21.5 C
Prizren
E mërkurë, 3 Shtator, 2025
Home Blog Page 8758

FSK-ja zgjedh Komunën e Prizrenit për ushtrim fushor

0

HajrushKurtaj-RuzhdiRexha-prizrenDrejtori i departamentit për bashkëpunim civilo-ushtarak, Hajrush Kurtaj së bashku me major Arife Halili, shefe e CIMIC-ut, të mërkurën kanë takuar nënkryetarin e Komunës së Prizrenit, Ruxhdi Rexha.

Gjatë këtij takimi Komuna e Prizrenit dhe FSK-ja kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi për realizimin e ushtrimit fushor nga ana e FSK-së. Ky ushtrim një muajorësh, do të nis nga 20 shtatori dhe do të zgjasë deri më 20 tetor të këtij viti në lokacionuin e fshatit Nashec.

Drejtori i departamentit për bashkëpunim civilo-ushtarak, Hajrush Kurtaj ka falenderuar Komunën e Prizrenit për bashkëpunimin e deritanishëm dhe ka premtuar se do të vazhdoj të ndihmojë edhe në të ardhmën Komunën, konkretisht departamentin për Emergjencë dhe Siguri.

Nga ana tjetër, edhe nënkryetari i Komunës e ka falenderuar FSK-në që përsëri e kanë përzgjedhur Prizrenin për ushtrimin fushor./PrizrenPress.com/

Deda: Degradimi i vendit me negociata, nuk po merr fund

0

IlirDeda-analistDegradimi politik i vendit tonë, në këtë proces, nuk po merr fund dhe në qoftë se vjen momenti që duhet të hiqet stema e Republikës së Kosovës dhe fjala Republikë e Kosovës nga fletëvotimet, në të gjithë territorin e vendit, kjo tregon se Kosova në këtë dialog po bën gjithçka që ta neutralizojë vetveten ndaj statusit të vet, thotë në intervistën dhënë Radios Evropa e Lirë, Ilir Deda, drejtor ekzekutiv në Institutin KIPRED.

REL: Zoti Deda, që nga 19 prilli, kur edhe është arritur marrëveshja Kosovë – Serbi për normalizim marrëdhëniesh, janë shënuar disa zvarritje në zbatimin e kësaj marrëveshjeje. Ku mendoni se qëndron problemi?

ILIR DEDA:Palët, asnjëra, nuk kanë hyrë në këtë proces më qëllim që me të vërtetë t’i normalizojnë marrëdhëniet dhe qëllimi i Brukselit në fillim të kësaj agjende të vitit 2011, të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka qenë që të tregohet se ka marrëveshje. Ndërsa, zbatimin fillimisht Brukseli nuk ka dashur ta monitorojë, po pastaj me insistimin e SHBA-së dhe një pjese të institucioneve të Kosovës, është shtyrë që të bëhet pjesë e zbatimit apo të monitorimit të zbatimit.

Po në të njëjtën kohë në çdo marrëveshje të Kosovës dhe Serbisë, si nga dialogu teknik, ashtu edhe ky politik, ka moszbatim. Këtë ne si Institut, (KIPRED) e kemi cekur në raportin e qershorit, kur e kemi monitoruar zbatimin e të gjitha marrëveshjeve dhe kjo tregon se palët nuk janë me të vërtetë të përkushtuara për normalizim të marrëdhënieve.

Por, qeveritë e të dyja vendeve, apo më saktësisht, kryeministrat e të dyja vendeve e shfrytëzojnë këtë proces politik dhe diplomatik për mbijetesën e tyre politike.

REL: Kujt po i përgjigjet kjo situatë?

ILIR DEDA: Ngecja u konvenon të dyja palëve. Natyrisht, Serbisë, e cila ka një taktikë negociuese më frytdhënëse, dhe Kosovës, e cila nuk e ka atë. Ndërsa, BE-ja dhe NATO-ja dëshirojnë që të shohin zbatim të marrëveshjeve, sepse NATO-ja dëshiron që brenda dy vjetëve të largohet krejtësisht nga Kosova.

E, Bashkimi Evropian dëshiron që brenda kësaj kohe ta shohë një rajon – Ballkanin Perëndimor, i cili është pak a shumë i parashikueshëm dhe i lidhur me një proces të integrimit evropian. Po, në të njëjtën kohë, këto qëllime, edhe pse janë të mira, duhet të përcillen me marrëveshje afatgjatë.

E, atë që kemi parë nga procesi i deritashëm i dialogut, është një proces me një fokus jashtëzakonisht afatshkurtër. Marrëveshjet janë afatshkurta. Për Kosovën është shumë problem, sepse ende nuk e di se çka dëshiron të nxjerrë nga ky proces gati tre vjet. Kosova nuk e di se cili është qëllimi i vendit tonë.

Me procesin e normalizimit ne kemi pasur mundësi që ta forcojmë pozitën duke kërkuar anëtarësim në OKB. Kjo iu hoq si kusht i Kosovës në prill dhe ky proces tregohet se do të jetë më i gjatë.

Fatkeqësisht, atë që e kërkon një pjesë e stabilishmentit të Gjermanisë, e që është një marrëveshje legale apo marrëveshje kornizë legale, e cila do t’i definonte marrëdhëniet e Kosovës dhe Serbisë kur nuk ka njohje të ndërsjellë, kjo do të ishte diçka që do të çonte drejt normalizimit të marrëdhënieve.

Marrëveshja e 19 prillit nuk i definon këto marrëdhënie. Marrëveshje e 19 prillit e riaranzhon brenda Kosovën dhe marrëveshja e19 prillit në zbatim, do të krijojë edhe më shumë probleme, sepse pika dy e kësaj marrëveshjeje edhe një herë thotë se bashkësia e komunave serbe do ta ketë legjitimitetin juridik të dyfishtë të Kosovës dhe Serbisë.

Në një situatë kur Kosova dhe Serbia nuk njihen mes vete, ky legjitimitet juridik kushtetues i dyfishtë, nuk do të sjellë rezultat afatgjatë, nuk do të sjellë deri te një stabilizim. Ky, absolutisht, nuk është fokus i Qeverisë së Kosovës, normal që nuk është, sepse ata kanë prioritete të tjera, të cilat janë jashtë qeverisjes së mirë.

Nuk është fokus shumë i madh i BE-së, ngase shtrohet çështja pse duhet BE-ja të kujdeset më shumë për Kosovën sesa vetë Kosova për veten. Kështu që, një mënyrë është krijuar një dinamikë tjetër, e cila as nuk po çon te zbutja e pesëshes së BE-së vizavi statusit të Kosovës – e as nuk po jep përgjigje kur do të anëtarësohet Kosova në OKB. Por, është një lloj taktizimi politik dhe edhe një herë po e them është mjet për mbijetimin politik të kryeministrit Hashim Thaçi në Kosovë dhe kryeministrit Ivica Daçiq në Serbi.

REL: Zgjedhjet vendore pritet të mbahen më 3 nëntor, por edhe ky proces të paktën deri tash është shoqëruar me dallime në qëndrime ndërmjet dy palëve siç është rasti me fletëvotimet. Me çfarë rreziqesh përballet procesi zgjedhor i 3 nëntorit në këtë drejtim?

ILIR DEDA: Kosova në këtë proces, me vetëdëshirë e ka pranuar një fusnotë, e cila e mohon shtetësinë e Kosovës, e ka pranuar një qasje neutrale ndaj statusit të shtetit tonë dhe po e shihni se çka po ndodh, domethënë vendimet e gjykatave më nuk do ta kenë stemën e Republikës së Kosovës dhe nuk do të shkruajë Republika e Kosovës.

Të njëjtën kohë është një presion tash që nga të gjitha fletëvotimet të hiqet Republika e Kosovës dhe të mos shkruajë asnjë gjë, ndërsa marrëveshja e 19 prillit thotë se zgjedhjet komunale do të mbahen sipas ligjeve të Kosovës.

Unë mendoj se degradimi politik i vendit tonë në këtë proces nuk po merr fund dhe në qoftë se papajtueshmëria e madhe, dallimet e mëdha në terren, të cilat ekzistojnë ndërmjet serbëve në veri dhe pjesës tjetër të shtetit, po çojnë edhe në reflektim të mirëmbajtjes, apo të mbajtjes së zgjedhjeve lokale më 3 nëntor, në qoftë se vjen momenti që duhet të hiqet stema e Republikës së Kosovës dhe fjala Republikë e Kosovës nga fletëvotimet në të gjithë territorin e Kosovës. Atëherë kjo tregon se Kosova me të vërtetë në këtë dialog po bën gjithçka që ta neutralizojë vetveten ndaj statusit të vet.

Kjo është qasje joshtetërore dhe joserioze, po edhe nuk ka çka të pritet më shumë prej një udhëheqësie politike, e cila ka ardhur në pushtet nëpërmjet vjedhjes së votave; e cila e ruan pushtetin si një lloj amnistie për vetvete dhe e cila interesin primar e ka korrupsionin marramendës, apo ashtu siç thuhet, në nivelin afrikan të korrupsionit, i cili ekziston në Kosovë.

REL: Për të arritur deri te zgjedhjet, fillimisht, duhet të shuhen strukturat paralele dhe të fuqizohet Ligji për amnisti. Çfarë prisni ju në këtë drejtim, cilat janë gjasat e përmbushjes së këtyre synimeve?

ILIR DEDA: Ligji për amnisti duhet të ndryshojë, tashmë është në Gjykatën Kushtetuese dhe nuk mund ta komentojmë. Unë vetëm mund të them se atë çka pritet është që të merren parasysh gati 13 mijë nënshkrime të qytetarëve të Kosovës, të cilët kanë kërkuar që ky ligj të specifikohet, që të mos jetë ligj gjeneral për amnisti por ligj i cili ka të bëjë kryesisht me njerëz, me banorë të Kosovës që kanë punuar për institucionet e Republikës së Serbisë. Kjo, sepse Ligji për amnisti është produkt i marrëveshjes së Brukselit dhe duhet të vlejë vetëm për ata të cilët kanë punuar në institucionet e Serbisë në Republikën e Kosovës.

Nuk mund të ketë një shpëtim të tillë të keqqeverisjes në Kosovë nëpërmjet këtij Ligji për amnisti dhe kjo është ajo çka presim ne nga Gjykata Kushtetuese, e cila ka thënë se do ta japë vendimin e vet deri më 16 shtator.

Shuarja e strukturave paralele nuk do të ndodhë aq shpejt siç po trumbetohet në Prishtinë. Ky proces do të zgjasë dhe edhe nëse shuhen policia dhe Gjykatat paralele, ne ende do të kemi institucione tjera jashtë autoritetit të Qeverisë së Kosovës, të cilat nuk janë sqaruar me dialogun në Bruksel dhe me marrëveshjet e Brukselit.

Nuk dua t’i cek tash po kanë të bëjnë kryesisht me gjithë ato sfera. Bashkësia serbe në Kosovë funksionon në sferën ekonomike shoqërore të tyre dhe e cila në një mënyrë duhet të legalizohet me ligjet e Kosovës, por kjo po mbetet anash. Atë çka dua ta them është marrëveshja e Brukselit e ka legjitimuar bashkëqeverisjen e Kosovës dhe Serbisë mbi vendbanimet serbe në Kosovë dhe kjo nuk ka të bëjë aspak as me Planin e Ahtisarit, siç thonë.

Është brengosës kontrabandimi i marrëveshjes, i zbatimit të saj me një ndryshim gjysmak të ligjeve dhe me një interpretim kreativ të ligjeve të Republikës së Kosovës, sepse, për shembull, Ligji për gjykata nuk e parasheh Dhomën e veçantë të Apelit vetëm për komunat serbe.

Ligji për policinë nuk e parasheh rajonin e veriut, ligjet e Kosovës nuk parashohin kompetenca ekzekutive të bashkësisë së komunave serbe, kjo të gjitha i ka. Kështu që, ajo që është shumë e qartë, në Kosovë, është se askujt nuk po i bën përshtypje moszbatimi dhe shkelja e ligjeve – kjo është bërë normë në Kosovë që të shkelen të gjitha ligjet, pa marrë parasysh të gjitha kufizimet kushtetuese, të cilat ekzistojnë.

REL: Me gjithë zvarritjet që u përmendën deri më tash, 19 prilli shënon një kthesë në raportet Kosovë – Serbi dhe në të dyja vendet kjo kthesë ka interpretime të ndryshme: disa e quajnë historike, e të tjerët e quajnë nënshkrim. Për Kosovën ju si do ta quanit?

ILIR DEDA: Marrëveshjen e 19 prillit unë do ta quaja si mundësinë e humbur të Kosovës që ta vendosë në një rrafsh më të qëndrueshëm në normalizim e marrëdhënieve të Serbisë dhe të insistojë që të ketë një dokument, i cili definon marrëdhëniet Kosovë – Serbi dhe që lejon në mënyrë eksplicite inkuadrimin e Kosovës në OKB dhe në organizatat e tjera multilaterale ndërkombëtare, që të përfundojë çështja e shtetësisë së Kosovës në botë dhe që çështja e statusit të Kosovë të jetë në nivel bilateral të marrëdhënieve Kosovë- Serbi, e jo në një nivel ku gjysma e botës na njeh e gjysma jo.

Të njëjtën kohë dua ta bëj të qartë se nuk do të ketë kurrfarë normalizimi pa u zgjidhur çështja e personave të pagjetur. Normalizimi ndodh në atë moment kur mbyllen plagët e luftës në shoqëri dhe në atë moment kur marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë bëhen të parashikueshme me një marrëveshje e cila është e obligueshme ligjërisht për të dyja vendet dhe që hap rrugën e Kosovës për inkuadrim në mekanizmat ndërkombëtarë.

Arrestohen pesë persona në Prizren për prostitucion

0

ProstitucioniPesë persona janë arrestuar në Prizren nën dyshimin e marrjes me prostitucion dhe trafikim e qenieve njerëzore. Ndër të arrestuarit janë tre meshkuj S. Z ., N. C., I. D., dhe dy femra L. K., B.N. të pesë personat janë shqiptarë nga Republika e Kosovës.

Sipas njoftimit të policisë, operacioni është zhvilluar rreth orës 11:00 dhe dyshohet se të njëjtit kanë kryer veprën penal “mundësim në prostitucion dhe marrje me prostitucion”.

“Bazuar në hetimet preliminare të policisë personat e dyshuar S.Z dhe N.C në bashkëpunim kishim mundësuar zhvillimin e prostitucionit duke shfrytëzuar një shtëpi dhe një lokal që dyshohet se ju takojnë këtyre personave”, thuhet në njoftimin e policisë.

Ndaj dy personave të parë është caktuar masa e ndalimit për 48 orë, ndërsa tre të tjerët janë dërguar në Gjykatë për Kundërvajtje për procedurë të mëtutjeshme./PrizrenPress.com/

“Dokufest”, shpallen juritë e festivalit!

0

Dokufest-jurit“Dokufest” ka shpallë emrat e jurive profesionale për këtë vit. Në shtatë kategoritë konkurruese, juritë ndërkombëtare të përbëra nga kineastë dhe profesionistë të mirënjohur, do të shikojnë dhe vlerësojnë gjithsej 106 filma që konkurrojnë në edicionin e sivjetmë.

Anëtarët e jurive të këtyre 7 kategorive vijnë nga vendet e ndryshme të botës, rajoni si dhe nga vendi./PrizrenPress.com/

International_Dox1. “INTERNATIONAL DOX”
Birgitte Stærmose
Guillermo Carreras-Candi
Katja Wiederspahn
Noémie Mendelle
Paul Sturtz

Ballkan_Dox2. “BALKAN DOX”
Brigid O’Shea
Francine Brücher
Ilian Metev

Human_Rights3. “HUMAN RIGHTS DOX”
Arbana Xharra
Daniel Sponsel
Rajko Petrovic

Green_Dox4. “GREEN DOX”
Chico Pereira
Jay Rosenblatt
Melissa Lindgren

International_Shorts5. “INTERNATIONAL SHORTS”
Adrian Paci
Ali Akay
Lydia Beilby

National-Shorts6. “NATIONAL SHORTS”
Adriana Matoshi
Marcin Luczaj
Sabir Kanaqi

Youth Category7. “YOUTH CATEGORY”
Laureta Paqarizi
Rrita Berisha
Vernon Shukriu

DKA në Suharekë nis përgatitjet për vitin e ri shkollor

0

Suhareke-shkollaDrejtoria Komunale e Arsimit (DKA) në Suharekë, këto ditë po bënë përgatitjet e fundit për fillimin sa më të mbarë të vitit të ri shkollor 2013/2014.

Zyrtarë të kësaj Drejtorie pohojnë se janë në procesin e plotësimit të kuadrit mësimor, për çka është hapur konkursi dhe javën e ardhshme do të bëhen intervistat me kandidatët që kanë konkurruar.

Gjithashtu po punohet në rregullimin e ambienteve shkollore, meremetimin e hapësirave ku ka pas nevojë të intervenohet.

Zyrtarët e DKA-së pohojnë se viti i ri shkollorë do të fillojë në të gjitha shkollat fillore, të mesme të ulët dhe në dy shkollat e mesme./PrizrenPress.com/

Reichel dhe Petroviç kundër një liste të vetme zgjedhore

0

Zgjedhjet-serbet nveriIsh-ambasadori gjerman në Kosovë, Ernst Reichel dhe ministri i Pushtetit Lokal, Slobodan Petroviç, deklaruan të mërkurën se janë kundër një liste të vetme zgjedhore për serbët e Kosovës.

Reichel tash i dërguari special i Gjermanisë për Evropën Juglindore, Turqinë dhe shtetet e EFTA-s, i ka ftuar serbët e Kosovës që të marrin pjesë në zgjedhjet e 3 nëntorit.

Mirëpo, Reichel nuk e ka quajtur zgjidhje të mirë pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhjet lokale me një listë të vetme zgjedhore. Madje, ai ka thënë se ajo listë, ia kujton Gjermaninë Lindore, transmeton RTK.

Përderisa fton serbët, që jetojnë në pjesën veriore të Kosovës, të marrin pjesë në zgjedhjet lokale, ish ambasadori gjerman, Ernst Reichel thotë se pjesëmarrja e serbëve me një listë të vetme zgjedhore ia kujton atij ditët e Gjermanisë Lindore.

“Unë nuk mendoj se lista e unifikuar serbe do të jetë rezultati përfundimtar. Nëse ata mund të ofrojnë vetëm një zgjidhje të vetme për qytetarët e Kosovës atëherë kjo më përkujton mua ditët e Gjermanisë Lindore ku ka qenë vetëm një listë zgjedhore. Por, unë mendoj se kjo nuk do të ndodhë”.

Këto deklarata ish ambasadori Reichel i bëri pas takimit që kishte me ministrin e Pushtetit Lokal, Slobodan Petroviç. Për ministrin Petroviç, e rëndësishme është që në këtë proces zgjedhor të marrin pjesë sa më shumë njerëz që është e mundur dhe ata votues të kenë një ofertë politike sa më kualitative. Prandaj, ai thotë se është mirë që serbët të kenë sa më shumë subjekte politike, të cilët do të garojnë në zgjedhje.

”Mendoj se pjesëmarrja me një listë nuk do të thotë se mund të sjellë më shumë vota. Pra, ky aktivitet është i orientuar nga individë pa vizion politik, pa program politik dhe pa ndonjë rezultat politik nga e kaluara. Sidoqoftë, ky është një proces zgjedhor dhe fjalën për këtë do ta kenë qytetarët tanë”, deklaroi ai.

Sipas ministrit Petroviç, paralajmërimi për një listë të vetme të serbëve në zgjedhjet e nëntorit nuk është ndoshta kundër demokracisë dhe arsyes së shëndoshë, meqë nuk është referendum por janë zgjedhje lokale që merren me çështje lokale.

Ai po ashtu përmendi se në ciklin e kaluar zgjedhor ka ekzistuar e ashtuquajtura Listë e njësuar zgjedhore serbe, e cila ka marrë vota tre herë më pak se kandidatët që kanë garuar përmes partive të ndara politike.

Dy të vdekur dhe dy të lënduar në aksident trafiku

0

Policia-crime sceneDy persona kanë humbur jetën dhe dy të tjerë janë lënduar në një aksident trafiku që ndodhi mbrëmë në rrugën magjistrale Prishtinë-Ferizaj, në fshatin Banullë.

Baki Kelani, Zëdhënës i Policisë së Kosovës, tha se viktimat janë shtetas kosovarë dhe të njëjtit ishin duke qarkulluar me një automjet, raporton RTK. Policia e Kosovës u bën apel të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion që të respektojnë rregullat e trafikut në mënyrë që të parandalohen aksidentet.

“Jetë me qira” premierë në “Verën e Ohrit”

0

RefetAbazi-aktorNë Qendrën për kulturë “Grigor Përliçev” në Ohër t5 mërkurën në mbrëmje (sonte) do të shfaqet shfaqja “Jetë me qira” e Teatrit Shqiptar nga Shkupi. Autor është aktori Refeta Abazi, ndërsa regjisor italiani Lluka Kortina. Kjo do të jetë premiera e pestë në pjesën dramatike të programit të sivjetmë të festivalit “Vera e Ohrit”.

“Jetë me qira” është satirë surrealiste, rrëfim për regjisorin e ri Din dhe fillimet e tij në krijimin e një bote të re, botë në teatër dhe një jetë të bukur teatrore. Por nuk shkon gjithçka aq lehtë, ai ballafaqohet me padëgjueshmëri të aktorëve dhe administratës, të cilët teatri i shikon si mënyrë për arritje të qëllimeve tjera…

Për veprimin në realizimin e tij më të ri, autori Abazi shpjegoi se gjithçka ndodh brenda në teatër, në relacionet midis ekipit të aktorëve, administratës, në institucion dhe të gjithë përpjekjet e saj…

“Ky është një tentim i imi të jap kontribut drejt një shikimi më ndryshe të gjërave. Teatri asnjëherë nuk ofron zgjidhje, por hap pikëpamje, ofron mundësi për interpretim individual të gjërave. U përpoqa të përpunojë temë në të cilën njerëzit real kanë hequr dorë nga jeta e vërtetë në llogari të personazheve fiktive gjegjësisht rolet të cilat i interpretojnë, dhe pastaj protestojnë dhe nuk lejojnë konformizëm”, deklaroi Abazi, transmeton MIA.

Regjisori Kortina theksoi se si njeri dhe artist është shumë i kënaqur që ka mundësi të prezantohet me shfaqje të tij në një manifestim kaq të madh siç është “Vera e Ohrit”.

“Sa i përket procesit të krijimit të kësaj shfaqjeje tejet jam i kënaqur nga kodi i vendosur i mirëkuptimit të teatrit dhe ky hulumtim, hetim për shprehjesn e vërtetë skenike që e punuam me gjithë ekipin. Qëllimi ishte që ë ndërtojmë shfaqje në të cilën krijohet me të gjitha elementete e shprehjes teatrore nga teksi, muzika, loja…Teksti ishte i pasuruar me vetë atë që flet pikërisht për atë që ne e bëjmë në këtë proces të vendosjes së vetë shfaqjes”, tha Kortina.

Aktori Besfort Idrizi, i cili e interpreton rolin kryesor (regjisori Din), tha se problematika e marrëdhënieve në teatër në përmasa më të gjëra mund të njihet në relacionet që janë prezente pothuajse në të gjitha shtëpitë teatrore.

“Personazhin që e interpretoj bart ide revolucionare për teatrin, por për fat të keq të tij që nga dita e parë në punë ballafaqohet me pengesa dhe realitet të hidhur, aburdin që nga i gjithë ky kuadër artistik i vetmi i cili ka sens për risi në teatër dhe art ka pikërisht bufexhia në shtëpinë teatrore. Me ndihmën e tij ai arrin disi të ballafaqohet me situatën, të ndërtojë marrëdhënie profesionale në shtëpi”, theksoi Idrizi.

Muzikën dhe matricën e zërit për shfaqjen e përpunoi “Folltin”, dhe është punuar pak më ndryshe nga ajo deri më tani e parë. Del nga vetë skena, fotografi të zëshme të aranzhuara që t’i ndjekin të gjitha ndryshimet që ndodhin në të.

Duke e paralajmëruar premierën e re, të pesë në edicionin e 53-të të “Verës së Ohrit”, seleksionuesi i pjesës dramatike të programit Gjorgji Jolevski, theksoi se është aheng kur ndodh premierë tatrale.

“Po krijohet diçka e re, tekst i ri që mëtej do të ketë jetën e saj në skenë”, shtoi seleksionuesi Jolevski. Fillimi i shfaqjes është në orën 21 dhe do të sigurohet përkthim në gjuhën maqedonase.

El James, shkrimtarja që fitoi 95 milionë dollarë

0

El James-shkrimtarePas mbizotërimit të fantazisë përgjatë viteve, lexuesit bënë një ndryshim. Në mes të llojllojshmërisë së krijimeve të ndryshme, ata zgjodhën autoren El James që ta ngrinin në majat më të larta të listave me autorët që fitojnë më së shumti në vit.

Novela romantike dhe erotike e autores britanike, El James, “The fifty shades of Gray” fitoi 95 milionë dollarë, vitin e kaluar duke bërë që autorja të arrijë majat e top-listave, dhe duke lënë pas autorët si:

James Patterson në vendin e dytë dhe Suzanne Collis në vendin e tretë. Lista është përpiluar nga gazeta “Forbes” në Amerikë, duke u bazuar në vlerësimet dhe burimet më të larta dhe të vlerësuara. Më shumë se çdo autor tjetër James, në mes të vitit 2012 dhe 2013 kishte shitur afro 70 mijë libra në 8-mujorin e parë të shitjes së librave në Amerikë. James përveç përfitimeve tejet të mëdha joshi një publik të gjerë me krijimin e saj erotik romantik dhe shumë të veçantë. Kështu ajo la pas top-autorët më të mëdhenj si:

Danielle Steel dhe Stephen King, që e kishin bërë si traditë të fitonin gjithmonë pikët maksimale, dhe në këtë listë në fillim ishin të parët duke qenë James në vendin e 15-të. Çuditërisht edhe publiku i moshës më të re që më herët ishin adhurues të filmave fantastikë, si “Harry Poter”, pëlqyen jashtë mase krijimtarinë e James. “Forbes” radhiti autorët:

EL James: 95 milionë dollarë, James Patterson: 91 milionë dollarë, Suzanne Collins: 55 milionë dollarë, Bill O’Reilly: 28 milionë dollarë, Danielle Steel: 26 milionë dollarë, Jeff Kinney: 24 milionë dollarë, Janet Evanovich: 24 milionë dollarë, Nora Roberts: 23 milionë dollarë, Dan Brown: 22 milionë dollarë, Stephen King: 20 milionë dollarë, Dean Koontz: 20 milionë dollarë, John Grisham: 18 milionë dollarë, David Baldacci: 15 milionë dollarë, Rick Riordan: 14 milionë dollarë, JK Rowling: 13 milionë dollarë, George RR Martin: 12 milionë dollarë.

Kritikat për librin e El James kanë qenë të ndryshme, pasi që kritikët e prozës dhe letërsisë e kanë vlerësuar librin si të varfër, ndërsa kritikët e tjerë dhe publiku si librin më të pëlqyer. “The fiffty shades of Grey” e El James është në përfundimet e një pjese të realizimit të kësaj novele në film, duke pritur që të përfundohet deri në gusht të vitit 2014.

Rehatia e kryeprokurorit Sylë Hoxhaj

0

Arbër-RexhajShkruan: Arbër A. Rexhaj

Herët në mëngjes dhe gati pothuajse për çdo ditë, djalin tim e dërgoj në çerdhe. Kur dal nga banesa ime pothuajse shumë shpesh e shoh Syl Hoxhën, kryeprokuror në Prizren, i cili i rehatuar, me duart kyç mbrapa shpine, ec, duke dashur sigurisht të humb peshë. Ai si gjithmonë këtë punë e bën herët në mëngjes dhe vetëm. Nga fytyra shihet se është rehat, i çliruar dhe i harruar nga të gjithë. Fqinji im, Syl Hoxha, Kryeprokurori, i cili në të vërtetë do të duhej të ishte gardiani i drejtësisë në Prizren, i rrethuar me truproje, i përcjellë me një xhip të blinduar mirë, i rrezikuar deri në asht nga kriminelët, nga pushteti theqafës, ai është krejt ndryshe.

Edhe në mbrëmje kur më ndodh të dal për takime, të cilat nuk i kemi të rralla, atë sërish e shoh të vetëm, plot qetësi, me plot qejf duke marrë ajrin e freskët të mbrëmjes para se të bie në gjumë. Në një tryezë të rrumbullakët ku ishim pjesëmarrës Kryeprokurorit ia shtrova pyetjen se a mund të na thotë një rast të vetëm, një kriminel të vetëm të cilin e ka hedhur prapa grilave.

Në vend të përgjigjes, ai më ka pyetur, ju po mendoni se unë s’kam bërë asgjë. S\’mbeti tjetër veç të përgjigjesha se Kryeprokurori në Prizren nuk ka bërë asgjë, ama bash kurnjëgjë.

Drejtësia në Kosovë, përkatësisht në Prizren është e partitizuar, ajo është selektive. Pra nëse ke mbrojtje partiake nga PDK-ja nuk të rrok fare, e kryen misionin partiak dhe atë personal, përfiton para jashtëligjshëm për partinë dhe veten, për fushatën që po vjen dhe nuk të ndjek asnjë prokuror.
Sa për drejtësinë, prokurorët dhe Sylën krejt Prizrenin edhe po ta vjedhësh edhe po ta kallësh atyre nuk iu lë përshtypje, zaten janë mësuar kështu.
Nuk kërkojnë mbrojtje, prandaj e bëjnë apologjinë se nuk i mbron askush. Janë formalist, sepse thirren shumë në rend, dhe meqenëse e kanë në duar zbatimin e ligjit, nuk e bëjnë për askënd, sepse frikësohen. Të tillët nuk duhet të jenë as Prokurorë e lëre më Kryeprokurorë.

Hiç më larg se në shtetet që i kemi afër, Maqedoni, Mal të Zi, Slloveni, e të tjera, prokurorët e kryeprokurorët janë personat më të rrezikuar sepse ndeshen dhëmb për dhëmb me krimin, prandaj në vend të politikanëve të cilit ecin me xhipa të blinduar dhe më përplot truproje, ata janë në qendër të mbrojtjes edhe me truproje edhe me xhipa të blinduar.

Rastin e Ramadan Mujës, kryetar i komunës së Prizrenit, në duart e tij e ka pasur prokurori Agron Matjani, ndërsa duke mos guxuar ta qonte lëndën më tej ai vetë mezi ka pritur t’ia dorëzoj EULEX-it.

Prandaj për të EULEX-i ka qenë vetëm shpëtimi. Paramendojeni një rast të tillë sa do të donte ta kishte një prokuror, i cili udhëhiqet mbi bazat ideale të drejtësisë kudo në botë. Sigurisht do të dëshironte të tregonte shëmbëlltyrën e mire.

Dhe sigurisht, fjalën përfundimtare drejtësia do ta thotë hiq më larg se sa ditëve në vazhdim. Mirëpo, kam dyshimet e mia, edhe pse nuk e njohim EULEX-in, edhe ai do të vepron krejt në mënyrë selektive, ose do ta dënoj krejt ‘butësisht’, ose do ta liroj nga aktakuza.

Një ditë në telefon më thërret një polic hetues, i cili kërkon të më marr në pyetje për një kallëzim penal të cilin e patëm ngritur ndaj Nexhat Çoçajt. Menjëherë u gjenda në polici. E shikoja fytyrën e policit i cili mbeti i habitur.
Ndërsa më vonë më tregoi se është shumë vështirë dëshmitarët, iniciuesit e kallëzimeve për t’i shtyrë drejtpërdrejtë në pyetje. Dhe sigurisht në këtë mes është shantazhi, bile edhe dajaku nga PDK-ja, si strukturë kriminale.
Drejtorinë e Arsimit, falë një qytetari aktiv, patëm mundur që t’ia dorëzojmë një kallëzim penal, Prokurorisë Komunalë në Prizren.

Përmes transaksioneve bankare, patëm arritur që t’ia vërtetojmë se taksat tona kishin shkuar në speca e domate, çokolada e pije, pastaj në pushimet e tij me familje e të tjera. Ndërsa kanë kaluar një vit e më shumë, asnjë fjalë të vetme nga drejtësia. Ajo po vonon. Ajo fare nuk po funksionon.
Ne kemi ngritur edhe kallëzime të tjera, dhe nëpërmjet formave të ndryshme të aplikimit kemi denoncuar dhjetëra raste që kanë pasur të bëjnë edhe me përvetësimin e parasë publike. Mirëpo edhe ato raste ose na kanë kthyer mbrapsht, ose nuk janë përgjigjur fare.

Prevalla, është një fshat turistik shumë i bukur, por i degraduar deri më skaj, ashtu siç është degraduar nga mbindërtimet edhe Prizreni.
Megjithëse atje, krimi është miks, aty degradimin e kanë bërë edhe pushtetarët qendror por edhe ata lokal.

Tani drejtësia po merret me këtë çështje. Si dhe, tanimë pothuajse çdo qytetar i Prizrenit e di mirë se ç’ka ngjarë atje.

Ndërsa drejtësia e di se atje ka degraduar i tërë fshati, dhe tani meqë gjendet përballë një shkëmbi shumë të madh, përballë qeveritarëve dhe opozitarëve qendror dhe lokal, ajo duhet ta thotë fjalën e vet. Se a do ta thotë, do ta shohim. Mirëpo kjo çështje është tejet e vonuar, kanë kaluar shumë vite.

Ndërkohë që Kryeprokurori Syl Hoxha me duart lidhur kryq, kokën përpjetë, në shëtitje, Prizreni është kthyer në një vatër të abuzimit me financat publike, korrupsionit dhe shkeljet e ligjit. Të tillë prokurorë janë në fakt \”bashkëpunëtor\” në vepër, sepse të tillët janë mbulesa më efikase e krimit.
(Autori është Kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, në Prizren)