29.1 C
Prizren
E enjte, 19 Qershor, 2025
Home Blog Page 8091

Serbët e veriut, me gatishmëri për zgjedhje

0

Zgjedhjet-serbet nveriSubjektet politike serbe, veçanërisht ato që veprojnë në veri të Kosovës, ende nuk kanë marrë vendim zyrtar për pjesëmarrje në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të cilat pritet të mbahen më 8 qershor. Por, përfaqësuesit e këtyre subjekteve politike thonë se ekziston gatishmëria për të marrë pjesë në to.
Lidhur me këtë pjesëmarrje, Iniciativa qytetare serbe e njohur si “Lista serbe”, e cila në zgjedhjet e fundit lokale ka fituar në pjesën më të madhe të komunave me shumicë serbe, është duke pritur të konsultohet me autoritetet e Beogradit. Këtë e konfirmon për Radion Evropa e Lirë edhe Goran Rakic, kryetar i Mitrovicës veriore, i cili vjen nga radhët e Listës serbe.

“Megjithatë, duke pasur parasysh që kemi marrë pjesë në zgjedhjet lokale, mendoj se serbët duhet të marrin pjesë në zgjedhje. Natyrisht, duke iu dhënë garanci për vendet e garantuara si dhe që t’ju mundësohet të votojnë me letërnjoftimet apo dokumentet personale, të cilat aktualisht i posedojnë dhe jo të kushtëzohen me atë që dokumentet personale të jenë vetëm të Kosovës”, thekson Rakic.

Subjekti tjetër politik në veri të Kosovës, Iniciativa qytetare “Serbia, demokracia, drejtësia” e Oliver Ivanovicit, paralajmëron pjesëmarrjen në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë, edhe pse për një gjë të tillë nuk është marrë vendimi zyrtar i këtij subjekti.

Përfaqësuesja e këtij subjekti, Ksenija Bozovic, që aktualisht është kryetare e Kuvendit komunal të Mitrovicës së veriut, thotë se lidhur me pjesëmarrjen në zgjedhje janë të gatshëm të bisedojnë jo vetëm me Beogradin, por me të gjithë ata që e konsiderojnë si opsion serioz politik subjektin të cilit ajo i takon.

“Iniciativa qytetare SDP e Oliver Ivanovicit do të marrë pjesë në zgjedhje parlamentare. Ne e kemi caktuar për ditën e hënë mbledhjen, ku ne përfundimisht do të marrim vendimin për veprimet e mëtutjeshme”, thekson ajo.

Por, a do të jenë në gjendje subjektet politike serbe në veri të Kosovës që t’i mobilizojnë qytetarët për një dalje sa më të lartë në votimet e 8 qershorit?

Rakic vlerëson se një gjë e tillë do të jetë mision i vështirë për partitë politike serbe, duke pasur parasysh incidentet që kanë ndodhur para dhe gjatë zgjedhjeve lokale. Megjithatë, shpreson se njerëzit do ta kuptojnë rëndësinë e zgjedhjeve parlamentare.

“Unë mendoj se do të jetë vështirë. Por, me mbështetjen e Beogradit njerëzit do ta kuptojnë seriozitetin dhe do të bëjnë atë”, shprehet Rakic.

Vështirësi lidhur me përgatitjen e elektoratit në veriun e Kosovës, për të dalë në zgjedhje, paralajmëron edhe Bozovic.

“Do të na duhet më shumë kohë që të bisedojmë me njerëzit, që t’i gjallërojmë në mënyrë që ata të dalin në numër sa më të madh në zgjedhje”, thekson Bozovic.

Lidhur me deklarimet që zyrtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve kanë dhënë se Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian mund të ketë rol në mbështetjen logjistike për organizimin e zgjedhjeve parlamentare edhe në veri të Kosovës, Rakic shprehet skeptik. Sipas tij, në zgjedhjet e kaluara lokale OSBE-ja ka treguar se nuk mund të japë ndihmë domethënëse. Ndryshe, Bozovic, vlerëson se ndihma e OSBE-së për zgjedhjet e 8 qershorit do të jetë më se e nevojshme. /REL/

“Bilbili i Kosovës”, Nexhmije Pagarusha feston 81 vjetorin e lindjes

0

NexhmijePagarusha-dekorohetKëngëtarja e njohur shqiptare Nexhmije Pagarusha ka festuar dy ditë më parë ditëlindjen e saj. Bilbili i këngës shqipe ka mbushur 81 vjeç. Një jetë e mbushur me një karrierë të gjatë dhe të begatë artistike.

Këngëtarja ka lindur në fshatin Pagarushë të Malishevës. Ajo ka nisur karierën e saj muzikore në Radio Prishtina në vitin 1948. Puna e saj muzikore krijuese zgjati për gati 40 vjet dhe është shumë e vështirë për të thënë, se cilave zhanre të muzikës i takon, pasi ajo këndoi pothuajse për të gjithë.

Interpretimet e saj në muzikën popullore ishin të përsosura sikurse interpretimet e saj në muzikë klasike, sidomos në opera. Pagarusha është vlerësuar nga kritikët e muzikës dhe admiruesit e muzikës. Ajo është quajtur Bilbili i Kosovës, Mbretëresha e muzikës Shqiptare, Madam Butterfly, etj.

Aksident në autostradën “Ibrahim Rugova”

0

aksident ne autostrad2Para pak minutash në autostradën “Ibrahim Rugova” ka ndodhur një aksident. Siq merr vesh Express aksidenti duket të jetë i rëndë.

Në vendin e ngjarjes tash kanë shkuar veturat e auto-ambulancës.

Aksidenti ka ndodhur pak kilometra pas kalimit të zënës së Malishevës

Seremb Gjergji proteston me fëmijët e tij, kërkon liberalizim

0

serembi ne protestSeremb Gjergji, bashkë me djalin Drinin e vajzën Djellën, kërkuan para Zyrës së Bashkimit Evropian në Prishtinë, liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, para mbajtjes së zgjedhjeve të BE-së, në Ditën e Evropës. Gjergji thotë se në veçanti të rinjtë e Kosovës nuk duhet të izolohen për arsye të shumta, duke vlerësuar se po vazhdohet të i bëhet një padrejtësi, dhe se sot në Kosovë sipas tij nuk duhet të festohet, por të protestohet.

“Kam dalë në kuadër të fushatës teme për president të Kosovës, si kandidat i pavarur për president, edhe mendoj që Bashkimi Evropian duke mos i liberalizu vizat n’Kosovë, po krijon izolimin e gjeneratës t’re t’Kosovës, që në Kosovë është 73 për qind e popullsisë. Edhe në kuadër të kësaj unë mendoj që është e padrejtë, populli i Kosovës nuk e meriton një gjë të tillë, e veçmas nuk e meriton rinia e Kosovës… Çka kanë ma shumë fëmija e Bosnjës, Serbisë, Shqipërisë, Maqedonisë, Malit të Zi, Moldavisë se sa fëmija Kosovës”, shpr ehet Gjergji.

Drini mbante në duar një pankartë në të cilën shkruhej “ Mos më izoloni në shtëpinë time”, dhe thotë se ka vizituar disa vende të Evropës e më gjerë dhe kërkon që liberalizimi të bëhet sa më parë.

“Unë jetoj në Kosovë, por kam qef të shëtitëm në të gjithë Evropën. Unë kam qenë në shumë vende të Evropës, kam qenë në Kroaci, Greqi, Itali, po ashtu kam qenë edhe në Amerikë, por në shumicën e rasteve u duft për me pritë shumë për vizat, kështu që liberalizimi i vizave kish mujt me na ndihmu shumë për të gjithë njerëzit”, thotë Drini, dhe se gjithë këtë e kërkon për vizita të ndryshme dhe pushime.

Diella, sikurse edhe Drini, flet dy gjuhë të huaja gjermanisht e anglisht. Ajo mbante në duar një pankartë në të cilën shkruhej se “Ardhmëria nuk ndërtohet me izolim”, dhe thotë që ka shumë dëshirë liberalizimin për vizita tek të afërmit e saj nëpër Evropë.

“Te tanë kanë qef me shku në vende të jashtme me jetu me i ba disa pushime, te tanë i kanë dajtë hallat e veta tezet kanë qef me nejt te ata, tash, te tanë duhet me pas një liberalizim që ta shfrytëzojnë në jetë, ta shfrytëzojnë kohën duke shkuar te dajtë, në vende tjera, kështu që ne nuk duhet me nejt në shpi, por me dalë me pasë liri si te tanë me shku me familje gjithkah ka të mujna na dhe në çdo kohë që mujna”, shprehet Djella.

Për gjysmë ore sa ka zgjatur protesta e tyre, askush nga zyrtarët e Zyrës së BE-së në Prishtinë nuk ka dalë për të parë se çfarë po bëhet, ndërkohë që protestuesit u argëtuan edhe me një aktivitet sportiv.

“Zebra” që u bë modele

0

vajza1Një 19-vjeçare që thërritej “zebra” dhe “lopa” nga shoqet, për shkak të një çrregullimi të rrallë të pigmentit që jep ngjyrën e lëkurës, ia doli mbanë që të jetë në 14 modelet më të mira të përzgjedhura nga “America’s Next Top Model”.

Chantelle Brown-Young nga Toronto e Kanadasë, në moshën 4-vjeçare u diagonstikua me sëmundjen vitiligo, e njëjta sëmundje nga e cila ka vuajtur edhe ylli i pop-it, Michael Jackson.

Ajo rrëfen se sa e vështirë ka qenë që të pranonte veten dhe të ndjehej krenare me të. “Gjatë fëmijërisë dhe në vitet e para të adoleshencës thërritesha zebra dhe lopa, për shkak të pullave në lëkurë”, shprehet 19-vjeçarja.

Megjithatë, falë bukurisë së saj natyrale, sot Chantelle ka realizuar ëndrrën e saj për të qenë një modele. Në rrjetet sociale numri i fansave i shtohet me shpejtësi, është shfaqur në disa pasarela dhe marka të rëndësishme të modës dhe për më tepër, një muaj më parë u fotografua nga Nick Knight, fotografi ‘që nuk gabon’ e që njihet si zbuluesi i disa modeleve të famshme, njëra prej të cilave është edhe Kate Moss.

Kulla e Mahmut Pashë Rrotullës në Rahovec do të bëhet Monument i Kulturës

0

Kulla e Mahmut Pashës në rrënimMe kërkesë të banorëve të fshatit Apterushë, drejtoria për Kulturë, Rini e Sport në Rahovec, ka  organizuar debat për të ardhmen e kullës së Mahmut Pashës në këtë fshat.

Drejtori i Drejtorisë për Kulturë, Rini e Sport, Osman Hasku, tha se  ky monument paraqet një rëndësi të madhe për trashëgiminë tonë kulturore, sidomos për komunitetin e fshatit Apterushë.  Nëse arrijmë ta rinovojmë ashtu siç edhe kërkohet, atëherë kjo do të mund të shfrytëzohej për nevojat e fshatit për aktivitete të ndryshme, por edhe si bujtinë.

Enes Toska, nga projekti Trashëgimia Kulturore pa Kufij  (CHwB), tha se fondacioni suedez në kuadër të projektit për ruajtjen e trashëgimisë kulturore ka ndarë  17 mijë euro  për këtë projekt. Besojmë se do të gjejmë mjete të tjera, sepse  kjo kullë paraqet monument me rëndësi për të kaluarën e popullit të kësaj ane.  Më pas ai prezantoi disa objekte të trashëgimisë kulturore që janë restauruar në tërë Kosovën, objekte që tashmë përfaqësojnë  vlerë të rëndësishme të trashëgimisë shqiptare. Këto objekte janë vënë në shërbim të komunitetit vendas dhe krejt kjo ka për synim që këto rajone të bëhen qendra të turizmit kulturor.

Kadri Durguti, zyrtar për ruajtjen e trashëgimisë kulturore pranë Drejtorisë për Kulturë, tha se Apterusha është vendbanim shumë i lashtë dhe sipas të dhënave arkeologjike jeta në këtë fshat dëshmohet para më shumë se 2000 vjetësh. Prandaj, kulla e Mahmut Pashës duhet të ruhet dhe institucionet duhet të kujdesen për restaurimin e saj.

Elez Spahiu, 80 vjeçar tha se me gjithë historinë e dhimbshme që kanë pasur banorët e Apterushës, megjithatë ia vlen të restaurohet, sepse kulla ka vlera të mëdha kulturore. Në këtë kullë kanë ushtruar pushtetin pothuajse të gjitha pushtetet e instaluara në Kosovë që nga viti 1830, kur mendohet se është ndërtuar kjo kullë. Ndërtuesi i kullës Mahmut Pashë Rrotulla ka qenë shqiptar dhe është ekzekutuar nga Sulltani për shkak se i është bashkuar kërkesës së pashallarëve shqiptar për më shumë autonomi për popullin shqiptar. Pikërisht për këto duhet të ruhet kulla, sepse është shqiptare, shtoi plaku Elez Spahiu.

Xhemali Haxhimustafa, nënkryetar i komunës së Rahovecit tha se, dëshirojmë që të bëjmë hapin e rëndësishëm për restaurimin e kullës dhe kërkojmë mbështetjen e komunitetit.  Me këtë dëshirojmë të kujtojmë të kaluarën dhe historinë tonë. Natyrisht se në këtë kullë ka pasur edhe përjetime të këqija, por pikërisht për këtë duhet t’ju tregojmë botës dhe brezave për këto përjetime.

Dervish Çadraku, kryetar i shoqatës për Ruajtjen dhe Kultivimin e Vlerave Kombëtare “Arbëria”, tha se restaurimi është i domosdoshëm, sepse objekti është i rëndësisë së veçantë kulturore e historike. Ne duhet të kërkojmë ndihmën e komunitetit për të kryer me sukses punimet e restaurimit, në mënyrë që të afirmojmë vlerat tona kombëtare.

Ndonëse pati zëra se disa banorë të Apterushës kanë kërkuar zhvendosjen e kullës, megjithatë të gjithë u pajtuan që punimet rreth restaurimit të vazhdojnë dhe punimet të përfundojnë sa më parë të jetë e mundur.

NATO ka penguar gjenocidin në Kosovë

0

NATO-Anders Fogh RasmussenSekretari i Përgjithshëm i NATO-s Anders Fogh Rasmussen ka thënë se ndërhyrja e NATO-s ndaj krizës në Kosovë ka pasur për qëllim pengimin e gjenocidit dhe ka qenë në përputhje me kartën e Kombeve të Bashkuara.

“Duke u përpjekur që të mbrojnë aneksimin antiligjor të Krimesë, liderët rusë kanë sulmuar legjitimitetin e operacioneve të NATO-s në Libi e në Kosovë”, ka thënë Rassmusen në Tallinn, Estoni, njoftojnë medie ndërkombëtare.

Sekretari i Përgjithshëm ka akuzuar Rusinë se përmbys faktet, duke theksuar se operacionet në Libi janë bërë në përputhje me Këshillin e Sigurimit të KB-së.

“Në Kosovë qëllimi ka qenë që të pengohet gjenocidi dhe kjo është në përputhje me kartën e OKB-së”, ka thënë ai, transmeton koha.

Pjesën më të madhe të fjalimit, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s ia ka kushtuar krizës në Ukrainë për të cilën ka akuzuar kryetarin rus Vladimir Putin.

Eurovizion, në finale është Conchita drag queen me mjekër

0

86005Quhet Conchita Wurst dhe përfaqëson Austrinë në Eurovizion Song Contest me këngën ‘Rise like a phoenix’.

Drag queen me mjekër, i duartrokitur dhe shumë i pëlqyer nga publiku, është një yll i vërtetë i manifestimit në Copenhagen.

Thomas Neuwirth, kështu është emri i tij i vërtetë, ka lindur në një qytet të vogël në Austri në nëntor të vitit 1988 dhe ka vendosur të bëhet Conchita vetëm në 2011 kur mori pjesë në një reality show në televizionin kombëtar.

Kolona të gjata në Vërmicë

0

Kufiri ne vermicNë pikë-kalimet kufitare të Kosovës – Shqipëri, edhe sot po vazhdojnë të krijohen kolona të gjata të veturave.

Sipas burimeve të KosovaPress-it, kolona e gjatë deri në 2 kilometra ka filluar që nga orët e para të mëngjesit dhe po vazhdon edhe në këto momente.

Haradinaj në Tiranë: Takon Kadarenë, bën homazhe tek varri i Ilir Konushevcit

0

rambo me kadarenKryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, është takuar në Tiranë me shkrimtarin e madh shqiptar, Ismail Kadare.
Haradinaj dhe Kadare kanë bashkëbiseduar për zhvillimet aktuale në Kosovë dhe në botën shqiptare në përgjithësi.

Duke folur për zhvillimet në Kosovë dhe proceset nëpër të cilat po kalon vendi, Haradinaj ka diskutuar edhe për platformën politike të Aleancës – “Drejtim i Ri”.

“Gjatë një takimi në Tiranë, mora mendimet dhe mbështetjen për platformën tonë politike, ‘Drejtim i Ri’ për Kosovën”, ka deklaruar Haradinaj.

Gjatë qëndrimit në Tiranë Haradinaj është takuar me Kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta.

Në takimin u diskutuan zgjedhjet në Kosovë, politikat rajonale dhe bashkëpunimin në mes të Kosovës dhe Shqipërisë, sidomos në fushën e ekonomisë dhe energjisë.

Po ashtu, Haradinaj me bashkëpunëtorë ka bërë homazhe edhe tek varri i dëshmorit Ilir Konushevci, në Tiranë.

“Kemi ardhur të nderojmë sot te varri i dëshmorit të kombit, Ilir Konushevci. Jemi krenarë me Ilirin. Vepra e Ilirit mbetet frymëzim i përhershëm për gjithë brezat drejt lirisë, pavarësisë dhe bërjes së shtetit të Kosovës. Ne po e nderojmë një vepër të madhe të Ilirit i cili e tejkaloi veten për lirinë e vendit tonë. Vepra dhe sakrifica e Ilirit dhe të gjithë dëshmorëve të kombit, duhet të jenë shembull se si jetohet e punohet për atdheun dhe duhet të jenë udhërrëfyes në punën dhe angazhimet tona të përditshme”, ka thënë kryetari Haradinaj, gjatë homazheve te varri i dëshmorit.

Haradinaj do të jetë prezent edhe në promovimin e librit të Michael O’Reillyt, “Haga e Ramush Haradinaj”, që do të promovohet në Universitetin Europian të Tiranës.