13.8 C
Prizren
E premte, 26 Prill, 2024

100 vjet detari shqiptare, anijet nga Zogu te Hoxha

AnijaKanë lundruar në të njëjtin det, e tashmë, imazhet e tyre janë në të njëjtën sallë. Pothuaj 100 vite traditë të detarisë shqiptare janë përmbledhur në një ekspozitë që çelet sot në Muzeun Historik Kombëtar në ora 11:00. Fotografi dhe makete të anijeve më përfaqësuese, prezantohen para publikut duke përfshirë historikun e zhvillimit të detarisë shqiptare (duke filluar nga lashtësia, sepse në fakt këtu ka edhe anije liburne). Luan Shabani, nga shoqata e “Naval”, tha dje për “GSH” se në muze janë imazhe të flotës shqiptare nga 1912-ta e deri sot, nga anijet tregtare tek ato ushtarake, që kanë qenë forca goditëse gjatë 50 viteve të komunizmit.
“Qëllimi i ekspozitës nuk është vetëm të prezantojë arritjet në fushën e detarisë, por edhe t’i bëjmë të njohura, sepse pak dihen. Ndaj ne kemi bërë edhe makete se si kanë qenë anijet, si kanë evoluar nga 1912-ta e deri tani”, – tha Shabani.

Ndryshe nga sa mendohet, flota jonë në vite ka qenë e zhvilluar.
Shabani sqaron se gjatë 50 viteve komunizëm ka pasur rreth 25 anije tregtare, me kapacitet të përgjithshëm rreth 100 mijë tonë.

“Anijet që kanë punuar para 1990-ës kanë histori, sepse kanë shërbyer për zhvillimin e ekonomisë së vendit për 30-50 vjet. Ndërkohë që sot nuk ndodh ashtu. Flota atëherë kishte dinjitet, ndërsa nga 1992-shi deri sot, ajo është tkurrur. Nëse më 1990-ën kishte 60 deri në 100 anije në inventar, tani ka rreth 6-7 anije me kapacitet 40-50 mijë tonë”, – tregon Shabani, që ka mbaruar Akademinë e Marinës.

Anijet
Së pari ndalon tek anija patrulluese “Tirana”, e prodhuar më 1916-ën. Në vitet 1930 ka shërbyer në Flotën Ushtarake të Mbretërisë së Zogut, e me të njëjtin model kanë qenë edhe anijet “Vlora”, “Durrësi” dhe “Saranda”, të gjitha patrulluese. Më vonë, më 1926-ën, Shabani thotë se u blenë edhe anijet “Skënderbeu” e “Shqipnija”. Kur e pyet a ruhet ndonjë prej tyre, ai mohon me kokë dhe shpjegon: “Ne arritëm që përmes internetit të siguronim vizatimet, pranë kompanive që i kanë prodhuar e shteteve ku janë prodhuar, dhe bëmë maketin”.

Qëllimi i shoqatave organizatore të ekspozitës, është që t’i dëgjojnë autoritetet: Ministria e Kulturës, e Mbrojtjes, e Transportit, që të shohin se kemi tradita në këtë fushë e megjithatë jemi i vetmi vend shtet në rajon që nuk kemi një muzeum detarie që t’i pasqyrojmë ato.

Çfarë u bë me këto anijet e Zogut? Kësaj pyetjeje, Shabani i përgjigjet me keqardhje se, pas pushtimit italian, u sekuestruan dhe më vonë vetëm njëra prej tyre arriti të jetonte deri nga vitet 1945. “Dolën jashtë përdorimit, por nuk u ruajtën”, – na thotë ai. Ka edhe anije me vela, ndërtuar më 1922. Një tjetër anije që prezantohet në ekspozitë është ajo e vëllezërve Veliaj, detarë, e prodhuar në Itali. “Pas 1944-ës e sekuestruan dhe punoi deri pas Çlirimit. As kjo nuk është ruajtur. Maketet i kam bërë vetëm nga fotot, takimet me kapitenët e punonjësit e tjerë të tyre”, – sqaron Luani.

Anija e “Kinës”
Një prej anijeve me historinë më të veçantë është ajo që mban emrin “Vlora”. Sipas Shabanit, transoqeanikja ka punuar 40 vjet. “I ka bërë një shërbim të madh vendit tonë, sepse ka sjellë gjithë industrinë dhe materialet, nga Kina në Shqipëri. Po ashtu ka sjellë armatime, tanke, aeroplanë etj. Është vlerësuar si anije elegante dhe kujtoj se ajo është prodhuar në Itali, ndërsa në Shqipëri ka ardhur më 1961-shin”, – sqaron Shabani, organizator i ekspozitës. Kur kalojmë në zonën e anijeve ushtarake, ai sqaron se bëhet fjalë për anije ruse e kineze, që kanë qenë në gjendje pune nga viti 1951 deri në vitin 2000.

“Kanë qenë në gatishmëri. Gjuajtësit ushtarakë janë mbajtur deri në vitin 2008. Ka edhe katërsilures, që përdoreshin për të sulmuar anijet e rënda si edhe dragaminat, anije që kanë shërbyer për çminimin e detit”, – shpjegon Shabani. Në fund, edhe pse jo për nga rëndësia, janë edhe nëndetëset, ngritur mbi modelin e katër nëndetëseve ruse që gjendeshin në Pashaliman. Sot, prej tyre ka vetëm një, që do të jetë pjesë e muzeut nënujor, tri të tjerat janë shitur për skrap.

Ekspozita është organizuar nga shoqata “Adrion” dhe “Naval”, me mbështetjen e Autoritetit Portual Durrës, në sallën e ekspozitave të Muzeut Historik Kombëtar.

Më Shumë

Panairi Tradicional i Prizrenit shënon kulturën dhe trashëgiminë vendase

Sot, në Sheshin e Dëshmorëve në qendër të Prizrenit u hap Panairi dy ditësh Tradicional i Prizrenit, nën organizimin e Drejtorisë së Turizmit dhe...

Inzaghi: Gjashtë trofe për tri vjet nuk janë pak

Trajneri i Interit, Simone Inzaghi ndihet i lumtur me fitoren e mbrëmshme në derbin e qytetit, i cili njëherësh ia siguroi edhe titullin e...

Lajmet e Fundit