16.9 C
Prizren
E martë, 28 Prill, 2026
Home Blog Page 8883

Pa koalicione s’ka funksionim të komunave

0

Prizren-Asambleja komunaleEkspertët e pushtetit lokal e kanë vlerësuar të domosdoshme arritjen e koalicioneve për funksionimin e asambleve komunale gjatë mandatit të ardhshëm katërvjeçar.

Eksperti i pushtetit lokal, Besnik Tahiri, ka thënë të martën për “Epokën e re” se në shumicën e komunave të Republikës së Kosovës është e domosdoshme bashkëqeverisja. “Në vlerësimin e parë në shumicën e komunave do të duhej të kishte bashkëqeverisje në mënyrë që kryetari ta ketë miratimin e asamblesë, apo së paku të shumicës së thjeshtë, ndërsa për ata kryetarë të cilët duan ta ndryshojnë statutin, respektivisht të shtojnë apo t’i zvogëlojnë numrin e departamenteve, do të duhej 2/3 e asamblesë”, ka thënë Tahiri. Në këtë kontekst, ai ka theksuar se deri më tani është treguar se komunat ku ka pasur koalicione kanë funksionuar më mirë. “Qeverisjet në koalicione të përbashkëta në pushtetin lokal zakonisht kanë funksionuar më mirë për shkak se ka pasur një kontroll dhe një balancë në mes të partive. Aty ku ka qenë një parti shumë e fuqishme, realisht partia dhe kryetari i degës e kanë përcaktuar goxha shumë politikën e kryetarit”, ka thënë Tahiri.

Ai ka vlerësuar se mospërfillja e asamblesë komunale nga ana e kryetarit është qeverisje gjysmake. Po ashtu, Tahiri ka thënë se pambështetjen e shumicës së asamblistëve asnjë kryetar komune nuk do të mund ta çojë përpara agjendën zhvillimore. “Nëse një kryetar mendon se mund ta shtyjë agjendën zhvillimore pa miratimin e asamblesë, atëherë ai ose ajo do ta ketë të pamundshme. Kështu që, roli i asamblesë komunale është i pashmangshëm. Prandaj, kryetarët duhet t’i ikin dorës dominuese në mënyrë që të jenë përfaqësues. Për të qenë përfaqësues duhet më pas edhe asamblenë me vete. Mospërfillja e asamblesë është gabim”, ka thënë Tahiri, duke e përmendur me këtë rast problemin e komunës së Prizrenit. “Kemi rastin e kryetarit të Prizrenit, i cili është duke u ballafaquar me gjykatë për shkak se nuk e ka përfillur asamblenë. Pa përfillje të asamblesë qeverisja është gjysmake. Roli i asamblesë është tepër i rëndësishëm në demokraci. Në këtë rast një kryetar nëse nuk bën koalicion nuk mund ta marrë fuqinë e asamblesë”, ka deklaruar Tahiri.

Edhe njohësi i këtyre proceseve nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), Driton Selmanaj, ka thënë se koalicionet janë të domosdoshme për qeverisjen në nivelin lokal. “Pushteti në demokraci nuk mund të funksionojë ndryshe, përpos parimit të shumicës. Kështu që, edhe në nivel lokal, por edhe në nivel qendror duhet shumica për të marrë vendime, së paku shumica e thjeshtë do të duhej të jetë e domosdoshme. Prandaj, në nivel lokal në të gjitha ato komuna ku nuk kanë arritur të marrin numër të mjaftueshëm të asamblistëve, koalicionet janë të domosdoshme për të marrë vendime”, ka thënë Selmanaj për “Epokën e re”.

Ai ka vlerësuar se për funksionimin e komunave duhet të ketë koalicione zyrtare ose jozyrtare. “Nëse koalicionet zyrtare nuk arrihen atëherë duhet një koalicion i brendshëm me marrëveshje. Në të kundërtën, nuk mund të merren vendime qoftë për miratimin e buxhetit apo edhe vendime për çështje të tjera. Në këtë rast koalicionet zyrtare ose jozyrtare janë të domosdoshme në mënyrë që të ketë funksionalitet të plotë të asamblesë komunale”, ka deklaruar Selmanaj. Në të kundërtën, sipas tij, ka rrezik që pas një periudhe të shkohet në zgjedhje të parakohshme për asamble komunale. “Nëse nuk arrihet të miratohen dokumente të rëndësishme siç është buxheti mund të shkohet tek shpërndarja e asamblesë dhe në zgjedhje të parakohshme për asamble. Prandaj, mendoj se koalicionet janë të domosdoshme, qofshin koalicione zyrtare ose jozyrtare”, ka theksuar Selmanaj.

Ai i ka quajtur të hershme deklaratat e kryetarit të sapozgjedhur të Prishtinës, Shpend Ahmeti, i cili ka thënë se nuk do të bëjë koalicion me asnjë parti. “Deklaratat e tij janë jashtëzakonisht të hershme, sepse kur fillon të ballafaqohet me problemet reale që i ka komuna dhe që mund t’i ketë në procesin e vendimmarrjes, atëherë do ta shohë se realiteti është ndryshe. Prandaj, kemi deklarata të tilla, të cilat i ngjajnë më shumë euforisë së rezultateve sesa udhëheqjes reale me të cilën do të ballafaqohen në të ardhmen brenda komunës”, ka deklaruar Selmanaj.

Bonino: Do të shqyrtojmë dërgimin e trupave shtesë për KFOR-in

0

Ema Bonino-ministria italianeMinistrja e Jashtme e Italisë, Ema Bonino tha se qeveria italiane është e gatshme që të shqyrtojë dërgimin e trupave shtesë për KFOR-in. Bonino u përgjigj në pyetjet e gazetarëve rreth mundësisë së dërgimit të trupave, që do të zëvendësonin ushtarët francezë.

Megjithatë, Bonino tha se në Romë nuk ka arritur ndonjë kërkesë specifike nga NATO-ja.

VV: Zgjedhjet, treguan të vërtetën e Marrëveshjes Thaçi – Daçiq

0

VV-Haxhiu-KonjufcaLëvizja Vetëvendosje ka theksuar se që prej vitit 1999, Kosovën dhe funksionalitetin e saj e ka mbajtur peng projekti i Serbisë për kontrollimin e serbëve dhe të territoreve ku ata jetojnë. Sipas saj, Serbia gjithnjë e ka shfrytëzuar popullatën serbe brenda Kosovës si instrument për ta realizuar programin e saj shtetëror hegjemonist në funksion të pushtimit të Kosovës, dëbimit, represionit, kolonizimit dhe gjenocidit.

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, tha se ashtu siç proklamohej rregullisht, strategjia e qeverive tona dhe faktorëve ndërkombëtarë ndaj këtij problemi pretendonte të kishte për qëllim shkëputjen e ndikimit të fuqishëm të Beogradit te serbët e Kosovës përmes mbështetjes së partive serbe në Kosovë të cilat e pranonin rendin institucional dhe Kushtetutën e shtetit tonë, dhe kështu dalëngadalë t’i lidhnin serbët e Kosovës gjithnjë e më shumë me projektin e shtetndërtimit multietnik të Kosovës.

“Pikërisht për shkak të kësaj strategjie u fuqizuan vazhdimisht partitë të cilat i pranonin ligjet dhe institucionet e Republikës së Kosovës, siç është Partia Liberale Serbe, ndonëse dihet fare mirë se ata refuzuan ta nënshkruajnë deklaratën e pavarësisë si dhe nuk qenë të pranishëm në shpalljen e saj. Kjo gjë megjithatë tregon se lidhja e tyre politike me projektin e Serbisë mbetet e pranishme”, tha Konjufca, duke shtuar se Lista Serbe e krijuar nga Ivica Daçiqi e mori pushtetin në 9 Komuna të Kosovës, duke u bërë kështu e barabartë me LDK-në e cila do të qeverisë me po aq komuna dhe afër PDK-së e cila qeveris me 10 Komuna. “Kryetarët e zgjedhur të këtyre komunave të gjithë janë bërë bashkë dhe njëzëri kanë deklaruar se qëllimi i tyre është ta luftojnë dhe të mos e pranojnë shtetin dhe pavarësinë e Kosovës. Ata po ashtu kanë bërë të ditur se do të veprojnë brenda Kosovës ashtu siç i udhëzon politika e Beogradit”, tha ai.

Konjufca ndër të tjera tha se, pas mbajtjes së raundit të parë të zgjedhjeve lokale më 3 nëntor, strukturat e Serbisë i shkatërruan zgjedhjet në Mitrovicën e veriut ku më vota po udhëhiqte një shqiptar. “Daçiqi doli e tha se nëse në veri zgjedhjet një shqiptar, atëherë do të ketë konflikte të armatosura e të dhunshme. Ai faktikisht na kërcënoi me luftë nëse nuk bëhet siç do Serbia. Qeveria nuk reagoi fare. Tash u mbajtën zgjedhjet tjera dhe atje fitoi njeriu i Daçiqit. Nesër Thaçi vazhdon të takohet me Daçiqin drejt kompromiseve të radhës.

Deputetja Albulena Haxhiu tha se pas formalizimit të marrëveshjes së Brukselit, dhe ratifikimit të kësaj marrëveshje, procesit të legalizimit të strukturave ilegale dhe legalitetit të krijesës së quajtur Asociacioni i Komunave Serbe, i ka paraprirë amnistimi i gjithë bartësve të institucioneve paralele të cilët edhe në ditët e sotme janë duke u financuar nga Serbia, pa u penguar nga Qeveria e Hashim Thaçit.

“Nëse e analizojmë Ligjin për Amnistinë, do të shohim se janë plot 31 lloje të krimeve që sot kanë amnistuar deputetët e Kuvendit, përveç Vetëvendosjes. Në fokus janë amnistia e veprave penale që bien në kategorinë e veprave penale kundër shtetit. Ndonëse kategoria e dytë e veprave penale që përfshijnë amnistinë nga veprat penale që mund të implikohen me veprat penale kundër shtetit, nuk ka asnjë dyshim se të njëjtat ndërlidhen edhe me veprat penale që kanë ngjyrim të krimit të organizuar”, tha Haxhiu.

Ajo shtoi se nga kjo amnisti përfitojnë kriminelët dhe kontrabandistët si të veriut ashtu edhe ata të jugut, që kryesisht janë foleja e krimit të udhëhequr nga qarqet qeveritare.

“Sipas kësaj, amnistia i shërben legalitetit të strukturave paralele, duke e përgatitur këtë strukturë që si pasojë e zhvillimit të procesit zgjedhor, të njëjtën ta formalizojë dhe ta legjitimojë në këtë proces. Ky proces ka përligjur individët për të cilët ekziston dyshimi i bazuar se kanë kryer vepra penale jo vetëm kundër shtetit dhe institucioneve të Kosovës, por të njëjtit kanë kryer edhe veprat penale kundër popullsisë së veriut të Kosovës, si gjatë luftës po ashtu edhe pas luftës. Në raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetar të komunave, si p.sh. në Mitrovicë të Veriut kanë qenë Krstmir Pantiq dhe Oliver Ivanoviq, që të dy të involvuar drejtpërsëdrejti në struktura paralele, të involvuar në trazirat e pas luftës me qëllim të dëbimit të popullsisë shqiptare në veri të Mitrovicës, por edhe para luftës si pjesëtar të formacioneve paramilitare serbe. “Zgjedhjet e 3 dhe 17 nëntorit po ashtu edhe të 1 dhjetorit, u kontrolluan nga kriminelë serb, pra kriminelët serb ishin pjesë e procesit zgjedhor. Është folur shumë për shuarjen e strukturave paralele, por në asnjë moment ne nuk kemi qenë dëshmitar të shuarjes të ndonjë institucioni prej nga koha e ratifikimit të marrëveshjes Thaçi-Daçiq, miratimit të Ligjit për Amnistinë dhe së fundmi përfundimit të procesit zgjedhor”, theksoi deputetja Haxhiu.

Sipas VV-së, politikat e Qeverisë aktuale po e çojnë Kosovës drejt ndarjes së vazhdueshme. “Komunat e fituara nga Daçiqi do të lidhen bashkë në Asociacionin e Komunave Serbe. Ky asociacion do të marrë premisa të një qeveria serbe brenda Kosovës e cila përkujdeset dhe merr vendime për territoret e banuara me serbë. Dhe nuk kemi kurrfarë dyshimi që ata do të punojnë për Serbinë dhe jo për Republikën e Kosovës.

Për këtë janë meritorë të gjithë ata deputetë të cilët ditën e 27 qershorit dhe 11 korrikut i thanë po defunksionalizimit të shtetit të Kosovës dhe faljes zemërgjerë të kriminelëve dhe strukturave institucionale paralele të Serbisë. Ne kemi vetëm një detyrë në këtë situatë: Ta ndërrojmë sa më parë këtë parë këtë qeverisje në mënyrë që të shpëtojmë të tashmen dhe të ardhmen”./PrizrenPress.com/

Kosovës i duhet transparenca

0

Forum2015Transparenca i duhet Kosovës si asnjëherë më parë është vlerësuar në tryezën me temën “Transparencë – Pse Kosovës i duhet Partneriteti për Qeverisje të Hapur dhe Nisma për Transparencë në Industrinë Nxjerrëse?”, të organizuar nga “Forumi 2015”.

Panelistët në këtë tryeze kanë thënë se në parim, e drejta e qytetarëve për të pas qasje në informacion del nga fakti se përfaqësuesit e zgjedhur të popullit që shpenzojnë para të taksapaguesve, dhe përdorin fuqinë e tyre për ta bërë këtë punë, duhet mbikëqyrur për të mësuar se si përdoret ky mandat ekzekutiv dhe si shpenzohen këto para.

Në kuadër të kësaj tryeze, drejtues të Instituti Riinvest kanë prezantuar raportin “Identifikimi i politikave të qeverisjes së hapur”, realizuar në kuadër të projektit regjional “Avokim për Qeverisje të Hapur”.

Ky raport ka analizuar progresin dhe mangësitë e Kosovës në fushat kryesore të qeverisjes në të cilat bazohet Nisma e Partneritetit për Qeverisje të Hapur (OGP). Kjo nismë (OGP) ka të bëjë me bashkëpunimin gjithëpërfshirës për përmirësim të qeverisjes së hapur.

Panelistët kanë thënë se Kosova është në fazat e para të procesit të anëtarësimit në OGP dhe synon përpilimin e planit shtetëror të veprimit për qeverisje të hapur.

Sipas tyre, plani i veprimit duhet të jetë produkt i marrëveshjes konsesuale mes Qeverisë, organizatave të shoqërisë civile, komunitetit të biznesit dhe grupeve të tjera të interesit, që synon rritjen e transparencës, fuqizimin e qytetarëve, luftimin e korrupsionit dhe shfrytëzimin e teknologjive të reja për forcim të qeverisjes.

Finsik Reqica nga RIINVEST ka thënë se ky studim si i pari i këtij lloji në Kosovë ka mbledhur në një vend parimet kryesore të qeverisjes së hapur dhe zbatimin e tyre në Kosovë, me qëllim të ofrimit të një baze informatash dhe njohurish për të shërbyer në përgatitjen e planit shtetëror të veprimit në kuadër të Nismës OGP.

“Transparenca është e nevojshme për shtetin e Kosovës, qeveritë botërore të cilat janë të inkuadruara në kuadër të nismës OGP, provojnë transparencën me qëllim të fuqizimit të qytetarit, me qëllim të luftimit të korrupsionit, dhe me qëllim të inkuadrimit të teknologjisë dhe inovacionit për forcim të qeverisjes”, ka thënë ai.

Paul Maassen, koordinator për shoqëri civile nga Nisma e Partneritetit për Qeverisje të hapur ka thënë se Kosova para se të aderoi në OGP duhet të jetë e gatshme për nivel bazil, themelor të llogaridhënies dhe transparencës.

“Sa i përket asaj që kur do të aderoi Kosova, pozita e Kosovës është që Kosova t`i bashkëngjitet OGP dhe duhet të mendojmë se si do të bëhet kjo dhe së shpejti do të kem një zgjidhje për këtë. Nëse shikoni tek vendet tjera që i janë bashkangjitur OGP ose çfarë do të thotë të jeni të gatshëm për OGP, do të thotë të keni niveli bazike themelore të llogaridhënies, llogaridhënies fiskale, mirëpo çfarë mund të jetë dallimi në mes të kësaj si anëtar i suksesshëm. Kjo është në dy nivele ka të bëjë me atë se sa mirë e njiheni procesin apo çfarë keni parë deri më tani. Mendoi që ekspertëve iu nevojitet një përvojë e gjatë që të jenë të përfshirë në proceset kosovare, një proces i mirë për OGP, do të thotë që të shfrytëzohen politika qeveritare dhe të bëhet një partneritet i mirë dhe të këtë konsultime”, ka thënë Maassen, transmeton RTK.

Tryeza mbi këto çështje sipas organizatorëve ndikon direkt në fuqizimin e vazhdueshëm të rolit të shoqërisë civile, si një nga katër kriteret e Nismës OGP dhe ofron një rast më shumë për të avancuar procesin e ndërtimit të një konsensusi gjithë shoqëror për qeverisje transparente.

Muja nuk pranon ta ndërrojë veturën

0

VeturaKryetari i Komunës së Prizrenit, Ramadan Muja nuk ka pranuar që të blejë veturë të re për vete. Ai ka kërkuar që të vazhdojë të shfrytëzojë veturën e ish-kryetarit, Eqrem Kryeziut.

Në fund të mandatit të tij shtatë vjeçar ish -kryetari i Komunës së Prizrenit Eqrem Kryeziu, pati blerë veturën e llojit “Mercedes 320 CDI” në korrik të vitit 2007.
Ramadan Muja, pas ardhjes në krye të Komunës nuk e ka ndërruar veturën. Ai për dy mandate ka shfrytëzuar veturën e blerë nga Kryeziu.

Në këtë koh sipas tenderit që është bërë nga komuna e Prizrenit dhe bazuar në faktet që na ofroi Nezir Rexhepi tani zyrtar në zyrën e prokurorimit atëbotë shef i kësaj zyre, kjo veturë është paguar me vlerën prej 59.100 euro,shkruan Kosova Sot.

Zyrtarë të Komunës së Prizrenit pohuan se vitin që shkoi kanë dashur dhe kanë menduar për një veturë tjetër, por kryetari Ramadan Muja nuk ka lejuar një gjë të tillë. Ai edhe mandatin e tretë ka kërkuar që të përdorë të njëjtën veturë.

Nxënësit e komuniteteve në Prizren pajisen me Abetare

0

Nxenesit6-16Nxënësit e komunitetit boshnjakë dhe turkë të komunës së Prizrenit janë pajisur për herë të parë me abetaren e gjuhës shqipe, përmes së cilës do të kenë mundësi të mësojnë shkrim- leximin.

Shpërndarja e librave nisi në shkollën fillore dhe të mesme të ulët “Motrat Qiriazi” në Prizren, nga zyrtarët e lartë të arsimit. Projekti do të vazhdojë edhe në komunat tjera të Kosovës të banuara me popullatë të përzier.

Ndonëse nxënësit e komuniteteve pakicë janë të obliguar me ligj të mësojnë gjuhen jo amtare kjo nuk kishte ndodhur 14 vjet pas luftës, pasi që librat u kishin munguar. Abetarja e re e botuar këtyre ditëve nga MASHT për nxënësit boshnjakë dhe turkë, do të jetë një mundësi e mirë që ata të mësojnë shkrim- leximin tha zëvendësministri i arsimit, Osman Ballgji, transmeton RTK.

Ndërkaq drejtori komunal i arsimit, Nexhat Çocaj, tha se për nxënësit që kanë filluar ta mësojnë si gjuhë të tretë shqipen, libri i botuar do t”ua lehtësojë atyre por edhe mësimdhënësve punën bukur shumë.

Mësuesja Alma Bajrami me përkatësi boshnjake tha se libri do t”u jep mundësinë nxënësve të mësojnë gjuhën e atij lokaliteti ku edhe jetojnë.

”Mendoj se ky libër është një mundësi e mirë për mësimdhënie dhe mësimnxënje, pasi që përmes tij nxënësit e komuniteteve do të pasurohen edhe me një gjuhë” tha Bajrami.

Projekti ka nisur së zbatuari në komunën e Prizrenit, ndërsa do të vazhdojë edhe në komuna tjera të Kosovës të banuara me popllatë të përzier.

“30 vjet në shërbim të kombit”, promovohet në Bruksel

0

asfaMonografia “30 vjet në shërbim të kombit”, nga Shoqata Humanitare “Medvegja” promovohet në Bruksel këtë të shtunë me 7 dhjetor.

Medvegja ka realizuar këtë monografi në bashkëpunim me disa veprimtarë të çështjes kombëtare.

Promovimi bëhet në sallen “Club House”, në adresen Rue biplan 75, 1130 Bruksel. /Kosovapress/

Kabashi: Eqrem Kryeziu nuk ishte kandidat serioz për kryetar të Prizrenit

0

Lulezim KabashiiRamadan Muja ka dalur fitues në të gjitha zgjedhjet për postin e kryetarit të Prizrenit. Pas fitorev në 2007 e 2009, Muja ka përsëritur suksesin edhe këtë vit, por kësaj here në saje të një mbështetje të madhe të spektrit të gjërë të partive minoritare , por edhe të koalicionit AAK-LDD.

Kryetari i KDTP-së, Mahir Yagcilar thotë ndërkaq se partitë e komuniteteve nuk kanë mundësi që të triumfojnë në zgjedhje t për kryetar të komunës, porse ato mund të përcaktojnë fituesin.

“Ne si parti nuk kemi fuqi të fitojmë postin e kryetarit, por kemi fuqi mjaft që të mbëshesim kandidatin e përbashkët” thotë Yagcilar.

Lulëzim Kabashi nga koalicioni AAK-LDD, pranon se çelësi i suksesit të Mujës ka qenë përfshirja e strukturave të ndrsyhme të shoqërisë të përfshira në koalicionin parazgjedhor.

Sipas tij, faktor determinues ka qenë edhe kandidimi i Eqrem Kryeziut nga LDK-ja.”Cilido kandidat tjetër i LDK-së do të ishte më serioz në garë se sa Eqrem Kryeziu”, thotë Kabashi./Koha Ditore/

PDK-ja e LDK-ja humbin nga 2 ulëse, BD-ja me 4 këshilltarë

0

Prizren-Asambleja komunaleKuvendi Komunal në Prizren  në katër vitet e ardhshme do të  përbëhet  nga 14 subjekte politike. PDK-ja  do t’i  ketë 10 ulëse, apo 2 më pak se katër vite më parë.

Ajo pasohet nga LDK-ja  që do t’i ketë 9 vende,  apo 2 më pak se në mandidtin e  kaluar.

 Bashkimi Demokratik i Zafir Berishës, ndërkaq do t’i ketë 4 ulëse, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje! 3 ulëse.  Po kaq vende do t’i ketë edhe koalicioni  AAK- LDD. Ndërsa KDTP-ja   ka humbër  një këshilltar  dhe do të përfaqësohet me 2 përfaqësues, aq sa do t’i ketë edhe “Vakat” dhe NDS.

Nga një përfaqësues  në KK e prizrenit  do t’i kenë edhe PK, KTAP, AKR CDU,NQP dhe PD./PrizrenPress.com/  

“DokuKino”, u hap kinemaja e Prizrenit

0

Prizren-DokuKinoNë ceremoninë e hapjes së Kinemasë së Prizrenit morën pjesë ambasadorë, përfaqësues të Komunës së Prizrenit, personalitete nga sfera e artit në Kosovë, dhe përfaqesues të mediave.Programi i DokuKino, përveç filmave hollivudian dhe më të ri do të përfshij edhe filmat më të suksesshëm dokumentar të shfaqur në DokuFest si dhe filma të pavarur.

Nata e 3 dhjetorit shënoi rikthimin e ekranit të madh të kinemasë në qytetin e Prizrenit. DokuKino, një kinema me teknologjinë 3D dhe me rreth 160 ulëse, do të jetë funksionale përgjatë vitit dhe do të menaxhohet nga DokuFest. Të ftuar në hapjen solemne të DokuKino ishin Ambasadorë, përfaqësues të Komunës së Prizrenit, personalitete nga sfera e artit në Kosovë, dhe përfaqesues të mediave.

Drejtori Artistik i DokuFest Veton Nurkollari u shpreh shumë i emocionuar për hapjen e kinemasë, duke kujtuar momente nga fëmijërija e tij kur në Prizren kishte dy kinema funksionale, Kino Bistrica dhe Kino Radniku. Nurkollari falënderoi të gjithë ata që e panë rëndësinë e rihapjes së kinemasë në Prizren dhe e mbështetën ëndrrën e themeluesve të DokuFest.

Eroll BIlibani, Drejtor Ekzekutiv i DokuFest u shpreh krenar që më në fund qytetit të Prizrenit po i rikthehet kinemaja e munguar. Bilibani falënderoj Komunën e Prizrenit, Bashkimin Evropian, Ambasadën Norvegjeze dhe Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për mështetjen e tyre për ngritjen e kinemasë. Bilibani poashtu theksoi që kjo kinema do të jetë një platformë për qëndrushmërinë e organizatës DokuFest.

I pranishëm në ceremoni ishte edhe Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian në Kosovë Samuel Žbogar i cili e cilësoj hapjen e kinemasë si një të arritur të rëndësishme. “Ne jemi krenarë që kemi punuar me njerëz frymëzues, që po ia kthejnë ëndrrën Prizrenit. Të gjithë e dinë rrëfimin se si ka nisur DokuFest. Ka qenë një ide për ndryshim të gjendjes në qytet. Pas shumë vitesh angazhimi e pune është arritur përmbushja e kësaj ideje në hapësirën ku jemi sonte.”, tha Žbogar, transmeton Kultplus.

Ambasadori i Norvegjisë në Kosovë Jan Braathu u shpreh se hapja e kinemasë është një zhvillim cilësor për qytetin e Prizrenit. “Tani kinemaja është shtëpi e DokuFestit por edhe kino e qytetit”, tha Braathu.

Ndërsa Jeff Jamison, Zyrtar për çështje publike në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës tha ”15 vjet periudhë e gjatë në kalendar, por edhe në aspektin historik të Kosovës. Por sonte kjo po merr fund dhe tani e tutje Prizreni do të jetë qendër e projektimit të filmave”.

Përfaqësuesi i Komunës së Prizrenit Sadik Paqarizi, i cili në projektin e kinemasë kishte rolin si ndërmjetësues mes Komunës së Prizrenit, Bashkimit Evropian dhe DokuFes-it u shpreh i gëzuar se proejkti u përfundua me sukses.

Hapja e DokuKino u përcjell me shfaqjen e filmit Before Midnight nga regjisori Richard Linklater. Ndërsa hapja për publik u bë në orën 21:00 me shfaqjen e filmit “Thor – The Dark World” në teknologjinë 3D. Filmi Thor për momentin është në vendin e dytë të shitjes së biletave në SHBA ndërsa në Kosovë do të shfaqet për herë të parë.

Programi i DokuKino, përveç filmave hollivudian dhe më të ri do të përfshij edhe filmat më të suksesshëm dokumentar të shfaqur në DokuFest si dhe filma të pavarur. Në muajin dhjetor, në repertoarin e kinemasë pritet të shfaqen edhe filmat Before Midnight nga regjisori Richard Linklater, Searching for Sugerman nga Malik Bendjelloul, Filth nga regjisori Jon Baird dhe filmi për fëmijë Niko 2 në 3D, nga Kari Juusonen dhe Jorgen Lerdam. Çmimet e biletave do të jenë prej 2 deri në 4 euro, varësisht nga lloji i filmit.