7.8 C
Prizren
E enjte, 25 Prill, 2024

Pa koalicione s’ka funksionim të komunave

Prizren-Asambleja komunaleEkspertët e pushtetit lokal e kanë vlerësuar të domosdoshme arritjen e koalicioneve për funksionimin e asambleve komunale gjatë mandatit të ardhshëm katërvjeçar.

Eksperti i pushtetit lokal, Besnik Tahiri, ka thënë të martën për “Epokën e re” se në shumicën e komunave të Republikës së Kosovës është e domosdoshme bashkëqeverisja. “Në vlerësimin e parë në shumicën e komunave do të duhej të kishte bashkëqeverisje në mënyrë që kryetari ta ketë miratimin e asamblesë, apo së paku të shumicës së thjeshtë, ndërsa për ata kryetarë të cilët duan ta ndryshojnë statutin, respektivisht të shtojnë apo t’i zvogëlojnë numrin e departamenteve, do të duhej 2/3 e asamblesë”, ka thënë Tahiri. Në këtë kontekst, ai ka theksuar se deri më tani është treguar se komunat ku ka pasur koalicione kanë funksionuar më mirë. “Qeverisjet në koalicione të përbashkëta në pushtetin lokal zakonisht kanë funksionuar më mirë për shkak se ka pasur një kontroll dhe një balancë në mes të partive. Aty ku ka qenë një parti shumë e fuqishme, realisht partia dhe kryetari i degës e kanë përcaktuar goxha shumë politikën e kryetarit”, ka thënë Tahiri.

Ai ka vlerësuar se mospërfillja e asamblesë komunale nga ana e kryetarit është qeverisje gjysmake. Po ashtu, Tahiri ka thënë se pambështetjen e shumicës së asamblistëve asnjë kryetar komune nuk do të mund ta çojë përpara agjendën zhvillimore. “Nëse një kryetar mendon se mund ta shtyjë agjendën zhvillimore pa miratimin e asamblesë, atëherë ai ose ajo do ta ketë të pamundshme. Kështu që, roli i asamblesë komunale është i pashmangshëm. Prandaj, kryetarët duhet t’i ikin dorës dominuese në mënyrë që të jenë përfaqësues. Për të qenë përfaqësues duhet më pas edhe asamblenë me vete. Mospërfillja e asamblesë është gabim”, ka thënë Tahiri, duke e përmendur me këtë rast problemin e komunës së Prizrenit. “Kemi rastin e kryetarit të Prizrenit, i cili është duke u ballafaquar me gjykatë për shkak se nuk e ka përfillur asamblenë. Pa përfillje të asamblesë qeverisja është gjysmake. Roli i asamblesë është tepër i rëndësishëm në demokraci. Në këtë rast një kryetar nëse nuk bën koalicion nuk mund ta marrë fuqinë e asamblesë”, ka deklaruar Tahiri.

Edhe njohësi i këtyre proceseve nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), Driton Selmanaj, ka thënë se koalicionet janë të domosdoshme për qeverisjen në nivelin lokal. “Pushteti në demokraci nuk mund të funksionojë ndryshe, përpos parimit të shumicës. Kështu që, edhe në nivel lokal, por edhe në nivel qendror duhet shumica për të marrë vendime, së paku shumica e thjeshtë do të duhej të jetë e domosdoshme. Prandaj, në nivel lokal në të gjitha ato komuna ku nuk kanë arritur të marrin numër të mjaftueshëm të asamblistëve, koalicionet janë të domosdoshme për të marrë vendime”, ka thënë Selmanaj për “Epokën e re”.

Ai ka vlerësuar se për funksionimin e komunave duhet të ketë koalicione zyrtare ose jozyrtare. “Nëse koalicionet zyrtare nuk arrihen atëherë duhet një koalicion i brendshëm me marrëveshje. Në të kundërtën, nuk mund të merren vendime qoftë për miratimin e buxhetit apo edhe vendime për çështje të tjera. Në këtë rast koalicionet zyrtare ose jozyrtare janë të domosdoshme në mënyrë që të ketë funksionalitet të plotë të asamblesë komunale”, ka deklaruar Selmanaj. Në të kundërtën, sipas tij, ka rrezik që pas një periudhe të shkohet në zgjedhje të parakohshme për asamble komunale. “Nëse nuk arrihet të miratohen dokumente të rëndësishme siç është buxheti mund të shkohet tek shpërndarja e asamblesë dhe në zgjedhje të parakohshme për asamble. Prandaj, mendoj se koalicionet janë të domosdoshme, qofshin koalicione zyrtare ose jozyrtare”, ka theksuar Selmanaj.

Ai i ka quajtur të hershme deklaratat e kryetarit të sapozgjedhur të Prishtinës, Shpend Ahmeti, i cili ka thënë se nuk do të bëjë koalicion me asnjë parti. “Deklaratat e tij janë jashtëzakonisht të hershme, sepse kur fillon të ballafaqohet me problemet reale që i ka komuna dhe që mund t’i ketë në procesin e vendimmarrjes, atëherë do ta shohë se realiteti është ndryshe. Prandaj, kemi deklarata të tilla, të cilat i ngjajnë më shumë euforisë së rezultateve sesa udhëheqjes reale me të cilën do të ballafaqohen në të ardhmen brenda komunës”, ka deklaruar Selmanaj.

Më Shumë

Lajmet e Fundit