12.3 C
Prizren
E premte, 8 Maj, 2026
Home Blog Page 8693

Berishaj: Nuk bëhem marionetë e askujt, as e politikës

0

Anton BerishajAnton Berishaj, Ushtrues detyre i Rektorit të UP-së, ka kërkuar nga Këshilli Drejtues hapësirë për të vepruar e për ta bërë këtë gjë siç duhet.Anton Berishaj e kishte pasur një kërkesë si kusht për të pranuar ofertën e Këshillit Drejtues që t’i hyjë garës për postin e ushtruesit të detyrës së rektorit të Universitetit të Prishtinës.Në intervistën dhënë “Kohës Ditore”, të parën pas marrjes së postit, Berishaj ka kërkuar nga Këshilli Drejtues hapësirë për të vepruar. Për ta bërë këtë gjë siç duhet, ka thënë se ka kërkuar që t’i lejohet t’i zgjedhë vetë bashkëpunëtorët dhe pa u penguar nga askush.

Gjithashtu, ka thënë se ka kërkuar që të lihet i qetë në marrjen e vendimeve dhe se nuk dëshiron të bëhet marionetë e askujt, as e politikës.

Ka folur edhe për atë premtimin që e ka bërë për ndarjen e UP-së nga politika, e
për publikimin e të gjitha CV-ve të stafit akademik që punon në UP.

Në pyetjen se si do ta bëjë atë ndarje të UP-së nga politika, Berishaj është përgjigjur:

“Ja si e kuptoj unë këtë gjë: të mos më instalohen kuadro që punojnë për shije të politikës, ata që së pari e mbrojnë politikën, apo interesat e një partie të caktuar politike, e më vonë nëse mundet të gjendet një fije që mund të puqet edhe me interesat tona, të UP-së, studentëve. Nuk dua këtë. Unë kërkoj respektim të statutit pikë për pikë. Që kur të hape konkursi për një asistent apo profesor, të mos biem pre e telefonatave dhe e presioneve për të pranuar ose jo dikë në punë. Ai do të zgjidhet vetëm nëse i pranon kriteret. As më shumë as më pak. Dhe me këtë unë nuk po i shpall luftë politikës, sepse nuk jam i çmendur. Dhe as nuk dua që njerëzve t’ua largoj nga kokat bindjet politike. Le të merret kush të dojë me politikë, por nuk dua që ajo të reflektohet në punën time…”.

Kuçi: Tribunali dëmton Kosovën

0

Kuci-hajredin5-30“Unë dy gjëra i kam kërkuar: e para, që të jetë në funksion të drejtësisë që kemi edhe ne; dhe e dyta, të jetë në funksion të imazhit tonë”, ka thënë zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi.
Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi e ka pritur në zyrë të martën njeriun që heton pretendimet e listuara në një raport të Këshillit të Evropës, i cili flet për krime lufte të kryera nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK). Prokurorin Clint Williamson është munduar ta bindë që gjykimi për të gjitha pretendimet duhet të zhvillohet në Kosovë – shkruan Koha Ditore.

Takimi Kuçi-Williamson nuk ka qenë sy më sy. Nga pala kosovare aty ka qenë prezent edhe ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi. E në krah të prokurorit të TFHS-së ka qenë edhe shefi i misionit të EULEX-it, Bernd Borchardt.

“Unë dy gjëra i kam kërkuar: e para, që të jetë në funksion të drejtësisë që kemi edhe ne; dhe e dyta, të jetë në funksion të imazhit tonë. Pra, jo ta dëmtojë luftën tonë dhe jo ta dëmtojë emrin e shtetit. Tribunali jashtë vendit absolutisht identifikon vendin dhe jo individët. Vetë emri, selia, zhvillimet e bëjnë këtë”, ka thënë Kuçi.

Është përmendur edhe një tjetër brengë, baras-vlerësimi i krimeve të pretenduara me atë nga më makabret, që përpos në ish-Jugosllavi, janë kryer edhe në disa vende. Kësisoj për gjykimin e tyre janë krijuar tribunave ndërkombëtare, duke përfshirë Gjykatën Penale Ndërkombëtare për Ruandën dhe Gjykatën Speciale për Sierra Leonën

Prijetarë të Pranverës shqiptare

0

JakupKrasniqi-shkruanNë përkujtim të Pranverës shqiptare të vitit ’81

Shkruan: Jakup Krasniqi

18 vjet, pas vrasjes në pusi, të pabesë e tinëzare, të organizuar e të kryer nga armiku gjakatar në fshatin Untergruppembach ( në afërsi të Shtudgardit), të Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës, populli shqiptar i Kosovës po i përkujton më i lirë se kurdoherë tjetër, prijatarët e një kthese të madhe të historisë moderne të kombit tonë. Lufta prej atëherë e deri më sot që e gjatë, pat shumë rënie të lavdishme dhe heroike që vazhduan dhe pasuruan historinë me veprën, lavdinë dhe tragjedinë e tyre.

Gjatë viteve të kaluara, për të rënit e janarit është kremtuar në forma të ndryshme, janë organizuar manifestimet „Flaka e Janarit“, brenda dhe jashtë Atdheut. Vazhdimisht është mbajtur gjallë fryma filozofike e luftëtarit kombëtar nga shokët dhe ithtarët e ideologëve të Lëvizjes Popullore për Republikën e Kosovës, vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zeka. Por festimi i „Flakës së Janarit“, në janarin e 2000-të, po bëhet në rrethana krejt të reja. Përherë të parë, po i përkujtojmë Heronjtë e Janarit pa prezencën e vrasësve të tyre, pa prezencën e forcave ushtarake e policore serbe, pa prezencën e zjarrvënësve të Kosovës dhe pafuqinë e ndjekësve të tyre, por jo edhe pamundësinë për të bërë ende keq në Kosovë. Kosova është mjaftë afër realizimit të aspiratës së tyre. Kosova e sotme është vepër e tyre se ata qenë vizionarët e saj, se në çdo cep të saj ka një pikë djerse, ka një pikë gjaku të tyre, nga i cili kanë mbirë e janë rritur shumë lule gjaku me të cilat është Përflakë e tërë Kosova.

Është rruga e ndjekur me besnikëri nga shokët e luftës e të idealit, nga luftëtarët e luftës për liri e pavarësi, nga ushtarët e komandarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që jetës në Kosovë i dhanë kuptim në tërë kompleksitetin e saj. Është e vërtetë, heronj dhe dëshmorë të Janarit, Kosova ende nuk është ashtu siç e deshët Ju, përçak luftuam se bashku, për çka bëmë luftën e fundit, për çka u derdh shumë gjak, u plaçkit e u dogj Kosova. Vetëm tani po e dimë se sa vështirë e paskan pasur luftëtarët e 1912 ta bëjnë Shqipërinë e pavarur. Vetëm tani po e kuptojë pse Samiut (pa i mbushur të pesëdhjetat) i që zbardhur mjekra.

Samiu ynë i Madh thoshte: „ Të bashkuar të pamundshmen e bëjmë te mundshme, të përçarë të mundshmen e bëjmë të pamundshme“. Shqiptarët kurrë s´u bashkuan si duhet dhe kurrë se bënë Shqipërinë si dashen. As në luftën e fundit s´qemë të bashkuar si duhet, por ata që u bashkuan, u bashkuan vendosmërisht dhe duke ecur gjurmëve të heronjve të Janarit, të trimërisë tradicionale kombëtare, bënë të mundshme të pamundshmen pasi me ta ishin SHBA-të dhe NATO-ja. Shqiptari i kohës sonë vërtetë ka nevojë për një këndellje, ka nevojë për një ndërgjegjësim politik, intelektual dhe kombëtar. Ka nevojë të pyet vetën: Nëpër cilën rrugë eca? Cila që rrugë e mëvetësisë kombëtare e shtetërore? Cilat janë periudhat më të lavdishme të historisë kombëtare? Cilat janë figurat më të ndritshme të historisë kombëtare? Pse ne për çdo vit përkujtojmë e i nderojmë Heronjtë e Janarit? Sigurisht jo pa qenë një jetë e tërë në shërbim të popullit dhe Atdheut, pa veprën konkrete atdhetare dhe rënie heroike s´ka titull Hero i Popullit dhe Dëshmor i Kombit. Duhet një dëshmi konkrete, duhet një sakrificë, shpesh edhe më shumë se sakrifica sublime e një individi, për ti marr titujt që edukojnë e nderojnë brezat.

Jusuf Gërvalla ishte gazetar, poet, muzikolog, kitarist e këngëtar. Ishte nga Duboviku, fshat në Rrafsh të Dukagjinit. Në fshat merrej edhe me bujqësi. Profesioni kryesor i tij ishte Luftëtar i Lirisë. Që në moshë të re ishte inkuadruar në veprimtarinë ilegale politike, alternativën e vetme për shqiptarët atdhetarë. Pasi armiku arriti të zbulojë veprimtarinë e tij, arriti të arratisej në Gjermani tek i vëllai, Bardhoshi i cili u bë edhe bashkëluftëtarë.

Kadri Zeka ishte gazetar i Radio Prishtinës, që herët kishte filluar të merrej me veprimtari politike. Ishte nga Poliçka e Kamenicës, i ati Ziti i ranë në Gjilan. Që në moshën studentore, ndoshta edhe më herët kishte filluar të merrej me veprimtari ilegale politike se bashku me Rexhep Malen, Hydajet Hysenin, Ilmi Ramadanin etj. Edhe profesioni i tij kryesor ishte luftëtar i lirisë. Në vitin 78, armiku i bie në gjurmë, për çka detyrohet të arratiset në Zvicër, ku vazhdon veprimtarin atdhetare në rrethana të reja.

Jusuf Gërvalla e Kadri Zeka edhe pse ishin nga anë të ndryshme të Kosovës, e bënin pjesë në organizata të ndryshme të një ideali, deri në Zvicër e Gjermani shkuan në rrugë të ndryshme, rruga e idealit të përbashkët, rruga për Kosovën e lirë i bashkojë. Rruga e përbashkët i bashkojë dhe vdekja nuk i ndau. Vrasja e Jusuf e Bardhosh Gërvalles dhe e Kadri Zekës është humbje e madhe për Lëvizjen Kombëtare në përgjithësi e të Kosovës në veçanti. Me këtë vrasje iu bë vrasja më e madhe bashkimit të shqiptarëve në luftën për liri. Zhvillimi i ngjarjeve të më vonshme tregojë se armiku i kishte bërë mirë llogaritë. Lufta për liri edhe pse i pat baticat dhe zbaticat e saja ajo me pengesa e vështirësi vazhdojë deri në fitore.

Vërtetë kanë kaluat 18 vjet nga vrasja e prijatarëve të Lëvizjes Politike Shqiptare të Kosovës, të cilët në lëvizjen tonë patën sjell frymën e re të filozofisë – FRYMËN E FILOZOFISË SË BASHKIMIT.

Edhe sot në këtë kthesë të madhe historike, Kosova dhe populli i saj kanë nevojë për udhëheqës vizionar, për udhëheqës të verifikuar e të ndërgjegjësuar politikisht, intelektualist e kombëtarisht, që dinë të bëjnë bashkimin e kombit dhe udhëhoqën nga fryma e kësaj filozofie.

Rrugës së heronjve të 17 janarit 82, ecën heronjtë e Kodrës së trimave Rexhep Mala e Nuhi Berisha, të cilët në 11 janarin 1984, në një luftë të pabarabartë, ranë heroikisht duke përcjellur luftën nga brezi në brez, për ti lënë stafetën Afrim Zhitisë e Fahri Fazliut dhe shumë dëshmorëve tjerë të lirisë. Stafetën më vonë do ta marr brezi i Epokës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Kualitet të ri në lëvizjen politike shqiptare, pas një përgjumje disa vjeçare do të sjell Ushtria Çlirimtare e Kosovës, që nga nisma e saj. Ngjarje e dhimbshme dhe e lavdishme në historinë tonë të re është ngjarja e 31 janarit 1997, kur në një pusi të ngritur bien heroikisht Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zenullahu. Kjo ishte rënia më e madhe, rënia më e madhe e deriatëhershme për UÇK-në, por ishte paralajmërimi më serioz për prezencën e saj, për seriorizitetin e saj. UÇK po hynte në familjet shqiptare, fillimisht në familjet që kishin një traditë luftarake kundër pushtuesit e më vonë ka marrë shtrirje të gjerë.

Janari i 99 është kurorëzim i të gjithë janarëve, Ushtria Çlirimtare e Kosovës arriti të shkruaj faqe të reja, të lavdishme e në ndonjë rast edhe të dhimbshme të historisë sonë moderne. Janarët e bashkuar e bëjnë të dhimbshëm e të lavdishme historinë tonë dhe kështu arrimë në janarin 2000. Shqiptarët e bashkuar krijojnë mundësi për avancimin e aspiratave të heronjve e të dëshmorëve të janarit, për sigurimin e një ardhmërie më të mirë e më perspektivë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Heronjtë dhe dëshmorë të kombit, jemi të vetëdijshëm se shënimet përkujtimore për rëniet tuja heroike s´patëm mundësi t´ju bëjmë si duhet se Kosovën ende se bëmë si deshëm, shpresojmë dhe besojmë se jemi shumë afër Kosovës që e deshëm ne. Ne dhe populli ynë jemi të bindur se përpara kemi vetëm një zgjedhje – PAVARËSINË. Në Kosovën e lirë e të pavarur çdo gjë do të jetë ndrysh, edhe FLAKA E JANARIT DO TË JETË NDRYSHE.

Hani dhe kali

0

opinion 23Shkruan: Edmond Tupja

Na ishte njëherë e një kohë; do të tregojnë shqiptarët e ardhshëm, e kam fjalën për ata të vitit 3014; një Han Alegorik (shumëk-ush e quante Albanik), ku të gjithë prisnin prej shekujsh të vinte një Kalë i Ri (me L dhe vetëm me L pas Asë) po aq Alegorik (shumëkush e quante Albanik). Ai Kalë mendohej, urohej, shpresohej dhe besohej se do t’u sillte banorëve të tij po aq alegorikë (shumëkush vazhdonte t’i quante Albanikë) parajsën e pritur prej shekujsh pikërisht te Hani i tyre, me një derë madhështore, pa kanate, që në kohë të shkuara, prej aq dekadash sa nuk llogaritej më, kishte qenë e blinduar, pa dritare gjithashtu, që askush të mos dilte nga Hani në fjalë, Han për të cilin banorët e dikurshëm ishin mburrur se nuk ishte “han me dy porta”, pra, ku nuk mund të hynte kushdo e kur t’i tekej, edhe derri, edhe dosa, siç thuhej asokohe.

Dhe pritja shumëshekullore zgjati derisa, më në fund, ia mbërriti Kali në fjalë, jo më gjysmëshekullor si i vjetri, por periodikisht i zëvendësueshëm. Hingëllimat e Kuajve pluralistë qenë aq të fuqishme, sa banorët e lumtur që nuk mburreshin më se jetonin si në rrethim, se hidhnin valle në gojë të ujkut, se ishin gati të hanin edhe bar pa u shkuar kurrë mendja t’i dorëzoheshin armikut të jashtëm e agjentëve të tyre të brendshëm, e panë befas veten as në han, as në va, domethënë as në tokë, as në qiell. Me kalimin e kohës, le të themi duke nisur nga viti 2050 (kjo qe fatale) ata detyrimisht harruan shumë gjëra e ngjarje të dhimbshme të së kaluarës së tyre, por më e tmerrshmja, më e pafalshmja qe se harruan një fjalë të urtë me interpretim të mistershëm alegorik, e cila fjalë e urtë bënte fjalë me pak fjalë dhe asnjë fjalim për “han” e për “kalë”.

Po cila ishte vallë kjo fjalë e urtë që lidhte “hanin” me “kalin” ose, më logjikisht, “kalin” te “hani”? Banorët e Hanit Alegorik/Albanik të vitit 3014, do të tregojnë se sidomos disa të moshuar të ndershëm, të moralshëm, të pakorruptueshëm, me edukatë të lartë qytetare, kombëtare e ndërkombëtare, mbanin diçka mend, për aq sa kishin dëgjuar nga gjyshërit, këta nga stërgjyshërit e këta nga katragjyshërit e kështu me radhë, se fjala e urtë e lartpërmendur, që nuk figuronte asgjëkund në fjalorë, artikuj, kumtesa, referate, studime, monografi e poligrafi, të botuara e të pabotuara, të Akademisë së Shkencave të Albanikisë së hershme, pra, disa të moshuar – pjesërisht disi të fosilizuar – mbanin mend një fjalë të urtë, por jo fort të qartë për shkak se një fjale i mungonin disa shkronja, ndoshta edhe një e vetme, çka i pengonte ata dhe do të vazhdojë t’i pengojë pasardhësit e tyre për të depërtuar thellë e më thellë deri te thelbi i kuptimit të asaj fjale të urtë misterioze.

E ndiej që lexuesi im besnik po e humb durimin: Kjo fjalë e urtë është ose, më saktë, në vitin 3014 do të paraqitet në sytë e shqiptarëve të ardhshëm në trajtën “..ordhi kali në derë të hanit”. Fjala problematike do të jetë ajo e para, pra, “…ordhi”. E lartpërmendura dhe, sigurisht, e nderuara Akademi e Shkencave do të hapë një debat mbarëpopullor, i cili, rrezik të përfundojë me një referendum pankombëtar. Kuptohet vetvetiu se bashkëkombësit tanë të ardhshëm, nën dritën e shkencës panalbanologjike, por duke u mbështetur edhe në burime gojëdhënore, do të shprehen referendumisht për të përcaktuar përfundimisht dhe njëherë e përgjithmonë nëse fjalës së cunguar “..ordhi” i mungon vetëm shkronja “p” apo togshkronjëshi “ng”!

Cilido qoftë rezultati i referendumit, fiton “p”-ja apo “ng”-ja, problemi do të jetë shumë më tepër i Kalit sesa i Hanit: Po qe se do të fitojë germa “p”, Kali do të vijë erë, nga “Alegorik” ai do të shndërrohet në “Halegorik”, por, ngaqë era e tij mund të qelbë edhe ndonjë mjedis të brendshëm të Hanit, edhe ky i fundit rrezikon të njëjtin shndërrim, pra, nga “Alegorik” të kthehet në “Halegorik” (Edhe në këtë rast, punë germash: Ç’fatkeqësi, nganjëherë, të dish shkrim e këndim!). Megjithatë, falë ushqimeve dietetike për kuaj të niveleve të larta, falë gjithashtu deodorantëve dhe parfumeve, era në fjalë mund të shmanget, por nëse referendumi i lartpërmendur kurorëzohet me fitoren e togshkronjëshit “ng”, do t’i bjerë Kalit të ngordhë, çka do të thotë që, pavarësisht kutërbimit rrethanor të pashmangshëm, do të zhvillohen zgjedhje të parakohshme për të përcaktuar, në mënyrën më demokratike të mundshme e të përfytyrueshme, Kalin zëvendësues. Në fund të fundit, le të tregohemi realistë: Pavarësisht rezultatit të referendumit në fjalë, duke njohur psikologjinë tonë iliro-shqiptaro-albanikëse, një gjë mund të pohohet pa pikë dyshimi: kombi ynë, gjithmonë i gatshëm për t’u ndarë në të mirë e të këqij, konservatorë e liberalë, pozitarë e opozitarë, veriorë e jugorë, kuaj e gomarë, do të ndahet, jo sot shyqyr Zotit, por në vitin 3014, në “..ordhistë” me “p” e në “..ordhistë” me “ng” në mënyrë që përherë diçka të ndodhë në derën e nderuar të Hanit tonë të Hatashëm/Panorama/

Sheik Abdullah Bin Zajed, qytetar nderi i Prizrenit

0

ABDULLAH bin ZAjED-bin Sultan Al-NajanKryesuesi i Kuvendit Komunal në Prizren, Kujtim Gashi ka thirrë për të mërkurën mbledhjen e jashtëzakonshme të Kuvendit, me pikën e vetme të rendit të ditës: shqyrtim propozimin për shpalljen qytetar nderi të ministrit të Punëve të Jashtme të Emirateve të Bashkuara Arabe ABDULLAH bin.

ZAjED-bin.Sultan Al-Najan. Mbledhja do të mbahet më 12 mars 2014 të mërkurën, në sallën për mbledhjet e Kuvendit të komunës së Prizrenit, përkatësisht në ndërtesën e re të Kuvendit, duke filluar në orën 11.00.

100 vjet detari shqiptare, anijet nga Zogu te Hoxha

0

AnijaKanë lundruar në të njëjtin det, e tashmë, imazhet e tyre janë në të njëjtën sallë. Pothuaj 100 vite traditë të detarisë shqiptare janë përmbledhur në një ekspozitë që çelet sot në Muzeun Historik Kombëtar në ora 11:00. Fotografi dhe makete të anijeve më përfaqësuese, prezantohen para publikut duke përfshirë historikun e zhvillimit të detarisë shqiptare (duke filluar nga lashtësia, sepse në fakt këtu ka edhe anije liburne). Luan Shabani, nga shoqata e “Naval”, tha dje për “GSH” se në muze janë imazhe të flotës shqiptare nga 1912-ta e deri sot, nga anijet tregtare tek ato ushtarake, që kanë qenë forca goditëse gjatë 50 viteve të komunizmit.
“Qëllimi i ekspozitës nuk është vetëm të prezantojë arritjet në fushën e detarisë, por edhe t’i bëjmë të njohura, sepse pak dihen. Ndaj ne kemi bërë edhe makete se si kanë qenë anijet, si kanë evoluar nga 1912-ta e deri tani”, – tha Shabani.

Ndryshe nga sa mendohet, flota jonë në vite ka qenë e zhvilluar.
Shabani sqaron se gjatë 50 viteve komunizëm ka pasur rreth 25 anije tregtare, me kapacitet të përgjithshëm rreth 100 mijë tonë.

“Anijet që kanë punuar para 1990-ës kanë histori, sepse kanë shërbyer për zhvillimin e ekonomisë së vendit për 30-50 vjet. Ndërkohë që sot nuk ndodh ashtu. Flota atëherë kishte dinjitet, ndërsa nga 1992-shi deri sot, ajo është tkurrur. Nëse më 1990-ën kishte 60 deri në 100 anije në inventar, tani ka rreth 6-7 anije me kapacitet 40-50 mijë tonë”, – tregon Shabani, që ka mbaruar Akademinë e Marinës.

Anijet
Së pari ndalon tek anija patrulluese “Tirana”, e prodhuar më 1916-ën. Në vitet 1930 ka shërbyer në Flotën Ushtarake të Mbretërisë së Zogut, e me të njëjtin model kanë qenë edhe anijet “Vlora”, “Durrësi” dhe “Saranda”, të gjitha patrulluese. Më vonë, më 1926-ën, Shabani thotë se u blenë edhe anijet “Skënderbeu” e “Shqipnija”. Kur e pyet a ruhet ndonjë prej tyre, ai mohon me kokë dhe shpjegon: “Ne arritëm që përmes internetit të siguronim vizatimet, pranë kompanive që i kanë prodhuar e shteteve ku janë prodhuar, dhe bëmë maketin”.

Qëllimi i shoqatave organizatore të ekspozitës, është që t’i dëgjojnë autoritetet: Ministria e Kulturës, e Mbrojtjes, e Transportit, që të shohin se kemi tradita në këtë fushë e megjithatë jemi i vetmi vend shtet në rajon që nuk kemi një muzeum detarie që t’i pasqyrojmë ato.

Çfarë u bë me këto anijet e Zogut? Kësaj pyetjeje, Shabani i përgjigjet me keqardhje se, pas pushtimit italian, u sekuestruan dhe më vonë vetëm njëra prej tyre arriti të jetonte deri nga vitet 1945. “Dolën jashtë përdorimit, por nuk u ruajtën”, – na thotë ai. Ka edhe anije me vela, ndërtuar më 1922. Një tjetër anije që prezantohet në ekspozitë është ajo e vëllezërve Veliaj, detarë, e prodhuar në Itali. “Pas 1944-ës e sekuestruan dhe punoi deri pas Çlirimit. As kjo nuk është ruajtur. Maketet i kam bërë vetëm nga fotot, takimet me kapitenët e punonjësit e tjerë të tyre”, – sqaron Luani.

Anija e “Kinës”
Një prej anijeve me historinë më të veçantë është ajo që mban emrin “Vlora”. Sipas Shabanit, transoqeanikja ka punuar 40 vjet. “I ka bërë një shërbim të madh vendit tonë, sepse ka sjellë gjithë industrinë dhe materialet, nga Kina në Shqipëri. Po ashtu ka sjellë armatime, tanke, aeroplanë etj. Është vlerësuar si anije elegante dhe kujtoj se ajo është prodhuar në Itali, ndërsa në Shqipëri ka ardhur më 1961-shin”, – sqaron Shabani, organizator i ekspozitës. Kur kalojmë në zonën e anijeve ushtarake, ai sqaron se bëhet fjalë për anije ruse e kineze, që kanë qenë në gjendje pune nga viti 1951 deri në vitin 2000.

“Kanë qenë në gatishmëri. Gjuajtësit ushtarakë janë mbajtur deri në vitin 2008. Ka edhe katërsilures, që përdoreshin për të sulmuar anijet e rënda si edhe dragaminat, anije që kanë shërbyer për çminimin e detit”, – shpjegon Shabani. Në fund, edhe pse jo për nga rëndësia, janë edhe nëndetëset, ngritur mbi modelin e katër nëndetëseve ruse që gjendeshin në Pashaliman. Sot, prej tyre ka vetëm një, që do të jetë pjesë e muzeut nënujor, tri të tjerat janë shitur për skrap.

Ekspozita është organizuar nga shoqata “Adrion” dhe “Naval”, me mbështetjen e Autoritetit Portual Durrës, në sallën e ekspozitave të Muzeut Historik Kombëtar.

Pushojnë hetimet për blerje votash ndaj Nijazi e Shkodran Kryeziut të PDK-së në Prizren

0

PDK-dega PrizrenNijazi Kryeziu, ish kryesues i Kuvendit Komunal në Prizren, aktualisht drejtor i Urbanizmit, si dhe Shkodran Kryeziu, kryetar i Rinisë Demokratike, dega në Prizren, dyshoheshin se në ditën e zgjedhjeve më 3 nëntor kishin kryer veprën penale të blerjes së votës.Shkak për inicimin e këtyre hetimeve nga policia, u bë një video-incizim dhe dy foto, të cilat i kishte bërë një qytetar, që pretendonte se në afërsi të shkollës fillore “Fadil Hisari” janë dhënë një shumë e madhe e të hollave për blerjen e votave të qytetarëve, në momentin kur Shkodran Kryeziu, i është afruar makinës në të cilën ishte Nijazi Kryeziu.

Mirëpo pas hetimeve të policisë, të cilat ishin bërë me urdhër të Prokurorisë Themelore në Prizren dhe pas ekspertizës së fotove dhe incizimeve, doli se në këtë rast nuk kishte fakte dhe prova që Nijazi dhe Shkodran Kryeziu, të kenë kryer veprën penale për të cilën dyshoheshin.

Sylë Hoxha, kryeprokuror i Prokurorisë Themelore në Prizren, i tha Gazetës Jeta në Kosovë, se ditën e zgjedhjeve prokuroria kishte përcjellë me kujdes çdo pakënaqësi dhe çdo dyshim që i ishte paraqitur.

Sipas tij, në çdo rast kur është dyshuar për keqpërdorim dhe blerje të votës, apo kur është dyshuar se po shkelej e drejta e votuesit, janë ndërmarrë të gjitha veprimet.

Kryeprokurorit Hoxha i kujtohet edhe rasti i Nijazi dhe Shkodran Kryeziut.

“Ka qenë një incizim prej së largu në një automjet, policët kanë marrë në pyetje edhe dëshmitarë të tjerë të cilët ne i kemi autorizuar dhe nuk është argumentuar, nuk kemi nxjerrë prova se atë ditë ka shpërndarë të holla Nijazi Kryeziu”, tha Sylë Hoxha.

Ai thotë se nga ofruesi i fotove dhe videoincizimit është përmendur një shumë e të hollave rreth 20 mijë euro.

“Por nuk është vërtetuar, kështu që ne nuk kemi pasur prova t’i hapim hetimet, po kjo ka qenë një procedurë që themi ne parapenale”, tha kryeprokurori i Prizrenit.

Nga ana tjetër Nijazi Kryeziu, aktualisht në pozitën e drejtorit të Urbanizmit, nuk ishte në dijeni se janë pushuar hetimet ndaj tij.

“Unë nga ju po dëgjoj që kanë pushuar hetimet, nuk po çuditem aspak, sepse kam qenë i pafajshëm, kjo thjesht ka qenë manipulim i mekanizmave paramilitarë të partive opozitare, të cilat kanë angazhuar njerëz për spekulime në zgjedhje”, tha Kryeziu.

Nërsa kryetari i RDK-së në Prizren, Shkodran Kryeziu, tha se kishte qenë i habitur kur emri i tij, kishte dalë në mediat e shkruara dhe ato elektronike, për dyshimin e shitblerjes së votave.

“Unë personalisht jam ndjerë shumë i shqetësuar me publikimin e lajmit të tillë, pasi që asnjë herë në jetën time politike nuk do ta bëja një gjë të tillë. Lajmet e tilla pos që kanë ndikuar në prekjen dhe lëndimin e imazhit tim si kryetar i RDK-së, po ashtu ka ndikuar rëndë edhe në lëndimin emocional të familjes time, por mbi të gjitha është prekur edhe imazhi i Partisë Demokratike të Kosovës”, tha Shkodran Kryeziu.

Gazeta Jeta në Kosovë kontaktoi edhe me qytetarin që ka iniciuar këtë rast, i cili përveç që ofroi xhirimin dhe foton që e kishte dorëzuar në prokurori, nuk deshi të komentojë më tutje dhe parapëlqeu të mbetet anonim./Gazeta Jeta në Kosovë/

MMPH, padit Eqrem Kryeziun

0

EqremKryeziu-ldkMinistria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka ngritë Kallëzim Penal kundër Eqrem Kryeziut ish-kryetarit të Prizrenit, Hyssein Kazaz ish-drejtor i Drejtorisë për Urbanizëm dhe Planifikim Hapësinor KK Prizren, Ylber Gashit Inxhier dhe hartues i Lejes Ndërtimore, si dhe përfaqësuesit të Kompanisë N.T.SHstudio projektuese ”DIARKO” – Iftiman Lutfiu nga Prizreni. Kjo për shkak të parregullsive në Prevallë.

“Në periudhën kohore 2006-2008 pas hartimit të Planit të Përkohshëm Rregullues Urban të zonës së Prevallës në Parkun Nacional “Sharri” nga Asambleja Komunale e KK të Prizrenit janë lëshuar një numër i konsiderueshëm i lejeve ndërtimore në kundërshtim me PRrU si dhe dispozitat ligjore të cilat rregullojnë fushën e Planifikimit Hapësinor. Personat e lartpërmendur kanë ushtruar ndikim dhe presion te vartësit e tyre, duke i urdhëruar që gjatë kësaj periudhe kohore të lëshojnë leje ndërtimore për ndërtimin e objekteve ne fshatin turistik Prevallë në kundërshtim me Legjislacionin ekzistues”, thuhet në njoftimin e tyre.

Në Asamblenë Komunale të Prizrenit është miratuar Plani i Përkohshëm Rregullues Urban për zonën e Prevallës me ç’rast janë specifikuar kodet për ndërtim të shtëpive, ndërkaq në një plan tjetër i cili nuk ka qenë i miratuar nga Asambleja Komunale e Prizrenit dhe pa pëlqim nga MMPH.

Për tipet e shtëpive janë dhënë kode të tjera, të cilat janë në kundërshtim me Planin paraprak të aprovuar nga Asambleja Komunale, ndërsa praktikisht në terren në zonën e Fshatit Turistik të Prevalles çuditërisht janë dhe e kode krejtësisht të tjera.

Lejet e ndërtimit janë dhënë sipas tipeve të fundit për ndërtimin e vikend shtëpizave gjë që janë në kundërshtim me PRrU dhe pëlqimin e MMPH.

Kjo laramani e tre llojeve te kodeve për tipet e vikend shtëpizave është bërë me qëllim nga personat e sipërpërmendur për t’i fshehur gjurmët e shkeljeve ligjore me ç’rast është bërë shkatërrimi dhe degradimi i mjedisit në këtë zonë të mbrojtur me vlera natyrore dhe kombëtare.

“Të gjitha këto veprime kundërligjore janë bërë nën urdhrat dhe dijeninë e ish kryetarit të Prizrenit Eqrem Kryeziu dhe vartësve të tij të cilët kanë punuar në Komunën e Prizrenit apo dhe kanë qenë të angazhuar nga Komuna në cilësi projektimi të vikend shtëpizave”, thuhet në njoftim.

Kështu që të apostrofuarit kanë kryer vepër penale nga neni 422 – keqpërdorimi i pozitës dhe autoritetit zyrtar; veprën penale nga neni 431 -ushtrimi i ndikimit dhe veprën penale nga neni 347 qe ka të bëjë me ndotjen dhe degradimin ose shkatërrimin e mjedisit të parapara në Kodin Penal të Republikës së Kosovës.

Përkujtohet 15 vjetori i Betejës së Jeshkovës

0

Ramadan muja ne landovicNë Jeshkovë të Prizrenit është shënuar të martën 15 vjetori i betejës së UÇK-së. Në këtë përvjetor kanë marrë pjesë familjarë të dëshmorëve, veteranët, invalidët e luftës së UÇK-së, si dhe kryetari i Komunës së Prizrenit,Ramadan Muja.Me 11 mars të vitit 1999 në fshatin Jeshkovë është zhvilluar një betejë e ashpër e luftës në mes luftëtarëve të UÇK-së dhe forcave serbe.

Në këtë betejë kanë rënë dëshmorë 21 pjesëtarë të UÇK-së.Kryetari i Prizrenit, Ramadan Muja,ndërkaq ka vlerësuar lartë Betejën e Jeshkovës. Ai tha se Ushtria Çlirimtare e Kosovës, ishte arritja më e madhe e popullit tonë për liri.

“Vajzat dhe djemtë më të mirë, guximshëm të Kosovës dhe mbarë trojeve etnike, nuk hezituan fare, por, tërë qenien e tyre e vunë në shërbim të UÇK-së, në shërbim të atdheut, me të vetmin qëllim, lirinë dhe shpalljen e Pavarësisë së Republikës së Kosovës”, tha Muja.

Ai tha se Republika e Kosovës po vazhdon rrugëtimin e saj drejt integrimeve në Evropë dhe NATO. “Sovrani më i sigurt në këtë drejtim, vazhdon të mbetet gjaku i dëshmorëve të kombit”.

Muja tha se Komuna e Prizrenit, tërësisht është e angazhuar, që t’iu shërbejë qytetarëve.

“Politikat institucionale në Prizren do të jenë në lartësinë e përgjegjësisë vepruese, ashtu siç ishte edhe lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe NATO-s, që sollën lirinë dhe demokracinë në këtë vend, produkte këto të cilat lirshëm po i shfrytëzojnë të gjithë qytetarët e komunës sonë”.Për nder të shënimit të Betejës së Jeshkovës, të martën janë bërë shumë homazhe edhe në varrezat e dëshmorëve në Landovicë./PrizrenPress.com/

 

Arrestohen katër hajdutë të portofolave në Malishevë

0

arrestimi 2Katër persona janë arrestuar në Malishevë të dyshuar për vjedhje të portofolave të qytetarëve. Zëdhënësi i PK-së, Hazir Berisha tha se arrestimi i tyre është bërë pas një hetimi disa mujor të Policisë së Kosovës në Malishevë.“Pas një hetimi disa mujorë, grupi hetimor i Stacionit Policor në Malishevë më në fund ka arritur të arrestojë katër hajdut të xhepave të qytetarëve”, tha Berisha.

Të arrestuar janë, Januz Asllani nga Ferizaj, Skender Berisha, Fadil Arifi dhe Florin Gashi nga Prishtina. “Të dyshuarit janë kapur në flagrancë nga zyrtarët policorë”
Zëdhënësi Berisha tregoi se dy zyrtarë të policisë kanë pasur për detyrë për më tepër se dy javë rresht të “kujdestarojnë” nëpër korridore të Shtëpisë së Shëndetit në Malishevë, në pritje të vjedhësve që tanimë ishin identifikuar nga kamerat e sigurisë.

“Të njëjtit kohë pas kohe kishin kryer vjedhje të portofolave të qytetarëve që prisnin në radhë për dokumente mjekësore”.

“Rreth orës 08:40 minuta, grupi hetimor që po vëzhgonte nga kati i dytë kishte vërejtur grupin kriminal, i cili ishte nisur për në aksion dhe për pak minuta, të njëjtit kishin arritur të vjedhin portofolin e një qytetari, i cili priste në rënd për plotësimin e dokumenteve”.

“Ndërkohë grupi hetimor kishte kërkuar ndihmë nga kolegët në uniformë, të cilët kanë qenë fare pranë vendit të ngjarjes”.

“Pas tentimit të policisë për t’i ndalur të dyshuarit, që të katërtit kanë ikur me shpejtësi në drejtim të veturës së tyre të llojit “Opell vectra”, me targa 01, e cila kishte qenë e parkuar në oborrin e Qendrës për Punë Sociale, e më pas, vrullshëm janë nisur në drejtim të Lagjes Mirditë e fshatit Burim për të vazhduar në drejtim të fshatit Gurbardh, ku ua ka prerë rrugën një patrullë tjetër”.

Berisha tha se edhe pas ndaljes, të dyshuarit nuk kanë pranuar të legjitimohen dhe as arrestimin, i cili është kryer, por me lëndime nga të dyja palët.

“Gjatë bastisjes së automjetit policia ka gjetur dy bishta të sëpatës një dru i përgatitur për tu përdor për sulm ose mbrojtje, një gyp metalik i njëjtë me drurin, një brisk goxha i madh dhe disa kapela të ndryshme”.

“Pas intervistës njëri nga të dyshuarit i kishte treguar policisë se ku e kishte hedhur kuletën që e kishte vjedhur pak më parë i dyshuari”.

Sipas tij, kuleta dhe provat tjera materiale do t’i kalojnë prokurorisë për procedurë të më tejme gjyqësore. Gjykata e Malishevës, të dyshuarve ua ka vazhduar masën e arrestit për 30 ditë./PrizrenPress.com/