Home Blog Page 8462

Cliff: Kosovës i duhen fytyra të reja politike

0

IanCliff6-12Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ian Cliff, është i bindur se Kosovës i duhen fytyra të reja në politikë, e sidomos ata që kanë synim zhvillimin ekonomik të vendit.

Qeverisja në largim thotë se ka dështuar për të krijuar perspektivë për të rinjtë. Edhe pse kritikon haptazi që për tre vjet nuk është arritur që të bëhen reforma zgjedhore, në intervistën për “Zërin”, kërkon nga të gjitha partitë që të mos manipulojnë me vota, duke paralajmëruar se do të ketë pasoja.

Për dialogun me Serbinë, thotë se duhet të vazhdojë, kushdo qoftë në krye të qeverisjes së ardhshme. Ndër të tjerash, ai jep kritika të ashpra për Agjencinë e Privatizimit dhe kërkon ngrirjen e aktiviteteve të saj.

Ndërsa, politikanëve në veri ua bën me dije se simbolet e Republikës së Kosovës nuk do hiqen nga fletëvotimet dhe mosmarrja pjesë në zgjedhje shkon në dëm të vetë serbëve.

Rexhepi: Me 8 qershor të gjithë do të tregojnë maturinë e tyre

0

BajramRexhepi-ministerEkziston vullneti politik i liderëve që zgjedhjet e 8 qershorit të jenë sipas standardeve ndërkombëtare. Kështu është shprehur Ministri i Punëve të Brendshme si dhe anëtari i PDK’së Bajram Rexhepi.
Sipas Rexhepit, liberalizimi i vizave varet shumë nga zgjedhjet e lira dhe demokratike.

“Çdo parti e di se mbajtja e zgjedhjeve demokratike dhe sipas standardeve ndërkombëtare, është interes nacional, duke pas parasysh vlerësimet e duhura së zgjedhjet ndikojnë në liberalizim vizash”, ka thënë Rexhepi për Epokën e Re.

Shclumberger: Bojkoti shmanget duke njohur specifikat e veriut

0

ShclumbergerPër të shmangur bojkotin dhe për të siguruar pjesëmarrjen e komunitetit serb në zgjedhjet e 8 qershorit, ambasadori i OSBE-së, Jean-Claude Schlumberger, ka thënë se pret që deri në ditën e zgjedhjeve në kuadër të ligjit të zgjidhen të gjitha çështjet.

Ai ka theksuar rëndësinë e angazhimit konstruktiv dhe njohjes së rrethanave specifike historike në veri të Kosovës.

Në një intervistë për “Kohën Ditore” Schlumberger ka deklaruar se rreth 150 anëtarë nga stafi i OSBE-së do të jenë prezentë në çdo qendër votimi në veri, në ditën e zgjedhjeve.

Sa i përket aspektit të sigurisë, Schlumberger ka potencuar se planifikimi operacional tanimë është diskutuar me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe me Policinë e Kosovës, si reagues primarë të sigurisë, si dhe me EULEX-in e KFOR-in, si reagues të dytë, respektivisht të tretë, transmeton koha.net.

Shumë sy do të drejtohen në Kosovë në “Ditën Z”, kështu që qytetarët dhe subjektet politike duhet të japin kontribut për një përfundim të suksesshëm, ka thënë ambasadori i OSBE-së.

Nëntë vjetë pas vrasjes së gazetarit Bardhyl Ajetit

0

Myrfet ShasivariShkruan: Myrfet SHASIVARI

Dita e 3 qershorit të vitit 2005, kur në aksin rrugor Prishtinë- Gjilan, në afërsi të fshatit Bresalc të kësaj komune, u krye atentati me pasoja fatale ndaj gazetarit të së përditshmes kombëtare Bardhyl Ajeti, s’do mend se do të mbetet dita më e zezë për shtypin shqiptar në përgjithësi. Themi kështu ngaqë Kosova, në atë periudhë të tranzicionit, respektivisht në hapërimin e saj drejtë pavarësisë shtetërore, sikurse asnjëherë më parë, kishte nevojë për penda gazetarësh të guximshëm, përmes të cilave diskreditoheshin rrjetet e klaneve të ndryshme mafioze e kriminale, të cilat edhe synonin “kalërimin” mbi shpinën e popullit. Andaj, me rastin e tentimatentatit ndaj gazetarit Bardhyl Ajetit, mbase edhe dorasi, nuk ka qenë i vetëdijshëm se cilit personalitet publik po ia shuan jetën me shkrepjen e plumbave, ngaqë Bardhyli, nuk ishte një gazetar i rëndomtë, por ai në momentet vendimtare, po ia heqte maskat krimit të organizuar, njerëzve të korruptuar, si dhe elementeve të tjerë reminishencash kriminale, të cilët, me veprimet e tyre vrastare, në masë të madhe e zymtësuan lirinë e Kosovës të pritur me shekuj, por edhe pa shkrimet e të cilit, klanet destruktive do të hiqeshin si engjuj.

Megjithatë, projektuesit e aktit vrastar të Bardhyl Ajetit, kanë qenë plotësisht të vetëdijshëm, se viktima e tyre, ishte njëra nga pengesat serioze në spektrin mediatik mbarëshqiptar, andaj vrasja e tij, do t’u hapte rrugë, që veprimtaritë e tyre destruktive të kalonin të heshtura mbi kurrizin e popullatës së përvuajtur në Kosovë. Poashtu, 3 qershori, kur u krye atentati ndaj gazetarit dhe kolumnistit Bardhyl Ajeti, do të mbetet dita më e zezë për shprehjen e fjalës dhe të mendimit të lirë në këto hapësira, edhe për faktin se, jo vetëm aty ku punonte, ku shkruante ai, por edhe në tërë gazetat që botohen në gjuhën shqipe, aktualisht ndjehej mungesa e peshës përmbajtësore të shkrimeve të cilat për autor kishin Bardhyl Ajetin, i cili kishte kurajon dhe guximin profesional e qytetar, që ta përkahte hapur linjën institucionaliste, duke i demaskuar publikisht antiinstitucionalistët e të gjitha formave dhe ngjyrimeve politike.

Në këtë kontekst, po të funksiononte në Kosovë një shtyp korrekt dhe i mbështetur në parimet e profesionalizmit të mirëfilltë gazetaresk, secila gazetë e vendit, bile njëherë në javë do të duhej që me ndonjë shkrim ta përkujtonte këtë doajen të guximit profesional e qytetar, ngaqë stili i shkrimeve të gazetarit dhe kolumnistit Bardhyl Ajetit, nuk ishin vetëm krenari e faqeve të gazetës , kur asokohe punonim abshkërisht, por kolumnet e tija ishin udhërrëfyes dinjitozë edhe për gazetarët e mediumeve të tjera, të cilat, mjerisht frymonin të mbërthyera nga darat e xhelozisë, korruptimit shumëdimensional apo edhe të linjave të caktuara që mbështesin segmente të politikës konfuze, konform aspiratës së kombit për liri.

Po të funksiononte asokohe në Kosovë një shtyp korrekt dhe i mbështetur në bazat e profesionalizmit të mirëfilltë gazetaresk, do të mjaftonte, që në faqet e gazetave, të kërkohej nga subjektet kompetente të sigurisë në vend, që të bëjnë më tepër për zbulimin dhe përballjen me drejtësinë të autorëve të vrasjes dhe projektuesve të atentateve tinëzare ndaj kolegëve, jo vetëm të Bardhyl Ajetit, por edhe të Ali Ukajt, Enver Malokut, Xhemail Mustafës, Shefki Popovës dhe të Bekim Kastratit. Por, ja që realiteti i këtij konteksti është kaq i idhët, sa që, , emrat e këtyre heronjve të kultivimit të fjalës dhe të mendimit të lirë, edhe sot e tutje, nuk shihen kund në faqet e gazetave të tjera, pos atyre me karakter nacional, sikurse kolegët e vrarë, të ishin nga ndonjë vend i largët, e jo të Kosovës. Jemi shumë të bindur, se po t’i kishte ndodhë ndonjë gazetari të ndonjë mediumi tjetër në Kosovë, ajo çfarë u ndodhi kolegëve të lartëshënuar, gazetari dhe kolumnisti Bardhyl Ajeti, nuk do të hezitonte që të shkruante në mbrojtje të viktimës dhe drejtë denoncimit publik të vrasësve, ashtu siç diti t’i demaskonte veprimtaritë destruktive të shumë segmenteve të aktualitetit në Kosovë.

Andaj, të gjitha shtresat e etnikumit shqiptar, kudo që frymon, me kërshëri të madhe e presin ndonjë lajm nga njësitet kompetente të hetimeve, edhe për faktin se kujt dhe pse i pengoi fjala e lirë publike e Bardhyl Ajetit. Kështu, edhe projektuesit e këtij atentati, dënimin më të madh do ta marrin nga populli, pasi që duke u përballë me drejtësinë, do t’u shterohej cdo kutim i të jetuarit më tutje, për krimin e madh që e bënë, para së gjithash ndaj kombit. Sidoqoftë, subjektet hetuese, mjerisht deri më sot nuk kanë shënuar ndonjë rezultat inkurajues drejtë ndriçimit të autorëve dhe motivit të atentatit vrastar ndaj kolumnistit Bardhyl Ajeti, përderisa shpresat e kolegëve, familjarëve të të ndjerit, por edhe opinionit mbarëshqiptar, tanimë mbështeten tek veprimtaria e Tribunalit aq të deklamuar, që do ta vendosë drejtësinë e mirëfilltë në Kosovë

Limaj: Nisma, çelësi i qeverisë së ardhshme të Kosovës

0

Limaj Nisma rahovecKryetari i Nismës për Kosovë, Fatmir Limaj nuk dyshon në fitore. Ai tha se Nisma, pas 8 qershorit, do të jetë çelësi që do të përcakojë qeverinë e ardhshme të Kosovës.

“Nisma për Kosovë do të jetë çelësi kryesor që do të përcaktojë qeverisjen e ardhshme të Kosovës”, tha Limaj për TV ‘Besa’.

Ai tha se Nisma është duke marrë mbështetje të fuqishme kudo në Kosovë.

“Qytetarët e Prizrenit dhe të qyteteve të tjera të Kosovës në mënyrë masive po i bashkohen Nismës për Kosovë. Ky masivitet tregon qartë se qytetarët e këtij vendi janë për ndryshim”, tha Limaj. /PrizrenPress.com/

Hoxhaj në Prizren, kundërshtarët në panik nga Misioni i Ri i PDK-së

0

Enver HoxhajjNënkryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj ka thumbuar partitë opozitare gjatë një tubimi të madh në njërën prej degëve bastion të PDK-së në Prizren që përfshin lagjet e Dardanisë, 8 marsi dhe 2 korriku.

Hoxhaj ka thënë se PDK-ja që nga fillimi ka bërë aleanca të vërteta vetëm me qytetarët të cilët e kanë besuar vizionin e saj dhe njëkohësisht PDK-ja është partia që i beson qyetetarëve.

Duke folur para një numri të madh të pjesëmarrësve, Hoxhaj ka thënë se disa parti të vogla në Prizren janë zënë në panik për humbjen duke filluar me akuza por edhe partitë e tjera opozitare në Prishtinë po sillen njësoj.

“Nëse në vitin 2007 i keni besuar premtimëve të PDK-së, tani mund ti besoni punëve të kryera që prej rritjes së rrogave, ndërtimit të autostradës, shkollave e rrugëve, pavarësimit të vendit dhe bashkimi të Mitrovicës. Tani PDK-ja në aleancë me qytetarët e ka ofruar misionin e tretë që është Misioni ynë i ri për zhvillimin ekonomik të Kosovës dhe hapjen e vendeve të punës” ka thënë Hoxhaj.

Në këtë tubim janë prezantuar edhe kandidatët për deputetë nga Prizreni. /Zëri/

A lexojnë dhe a duhet të lexojnë fëmijët?

0

opinion 23Sazan Goliku

Në edukimin kulturor libri artistik zë një vend të pazëvendësueshëm, sepse është në bazë të krijimit të një tranzicioni sa të dhimbshëm, aq dhe të stërzgjatur, kujdesi dhe preokupimi ndaj librit ka kaluar, dhe ende po kalon, nëpërmjet krizash ekonomike, organizative, kulturore e letrare. Institucionet përkatëse që duhet ta kenë një nga objektivat kryesore librin, shoqëria civile, familja, shkolla të përfshira në vorbullat e burokracisë dhe të paaftësisë, të mungesës së fondeve të nevojshme, të luftës për mbijetesë, e kanë çuar fatkeqësisht, interesimin për librin në kuota të mjerueshme.

Kjo nuk do të thotë aspak se nuk janë botuar libra këto 24 vjet. Botuesit, në një mënyrë ose tjetrën, mirë ose dobët, e kanë bërë punën e tyre, që gjithsesi kushtëzohet nga ekonomia e tregut dhe ligjet e saj, por edhe nga niveli profesional e kulturor i tyre. Pyetjes “Sa shkon libri në duart e fëmijëve?” mund t’i përgjigjesh pozitivisht e negativisht. Shohim shpesh fëmijë me libra në duar nëpër panaire, ditëve të festave, nëpër ditëlindje etj. Dhe vërtet kjo të gëzon. Por vetëm në qytetet kryesore të vendit dhe nga fëmijë me prindër që kanë gjendje të mirë e të konsoliduar ekonomike dhe kulturën e mjaftueshme për të vlerësuar dobitë e librit.

Po a mund ta blejë librin artistik, sado i pasionuar të jetë, fëmija i një prindi me të ardhura fare të pakta dhe me shumë fëmijë, i cili e ka të vështirë edhe blerjen e librave shkollorë? Po në fshatra, e sidomos në fshatrat e thellë malorë, a mund të gjendet, a mund të blihet libri? Popujt e shtetet që kanë qenë dhe janë të vetëdijshëm për rolin e dobinë e librit kanë ecur të sigurt në udhën e ndritur të qytetërimit e përparimit. Sa vëmendje i kushtojnë librit për fëmijë te ne institucionet shtetërore si: Ministria e Kulturës dhe ajo e Arsimit, drejtoritë arsimore etj? Vetëm me interesim e përkushtim për të gjetur mekanizmat e frytshëm dhe me veprimtari të vazhdueshme mund të gjenden mundësitë e rrugët që libri të gëzojë çdo fëmijë kudo ku jeton e i kujtdo qoftë.

Ekipe të përbëra verifikimi e kontrolli për të parë gjendjen e bibliotekave të shkollave dhe për t’i përmirësuar këto; caktim fondesh të veçanta për blerjen e librave për këto biblioteka; përpjekje për të gjetur donatorë të mundshëm të japin ndihmesën e tyre si shtëpi botuese, biznese vendore etj., do të ishin disa mënyra e mjete për të realizuar një ndryshim efektiv të bibliotekave të shkollave, sidomos në fshatra. Dashurinë për librin dihet që e ushqejnë prindërit në familje, por kur kjo qasje mungon, atëherë janë mësuesit, e sidomos ata të letërsisë. Për ne si komb, në rrethanat e qenies së shqiptarëve në gjashtë shtete, ngrihet problemi i përhapjes së librit shqip për fëmijë në mënyrë të ndërsjellë në të gjitha trojet shqiptare, madje edhe në ngulimet e bashkësive shqiptare nëpër botë.

Një veprimtari e tillë kërkon një politikë kulturore të mençur, të zhdërvjellët e të vazhdueshme. Kjo do të bënte njohjen e pasurisë letrare artistike nga të gjithë fëmijët shqiptarë. Por, a e zgjidh këtë detyrë vetëm hapja njëherë në vit e panaireve të librave në disa nga qytetet shqipfolëse? Patjetër duhen gjetur rrugë e mjete të tjera të frytshme. Një libër luksoz, tepër të shtrenjtë edhe për një prind me të ardhura mesatare, e ka të vështirë ta blejë një fëmijë i një familjeje të varfër, prandaj mund të botohen, si kudo në botë, edhe libra të thjeshtë që kushtojnë pak. Në ditët e sotme bota po përballet me një problem real. Zgjerimi e përdorimi masiv i mjeteve elektronike të medies, si televizionet e panumërt, filmat e llojllojshëm, celularët e sofistikuar, lojërat elektronike, po ndikojnë dukshëm potencialisht te fëmijët, duke i larguar nga leximi i librave.

Por fakti që në botë vazhdojnë, edhe në këtë situatë, të botohen libra po me atë sasi, cilësi e ritëm si më parë, flet qartë se qytetërimi po e përballon këtë sfidë. Dhe kjo është arritur me disiplinë familjare e shkollore, duke ruajtur raporte të baraspeshuara me librat mësimor, leximit e argëtimit të fëmijëve. Kjo është detyrë sa e prindërve po aq dhe e shkollës. Por te ne ka raste që prindërit e pasur ngurrojnë t’i blejnë fëmijës së vet një libër, por tregohen dorëlëshuar për t’i blerë një I-Pad. Sfidë për letërsinë tonë për fëmijë është botimi jopërpjesëtimor i librave origjinalë shqip me ato të letërsisë së huaj. Botuesit, si tregtar që janë, u intereson fitimi dhe kanë më leverdi t’i botojnë pa të drejtë autori dhe të mbushin me libra të ilustruar, kryesisht për parashkollorët e libraritë.

Ata botojnë letërsi shqipe vetëm kur janë të sigurt për shitjen e tyre. Kështu harrohet porosia e Faik Konicës se duhet të botojmë 50 % libra nga letërsia jonë dhe 50 % nga letërsia e huaj. Letërsia shqipe pasqyron artistikisht botën e shpirtin kombëtar, traditën e veçoritë e identitetit tonë, fatin historik e aktual të shqiptarit, luftën e tij për të mbijetuar në rrjedhën e shekujve, konfliktet shoqërore, po edhe bukuritë e rralla të natyrës shqiptare. Përvetësimi estetik i botës sonë, sidomos në letërsinë për fëmijë, mban të ndezur dashurinë e krenarinë për atdheun, ashtu siç e kanë gjithë popujt e qytetëruar. Fëmijët në shkolla mësojnë vargjet e prozat e Naimit e të Fishtës, të Migjenit e të Kutelit. Dhe atyre u rrënjoset në vetëdije se të qenit shqiptar do të thotë se je njeri i qytetëruar, i kulturuar, krenar për kombin që i përket.

Po përmend vetëm dy faktorë që mund të realizojnë këtë porosi të Faik Konicës: lehtësitë nga shteti për botuesin e veprave origjinale të letërsinë shqipe për fëmijë dhe ngritja e arritja e veprave më të mira të kësaj letërsie në nivelet bashkëkohore të letërsisë europiane. Gjykoj se sot veprat më të arrira artistikisht të letërsisë sonë për fëmijë i përgjigjen denjësisht niveleve të letërsisë së huaj. Problem paradoksal është opinioni mohues që kanë disa njerëz ndaj letërsisë sonë për fëmijë, madje edhe pa e njohur atë. Mungesa e një kritike letrare profesionale, të thelluar, konstruktive dhe të institucionalizuar ka sjellë këtë konfuzion të gjykimeve, ku nuk mund të dallohen vlerat nga antivlerat ose mediokriteti.

Krahas librave me poezi, përralla, tregime, novela, romane të arrira artistikisht, shohim të qarkullojnë nëpër librari, po edhe nëpër shkolla poezi me vargje të thatë, me figuracion të vjetruar me mangësi të theksuara metrike që nuk ngjallin emocione dhe interes te fëmijët, proza të rëndomta, me subjekte të njohur, aspak origjinal, me personazhe të paindividualizuar që vetëm flasin e veprojnë si manekinë dhe jo sipas tipareve të karakterit që ka personazhi. Letërsia për fëmijë duhet të vlojë nga fantazia e pasur, nga ngjyrat e larmishme, nga lëvizja e gjallë e situatave, nga skenat e papritura, ku gjuha e pasur dhe e zhdërvjellët të rrjedhë e kthjellët si në rrëfimet e gjysheve tona të hershme.

Pa aventurën, lojën e humorin, këto komponentë karakterizuese të letërsisë për fëmijë, lexuesi i vogël mbetet i ftohtë, shpërfillës dhe natyrshëm do të kërkojë diçka tjetër zbavitëse, pra atë që nuk e gjen te libri. Ribotimi i veprave letrare për fëmijë, mbi bazën e rivlerësimit përmbajtjesor e artistik, pra të atyre që i kanë qëndruar kohës, është një domosdoshmëri për të njohur e mbajtur gjallë traditën tonë letrare. Duke e mbyllur, po citoj fjalët e Hegelit: “Njeriu e ka krijuar librin dhe libri krijoi njerinë”. Prandaj ne nuk kemi të drejtë të profetizojmë zhdukjen e librit, sepse përndryshe do të zhdukej vetë njerëzimi si i tillë.

Hodaj e Hoti ftojnë elektoratin e tri fshatrave që të votojnë për LDK-në

0

hazizi me avdullahunKandidatët e LDK-së në Prizren, për deputet të Parlamentit të Kosovës, kanë mbajtur tubim me elektoratin e fshatit Bishtazhin, Planejë dhe Krushë e Madhe.

Kandidati për deputet të LDK-së nga Hasi, Haziz Hodaj ftoi elektoratin e këtyre fshatrave që me 8 qershor të votojnë për LDK-në. ” Ju ftoj që të dilni në zgjedhje dhe të votoni LDK-në, sepse vetëm ky subjekt politik mund të përmisojë gjendjen e keqe që është krijuar në Kosovë”, tha Hodaj.

Ai po ashtu para elektoratit shpalosi programin qeverisës të LDK-së.

“Programi i LDK-së bazohet në katër shtylla, atë të arsimit, shëndetësisë,zhvillimit ekonomik dhe sundimit të ligjit”.

Edhe kandidati tjetër për deputet, Avdullah Hoti, ftoi elektoratin e këtyre fshatrave që të votojnë për LDK-në.
/PrizrenPress.com/

Kurti në Prizren: Do t’i arrestojmë politikanët që janë pasuruar në kurriz të popullit

0

albini ne pz

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje! Albin Kurti,ka premtuar në Prizren, se nëse VV-ja vjen në pushtet, do t’i arrestojë të gjithë politikanët që janë pasuruar në kurriz të popullit.

“Me qeverisjen e VV-së, do të arrestohen të gjithë zyrtarët, të cilët janë pasuruar në mënyrë të paligjshëm, duke e varfëruar popullin”, tha Kurti, gjatë një tubimi që ka mbajtur në lagjen “2 Korriku” në Prizren.

Përveç arrestimit, ai tha se politikanëve do t’iu konfiskohet gjithë pasuria e kundërligjshme.

“Me 8 qershor,PDK-ja duhet të kthehet në shkollë fillore, sepse kjo parti paligjshëm është shkolluar deri tani”./PrizrenPress.com/

Partia e Fortë: Tërësisht e kemi okupuar Prizrenin

0

Partia e Fort okupon PrizreninNë vazhdën e ekspeditës okupuese në qytete të ndryshme të Kosovës Partia e Fortë okupon Prizrenin.

Përmes një komunikate të zyrës për media e propagandë, Partia e Fortë, ka thënë se qyteti i lashtë i Prizrenit kishte nderin e prezencës së kryeministrit të ardhshëm Visar Arifaj dhe nënkryetareve dhe nënkryetarëve të Partisë së Fortë.

“Në kuadër të kësaj vizite Kryeministri Arifaj u fokusua në bisedë me qytetarë dhe definimin e premtieve të preferuara paraelektorale të qytetarëve të Prizrenit”, thuhet në komunikatë.

“Prizreni është një vend me numër të konsiderueshme të votave dhe rrjedhimisht është edhe bastion i Partisë së Fortë. Ne sot kemi kuptuar qartë kërkesat e qytetarëve, dhe mënjeherë kemi filluar premtimet e veçanta për secilin qytetar. Kjo është edhe një ekskluzivitet i partisë sonë ku secili votues tentohet të trajtohet ndryshe në kuadër të premtimeve paraelektorale,” ka pohuar kryeministri i ardhshëm Visar Arifaj.

Aktivitet i rradhës ishte vizita në kalanë e Prizrenit dhe vendosja e flamurit okupues të partisë së fortë në kala.

“Edhe kalaja poashtu do te jetë pjesë e platformës modernizuese të trashëgimisë kulturore. Një ndër elementet e kësaj platforme që do të implementohet në kala do të jetë ndërtimi i liftit nga shadërvani në kala. Një ndër arsyet kryesore pse shumë qytetarë nuk po mundën të shijojnë këtë pamje të bukur është mundi fizik që po nevojitet për tu ngjitur këtu lart,“ ka përfunduar Arifaj.

Ekspedita okupuese e Partisë së Fortë do të vazhdoj edhe në ditët e ardhshme në qytetet tjera të Kosovës. /PrizrenPress.com/