Subjektet politike serbe, veçanërisht ato që veprojnë në veri të Kosovës, ende nuk kanë marrë vendim zyrtar për pjesëmarrje në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të cilat pritet të mbahen më 8 qershor. Por, përfaqësuesit e këtyre subjekteve politike thonë se ekziston gatishmëria për të marrë pjesë në to.
Lidhur me këtë pjesëmarrje, Iniciativa qytetare serbe e njohur si “Lista serbe”, e cila në zgjedhjet e fundit lokale ka fituar në pjesën më të madhe të komunave me shumicë serbe, është duke pritur të konsultohet me autoritetet e Beogradit. Këtë e konfirmon për Radion Evropa e Lirë edhe Goran Rakic, kryetar i Mitrovicës veriore, i cili vjen nga radhët e Listës serbe.
“Megjithatë, duke pasur parasysh që kemi marrë pjesë në zgjedhjet lokale, mendoj se serbët duhet të marrin pjesë në zgjedhje. Natyrisht, duke iu dhënë garanci për vendet e garantuara si dhe që t’ju mundësohet të votojnë me letërnjoftimet apo dokumentet personale, të cilat aktualisht i posedojnë dhe jo të kushtëzohen me atë që dokumentet personale të jenë vetëm të Kosovës”, thekson Rakic.
Subjekti tjetër politik në veri të Kosovës, Iniciativa qytetare “Serbia, demokracia, drejtësia” e Oliver Ivanovicit, paralajmëron pjesëmarrjen në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë, edhe pse për një gjë të tillë nuk është marrë vendimi zyrtar i këtij subjekti.
Përfaqësuesja e këtij subjekti, Ksenija Bozovic, që aktualisht është kryetare e Kuvendit komunal të Mitrovicës së veriut, thotë se lidhur me pjesëmarrjen në zgjedhje janë të gatshëm të bisedojnë jo vetëm me Beogradin, por me të gjithë ata që e konsiderojnë si opsion serioz politik subjektin të cilit ajo i takon.
“Iniciativa qytetare SDP e Oliver Ivanovicit do të marrë pjesë në zgjedhje parlamentare. Ne e kemi caktuar për ditën e hënë mbledhjen, ku ne përfundimisht do të marrim vendimin për veprimet e mëtutjeshme”, thekson ajo.
Por, a do të jenë në gjendje subjektet politike serbe në veri të Kosovës që t’i mobilizojnë qytetarët për një dalje sa më të lartë në votimet e 8 qershorit?
Rakic vlerëson se një gjë e tillë do të jetë mision i vështirë për partitë politike serbe, duke pasur parasysh incidentet që kanë ndodhur para dhe gjatë zgjedhjeve lokale. Megjithatë, shpreson se njerëzit do ta kuptojnë rëndësinë e zgjedhjeve parlamentare.
“Unë mendoj se do të jetë vështirë. Por, me mbështetjen e Beogradit njerëzit do ta kuptojnë seriozitetin dhe do të bëjnë atë”, shprehet Rakic.
Vështirësi lidhur me përgatitjen e elektoratit në veriun e Kosovës, për të dalë në zgjedhje, paralajmëron edhe Bozovic.
“Do të na duhet më shumë kohë që të bisedojmë me njerëzit, që t’i gjallërojmë në mënyrë që ata të dalin në numër sa më të madh në zgjedhje”, thekson Bozovic.
Lidhur me deklarimet që zyrtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve kanë dhënë se Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian mund të ketë rol në mbështetjen logjistike për organizimin e zgjedhjeve parlamentare edhe në veri të Kosovës, Rakic shprehet skeptik. Sipas tij, në zgjedhjet e kaluara lokale OSBE-ja ka treguar se nuk mund të japë ndihmë domethënëse. Ndryshe, Bozovic, vlerëson se ndihma e OSBE-së për zgjedhjet e 8 qershorit do të jetë më se e nevojshme. /REL/