37.5 C
Prizren
E premte, 25 Korrik, 2025
Home Blog Page 7938

Matoshi: PDK po synon ta përçaj opozitën

0

HalilMatoshi-analistAnalisti, Halil Matoshi ka thënë “Zërin” se PDK-ja duke e parë që e ka të pamundur krijimin e Qeverisë do të tentoj që ta përçaj bllokun opozitar në mënyrë që ta bind ndonjërin prej këtyre subjekteve politike që të bashkohen me PDK-në.

“Oferta për ta lëshuar postin e kryeministrit praktikisht ka qenë e kahmotshme dhe ripërseritet tani që ta lëkund koalicionin e madh dhe eventualisht që t’i përçanë në mes vete, mirëpo nuk besoj se në këtë që PDK-ja do të arrij ta shkatërroj këtë koalicion”, ka vlerësuar Matoshi.

Shkodra e vitit 1910, në Universitetin e Kolumbias

0

shkoda 1910Ato duhet të jenë nënë e bijë. Bija mban në dorë furkën teksa përpiqet të tjerrë lesh, një punë karakteristike kjo për gratë në fshatrat e Shqipërisë dhe vështrimin e ka nga i panjohuri që po e fotografon. Ndërsa nëna ka vënë dorën në mes dhe ka të njëjtin vështrim. Kjo foto bardhezi daton në vitin 1910 dhe është gjetur gati një shekull më pas në koleksionin e gazetarit gjerman Ernst Jäckh, nga albanologu Robert Elsie. Fotoja është realizuar nga miku i tij në udhëtimin drejt Shqipërisë dhe Kosovës, Paul Traeger.

Por një njohës i mirë i traditave shqiptare e kupton me një vështrim prejardhjen e tyre. Një tjetër foto të çon në Shkodrën e 1910-s, ku dy burra tërheqin qerre të mbushur me dru. Fotoja e realizuar nga Ernst Jäckh është gjetur në fondin “Dorëshkrime të rralla në Universitetin e Kolumbisë”. Gjeneral Shefket Torgut Pasha shfaqet teksa ecën në rrugët e Shkodrës përkrah Vezirit të Madh, Hilmi Pasha. I pasionuar pas kuajve, gjeneral Pasha pozon me kalin e tij të preferuar. Nuk mungojnë në foto as françeskanët, të bërë bashkë, duke pozuar bri liqenit të qytetit.

Të veshura me veshjet më të mira, gratë e qytetit janë të gjitha bashkë duke u lutur për mbarësi për familjet në meshë. Janë një mori fotosh të realizua në Shkodër, dhe Mirditë nga gazetari gjerman Ernst Jäckh, të cilat na japin si në një tablo jetën në Veriun e Shqipërisë në ato kohë të pushtimit otoman.

Ernst Jäckh (1875-1959) ishte gazetar, publicist dhe shkencëtar gjerman, i cili lindi në Urah (Urach) të Gjermanisë Jugperëndimore. Qëndrimi në Turqi në periudhën 1908-1909, gjatë dhe pak kohë pas revolucionit xhonturk, i bëri shumë përshtypje dhe Jäckh u bë mbështetës i fortë i Turqisë dhe i marrëdhënieve gjermano-turke. Në verë të vitit 1910 ishte në Kosovë dhe në Shqipëri, i ftuar nga shtabi i përgjithshëm i ushtrisë turke ku mbështeti trupat turke në luftë kundër kryengritësve shqiptarë. Gjatë ekspeditës ushtarake shkoi në Ferizaj, Fushë-Kosovë, Prizren dhe Shkodër.

Nga Shkodra u kthye me forcat ndëshkimore nën komandën e Shefket Torgut Pashës nëpërmjet Mirditës dhe Gostivarit për në Shkup. Me forcat ushtarake turke ishte edhe gjatë luftës italo-turke (1911-1912). Në vitin 1912, Jäckh themeloi shoqatën gjermano-turke dhe në vitin 1914 ishte ligjërues i historisë turke në Universitetin e Berlinit. Pas Luftës së Parë Botërore përkrahu demokracinë liberale parlamentare në Gjermani, si dhe anëtarësimin e Gjermanisë në Lidhjen e Kombeve. Në vitin 1920, bashkëthemeloi Universitetin Gjerman për Politikë (Deutschen Hochschule für Politik) në Berlin.

Me ardhjen në pushtet të nazistëve në vitin 1933, Jäckh iku në Londër ku punoi për New Commonwealth Institute dhe në vitin 1940 u emërua profesor në Universitetin e Kolumbisë në Nju Jork, ku dhe vdiq. Arkivi i tij, duke përfshirë fotografitë e Shqipërisë, ndodhet në bibliotekën e Universitetit e Kolumbisë. Ndër botimet e Ernst e Jäckh është libri Im türkischen Kriegslager durch Albanien: Bekenntnisse zur deutsch-türkischen Freundschaft (Nëpër Shqipëri me ushtrinë turke: dëshmi e miqësisë gjermano-turke), Hajlbron 1911.

Rahoveci i shpallë “luftë” qenve endacak

0

qent endacakKomiteti Lokal për Siguri Publike në Rahovec prezantoi sot projektin për heqjen nga rrugët të qenve endacak.

Enis Berisha, udhëheqës i këtij Komiteti, tha se me vendim të komandantit të Policisë së Kosovës grupi është licencuar dhe punon në kudër të ligjit për policinë.

Komiteti ka 10 anëtarë që kanë mbajtur trajnime dhe debate me qytetarë, me qëllim të evidentimit të shqetësimet e qytetarëve. Në këtë rast shqetësimi më i madh i qytetarëve ka të bëjë me largimin e qenve endacak nga rruga dhe vendet publike. Ky projekt do të jetë afatgjatë dhe planifikohen një seri masash për eliminimin e rrezikut nga rrugët tona.

Toger Osman Ismaili tha se Policia e Kosovës në Rahovec do ta mbështesë këtë projekt me të gjitha mundësitë e veta dhe kërkohet që procedurat administrative të reduktohen.

“Me ligj ne nuk mund të bëjmë eliminimin e qenve endacak, mirëpo mund të bëjmë veprime urgjente që redukton numrin e qenve në rrugë. Ne duhet të respektojmë ligjin dhe mund të bëhet eliminim i kufizuar, që nënkupton kafshët që janë të sëmura dhe me mundësi të përhapjes së ndonjë epidemie”.

“Qentë e sëmurë paraqesin rrezik permanent dhe ndërmarrja e masave për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve përbën nevojë të ngutshme. Duhet të njoftohet AVUK-u dhe organet tjera që merren me mbrojtjen e shëndetit publik, ndërsa duhet të bëhet organizim më i mirë edhe me shoqatat e gjahtarëve në Rahovec, si dhe organeve komunale. Duhet eliminuar ky rrezik nga rrugët tona”.

“Sipas të dhënave numri i qenve endacak në komunën e Rahovecit arrin deri në 3000 ose më shumë”.

Marijan Shariq, nënkryetar i Komitetit tha ndërkaq se numri i qenve endacak po rritet çdo ditë dhe rreziku për njerëzit është permanent. Ndërmarrja e masave parandaluese dhe mbrojtëse është pjesë e angazhimit të KLSP-së.

“Plani ynë bazohet në dy linja kryesore, e para ka të bëjë me ndriçimin e rrugëve, ndërsa e dyta përbën ndërmarrjen e një seri masash tërheqjes nga rruga të qenve endacak, duke respektuar ligjet dhe mënyrën humane të trajtimit të qenve të tillë. Propozojmë që të formohet shërbimi për kapjen e qenve dhe strehimin e tyre. Ky shërbim duhet të jetë i pajisur me mjetet pune dhe kërkon mjete e kohë.”

Afrim Oruqi, tha se qytetarët janë shumë të shqetësuar rreth numrit të madh të qenve endacak, të cilët paraqesin rrezik të vazhdueshëm për sigurinë dhe shëndetin e njerëzve.

“Ne mundohemi të bëjmë vetëdijesimin e njerëzve nëpër lokalitete, ndërsa do të bisedojmë me pronarët e bizneseve hoteliere që të mos i hedhim mbeturinat në vende joadekuate, sepse këto vende janë burim i ushqimit për këto kafshë pa pronar dhe që bartin infeksione të ndryshme”.

“Ne dëshirojmë që këtë problem ta institucionalizojmë dhe do të hartojmë një draft rregullore për t’ia ofruar për miratim Kuvendit të Komunës. Kjo do të sigurojë mbrojtje afatgjatë të qytetarëve nga kërcënime të tilla. Në këtë projekt janë përfshirë edhe shoqatat e gjahtarëve që veprojnë në komunën e Rahovecit”.
Projekti mbështetet nga ambasada e Mbretërisë së Norvegjisë në Kosovë dhe OSBE./PrizrenPress.com/

Lidhje serioze apo aventurë?

0

Madonna Timor SteffenMadonna është në një lidhje me balerinin Timor Steffen. Për disa muaj me radhë nuk u fol për marrëdhënie serioze, por si duket gjërat mes çiftit kanë ndryshuar.

Këngëtarja e famshme është habitur dhe ka pëlqyer mënyrën se si mashkulli i saj i ri merret vesh dhe shkon më së miri me të birin Rocco, i lindur nga martesa e saj e shkuar me Guy Ricchie.

“Deri para disa muajsh nuk kishte asnjë gjë serioze, por gjërat kanë ndryshuar dhe janë bërë më serioze. Madonna është shumë e lumtur që Timor shkon shumë mirë me Rocco. Ai po luan një rol të dyjëzuar mes babait dhe mikut më të mirë për djalin, gjë që është shumë e rëndësoshme për këngëtaren, duke qenë se Ricchie nuk është shumë prezent në jetën e Rocco”, ka thënë burimi.

Djemtë kosovarë kërkojnë nuse me letra

0

90024Konkurrenca për të gjetur bashkëshorten e duhur në jetë është e “ashpër” mes djemve që jetojnë në Kosovë dhe ata që pritet të vijnë nga emigracioni për të kaluar pushimet.

Ndaj djemtë e Kosovës kanë vendosur ti “nisin kërkimet” para se emigrantët të hyjnë në lojë. Me pankarta në duar ata shkruajnë se duan nuse. Dhe jo thjesht nuse që të mbajnë shtëpinë dhe të bëjnë bukë e gjellë, por nuse me dokumente.

Antonia Young: Ju rrëfej gratë shqiptare që u bënë burra

0

Antonia YoungFemrat vendosnin të qëndronin beqare gjithë jetën, që në moshë të re, duke pranuar të “bëheshin” meshkuj për të zëvendësuar babain a vëllain e vdekur, ose për ti shpëtuar një martese të padëshiruar. Tashmë të kthyera në burra, gëzonin të gjitha të drejtat, privilegjet e detyrat e seksit tjetër. Visheshin si meshkuj, mbanin armë, pinin cigare e raki, qëndronin në odën e pritjes, merrnin pjesë në kuvende burrash, madje merrnin edhe vendime më rëndësi, si të barabarta mes sojit, ndërkaq, me femrat e familjes e më gjerë, krijonin distancë, a thua se vërtet qenë shndërruar kaq shpejt në meshkuj.

Këto janë burrneshat ose ‘virgjneshat’ e malësisë së veriut. “Fenomeni” a “dukuria”, paçka termit që përdoret është shfaqur herët, që prej kohës kur jeta në veri rregullohej prej “kushtetutës” së Lek Dukagjinit. Asokohe, burri qe jo vetëm shtylla e shtëpisë, por dhe i zoti i shtëpisë, ndaj një shtëpi pa burrë qe “shpi e mjerë, e vorfën, e dalun fare”. Kur burri nuk ishte, duhej krijuar një i tillë…

Ende sot, në veriun e Shqipërisë jetojnë disa gra si burra. Shpesh, është e vështirë të kuptosh se përballë ke një burrneshë. Mbas betimit për kthyer në mashkull, e me kalimin e viteve, trupi, fytyra e sjellja e tyre nuk kanë më asgjë të përbashkët me femrën. “Ato marrin një pamje tmerrësisht burrërore, jo vetëm sesi vishen, por edhe në lëvizjet e trupit”, shënon albanologia që prezantojmë më poshtë.

Interesimi për burrneshat shqiptare, i ka kaluar kufijtë e vendit. Më së shumti, janë të huajt ata që sot interesohen për to.
“Gratë që u bënë burra” titullohet libri i albanologes Antonia Young. Ai vjen në shqip nga “Scanderbeg books” dhe promovohet nesër paradite tek “Noel” përballë kinema “Millenium”. Ajo paraqet të dokumentuar, me emra e foto, ‘virgjneshat’ e fundme.
Kur ajo e pat nisur hulumtimin, shumë njerëz, jo nga veriu i Shqipërisë, nuk kishin dëgjuar kurrë për traditën e ‘virgjneshave’, ndërsa ata që kishin dëgjuar, mendonin se tashmë ky fenomen nuk ekzistonte më, të tjerë e mohonin me forcë mundësinë e ekzistencës së këtij fenomeni. Në fakt, ka ende sot njerëz që kur iu flet për këtë fenomen, mbeten të habitur, nuk e kanë dëgjuar më herët, nuk e besojnë dhe me sy të shqyer, pyesin për detajet dhe pse-të. Ka të tjerë, sidomos të huaj që shpesh shtrojnë pyetjen: Mos vallë këto femra kanë prirje homoseksuale? Për të kuptuar pse këto femra kanë zgjedhur të jetojnë kështu, duhet gërmuar më thellë, shumë më thellë se sipërfaqja që thotë shumë pak. Ndërsa dikush habitet, e dikush i quan anormale, ato mbeten të ngërthyera nga zgjedhjet e tyre, e në fund të jetës, ndihen mbase në paqe me dukjen e vet.

Interesi
Antonia Young ka pasur gjithnjë interes për ti njohur nga afër burrneshat shqiptare, interes i lindur prej leximit të Edit Durham. Një konferencë e mbajtur në Universitetin e Bradfordit në 1987 me temë ‘Gratë udhëtare në Ballkan’ e bëri të hamendësonte nëse ende ekzistonin ‘virgjneshat’. “Herën e parë që vizitova veriun e Shqipërisë më 1989, bëra kërkime lidhur me këtë çështje. Udhëtarët perëndimorë që vizitonin Shqipërinë në atë kohë, lejoheshin të udhëtonin vetëm nën një mbikëqyrje të rreptë, por ama për këto grupe ata kujdeseshin shumë dhe ishin mjaft të përgatitur, duke ndjekur itinerare të veçanta. Këto grupe e kishin të ndaluar të flisnin me ndonjë tjetër përveç drejtuesit të tyre ose me përfaqësuesit e shtetit. Të huajt ishin informuar për mrekullitë e kohës së komunizmit: Analfabetizmi i para Luftës Çlirimtare (kështu njihet Lufta e Dytë Botërore në Shqipëri), ishte ulur nga 85 në 5 për qind (te femrat ishte edhe më i madh), askush nuk fitonte dyfishin e asaj që fitonte një tjetër, nuk kishte taksa, nuk kishte krime, nuk kishte papunësi dhe qiratë ishin më pak se 10 për qind e gjithë të ardhurave. Gjithashtu, plani pesëvjeçar i vitit 1970, kishte përmbyllur elektrifikimin e të gjitha fshatrave”, shkruan Young në parathënien e librit të saj “Gratë që u bënë burra”.
Vetëm pak vite më vonë ajo do e merrte vesh çmimin e plotë të ‘progresit’ në Shqipëri. Ajo kujton se në dobi të këtij progresi, përveç tmerrit që njihet gjerësisht edhe sot, shumë libra u dogjën, shumë të tjerë u ndaluan. “Nuk kishte një planimetri qyteti ose harta rrugësh të sakta, i tillë ishte edhe shqetësimi i regjimit strikt stalinist, t’i mbante njerëzit e thjeshtë në padituri, ndërsa preokupohej për diçka që s’kishte aspak vlerë për përditshmëritë e tyre”,-shënon autorja. Porse interesi i saj qëndronte atje mes malesh të larta, tek gratë që u bënë burra. “Pak më vonë, u befasuam kur mësuam se fenomeni i ‘virgjneshave’ vazhdonte të ekzistonte, ku shumica e këtyre burrneshave, jetonte në veri dhe shumë më pak në jug, madje u tronditëm kur morëm vesh se ky fenomen vetëm 150 km larg nga kryeqyteti i Shqipërisë, ishte krejt i padëgjuar. Kjo shpjegonte, nga njëra anë, një shpërfillje ndaj qytetërimit, që i nxiste shqiptarët të pranonin mbijetesën e zakoneve, dokeve, nga anën tjetër, se fenomeni jetonte pa u shfaqur fare dhe se kjo pjesë e Evropës po i nënshtrohej një ndryshimi të thellë dhe të shpejtë, që dukej se me shumë gjasa do t’i transformonte të dyja, kontekstin dhe ekzistencën e qartë të këtij fenomeni që përshkruhet në këtë studim”,- shprehet Young.

Studimi
Qëllimi i këtij libri është ta memorizojë fenomenin unik të ‘burrneshave’ shqiptare, të këtyre njerëzve të ndershëm që mbijetojnë më së shumti në zona të shkreta të Shqipërisë Veriore, mu në brendësi të kontekstit kulturor dhe të vetë shoqërisë shqiptare. “Në vijim të studimit, do të përpiqem të sjell shkurtimisht disa përshkrime të këtyre grave (që prej vitit 1989) e të krahasoj disa shpjegime antropologjike e etnografike, me një analizë për to dhe gjendjen e tyre. Shpjegimi i disa kushteve historike, unike për Shqipërinë, do të na ndihmojë për të dhënë evoluimin në këto kushte të fenomenit dhe se si ka mbetur ende pjesë e kësaj shoqërie. Së fundmi, duke i shtuar faktet e reja nga lëmi i studimit tim të pavarur dhe nga intervistat e hollësishme të disave prej tyre në Shqipërinë e Veriut gjatë dhjetëvjeçarit të fundit, gjykoj se mënyra e të veshurit bën ndarjen e gjinive në një shoqëri thellësisht patriarkale”, sqaron Antonia Young.

Ajo veçon se veshjet luajnë një rol të rëndësishëm në formimin shoqëror mes gjinive, të dallueshme në ngjarjet e rëndësishme të jetës, si martesa apo ndryshimi i banimit, por shënojnë edhe kufijtë mes gjinive në familje. Sipas saj, zgjedhja e veshjes pasqyron natyrën e një sistemi të veçantë social-ekonomik në Malësinë e Shqipërisë apo në disa zona të tjera të Ballkanit, por edhe këtë tipar të veçantë se, në kushtet e vështira mjedisore, shpesh veshja dhe nderi lidhen drejtpërdrejt me nevojat ekonomike. “Faktori ekonomik është shumë i rëndësishëm në këtë shoqëri patriarkale që, mes detyrave të grave, të jetë edhe marrja e rolit të burrave për drejtimin e familjes në rastet kur këta mungojnë. Këto gra, sikurse burrat, janë të gatshme të marrin armët nëse i thërret nevoja, me qëllim ruajtjen e nderit të familjes nga gjakmarrja”, -nënvizon Young.

Me të drejtë, albanologia, shprehet se veshja e gruas shqiptare, ndryshe nga ajo e ‘burrneshave’, veçanërisht në zonat rurale, cakton kufijtë jo vetëm gjinorë, por dhe statusin e tyre, dhe shpjegon veçmas pozitën gjinore. Me ndryshimin e veshjes, fillon të ndihet një presion i tmerrshëm, që ka lidhje tradicionalisht me rolin gjinor, e parapërcaktuar nga kjo kulturë. Ende identiteti gjinor lidhet jo domosdoshmërisht me preferencat seksuale (për çka në ato zona kur ‘virgjneshat’ jetojnë nuk flitet hapur dhe pa siklet), përkundrazi është shumë më e thellë.

Për Young, marrja e rolit mashkullor nga femrat, në të tilla kushte specifike për vendin e tyre, që shpesh ndërmerret vullnetarisht prej tyre, jo vetëm që është e mirëpritur dhe tejet e lavdërueshme, por është edhe një zgjidhje për një jetë më të mirë. “Edhe pse në disa raste betimi shihet si një sakrificë, domethënia e vetë fjalës është krejt gjë tjetër në një shoqëri, ku, të sjellurit ndryshe nga ç’je në të mirë të shoqërisë, konsiderohet një veprim pozitiv, ndaj, nëse ka ndonjë sakrifikim në rastin kur femra kthehet në burrë, kjo gjë në vetvete ia rrit nderimin ndaj vetes”, nënvizon ajo.

Kërkimet
Pasi kishte lexuar për ‘burrneshat’ e fillimit të shekullit XX, albanologia Young, vendosi me padurim të zbulonte nëse fenomeni vazhdonte të jetonte dhe dëgjoi se madje njëra prej tyre ende jetonte në veri të Shqipërisë. “Gjatë 1990-ës u ktheva shpesh në Shqipëri dhe zura miq shumë të mirë atje. Një kohë të gjatë ndenja në familjen Naraçi në Shkodër, ata jo vetëm që më ofruan mikpritjen tradicionale, por u përpoqën shumë të më ndihmonin në zgjidhjen e çështjes sime. Falë Marita Naraçit, një mësueseje nga Shkodra, munda të mbledh shumë të dhëna nëpër fshatrat e veriut të Shqipërisë dhe e çova deri në fund studimin tim. Familja Naraçi (si dhe plot të tjera) ishte e internuar me punë të detyruar kohës së komunizmit nëpër fshatra, shumë larg shtëpisë së tyre, si ndëshkim ndaj akuzës se vinin nga një familje borgjeze dhe me edukim katolik”,-tregon ajo, duke hedhur dritë mbi fillimet e kërkimeve të veta.

Në vitin 1993 pati mundësinë të takonte për herë të parë një ‘virgjneshë’. U nis vetëm nga Shkodra dhe gjatë udhëtimit ndërroi disa kamionë, në pjesën e prapme fare të hapur të të cilëve mbanin deri në 60 pasagjerë më këmbë. Edhe pse nga Shkodra ishin vetëm 50 milje, udhëtimi i saj zgjati për më shumë se gjysmë dite. “Disa milje nëpër një rrugë makinash të shtruar me gurë përmes një lugine në perëndim të Thethit, i bëra më këmbë, edhe pse ishte një ditë korriku dhe dielli përvëlonte. Ca fëmijë kureshtarë u mblodhën rreth meje; aty pranë ca kullosnin dhitë me zilet që u tringëllinin, të tjera zile kumbonin nëpër shpatet e malit. Kaluam nëpër një urë të vjetër druri mbi një përrua (një shtrat i tharë lumi), duke shmangur vrimat e krijuara nga kalbja e drurit dhe menjëherë hymë në një fshat fare të vogël. Duke kërkuar Pashkën, më drejtuan në një dhomë të vogël përplot me njerëz, ku Pashka po bënte e gëzuar rolin social të burrit në një pritje dasme. E veshur me këmishë dhe pantallona elegante burrash, ajo rrinte ulur e qeshur, në dorë mbante një gotë me verë dhe mbi vesh kishte vendosur një cigare. Më përshëndeti përzemërsisht duke hapur një vend ku të mund të ulesha pranë saj dhe kërkoi të më sillnin edhe mua një pjatë me ushqim”,- përshkruan ajo.

Albanologia, nuk harron të theksojë se të dhënat e hershme tregojnë se për të shpëtuar nderin e të gjithë të përfshirëve, ndryshimi i gjinisë ka qenë zgjidhja e vetme e pranueshme që të mos martoheshin me burrin me të cilin qenë fejuar dikur. “Lidhur me nderin, refuzimi i vajzës për t’u martuar me aksh djalë, është një shkak i fortë (edhe sot) për t’i futur familjet në gjakmarrje. Por edhe një martesë e lidhur mes dy familjeve në gjak, mund të shihet si një pajtim gjaku. Mirëpo, nga shumë kontakte që pata, dola në përfundimin se arsyeja kryesore, është nevoja për një trashëgimtar dhe kryefamiljar, në rastet kur mashkulli i familjes nuk është i gatshëm për këtë status. Në këtë kuptim, këtu përfshihet edhe gatishmëria për të vepruar në rastin e një gjakmarrjeje”,- sqaron ajo kontekstin.

Dëshira e hershme
Antonia Yopung ka dashur të vijë në Shqipëri shumë herët, para se perdja komuniste të binte. Ja si i përshkruan ajo të parët e Shqipërisë nga kufiri matanë: “Në atë postën maqedonase pranë Liqenit të Ohrit në vitin 1958, nuk më besuan shumë kur me vështrimin kah Shqipëria, u thashë se isha britanike. Atë kohë vetëm pak turistë linin bregdetin e mrekullueshëm të Dalmacisë për të udhëtuar më në brendësi të gadishullit. Këtë udhëtim e ndërmerrte ndonjë familje ose grupe franceze dhe gjermane. Pamja ime, të udhëtuarit vetëm dhe përdorimi i disa shprehjeve në serbo-kroatisht, ndonjëherë shtynin të besoje se isha nga ndonjë prej republikave të Jugosllavisë, të thurura këto fakte krijonin një histori më të besueshme jete, që përfshinte fëmijërinë time në Shqipëri, arratisjen e mëvonshme në Jugosllavi me not nëpër liqen. Dikur, pas një endjeje me varkë në bregdetin jugor të Korfuzit, ia ngula sytë Shqipërisë. Jugosllavia kishte kohë që i kishte shkëputur lidhjet me Shqipërinë, qyshkur më 1948 Tito i hodhi poshtë kërkesat e Bashkimit Sovjetik dhe ideja se Shqipëria do të bëhej një prej shtatë republikave të Jugosllavisë, kishte marrë fund përgjithmonë”.

Vetëdorëzohet Skender Berisha, dyshohet për vrasjen dhe plagosjen e familjes Abdylaga

0

Syle Hoxhaj, kryeprokurorKryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Sylë Hoxhaj,ka njoftuar se është vetëdorëzuar i dyshuari për vrasjen dhe plagosjen e familjes Abdylaga në “Arbanë” të Prizrenit.

“Ju njoftojmë se sot në Prokurorinë Themelore në Prizren, është vetëdorëzuar i dyshuari ,Skender Berisha për rastin e vrasjes dhe plagosjeve që kanë ndodhë më dt.29.06.2014, në lagjen ‘Arbana” Prizren”,njofton Kryeprokurori i Hoxhaj.

Një mosmarrëveshja për një parcelë në rrugën transitore në afërsi te restorant “Korabit” në Prizren i ka futur në konflikt të armatosur familjen Abdylaga nga Suhareka dhe familjen Berisha.

Ngjarja e rëndë e cila ndodhi të dielën është përcjellë me të shtëna nga disa lloje armësh, që për pasojë la një të vdekur dhe tetë të lënduar nga të dyja familjet./PrizrenPress.com/

PDK e bindur se do ta formojë Qeverinë e Re

0

PDK5-27Partia Demokratike e Kosovës shprehet e bindur se do të arrijë që të formojë qeverinë e re, edhe për kundër insistimeve të bllokut opozitar se do të bllokojnë një tentative të tillë.

Një ditë pasi që Gjykata Kushtetuese e konfirmoi Kryeministrin në largim, Hashim Thaçin, si mandatar të parë për formimin e qeverisë së re, Partia Demokratike e Kosovës u shpreh e bindur se do të arrijë numrin e nevojshëm të votave në Kuvendin e Kosovës.

Basri Musmurati, Sekretar i Përgjithshëm i PDK-së, tha për Gazetën Jeta në Kosovë se partia e tij “nuk do të ketë fare problem krijimin e qeverisë”.

“I kemi votat e elektoratit dhe po ashtu do t’i bëjmë edhe votat e deputetëve në Kuvend”, tha Musmurati.

Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 8 qershorit, PDK fitoi numrin më të madh të votave, por 37 ulëset në Kuvend nuk janë të mjaftueshme për të formuar e vetme qeverinë.

Sidoqoftë, Gjykata Kushtetuese i hapi rrugën të martën Thaçit që të krijojë qeverinë e re, pasi që Presidentja Atifete Jahjaga ta nominojë atë për kryeministër.

Por PDK pritet që të ketë vështirësi për të bindur partitë e tjera për t’u bashkuar koalicionit në mënyrë që të arrijnë 61 votat e nevojshme në kuvend, në kohën kur partitë tjera shqiptare që fituan ulëse në Kuvend, Lidhja Demokratike e Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe NISMA janë të bashkuara për të bllokuar tentativën e PDK-së për të krijuar qeverinë.

Ato kanë shprehur qëndrimin e vet përmes një deklaratë të përbashkët të hënën se nuk do të bashkëpunojnë me PDK deri sa e ftuan Thaçin “të kthejë mandatin tek Presidentja Jahjaga në mënyrë që të evitohet ndonjë vakum institucional.”

Në anën tjetër, Shpend Kursani, analist politik, thotë se “Hashim Thaçi i ka gjasat shumë të vogla, për të mos thënë fare, që t’i arrijë numrat e nevojshme për ta formuar qeverinë në këtë periudhë.”

“Kjo është për shkak se blloku opozitar është solid në qëndrimet e veta për të mos bashkëpunuar me Thaçin,” ka shpjeguar ai.

Por, Kursani ka thënë se kjo mund të ndryshojë në rast se Lëvizja Vetëvendosje nuk merr pëlqimin e anëtarësisë së vet nëse mban një referendum për të përkrahur bllokun opozitar, ashtu siç e kërkon Statuti i Vetëvendosjes.

Por Musmurati nuk përjashtoi mundësinë që PDK t’i bindë edhe partitë e bllokut opozitar t’i bashkohet PDK-së për të formuar qeverinë e re.

“More le çfarë 61 vota, ne do t’i kemi më shumë!” ka thënë ai.

PDK fitoi 30.38 për qind të votave në zgjedhjet parlamentare dhe do të ketë 37 deputetë në Kuvend, e përcjellë nga partia e Isa Mustafës, Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila mori 25,24 për qind të votave dhe që do të ketë 30 deputetë.

Vetëvendosja e Albin Kurtit mori përkrahje nga 13,56 për qind e votuesve dhe do të ketë 16 ulëse në Kuvend, deri sa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 9.54 për qind të votave do të përfaqësohet me 11 deputet në legjislaturën e ardhshme.

Nisma për Kosovën, parti e formuar nga dy ish-anëtarë të lartë të PDK-së, Fatmir Limaj dhe Jakup Krasniqi, kaloi pragun dhe do të ketë 6 deputetë në Kuvend.

20 vendet e mbetura do t’i takojnë partive të minoriteteve, përfshirë edhe nëntë deputetëve nga “Lista Serbe” e përkrahur nga Beogradi.

Votat e kësaj partie mund të jenë vendimtare kur Hashim Thaci do të tentojë të formojë qeverinë e re.

“Lista Serbe” ka thënë se është e hapur për të bashkëpunuar me secilën parti e cila arrin që të formojë qeverinë e re.

“Lista Serbe nuk dëshiron të jetë ajo e cila do të zgjedhë se cila do të jetë partia e parë. Kjo duhet të vendoset nga shumica shqiptare. Ne do të punojmë me ata të cilat do të zgjedhen nga shumica shqiptare,” Branimir Stojanobic, Kryetar i Graçanicës dhe një nga udhëheqësit e Listës Serbe ka thënë.

Arsim Bajrami: Vendim i Gjykatës ashtu siç thash unë

0

Arsim Bajrami-pdkArsim Bajrami e ka lëshuar një reagim të gjatë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, ku ka thënë se aktgjykimi është ashtu siç kishte deklaruara para se lënda të shkonte në Gjykatë.
Ndërkohë, ka thënë se Partia e Hashim Thaçit nuk duhet të shkojë në opozitë pasi ka fituar zgjedhjet.

Për të dalë në opozitë PDK’ja, Bajrami thotë se duhet së pari t’i humb zgjedhjet.

“Vlerësimi im politik është që PDK si partia e parë nuk mund ta qeverisë asesi vendin vetë dhe asaj i duhen patjetër që të ndërtojë konsensusin e domosdoshëm me partnerët politik për të ndërtuar qeverinë e re dhe për ta qeverisur vendin. Mendoj që me këtë vullnet të popullit të reflektuar në këtë rezultat zgjedhor PDK nuk mund të dal në opozitë”, ka shkruar Bajrami.

Lexojeni të plotë reagimin e Arsim Bajramit:

Nuk ka patriotizëm më të madh se sa respektimi i Kushtetutës së Republikës

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, dje bëri publik aktgjykimin e saj përkitazi me kërkesën e Presidentes së Republikës së Kosovës për vlerësimin e përputhshmërisë së nenit 84 (14) [Kompetencat e Presidentit] me nenin 95 [Zgjedhja e Qeverise] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Kisha kënaqësinë që ta studiojë këtë aktgjykim në aspektin profesional dhe dua të shpreh bindjen time të plotë profesionale që ky vendim është një interpretim jashtëzakonisht i drejtë dhe i qartë, që dëshmon profesionalizmin dhe integritetin e lartë të gjyqtarëve që kanë marrë pjesë në vlerësimin e kësaj kërkese.

Gjykata Kushtetuese pa u ndikuar nga asnjë faktor i jashtëm dhe me profesionalizëm të plotë ka dëshmuar vlerën e institucionit shtetëror duke ofruar një shembull të përkryer të funksionimit të mirëfilltë dhe profesional të një institucioni shtetëror. Është jashtëzakonisht mbresëlënëse që vendimi i Gjykatës është arritur për një periudhë mjaft të shkurtër dhe është vendosur me shumicë votash. Këtë vendim e përkrah plotësisht profesionalisht dhe e respektoj plotësisht politikisht. Mendoj që Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës me aktgjykimin e saj ka arritur të qartësojë të gjitha dilema e ngritura të karakterit juridiko-kushtetues dhe tani kjo çështje është plotësisht e karakterit politik.

Megjithatë pa modesti, për hir të korrektësisë dua të sjell në vëmendjen tuaj deklarimin tim rreth këtyre çështjeve që e kisha ofruar me një intervistë për gazetarin e nderuar z. Adriatik Kelmendi në emisionin Rubikon të KTV-së, me datë 11 qershor 2014. Pra këtë intervistë e kisha dhënë para se lënda të adresohej në Gjykatën Kushtetuese dhe pasi që lënda u parashtrua në Gjykatë kam respektuar normën profesionale që të përmbahem nga çdo komentim apo vlerësim i mëtutjeshëm duke u zotuar vetëm për respektim të plotë të cilido vendim të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës.

Të bashkëlidhur mund të gjeni linkun e intervistës ku mund ta shikoni videon (http://www.kohavision.net/video/rubikon/7920/), por unë megjithatë po i shkëputi më poshtë disa nga pikat kyqe të argumentimit tim në këtë intervistë e që ishin plotësisht të karakterit juridiko-kushtetues.

1. Kam mbrojtur faktin që Kushtetuta është e qartë në nenet e saj për formimin e Qeverisë. Një gjë të tillë e konkludon edhe Gjykata në paragrafin 95 të aktgjykimit të saj ku konkludon se dispozitat kushtetuese janë mjaftueshëm të qarta dhe në përputhje me njëra-tjetrën për të çuar deri te formimi i Qeverisë së re në pajtim me vullnetin e votuesve.

2. Duke u bazuar në Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme kam deklaruar që normat juridike për rastin në fjalë i referohen vetëm koalicioneve parazgjedhore, pra koalicionit zyrtar parazgjedhor që është i regjistruar në zyrën për regjistrim të KQZ-së, që paraqitet në fletëvotimet zgjedhore dhe që i ofrohet mundësia qytetarëve që të shprehin vullnetin e tyre lidhur me të. Këtë tani e konstaton Gjykata në vendimin e saj, pika I (b) në faqe 23.

3. Kam deklaruar që Kushtetuta e Kosovës për dallim nga Korniza Kushtetuese e Kosovës i jep të drejtën e mandatarit partisë që ka fituar numrin më të madh të votave në zgjedhje. Pra shumica i referohet në rastin në fjalë partisë politike apo koalicionit që ka numrin më të madh në Kuvend. Gjithashtu kam mbrojtur qëndrimin që modeli kushtetues i Kosovës dallon nga modelet kushtetuese të rajonit dhe që çdo model është i veçantë. Këtë tani e konstaton Gjykata në vendimin e saj, pika II (c), (ç) dhe (d) në faqe 23 të aktgjykimit të shpallur.

4. Kam shprehur bindjen time të plotë që për çdo gjë që është e natyrës kushtetuese dhe që ka dilema për paqartësi mundemi t’i drejtohemi Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për sqarim, respektivisht Presidentja e Republikës së Kosovës ka të drejtën e plotë që të kërkojë interpretim nga Gjykata Kushtetuese. Kam sugjeruar që nëse ka dilema, atëherë ekziston mekanizmi kushtetues për të gjetur sqarimet adekuate dhe ajo mund dhe duhet të bëhet nga Presidentja e Republikës së Kosovës duke ju drejtuar Gjykatës Kushtetuese për sqarime. Duhet kujtuar që ka pas shumë mendime skeptike mbi atë nëse Presidentja ka pasur drejtë të kërkojë interpretime nga Gjykata, dhe ka pasur edhe interpretime që Gjykata duhet të shpallë të papranueshme kërkesen e Presidentes. Kam shprehur edhe bindjen time të plotë që Presidentja e Republikës së Kosovës dhe ekipi i saj njohin shumë mirë praktikën parlamentare në Kosovë dhe kam qene i bindur që Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës do të vlerësoj situatën dhe do të veprojë në mënyrën më të mirë të mundshme. Këtë tani e konfirmon edhe Gjykata në aktgjykimin e saj, në faqe 7 tek konkluzioni për pranueshmëri në paragrafët 26, 27 dhe 28.

5. Kam deklaruar që pas konstituimit të Kuvendit, Presidentja e Republikës së Kosovës duhet ta caktojë mandatarin nga një përfaqësues i një partie apo koalicioni parazgjedhor që do ta ketë shumicën e nevojshme në Kuvend dhe shumica e nevojshme është 61 deputetë për zgjedhjen e Qeverisë. Kam mbrojtur mendimin tim profesional që shumicën e mandateve e ka partia e parë, pra partia që ka siguruar numrin më të madh të ulëseve në Kuvend. (Për këtë jam bazuar dhe kam përmendur praktikën e deritashme parlamentare të aplikuara në Kuvendin e Kosovës me rastin e formimit të Qeverisë, parimet kushtetuese dhe sistemin zgjedhor në Kosovë, por edhe në literaturën profesionale që ka trajtuar këtë çështje). Këtë tani e konfirmon edhe Gjykata në aktgjykimin e saj në paragrafin 67, 68,75, 76, 77, 78, 79, 80, 83, 84, 85 dhe posaqërisht paragrafi 88.

6. Kam shprehur mendimin tim që vetëm me proces të votimit në Kuvendin e Kosovës përcaktohet se kush e ka shumicën e nevojshme. Pra, jo me marrëveshje politike. Respektivisht kam mbrojtur qëndrimin që marrëveshja nuk mund të merret për bazë nga Presidentja me rastin e nominimit të mandatarit që do të marrë shumicën e nevojshme të votave në Kuvend për të formuar Qeverinë. Këtë tani e konfirmon edhe Gjykata në aktgjykimin e saj në paragrafin 86 edhe 88.

7. Kam shprehur bindjen time që dispozita në nenin 95, paragrafi 4 në Kushtetutën e Kosovës e precizon proceduren e raundit të dytë të mandatarit (duke ndjekur të njëjtën procedure) në rast që përbërja e propozuar e Qeverisë nuk merr votat e nevojshme në tentimin e parë duke ofruar sërish tentimin e dytë ekskluzivisht për mandatarin e parë. Vlerësimi i Gjykatës në këtë rast është që ky nen qëndron i heshtur dhe sipas këndëvështrimit të Gjykatës kjo është në diskrecionin e Presidentes të Republikës që të vendos se cilës parti do t’i jepet mandati për të propozuar kandidatin tjetër.(paragarfi 90). Gjykata shprehimisht vlerëson që në raundin e dytë nuk duhet të përjashtohet mundësia që t’i jepet sërish edhe rasti i dytë me një kandidat tjetër të njëjtës parti apo koalicion (paragarfi 91). Gjykata po ashtu konsideron që Presidentja duhet të konsultohet edhe me partite tjera

edhe të vlerësojë gjasat e partive politike për të marrë votat e nevojshme në Kuvend për formimin e Qeverisë së re (paragarafi 92). Pra Gjykata në vlerësimet e saj në aktgjykimin dëshmohet gjithëpërfshirëse. Është shumë e rëndësishme që Gjykata vlerëson drejtë dhe qartë në paragafin 94 që sipas Kushtetutës, Presidenti i Republikës së Kosovës përfaqëson shtetin dhe unitetin e popullit dhe rrjedhimisht sugjeron që Presidenti i Republikës duhet të gjejë kritere mbizotëruese për formimin e qeverisë së re.

8. Kuptova me shqetësim faktin që Gjykata Kushtetuese nuk ka arritur t’i sigurojë Travaux Preparatories, pra materialet përgatitore (procesverbalet) e punës së Komisionit për Hartimin e Kushtetutës. Mendoj që ato duhet të kërkohen dhe të gjenden gjithsesi në sekretariatin e atëhershme të komisionit për hartimin e Kushtetutës.

9. Jam angazhuar vazhdimisht që roli i Presidentes të fuqizohet dhe për këtë jam përkushtuar edhe përgjatë procesit të amandamentimit të Kushtetutës së Kosovës duke avokuar me insistim që Presidenti të mos jetë peng i partive politike por të zgjedhjet drejtpërdrejt nga populli. Besoj fuqishëm, që ashtu siç u dëshmua që vetëm një president i tillë që nuk buron nga oborret e partive politike mund të dëshmoj rolin e saj/tij kushtetues që të përfaqësoj unitetin e plotë të vendit.

10. Kam deklaruar që ekziston mundësia të shkohet në zgjedhjet tjera të jashtëzakonshme nëse nuk arrihet të ndërtohet uniteti i domosdoshëm për tejkalimin e situatave që potencialisht mund të shkaktojnë ngërçe politike. Gjithashtu kam shprehur brengen time njerëzore që nëse shkuarja në zgjedhje të sërishme për një periudhë kaq të shkurtër kohore do të mund të menaxhohej me sukses. Gjithsesi ky mbetet vetëm vlerësim i imi dhe për këtë vlerësimin më adekuat mund të japin institucionet përgjegjëse për organizimin e zgjedhjeve.

11. Kam shprehur vlerësimet e mija që shumë zhvillime politike pas zgjedhjeve kanë qenë të nxituara dhe kam sugjeruar që duhet pritur kohën e numërimit dhe shpalljes përfundimtare të rezultatit të zgjedhjeve nga KQZ, çertifikimin dhe pranimin e këtij rezultati nga të gjitha partitë politike që kanë marrë pjesë. Kam insistuar që vetëm pas këtyre fazave hapet rruga për të trajtuar çështjet tjera siç janë konstituimi i Kuvendit të Kosovës dhe formimi i Qeverisë së re. Kam shprehur rezervat dhe habinë time me nxitimin për të ndarë postet politike kryesore të vendit pa ndonjë reflektim përmbajtjesor ndaj rendit juridik dhe institucional në vend.

11.1. Kam shprehur bindjen time dhe qëndroj pas vlerësimit që posti i Kryetarit të Kuvendit zgjidhet nga grupi parlamentar që ka numrin më të madh të ulëseve në Kuvend sipas rezultatit që del pas procesit të çertifikimit të zgjedhjeve nga KQZ dhe me shumicën e votave të deputetëve të Kuvendit. Ky vlerësim paraqet mendimin tim profesional dhe nuk mëton të jep të vërtetën absolute përkitazi me këtë çështje. Por unë vlerësimin tim e bazoj në dispozitat dhe parimet kushtetuese, rregulloren e punës së Kuvendit të Kosovës, Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, sistemin zgjedhor në Kosovë, praktikën e deritashme parlamentare të aplikuara në Kuvendin e Kosovës me rastin e zgjedhjes së kryetarit të kuvendit, procesverbalet e punës së Kuvendit të Kosovës ku trajtohen situata të ngjashme të mëparshme. Por mendoj që edhe aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese në rastin Nr.KO103/14 mund të ndihmojë tërthorazi në qartësimin e kësaj çështje.

11.2. Kam vlerësuar që nuk ka qenë fare korrekte dhe nuk është dashur të ndodhë dhe nuk duhet ndodhë që në diskutimet politike në mes të partive politike të futet edhe posti i presidentetit të Kosovës si pjesë e pazareve politike. Mendoj që nuk është korrekte të diskutohet kjo çështje përderisa ne kemi në detyrë një presidente që ushtron përgjegjësitë e saj në mënyrën më funksionale të mundshme.

12. Për fund, kam deklaruar përcaktimin tim të plotë që vendimet e Gjykata Kushtetuese janë meritore, janë përfundimtare dhe ato duhet të respektohen. Kam thënë që gjitha mendimet e mija nuk janë e vërteta absolute, por vetëm mendimi im profesional dhe kam pranuar që vendimi përfundimtar dhe meritor i takon vetëm institucionit kompetent për interpretimin e Kushtetutës, pra Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Tani mendoj që ky aktgjykim i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës paraqet vlerësimet më meritore, përfundimtare dhe bëjë thirrjen që të respektohen nga të gjitha palët. Ky aktgjykim njëherit përbën edhe një arritje të një standardi të ri në fushën e interpretimit kushtetues në Kosovë dhe do të shërbej edhe si një rast mjaft interesant për trajtime në debatet akademike në shkencën e drejtësisë.

Përfundimisht mendoj që kishim një proces zgjedhor jashtëzakonisht të mirë, të pranuar nga të gjithë dhe meritor për këtë janë gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës por edhe përkushtimi i partive politike që garuan në këto zgjedhje. Tani është koha që të gjitha partitë politike të tregojnë përgjegjësi ndaj shtetit, logjika e inateve dhe bllokadës të zëvendësohet me përgjegjësinë politike për shërbim të interesave të vendit duke krijuar institucione stabile, funksionale dhe të pakontestueshme. Jam i bindur që zgjidhja mund të gjendet vetëm me një pjekuri të elitës politike të vendit, ku secila parti politike duhet të reflektojë mbi peshë e saj politike por edhe mbi peshën e oponentëve tyre politik që kanë marrë nga verdikti i popullit në zgjedhjet e mbajtura me 8 qershor 2014.

Vlerësimi im politik është që PDK si partia e parë nuk mund ta qeverisë asesi vendin vetë dhe asaj i duhen patjetër që të ndërtojë konsensusin e domosdoshëm me partnerët politik për të ndërtuar qeverinë e re dhe për ta qeverisur vendin. Mendoj që me këtë vullnet të popullit të reflektuar në këtë rezultat zgjedhor PDK nuk mund të dal në opozitë. Kur PDK t’i humb zgjedhjet atëherë ajo do të mbetet në opozitë. Poashtu mendoj që ngjashëm partitë tjera nuk mund të injorojnë faktin që PDK është fituese e zgjedhjeve të përgjithshme dhe përkitazi me këtë do të duhej që të reflektonin politikisht. Zgjidhja duhet të gjendet me një qasje të emancipimit politik, me një gjeneratë të re qeverisëse dhe me një politikë ku dija, puna dhe morali janë vlerat mbizotëruese.

Diskutime e fundit publike mbi çështjet e natyrës kushtetuese paraqesin një arritje mjaft interesante në shoqërinë tonë. Mendoj që u dëshmua që të tilla diskutime janë mjaft produktive dhe na kishin munguar. Interpretimet ishin nga më të ndryshmet dhe karakteristike pothuajse e përbashkët e të gjithave ishte argumentimi logjik që ofronin. Kishte të tilla që përderisa jepnin interpretimet e tyre, interpretimet tjera i shpallnin absurde. Të tjerë interpretimet që nuk u pëlqenin atyre i shpallnin si partiake. Kishte edhe shumë reagime instinktive. Pas vendimit të Gjykatës, në disa çështje dikush u dëshmua që ishte më i afërt me vlerësimet e saj/tij me ato të aktgjykimit të Gjykatës, dikush tjetër ishte më larg, e ndonjë edhe nuk ja qëlloj fare. Por këto mbeten shumë të të parëndësishme përballë faktit të vetëm të rëndësishëm që aktgjykimi të pranohet nga të gjitha palët.

Nuk ka patriotizëm më të madh se sa respektimi i Kushtetutës së Republikës.Dua të shpreh falemnderimin për të gjithë kolegët juristë, analistët politik dhe përfaqësuesit politik për kontributin e tyre të dhënë në debatin përmbajtësor të zhvilluar së fundi përkitazi me këtë çështje.

Synon të jetë pjesë e “TurtleFest 2014”

0

cevi-1-620x300MENdar DJ nga Prizreni, i cili po mundohet përmes rrjetit social Facebook dhe Soundcloud të jetë pjesë e Festitvalit të sivjemë Turtle Fest, i cili do të mbahet në bregdetin e bukur shqiptar Dhermi. Ai ka përgatitur një Set 30 minutesh të rrymes elektronike, me të cilën synon që ta zënë një vend në këtë festival.Lloji i muzikes së tij që bën, është rryma Electronice ndërsa Zhanri : Deep Tech\ Progressive.MENdar, i cili shumë shpejt arriti të depërtoj tek publiku që preferon këtë muzikë.

Ai gjithashtu me mjaft sukses është i angazhuar duke bashkëpunuar me një ndër radiot më të famshme në Irlandë ( Innervisions Radio),duke qenë shumë aktiv në paraqitjet e tij Live. Edicionin e kaluar të aktivitetit Bunar fest, MENdar arriti të jetë pjesë e kësaj ngjarje në Line Up me DJ-in e mirënjohur nga Turqia, Sezer Uysal.Poashtu,këtë vit MENdar do të jetë pjesë e Festivalit tashmë tradicional “NGOM fest” i cili do të mbahet për të 4-ën herë me radhë në Prizren.Turtle fest i cili zgjat 3 ditë dhe i cili do të mbahet për të 3-ën herë më radhë,Turtle fest bashkon DJ-ët më të rëndësishëm shqiptarë e evropianë për të paraqitur rrymat e ndryshme muzikore.

Në pyetjen tonë,çka e shtyri atë që të konkurojë për të qenë pjesë e këtij Festivali,ai na tha”Po sa e morra vesh informacionin për mbajtjen e Festivalit të radhës Turtle fest,takova shokët,kolegët dhe miqtë të cilët përveç këshillave më inkurajuan që të konkurojë për këtë ngjarje.Nëse përzgjidhem ndër pjesëmarrësit e Turle fest,kjo do të jetë edhe një eksperiencë e nevojshme për mua dhe besoj se do t’ia dal mbanë duke arritur edhe sukses në këtë ngjarje”,tha MENdar. Përzgjedhja e kandidatëve bëhet në bazë të numrit të pëlqimeve (likes) në profilin e Mendarit në SoundCloud.Linku ku mund te dëgjohet, pëlqehet,postohet dhe komentohet Seti i Mendarit është ky :ttps://soundcloud.com/mendar/mendar-for-turtle-fest-dj-contest/TV Prizreni/