin dhe besojnë në vlerat e PDK-së t’i bashkëngjiten këtyre vlerave, e jo një subjekti që mendon vetëm përfitimet e çastit.
KB Bashkimi ka dhënë lajmin e mirë sa i përket gjendjes shëndetësore të Terrance Fergusonit.
Amerikani debutoi të shtunën mbrëma në ndeshjen ndaj Golden Eagle Yllit, por nuk pati edhe shumë minuta në fushë pasi u përball me telashe shëndetësor.
Ferguson u rrëzua në tokë derisa po vraponte për në fazën e sulmit, teksa u largua me barrelë nga palestra, për t’u rikthyer sërish te ekipi prizrenas disa minuta më vonë – por, më nuk u paraqit edhe në lojë.
Klubi prizrenas ka njoftuar sot se 25-vjeçari i është nënshtruar ekzaminimeve mjekësore pas ndeshjes dhe sipas mjekëve, ai nuk ka ndonjë problem serioz.
Helmimi me ushqim dhe lodhja nga udhëtimi thuhet se ishin shqetësimet e vetme.
Njoftimi i plotë nga KB Bashkimi:
“Ju njoftojmë se pas kontrollave mjekësore pas ndeshjes Basketbollisti Terrance Ferguson është në gjendje stabile shëndetësore dhe nuk ka ndonjë shqetësim serizoz! Sipas raportit të mjekëve mbrëmë ishte në pyetje një helmim nga ushqimi që ka konsumuar gjatë ditës dhe gjithashtu rezultat i lodhjes pasi që lojtari ka arritur në Prizren diten e mërkurë dhe nuk ka pas kohë të mjaftueshme për tu adaptuar dhe nuk ka asnjë shqetësim tjeter. Sot ai është në gjendje shumë më të mirë dhe ka filluar ta marrë vetën dhe do të jetë i gatshëm për ta ndihmuar ekipin”.
Qeveria e Kosovës e ka prezantuar logon për shënimin e 26 vjetorit të Epopesë së UÇK’së. Më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998 në Prekaz të Skenderajt forcat serbe sulmuan shtëpitë e familjes Jashari, duke vrarë 55 anëtarë të familjes Jashari.