16.9 C
Prizren
E martë, 28 Prill, 2026
Home Blog Page 8884

Kush është shefi?

0

Thaci dhe VeseliPartia Demokratike e Kosovës (PDK) që disa muaj po udhëhiqet nga dy liderë që kanë dy kabinete të ndara dhe që përbëhen nga dy ekipe të ndryshme.

Ish-shefi i Shërbimit Informativ të Kosovës (SHIK vijon), Kadri Veseli, i cili para disa muajve u zgjodh edhe zyrtarisht zëvendëskryetar i PDK-së, në praktikë po e kryen detyrën e kryetarit të partisë. Por, në këtë detyrë Veseli po e ushtron autoritetin në parti tërësisht i pavarur nga Thaçi. Si zëvendës i Thaçit, Veseli nuk po e shfrytëzon infrastrukturën partiake të kryetarit legjitim, duke krijuar kështu ekipe të veta, që po punojnë për forcimin e mëtejmë të tij brenda partisë,shkruan Tribuna.

Në fakt, sipas burimeve të Tribunës, veprimet e Veselit për t’u ngjitur edhe ‘de jure’ në majë të PDK-së kanë nisur edhe para se ai të zyrtarizohet në postin e zëvendëskryetarit. Veseli, paralel me strukturat e partisë, ka krijuar një kabinet të tij, duke mbledhur rreth vetes njerëz të rinj, ekspertë të fushave të ndryshme, të cilët kryejnë punë dhe i raportojnë ekskluzivisht atij, e jo edhe strukturave tjera të partisë

Thaçi e Daçiq ritakohen nesër në Bruksel

0

Thaci-Ashton-Dacic5-22Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Ivica Daçiq, nesër do të vazhdojnë takimin e radhës në Bruksel, ku do të diskutohet për përshpejtimin e procesit të implementimit të marrëveshjeve.

Këtë e bëri të ditur, kryeministri Thaçi në mbledhjen e djeshme të Qeverisë së Kosovës, ku tha se Kosova këtë të diel kaloi një test jashtëzakonisht të rëndësishëm për të ardhmen e saj evropiane, pasiqë u organizuan zgjedhjet në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, për herë të parë edhe në veri.

“Ky është legjitimimi më i fuqishëm edhe qytetar që i ka dhënë marrëveshjes së Prillit, mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin dhe mbështetjen e fuqishme të BE-së dhe SHBA-ve. Me datën 5 të këtij muaji, do të ndodh takimi tjetër, në Bruksel, për të përshpejtuar procesin e implementimit të marrëveshjeve për funksionimin e Policisë së Kosovës, në gjithë territorin e Kosovës, instalimin e sistemit të drejtësisë, sipas legjislacionit kosovar dhe në atë pjesë të territorit të vendit. Pastaj edhe funksionimi i sistemit doganor dhe çështje tjera”, tha kryeministri.

Ndahet nga jeta gazetarja Albina Syla

0

Albina Syla-gazetarePasditen e kësaj të marte, në Gjilan papritmas ka ndërruar jetë gazetarja e re, por tejet e talentuar Albina Syla, e cila për disa vite me radhë ka punuar në mediumet qendrore dhe ato lokale në Gjilan.

Me rastin e vdekjes së Albina Sylajt, telegram ngushëllimi familjes Syla dhe Radio Energjisë, ku ajo kishte punuar së fundi i ka dërguar edhe Klubi i Gazetarëve “Beqir Musliu”, në të cilin është thënë se Klubi i Gazetarëve “Beqir Musliu” me shqetësim dhe pikëllim të thellë, ka pranuar lajmin për humbjen e koleges sonë Albina Syla, njofton Zëri.

Klubi i Gazetarëve “Beqir Musliu” me këtë rast i shpreh ngushëllime familjes Syla dhe stafit të Radio Energjisë. ”Ndjehemi të trishtuar nga ky lajm kaq i papritur se tani më nuk ndodhet mes nesh gazetarja Albina Syla. Dhimbja për këtë kolege është e madhe sepse komuniteti i gazetarëve ka humbur një personalitet shumë të çmuar në gazetari. Ajo ishte e zonja për këtë profesion, ishte e shkathët, e aftë dhe shumë komunikative” thuhet në telegramin e Klubit të Gazetarëve “Beqir Musliu”.

Ekspozitë e veçantë, nga personat me nevoja të veçanta

0

Ekspozite-personat me nevoja të veçantaNë Ditën Ndërkombëtare për Persona me nevoja të Veçanta në Prishtinë është hapur ekspozita me pikturat e punuara nga kjo kategori e shoqërisë. Kjo ekspozitë ka treguar anën e “padukshme” të kësaj kategorie të shoqërisë, ndërsa Ambasadorja Amerikane, Jacobson, ka bërë thirrje për të drejta të barabarta të të gjithë qytetarëve.

Piktura të ndryshme, kryesisht të natyrës abstrakte, të pikturuara nga persona me nevoja të veçanta, kanë përbërë ekspozitën e fundit në kryeqytet, që është hapur të martën për nderë të Ditës Ndërkombëtare të Personave me Nevoja të Veçanta.

Së bashku me punimet e këtyre personave punimet e tij i ka prezantuar edhe artisti Visar Hyseni, ndërsa për ta sensibilizuar opinionin për këtë kategori të shoqërisë, po në të njëjtin vend është dhënë edhe video e punuar nga artisti britanik, Simon McKeown, i cili ka treguar për jetën, fuqinë dhe kreativitetin e një personi me nevoja të veçanta, transmeton Kultplus.

Tracey Ann Jacobson-ekspoziteTë dy këto projekte janë realizuar në kuadër të projektit për integrimin në shoqëri të femrave dhe meshkujve nëpërmjet aktiviteteve sportive, që është organizuar nga Komiteti Paraolimpik i Kosovës, organizata Kosovo United States Alumini (KUSA), ndërsa është mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Ambasada Amerikane në Kosovë.

Ashton e kënaqur me zgjedhjet në Kosovë

0

ashtonPërfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme, Baronesha Catherine Ashton, e ka vlerësuar lart, mbarëvajtjen e rrethit të dytë të zgjedhjeve në Kosovë. Ajo i ka vlerësuar zgjedhjet si thelbësore për të ardhmen e Kosovës.

“Jam e kënaqur me këtë rund të dytë, të qetë të zgjedhjeve lokale të 1 dhjetorit në Kosovë dhe do të doja t’i uroja votuesit për pjesëmarrjen e tyre. Këto zgjedhje janë kruciale për të ardhmen e Kosovës dhe për procesin e normalizimit te marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në deklaratën e Ashton.

Baronesha Ashton, gjithashtu ka njoftuar, se më 5 dhjetor do të takojë në Bruksel kryeministrat Hashim Thaçi dhe Ivica Dacic, më të cilët sipas saj, do të diskutohet lidhur me zbatimin e marrëveshjes së 19 prillit.

“Do të takohem me kryeministrin Thaçi dhe Dacic në Bruksel më 5 dhjetor, për një rund të ri të dialogut. Do të diskutojmë se si t’i çojmë përpara çështjet e mbetura për t’u implementuar nga marrëveshja e prillit. Kjo është me rëndësi, në veçanti duke konsideruar prezantimin e raportit tim të radhës për dialog para Këshillit në muajin dhjetor”, theksohet në deklaratën e Ashton-it.

Muja premton përkrahje për personat me aftësi të kufizuar

0

Ramadan Muja 2Kryetari i  Komunës së Prizrenit,  Ramadan Muja, ka marrë pjesë në shënimin e ditës ndërkombëtare për personat me aftësi të kufizuara, i cili është organizuar në qendër të qytetit në “Shatërvan”, me moton “Thyej pengesat, hap dyer për një shoqëri gjithëpërfshirëse për të gjithë”. Muja premtoi se si kryetar i Komunës së Prizrenit, do të angazhohet të ndihmojë këtë kategori të shoqërisë .

Në Kosovë janë rreth 10 përiqnd të qytetarëve me aftësi të kufizuar. Në një konferencë për shtyp të organizuar në “Hendikos”, zyrtarët e kësaj Organizate kanë kërkuar nga qeveria qendrore dhe ajo lokale, që të mos e lejojnë asnjë ndërtim pa përmbushjen e kushteve për lëvizje të personave më aftësi të kufizuara, punësimin e këtyre personave sipas ligjit dhe kanë paraqitur problemet me të cilat ballafaqohet kjo pjesë e shoqërisë sonë./PrizrenPress.com/

 

Zgjedhjet dhe fitorja e CDU-së në Dragash

0

Nuhi Salihu gazetarShkruan: Nuhi Salihu

Rrethanat e reja në Kosovë, të krijuara pas marrëveshjes së Brukselit për krijimin e Asociacionit të komunave serbe në Kosovë, mund të shtrihet edhe në Dragash dhe Prizren.

Në komunën më të skajshme të vendit-Dragash në zgjedhjet e 3 nëntorit nga partitë e komunitetit goranë(assesi boshnjak sepse në radhë të parë nuk e flasin gjuhën boshnjake,por atë serbe, përveç gjuhës së tyre)më së shumti vota ka marrë partia CDU e cila për herë të parë ka garuar në këtë komunë.

Krerët e këtij subjekti politik kanë koketuar me zyrtarë të Qeverisë së Serbisë që në të ardhmen,me formimin e komunës së Gorës,kjo komunë të futet nën ombrellën e Asociacionit. Për këtë gjë,po këta zyrtarë serbë kishin bërë thirrje që masivisht të përkrahet ky subjekt politik në Dragash. Ky organizëm politik që kryeqendër e ka fshatin Vraniq,ku nga paslufta është edhe çerdhe e strukturave paralele “pro-serbe” e drejtuar nga njerëz që kan operuar për SPS-in e kryekriminelit,Millosheviq,nga viti 1990-1999.

Kandidati për “kryetar të Dragashit” nga CDU,Safet Kushi,duke kremtuar fitoren e partisë së tij(mund ta shikoni në you tube) i’u thotë bashkëpunëtorëve të ngushtë dhe të gjithë të pranishmëve se “tashmë Gora është e lirë”.Pyes veten,athua nga kush është “çliruar Gora”,kur asnjëherë dhe nga askush nuk i’u është cenuar e drejta elementare goranëve në asnjë moment.

Shumica e goranve në kohën më të vështirë për shqiptarët,ishin bashkëpunëtorë dhe përkrahës të politikës shfarosëse ndaj shqiptarëve të aparatit të instaluar serbo-sllav në Kosovë. Shumë pak ‘goranë” ishin përkrah në ditët më të vështira për shqiptarët(ndoshta nga frika apo ndoshta nga joshjet dhe privilegjet që gëzonin atëbotë,apo edhe diçka tjetër).Një përqafim i idesë së inkuadrimit në asociacionin e komunave serbe nuk mund të përjashtohet edhe në komunën e ardhshme të Reçanit në Grykën e Lumbardhit(Zhupë)(premtim i krerëve më të lartë institucional të Kosovës).

Duke pasur parasysh faktin se udhëheqës të partive politike të komunitetit “tërbesh”(jo boshnjak siq aludohet sepse edhe pjesa e Zhupës nuk flet boshnjakisht por kryekëput serbisht),kanë qenë anëtarë të devotshëm jo vetëm të SPS-it por edhe të JUL-it(parti që ishte formuar nga bashkëshortja e kryekriminelit serb,Millosheviq,Mira Markoviq).Në përvjetorin e tretë të themelimit të një partie nga ky komunitet në Prizren,kreu i kësaj partie pati porositur bashkëvendësit”që të mbijetojnë në vatrat e tyre,sepse nuk do të jetë larg dita kur kjo sakrificë nuk do të na shpaguhet”.

E tha pa asnjë hezitim para zyrtarëve të pushtetit qendror dhe atij lokal në Prizren(një nga drejtuesit e JUL-it për këtë komunë).Prapë shtrohet pyetja,nga kush duhet të mbijetohet?Partitë politike shqiptare nuk e çajnë kokën për synimet e këtyre politikanëve të kalitur në SPS e JUL. Partive politike shqiptare I’u intereson vetëm mbajtja e pushtetit(duke bërë koalicione),e assesi angazhimet në ruajtjen e sovranitetit dhe territorialitetit të Kosovës.

Po këta drejtues të partive të komuniteteve pakicë të lartpërmendura as nuk janë marrë me problemet e bashkëvendësve të vet(vetëm atëherë kur kan përfituar personalisht,dikush edhe duke marrë pagë nga Serbia për misionin e vet brenda institucioneve të Kosovës).Pas zgjedhjeve që sapo përfunduan kemi 9 komuna të cilat nuk e njohin kushtetutshmërinë e Kosovës,dhe duke pasur parasysh rrënjët e thella të politikës serbe në këtë komunitet,nuk duhet të habitemi kur nga 9 komuna,asociacioni I komunave serbe të rritet në 11(nuk e përjashtoj edhe mundësinë e futjes së komunës së Shtërpcës në këtë asociacion).

Mendoj se janë çështje që duhet analizuar me kujdes,përndryshe politika shfarosëse e Millosheviqit është shndërruar në politikë paqësore shkatërruese ndaj shqiptarëve në Kosovën e pasluftës.A duhet të rrijm inferiorë ndaj këtyre zhvillimeve politike aktuale në Kosovë edhe tani????

Kuvendi dhe shoqëria civile me Deklarata Partneriteti

0

Kuvendi dhe shoqëria civilePërfaqësues të Kuvendit të Kosovës, të shoqërisë civile e të OSBE-së, si dhe ekspertë nga Letonia dhe Mali i Zi këmbyen pikëpamje dhe përvoja për institucionalizimin dhe kodifikimin e bashkëpunimit ndërmjet shoqërisë civile dhe institucioneve të vendit. Në këtë takim, u prezantua Deklarata për Partneritet në mes të Kuvendit të Kosovës dhe shoqërisë civile.

Në këtë konferencë mbi Partneritetin ndërmjet Kuvendit të Kosovës dhe shoqërisë civile, kryesuesi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Jean-Claude Schlumberge, ka theksuar rëndësinë që ka për demokracinë e një vendi bashkëpunimi ndërmjet institucioneve qendrore, sidomos Parlamentit dhe shoqërisë civile.

Ai ka përmendur, jo vetëm ekspertizën solide që kanë një numër i OJQ-ve, por edhe rolin tepër të rëndësishëm që ka për demokracinë e një vendi transparenca, zbatimi i ligjit dhe llogaridhënia. Ambasadori ka lavdëruar punën që ka bërë grupi punues tripartid për hartimin e Deklaratës për Partneritet në mes të Kuvendit të Kosovës dhe shoqërisë civile, për të cilën është shprehur optimist se do ta miratojnë deputetët e Kuvendit të Kosovës.

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, duke u shprehur i bindur se demokracia është e pamundshme dhe e paimagjinueshme pa sektorin aktiv të shoqërisë civile, ka konstatuar se nuk është e rastësishme që, në ato vende ku ka pushtete autoritare dhe diktatura totalitare, shoqëria civile është pothuajse inekzistente, apo në rastin më të mirë, një instrument më shumë në duart e partisë-shtet.

“Në vendet me demokraci të zhvilluar, shoqëria civile luan një rol të pazëvendësueshëm për mbikëqyrjen e punës së institucioneve, garantimin e transparencës, si dhe funksionimin ligjor të institucioneve publike”, ka thënë Konjufca.

Ai tutje ka shtuar se sfidat me të cilat ndeshet demokracia në Kosovë i korrespondojnë problemeve me të cilat përballet shoqëria civile, si: funksionimi ligjor i shtetit, pavarësia e gjyqësorit, korrupsioni në çdo nivel institucional, shërbimet publike, etj.

Nënkryetari i Kuvendit ka shprehur keqardhjen e tij për faktin që bashkëpunimi ndërmjet këtyre dy domeneve të shoqërisë nuk mbështetet mbi rregulla të qarta, por vetëm mbi vullnetin subjektiv arbitrar.

“Fatkeqësisht, kjo marrëdhënie funksionon në formë të mëshirës. Por demokracitë e zhvilluara nuk janë shoqëri të mëshirës, por shoqëri të së drejtës. E kjo na çon në përfundimin se bashkëpunimi mes shoqërisë civile dhe institucioneve politike duhet të kodifikohet”, ka thënë Konjufca.

Sekretari i Kuvendit, Ismet Krasniqi, ka folur për transparencën gjithnjë në rritje të legjislativit të vendit. Ai ka përmendur publikimin e shpejtë të votimit elektronik të deputetëve, regjistrimin e OJQ-ve në ueb-faqen e Kuvendit për pjesëmarrje në mbledhje të komisioneve parlamentare, përgjigjet e rregullta dhe me kohë në pyetjet e shoqërisë civile dhe të qytetarëve për punën e Kuvendit, si dhe punësimin në zyrën e tij të një zyrtareje për bashkëpunim me shoqërinë civile dhe me donatorë.

Anëtari i grupit punues për bashkëpunim ndërmjet Kuvendit dhe shoqërisë civile, deputeti Zenun Pajaziti, ka theksuar se përvojat e tij flasin se ligjet më të mira kanë qenë ato që për hartimin apo amendamentimin e tyre kanë dhënë kontribut ekspertë nga radhët e shoqërisë civile.

Në këtë konference fjalë rasti kanë mbajtur edhe përfaqësues të ndryshëm të OJQ-ve, si: Driton Selmanaj, Burim Ejupi, Arton Demhasa dhe Taulant Hoxha.

Për përvojat e mira nga Mali i Zi dhe Letonia të bashkëpunimit të parlamenteve të vendeve të tyre me shoqërinë civile kanë referuar Ana Novaskoviq dhe Karina Petersone.

Në përfundim të sesionit plenar të paradites është prezantuar Deklarata për partneritet në mes të Kuvendit të Kosovës dhe shoqërisë civile e cila është mirëpritur nga pjesëmarrësit.

VV: Vala e korrupsionit qeveritar pasqyrohet dhe në raportin e TI

0

VV-logo9-09Vetëvendosje shpreh shqetësimin për shkallën e lartë të korrupsionit në Kosovë. Transparency International, në raportin e fundit, vë në dukje përshkallëzim të mëtutjeshëm të valës së korrupsionit në Kosovë. Ky raport e vendos Kosovën në vendin e 111 në renditjen e shteteve me probleme të mëdha të korrupsionit. Ky vend i përket zonës së kuqe dhe e rreshton Kosovën krahas vendeve me probleme alarmante të korrupsionit.

Për Lëvizjen Vetëvendosje shtë shqetësues fakti se Republika e Kosovës në mënyrën e qeverisjes gjithnjë e më shumë po identifikohet me shtetet ku vendosja e drejtësisë është në kufijtë e së pamundurës, duke vështirësuar kështu zhvillimin dhe prosperitetin si dhe aspiratën për e shoqërisë për vlerat perëndimore e evropiane.

“Ne e mbajmë përgjegjëse për këtë përhapje katastrofike të praktikave korruptive, Qeverinë e Kosovës. Aferat e shumta të viteve të kaluara në të cilat janë përfshirë zyrtarët më të lartë të kësaj Qeverie jo vetëm që kanë njollosur imazhin e vendit por dhe po e rrënojnë të ardhmen e tij. Paaftësia e Qeverisë së Kosovës që të distancohet nga bartësit e këtyre aferave është tregues se kemi të bëjmë me një Qeveri të kapur nga krimi dhe korrupsioni. Kjo Qeveri nuk është në gjendje ta sfidojë korrupsionin, sepse udhëhiqet nga njerëz te korruptuar. Prandaj, konsiderojmë se kjo Qeveri duhet të bie, në mënyrë që Kosova të filloje të çlirohet nga krimi dhe korrupsioni dhe përgjegjësit t”i përballen me drejtësinë.

Lëvizja Vetëvendosje në muajin tetor të këtij viti ka proceduar në Kuvendin e Kosovës projektligjin ”Për vërtetimin dhe shqyrtimin e pasurisë së pajustifikueshme”.

Vetëvendosje ka në alternativën e vet qeverisëse synimin dhe kërkesën që kuadrit ligjor i duhet shtuar edhe “Ligji Anti-Mafia” dhe “Ligji për mbrojtjen e dëshmitarëve”. Të dy projektligjet planifikojmë t’i dërgojmë në Kuvendin e Kosovës.

Ne i ftojmë qytetarët që të na përkrahin, ndërsa përfaqësuesit në Kuvendin e Kosovës të cilët besojnë tek vënia e drejtësisë, të mbështesin me votë këto nisma në mënyrë që beteja kundër krimit dhe korrupsionit të bëhet e mundshme”, thekson në kumtesë, Vetëvendosje!/PrizrenPress.com/

Hoxhaj: Evropa e pa kompletuar pa Ballkanin

0

Hoxhaj-Enver5-21Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, gjatë një interviste speciale për Agjencinë e Lajmeve të Sofjes, Novinite, ka thënë se Evropa nuk është e kompletuar, pa integrimin e plotë të Ballkanit. Hoxhaj po ashtu ka thënë se anëtarësimi i vendeve të Ballkanit në BE, është një rikthim në Evropë, një rikthim në modernitet.

Ai ka folur edhe për rëndësinë e një bashkëpunimi më të afërt ndërmjet vendeve të Ballkanit, veçanërisht në aspektin e lirisë së lëvizjes së qytetarëve, të mirave dhe ideve.

Ministri Hoxhaj ka folur edhe për vizitën në Bullgari dhe takimet me presidentin, kryeministrin dhe homologun bullgar, duke theksuar se qëllimi i vizitës ka qenë hapja e një kapitulli të ri të zhvillimit të mëtutjeshëm të marrëdhënieve bilaterale ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Bullgarisë.

Ai ka thënë se gjatë takimeve po ashtu është biseduar për përkrahjen e Bullgarisë në përmbylljen e MSA-së për Kosovës, dhe liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, si dhe për zhvillimet në rajon.

Duke folur për angazhimet e institucioneve të Kosovës gjatë gjashtë viteve të pavarësisë, Hoxhaj veçoi fokusimin në ndërtimin dhe konsolidimin e shtetit si dhe në fuqizimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës përmes njohjeve ndërkombëtare dhe anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare.

Ministri Hoxhaj ka folur edhe për zgjedhjet e fundit në Kosovë, procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, si dhe ka komentuar zhvillimet në rajon e më gjerë.