Shtëpive që përmbajnë karakteristika unike dhe vlera të larta të trashëgimisë kulturore në vend , të cilat kanë qenë thuajse të ‘harruara’ për shkak të dëmtimeve, po u kthehet shkëlqimi.
Kjo falë punës që po bënë Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Kosovës e cila po punon vazhdimisht për ruajtjen, mbrojtjen dhe restaurimin e tyre.
Kështu së fundmi MKRS-ja përmes rrjeteve sociale ka njoftuar se në kanë nisur punët për restaurimin e shtëpisë së familjes Kirajtani që gjendet në Zonën Historike të Prizrenit. Kjo shtëpi e ndërtuar në fillim të shekullit XIX, përmban vlera të larta të trashëgimisë kulturore.
Më tej MKRS njoftoi se menaxhimi e funksionalizimi i saj është hapi i tyre i radhës.
Edhe drejtori i Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren, Samir Hoxha, ka njoftuar për nisjen e punimeve.
“Edhe një hap i rëndësishëm drejt ruajtjes së trashëgimisë kulturore në vendin tonë. Ka nisur restaurimi i shtëpisë së familjes Kirajtani në Qendrën Historike të Prizrenit. Projekti po financohet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ndërsa Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren ka hartuar dhe po mbikqyr me përkushtim këtë projekt.
Vlen të theksohet se pronarët e shtëpisë, me përkushtim të jashtëzakonshëm, kanë ruajtur dhe mbrojtur këtë ndërtesë me vlera arkitekturore të larta për vite me radhë. Për këtë angazhim të tyre, ata pa dyshim meritojnë vlerësim dhe mirënjohje për kontributin në ruajtjen e trashëgimisë kulturore të Prizrenit”, shkruan Hoxha në Facebook.
Në librin “Œuvres de Napoléon Bonaparte, Tome 2, 1821 – Vepra të Napoleon Bonapartit, Vëllimi 2, 1821”, gjejmë dy letra ekskluzive (f. 230 – 231) ku Napoleon Bonaparti, pas pushtimit të Maltës, kërkonte të komunikonte me Ali Pashë Tepelenën, përmbajtjen e të cilave Aurenc Bebja, e ka sjellë për publikun shqiptar:
Maltë, 17 qershor 1798.
Shtetasit Lavalette,
Shtetas, “L’Arthémise” ka urdhërin që t’ju ankorojë në bregdetin e Shqipërisë dhe t’ju vendosë në gjendje të bisedoni me Ali Pashën.
Letra e bashkangjitur që do të duhet t’i jepni atij, nuk përmban asgjë tjetër veçse t’i jepni besueshmëri asaj që do t’i thoni dhe ta ftoni që t’ju japë një mënyrë të sigurt për të folur vetëm me të.
Do t’ia jepni vetë letrën e përmendur, në mënyrë që të siguroheni se do ta lexojë vetë.
Pas kësaj, ju do t’i thoni atij se, pasi sapo kam pushtuar Maltën dhe duke u gjendur në këto dete (ujëra) me tridhjetë anije dhe pesëdhjetë mijë burra, do të kem marrëdhënie me të dhe se dua të di nëse mund të mbështetem tek ai; se do të doja që edhe ai të dërgonte pranë meje, duke e hipur në fregatë, një njeri fisnik dhe që do të kishte besimin e tij; se për shërbimet që u ka bërë francezëve, për trimërinë dhe guximin e tij, nëse më tregon besim dhe dëshiron të më ndihmojë, unë mund t’ia shtoj shumë lavdinë dhe fatin e tij.
Në përgjithësi do të mbani shënim gjithçka që ju thotë Ali Pasha dhe do të hipni sërish në fregatë për të ardhur tek unë dhe do të më raportoni për gjithçka që keni bërë.
Duke kaluar nëpër Korfuz, ju do t’i thoni gjeneralit Chabot të na dërgojë anije të ngarkuara me dru dhe t’u bëjë një shpallje banorëve të ishujve të ndryshëm që t’i dërgojnë skuadriljes verë, rrush të thatë dhe se do të paguhen mirë për këtë.
BONAPARTI
Maltë, 17 qershor 1798.
Ali Pashës,
Miku im shumë i respektuar, pasi ju kam ofruar urimet e mia më të mira për begatinë dhe ruajtjen e jetës tuaj, kam nderin t’ju informoj se e njoh prej kohësh lidhjen (simpatinë) që keni për republikën franceze, gjë që do të më bënte të dëshiroja të gjeja një mënyrë për t’ju dhënë prova të vlerësimit që kam për ju.
Meqë sot rasti mu duk i favorshëm, u nxitova t’ju shkruaj këtë letër miqësore,dhe kam udhëzuar një nga ndihmësit e mi në terren që t’jua sjellë, t’jua dorëzojë personalisht.
E kam porositur gjithashtu që t’ju bëjë disa propozime në emrin tim dhe meqë nuk e njeh gjuhën tuaj, ju lutemi të zgjidhni një përkthyes besnik dhe të besueshëm për bisedimet që do të ketë me ju.
Ju lutem t’i jepni besueshmëri gjithçkaje që ai ju thotë nga ana ime dhe ta ktheni menjëherë tek unë me një përgjigje të shkruar në turqisht nga vetë dora juaj.
Ju lutem pranoni urimet e mia të mira dhe sigurinë e përkushtimit tim të sinqertë.
“Tri fuqi të mëdha po e luftojnë Napolonin, për shpirtin e Evropës… Anglia, Rusia dhe Znj. de Staël”.
Duke bashkuar impulset e zemrës dhe domosdoshmëritë e arsyes, duke krijuar një urë midis iluminizmit, me të cilin ushqehet dhe romantizmit që paralajmëron lindjen, Madame de Stawl shkruan me elan dhe inteligjencë një krijimtari të çmuar dhe të përkushtuar.
Kush nuk ka dëgjuar për Germain de Staël në kuadrin e Revolucionit Francez?
Gjëja më e vështirë është kategorizimi i saj: a është historiane?
Politologe? Filozofe? Apo shkrimtare? Femër sallonesh? Ambasadore? Amiguiteti i atribuimit të një prej këtyre emërtimeve është fakti se, ajo i mbante të gjitha.
Shtim masiv i parave false në tregun e Kosovës. Kështu e përshkruajnë ekspertë të Agjencisë së Forenzikës praninë e monedhave dhe kartëmonedhave të falsifikuara në vend.
Vlera e tyre, thonë ata, është në rritje krahasuar me vitin e kaluar – aktualisht dhjetëra mijëra euro.
Nga janari deri në shtator të vitit 2023, në laboratorin e Agjencisë së Forenzikës u ekzaminuan mbi 35.000 monedha të falsifikuara dhe 2.209 kartëmonedha të falsifikuara.
Në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, ekspertët e forenzikës ekzaminuan 9.309 monedha të falsifikuara dhe 645 kartëmonedha.
Më të falsifikuarat, sipas tyre, janë monedha prej 2 eurosh dhe kartëmonedha prej 50 eurosh.
Dy kartëmonedha prej 50 eurosh – njëra origjinale dhe tjetra false, gjatë ekzaminimit në laborator.
Feriz Selimaj, ekspert në Agjencinë e Kosovës për Forenzikë, thotë për Radion Evropa e Lirë se cilësia e falsifikimeve varion nga më e dobët deri në shumë e mirë.
“Për ne si ekspertë nuk është vështirë të identifikohen [paratë false]. Është e thjeshtë. Në laborator kemi aparaturë të avancuar dhe identifikohen lehtë, por për një qytetar nuk është e lehtë të dallohet origjinali me falsin”, thotë Selimaj.
Feriz Selimaj gjatë punës në laborator.
Kosova nuk është pjesë e Eurozonës, por përdor euron. Nga shtetet e tjera të rajonit, ashtu vepron edhe Mali i Zi.
Ekzaminimi i kartëmonedhave prej 50 eurosh.
Qindra raste të iniciuara në polici
Me Kodin Penal të Kosovës, kushdo që prodhon, vë në qarkullim, transporton, pranon, përdor ose posedon para të falsifikuara, me qëllim që t’i vendosë në qarkullim si të vërteta, dënohet prej 1 deri në dhjetë vjet burgim.
Sipas të dhënave të siguruara nga Policia e Kosovës, në gjashtë muajt e parë të këtij viti u iniciuan 486 raste të falsifikimit të parave, ndërsa gjatë gjithë vitit të kaluar 804.
Policia nuk ofroi detaje të tjera për to, por në raportimet 24-orëshe të saj publikohen shpesh raste të konfiskimit të parave të falsifikuara.
Në një nga raportimet e fundit për këtë çështje, më 17 tetor, policia tha se një menaxher i një banke në Kosovë ka raportuar se klientë të ndryshëm kanë deponuar në atë institucion “një sasi të parave” që dyshohet të jenë të falsifikuara.
Vlera e tyre ka qenë afër 2.000 euro.
Në të njëjtën ditë, policia njoftoi se ka arrestuar një person, pasi që gjatë kontrollit në veturën e tij ka gjetur dhe konfiskuar afër 1.000 euro – në monedha prej 2 eurosh – që janë dyshuar si të falsifikuara.
Monedha metalike prej 2 eurosh të falsifikuara.
Çka thotë Banka Qendrore e Kosovës?
Në një deklaratë me shkrim, Banka Qendrore e Kosovës thotë se është duke u koordinuar me organet përgjegjëse “për t’i mbështetur në veprimet e tyre për kufizimin dhe parandalimin” e dukurisë së parave false.
Pa dhënë më shumë detaje, në BQK thonë se paratë false e dëmtojnë ekonominë e Kosovës dhe i inkurajojnë sidomos bizneset që ta ndalojnë praktikën e furnizimit me monedha nga “operatorë të dyshimtë” dhe për çdo kërkesë, t’u drejtohen bankave komerciale.
Ata nuk specifikojnë se kujt i referohen me “operatorë të dyshimtë”, por thonë se praktika e tillë do të kontribuonte në mënyrë të drejtpërdrejtë në parandalimin e qarkullimit të parave false.
Një euro false dhe tjera origjinale gjatë ekzaminimit në laboratorin e Agjencisë së Forenzikës.
Më 7 nëntor, BQK-ja i njoftoi mediat për mbajtjen e një takim ndërinstitucional, lidhur me luftimin e kësaj dukurie.
Në komunikatë u tha se “Banka Qendrore e Kosovës, Policia e Kosovës, Agjencia e Kosovës për Forenzikë, Doganat e Kosovës, Administrata Tatimore e Kosovës, Njësia e Inteligjencës Financiare, Inspektorati i Tregut dhe Agjencia e Kosovës për Inteligjencë janë pajtuar që t’i intensifikojnë aktivitetet në zbatim të ligjit, të shtohen kontrollet dhe aktivitetet inspektuese brenda dhe në kufi, si dhe të ndiqen ligjërisht dhe me efikasitet aktivitetet e tilla joligjore”.
REL-i bisedoi me përfaqësues të disa bizneseve të vogla në Prishtinë dhe disa prej tyre pranuan se janë përballur me monedha false – kryesisht 2 euro.
“Disa konsumatorë duan të blejnë me ato para se nuk e dinë që janë false, por ka pasur raste që edhe unë kam pranuar 2 euro false dhe nuk e kam ditur”, tha pronari i një biznesi ushqimor, duke dashur të mbetet anonim.
“Të ta them të drejtën, edhe marr para false, por edhe kthej. Ka shumë në qarkullim – më së shumti 2 euro”, sipas tij.
FotogaleriNë laboratorin ku ekzaminohen paratë false
Çka thonë ekspertët?
Falsifikimi i parasë është krim që në mënyrë të vazhdueshme paraqet rrezik për ekonominë e një vendi, thonë ekspertë të çështjeve financiare.
“Në momentin që identifikohen si para false, aq sa është shuma e tyre, aq janë edhe humbjet në ekonomi”, thotë Milazim Abazi, ish-kryesues i Komitetit të Financave në Odën Ekonomike Amerikane.
Nga 1 janari i vitit të ardhshëm, qytetarët e Kosovës pritet të lëvizin pa viza në vendet e BE-së – gjë që pritet ta rrisë edhe qarkullimin e tyre.
Agjencia e Kosovës për Forenzikë.
Por, cili është rreziku që ata të përballen me shkelje, nëse bartin pa ditur para false në tregun e BE-së?
“Unë do t’i këshilloja qytetarët e Kosovës që të mos marrin monedha metalike se mund të përballen me përgjegjësi ligjore nëse i prezantojnë ato para në vendet e BE-së”, thotë Abazi.
Mejdi Bektashi, profesor i ekonomisë në Universitetin e Prishtinës, nuk sheh ndonjë rrezik të madh në këtë aspekt.
“Shumica e njerëzve përdorin kartelat bankare për t’i ikur këtij rreziku. Të gjitha këto para false, në fund, do të mbesin në Kosovë”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.
Si të mbroheni nga paratë e falsifikuara?
Për kontrollin e vërtetësisë së parave, Banka Qendrore e Kosovës sugjeron qytetarët që të ndjekin tre hapa të lehtë: “prek, shiko, kontrollo” – pa pasur nevojë për mjete të posaçme.
Monedhat false janë zakonisht më të vrazhda dhe mund të identifikohen edhe me devijime, shkronja dhe simbole që nuk përputhen me origjinalin.
Kontrollimi i vërtetësisë së monedhave, sipas sugjerimeve të BQK-së, mund të bëhet edhe me ndihmën e një magneti, sepse prerjet e ndryshme kanë veti magnetike të ndryshme nga njëra-tjetra.
“Te monedhat 1 dhe 2 euro, të cilat janë bimetalike, pjesa e brendshme është pak magnetike, ndërsa pjesa e jashtme jo. Monedhat 1, 2 dhe 5 centë janë shumë magnetike dhe tërhiqen lehtësisht nga magneti. Monedhat e falsifikuara, nga ana tjetër, zakonisht ose nuk janë fare magnetike, ose tërhiqen fort nga magnetet”, thuhet në manualin e BQK-së për mbrojtje nga paratë false.
Selimaj, nga Agjencia e Forenzikës, i sugjeron qytetarët që t’i përdorin më shumë kartelat bankare./REL
Izraeli duhet patjetër t’i ndalë bombardimet në Rripin e Gazës dhe vrasjen e civilëve, tha presidenti i Francës, Emmanuel Macron, në një intervistë për BBC-në të premten vonë.
Macroni tha se “nuk ka arsyetim” për bombardimet dhe shtoi se armëpushimi do t’i sillte dobi Izraelit.
“De fakto – sot, civilët po bombardohen – de fakto. Këto foshnje, këto zonja, këta të moshuar po bombardohen e po vriten. Nuk ka arsye për këtë dhe as ligjshmëri. Prandaj, ne i bëjmë thirrje Izraelit të ndalet”, tha Macroni.
Ai e përsëriti se Franca “i dënon qartazi veprimet terroriste” të grupit palestinez Hamas, i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian.
Por, ai shtoi se, derisa Franca e njeh të drejtën e Izraelit për t’u vetëmbrojtur “ne i bëjmë thirrje atyre t’i ndalin këto bombardime” në Gazë.
I pyetur nëse do të donte që liderët e tjerë – përfshirë në Shtetet e Bashkuara dhe në Britani të Madhe – t’i bashkohen kërkesës së tij për armëpushim, Macron tha: “Shpresoj se do ta bëjnë”.
Izraeli është përballur me thirrje të mëdha për t’u vetëpërmbajtur në luftën tashmë njëmujore me grupin ekstremist, Hamas, por thotë se militantët e këtij grupi, të cilët e sulmuan Izraelin më 7 tetor dhe vranë e rrëmbyen njerëz, do ta shfrytëzonin armëpushimin për ta rimarrë veten.
Në një reagim ndaj Macronit, kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se liderët botërorë duhet ta dënojnë Hamasin, e jo Izraelin.
“Këto krime që Hamasi po i kryen sot në Gazë do të kryhen nesër në Paris, Nju Jork dhe çdo kund në botë”, tha Netanyahu.
Intervista e Macronit për BBC-në u transmetua një ditë pasi u mbajt një konferencë humanitare për Gazën në Paris.
Macroni tha se “konkluzionet e qarta” të të gjitha qeverive dhe agjencive të pranishme në këtë konferencë janë se “nuk ka zgjidhje tjetër mos një pauze humanitare së pari, pastaj kalimi te një armëpushim, i cili do të mundësonte mbrojtjen… e të gjithë civilëve të cilët nuk kanë asgjë të bëjnë me terroristët”.
Ndërkohë, Ministria e Jashtme e Izraelit tha se numri zyrtar i të vrarëve gjatë sulmit vdekjeprurës të 7 tetorit është ulur në 1.200.
Paraprakisht, zyrtarët izraelitë kishin raportuar se 1.400 persona u vranë nga Hamasi gjatë sulmeve në jug të Izraelit, gjë që nxitën luftën në Gazë.
Ndërkaq, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazën e udhëhequr nga Hamasi, mbi 11.000 palestinezë janë vrarë që nga nisja e luftës./REL
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në ditën e dytë të Forumit të Paqes në Francë gjatë fjalës së tij ka përmendur sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë.
Gjatë fjalimit të tij në kuadër të temës “Krijimi i paqes dhe ndërtimi i një bote më të sigurt”, shefi i ekzekutivit ka thënë se grupi terrorist i financuar nga Serbia më 24 shtator ka dashur të shkaktojë përshkallëzim të situatës dhe të krijojë kaos më të madh.
“Më 24 shtator, patëm një lloj sulmi të një grupi terrorist në veri afër një manastiri në Banjskë, ku vdiq një rreshter policor. Sigurisht ky grup i mbështetur nga Serbia ka dashur të shkaktojë përshkallëzim të një mase më të madhe, si pretekst që ushtria serbe të hyjë në Kosovë, pasi kemi 48 baza ushtarake serbe afër kufijve tanë, gjysma e ushtrisë e gjysma e xhandërmarisë serbe. ShBA-ja tha se kjo është e papranueshme dhe se duhet të tërhiqen të na sjellin te një situatë më paqësore”- ka thënë Kurti.
Kurti ka thënë se shumica nga kryesit e këtij akti terrorist janë të lirë dhe se vendi duhet të ketë kujdes nga këto grupe që siç thotë ai duan t’i ngjajnë grupit, Wagner.
“Megjithatë, kryesit e këtij akti terrorist, shumica dërmuese janë të lirë në Serbi, përfshirë liderin e atij grupi, Milan Radoiçiqi, i cili ka pranuar publikisht që ai e ka udhëhequr këtë sulm, por që është arrestuar dhe liruar pas pak orësh në javën e parë pas këtij sulmi. Për sigurinë e vendit tonë duhet të kujdesemi për këto grupe që duan t’i ngjajnë Wagnerit, që duan të shkaktojnë destabilizim, ndërsa në anën tjetër duhet të fokusohemi kryesisht tek situata gjeopolitike ku nuk kemi kurrfarë alternative, sepse nuk duam të kemi alternativë përveç BE-së dhe NATO-s”- ka theksuar Kurti.
Më tutje, Kurti tha se Rusisë i kanë pëlqyer shumë përpjekjet për destabilizimin e Ballkanit, të cilat sipas tij, kanë efekt përhapës në kuptimin e largimit të vëmendjes nga agresioni që Rusia e ka filluar para dy vitesh në Ukrainë.
“Dhe gjëja e fundit që dua të përmend është fakti që në secilin konflikt me të cilin ballafaqohemi sot, Rusia e Irani s’janë as pasivë e as jashtë atij konflikti. Këto luftërat hibride nuk kanë kufizim tokash. Kudo që shohim një konflikt të ri që lind, ka disa fuqi e superfuqi që duan ta shohin atë konflikt në flakë, kanë punuar paraprakisht, e gëzojnë atë aktualisht dhe pastaj investojnë që ashtu të vazhdojë edhe në të ardhmen”- ka vijuar ai./Dukagjini
Sot sytë e fansave të sporteve luftarake do të jenë të kthyer kah Malisheva, qytet në të cilin do të zbarkojë Luan Rudaj, garuesi kosovar i sportit Muay Thai.
Ndonëse është lindur dhe rritur në Zvicër, Luani është tejet i lidhur me Kosovën dhe kjo ka qenë një shtytje që ai ta zhvillojë meçin e tij special në vendin tonë.
Këto ditë, Muzeu i Beogradit, në një ankand në Londër, bleu pikturën e njohur “Bashibuzuku” të piktorit Paja Jovanoviq. Blerja e kësaj pikture në një shumë prej mbi 400 mijë dollarësh dhe sjellja në Beograd, u përcoll me një propagandë denigruese ndaj shqiptarëve, meqë, sipas kësaj pikture, ata identifikohen bashibozukë, të cilët, i shërbyen Perandorisë Osmane për zullum ndaj “rajës” së krishterë dhe të serbëve në “Serbinë e vjetër” Kosovën e sotme!
Ky veprim, që nuk mund të shihet i shkëputur nga politika aktuale e destabilizimit të Kosovës si dhe paraqitjes së saj “si shtet i rrezikshëm për qytetërimin perëndimor” natyrisht “në fërkim të hapur me islamin politik”, është në përputhje me konceptin e njohur hegjemonist serb nga shekulli XIX, që krahas gënjeshtrës rreth të ashtuquajturit shtet mesjetar serb në Kosovë, që nuk ka ekzistuar dhe krahas gënjeshtrës rreth të ashtuquajturës Kishë Autoqefale serbe nga shekulli XIII, që po ashtu nuk ka ekzistuar pos një autonomi e përkohshme e Peshkopatës së Rashës (më vonë Zhiqes) nga Peshkopata e Ohrit, çfarëdo tjetër nga kultura dhe jeta shpirtërore, shoqërore dhe politike e shqiptarëve nga mesjeta e këndej, të paraqitet jashtë kontekstit historik, pra si e shkapërderdhur nëpër etni të tjera (siç pretendon historiani Shmitt), ndonëse ajo është e ndërlidhur me tri nga mbretëritë më të fuqishme të antikitetit (Dardania, Maqedonia dhe Epiri), që edhe pas pushtimeve romake, nën emërtimin provincë e “Ilirkut” shfaqet me identitet etnik-adminstativ. Ndërsa gjatë Bizantit, kësaj komponentë do t’i shtohet edhe ajo e identitetit shpirtëror (me krishterimin nga zyrtarizimi i tij në shekullin IV nga perandori Konstandin e Madh), që Beogradi bën çmos ta fshijë nga lidhja me shqiptarët, si bartës të këtij zhvillimi shpirtëror, kulturor në raport me luftën e qytetërimeve.
Edhe pse këto fakte, pak a shumë pranohen nga historiografia botërore, megjithatë, historiografia hegjemoniste serbe, e mbështetur mbi projektin e njohur të “Naçërtanjës” së Garashanint të viti 1844, me anën e falsifikimeve dhe të shndërrimit të miteve në histori (siç është ai i Kosovës e të ngjashme), ka vepruar në mënyrë aktive, duke u përqendruar që të ndërpret çfarëdo lidhjeje të shqiptarëve nga antikiteti (mbretëria e Dardanisë, ajo e Maqedonisë dhe e Epirit) me mesjetën e mesme dhe atë të vonshme.
Natyrisht se këtu ka funksionuar binomi i dy formulave mashtruese: asaj të shtetit mesjetar serb dhe të autoqefalisë së kishës ortodokse serbe nga vitit 1217. Falsifikimi i parë mbështetet te despotati i Rashës dhe Nemanjajt, ndonëse nga burimet meritore bizantine bëhet fjalë për një despotat si shumë të tjerë gjatë rrethanave të Bizantit, i ngritur fillimisht nga Vatikani për qëllime që t’i krijohej një baraspeshë me krishterimin ortodoks në pjesën qendrore të Ilirikut pas ndarjes së tyre në vitin 1054 dhe më vonë dhe, gjatë kohës së zhupanit të madh Stefan Dushani, i përkrahur nga Bizanti për të mos lejuar forcimin e katolicizmit në Ilirik. Në të gjitha dokumentet meritore të kohës (ato të perandorëve Porfirogenti dhe Kantakuzeni, të kronistëve të njohur Pahemije, Kristobulus dhe të tjerë), kemi despotatin ose zhupaninë e Rashës si Rascia, Rasie e të ngjashme, po askund Mbretëri Serbe. Termi “mbretëri serbe” si titull kishtar, shfaqet vetëm në zhititë (jetëshkrimet) e Hilandarit dhe të klerikëve të tjerë ortodoksë, të falsifikuara në shekullin XIX nga shkolla sllaviste e Vjenës e drejtuar nga Shafariku e deri te Jastrebovi rus, për ç’gjë dëshmon më së miri historiani serb i shekullit XIX I. Ruravac, e që vula më bindëse e këtij falsifikimi ordinar shfaqet te vepra e K. Novakoviqit “Zakonik Stefana Dushana, cara srbskog” (Kodi i Stefan Dushanit, perandorit serb) të botuar në viti 1908 dhe shumë herë të ribotuar, me ç’rast, në hyrje, në faqen 4, Novakoviq thotë se “Kanuni i Dushanit, që e sjell, nuk është i mirëfillti, nga shekulli XIV, po nga një harrnim kujtimesh nga një prift ortodoks serb nga Prizreni si dhe nga disa mësues të Bogoslovisë së Prizrenit”! Ky falsifikim me 16 versione të tjera të “Zakonikut” të Dushanit, mbi të cilin ndërtohet e gjithë godina e të ashtuquajturit shtetit mesjetar serb, në shumë universitete meritore botërore (SHBA, Britani të Madhe dhe gjetiu) është vlerësuar si jokredibil.
Ngjashëm ndodhë edhe me mashtrimin rreth të ashtuquajturës autoqefali të Kishës Ortodokse serbe nga viti 1217, që poashtu, nga burime kredibile historike nga vetë Patriarkana e KOnstatinopojës, është demantuar me faktin se kjo autoqefali ka ndodhur tetë shekuj më vonë, në vitin 1923 pasi që ndërkombëtarisht të jetë formuar Mbretëria Serbe-Kroate dhe Sllovene.
Por, përkundër këtyre fakteve që mund t’u shtohen sa e sa të tjera nga institucionet kryesore akademike serbe (Akademia Serbe e Arteve dhe e Shkencave (SANU) dhe Kisha Ortodokse Serbe, Muzeu i Beogradit e të tjera), të cilat vazhdojnë të përhapen nëpër botë mbi këtë diskurs, ndaj të cilave akademitë në Tiranë dhe Prishtinë si dhe ato institucionale të shtetit shqiptar dhe të atij të Kosovës (Institutet e Hisotrisë dhe të Albanologjisë, që jo vetëm nuk reagojnë, po gjithnjë mbllaqisin këto gënjeshtra), megjithatë, Serbia dhe mekanizmat e saj kulturor dhe akademik, siç ndodhi këto ditë në Londër, me rastin e blerjes së pikturës së njohur të Paja Jovanoviqit, propagandën e njohur të përvetësimit të krishterimit ortodoks në Kosovës, që me dokumentin e Ahtisarit, objektet e krishterimit ortodoks iu dhuruan Kishës Orotodose Serbe e me këtë, Serbisë jo vetëm që do t’i njihen “tapitë shpirtërore dhe ato historike” në Kosovë, me të cilat ajo në raportet politike dhe diplomatike ndërkombëtare “konfirmon” pretendimet hegjemoniste, por njëherësh vazhdon që ato t’i bart edhe në planin aktual politik të njollosjes së shqiptarëve në përputhje me shpifjet dhe fymjet e Vladan Gjorgjeviqit, Cvijiqit dhe të tjerëve, si “mbetje fanatike otomane” dhe “zullumqarë të rrezikshëm për qytetërimin perëndimor”! Kjo anatemë, u përdor edhe në Londër, po edhe në Beograd me rastin e blerjes së pikturës së Paja Jovanoviqit “Pushimi i Bashibozukut”. Në Prononcimin e Muzeut të Beogradit, rreth kësaj pikture, për bashibozukët thuhet se ishin mercenarë kryesisht nga radhët e shqiptarëve e të kurdëve, të paguar mirë për të ushtruar terror ndaj popullsisë së krishterë, “rajës”, veçmas ndaj asaj serbe në “Serbinë e vjetër”.
Ky veprim i Beogradit dhe të ngjashmit, ndonëse nuk mund të ndryshojnë ato që me Pakon e Ahtisarit, në saje të sjelljes së papërgjegjshme të klasës politike dhe të një grupi historianësh, arkeologësh dhe kulturologësh që mori pjesë në këto bisedime iu dhanë Serbisë nga trashëgimia e saj shumëshekullore kulturore dhe historike, megjithatë duhet ta vetëdijësojnë atë që në aranzhmanet e ardhshme politike, ku bie edhe statusi i kishës ortodokse në Kosovë, me protokollet e decentralizimit të viteve 2013-2016, tashme me tretmanin e eksterritorialitetit, të aprovojë ligjin për bashkësitë fetare, me ç’rast, kisha ortodokse serbe do të trajtohet si bashkësitë tjera fetare, ndërsa objektet e kultit, që ajo tashmë i ka përvetësuar, me një marrëveshje me ndërkombëtarët, të bëjë çmos të fitojnë tretmanin e “pasurisë së hapur kulturore ” për të gjithë qytetarët, siç ndodh me të ngjashmet kudo në Europë, të hapura për dhe jo të mbesin peng i klerikëve serb në shërbim të politikave hegjemoniste dhe luftënxitëse, apo të shndërrimit të tyre në depo municioni, siç ndodhi me manastirin e Banjës para pak kohësh!
Kosova, pra, sot më shumë se kurrë, ka për detyrë që të neutralizojë sa më shumë që të jetë e mundur, fuqinë e kishës ortodokse serbe në Kosovës, në mënyrë që ajo të mos shfrytëzohet për qëllime politike, siç ka ndodhë dje dhe po ndodh edhe sot.
Malisheva ka arkëtuar tri pikë tejet të rëndësishme duke mundur Gjilanin, me rezultat 1-0, të premten në kuadër të javës së 14-të në Superligën e Kosovës në futboll.
Malisheva para tifozëve të tyre triumfojë ndaj gjilanasve falë golit të Hazrollajt nga penalltia.
Në anën tjetër Gjilani ka zhgënjyer dhe vazhdon të ketë shumë luhatje në paraqitjen e tij.
Pas kësaj fitore, Malisheva ka 20 pikë në vendin e katërt, kurse, Gjilani renditet e shtata me 14 sosh.