Vjollca Vuçitërna është emëruar drejtoresh e Drejtorisë së Arsimit në Rahovec.
Emërimi i saj është bërë nga kryetari i Komunës, Idriz Vehapi.
Vuçitërna në këtë detyrë është emëruar pas dorëheqjes se Behar Ramës./PrizrenPress.com/
Kryetari i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Sylë Hoxhaj përmes një deklarate të gjatë u është përgjigjur të gjithë kritikuesve të tij. Portali Koha. net duke e parë përmbajtjen e saj me interes për publikun, e boton të plotë.
Duke marrë shkas nga zhvillimet e fundit në Këshillin Prokurorial, unë sot Ju kërkoj falje dhe në të njëjtën kohë kërkoj mirëkuptim dhe vëmendje nga të gjithë Ju, për arsye se sot adresimi im do të jetë i gjatë, dhe ku do të jap përgjigje për të gjitha kritikat, vërejtjet, ofendimet, shpifjet dhe tërë ato spekulime të cilat janë shpërndarë qoftë përmes Këshillit, përmes intervistave nëpër gazetat tona të përditshme, portale apo emisione televizive, nga anëtarët e Këshillit, ish kandidatët për kryeprokuror të Shtetit, apo kandidati i nominuar dhe i propozuar nga Këshilli për kryeprokuror të Shtetit, z. Aleksandër Lumezi, apo personalite të ndryshme në Kosovë, në adresë time dhe kundër personalitetit tim.
I njëjti fjalim është shumëzuar në shumë kopje dhe të njëjtin mund ta kenë në dispozicion të gjithë të interesuarit.
Unë besoj se qytetarët e Republikës së Kosovës, përmes televizionit apo mjeteve tjera informative, janë informuar me rrjedhën e takimit të Këshillit Prokurorial të datës 13 mars 2015.
Sidoqoftë, sot do të njoftoheni në detaje nga unë Sylë Hoxha, u.d së kiryeprokurorit të Shtetit dhe kryetar i Këshillit Prokurorial të Kosovës, lidhur me rrjedhën dhe prapaskenat e tërë asaj që ka ndodhur jo vetëm lidhur me procesin e përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit por edhe me procese tjera me rëndësi për sistemin prokurorial të Kosovës.
Siç edhe e paralajmërova në fillim, ky fjalim do të jetë i gjatë dhe unë paraprakisht Ju njoftoj se marr përgjegjësi penale, civile, morale dhe disiplinore përçdo fjale dhe pikë që do të paraqes sot para qytetarëve të Kosovës.
Për mua nuk është aspak e lehtë që gjërat që do t’i flas para Jush sot mund të dëmtojnë edhe më tutje sistemin prokurorial të Kosoves, të cilin sistem e kemi ndërtuar dhe zhvilluar me aq mund, sakrificë dhe përkushtim, duke mos harruar mbështetjen e parezervëtë partnerëve tanë ndërkombëtarë, si Ambasadën Amerikane, Bashkimin Evropian, USAID-in, EULEX-in dhe shtetet tjera mike të Kosovës.
Konsideroj se kjo është e vetmja mënyre për të mbrojtur jo vetëm personalitetin tim por edhe vetë sistemin prokurorial.
Mua më vjen shumë keq dhe nuk ndihem aspak mirë kur shtatë apo tetë takimet e fundit të KPK-së,nuk merr pjesë Ambasada Amerikane. Kjo për mua është shumë shqetësuese. Kjo me bën të ndihem keq dhe i turpëruar para miqve amerikan dhe të tjerëve, duke pasur parasysh përkushtimin dhe mbështetjen e tyre për të ndërtuar një sistem prokuroria të paanshëm, pavarur, dhe të drejtë ku mbizotëron e vërteta e bazuar në Kushtetutë dhe ligj,dhe jo në interesa personale të individëve të caktuar.
Me pensionimin e ish-kryeprokurorit të Shtetit, z. Ismet Kabashi, Këshilli Prokurorial më ka votuar për u.d. të kryeprokurorit të Shtetit, të cilin funksion e ushtroj nga data 5 gusht 2014, dhe unë e kam dhënë fjalën dhe e kam mbajt se nuk do të aplikoj për pozitën e kryeprokurorit me të vetmin qëllim që ky proces të jetë korrekt dhe i pa-ndikuar. I njëjti Këshill me pothuajse të njëjtën përbërje, kishte marr vendim gjatë vitit 2014, në mes të procesit të parë të përzgjedhjes së kryeprokurorit të Shtetit, që unë, edhe pse isha pjesë e garës për Kryeprokuror të Shtetit në atë proces të kem të drejtë për të marr pjesë në votim, lidhur me tre kandidatët më të poentuar.
Duke respektuar vendimin e po të njëjtit Këshill unë edhe kam marr pjesë në procesin e votimit. Unë sot publikisht ju informoj se vota ime në atë proces është ndarë për z. Aleksandër Lumezi, i cili edhe më është falënderuar personalisht. Vota ime ishte ndarë për z. Lumezi duke besuar se i njëjti e ka merituar atë, duke besuar fuqishëm në atë kohë se edhe nëse do të kisha votuar për dy kandidatët tjerë në garë nuk do të kisha gabuar. Unë të tre kandidatët i kam konsideruar se janë të denjë njësoj për të përfaqësuar institucionin e prokurorit të Shtetit dhe Këshillin Prokurorial, por sidoqoftë unë kisha vetëm një votë dhe të njëjtën nuk kishte mundësi ta ndaja në tre.
Vendimin tim unë e kisha marrë në momentin kur në garë kishin mbetur të tre kandidatët nga procesi i kaluar.
Unë jam akuzuar se me dashje e kam prolonguar procesin e dytë për Kryeprokuror të Shtetit.
Unë ju përgjigjem.
Këshilli Prokurorial është organ kolegjial. Vendimet merren me shumicë të votave. Unë në ketë mes, kam vetëm një votë, dhe unë jam i pari ndër të barabartët. Edhe nëse unë personalisht dua të vendos ndryshe janë votat ato që vendosin për çdo pikë në ketë Këshill.
Për hir të korrektësisë ndaj opinionit, unë kam marrë këtë detyre me 5 gusht 2014. Unë ju informoj se Komisioni për akte normative i Këshillit, i mandatuar nga ky këshill për plotësim ndryshimin e rregullores nuk ka mundur ta përfundoj punën e tij me kohë për arsye personale të vetë anëtarëve të këtij Komisioni. Haxhi Derguti, anëtar i këtij Komisioni, dhe prokuror në Prokurorin e Apelit, dhe po ashtu tanimë edhe kryetar i Shoqatës së Prokurorëve të Kosovës, një kohë ka qenë në udhëtim jashtë Kosove, respektivisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në të njëjtën kohë, anëtari tjetër Bahri Hyseni ka pasur aksident dhe i njëjti nuk ka mundur të dal ne pune. Unë ju siguroj se asnjëherë dhe në asnjë rrethanë nuk kam kontaktuar me ketë komision për të prolonguar punën. Kanë qenë shkaqet subjektive që kjo rregullore të sillet para Këshillit për shqyrtim dhe miratim në muajin shtator 2014. Menjëherë pas miratimit, në bazë të afateve janë kryer të gjitha procedurat deri në dërgimin e propozimit për emërim tek Presidentja e Shtetit.
Unë dua t’ju informoj edhe për disa procese tjera që janë zhvilluar në Këshillin Prokurorial të Kosovës, dhe të cilat kanë ndikuar në tensionimin e situatës mes anëtarëve të këtij Këshilli, dhe për të cilat opinioni i gjerë duhet të dijë në mënyrë që të arrihet deri tek e vërteta.
Një ndër to është edhe procesi i përzgjedhjes së dy prokurorëve në Zyrën e kryeprokurorit të Shtetit dhe tre prokurorëve në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës.
Në ketë konkurs të brendshëm për Zyren e kryeprokurorit të Shtetit, kishin aplikuar disa kandidatë, ndër tjerë edhe Sevdije Morina, Agim Kurmehaj, Bajram Hamitaga dhe Besim Kelmendi.
Komisioni në përbërje unë, Bajram Uka dhe Laura Pula, kishin përzgjedhur pas procesit të vlerësimit dhe intervistimit z. Besim Kelmendi dhe z. Bajram Hamitaga.
Kundër vendimit të Komisionit kishin paraqitur ankesë znj. Morina dhe z. Kurmehaj. Interesant në këto dy ankesa, ishte se të dyja ishin pothuajse identike, dhe me të njëjtat gabime, të dy iu kishin referuar gabimisht njëjtë dispozitave ligjore të Ligjit për Këshillin Prokurorial.
Ankesa e znj. Morina ndër të tjera e kontestonte z. Hamitaga, se i njëjti nuk ishte i denjë jo vetëm për ë u emëruar prokuror në Zyrën e kryeprokurorit të Shtetit, por as edhe për të qenë prokuror, për shkak të mungesës së integritetit te tij. Znj. Morina thotë se kjo mund të vërtetohet lehtë nëse shihet dosja e z. Hamitaga gjatë procesit të emërimit të tij në vitin 2011.
Shqetësimet e ngritura nga znj. Morina për mua ishin shumë të rënda dhe kërkova dosjen e z. Hamitaga dhe procesin se si i njëjti është emëruar prokuror në vitin 2011. Çka ishte edhe me befasuese dhe në të njëjtën kohë shumë shqetësuese, ishte fakti se z. Bajram Hamitaga ishte përzgjedhur nga Komisioni për emërim, ku kryetar i këtij komisioni ishte vetë znj. Sevdije Morina, anëtarë Aleksandër Lumezi dhe Jusuf Mejzini.
Në të njëjtën kohë në vitin 2011, znj. Morina ishte edhe nën-kryetare Këshillit Prokurorial të Kosovës.
Unë nuk kuptoj se si mund të akuzohet z. Hamitaga për integritet nga i njëjti person që e ka propozuar për prokuror dhe i njëjti ka votuar për të në Këshill, në cilësinë e nënkryetarit të Këshillit. Mos vallë e njëjta me qëllim e ka vënë Këshillin Prokurorial në lajthitje??? A lejohet dhe a i falet kjo një prokurore me përvojë mbi 20 vjeçare, një kryeprokurore të Prokurorisë Speciale, një anëtare të Këshillit, nënkryetares së Këshillit.
Ju duhet ta jepni vetë përgjigjen.
Dhe çka është edhe më serioze e njëjta tejkalon Këshillin dhe ankohet tek EULEX-i, për shkelje të procedurave nga Këshilli Prokurorial. Besimi me qytetarin, besimi me partnerë ndërkombëtar nuk fitohet duke u ankuar me bazë apo pa bazë kundër shtëpisë që t’i e ke ndërtuar dhe udhëhequr për tre vite si nënkryetare e Këshillit.
Kjo është një shkelje e rënde e detyrave dhe përgjegjësive.
Unë ju lutem të keni durim dhe vëmendje, sepse kam edhe shumë përtë thënë .
Ankesa e znj. Morina atakon personalitetin edhe të një prokurore në zyren time, si anëtare e Komisionit. Në ankesën e saj, znj. Morina pranon edhe vetë se me veprimet e saj ajo ka që në një ndër shkaktarët, mbi bazën e të cilave është prishur procesi i parë për përzgjedhjen e kryeprokurorit të Shtetit. Këto shkelje janë evidentuar edhe në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese. Ajo në shkresë e pranon se e ka poentuar prokuroren Pula me minimumin e poenave me shkrim, në kundërshtim me procedurat dhe kriteret për emërimin e kryeprokurorit të shtetit. Për me të tepër znj. Morina atakon personalitetin dhe integritetin e znj. Pula mbi bazën se është hakmarrëse ndaj saj për arsye e znj. Morina nuk paska votuar për të kur është propozuar znj. Pula për u.d.e kryeprokurorit të Shtetit.
Kodi i etikës dhe sjelljes profesionale për prokurorë e ndalon dhe e sanksionin si shkelje cenimin e integritetit të kolegeve apo të sistemit prokurorial pa bazë.
Fatkeqësisht znj. Morina vetëm në gjashtë muajt e fundit këtë e ka bërë në mënyrë të vazhdueshme. Kaq e respekton sistemin dhe aktet që janë miratuar në këtë Këshill dhe nga vetë znj.Morina.
Znj.Morina në shumë raste ka thënë se prokurori i Shtetit është pa zot shtëpie pasi udhëhiqet me u.d, dhe se me ligj nuk është paraparë një pozitë e tillë.
E nderuara znj.Morina, Prokuroria Speciale udhëhiqet me u.d. për një kohë edhe më të gjatë se vetë prokuroria e Shtetit. Znj.Morina nuk ka dispozitë ligjore në fuqi që flet për u.d. së kryeprokurorit të PSRK.
Unë kam një pyetje për Ju të pranishëm, a ka zot shtëpie Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës.
Unë jam sulmuar ultë për organizimin e konferencës regjionale në luftimin e krimit të organizuar dhe terrorizmit. Në këtë konferencë të parën në Kosovë, me karakter kaq gjithëpërfshirës ku kanë marrë pjesë kryeprokurorë nga Sllovenia, Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia, Kroacia, ekspertë amerikanë, ekspertë nga Qendra Marshall, është nder dhe privilegj jo vetëm për të organizuar por edhe për të marrë pjesë. Rezultatet janë evidente,marrëveshja e nënshkruar me Maqedoninë ,dhe raportet ndërkombëtare për suksesin e Kosovës në luftimin e terrorizmit,duke përfshire administratën Amerikane.
Për çudi në ketë konferencë nuk kanë marrë pjesë as znj.Morina e as z.Maloku, pasi që ishin në një punëtori zyrtare në Maqedoni, për të drejtat dhe liritë e njeriut.
Prokuroria Speciale fatkeqësisht nen udhëheqjen e znj. Morina ka dëshmuar deri tani vetëm dështime, arrestime spektakulare, por jo edhe një rezultat të vetëm.
Mos luftimi i krimit te organizuar, korrupsionit është dështim i kesaj prokurorie që udhëhiqet nga znj. Morina.
Znj. Morina ju udhëhiqni Prokurorinë Speciale. Në kohën e arrestimeve lidhur me veprat penale të terrorizmit, ju nuk keni marrë pjesë në takimet kryesore me akterët e tjerë kryesorë. Ju kishit arsyetim shumë interesant, ishit gjithë javën në Prishtinë dhe tërë kohën kishit mysafirë.
Kryeprokurorja e PSRK nuk mund të vijë në takime edhe kur rrezikohet siguria kombëtare sepse ka mysafirë. Pa frikë ne jemi në duar të sigurta.
E nderuara znj. Morina,ju jeni afërsisht nëntë muaj Kryeprokurore e PSRK dhe pothuajse 6 apo 7 vite zëvendëskryeprokurore. Pë rtërë këto vite si i arsyeton qindra mijëra euro pagë dhe nuk keni as dhjetë aktakuza për tërë ketë kohë. Si arsyeton që gjatë tërë kësaj kohe kjo Prokurori ka zhvilluar takime me Prokurorinë për krime luftë në Serbi,dhe si e shpjegoni që tërë kohën Serbia lëshon fletarreste ndërkombëtare kundër shtetasve Kosovarë me të njëjtat dokumente që merren nga kjo prokurori. A keni dijeni për këtë dhe sa është hisja e përgjegjësisë për ju personalisht si pjesë e menaxhmentit në ketë prokurori.
Çfarë përgjigje ju jep ti qytetarëve Kosovarë. Pasi që me këtë përbërje të Këshillit unë edhe përkundër vullnetit tim për bashkëpunim, ju në vazhdimësi keni injoruar urdhrat e mi dhe keni punuar sipas qejfeve tuaja.
Për informim të qytetarëve të Kosovës, Kryeprokurori i shtetit nuk ka kompetencë për të marrë masa ndaj asnjë kryeprokurori edhe në rast kur nuk zbatohen urdhrat dhe vendimet e tij. E vetmja mënyrë është paraqitja pranë zyrës së prokurorit disiplinor, të cilën edhe kam filluar procedurat dhe ditëve në vijim të njëjtat do i adresoj.
Znj.Morina ka deklaruar publikisht në emisione televizive se në Këshillin Prokurorial ka banda kriminale.
Znj. Morina sa e sa kampanja vetëdijesuese kemi realizuar me partnerë ndërkombëtarë për të inkurajuar qytetarët për të raportuar krimin. Unë nuk kuptoj nëse është kjo një kampanjë e re kur prokurorët raportojnë krimin tek qytetarët.
Prokuroria Speciale e lufton krimin nuk e raporton. Apo në Republikën e Kosovës,si shoqëri demokratike, është vepër penale për të diskutuar në Këshill zyrtarët nga administrata,apo kur zyrtarët e administratës diskutojnë dhe japin mendime në Këshill,kryejnë vepër penale.
Jo e nderuar, në vitin 2015,diskutimi i hapur, shprehja e mendimit është vlerë dhe duhet respektuar.
Interesant pasi të njëjtat akuza vijnë edhe nga z. Lumezi. Ai shkon edhe me tutje dhe thotë se nuk duhet të ndihen të kercënuar ata anëtarë të KPK-se që kanë votuar kundër apo ajo pjesë e administratës që po e pengon Këshillin në adresimin e agjendave të caktuara.
I nderuar z. Lumezi, askush nuk duhet të ndihet ikërcenuar, askush nuk duhet të përçoj mesazhe lidhur me kërcënimet. Unë shumë besoj se ju shumë shpejt do të vini në këtë pozitë, ku jeni propozuar nga vetë ky Këshill.
Pozita e kryeprokurorit të shtetit nuk ju jep as autorizim, as të drejtë të ndiqni askënd për shkak të shprehjes së mendimeve apo për shkak të kryerjes se obligimeve të tyre sipas autorizimeve të dhëna me ligj.
Ne kemi kaluar kohën kur jemi burgosur dhe apo persekutuar për shkak të prejardhjes apo bindjeve ndryshe nga të tjerët. Kosova është shoqëri demokratike dhe jo autokratike. Këtu vendos ligji dhe jo individi. Apo me ardhjen tuaj, Prokurori i Shtetit do të vendoset nën masa të dhunshme dhe do të fillojnë spastrimet.
Znj. Morina dhe z. Lumezi kanë akuzuar këtë Këshilli dhe zyrtarët e administratës përmes mediave se janë bërë falsifikime në rregulloren për procesin e kryeprokurorit të shtetit. Ju lutem kur deklaroheni për media të keni shumë kujdes, sepse fjala publike ka peshë dhe përgjegjësi.
Nëse kjo është e vërtetë se kemi bërë falsifikim me ketë rregullore, atëherë të gjithë ne si Këshill, kemi zgjedhur dhe propozuar një kandidat për Kryeprokuror të Shtetit mbi një rregullore të falsifikuar. A do të kemi me ketë rast edhe një Kryeprokuror në 7 vitet e ardhshme me mandat të falsifikuar.
A mos vallë kemi vënë në lajthitje Presidenten e Shtetit, duke propozuar z. Lumezi mbi bazën e një rregulloreje të falsifikuar.
Znj. Morina disa herë e ka përmendur se është dëmtuar rendë imazhi i sistemit Prokurorial të Kosovës, duke dërguar zyrtar teknik në bisedime në Bruksel qoftë për liberalizim të vizave, marrëveshjen për stabilizim asociim, negociatat me Serbi etj.
Përfaqësimi i sistemit prokurorial në tërë këto procese është shumë dinjitoz dhe profesional, këtu e kam konfirmimin nga të gjithë zyrtarët e lartë të BE-së në Bruksel, Kosovë, dhe Ministria e Integrimeve Evropiane. Ne përfaqësojmë dhe paraqesim sistemin prokurorial në këto mekanizma edhe më mirë se sa ndoshta jemi në realitet dhe praktikë.
Nuk është e lehtë të përfaqësosh në këto mekanizma dështimet e Prokurorisë Speciale të udhëhequr nga znj. Morina.
Tani me lejoni të kthehem tek mandatet e anëtarëve të Keshillit, respektivisht të z.Bajram Uka, z.Jetish Maloku dhe znj.Sevdije Morina.
Lidhur me ketë temë, Këshilli ka zhvilluar debat për një kohë shumë të gjatë. Përderisa, Këshilli ka njohur mandatin e z. Uka edhe pas 21 janarit 2015, edhe pse i njëjti ka dalënë pension, dhe i njëjti ka status tjetër tanimë në Fakultet Juridik të Universitetit të Prishtinës. Profesor Ukaj në takimin e fundit, por edhe në shumë takime tjera, ankohet në këtë Këshill për mungesë vlerash dhe parimesh.
Unë pajtohem me Ju i nderuar z.Ukaj. Ka mungesë vlerash dhe parimesh në këtë Këshill. Unë kurrë në jetën time nuk do të kisha besuar se një dekan i një fakulteti juridik, inskenon skena dhe aktron para kamerave për situata dhe gjendje të paqena. Unë nuk do të besoja se një dekan i një fakulteti juridik qëndron në mënyrë të kontestuar si anëtar i KPK-së, pas datës 21 janar 2015; unë nuk do të kisha besuar se një dekan dhe profesor i fakultetit juridik kërkon zgjatjen e mandatit të tij në KPK, me një udhëzim të qeverisë së vitit 2008, i cili udhëzim i referohet kornizës ligjore të para shpalljes së pavarësisë, respektivisht kornizës kushtetuese.
Si mund të flet z. Ukaj për parime dhe vlera, kur për interesa personale lejon që një institucion i pavarur si universiteti dhe fakulteti juridik të zbatoj vendime nga ekzekutivi. Apo kur përfiton personalisht, zbaton edhe vendime dhe nuki konteston të njëjtat se përfiton personalisht.
Unë nuk dua të besoj, se për interesa të ngushta dhe personale, dhe me porosi,Ju duhet të qëndroni në këtë këshill me mandat të kontestuar.
Apo Ju duhet të qëndroni këtu, sepse keni një mision për të kryer.
z. Ukaj, Kosova është e vogël, dhe njihemi për shumë kohë,dhe Ju do të ishit personi ifundit në Këshill përtë na mbajtur moral për vlera, etike dhe integritet.
Lidhur me mandatin e znj.Morina dhe z.Maloku, unë edhe sot edhe me datë 13 mars ju kam thënë se pjesëmarrja e të dyve eshtë kundërkushtetuese, kundërligjore. Unë që nga koha që ushtroj profesionin e juristit,do të mbaj mend një kohë të gjatë datën 6 mars 2015. Në këtë takim, gjashtë anëtare të Këshillit, duke përfshirë znj. Morina, z. Maloku, z. Smajli, mua, z. Uka dhe Ministrin Kuqi, kemi marrë përherë të parë në këtë Këshill një konstatim politik dhe jo një vendim të bazuar në ligj dhe kushtetutë .
Për herë të parë në këtë Këshill,unë nuk lejohem që ta vënë votim çështjen e mandateve të dy anëtarëve të kontestuar. Me një debat të kurdisur dhe mirë të organizuar ky këshill pa vullnetin tim konstaton se mandati i dy anëtarëve të vazhdohet.
Ky Këshill bën kuorum për të konstatuar lidhur me mandatet, duke shkelur ligjin për parandalimin e konfliktit të interesit gjatë ushtrimit të funksionit publik.
Unë ju them sot, të gjithë anëtarëve të Këshillit se, nuk zbatohet ligji me forcë, por me fakte, argumente dhe dëshmi të bazuara në kushtetutë dhe ligj.
Me 6 mars 2015, disa anëtarë të Këshillit kanë vendosur masa të dhunshme. Nuk kam besuar se praktikat e viteve të errëta të nëntëdhjeta (90) do të zbatohen në vitin 2015. Kjo është turp. Nëse jo sot, atëherë nesër apo pas 5, 10 viteve kjo tallje me sistemin prokurorial do të dalë në dritë.
Sepse ka vetëm një të vërtetë dhe herët apo vonë kjo do të del në pah.
Në takimet e fundit znj. Sevdije Morina, ka kontestuar opinionin ligjor të Ambasadës Amerikanë,i cili opinion ndër të tjera argumenton se mandati iznj.Morina dhe z.Maloku,skadon me datë 8 mars 2015,duke e quajtur dokument pa steme dhe duke u shtirur se nuk e din se kush e ka shkruar.
Unë Ambasadës Amerikane i kërkoj falje publike në emër të këtij Këshilli për sjelljet dhe veprimet e znj. Morina. Në këtë Këshill në muajt e fundit çdo mendim që nuk përputhet me interesat e znj.Morina, z. Maloku dhe z.Uka është i porositur dhe skandaloz.
E mbase edhe mendimi i projektit të BE-se është i porositur dhe skandaloz, sepse i njëjti është pothuajse në të njëjtën linjë me opinionin e Ambasadës Amerikane, lidhur me mandatet e dy anëtarëve znj.Morina dhe z. Maloku.
Znj. Morina,z. Maloku, ky Këshill i mban afër miqtë amerikanë , i mban afër miqtë evropianë, dhe i respekton me dinjitet. Së paku ne,që ndihemi shqiptar e kemi traditë se miku që na është gjendur në ditë të vështira,duhet të nderohet me respekt.
Znj. Morina e z.Maloku,
Nuk sulmohen anëtaret e Këshillit, nuk sulmohen miqtë ndërkombëtarë, vetëm e vetëm pse mendimet dhe opinionet e tyre nuk përkojnë me interesat tuaja personale.
Znj. Morina, Z. Maloku,
Qëndrimi juaj në Këshill pas datës 8 mars 2015 dhe pa një vendim legjitim të Këshillit lidhur me mandatin tuaj, nuk është në pajtim me ligjin e aplikueshëm.
Drejtësia për ne fillon nga Këshilli Prokurorial. Drejtësia nuk është politik. Unë nuk bëj kompromis me drejtësi. . Unë ju paralajmëroj që të njëjtën të bëni edhe Ju. Por vendimi është i juaji personal.
Çdo qëndrim i mëtutjeshëm i dy anëtarëve të kontestuar në Këshill, pa një vendim legjitim nga vetë Këshilli, ofron pasiguri juridike lidhur me çdo vendim që merr ky Këshill. Çdo vendim mund të kontestohet qoftë në gjykata të rregullta, qoftë në gjykatën kushtetuese, varësisht prej shkeljes së të drejtave nga ky Këshill.
Dhe këtu mbaron morali dhe etika i dy anëtareve të kontestuar dhe atyre që e përkrahin këtë .
Jo për interesa të ngushta personale të dy personave, duhet të vuajë i tërë sistemi prokurorial.
z. Maloku a ka konflikt interesi punësimi i vajzës suaj në Zyrën e Prokurorit Disiplinor para disa muajve. Z. Maloku ju jeni anëtar i Komisionit Disiplinor në Këshill. Ju jeni edhe anëtar i Këshillit Prokurorial.
Se sistemi prokuroria është duke u shfrytëzuar dhe keqpërdorur për interesa personale, konfirmohet nga një shkresë dërguar Këshillit nga Shoqata e Prokurorëve të Kosovës, lidhur me gjendjen në Këshill dhe Prokurorin e Shtetit.
Nënkryetar i kësaj shoqatë është z. Lulzim Sylejmani.
Z. Dërguti dhe z. Sylejmani janë prokurorë në Prokurorinë e Apelit në Prishtinë, e cila udhëhiqet nga z. Aleksandër Lumezi.
Shkresa e dërguar nga kjo shoqatë ndërlidhet me z. Muçaj dhe prokuroren Pula. Kjo shoqatë si duket ka probleme serioze me kuptimin se cili është mandati saj. Shoqata ndër të tjera ka për mandat kryesor mbrojtjen e prokurorëve dhe jo për të i sulmuar të njëjtit.
Si ka mundesi që z. Derguti të sulmojë përmes shoqatës prokuroren Pula, për veprimet e saj si prokurore. Pse e njëjta shoqatë përdor standarde të dyfishta. Pse kjo shoqatë nuk përmend ish kryetaren e kësaj shoqate prokuroren znj. Drita Hajdari dhe skandalin e saj për amnistimin e kundërligjshëm të qindra mijëra eurove.
Apo vallë të gjithë ish-prokurorët e ish Prokurorisë së Qarkut në Prishtinë, të kryesuar në atë kohë nga z. Lumezi i ofrojnë vetës se tyre dhe njëri tjetrit mbrojtje dhe sulmojnë të tjerët me të gjitha mjetet.
Prokurori i Shtetit është katandisur nga një luftë speciale nga një pjesë e prokurorisë speciale dhe ajo e apelit ndaj të gjithë atyre që nuk mendojnë njëjtë me ta, dhe nuk veprojnë sipas interesave të tyre.
Gabim. Shumë gabim. Jo etike, jo profesionale.
Kjo shoqatë përzihet në mënyrë të turpshme në kompetencat dhe përgjegjësitë e këtij Këshilli, kur flet për anëtar të tij. Kjo shoqatë duhet të ndaloj menjëherë të adresoj çështje që hyjnë në kuadër të këtij Këshilli, përndryshe ato konsiderohet ndërhyrje dhe ndikim në punën e tij.
Unë jam akuzuar nga Idain Smaijli për jo kompetencë në takimet e fundit. Z. Idain përfaqëson Prokurorin e Apelit në këtë Këshill, përndryshe z. Lumezin e ka për kryeprokuror apo epror të drejtpërdrejtë .
Z. Idain jeni kryetar i Komisionit për rekrutim të prokurorëve të rinj dhe kryetar i Komisionit për vlerësim të performancës së prokurorëve.
Dy dështime totale. Jemi në muajin mars 2015. Punën që është dashur ta përfundoni në fund të vitit 2014, ende se keni sjellë para këtij Këshilli as tani. Janë 34 prokurorë që është dashur të vlerësohen vitin e kaluar, dhe mbi 50 ketë vit. Ju tërë kohën e shpenzoni me anëtarë tjerë si të më shkarkoni mua dhe ofendoni mua, sepse me shkarkimin dhe ofendimet ndaj meje, të gjitha punët tjera përfundohen vetë , edhe vlerësimi i prokurorëve.
Prokurori i shtetit vuan me mungesë të prokurorëve. Ju si kryetar i komisionit për emërim të prokurorëve të rinj, keni dështuar në ketë proces, edhe pse kanë kaluar mbi gjashtë muaj që nga shpallja e konkursit.
Është me rëndësi të shkarkohet Sylë Hoxha, dhe pastaj vendoset se kush të propozohet për prokurorë,në këtë Këshill.
Papërgjegjësi totale dhe abuzim.
Jam shumë afër përfundimit të këtij adresimi:
Tani dua të kthehem tek jeta ime personale dhe sulmet e ulëta drejtuar ndaj meje, sulme drejtuar ndaj personalitetit tim, integritetit dhe moralit.
Jam etiketuar në forma të ndryshme dhe me gjuhë urrejtëse. Kryesisht nga Sevdije Morina, Jetish Maloku, Idain Smajli dhe Bajram Ukaj.
Unë tanimë kam filluar me marrjen e veprimeve konkrete lidhur me shpifjet, ofendimet jo njerëzore ndaj meje dhe familjes sime. Unë jam duke analizuar autorizuar dhe do të ushtroj padi ndaj të gjithë atyre që pa baze kanë shpifur dhe ofenduar në raport me mua.
Po ashtu, unë do të raportoj tek Zyra e Prokurorit Disiplinor edhe lidhur me shkeljet disiplinore të prokuroreve që kanë vepruar në kundërshtim me kodin e etikës dhe sjelljes profesionale për prokurorë.
Këto sulme dhe ofendime i kam marrë shumë rëndë, jo vetëm unë por edhe familja ime. Këto sulme dhe ofendime më kanë kthyer prapa në kohë shumë e shumë më parë. Më kanë kthyer në vitin 1989, vit kur Rrahman Morina dhe regjimi i tij me kishte sulmuar dhe kishte kërkuar shkarkimin tim, për arsye se isha dalë hapur kundër ndryshimeve kushtetuese. Sulmet e vitit 1989, nga Rrahman Morina dhe regjimi i tij, i kam pritur njëjtë, si i kam pritur edhe rrahjet, burgosjen, persekutimin. Në fund të fundit nuk kam qenë unë i vetmi në Kosovë. Ka me dhjetëra, qindra e mijëra që kanë pasur fatin tim.
Kanë qenë mu këto sulme që unë kam vendosur për të marrë pjesë aktive në themelimin e Lidhjes Demokratike në Prizren, e cila në atë kohë konsiderohej si një lëvizje gjithëpopullore në mbrojtje të drejtave të shqiptareve në Kosove dhe me një qëllim sublim përtë arritur lirinë dhe pavarësinë të cilën ne sot e gëzojmë.
Të nderuar ju që më keni quajtur se i kam shërbyer ish sistemit,
Me nder dhe krenari kujtoj vitet nëntëdhjeta, si shërbyes dhe kontribuues i një lëvizje gjithëpopullore në Kosovë.
Ju që me njihni e keni të qartë peripecitë që kemi pasur këto vite të terrorit, sa e sa herë jam marrë nga policia serbe në biseda informative, sa e sa herë jam maltretuar e rrahur nga e njëjta polici. Kanë qenë vite të rezistencës. Jam i nderuar që i kam shërbyer shtetit dhe kombit tim.
Unë personalisht, nuk kisha besuar dhe nuk duatë besoj që në vitin 2015, unë të kaloj në të njëjtat sfida, me po të njëjtat mënyra që i ka përdorur regjimi serb.
Unë sot jam krenar para jush dhe para qytetarëve të Kosovës.
Është inicuar shkarkimi im nga dy prokurorë, znj, Sevdije Morina, e cila vazhdon atë që e kishte filluar Rrahman Morina në vitin 1989, dhe mbështetur nga Idain Smajli, i cili gjatë viteve të nëntëdhjeta ka shërbyer si gjyqtar deri në kohën e pak para vitit 1999, dhe i njëjti i ka shërbyer regjimit të Sllobodan Millosheviqit dhe ka zbatuar ato ligje diskriminuese të cilat ne i luftonim me mjete paqësore deri në vitin 1997.
Unë para familjes sime dhe qytetarëve të Kosovës ndihem i qetë dhe rehat. Unë kam zbatuar ligjin dhe standarde të larta. Unë kam rënë nën presionin e interesave të ngushta personale apo të grupeve të interesit.
Unë nuk e kam për obligim t’ju shërbej vetëm juve katër anëtarëve të Këshillit dhe Aleksandër Lumezit, por jam i obliguar të i shërbej ligjit, sistemit prokuroria dhe procesit në mënyrë të pavarur.
Dhe në fund më lejoni të Ju informoj se unë sot i jam drejtuar Gjykatës Kushtetuese përmes Presidentes së Republikës për të sqaruar mandatin e tre anëtarëve të Këshillit, znj. Morina, z. Maloku dhe z. Ukaj.
Duke parasysh se jemi në pritje të dekretimit të Kryeprokurorit të Shtetit, dhe deri në dekretimin e tij takimet e Këshillit Prokurorial pezullohen. Nuk do të ketë më takime të rregullta apo të jashtëzakonshme të këtij Këshilli.
Ky vendim merret me qëllim të ruajtjes së stabilitetit funksional të këtij Këshilli si institucion Kushtetues i Republikës së Kosovës, dhe ruajtjen e imazhit dhe kredibilitetit të këtij Këshilli.
Tërë këtë që e thashë deri me tani ka vetëm një qëllim, ruajtjen e stabilitetit të sistemit prokurorial dhe rikuperimin e dëmeve të cilat tanimë i janë shkaktuar këtij sistemi. Unë në kuadër të kompetencave që burojnë nga Kushtetuta dhe Ligji do të sigurohem dhe do të marr masat që të ruhet sistemi prokurorial dhe jo interesat personale, përfundoi Sylë Hoxhaj deklaratën e tij.
Kur erdhi herën e fundit në fshatin Shëngjergj, unë isha tetë vjeç. Është xhaxhamadhi, më thanë, Xha Bajrami, vëllai i gjyshit Riza. Ashtu si më thanë, u besova, si u besohet prindërve, por një dyshim e kisha se e kisha. Gjyshi Riza ishte më i bëshëm, më i shkathët, më i veshur. Kur ia shtrëngoi dorën vëllait, m’u bë se u lidh një nyje gjaku, ku dora e tij ngjante me lopatën e një dhegërmuesi. Unë e merrja gjyshin si të veçantë, jo pse ishte imi dhe e njihja, por se të vetmin e shihja të punonte me një dorë. Nuk kishte djalë që e përdorte shatën vetëm me të djathtën. Ishte njeri i punës, i qetë e i vendosur, por i rrëmbyeshëm në raste të veçanta, si një rrufe që shkreptin patjetër në furtunë shiu. Kur vdiq, e përcollën në varr me nderime si njeriun që s’ke çka t’i kujtosh asnjë të keqe. Por ja që diçka ishte ruajtur. Kur njeriu nuk e kupton shpirtin e huaj ( e ai nuk e kuptonte as të vetin se vetëm me mund të madh mund të mbetësh gjallë), kur mat me mundësitë e veta edhe për tjetrin, edhe mund të hyjë në mëkat. Kur hoxha e pyeti xhematin: “A e njihni për të mirë?”- një zë u dëgjua “ Jo!” dhe e prishi harmoninë e zërave “Po-o-o!” Jo, tha xha Shabani, se na mundonte në shati (në të mihur). Ishte kjo një shaka që e fshihe brenda vetës një të vërtetë që zgjoi një të qeshur edhe në momentin e lamtumirës së fundit.
Në anën tjetër, kur e shikoja xha Bajramin, ai kishte një rritje mesatare: i hajthëm, i kërrusur përpara, me shikim jo të koncentruar dhe me të folur trap e trup. Mbante një veshje bariu, me një plis të bardhë që e kishte një rreth të verdhë nga djersët, me xhurdinë krahëve e pantallona zhguni që mbërtheheshin me kopsa. Në këmbë mbante opinga lëkure e shputka të vjetruara. Ishte thjesht njeri me të meta që nuk u martua fare dhe e vetmja punë që mund ta bënte ishte ta ruante bagëtinë. E pajtuan që këtë punë ta bënte atje te dajallarët e tij, në Pogaj.
Kur erdhi herën e fundit, në vitin 1948 i solli me vete dy muzetë si shpërblim në vend page dhe dy këlysh të zinj, racë fisnike e qenve dhe më nuk e pashë kurrë. Ishte kthyer në Pogaj dhe pas gjashtë vjetësh kish vdekur atje në mënyrë tragjike. E kishin shty bagëtia dhe e kishin hedhur në pus kur po u qitte ujë. Ishte vapë e drekës dhe askush nuk ju kish gjetur për t’i dhënë ndihmë. Kur e kishin parë xhurdinë në skaj pusi, u kish lindur dyshimi dhe e kishin nxjerrë trupin e tij të pajetë. E kishin varrosur në varrezat e fshatit Pogaj, duke e hapur pamjen si për mashkullin e shtëpisë.
Kufiri ishte mbyllur dhe nuk qe e mundur ta sillnin në fshatin e lindjes, në Shëngjergj. Ai më s’ishte kufi, ishte një klon i tmerrshëm që të shqyente me tela me gjemba, që regjistronte gjurmë në dheun e prashitur imët edhe po të kalonte miu, që e alarmonte tërë Shqipërinë po të prekej dhe që të mbyste me rrymë kudo që ta prekje. Po atë ditë, lajmin për vdekjen e tij, për te ne, e kishin sjellë përmes kroit të Gurit të Thatë ku merrnin ujë edhe Pogajt e andej kufirit dhe Martinajt e këndej kufirit. Një grua foli me zë me shoqet e saj, për të dëgjuar gratë e këndej kufirit, të cilat ajo i njihte mirë, por s’guxonte t’ua përmendte emrin. “Mori shoqe, tha gruaja, a dëgjuat se Bajram S. Mollaku ka vdekur, e kanë mbytur bagëtia në pus !” Gruaja e përsëriti dy a tri herë për ta kuptuar mirë gratë e këndej kufirit se nuk bëhej shaka me lajmin për mort. Se ishte pranuar lajmi, një grua e këndej kufirit ia ktheu: “ E morëm vesh, motër, Zoti i lashtë shëndosh !- foli ajo si të fliste me shoqet e saj. “Bez priçe !- u ngërmua ushtari serb që rrinte roje,- ili qe ostanite bez vode “ (Pa fjalë ose do mbeteni pa ujë). “A, mor i mallkuar !- foli dhe një herë gruaja. Ku kishte kufi dhembja për ndarjen e zemrës në dysh, për ndarjen e familjeve në dysh, për ndarjen e tërë Hasit në dysh, për ndarjen e atdheut të gjorë në dysh. I bashkonte kroi dhe i ndante, duke derdhur lot e jo ujë dhe ata lot duhej t’i pinin banorët e të dyja anëve. Lot për kroin kufi ku komunikonin ende në mënyrë enigmatike gjeneratat që ende njiheshin. E kur ato gjenerata i herri vdekja, të rejat nuk njiheshin, komunikimi zbriti në pikën zero. Dihej vetëm se edhe andej jetonin njerëzit e të njëjtit gjak. Nuk guxonte madje askush haptas të pyeste se kë e ka pasur andej kufirit. Ndarja ishte fizike e tash po bëhej dhe shpirtërore dhe kohore. Nëse kërkohej të dihej se kush kënd e ka pasur andej, kërkohej vetëm për t’u pasur si dëshmi për ndjekje, fajësim dhe dënim të asaj familjeje dhe personi. Armiku po e fuste thikën brenda gjakut shqiptar.
II
Në tubimin sekret të rrjetit të spiunazhit, mbajtur në Zyrat e Komitetit në fshatin Rrushëz, kryeudbashi Cucërr në mënyrën më konspirative urdhëroi: “Të gjithë jeni përgjegjës dhe duhet të zbuloni se ku kanë strehim diversantët nga Shqipëria, çfarë qëllimi kanë, me kë kontaktojnë, sa veta janë, çfarë armë bartin dhe mundësisht kush janë. Plani për kundërpërgjigje është sekret dhe do të dihet vetëm në momentin e zbatimit. Edhe ku nuk qarkullojnë ata, ju duhet ta fajësoni dike, por me një arsye të motivuar. Secilit do t’i jap udhëzime të veçanta dhe ato s’do të duhej t’ia tregoni as njëri tjetrit. Për këto punë syçeltësia duhet të jetë më e madhe se për familjet tuaja. Dënimi, për ata që s’i kryejnë detyrat, do të jetë tepër i rëndë. Por edhe favoret, për ata që punojnë me vullnetin maksimal për UDB-në, do të jenë shumë të mëdha.
Tash jeni të lirë dhe do t’u thërras një nga një. Ti Halit Tani rri këtu!”
“Bajram S. Mollaku nuk ka vdekur. Ky diversant i rrezikshëm hyn e del në Has kah do dhe kur do. Ecën para hundëve tuaja, e ju nuk e shihni. E kanë shpallur të vdekur për ta mashtruar opinionin jugosllav. Të jesh i vetëdijshëm për rrezikun që mund të na sjellë. Për mosangazhim dihet çka të pret…”
-Po ai ka v…..
– Çuti ! (Hesht !)
Ishin këto fjalët që do të fillonin rrënimin e xha Xhemës dhe të familjes së tij. E kishin krijuar djajtë sllavë një metamorfozë të kuqe, pasi kishin marrë informata se kush kë e ka andej. Kishin ata dhe spiunë të spiunëve. Kishin dhe s’kishin besim në askënd. Kishin caktuar pastaj njerëz për obstruksione e trillime. Kishin gjetur mjeranë që mund të dëshmonin rrejshëm.
Për rastin tonë u gjet njeriu i përshtatshëm. Halit Tani ishte një arrivist që donte të bënte karrierë komunisti. Kishte marrë shkollën fillore, ishte aktiv në rininë antifashiste, ishte pranuar në radhët e LKJ-së, por në prapavijë bënte një punë tjetër. Puna e parë që e bëri me këtë rast qe thurja e një intrige bindëse që e dërgoi që në raportin e parë. Në të pos tjerash shkruante: “Diversanti Bajram S. Mollaku doli nga shtëpia e Xh. Mollakut duke aguar dita e diel e muajit nëntor me dy shokë të tjerë. Në krahë mbanin karikatorë, ndërsa në brez revole dhe bomba të varura. Kishte zgjedhur natën me shi dhe mjegull për të mos rënë në sy. Kishte gjurmë që qonin drejt Shqipërisë dhe ditëve të tjera kur kishte lagështi. Planet e tyre do të zbulohen kur të arrestohen. Tepër sekret-Hutani”.
Nuk vonoi dy ditë dhe xha Xhemën e ftuan në polici. E kishin fajësuar se mbante terroristë dhe për këtë kishin dëshmi. Njëri syresh ishte xha Bajrami, xhaxhai i tij.
-Nuk është e vërtetë, zoti polic. Xhaxha Bajrami ka vdekur para sa vitesh.
-Kjo është gënjeshtër e Sigurimit. Ku e di ti ? Ke qenë ilegalisht në Shqipëri, ndoshta. Për këtë kam shënime të sakta. Ai është i gjallë dhe tejet i rrezikshëm. Ti e ke pasur në shtëpi, e di mirë, por do ta fshehësh. Sado që ta fshehësh e rrezikon vetën tënde dhe shtetin jugosllav.
-Ai s’ishte i aftë për veten e tij e po e rrezikon shtetin. Dhe unë nuk merrem me punë politike. Në dyzet e katërtën ma dogjën shtëpinë. U martova në shtëpi të huaj. Aty më lindi dhe djali, Luani. Pasi i bëra pesë vjet burg në Sentë të Vojvodinës, u ktheva dhe mezi e ndërtova shtëpinë. I mblodha anëtarët e familjes nën kulmin tim dhe mezi po e siguroj bukën e gojës. Edhe vëllanë e martova si munda. Më leni në hallet e mia, ju lutem !
-Ti je mjaft i rrezikshëm, ti fsheh armë. (Majku t’i jebem ! Nënën ta q…..”)
-Ako, druzhe, Ilija, ako. Psujte kolko hoqete…(Ani, shok Ili, ani. Shani sa të doni…)
-Në fund po të them: Lutu zot. Halit T., pranoje fajin dhe ai mund të të ndihmojë.
-Nuk kam çka të pranoj për një gjë që s’e kam bërë.
-Bezhi! (Shporru !) Videqesh kasnije… (Do ta shohësh më vonë…)
Ditët në vijim kaluan në ankth. Ç’do të ndodh sot e ç’do të pritet nesër ?. Nëse mbaroi dita, ç’do të sjell nata ? Spiunët s’i ndaheshin xha Xhemës si hienat e uritura. Më kryesori, Halit T. kurdiste takime gjoja se të rastësishme, por që ishin tejet të përnjëmendta. Herë merrej si shkas ndërrimi i kutive dhe ndezja e ndonjë cigareje, por bisedën e sillte rreth diversantëve që dilnin andej dhe këndej kufirit. Ai vetë ishte turpëruar me grupin antiterror kur në vend që t’i shtynte fishekët në gojën e pushkës dhe t’i shkrepte, i kish nxjerrë jashtë pa e shkrepur asnjë, sepse diversanti L. Mali ia kishte bërë terr e mjegull me breshëri plumbash kur pluhuri dhe ciflat e gurëve nuk e kishin lënë për ta çuar kokën.
-Pranoje, lalë Xhema, se unë do të shpëtoj. Edhe në të futshin në burg, unë do të nxjerr. Ti e heq qafe një herë e mirë këtë problem. Punën e ke pisk.
Ditët tjera vijuese sollën një marifet të paparë, por të menduar mirë. Kishin propozuar që t’i pranojnë anëtarë të Partisë, pa qenë prezentë, xha Xhemën dhe xha Kolën, djali i të cilit ishte arratisur në Shqipëri. Fill të nesërmen prapë e mbajtën mbledhjen e Partisë dhe i përjashtuan që të dy. Thanë se i kishin pranuar gabimisht, se kanë zbuluar që të dy mbajnë terroristë. Këtë e bënë me qëllim që në rast arrestimi, përgjegjësia dhe dënimi të jetë më i madh. Vinte radha ose në burg ose diversant. Diversantët caktoheshin të dilnin me dhunë përtej kufirit. UDB-a jugosllave e dinin kohën dhe vendin kur dilnin dhe ku dilnin dhe i vriste vetë. Ajo operonte sipas marrëveshjes së fshehtë edhe përtej kufirit. E pastaj e fajësonte Sigurimin shqiptar, krijonte fajtorin, i cili vriste si i pari.
Në takimin vijues prapë u përdor avazi i vjetër. Xha Xhema s’pati ku të shkojë dhe ia zbrazi të gjitha në fytyrë:
-Le të shkruhet e le të flitet çka t’ju bjerë ndërmend. Por, dëgjo këtu Halit Tani. Unë kam qenë në burg një herë dhe kam dalë. Nëse hyj prapë, ose më vrasin, e di që prej teje e kam. Në dalsha punët i kryej vetë, e në mos dalsha, djalit ia lë amanet. Ai i kishte atëherë tetë vjet dhe i kuptonte gjërat kur babai fliste me dikë në besim. Kurrë për këto nuk fliste me gjyshen dhe nënën. Kur kjo aferë kaloi, sepse Halit T. e larguan nga puna për paaftësi dhe frikacakëri, ai e la punën dhe ia mësyni kurbetit, u duk se mori frymë.
-Ja si trembet qeni… tha babai. S’kisha nga të shkoja më. U mbështeta për muri. Më mbeti mike vetëm qëndresa.
III
Kur e mori lajmin se nuk e kish fituar bursën, Luan Mollaku e kish kuptuar se murtaja e kuqe ishte ende prezent. Arsyetim nuk kishte, por mund të merrej me mend. Ai vinte nga një familje “me damkë” që s’i shërohej kurrë. Kish kuptuar më vonë se vinte e rritej sermaja e nacionalizmit serb dhe kupola e tij po mbulonte tërë popullin shqiptar, së pari ata të futur në listën e zezë e pastaj dhe të gjithë të tjerët. Kuptoi se bursë kishin fituar bijtë e spiunëve komunistë, të familjeve të pasura, madje dhe malazezi Gjuka që kurrë nuk e shkeli tokën e Hasit. Hajde socializëm, hajde !- tha me vete. Po e ndan drejtësinë me kajde. Unë djalë i shkëlqyer, 15 vjeçar dhe u bëra armik i popullit dhe i vetmi. Kur u ankua, të gjithë heshtën. Vetëm njëri, kryekomunari D. H. kish pyetur me imtësi për xhaxhamadhin Bajram. Dhe doli rastësia që e zgjidhi çështjen. E kish njohur vetë. “ Po a për atë si kanë dhënë bursë, a? Medet ! Po ai s’ka qenë hairi as sherri i askujt. Do ta marrë por vitin tjetër”. Dhe i doli ashtu. Të gjithë pastaj i thanë :”Unë të ndihmova”. Ai që qe i drejtë e tregoi vetën dhe sot i është mirënjohës.Të gjithë konkurrentët e tij i fundosi e vërteta. Nuk e kryen shkollën kurrë dhe përfunduan si dështakë. Dështuan dhe etërit tyre të zhytur në djallëzitë e Rankos.
U desh të rrënohen tri gjenerata. U desh t’i digjen tri shtëpi. I përcolli shtriga e kuqe gjysh e bir e nip e stërnip. Këtu duhet të përfundojnë të këqijat, Luan Mollaku. Mbijetove…
Ishin vitet e fundit të shekullit të XX të cilët në vendin e shqiponjave, në Kosovën e Shqipërisë njohën vetëm dy gjëra, flakën barotit dhe gjakun trimit. Gjithkah kah sillej njeriu, cdo vend që kalonte, kë do që e takonte, biseda e vetme që bëhej dhe dëgjohje ishte rreth luftës dhe UCK-së.Ishte nevojë për të thënë edhe detyrim për ata djem dhe vajza të zotë që të bëheshin pjeë e kësaj ushtrie e cila mbronte popullatën civile (gra, fëmij e pleq) dhe njëkohësisht luftonte ballë-për ballë ushtrisë okupatore serbe.
Shumë prej atyre të që veshën uniformën me emblemën kuq e zi tani janë nën dheun e kësaj toke. Ata gjakun e tyre e deponuan si bojë e cila do ta shkruante historinë e vendit, sakrificat, luftën dhe mundin të cilin e dhanë ata që sotë të Blerim A. Xhemajliu (në të djathtë) flasim, të shkruajmë e të dëgjojmë shqip.
Shumë prej tyre edhe pse frymojnë, nuk mund ti shohin rrezet e diellit, të ecin në tokën e shliruar ose të flasin gjuhën e tyre, kjo si shkak i pasojave të cilat ia kishtë përgatitur lufta. Por sot ata janë të fuqishëm dhe plotë vullnet për të vazhduar jetën në vendin për të cilin dhanë gjymtyrët e tyre. Të tillët për të i’u bashkuar rradhëve të trimave, për të kontribuar për të mirën e përgjithsme u detyruan ti lënë nën mëshirën e Zotit, fëmijët, e prindërit invalid e të sëmurë. Por si duket dikush po ua merr vuqin, po ua heq vullnetin.
Shumë prej tyre, enden rrugëve poshtë e lartë, për të arritur të fitojnë bukën e gojës, për vete dhe për familjet e tyer. Të tillët nuk po gëzojnë rrespekt.
Ka edhe të tillë të cilët janë detyruar që në munges të rrespektit shoqëror e shtetëror, të ikin në mënyrë ilegale, rrugve të evropës për të siguruar një jëtë të mirë për familjene tyre. I tillë është rasti me një nga ushtaret e UCK-së, Blerim A. Xhemajliu nga Krusha e Madhe. Një djalë që ju bashkua ushtrisë çlirimtare që në lule të rinisë, si 19 vjecar, edhe pse kishte me dy prindër, babanë invalid kursë nënën të sëmurë. Para së të bëhej pjesë e UCK-së ai si 15 vjeqar, kishte marrur pjesë në protestat e hershme së bashku me një prej kontribuesve më të mëdhej të qështjes shqipëtare, Mr.Ukshin Hoti. Ai ishtë ushtari i tetë me radhë në ri-organizimin e shtabit të UCK-së në fshatin Reti, ku ishtë nën komandën e Xhelal Hajd-ës (Toni) dhe Selajdin Mullaabazi (Mici). Blerimit, sot nuk i njihet statusi i veteranit të luftës, siq i njihet shumë shkove të tij. Ai diskriminohet, injorohet e edhe për të thënë ofendohet me këtë gjest të komisionit.
Gjatë një rrëfimi në një nga televizionet tona lokale, ai me lot në sy përmend padrejtsitë ti cilat i janë bërë. Shpreh indinjatën e thellë ndaj institucioneve të vendit të cilat nuk i’a kanë mundësuar qëndrimin në Kosovë. Shpreh pakënaqësinë ndaj organit i cili është marrur më konstatimin dhe përpilimin e listave të veteranëve.
Në këto lista nuk është vetëm emri i Blerim A. Xhemajliu-t që është anashkaluar, por aty nuk gjinden edhe shumë trima të tjerë të cilët sakrifikuan për këtë vend.
Rruga dhe ideali të cilën e ndjekën djemt si Blerimi bënë që sot vendi ynë të jetë i lirië, fëmijët të mësojnë në liri, të mësojnë shqip.
Nëse prej njerzve nuk gjejnë rrespekt, një ditë te Zoti do ta gjejnë shpërblimin.
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në qytetin e Lushnjës.
Nëna ka mbytur të birin dhe më pas e mbante në shtëpi.
Hatixhe Ahmetaj ka mbytur të birin Pëllumb Ahmetaj.
Dyshohet se mbytja është bërë me litar pasi viktima kishte shenja në qafë.
40-vjeçari sipas banorëve ishte një përdorues i drogës dhe ndoshta kjo mund të ketë qenë arsyeja që është mbytur nga e ëma.
Sot është hapur konkursi për çmimin e Bashkimit Evropian për gazetari hulumtuese në rajon i cili do të qëndroj i hapur deri me datën 15 prill.
Të drejtë konkurrimi në Kosovë kanë të gjithë gazetarët me shkrimet në të gjitha gjuhët zyrtare dhe jo zyrtare.
”Pavarësisht se sa është vështirë të bëni pyetje apo të hulumtoni dhe të bëni ndonjë storie, ku raportime e ndryshme mund t’ua komplikoj jetën tuaj, BE do të luftoj për të drejtën tuaj” këto komente Zbogar i bëri në hapjen e konkursit për gazetarinë hulumtuese.
Ndër të tjera përfaqësuesi special i BE-së në Kosovë Samuel Zbogar tha se Kosova duhet të jetë krenare me gazetarët e saj dhe se në këtë konkurs do të ketë një konkurencë të madhe.
Sipas Zbogar, Kosova mundë të jetë shembull me këtë çmim të ndarë nga BE-ja andaj edhe mbështetja nuk do të mungoj.
”Në këtë konkurs do të jetë një konkurrencë e madhe në Kosovë. Kosova duhet të krenohet më gazetarët e saj. Qëllimi është të njihet gazetari i vitit ku BE-ja me vendet e saj anëtare do ta ndaj këtë çmim prestigjioz. Guximi në televizione dhe ne gazeta nuk duhet të mungoj nga gazetarët, rrjedhimisht mediat komerciale janë të bazuara në tregun komercial dhe për një gjë të tillë njerëzit shtyhen dhe kanë konkurrencë të madhe. Sa i përket digjitalizimit mendoj që këtu kemi një vonesë të caktuar. Ky çmim është hartuar së bashku me ju, ku edhe ka pasur udhëzime shumë konkrete në mbështetjen e mediave nga Be-ja. Andaj është një iniciativë e rëndësishme ku Kosova mund të jetë shembull” ka thënë Zbogar.
Ndërkaq drejtori ekzekutiv i Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës, Nehat Islami ka thënë se gazetaria hulumtuese duhet të jetë një fuqizim i shprehjeve të gazetarisë, ku në raste të ndryshme gazetaria është ajo e cila fletë më shumë se sa sferat e tjera.
” Gazetaria hulumtuese është një korrigjues i fuqishëm i shoqërisë në rastet kur shteti ose edhe forcat tjera politike nuk kanë vullnet e as guxim të reagojnë ndaj problemeve të caktuara të shoqërisë, siç është korrupsioni, kapja e shtetit, keqpërdorimet e përmasave të larta si dhe forma të tjera të patologjisë së një shoqëri, sfere, për fat të keq, është edhe kjo e jona” ka thënë Islami.
Ky çmim për gazetari hulumtuese do të ndahet për çdo vit për tre vite me radhë në shtatë shtete, fondi për çdo vit në çdo shtet do të jetë 10.000 Euro dhe shpërblimi për secilin gazetar do të jetë ndërmjet 3000 dhe 5000 Euro.
Në bashkëpunim me fondacionin The Guardian do të bëhet përzgjedhja e stories më të mirë hulumtuese në rajon.
Udhëzimet e plota për dorëzim të nominimit dhe aplikacionit i gjeni në këtë web faqe www.presscouncil/ks.org.
Data e fundit për aplikim është 15 prill 2015
Gjykata Speciale do të funksionalizohet më së largu në vjeshtën e këtij viti dhe ajo do të trajtojë disa prej udhëheqësve kryesorë të UÇK’së, thonë burime të Gazetës Express. Të njëjtat kanë saktësuar se numri i komandantëve që pritet të merren nga kjo gjykatë nuk do të jetë aq i madh.
Një zyrtar i lartë qeveritar ka treguar për Gazetën Express se drejtuesit e Taskë Forcës së BE’së që po përgatit krijimin e Gjykatës Speciale tashmë iu ka treguar afërsisht numrin e të dyshuarve për krime lufte dhe profilin e tyre.
“Gjatë takimeve me zyrtarët e kësaj trupe, na është thënë se Gjykata duhet të trajtojë disa raste specifike”, ka thënë zyrtari i Qeverisë që foli në kushte anonimiteti.
Ambasadorja amerikane ka thënë se kjo gjykatë do të merret me 10 raste, ndërohë mediat kanë spekuluar se numri i të dyshuarve mund të jetë mbi 100.
Por zyrtari do foli për Express tha se numri do të jetë shumë më i vogël.
“Bëhet fjalë për fare pak të dyshuar”, ka thënë ai.
Departamenti i Përgjithshëm i Gjykatës Themelore të Prizrenit vendosi që ndaj të pandehurve Ramadan dhe Flamur Mavraj, nga Prishtina, t’iu caktohet masa e paraburgimi, për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale, pengim i personit zyrtar.
“Të pandehuritRamadan dhe Flamur Mavraj do të mbahet në paraburgim në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji, i cili do të llogaritet prej datës 13.03.2015, në ora 17:00, dhe do të zgjasë deri me datën 13.04.2015”, njoftoi zëdhënësja e Gjykatës në Prizren, Afërdita Kicaj.
Të pandehurit dyshohet se me datën 13.03.2015 rrethe orës 14:00, në autostradë, rreth 3 kilometra pa arritur në pikën kufitare Vërmicë, Komuna e Prizrenit, në bashkëveprim me kanosje serioze pengojnë personat zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare.
“Derisa zyrtarët policor B.Bytyqi, Y.Bytyqi dhe T.Zeka, ishin në detyrë të përcjelljes së Kryeprokurorit të shtetit Sylë Hoxha, të pandehurit me automjetin e tyre të markës ,,BMË X5,,, me targa të regjistrimit 03-222-CJ, disa herë hyjnë në tejkalim të automjeteve zyrtare, ku më pas ,pas urdhrit të zyrtarëve policor që të ndalen dhe të hapin derën e automjetit, të njëjtit ndalen, por menjëherë nisen me vrull të madh, duke rrezikuar dhe penguar zyrtarët policor”/PrizrenPress.com
Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka organizuar tryezë diskutimi me temën “Roli i Kuvendit të Komunës në politikat lokale në sektorin e Shëndetësisë”. Qëllimi i organizimit të kësaj tryeze kishte për synim prezantimet e gjetjeve të analizës dhe rekomandimet për këtë sektorë nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) dhe fokusimi në mundësit e fuqizimit të rolit të Kuvendit të Komunës së Prizrenit në mbikëqyrjen dhe avancimin e mëtejmë të politikave lokale në këtë sektorë.
Të ftuar në këtë tryezë ishin: anëtarë të Kuvendit të Komunës së Prizrenit, drejtor të drejtorive komunale, Drejtorë dhe përfaqësues të QKMF-së në Prizren, Organizatat e Shoqërisë Civile, përfaqësues të medieve lokale dhe qendrore.
“Kuvendi i komunës gjithmonë e ka pas prioritet shëndetësinë, është njëri nga sektorët më të zhvilluar dhe të gjitha komunat do të duhej të merrnin shembull Prizrenin”. Megjithatë duhet të vazhdohet edhe më tej në zhvillimin e politikave publike shëndetësore dhe rekomandimet që kanë dal në kuadër të analizës do të jemi të gatshëm ti inkorporojmë në politika të tilla” – potencoi Kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Prizrenit.
Mybera Mustafa shefe e grupit parlamentar të LDK-s pranë Kuvendit të Komunës së Prizrenit ka vu theksin në animet partiake në politikat shëndetësore, buxhetin e kufizuar, mungesa e sigurimeve shëndetësore, ndërtimi i objekteve pa planifikim dhe pa analiza si dhe referim jo adekuat në institucionet tjera janë pasojat që po i bartin qytetarët në mungesë të ofrimit të shërbimeve shëndetësore të mirëfillta.
Arbër Rexhaj nga LVV ka potencuar se “qeveria lokale nuk e ka primare shëndetin e njeriut, ne si Kuvend i Komunës në këtë periudhe nuk e kemi pas asnjë pikë të vetme për sektorin e shëndetësisë dhe kjo tregon preokupimin e kësaj qeverie dhe si rrjedhojë nuk kemi ofrime të shërbimeve laboratorike dhe jemi jashtë standardëve që duhet të jenë në konceptin e mjekësisë familjare. Kuvendi duhet me qenë pjesë e mbikëqyrjes dhe sa më parë duhet të themeloj Këshillin Mbikëqyrës të institucioneve të shëndetit primar.
Antigona Shësten nga OPDMK ka vu theksin tek personat me nevoja të veçanta ku tha se “ injorohen personat me nevoja të veçanta dhe askush s’po mendon për ata duke ditur se kategoria e tillë ka nevoja më të veçanta madje edhe shëndetësore dhe ka kërkuar që të ketë ekipe patronazhi për personat me nevoja të veçanta”.
Ndër rekomandimet që kanë dalë në kuadër të analizës për politikat shëndetësore ishin: të hartohet plani operativ dhe të shqyrtohet ne Kuvendin e Komunës për procedim të mëtejmë, inicimi i hartimit të Statutit të Qendrës së Mjekësisë Urgjente dhe ky institucion të ndahet nga Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare, të regurtohen specialist të Mjekësisë Urgjente, të themelohet Këshilli Mbikëqyrës i Institucioneve të Kujdesit Parësorë Shëndetësorë, të ofrohen shërbime 24 orë dhe shërbime laboratorike në tri nga Qendrat e Mjekësisë Familjare (Zhur, Reqan dhe Gjonaj), të ndahen pacientët dhe familjet ndërmjet Ekipeve të Mjekësisë Familjare me qëllim të implementimit të tërësishëm të konceptit të mjekësisë familjare, të iniciohet ndryshimi i Statutit të QKMF-së dhe të miratohet nga ana e Kuvendit të Komunës, të publikohet Lista Esenciale e Branave brenda QKMF-së, QMF-ve dhe AMF-ve, të krijohet partneritet më i madh me OSHC-të në sensibilizimin dhe edukimin e popullatës me qëllim të promovimit dhe parandalimit të sëmundjeve dhe personeli mjekësorë të jetë pjesë e fushatave të tilla senzibilizuese etj.
.
Teatri Kombëtar i Kosovës ka ridefinuar disa nga kriteret për konkursin për dramë “Katarina Josipi”. Nga sivjet, konkursi sërish do të jetë i hapur për të gjithë autorët shqiptarë, kudo që jetojnë e krijojnë.
“Në këtë mënyrë ne shpresojmë që konkursi të pasurohet me drama më cilësore dhe në të njëjtën kohë, do t’i mundëson Teatrit Kombëtar të jetë në kontakt me dramaturgjinë shqipe që kultivohet nga autorë shqiptar edhe jashtë Kosove”, njoftohet zyrtarisht nga Teatri Kombëtar i Kosovës.
Nga sivjet, ky konkurs do të jetë i hapur nga muaji prill dhe do mbyllet me 20 dhjetor. Rezultatet do të shpallen më 27 mars të vitit të ardhshëm, në Ditën Botërore të Teatrit.
Këto dhe kriteret tjera të konkursit do të bëhen publike në muajin Prill. Teatri Kombëtar shpreson që sivjet të marrë drama më cilësore shqipe.