11.8 C
Prizren
E enjte, 25 Prill, 2024

Limaj e bën të paparashikueshme skenën politike

ShkelzenMaliqiAnalisti politik Shkëlzen Maliqi, pas formimit të partisë së Fatmir Limajt, parasheh ndryshim të paparashikueshëm në skenën politike.

Analisti politik Shkëlzen Maliqi, pas largimit të deputetit Fatmir Limaj nga PDK-ja dhe paralajmërimit për formimin e një partie të re, ka vlerësuar se gara në mes të partive politike për zgjedhjet nacionale do të jetë shumë interesante.

Në këtë intervistë për “Epokën e re”, Maliqi ka thënë se, për shkak të Limajt, gara në mes të PDK-së dhe LDK-së për vendin e parë do të jetë e paparashikueshme. Në këtë kontekst, Maliqi ka vlerësuar se partia e Limajt mund të jetë edhe përcaktuese e koalicionit të ri qeverisës. “Gara në mes të PDK-së dhe të LDK-së do të bëhet më e paparashikueshme edhe në aspektin e rolit dhe forcës që do ta ketë subjekti i ri politik, i cili nuk përjashton as bashkëpunimin me PDK-në, kështu që do të kemi një faktor të ri dinamizues, ndoshta edhe përcaktues të formulës qeveritare”, është shprehur Maliqi.

Lëvizja Vetëvendosje! dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), sipas Maliqit, në zgjedhjet nacionale do të “luftojnë” për vendin e tretë. “Është gati e sigurt gara e ngushtë për vendin e parë mes PDK-së dhe LDK-së, si dhe po aq e ngushtë mes AAK-së dhe Vetëvendosje!-s për vendin e tretë, që do të mund ta luanin rolin kyç në bërjen e koalicionit të ri qeveritar”, ka thënë Maliqi.

Ai ka vlerësuar se në zgjedhjet e ardhshme do të fuqizohet tendenca e afirmimit të një brezi të ri të politikanëve. “Mendoj se në zgjedhjet e ardhshme do të fuqizohet tendenca e afirmimit të një brezi të ri të politikanëve, por edhe të subjekteve politike që duhet ta dërrmojnë ose edhe të zëvendësojnë elitën aktuale, sidomos atë të komprometuar me afera korruptive dhe qeverisje abuzive në instancat e ndryshme të sistemit”, ka deklaruar Maliqi.

Duke folur për kohën e mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare, Maliqi ka thënë se, nëse provokohen ose inskenohen kriza dhe rënia e qeverisë aktuale, zgjedhjet mund të mbahen edhe në pranverë.

Shkëlzen Maliqi ka folur edhe për çështjen e vazhdimit të vendeve të rezervuara për minoritetet. Ai ka thënë se është kundër vazhdimit të këtyre vendeve. “Mendoj se serbët e veriut, por edhe sponsorët e tyre nga Beogradi, nuk kanë aspak të drejtë. Nëse janë vonuar 6 vjet ta pranojnë planin e Ahtisarit, pasojat e vonesës nuk mund t’u barten institucioneve dhe rendit kushtetues të Kosovës”, është shprehur Maliqi.

Më Shumë

Panairi Tradicional i Prizrenit shënon kulturën dhe trashëgiminë vendase

Sot, në Sheshin e Dëshmorëve në qendër të Prizrenit u hap Panairi dy ditësh Tradicional i Prizrenit, nën organizimin e Drejtorisë së Turizmit dhe...

Nektari i luginës së harruar

Enver Sulaj Unë nuk mund të hyj në vetminë tënde As në trishtimin tim në ditën e kryqëzimit Kur turma ulërinte drejt qiellit skëterrë. Unë nuk mund ta...

Lajmet e Fundit