Zëvendësministrja e Transportit, Kaltrina Zekolli, në Click Plus në TV21, bëri të ditur se për rrugën Tetovë – Prizren janë ndarë 2 milionë euro.
Zekolli theksoi se kjo rrugë është me rëndësi të madhe nga aspekti ekonomik por edhe në aspektin e turizmit.
“Rruga Tetovë – Prizren është shumë i rëndësishëm nga aspekti ekonomik. Kemi bërë shumë takime, Kosova është më përpara me hapa, në fillim të mandatit tim kemi hasur në një memorandum bashkëpunimi mes dy qeverive, por që nuk kishte lëvizur asnjë hap përbrenda memorandumit. Kemi arritur ta kalojmë fazën e detyrës projektuese. Për këtë projekt 2 milionë euro janë të ndara në buxhetin e Ndërmarrjes Publike “Rrugët Shtetërore” për hapjen e tenderit për projektin kryesorë”, deklaroi Kaltrina Zekolli – zëvendësministre e Transportit.
Zekolli poashtu përmendi edhe projektin tjetër infrastrukturor, Korridorin 8.
Ajo tha se Korridori 8 duhet të përfundojë në vitin 2029.
Mes tjerash Zekolli tha se projekti i kalon 1 miliard euro, duke shtuar se 600 milionë euro janë shfrytëzuar në pjesën Kërçovë-Ohër.
Policia ka bërë të ditur se të mërkurën në Malishevë është raportuar se dy persona të maskuar nën kërcënimin e armëve i kanë grabitur 800 euro një qytetari.
Në raportin 24-orësh të policisë thuhet se personat në fjalë janë larguar në drejtim të panjohur.
Rasti në fjalë është duke vazhduar për t’u hetuar.
Bora regjistroi fitore shumë të rëndësishme, duke fituar ndaj Rahoveci 029 me rezultat 65:85 (11:23, 26:25, 16:21, 12:16), në javën e tetë të ProCredit Superligës.
Julian Roche kishte 16 pikë e 14 kërcime te vendasit, derisa Amin Hot 19 pikë për mysafirët dhe Adem Mekiq 14 pikë e shtatë kërcime.
Rahoveci 029 ka tri fitore e pesë humbje, kurse Bora dy fitore e pesë humbje./PrizrenPress.com/
Veteran dhe invalid i luftës, si dhe asamblist me përvojë shumëvjeçare, Agim Muqaj ka shpallur zyrtarisht kandidaturën e tij për deputet në Kuvendin e Kosovës nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).
Ai tregon se kandidatura buron nga dëshira për të çuar përpara vlerat e sakrificës, respektin për veteranët, mbështetjen për familjet, forcimin e ekonomisë dhe ndërtimin e institucioneve që i shërbejnë qytetarit.
Shprehet se përvoja e tij, si në kohë lufte ashtu edhe në kohë paqeje, e ka mësuar se zhvillimi i Kosovës kërkon njerëz të sinqertë, të guximshëm dhe të përkushtuar.
“Me përkrahjen tuaj, jam i gatshëm të jem zëri i së vërtetës, i drejtësisë dhe i vizionit për një të ardhme më të mirë. Së bashku mund të ndërtojmë një shtet me më shumë mundësi, më shumë siguri dhe më shumë dinjitet”, shkruan Muqaj./PrizrenPress.com/
KRU “Hidroregjioni Jugor” në Prizren ka njoftuar se ekipet e inspektoratit po vazhdojnë aksionin e shkyçjeve nga rrjeti i ujësjellësit ndaj konsumatorëve që kanë borxhe të pashlyera, pavarësisht njoftimeve të mëparshme dhe mundësive të ofruara për pagesë.
Në njoftim theksohet se të gjithë konsumatorët që nuk kanë shlyer obligimet financiare rrezikojnë ndërprerjen e furnizimit me ujë.
Kompania u bën thirrje qytetarëve që të kryejnë pagesat sa më parë, për të shmangur masat e shkyçjes.
KRU “Hidroregjioni Jugor” ka ftuar konsumatorët që kanë nevojë për informacione shtesë ose sqarime të drejtohen në qendrat e shërbimit të kompanisë.
Sot, në mbledhjen inauguruese të Kuvendit të Komunës së Malishevës, dhanë betimin Kryetari i Komunës, Ekrem Kastrati, si dhe 27 anëtarët e rinj të Kuvendit Komunal.
Të zgjedhurit nënshkruan edhe deklaratat zyrtare të betimit, raporton PrizrenPress.
Pas ceremonisë, Kastrati falënderoi qytetarët për besimin e dhënë për mandatin e ri.
“Do të punoj dhe angazhohem pa dallim për të gjithë banorët e Malishevës. Jam kryetar i të gjithëve, pa asnjë dallim”, theksoi ai.
Kastrati rikujtoi projektet e realizuara gjatë katër viteve të fundit, duke veçuar projektin transformues “Malisheva urbane”.
“Ky projekt ka qenë një ndër më të rëndësishmit për qytetin dhe do të vazhdojë me faza të reja, duke u shtrirë edhe në zonat rurale”, shtoi ai.
Kryetari Kastrati gjithashtu u zotua për vazhdimësi në përmirësimin e infrastrukturës, shëndetësisë, arsimit, rinisë, kulturës, sportit dhe bujqësisë, duke e konsideruar mbështetjen e qytetarëve si përgjegjësi për katër vitet e ardhshme.
Në përmbyllje të ceremonisë, kryetari dhe anëtarët e Kuvendit bënë homazhe në varrezat e dëshmorëve në Malishevë dhe Kleçkë, duke nderuar sakrificën dhe kontributin e tyre për lirinë e vendit./PrizrenPress.com/
Kryetari I Prizrenit Shaqir Totaj ka pritur delegacionin e KfW-së, diskutohet për projekte të ujërave të zeza dhe menaxhimin e mbeturinave
Gjatë takimit u diskutua për koordinimin e projekteve në sektorin e ujërave të zeza dhe për mundësitë e avancimit të shërbimeve infrastrukturore për qytetarët e Prizrenit.
Një nga temat kryesore ishte projekti për rehabilitimin dhe modernizimin e deponisë së mbeturinave në Landovicë, i cili përfshin nxjerrjen e gazit dhe trajtimin e ujërave të ndotura. Projekti aktualisht ndodhet në fazën e dizajnimit.
Kryetari Totaj shprehu mbështetjen e komunës për realizimin e këtyre investimeve, duke theksuar se përmirësimi i shërbimeve publike mbetet prioritet.
“Komuna e Prizrenit do ta vazhdojë mbështetjen për ndërmarrjet publike, me synim krijimin e një mjedisi më të pastër dhe më të shëndetshëm për të gjithë qytetarët”, deklaroi ai.
Dioqeza Prizren-Prishtinë në bashkëpunim me Argjipeshkvinë e Tivarit ka ftuar besimtarë, studiues dhe artdashës në edicionin e radhës të “Ditëve të Bogdanit 2025”, që do të mbahen të shtunën në Qendrën BogdaniPolis në Prishtinë.
Këtë vit, ngjarja do t’i kushtohet 100-vjetorit të lindjes së Dom Simon Filipajt, njërit ndër figurat më të shquara të kulturës shqiptare, i njohur si përkthyesi i Biblës në gjuhën shqipe.
Programi i Ditës së Bogdanit 2025
Ngjarjet do të nisin në ora 16:00 me një Akademi Shkencore, ku ligjërues të njohur do të trajtojnë dimensione të ndryshme të jetës dhe veprës së Dom Simon Filipajt. Ndër ta përfshihen:
Imzot Zef Gashi – Njohja dhe bashkëpunimi shumëvjeçar me Dom Simon Filipajn
Dom Lush Gjergji – Botimet biblike dhe liturgjike nën kujdesin e tij
Dom Simo Luliq – Zgjedhja e disa fjalëve të rralla në procesin e përkthimit
Dom Kolë Dedaj – Poezia hebraike në përkthimet e tij dhe në Shkollën Biblike
Evalda Paci – Analizë mbi tekstet biblike të Filipajt
Ndue Ukaj – Bibla dhe letersia shqipe
Në ora 18:00, në Katedralen “Shën Nënë Tereza”, do të mbahet Mesha e Shenjtë, e drejtuar nga Imzot Zef Gashi, argjipeshkëv në pension i Tivarit.
Aktivitetet do të vijojnë në ora 19:00 me një tjetër Akademi Shkencore, ku do të mbahen fjalë përshëndetëse nga autoritetet dhe do të zhvillohet Lectio Magistralis nga Imzot Rrok Gjonlleshaj, i cili do të flasë mbi figurën e Dom Simon Filipajt si meshtari që “i foli Zotit shqip”.
Pjesë e mbrëmjes do të jenë edhe pika muzikore me vepra të Frédéric Chopin, Giulio Caccini (“Ave Maria”), si edhe interpretimet e korit të Katedrales “Shën Nënë Tereza”.
Mbrëmja do të përmbyllet në ora 20:00 me një koktej në “Agorà”.
Dom Simon Filipaj – një jetë në shërbim të Fjalës së Zotit
Dom Simon Filipaj mbetet një ndër figurat qendrore të botimeve kishtare shqiptare, falë angazhimit të tij dekada të tëra në përkthimin dhe redaktimin e teksteve biblike. Përkthimi i Biblës në shqip konsiderohet një vepër monumentale, që bashkoi përpjekje shkencore, gjuhësore dhe shpirtërore.
Ngjarja “Ditët e Bogdanit” vazhdon traditën vjetore të nderimit të kulturës, dijes dhe historisë katolike shqiptare, duke e shndërruar Prishtinën në një qendër të reflektimit intelektual dhe shpirtëror./KultPlus.com