23.7 C
Prizren
E martë, 2 Shtator, 2025
Home Blog Page 8777

“4 milionë grekë kanë origjinë të pastër shqiptare”

0

Greket e vjeterPas një pune disa vjeçare historiani Arben Llalla boton të dhëna për demografinë e fshatrave shqiptarë në Greqinë e Veriut. Të dhënat fillojnë që në vitin 1913, kur dhe filloj shpërngulja e shqiptarëve që jetonin në Greqinë e sotme. Fillimisht kanë qenë rreth 90 vendbanime ku jetonin shqiptarët me etnitë e tjera.

Sipas studiuesit Llalla, në një intervistë për “Shekullin” në vitin 1913 në Greqinë e Veriut flitej gjuha shqipe në 59 vendbanime, kurse sot pas 100 vitesh gjuha shqipe flitet në 42 fshatra. Libri “Demografin e Viseve Shqiptare në Greqinë e Veriut” (Maqedoninë greke dhe Trakia greke) flet dhe për ndikimin e luftërave Ballkanike dhe më pas atyre Botërore në këto zona Llalla thotë se: “popullsia shqiptare në Greqinë e Veriut u gjend përballë shumë zjarreve dhe pjesa më e madhe u detyrua të emigrojë me dhunë për në Turqi, një pjesë e vogël në Shqipëri dhe ata që mundën të paguanin shuma në të holla ushtarëve grek mbetën brenda territorit të shtetit grek, derisa dalëngadalë filluan të asimiloheshin ndër vite”. Një pjesë të këtyre qyteteve dhe fshatrave Llalla i ka vizituar gjatë viteve 1991-‘04, kur ka jetuar në Greqi.

Ai ka takuar dhe grekë me origjinë shqiptare të cilët ende flisnin shqip. “Jam takuar në Konicë me stërnipin e Çeçiz Topullit më vitet 1991, 1992, 1997, 1998, quhej Ibrahim, ishte shtetas grek dhe kishte një kafene në qendër të Konicës, për fat të keq këto ditë dëgjova nga një gazetar se kishte vdekur”.

Por cili është qëllimi i autorit që për disa vjet ka punuar me këtë libër? “Qëllimi im kryesor në këtë libër është të nxjerr nga pluhuri i harresës disa fakte, disa të dhëna që na bëjnë të mësojmë ku kanë jetuar dhe jetojnë njerëzit që në venat e tyre kanë gjak shqiptari, po ç’ka se për interesa ekonomike dhe nga presionet e ndryshme janë deklaruar prej shumë vitesh qytetar të një kombësie tjetër. E ardhmja nuk e dimë se çfarë befasish na ofron…”.

Ky është libri i parë në shqip ku lexuesit mund të njihet me demografinë e fshatrave shqiptarë në Maqedoninë e Egjeut dhe Trakinë greke. Burimet kryesore që Llalla ka përdorur kanë qenë librat Etnografik të studiuesve francez, gjerman, serb, bullgarë dhe grek si Ami Boues, Adolphe Joanne, Emile Isambert, Guilaume Lejean, J. Lewis Farley, Joannoy N. Kallostipi, Kleanthis Nikolaidhis, Aleksandros Dagas, Nikolaos Th. Shina, Dhimitri Lithoksou, Athanasios Halkopulos, Spiridon Gopsheviç, Borivoje Millojeviç, Vasili Kënçov, Dimitar Mishev – Brancoff etj.

Si lindi libri “Demografia e Viseve Shqiptare në Greqinë e Veriut” (Maqedoninë greke dhe Trakia greke)?
Para disa vitesh kam botuar disa studime rreth fshatrave shqiptarë në Janinë, More-Pelomponezi, Follirin, Kostur dhe Tiqeri, por disa historian me tituj prof.dr të cilët bëjnë histori nga zyrat politike dhe kamerat televizive filluan ti kopjonin studimet e mia pa më cituar, pati edhe nga ata që bënin copi dhe paste. Kështu, mendova të filloj mbledhjen e materialeve për botimin e librit. Deri tani për fat të keq nuk ka asnjë libër për demografinë e viseve shqiptare në Ballkan, prandaj kemi edhe mungesa të informacioneve sepse shpeshherë studiuesit që janë marrë me këto studime i paraqesin shqiptarët si turq, bullgar, serb dhe grek.

Sa ka qenë numri i vendbanimeve shqiptare në të cilat flitej shqip?
Në libër unë flas vetëm për vendbanimet shqiptare në Greqinë e Veriut e njohur ndryshe Maqedonia e Egjeut dhe Trakia greke. Në Greqinë e Veriut flitej gjuha shqipe në 59 vendbanime, të cilat 22 ishin në prefekturën e Kosturit, 23 në prefekturën e Follorinës, 5 në prefekturën e Dhramës, 3 në Ksanthi etj. Ka nga ata studiues shqiptarë që japin deklarata se ka pasur 60 apo 100 fshatra, por nuk japin të dhëna vetëm flasin kot. Mendoj që mbi pasionin edhe emocionet duhet thënë e vërteta shkencore ashtu siç ka qenë. Jam munduar të jem sa më objektiv për të thënë dhe mbrojtur të vërtetën e këtyre fshatrave dhe banorëve të tyre, atë të vërtetë që të gjithë ne dëshirojmë ta dëgjojmë, ta shohim e ta prekim, por e vërteta rrallë herë pranohet ashtu siç është sepse ajo mund të na duket e hidhur dhe të kundërshtojë interesat tona të ngushta kalimtare. Prefektura e Kosturit deri në vitin 1920 njihej si Shqipëri, të paktën nga kartolinat e kohës që janë botuar në Francë dhe shitur në Europë, ku qytetin e Kosturit e përcaktonin si Shqipëri.

Vazhdon të flitet ende në shqip në këto vendbanime?
Sot, pas 100 vitesh, pra më 2013 në Greqinë e Veriut gjuha shqipe flitet në 42 fshatra, prej të cilat 7 ndodhen në prefekturën e Follorinës, 19 ndodhen në prefekturën e Evros, 3 në Selanik, 5 në Serres, 4 në Ksanthi, etj. Kur them flitet gjuha shqipe ende, kam parasysh të vërtetuar në bazë të shkencës, deklaratave të tyre dhe medieve greke. Pra, unë si mbështetës kam shfrytëzuar më shumë burimet greke duke ua mbyllur gojën replikave të tyre që mund të kemi për këtë libër. Kurse në tërë Greqinë gjuha shqipe duhet të flitet në rreth 1.5 milion njerëz dhe rreth 4 milion grek kanë origjinë të pastër shqiptare. Për këto ekzistojnë materiale me bollëk nëpër arkivat greke.

Fotografit që përdorni në libër, çfarë tregojnë konkretisht?
Fotot janë nga jeta e shqiptarëve në, Follorinë, Kostur, Negovan-Flamburo, Bellkambe- Dhrosopigi, Selanik si për shembull shtëpinë e figurës së shquar, Hasan Prishtinës. Këto ndërtesa janë ende pasuri shtetërore në Greqi, por që i përkasin shtetit shqiptar. Ka foto nga dekorimi i Esat Pash Toptanit më gusht 1917 në Selanik nga gjenerali francez Serraiti si dhe pritja madhështore që ju bë Toptanit më 1916, po në Selanik. Ka një foto të pllakatës së kishës Shën Athanasi në Kostur ku janë shënuar emrat e Teodor dhe Stojë Muzakës. Janë edhe disa fotografi interesante të vitit 1923 nga shkëmbimi i popullsisë myslimane nga Greqia për në Turqi, ku shihen njerëz duke vajtuar sepse me dhunë braktisin shtëpitë e tyre, pasuritë e çdo gjë të çmuar dhe nisen në drejtim të paditur se çfarë jete i pret. Kam përdorur gjithashtu dhe foto të refugjatëve të ardhur nga Rusia, Kaukazi dhe Azia e Vogël të cilët u vendosën në shtëpitë dhe tokat e myslimanëve turq, shqiptarë, pomak etj.

Besimi fetar i banorëve ka qenë mysliman, por sa ka ndryshuar me kohën?
Greqia u pastrua pothuajse nga elementi shqiptar mysliman 100%, ka rreth 150 mijë mysliman turq dhe pomak. Sot në fshatrat ku flitet gjuha shqipe banorët i përkasin besimit ortodoks.

Po përsa i përket personave që ke takuar personalisht në Greqi gjatë viteve 1991-’04, në Greqi, Vazhdojnë ti ruajnë ende traditat?
Jam takuar në Konicë me stërnipin e Çeçiz Topullit më 1991, 1992, 1997, 1998, quhej Ibrahim, ishte shtetas grek dhe kishte një kafene në qendër të Konicës, për fat të keq këto ditë dëgjova nga një gazetar i njohur që kishte vdekur. Kam miqësi me shqiptarët ortodoks të Prefekturës së Evros, një ndër ta Kosta Kazaqi, i cili më ka ndihmuar shumë në studimet e mia, me një kushërirë të Fan Nolit, Maria Kutulidhi e cila jetonte në Selanik dhe jemi takuar me dhjetëra herë. Më kanë ndihmuar edhe nipi i Avni Rustemit, djali i motrës së tij, i cili jetonte në Selanik dhe quhej Gjeorgjio. Pa folur për të ndierin Aristidh Kola, i cili më besoj para se të vdiste një arkiv me libra dhe revista nga jeta e arvanitasve. Më kanë ndihmuar edhe studiues grek të cilët e duan realitetin dhe të vërtetën. Dhe shumë të tjerë që për arsye të njohura nuk dua tua përmend emrin se mos dëmtohen…

Ndikimi i Luftërave Ballkanike dhe Botërore në asimilim
Gjatë luftërave Ballkanike dhe Luftës së Parë Botërore popullsia shqiptare në Greqinë e Veriut u gjend përballë shumë zjarreve dhe pjesa më e madhe u detyrua të emigrojë me dhunë për në Turqi, një pjesë e vogël në Shqipëri dhe ata që mundët të paguanin shuma në të holla ushtarëve grek për të ndenjur brenda territorit të shtetit grek dhe pse me kalimin e viteve do të asimiloheshin dalëngadalë. Shqiptarët gjatë periudhës së Perandorisë Osmane u dëmtuan më shumë nga të gjithë edhe pse ata përqafuan në masë të madhe islamin. Në dukje shqiptarët gëzonin privilegje në Perandorinë Osmane në krahasim me popujt e tjerë si grekët, serbët, bullgarët, armenët etj., por në të vërtetë, shqiptarëve, nuk iu lejua pavarësimi i kishës ortodokse, nuk iu lejua hapja e shkollave në gjuhën shqipe, etj. Shqiptarët ishin të fundit që nga Perandoria Osmane iu lejua të themelonin shtetin e tyre të pavarur dhe kjo falë përkrahjes së shteteve si SHBAja, Italia dhe mbretërisë Austro-Hungareze. Turqia për interesat e saj gjithnjë lidhi marrëveshje zyrtare me Greqinë, Serbinë, Bullgarinë dhe Rusinë në dëm të interesave dhe tokave shqiptare. Nga viti 1912-1924, në shtëpitë e shqiptarëve, turqve, myslimanëve të tjerë dhe bullgarëve të përzënë nga Greqia u vendosën refugjatë të ardhur nga Azia e Vogël. Këta refugjatë shteti grek qëllimisht i vendosi në zonat e banuara në shumicë jogreke si në Atikë-Beoti ku banojnë arvanitasit, në zonën e Maqedonisë ku banonin shqiptarë, bullgarë, turq, hebrenj dhe në Trakia, me qëllim që me kalimin viteve të bëheshin ndryshimet gjuhësore dhe kulturore, pra atje ku grekët ishin pakicë me ardhjen e refugjatëve do bëheshin shumicë. Sipas statistikave numri i refugjatëve të ardhur në tërë Greqinë pas vitit 1912, ishte 1.221.849 njerëz, rreth 20% të popullsisë së atëhershme që jetonte në Greqi. Nga këta refugjatë 638.253 prej tyre u vendosën në Maqedoninë e Egjeut. Kjo shifër përbënte 45% të popullsisë së përgjithshme në këtë krahinë. Nga ana antropologjike, gjuhësore dhe veshja tradicionale refugjatët e ardhur nuk kanë lidhje me qytetërimin antik grek dhe me luftëtarët që themeluan Greqinë Moderne të 1821. Ata më shumë ndihen në zakone si turq dhe sllavë aziatik se sa grek, trashëgimtarë të Sofokliut, Aristotelit, Herodotit, Kolokotronit, Boçarit, Karaiskaqit, Kunduriotit, Pangallos, etj. Këtë shqetësim, për dallimin e racave brenda vetë popullit grek e ka shprehur edhe shkrimtari dhe poeti grek Niko Dhimu në 23 qershor 2009, në gazetën NY TIMES.

AAK: Është alarmuese situata në rrugët e Kosovës

0

Burim Ramadani AAKNumri i aksidenteve është rritur jashtëzakonisht shumë dhe numri i aksidenteve me fatalitet është tepër i madh. “Ky alarm, që po e ngrit sot AAK-ja, duhet të jetë alarm për Qeverinë e Kosovës, Policinë e Kosovës, Kontrollin Teknik të Automjeteve dhe Qytetarët, përkatësisht vozitësit”, ka theksuar deputeti Burim Ramadani.

Sipas statistikave që i ka ndërtuar Departamenti për Siguri i AAK-së, vetëm gjatë dy javëve të fundit kanë ndodhur 10 vdekje në aksidente përmes 7 aksidenteve, 203 aksidente me së paku 82 të lënduar dhe 625 aksidente pa lëndime të njerëzve.

AAK e ka ngritur këtë çështje edhe në Parlamentin e Kosovës dhe kemi marrë përgjigje zyrtare që p.sh vetëm gjatë muajit prill 2013 janë rritur aksidentet në trafik për rreth 24 % në krahasim me prillin 2012.

Sipas AAK-së duhet bërë rritja e numrit të patrullimeve nëpër rrugë nga Policia e Kosovës, mirëmbajtja e rrugëve nga Qeveria e Kosovës, kampanja vetëdijësuese për shoferët, hartimi i Strategjisë dhe Planit të Veprimit për Sigurinë në Komunikacion dhe amandamentimi i Ligjit për Sigurine në Komunikacionin Rrugor.

Juda Iskarioti në Jerusalem

0

Abdulla Thaci LDKAbdullah V. Thaçi

Në kohën kur në çarshi po bohet llafi e në gazeta po shkruhen fjalë se PDK po e humbë pushtetin ne “Jerusalem”, paralelë me këtë lexova edhe një shkrim që edhe Bujar Bukoshi po e përkrah LDK-në në zgjedhjet e sivjetme komunale dhe ato parlamentare. Nga asnjëri lajm nuk më erdhi çudi. Për të parin lajm u gëzova, e të dytin e injorova. Duke mos dashtë të merrem me individ, unë po merrem me vetën, me Prizrenin, shtëpinë time. Këtu pos tjerash kujtoje trishtimin, ku në 2007 erdhën pos tjerëve edhe derrat nga malet dhe rriqrat nga fusha për të na pushtuar Prizrenin dhe për ta shendrruar në një lloj Jerusalemi!

Kështu edhe ndodhi, ky pushtim u sforcua edhe më shumë në 2009. Prizreni në shtet rrethim, ku nga lartë kishte zbrit e tërë qeveria me në krye Hashim Thaçin e ku nga burgu ishin liruar në “pushim” edhe disa komandant kriminel, vetëm e vetëm për ta ruajt sundimin.

Si do koftë, në atë kohë secili bëri punën e vet, dhe LDK ishte e kalitur me kohe të punonte nën pushtim dhe sundim. Në momentin kur po intensifikohej fushata elektorale dhe kur shtabi elektoral i LDK-së po arrinte suksesin e pritur, në zyrat e Degës së LDK-së në Prizren na u shfaq “shpëtimtari” Bujar Bukoshi së bashku me “engjëllin” Dardan Gashi, kinse për të na ndihmuar!

Ata aty erdhën me një mision, të kundërtën me atë që ne e besonim, spiunimin dhe dëmtimin e strategjisë së shtabit të kandidatit LDK-së. Kështu edhe ndodhi, Hanefi Muharremi, kandidati i LDK-së edhe pse i fitojë zgjedhjet lokale në Prizren, ati çuditërisht ju mohua e drejta për ta jetësuar vullnetin e qytetareve, për të qenë kryetar!

Kjo falë kontributit nga “informatat e besueshme” dhe inskenimet e Juda Iskariotit me shokët e ti, të cilët Prizrenin e quan në trikotazh, mafisë i dhanë kohë për mobilizim, dhe kështu misioni i tyre u kompletua. U shty edhe për katër vjet lirimin i Jerusalemit .!

Misionarët e suksesshëm të dërguar në Jerusalem, nuk u ndalën me kaq, ata në dështim për ta marr kontrollin e plotë në LDK, themeluan edhe “lista” me emrin e Presidentit Rugova!

Euforia e tyre frazeologjike, se LDK e vërtetë e ka “selinë” në Velani, kurse ajo e Hashimit tek Qafa, për kohën e arriti një efekt afat shkurt. Edhe pse me pasoja, shpejtë ju doli e palara, e njohura nga Prizreni tani më u pa në tërë Kosovën.
Ku sot secili prej nesh e dimë, se çka ata morën në kundërvlerë për dëmin e shkaktuar në LDK. Ata u shpërblyen me pozita qeveritare, ku nga ajo kohë deri më sot kemi edhe avancimin e sojit të tyre me pozitat qeveritare!…

Duke mos dashtë të jem ligjërues i moralit për askënd, por duke ia kujtua secilit që është pjesë e lidershipit në LDK, se koha e eksperimenteve ka kulu moti. Unë as nuk po dua të besoje që e pranojnë një përkrahje nga njerëz të tillë. Sepse jo kot thuhet se ai që të shet një herë të shet përherë.

Prandaj, ky njeri dhe kjo “listë”, së bashku me një pjesë të atyre që janë të fshehur brenda strukturave duhet të mbahet përgjithmonë jashtë LDK-së. Sepse ata janë të kapur peng nga SHIK-u dhe dihet kujt i shërbejnë.

Një fakt është i pa mohueshëm, se justifikimet patriotike të mos veprimit konkret “për hir të proceseve”, apo se kjo apo ajo janë “rekomandime të ambasadave mike”, janë vërtetë përralla të konsumuara, ku moshën e të besuarit në baba dimër,si shumica e bashkë veprimtarëve të mi, e kam kaluar para fruthit dhe kollit të keq.

Nuk ka as një individ e leje më shtet mik që e ka ndihmuar Kosovën që mundet me thonë se Ju duhet të pranoni disfatën edhe nëse e keni fituar lojën! Unë po lutem dhe po dua të besojë, të paktën për herë të parë pas vdekjes së Presidentit Rugova, se lidershipi i Lidhjes Demokratike të Kosovës i ka të qarta tendencat e afrimit të misionarëve të tillë, të sojit të Juda Iskariotit bukoshian.
(Autori është anëtar i komisionit për Informim në Degën e LDK-së në Prizren. Qëndrimet në këtë artikull janë krejtësisht personale)

 

Ibish Ahmeti, kandidat i vetëm i Vetëvendosjes për kryetar të Suharekës

0

Vetevendosje, logoLëvizja Vetëvendosje! në Suharekë ka filluar sot procesin zgjedhor për kandidatin për kryetar të këtij qyteti.  Zgjedhjet kanë filluar në të gjitha degët dhe nëndegët e Vetëvendosjes në ora 10:00.

Kryetari i VV-së në Suharekë, Leonrad Shala tha se në garë për kryetar të Suharekës është vetëm dr. Ibish Ahmeti. “Dr. Ibish Ahmeti është kandidati i vetëm që po garon për kandidat për kryetar të Suharekës. Nëse ai i merr mbi 50 për qind të votave, Ahmeti do të jetë kandidat i Vetëvendosjes për kryetar të Suharekës”, tha Shala për “PrizrenPress”. Sipas tij, rezultati i procesit zgjedhor do të publikohet të martën./PrizrenPress.com/

 

 

Dega e LPK-së në Zvicër, kundër bashkimit me Vetëvendosjen?

0

LPK-njoftimi+Kryesia e Degës së LPK-së në Zvicër, duke analizuar vendimin e LPK-së për t’u bashkuar me Lëvizjen Vetëvendosje, ka sqaruar se Degët jashtë vendit, të këtij subjekti politik, janë kundër këtij bashkimi, pasi që konsiderojnë se nuk mund të veprojnë si një trup i vetëm. E në anën tjetër, përfaqësues të LPK-së, në Kosovë, të cilët kanë marrë pjesë në ceremoninë e deklarimit të bashkimit me lëvizjen Vetëvendosje, deklarojnë se komunikata kundërshtuese e këtij bashkimi, e dërguar nga Zvicra, është false pasi nuk dihet se kush në të vërtetë janë autorët e saj.

Kryetari i LPK-së, në Bernë të Zvicrës, Murat Bytyqi, ka njoftuar publikun përmes postës elektronike se vendimi i marr për bashkimin me Vetëvendosjen nuk përkon me interesat e anëtarësisë së gjerë të LPK-së, duke shtuar se për vendime të tilla duhet merret pëlqimi i të gjithëve.

“Jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me Vetëvendosjen dhe çdo subjekt që i plotëson kriteret programore, por në këtë rast nuk mund të veprojmë si një trup i vetëm, ngase jemi duke vazhduar të realizojmë programin mbarëkombëtar, sipas vendimeve të mbledhjeve të përgjithshme të LPK-së. Për çështje madhore duhet mbajtur kuvende dhe kongrese që të shfaqin pajtimin e tyre të gjithë anëtarët e lëvizjes sonë”, thuhet në e-mailin e dërguar nga Murat Bytyqi, nëpër adresat elektronike të disa redaksive, përfshirë edhe ato të Kosovapress-it.

Mirëpo, përfaqësuesi i Lëvizjes Popullore të Kosovës, Azem Zekaj, ka pohuar për Kosovapress se kjo deklaratë e lëshuar në emër të Murat Bytyqit, nuk përkon me personin në fjalë. Sipas tij, dikush ka manipuluar me emrin e ish kryetarit të LPK-së D.J.V, Murat Bytyqi.

Zekaj ka thënë se persona të paidentifikuar kanë thyer kodin e e-mailit të Murat Bytyqit dhe kanë shpërndarë atë komunikatë në emrin e tij. “Ish kryesia e Lëvizjes Popullore e Kosovës brenda vendit dhe ajo D.J.V. e dënon ashpër një manipulim të tillë me qëllim dëmtimin e bashkimit të Lëvizjes Popullore të Kosovës me Lëvizjen ‘Vetëvendosje’. Dyshimet e forta për këtë krim ndaj privatësisë se z. Bytyqi lindin sepse ajo komunikatë nuk përmban fakte të vërteta”, ka pohuar Zeka për Agjencinë e Lajmeve Kosovapress.

Kosovapress ka provuar të kontaktojë me Murat Bytyqin, në emër të së cilit është shpërndarë edhe komunikata, por një gjë e tillë ka qenë e pamundur.

Zeka i është drejtuar të gjithë atyre që, sipas tij, kanë për qëllim të destabilizojnë dhe përbaltin punën e aktivitetin e LPK-së dhe Lëvizjes VV, duke thënë se të dyja së bashku, kurrë nuk do heshtin së luftuari për ta bërë Kosovën dhe shqiptarinë zot në tokë të vet.

Ndryshe, më 23 korrik, Lëvizja Popullore e Kosovës i është bashkuar Lëvizjes Vetëvendosje. Të dy subjektet kishin shprehur bindjen se vetëm të bashkuara, në zgjedhjet e ardhshme do të ndryshojnë rrjedhën politike, ekonomike e shoqërore në vend.

Basha: Dorëheqjet nuk e dëmtojnë Partinë Konservatore

0

Munir Basha, PKKryetari i Partisë Konservatore të Kosovës (PK) Munir Basha nuk ka marrë zyrtarisht dorëheqjen e gjashtë anëtarëve të Kryesisë të këtij subjekti politik.

Ai tha se lajmin për dorëheqjen e tyre e ka marrë nga mediat dhe postimi i vetë anëtarëve në Facebook. “Ne nuk kemi marre zyrtarisht asnjë kërkesë për dorëheqje. Atë e kam parë në ‘PrizrenPress’ dhe në faqen personale në Facebook-u të anëtarit Taner Kotles”, tregon Basha.

Taner Kotel, Merit Ashikferrki, Nurja Qyrt, Sebel Shole dhe Diner Derver, kanë dhënë dorëheqje nga Partia Konservatore. Ata dorëheqjen e tyre e kanë bërë publike në formë të shkruar edhe në rrjetet sociale.

Partia Konservatore është formuar pas përplasjeve dhe largimit të disa anëtarëve nga Partia e Drejtësisë. Ky subjekt politik për herë të parë ka planifikuar të garojë në zgjedhjet lokale në Prizren. Deri më tash ka arritur të formojë disa degë dhe nëndegë në Prizren.Në kohën e përgatitjes për zgjedhjet e nëntorit, Partia Konservatore, ka filluar të përballet me dorëheqjet e para.

Kryetari i PK-së, Munir Basha tha se pavarësisht dorëheqjes së gjashtë anëtarëve të Kryesisë, PK-ja do të vazhdojë rrugën e vet politike. “Dorëheqja e tyre është e natyrës personale. Ne e respektojmë vendimin e tyre. Këto dorëheqje konsideroj se nuk do të dëmtojnë imazhin e PK-se, edhe pse do të dëshironim që ata të vazhdojnë të jenë pjesë rrugëtimit tonë të filluar në nëntor të vitit të kaluar. Sidoqoftë, unë i falënderoj ata, e në veçanti z.Taner Kotle për kontributin e dhënë, sidomos në fazën e formimit dhe strukturimit tone si parti”, tha Basha.

Sipas tij, arsyet e dorëheqjes janë ideologjike. “Arsyet thonë se janë të natyrës ideologjike. Pra, mendojnë se me aktivizimin e tyre në PK nuk mund t’i shërbejnë kauzës nacionale turke. Ne ua kemi sqaruar se nuk jemi parti turke, edhe pse jemi të hapur për të gjithë qytetarët e Kosovës”, tha Basha për “PrizrenPress”.

Ai tregon se pjesë e PK-së vazhdojnë të jenë edhe një grup aktivistësh turk. “Në Kryesi kemi edhe një anëtar të nacionalitetit boshnjak”, shprehet ai.

Burimet e “PrizrenPress-it” , ndërkaq bëjnë të ditur se disa anëtarë që kanë dhënë dorëheqje nga Kryesia e PK-së, janë të interesuar të kalojnë te Bashkimi Demokratik i Zafir Berishës. “Ata janë të interesuar që t’i bashkëngjiten Zafir Berishës”. /PrizrenPress.com/

Shtohet fluksi në kufirin e Vërmicës

0

Kufiri ne vermicNë gjashtë mujorin e parë të këtij viti është shtuar numri i hyrje daljeve në kufirin e Vërmicës, krahasuar me një vit më parë. Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani tha se këtyre ditëve të verës kur temperaturat po shënojnë rritje po vërehet fluks më i madh në këtë pikë kufitare, por falë masave që i ka ndërmarrë policia nuk po krijohet ndonjë tollovi.

Në periudhën janar – qershor sivjet përmes pikë kalimit kufitarë të Vërmicës kanë hyrë dhe dalë 967mijë e 768 perona, kurse në periudhën e njëjtë kohore të vitit të shkuar totali ka qenë 873 mijë e 350. Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani i cili dha këto statistika i tha Radio Kosovës se numri më i madh është regjistruar në hyrje.

”554 mijë e 696 persona kanë hyrë, kurse 413 mijë e 72 persona kanë dalë nga kjo pikë në këtë gjashtë mujor, përderisa vitin e shkuar në po të njëjtën periudhë kanë hyrë 456 mijë e 616 persona e në dale 461 mijë e 734”, tha Kelani.

E vapa e madhe e këtyre ditëve ka shtuar fluksin në Vërmicë për dallim nga muaji i shkuar kur ishte shënuar një rënie e madhe e numrit të udhëtarëve. Kelani thotë se policia kufitare i ka marrë më kohë të gjitha masat dhe po e përballon fluksin pa ndonjë problem.

Qytetarët të cilët hyjnë dhe dalin përmes kufirit të Vërmicës, pikë që e lidh Kosovën dhe Shqipërinë shprehën të kënaqur me procedurat, ndërsa thonë që pritjet të jenë disa minutëshe.

Autoritetet e larta policore në kufirin e Vërmicës thonë se autostrada i ka mënjanuar bukur shumë tollovitë e shkaktuara në këtë pikë gjatë verës nga radhët e gjata të automjeteve që viteve të shkuara ishin disa kilometërshe.

Monumentet në kryeqytet, të lëna pasdore

0

ZahirPajaziti-bustiPërkujdesja e Komunës ndaj përmendoreve apo shtatoreve të personaliteteve historike, si Skënderbeu, Nëna Terezë, apo edhe Zahir Pajaziti, të cilat janë të vendosura në Sheshin qendror të kryeqytetit apo edhe ato në pjesë të tjera, lë shumë për të dëshiruar. Në këtë kohë kur fluksi i qytetarëve dhe i turistëve, sidomos bashkatdhetarëve, është duke u shtuar, një nga vendet atraktive për t’u vizituar dhe për të marrë kujtime nga kryeqyteti janë përmendoret e heronjve, të cilat, në të shumtën e rasteve, janë të përfshira nga pluhuri me njolla të ndryshme nga jashtëqitja e zogjve, apo edhe ambiente të parregulluara përreth tyre.

Madje, shpeshherë, janë vetë ata që dëshirojnë të marrin foto para këtyre përmendoreve që pastrojnë hapësirat përreth apo edhe rregullojnë kurorat afër tyre para se ta shkrepin aparatin. Përveç kësaj, një e metë tjetër e këtyre përmendoreve është se ato janë të vendosura në hapësira aspak të përshtatshme.

Kështu mendojnë përfaqësues të opozitës në kryeqytet. Sipas tyre, përveç pastrimit, i cili nuk bëhet si duhet, monumentet aktuale janë mjaft të varfra në aspektin artistik dhe aspak bashkëkohore. Ndërsa zyrtarë komunalë kanë thënë për “Kosova Sot”, se mirëmbajtja dhe kujdesi komunal për shtatore dhe përmendoret në kryeqytet është në nivel të kënaqshëm dhe bëhet sipas një plani të bërë nga Drejtoria e Shërbimeve Publike.

Mungon mirëmbajtja e duhur
Lirak Çelaj, që drejton Kabinetin e Qeverisjes së Mirë për Prishtinën, në një prononcim për “Kosova Sot”, ka thënë se Komuna nuk është duke bërë mirëmbajtjen e shtatoreve si do të duhej. Sipas tij, ato janë një pikë mjaft e rëndësishme reference jo vetëm për qytetarët kryeqytetas, por edhe për turistët dhe sidomos bashkatdhetarët. “Mirëmbajtja nuk është duke u bërë në nivelin që duhet dhe nuk kam vërejtur se ato janë duke u pastruar si duhet”, ka pohuar Çelaj.

Por, sipas tij, shumë më brengosëse është përkushtimi i Komunës ndaj shtatoreve të heronjve të vendosur në hapësirat e kryeqytetit. Përveç kualitetit dhe nivelit artistik që nuk është si do të duhej të ishte, për Çelajn mjaft e gabuar është edhe vendosja e tyre, sidomos e shtatoreve që janë të vendosura në Sheshin “Nëna Terezë”. “E gabuar është mënyra se si janë vendosur ato përmendore në kryeqytet. Përmendorja e “Nëna Terezës”, ajo e Zahir Pajazitit, por edhe e Skënderbeut janë futur në skuta. Ato do të duhej të ishin më në qendër”, ka thënë ai, duke shtuar se edhe përzgjedhja e shumicës së modeleve të këtyre shtatoreve që janë të vendosura në hapësirat e kryeqytetit është dashur të ishin më të mira. Çelaj ka thënë se përmendoret janë pikë e rëndësishme reference, andaj ato do të duhej të ishin më të rregulluara, të mbajtura pastër dhe të vendoseshin në një vend më të përshtatshëm, në qendër të sheshit, dhe siç ka thënë ai, Komuna është dashur që me kohë ta bëjë përzgjedhjen sa më bashkëkohore të tyre.

“Shumica e monumenteve tona u ngjasojnë atyre surrealiste, të një periudhe të tejkaluar dhe nuk janë aspak bashkëkohore, janë të thjeshta dhe më shumë u ngjasojnë atyre të varrezave”, ka thënë Çelaj, duke shtuar se ato janë bërë ad hok, pa ndonjë vëmendje të veçantë dhe në shumicën e rasteve, pa ndonjë kriter.

Komunarët, pastrimi sipas orarit
Njëjtë është shprehur edhe Arbënor Dehari, sekretar i Qendrës së “Vetëvendosjes” për Prishtinë. Sipas tij, përmendoret në kryeqytet nuk janë duke u mirëmbajtur si duhet dhe janë të lëna pasdore. “Ky moskujdes ndaj shtatoreve të heronjve është një mosrespekt ndaj vetë figurës së tyre dhe kontribut të tyre”, ka thënë Dehari për “Kosova Sot”. Po sipas tij, edhe vendosja në hapësira e kryeqytetit është e gabuar dhe është bërë pa pasur konsultime serioze me ekspertë të fushës.

Ndërsa zyrtarë nga Komuna e Prishtinës janë shprehur se çdo gjë është në rregull dhe mirëmbajtja e shtatoreve kryhet sipas një orari të paraparë nga organet komunale. Burbuqe Thaçi, përgjegjëse për protokoll nga kabineti i kryetarit të Komunës së Prishtinës, Isa Mustafa, në një prononcim për “Kosova Sot”, është shprehur se në kuadër të projektit për mirëmbajtjen e përmendoreve, krojeve dhe fontanave në kryeqytet bëhet mirëmbajtja dhe pastrimi i tyre, sipas orarit që është caktuar nga Drejtoria e Shërbimeve Publike. “Mirëmbajtja bëhet edhe përreth tyre, ndërkohë persona të papërgjegjshëm mund të hedhin mbeturina, por që ato në momentin qe vërehen edhe largohen”, ka thënë Thaçi.

“Miliarderët” e varfër të Veton Surroit

0

Veton-SurroitAg Apolloni

Romani “Miliarderi” i Veton Surroit, me natyralitetin e tij dhe me gjerësinë tematike, është histori që fatkeqësisht e kemi jetuar të gjithë, por që rastësisht e ka shkruar vetëm njëri e që, fatmirësisht, mund ta lexojmë të gjithë. Në të autori ka akorduar “storjen” e tij me “historinë” tonë, prandaj suksesi i tij dhe interesimi ynë për rrëfime të tilla dita-ditës mund të rriten
Edhe pse gjithmonë është vështirë të vihen kufij kohorë në rrjedhën historike të letërsisë, në debatet letrare aktuale dominon mendimi se letërsia e shekullit të ri përfundimisht e ka forcuar relacionin me jetën duke kaluar shpesh në diskurs dokumentar, aq sa tani vihen pikëpyetje rreth distinksionit fiksionalitet-dokumentaritet, jo në kurriz të letërsisë, por në kurriz të dokumentit, i cili, tek e fundit, është gjithashtu shkrim, anipse me pretendime më të mëdha besueshmërie. Si fill i këtyre debateve, ka shërbyer desakralizimi zhanror i librave të këtij shekulli, lufta që i shpalli postmodernizmi teorisë së zhanreve dhe provokimi që bëri në shekullin e kaluar Akademia Suedeze kur ua dha çmimin Nobel për letërsi filozofit Bertrand Rusell “për mbrojtjen e idealeve humaniste dhe për mbrojtjen e mendimit të lirë” dhe liderit politik Winston Churchill për përshkrimet historike, biografike dhe për ligjëratat oratorike, pra për letërsinë dokumentare. Sot biografitë, ditarët, esetë, itineraret dhe memoaret janë pjesë e domenit të letërsisë, së cilës ia kanë luajtur kufijtë, jo për ta ngushtuar, por për ta zgjeruar.

Letërsia shqipe pak ka përfituar nga debatet e tilla dhe dëshmi e kësaj është produkti letrar i viteve të fundit. Kjo letërsi ende maskohet me figura stilistike stereotipe si pasojë e drojës nga natyraliteti narrativ. Shkurt: këtu proza ende ka frikë nga prozaikja.

Një roman që nuk e ka këtë frikë është “Miliarderi” i Veton Surroit. Edhe pse është romani i parë i tij, ky nuk është roman i një fillestari në fushën e letrave. Autori, i diplomuar për Filozofi dhe Letërsi në Universitetin e Mexico City-t, përkthyes i veprës së Gabriel Garcia Marquez-it, në kolumnet e tij socio-kulturore shpesh ka sjellë informacione mbi debate e vepra të mëdha që për lexuesit shqiptarë, përfshirë dhe profesorët e letërsisë, kanë qenë të panjohura. Prandaj, “Miliarderi” nuk është hapi i parë i tij në letërsi, por është hap i madh dhe i sigurt, hap i njeriut të letrave që, më në fund, vendos të bëhet letrar. Tashmë autori nuk mjaftohet me lojën oratorike, por i përvishet lojës stilistike, duke krijuar struktura narrative që janë të hapura ndaj të kaluarës (si temë), ndaj të tashmes (si teknikë) dhe ndaj të ardhmes (si ide). Strukturimi i romanit “Miliarderi” sipas modeleve aktuale të letërsisë anglo-amerikane e rikthen bindshëm ankthin e së kaluarës në të sotmen dhe e aprovon kështu sloganin postmodern: historia flet tash.

Loja me titull

Titulli i veprës zakonisht mundohet të përmbledhë përmbajtjen, ose ta shënjojë thelbësoren e veprës. Historia njeh katër kategori të mëdha titujsh: tituj eponimikë, tituj tematikë, tituj shkencorë dhe tituj mashtrues. Në kategorinë e parë hyjnë veprat që me titull shënjojnë heroin (“Ana Karenina”, “Tonio Kroeger”, “Dr. Zhivago” etj.), në kategorinë e dytë – veprat që afishojnë temën në titull (“Lufta dhe paqja”, “Të mjerët”, “Komploti kundër Amerikës” etj.), në kategorinë e tretë – veprat që kanë tituj shkencorë (p.sh., romani “Afritë përzgjedhëse” i Goethes që huazon titullin nga kimia dhe romani “Procesi” i Kafkës që huazon titullin nga jurisprudenca), ndërsa në kategorinë e katërt hyjnë veprat që mashtrojnë, ose hutojnë me tituj (“Idioti” i Dostojevskit, “Ujku i stepës” i Hesses, “Tuneli” i Sabatos, “Emri i trëndafilit” i Ecos etj.).

Një titull që huton lexuesin është edhe “Miliarderi” (2013). Ai duket sikur është titull joletrar, “ekonomik”, por gjatë leximit të librit kuptohet që ai është letrar, madje ironik. Titulli shënjon përmbajtjen që flet për efektet e inflacionit në periudhën e pushtimit, që ishte periudhë e zhvleftësimit të parasë dhe të njeriut. Njerëzit janë miliarderë, por miliardave u ka humbur vlera dhe ata e kanë të vështirë, në mos të pamundur, të blejnë një këmishë, apo një saksi lulesh, apo gjëra elementare për jetesë. Paradoksalisht, ata janë miliarderë të varfër, sepse Liria (si personazh dhe si koncept) vritet, kurse robëria shëtit anembanë vendit. Këtu nuk është Troja, e megjithatë një Hektor torturohet dhe lihet në rrugë pa ndjenja.

Por, romani “Miliarderi” nuk ka vetëm një ose dy tema. Ai ka një spektër tematik brenda të cilit trajtohen: dëbimi nga puna, dhuna, protesta, patriotizmi, pseudopatriotizmi, kolaboracionizmi, seksi, mërgimi etj. Krejt në fund të romanit për absurditetin e jetës në Kosovë, shfaqen kryetemat e letërsisë së absurdit: përhumbja dhe pritja. Dhe këto kryetema vendosen në toposin e letërsisë absurde: në stacion të trenit. Ky invencion artistik për ta përmbyllur rrëfimin në toposin e duhur me tema të duhura për personazhet e përhumbur që presin vdekjen ose lirinë, nuk dëshmon vetëm kreativitet, por edhe kulturë të madhe të leximit e, rrjedhimisht, njohje të thellë të letërsisë.

“Miliarderi” është letërsi urbane e cila trajton temën nacionale, por të artikuluar si temë personale e gërshetuar me socialen. Nuk ndiqet një linjë kronologjike, por paraqiten inserte okazionale, ashtu si i kujtohen narratorit, nga periudha e pushtimit. Akumulohen fakte dhe situata, të cilat nëpërmjet shkathtësisë së shenjëzimit, montohen brenda diskursit narrativ për të dhënë pamjen e një ankthi kolektiv të filtruar nëpërmjet filtrave subjektivë të narratorit, i cili në këtë roman, i përket kategorisë “homodiegjetike” (Genette), që do të thotë se rrëfen për ngjarje në të cilat vetë është i implikuar.

Për nga njohja e realitetit dhe vetëdija letrare, narratori në këtë roman është thjesht një alter ego e autorit, kurse për nga biografia janë dy botë paralele, ku bota letrare huazon jetën reale, varësisht nga nevoja e narratorit, apo nga dëshira e autorit. Po ashtu, disa personazhe të tjera (kryetari, boksieri etj.) që janë lehtë të identifikueshëm në jetën reale, e forcojnë lidhjen e tekstit me referencën, e cila, ashtu si edhe romani, ka qenë e mbushur me provokime, kërcënime, rrahje, plagosje, vrasje dhe vetëvrasje. Mirëpo, sado që teksti flet për një kontekst të egër të cilin e kanë jetuar narratori, autori dhe lexuesit, tonaliteti diskursiv ruan shkallën e neutralitetit, çka flet për një kontroll të plotë racional mbi botën emocionale të universit narrativ.

“Miliarderi” ndonëse ngrihet mbi një kontekst real të kolektivitetit, po të përdornim termat e Ecos, nuk bie në kurthin e “definitivitetit”, por mbyllet me “aperativitet”, që do të thotë se preferon mbyllje “të hapur”, mbyllje që lë mundësi të pashtershme interpretuese, pra e bën rrëfimin sugjerues, jo konkludues, jo ideologjik, qoftë edhe kur flet për ideologjinë.

Loja me histori

Një nga parimet kryesore të letërsisë postmoderne, sipas Linda Hutcheon, është argëtimi me të kaluarën (“The Pastime of Past time”). Një lojë të tillë e gjejmë edhe te romani i Veton Surroit, përkatësisht në shtatë nivelet e humorit të tij: sarkazmi, satira, farsa, grotesku, parodia, burleska dhe ironia, të cilat i shtojnë sharmin romanit dhe dëshmojnë për finesë në artikulim, ngaqë humori, e sidomos disa tipa të tij, shpalosin zgjuarsi të autorit dhe fodullëk të personazheve.

“Miliarderi” disa herë imponon të qeshurën nëpërmjet formulimeve sarkastike, si: “Kushëriri i Lulit qe i njohur në atë anë, si palosës i duarve për paqe të përjetshme. Dhe si i vetmi i agjencisë funerare që i merrte, pa bezdi të gjitha rrobat e të ndjerëve. Në agjenci u bë i njohur për pedanterinë e tij edhe te furra e krematoriumit”, apo “E quajti kafiterinë ‘Ron’. Kur e regjistroi dyqanin në komunë i thanë se tash nuk lejohej të viheshin emrat amerikanë në lokale publike, e ky u përgjigj qetazi, dhe me suksesin e garantuar nga një bankënotë njëzetmarkëshe lënë në sportel, se emri ‘Ron’ është shkurt prej Biberon”. Po ashtu, humorin shpesh e ngre në shkallë satire, duke tallur dhe thumbuar. Një i papunë mendon të hapë një biznes profitabil, por nuk di çfarë mund të jetë ai dhe nis e mendon derisa e gjen zgjidhjen: “Ne prodhojmë njerëz, na shpjegoi. Është e vetmja gjë që prodhojmë.

Kemi aq sa disa t’i çojmë në varreza, disa në mërgim dhe prapë saldoja jonë mbetet pozitive”, kështu që vendos të importojë biberonë. Dhe kur i vjen një ofertë e volitshme për t’u marrë me kondoma, refuzon, sepse kjo “ia prishte logjikën elementare të biznesit, të kapacitetit të vendit tonë për të prodhuar njerëz”. Fillimi i romanit nis si farsë, kur të përjashtuarit nga puna shkojnë në kafeteri “për ta festuar” daljen nga puna: “I rreshtuar për të dalë jashtë sallës, e mora sikur edhe kolegët e mi vendimin për përjashtim nga puna. E mbaja në duar, sikur edhe të tjerët, një copë e theksuar krenarie, ndërsa u nisëm rresht në kafehane, të festonim tok”. Grotesku shfaqet herë pas here për të treguar ankthin e personazheve. Një shembull i groteskut është ai kur narratori sheh një mur të vjetër që po e rrënojnë dhe shikon mos po ia sheh veshët, duke dhënë kështu një shembull grotesku si lojë me idiomën “muret kanë vesh”. Kjo tregon frikën nga spiunimi, pra bëhet shenjë e frikës intelektuale dhe e rënies morale, kurse futja e parave në qese bërlloku tregon rënien e vlerës monetare. Po ashtu, parodia shtrihet gjithandej në tekst, pasi në një kohë ankthi dhe rreziku të përgjithshëm, shqiptarët në vend të lajmeve, shikojnë filmat e përnatshëm pornografikë, kurse kampioni i boksit bie shkallë-shkallë nga maja e suksesit: “Në fillim thoshin se është trim, se luftonte pa shikuar se kush është kundërshtari. Me kohë, se është teknik i mirë, se dinte ku duhej vendosur goditjet, se si do të mbrohet. Më vonë se është i mençur, se kur e shihte se kundërshtari është shumë më i fortë, e sillte veten në kock-down, shenjë për referat dhe publikun se ajo betejë mbaroi”. Po ashtu, një sasi e madhe e rrëfimit artikulohet si burleskë më një figurë patriotike, i cili, i mësuar të rrijë vetëm në burg, nuk di çfarë të bëjë në dhomë me prostitutën. Kështu, burleska vë patriotizmin përballë prostitutës, për të përplasur lirinë e munguar me lirinë e tepruar dhe për të sinjifikuar se dikush nuk e gjen veten në asnjërën. Ndërsa, figura më e përdorur është ajo e ironisë si figurë dominuese e letërsisë postmoderne.

Ajo nuk i kontribuon paraqitjes pikturale, sepse janë grotesku e farsa që mbulojnë planin imazhist të rrëfimit, mirëpo nëpërmjet ironisë krijohet, siç thotë Octavio Paz, “parafytyrimi mbi kompleksin intelektual dhe emocional në një moment të caktuar”. Në thumb të ironisë gjenden: pushtuesi (torturuesi), nëpërmjet fjalisë që paraqet pasojën (“ndreqësi i eshtrave quhet personi që vë në vend eshtrat të cilat dalin nga vendi nga marrja në pyetje”); i pushtuari (profesori shet banane, Arbër Hasin e rrahin policët dhe e detyrojnë të këndojë) dhe kolaboracionistët, për të cilët në vend se të thuhet “janë spiunë me traditë”, thuhet në mënyrë ironike: “janë tradicionalisht mbledhës gojëdhënash”. Ironia me spiunët shkon deri atje sa të paraqiten si njerëz që s’duan të vdesin, sepse të vdekur s’mund të mbledhin “gojëdhëna”, apo si njerëz që jepen me mish e me shpirt pas “profesionit” të tyre: “Kur ndodhin shumë gjëra, i biri i Hamdi Leqit nuk pshurr; gjërat që ndodhin nuk lejojnë që të humbet koha me bjerrje anësore”. Shembuj të ironisë, ashtu si edhe të tipave dhe niveleve të humorit, mund të gjenden me shumicë në këtë roman, por ajo që është me rëndësi të konstatohet është aftësia për të operuar me nuanca humori në situata të rënda dhe për të krijuar kështu një roman tragjikomik, një roman ku pavarësisht elementeve të shumta komike, tragjikja e thotë fjalën e fundit.

Romani “Miliarderi” i Veton Surroit dallohet për risinë tematike, për akrobacionet stilistike, për natyralitetin e përshkrimit të situatave politike dhe erotike, si dhe për krijimin e një bote sa absurde, aq edhe drithëruese.

“Miliarderi” është shkruar me përvojë jetësore, me dije letrare, me vetëdije eksperimentale dhe me shije estetike. Si i tillë, botimi i tij është një lajm i mirë për letërsinë shqipe./mapo/

 

E panevojshme të rishkruhet kushtetutë e re

0

korab_sejdiuAvokati Korab Sejdiu ka thënë se Kushtetuta e Republikës së Kosovës duhet t’u përshtatet rrethanave politike dhe shoqërore. Ai ka thënë  se kjo Kushtetutë duhet t’i nënshtrohet testit të kohës ashtu siç u nënshtrohen të gjitha kushtetutat e vendeve të ndryshme të botës. “Deri më tani janë bërë disa ndryshime dhe disa tentativa për ta ndryshuar Kushtetutën, sidomos në pjesën që ka të bëjë me presidentin. Ndryshimet janë të natyrshme.

Si çdo dokument tjetër juridik kur vjen koha e zbatimit, vrojtohen mangësitë e atij dokumenti. Nëse vjen koha dhe e shohim se gjithë Kushtetuta nuk është në rregull atëherë ekziston mundësia që, sipas vullnetit të qytetarëve të Kosovës, i cili shprehet nëpërmjet deputetëve, të fillojë ndryshimi i tërësishëm i këtij dokumenti juridik dhe politik”, ka deklaruar Sejdiu. Në këtë kontekst, Sejdiu ka vlerësuar se nuk është e nevojshme të rishkruhet një kushtetutë e re për Kosovën. “Njëherë përnjëherë nuk besoj se do të ketë nevojë apo vullnet të rishkruhet një kushtetutë e re për Kosovën.

Nuk e shoh të nevojshme. Për një kohë të gjatë, varësisht nga problemet që na rrjedhin nga përditshmëria në Kosovë, do të ballafaqohemi ta bëjmë amendamentimin e Kushtetutës”, është shprehur Sejdiu, duke kërkuar nga përfaqësuesit e partive ta bëjnë amendamentimin e Kushtetutës lidhur me zgjedhjen e presidentit në mënyrë të drejtpërdrejtë nga qytetarët e Kosovës. “Kushtetuta duhet të ndryshohet në mënyrë që presidenti të zgjidhet drejtpërdrejt nga populli. Siç e dini, presidenti me Kushtetutë ka rol unifikues. Në këtë rast presidenti nuk duhet të jetë peng i koalicioneve të cilat bëhen në kuadër të formimit të Qeverisë”, ka thënë Sejdiu në një intervistë për Epokën e re.

Fati i Ligji për Amnistinë varet nga Kushtetuesja

Eksperti i së Drejtës kushtetuese, avokati Korab Sejdiu, duke iu referuar deponimit të kërkesës në Gjykatën Kushtetuese për vlerësimin e kushtetutshmërisë të Ligjit për Amnistinë dhe atij për Buxhetin e shtetit nga Lëvizja Vetëvendosje!, ka thënë se veprimet e tilla dëshmojnë se deputetët dhe qytetarët kanë filluar të vetëdijesohen në raport me përdorimin e mekanizmave juridikë siç është në këtë rast Kushtetuesja. “Kjo është një dukuri plotësisht normale dhe demokratike, pasi ekzistojnë mekanizma të cilët e kontrollojnë sistemin juridik në Kosovë, përfshirë Kushtetutën dhe ligjet që miratohen. Kërkesat për vlerësimin e kushtetutshmërisë në disa raste mund t’i pezullojnë ligjet, por aspekti pozitiv i terë kësaj është se qytetarët dhe deputetët kanë filluar të vetëdijesohen në raport me ekzistimin e mekanizmave juridikë siç është Gjykata Kushtetuese”, ka deklaruar avokati Sejdiu, duke shtuar se kërkesat për interpretimet e ligjeve në Kushtetuese mund të shkaktojnë probleme afatshkurtra.

Sipas Sejdiut, Ligji për Amnistinë i cili gjendet në Gjykatën Kushtetuese nuk mund të hyjë në fuqi deri në çastin kur Kushtetuesja jep vlerësim në favor të këtij ligji. “Mënyra se si është sfiduar nga deputetët Ligji për Amnistinë dhe ai për Buxhet, e obligon Gjykatën Kushtetuese të marrë vendim brenda 60 ditëve nga data e dorëzimit të kërkesës për vlerësimin e kushtetutshmërisë të cilido ligj.

Ky afat kohor buron nga Ligji për Gjykatën Kushtetuese. Në këtë kontekst, Kushtetuesja mund të veprojë në ditën e parë ose në ditën e 60, varësisht prej analizës që duhet t’i jepet ligjit në fjalë. Deri-diku është e qartë se ligji nuk mund të hyjë në fuqi dhe nuk mund të shpallet nga presidentja deri në çastin kur jepet vlerësimi i Gjykatës Kushtetuese, i cili pastaj bëhet pjesë e dekretit të presidentes me të cilin ajo e shpall ligjin”, ka theksuar Sejdiu, i cili nuk ka dashur të flasë se a ka kapacitete Gjykata Kushtetuese t’i trajtojë me efikasitet të gjitha lëndët që shkojnë në adresë të saj. “Më mirë për këtë çështje do të fliste sekretarja e përgjithshme e kësaj gjykate.

Besoj se një numër i madh i kërkesave që përfundojnë në Kushtetuese janë të drejtuara në adresë të gabuar. Por, në bazë të kësaj Gjykata Kushtetuese e ka lehtë t’i refuzojë kërkesat që vijnë në adresë të saj për shkak të proceduarave. Ju e di se kjo gjykatë shpeshherë merr vendime duke thënë se kjo apo ajo kërkesë hedhet poshtë si e papranueshme”, është shprehur Sejdiu. Pavarësisht kësaj, Sejdiu ka thënë se që nga themelimi Kushtetuesja disa herë nuk ka vepruar si duhet. “Gjykata Kushtetuese është institucion i ri, siç është edhe Republika e Kosovës. Kjo gjykatë nuk është e izoluar nga ambienti i Kosovës e as imune ndaj dukurive pozitive apo negative që ekzistojnë në shoqërinë kosovare. Nuk jam i thirrur ta vlerësoj punën e kësaj gjykate mirëpo, sipas mendimit tim, ka pasur raste kur Gjykata Kushtetuese ka mundur të veprojë më mirë. Por, ka edhe shumë raste kur kjo gjykatë ka vepruar si duhet.

Gjykata Kushtetuese është në rrugë të drejtë aq sa është Kosova në rrugë të drejtë”, ka thënë Sejdiu. Ai ka thënë se Kosova si shtet i ri nuk ka jurispodencë të mjaftueshme as në aspektin kushtetues dhe as në aspektin juridik. “Kështu që, nëpërmjet përdorimit të këtyre mekanizmave juridikë dhe aktgjykimeve që merren në Gjykatën Kushtetuese, ne duhet të ndërtojmë një jurispodencë më të bujshme mbi të cilën mund të vendosim dhe veprojmë në të ardhmen”, ka thënë Sejdiu.