11.8 C
Prizren
E hënë, 13 Maj, 2024

Kulla e Mahmut Pashë Rrotullës në Rahovec do të bëhet Monument i Kulturës

Kulla e Mahmut Pashës në rrënimMe kërkesë të banorëve të fshatit Apterushë, drejtoria për Kulturë, Rini e Sport në Rahovec, ka  organizuar debat për të ardhmen e kullës së Mahmut Pashës në këtë fshat.

Drejtori i Drejtorisë për Kulturë, Rini e Sport, Osman Hasku, tha se  ky monument paraqet një rëndësi të madhe për trashëgiminë tonë kulturore, sidomos për komunitetin e fshatit Apterushë.  Nëse arrijmë ta rinovojmë ashtu siç edhe kërkohet, atëherë kjo do të mund të shfrytëzohej për nevojat e fshatit për aktivitete të ndryshme, por edhe si bujtinë.

Enes Toska, nga projekti Trashëgimia Kulturore pa Kufij  (CHwB), tha se fondacioni suedez në kuadër të projektit për ruajtjen e trashëgimisë kulturore ka ndarë  17 mijë euro  për këtë projekt. Besojmë se do të gjejmë mjete të tjera, sepse  kjo kullë paraqet monument me rëndësi për të kaluarën e popullit të kësaj ane.  Më pas ai prezantoi disa objekte të trashëgimisë kulturore që janë restauruar në tërë Kosovën, objekte që tashmë përfaqësojnë  vlerë të rëndësishme të trashëgimisë shqiptare. Këto objekte janë vënë në shërbim të komunitetit vendas dhe krejt kjo ka për synim që këto rajone të bëhen qendra të turizmit kulturor.

Kadri Durguti, zyrtar për ruajtjen e trashëgimisë kulturore pranë Drejtorisë për Kulturë, tha se Apterusha është vendbanim shumë i lashtë dhe sipas të dhënave arkeologjike jeta në këtë fshat dëshmohet para më shumë se 2000 vjetësh. Prandaj, kulla e Mahmut Pashës duhet të ruhet dhe institucionet duhet të kujdesen për restaurimin e saj.

Elez Spahiu, 80 vjeçar tha se me gjithë historinë e dhimbshme që kanë pasur banorët e Apterushës, megjithatë ia vlen të restaurohet, sepse kulla ka vlera të mëdha kulturore. Në këtë kullë kanë ushtruar pushtetin pothuajse të gjitha pushtetet e instaluara në Kosovë që nga viti 1830, kur mendohet se është ndërtuar kjo kullë. Ndërtuesi i kullës Mahmut Pashë Rrotulla ka qenë shqiptar dhe është ekzekutuar nga Sulltani për shkak se i është bashkuar kërkesës së pashallarëve shqiptar për më shumë autonomi për popullin shqiptar. Pikërisht për këto duhet të ruhet kulla, sepse është shqiptare, shtoi plaku Elez Spahiu.

Xhemali Haxhimustafa, nënkryetar i komunës së Rahovecit tha se, dëshirojmë që të bëjmë hapin e rëndësishëm për restaurimin e kullës dhe kërkojmë mbështetjen e komunitetit.  Me këtë dëshirojmë të kujtojmë të kaluarën dhe historinë tonë. Natyrisht se në këtë kullë ka pasur edhe përjetime të këqija, por pikërisht për këtë duhet t’ju tregojmë botës dhe brezave për këto përjetime.

Dervish Çadraku, kryetar i shoqatës për Ruajtjen dhe Kultivimin e Vlerave Kombëtare “Arbëria”, tha se restaurimi është i domosdoshëm, sepse objekti është i rëndësisë së veçantë kulturore e historike. Ne duhet të kërkojmë ndihmën e komunitetit për të kryer me sukses punimet e restaurimit, në mënyrë që të afirmojmë vlerat tona kombëtare.

Ndonëse pati zëra se disa banorë të Apterushës kanë kërkuar zhvendosjen e kullës, megjithatë të gjithë u pajtuan që punimet rreth restaurimit të vazhdojnë dhe punimet të përfundojnë sa më parë të jetë e mundur.

Më Shumë

Poezia e fundit e heroinës Yllka Domi

VENDOSNI NJË SHKOP AFËR KOKËS SIME Amanet ju lë nëse nuk pritoni, Të ma shkruani emrin në rërën e detit, Dhe dy vargje m’i shkruani me shkrimin...

Fetahaj pasi u shpall kampion me Suharekën: Ishte rrugëtim i vështirë – do jemi konkurrues edhe në Superligë

Klubi i FC Suharekës është shpallur kampion i Ligës së Parë, grupi A dhe edicionin e ardhshëm do të garojë në Superligën e Kosovës...

Lajmet e Fundit