Sot në fshatin Llazicë do të zhvillohet ceremonia e zbulimit të lapidarit të dëshmorit të kombit, Ilaz Javori, në nderim të 27-vjetorit të rënies së tij, raporton PrizrenPress.
Ceremonia organizohet nga Komuna e Malishevës, nën përkujdesjen e kryetarit Ekrem Kastrati, dhe në bashkëpunim me familjen e dëshmorit dhe përfaqësues të komunitetit lokal.
Ngjarja do të fillojë në ora 11:00 pranë lapidarit, ku pjesëmarrësit do të kenë mundësinë të ndjekin hapjen e ceremonisë, fjalët e rastit nga kryetari i komunës, kryetari i Shoqatës së Veteranëve dhe përfaqësues nga familja/fshati, si dhe zbulimin e lapidarit./PrizrenPress.com
Një burrë ka humbur jetën në Suharekë pas lëndimeve të marra derisa po punonte.
Ai ishte dërguar për tretman mjekësor në Spitalin e Prizrenit, por mjekët kishin konstatuar se ai kishte arritur në spital pa shenja jete.
Policia tha se ka arrestuar dy persona për rastin që e cilësoi si “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.
“Rr. Brigada-123, Suharekë 26.09.2025 – 15:45. Viktima mashkull kosovar-punëtor, derisa ishte duke punuar, dyshohet se aksidentalisht është lënduar. Viktima është dërguar për tretman mjekësor në Spitalin Rajonal të Prizrenit, aty ekipi mjekësor ka konstatuar se viktima ka arritur pa shenja jete. Me vendim të prokurorit janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovarë, ndërsa trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion”, thuhet në raportin e policisë.
Një burrë është arrestuar në Prizren, pasi Policia i gjeti dhe i sekuestroi marihuanë, 395 euro të gatshme, grinder, telefon dhe veturë.
Sipas Policisë, rasti ka ndodhur në rrugën “Evlija Qelebij”.
“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që i janë gjetur dhe sekuestruar 20.17 gram substancë narkotike e llojit marihuanë, 395€, një grinder, një telefon mobil dhe një veturë. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e 24-orësh të PK-së.
Organizata “Ec Ma Ndryshe” ka ngritur shqetësimin për gjendjen alarmante të Drinit të Bardhë, një nga pasuritë ujore më të rëndësishme të Kosovës, duke paralajmëruar se ndotja, shfrytëzimi i pakontrolluar dhe ndryshimet klimatike po e vënë në rrezik të ardhmen e tij.
Në një reagim publik, organizata thekson se Drini i Bardhë furnizon me ujë të pijshëm pjesën më të madhe të vendit, siguron vaditje për bujqësinë, është burim energjie dhe habitat i larmishëm për florën e faunën. Përveç vlerave natyrore, lumi ka rëndësi të veçantë kulturore e historike për komunitetet përgjatë rrjedhës së tij, përcjell Telegrafi.
Megjithatë, sipas “Ec Ma Ndryshe”, ky burim jetik përballet me një sërë sfidash serioze. Mungesa e impianteve të trajtimit të ujërave të zeza ka bërë që shumica e vendbanimeve t’i shkarkojnë mbetjet drejtpërdrejt në lum, ndërsa industrisë i mungojnë filtrat dhe mekanizmat kontrollues. Po ashtu, shfrytëzimi i pakontrolluar i ujit nga bujqësia, industria dhe ujësjellësit rrezikon balancën ekologjike dhe shkakton konflikte mes komuniteteve.
Në listën e sfidave renditen edhe prerjet ilegale të pyjeve, nxjerrja e zhavorrit nga shtrati i lumit dhe ndërtimet pa leje, të cilat po e ndryshojnë strukturën natyrore të pellgut dhe po rrisin rrezikun e përmbytjeve. Ndryshimet klimatike, përmes rritjes së temperaturave dhe ndryshimit të ciklit të reshjeve, e përkeqësojnë edhe më shumë situatën.
“Ec Ma Ndryshe” thekson se Plani i Menaxhimit të Pellgut Lumor të Drinit të Bardhë parashikon një sërë masash që duhen zbatuar urgjentisht. Ndër to përfshihet ndërtimi i impianteve moderne të trajtimit të ujërave të zeza, forcimi i monitorimit të licencave për shfrytëzimin e ujit, pyllëzimi i zonave të degraduara, ndalimi i prerjeve ilegale dhe vendosja e sistemeve të hershme paralajmëruese për përmbytjet.
Organizata nënvizon se, për shkak se Drini i Bardhë kalon përmes Kosovës, Shqipërisë dhe Malit të Zi, menaxhimi i tij kërkon bashkëpunim rajonal dhe një qasje të integruar afatgjatë.
“Drini i Bardhë është pasuri kombëtare dhe rajonale, dhe mbrojtja e tij është domosdoshmëri për të siguruar ujë të pastër, zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe një të ardhme të shëndetshme për gjeneratat që vijnë”, thuhet në reagimin e “Ec Ma Ndryshe”.
Nisma Socialdemokrate ka vazhduar fushatën zgjedhore me një takim me banorët e lagjes Kurillë në Prizren. Në këtë tubim, kryetari i partisë, Fatmir Limaj, dhe kandidatja për kryetare të Komunës së Prizrenit, Albulena Balaj-Halimaj, prezantuan programin e tyre dhe kërkuan mbështetjen e qytetarëve për zgjedhjet e ardhshme lokale.
Në këtë tubim, kryetari i partisë, Fatmir Limaj, u kaë kërkuar qytetarëve mbështetjen e tyre.
“Është një mundësi e mirë për lagjen Kurillë me pas një zë në Asamble, një zë të dy njerëzve intelektualë, të një zonje dhe të një djali tuaj këtu, të cilët janë të lidhur me këtë lagje. Të gjitha shqetësimet e problemet e juaja, duke pasur njerëzit në Asamble, mund të adresohen dhe mund të shkojnë drejt zgjidhjes”, thakosi Limaj.
Gjatë tubimit, kandidatja për kryetare të Prizrenit, Albulena Balaj-Halimaj, shpalosi vizionin dhe prioritetet e saj për zhvillimin e komunës. Ajo theksoi rëndësinë e përfshirjes së qytetarëve në vendimmarrje dhe ofroi zotime për investime që prekin drejtpërdrejt mirëqenien e tyre.
“Unë mendoj që çdo investim që bëhet në muajt e fundit, ose dy javët e fundit, sidomos afër zgjedhjeve nuk është investim që ata kanë dashur ta bëjnë për hir të lagjes. Është investim përmes të cilit mundohen me mashtru qytetarin, demek që unë e bëra këtë, e tash ju duhet me ma kthy mua votën”, tha ajo.
Takimi u shoqërua me diskutime të hapura, ku banorët shprehën shqetësimet dhe pritjet e tyre nga qeverisja e ardhshme lokale.
Një person ka vdekur si pasojë e lëndimeve të marra në vendin e punës në Suharekë.
Burime të Klankosova.tv bëjnë me dije se viktima 50-vjeçar është Milik Daka.
Lajmin për vdekjen e tij e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, i cili tha se viktima u lëndua nga një pjesë metalike e një vinçi.
“Rreth orës 16:30 të datës 26.09.2025, Policia është njoftuar se një punëtor i fabrikës NeëBalkan në Suharekë, me inicialet M.D., është lënduar aksidentalisht gjatë orarit të punës, dyshohet nga një pjesë metalike e një vinçi”.
“I lënduari është dërguar për tretman mjekësor në Emergjencën e Spitalit Rajonal të Prizrenit me autoambulancë të QKMF Suharekë. I njëjti nuk ka arritur që t’i bëjë plagëve dhe ka vdekur”, tha Bytyqi për Klankosova.tv.
Në Shtëpinë e Kulturës “Xhemajli Berisha” sonte, me fillim nga ora 20:00, nis edicioni i 36-të i Festivalit të Zambakut të Prizrenit.
Në këtë edicion do të marrin pjesë 15 këngëtarë, të cilët do të prezantojnë krijimet e tyre më të mira në skenën e muzikës qytetare.
Festivali, i themeluar në vitin 1986, mbetet një nga ngjarjet më të rëndësishme për muzikën qytetare në Kosovë, duke ruajtur dhe promovuar trashëgiminë shpirtërore të brezave.
“Zambaku i Prizrenit” ka nxjerrë emra të njohur të muzikës dhe ka prezantuar këngë që sot konsiderohen pjesë e pasurisë kulturore kombëtare.
Pas miratimit nga Federata e Futbollit të Kosovës, skuadra e Drinit të Bardhë do të luajë ndeshjet si vendas në fushën sintetike të Gjonajt të Hasit, raporton PrizrenPress.
Ky vendim i hap rrugë rikthimit të ekipit pranë tifozëve të vet, duke i dhënë më shumë gjallëri dhe mbështetje skuadrës hasjane.
Ndeshja e parë në këtë terren është paraparë të zhvillohet në javën e 7-të të kampionatit, ku Drini i Bardhë do të përballet me Vllazninë e Pozheranit./PrizrenPress.com
Drini i Bardhë u mposht 4:1 nga Kosova VR në Prishtinë, duke pësuar humbjen e parë të sezonit, raporton PrizrenPress.
Ndeshja pati një moment të diskutueshëm në minutën e 10-të, kur portieri i Drinit të Bardhë ndali penalltinë, por arbitri e urdhëroi të përsëritej, dhe Kosova VR shënoi golin e epërsisë.
Golat e tjerë u realizuan nga Kosova VR, ndërsa Drini i Bardhë shënoi një gol të vetëm./ PrizrenPress.com