6.9 C
Prizren
E enjte, 23 Prill, 2026
Home Blog Page 8984

Festohet Kurban Bajrami

0

Falja-bajramitNë xhamin e madhe në Prishtinë është bërë falja kryesore e namazit të festës së Kurban Bajramit. Qytetarë të shumtë kanë marrë pjesë në faljen e namazit të Kurban Bajramit.

Me këtë rast Myftiu i Kosovës Naim Tërnava në hydben e mbajtur ka porositur të gjithë besimtarët për paqe dhe solidaritet mes njerëzve, sidomos në ditët e festave. Ai tha se festë është e solidaritetit edhe me të varfërit, që sipas tij, në Kosovë nuk janë të paktë, transmeton Kosovapress.

Ai ka bërë thirrje që të ndihmohen të gjithë ata që kanë nevojë në këtë festë që t’i gëzojnë nënat dhe t’ua mbushin sofrat edhe atyre që nuk kanë. Tërnava ka bërë thirrje që të shtrihet dora e pajtimit që të mos këtë armiqësi.

Nuk t’i ha më foret Prizreni, Hashim?!

0

Adnan AbrashiAdnan Abrashi

Rikandidimi i 75 vjeçarit, Ramdan Muja, si kandidat të PDK-së, për kryetar të sërishëm të Prizrenit, në zgjedhjet e 3 nëntorit, nuk befasoj vetëm opinionin e gjerë, por edhe vetë anëtarët më militant të kësaj partie. Kuptohet, ky propozim u bë njëanshëm dhe në mënyrë autokratike nga ana e vetë Hashim Thaçi, andaj, edhe përpos pakënaqësive (të heshtura) ekzistuese në radhët udhëheqëse të degës së PDK-së në Prizren, nga njëra anë, dhe të anëtarësisë së gjerë, nga ana tjetër, as që ka guxua dikush publikisht ta kundërshtoj këtë emërim.
Edhe përpos shumë argumenteve të bazuara të cilat aspak nuk shkojnë në favor të kandidatit Muja, personalisht mendoj se janë 2 rrethana kyçe që e kanë shtyrë Hashim Thaçin ta merr këtë vendim tejet të gabuar të kandidimit të sërishëm të Ramadan Mujës, (për të tretën herë) si kandidat për kryetar të PDK-së në Prizren. Hap, ky, gjithsesi fatal, i cili, kësaj partie në këto zgjedhje, këtë herë do t’i kushtoj me humbje të pashmangshme të pushtetit:
E para: duke e ditur gjendjen e disponimit të vërtetë të qytetarëve të Prizrenit me (keq)qeverisjen e gjertanishme të këtyre njerëzve në pushtet, përveç Ramadan Mujës servil dhe verbërisht të nënshtrueshëm ndaj direktivave të “shefit të madh”, asnjë kandidat tjetër i arsyeshëm nga ky qytet nuk ka pranuar të jetë i përzgjedhur për këtë post dhe ta përfaqësoj atë parti si kandidat;
E dyta: është besimi i tepruar i Thaçit tek përkrahja e premtuar nga ana e partive minoritare të Prizrenit pro kandidatit të tij, veprim ky taktik që ai po mendon se e ka në dorë si atu të fortë politike, për ta arritur fitore e pashmangshme të kandidatit të tij në këtë qytet.

Dega e PDK-së në Prizren (saktësisht, vetë Hashim Thaçi), tashmë edhe formalisht ka lidh një marrëveshje përkrahje për kandidatin e vetë Muja, me udhëheqësit e 6 subjekteve politike minoritare të Prizrenit. Por, ata që e njohin mirë Prizrenin, si dhe mentalitetin karakteristik të qytetarëve të tij në përgjithësi, dhe atyre të minoritarëve, në veçanti (mirësjellje alla “mos me ja prish qejfin askujt”), menjëherë mund të konkludojnë se kjo marrëveshje për përkrahjen e kandidatit të Hashimt për Prizrenin prej tyre, si efektive, është thjesht një marketingu politik, përmes së cilës, nga ky pazar manipulativ quaja alla hashimijan , përfitojnë vetëm disa individ të rrethit të ngushtë partiak të minoritetit konkret, të cilët si karaktere gjithmonë kanë qenë të manipulueshëm ndaj premtimeve karrieriste dhe financiare të partisë në pushtet. (Mahir Jagxhillar, Xhemil Luma, Haxhi Zylfi Merxha…etj)

Në anën tjetër, bazuar në kontaktet e mija të shpeshta me qytetar të zakonshëm dhe të ndershëm apolitik minoritar prizrenas (turq, boshnjak, romë, ashkali… etj), shumica e tyre as që dinë për këtë marrëveshje, e lerë më se kanë vullnet që më 3 nëntor të veprojnë në frymën e interesave të ngushta të liderëve të tyre partiak edhe ashtu të përçara në mes veti..
Sa për kuriozitet, ja në vazhdim se çka më tha një ditë një mik i imi (minoritar) i cili aktualisht ka një post të rëndësishëm në partinë e cila para disa dite ka nënshkruar atë marrëveshje famoze me Hashim Thaçin, në emër të përkrahjes së përbashkët, në zgjedhjet e 3 nëntorit, të kandidaturës së Ramadan Mujës për kryetar të Prizrenit:

“Jo more çfarë marrëveshje…është politikë kjo…kushdo që në Prizren vjen prej partive shqiptare në pushtet, patjetër neve si minoritete do të na ketë aty…Janë lojëra këto, o mik i nderuar! Ne as që po apelojmë tek përkrahësit tanë që ta votojnë Ramadan Mujën për kryetar. Bile-bile, heshtur po e bojkotojmë atë…”

Krejt në fund, si karakteristikë metaforike e tregimit të mentalitetit specifik prizrenas, desha të shërbehem këtu edhe një thënie popullore që shpesh citohet mes prizrenasve tanë autokton (kuptohet, më tepër në shaka) – “Prej Prizrenit ka ik edhe “jahudija”.

Se çfarë porosie konkrete fshihet prapa këtij eufemizmi karakteristik prizrenas, po ia lë personalisht Hashim Thaçit që ta zbuloj vetë. Kuptohet, me kusht që, këtë herë, të mos informohet nga informatorët e gjertanishëm , të cilët, deri më sot, gabimisht e kanë informuar për disponimin e vërtetë politik të shumicës së qytetarëve të këtij qyteti….

Krasniqi: Alternativa e VV-së ka dalë nga nevojat e qytetarëve

0

Krasniqi-Bubel-MalisheveKandidati i Lëvizjes Vetëvendosje! për kryetar të Komunës së Malishevës, Alban Krasniqi, i shoqëruar nga kandidatët për Asamblenë Komunale kanë mbajtur një tubim në Bubël ku kanë shpalosur alternativën e Vetëvendosjes për Malishevën.

Krasniqi tha se alternativa qeverisëse e VV-së ka dalë nga nevojat e qytetarëve dhe nga vizitat që kanë bërë në fshatrat e Komunës së Malishevës dhe në fshatin Bubël.

“Ne me aktivistët tanë dhe ekspertet e fushave përkatëse kemi shkruar këtë alternativë që një herë e mirë ta orientojmë Malishevën drejt zhvillimit të qëndrueshëm dhe hapjes së perspektivës për të rinjtë tanë në vendin tonë. Mbrapshtitë e pushteteve të partive deri me tash pa dallim e kanë lënë Malishevën të pa zhvilluar dhe fshatrat të varfëruara e pa perspektivë. Ne me planin tonë për bujqësi, turizëm rural, arsim cilësor dhe në hap me nevojat ekonomike, me shëndetësi të organizuar mirë dhe me politika lokale punësimi e zhvillimi do ti japim Malishevës orientimin drejt një Komune ku qytetaret nuk do të vdesin më nga varfëria e insektet”, tha Krasniqi.

Ai tha se fshati Bubël direkt është prek nga keqqeverisja e këtij pushteti në ikje. “Kanalizimi, rrugët, cilësia e dobët e shërbimeve publike ju ka vështirosu jetën. Për të ndryshuar këtë gjendje me 3 nëntor e keni një shancë, këtë shancë duhet shfrytëzuar në mënyrë masive që ti tregohet pushtetit dhe jo vetëm këtij pushteti se nëse e injoron qytetarin dhe e varfëron e shkatërron vendin tonë, qytetari do të ndëshkoj me votë”, tha Krasniqi.

Sipas tij, Lëvizja Vetëvendosje! do të mbroj votën dhe do të mundësoj ndryshimin duke e ndal keqqeverisjen e pushtetit në ikje dhe duke e zëvendësuar me një qeverisje të drejtë, pa korrupsion, për mirëqenie të qytetarëve dhe për zhvillim të Malishevës në të gjitha fushat e jetës, duke ja kthyer qytetarit dinjitetin dhe respektin. /PrizrenPress.com/

Në radhë, Tunizia dhe Siria

0

NaimTernava-BIKKryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), myftiu Naim Tërnava, ka bërë me dije se pas përfundimit të zgjedhjeve brenda këtij institucioni do t’i vizitojë Tunizinë dhe Algjerinë.

Në këtë intervistë për “Epokën e re”, myftiu Tërnava ka thënë se Tunizia dhe Siria do të jenë shtetet e radhës të cilat do ta njohin pavarësinë e Kosovës. “Më vjen mirë që Kosova është njohur nga 105 shtete. Në të ardhmen e afërt do të na njohin edhe shtetet e tjera. Sipas mendimit tim, në radhë për ta njohur Kosovën janë Tunizia dhe Siria”, ka thënë Tërnava, duke shtuar se ka kontakte të vazhdueshme me përfaqësuesit e shtetit të Tunizisë. Në këtë kontekst, Tërnava ka lavdëruar Ministrinë e Punëve të Jashtme (MPJ) për punën që ka bërë në raport me shtetin e Tunizisë. “Dua të them se MPJ-ja është shumë aktive në atë pjesë të botës. Kjo nuk të thotë se unë po ia mbaj krahun MPJ-së, por kjo është e vërteta”, ka deklaruar Tërnava.

Duke folur për aktivitetet brenda institucionit që drejton, myftiu Tërnava ka thënë se në BIK gjithçka është duke shkuar sipas planifikimeve. Sipas Tërnavës, edhe zgjedhjet brenda BIK-ut janë duke u zhvilluar pa ndonjë problem. “Ju të gjithë e dini se më 18 shtator janë shpallur zgjedhjet brenda BIK-ut dhe do të vazhdojnë deri më 18 nëntor”, ka deklaruar Tërnava.

Myftiu i Kosovës ka folur edhe për projektin për ndërtimin xhamisë së madhe në Prishtinë. Ai ka thënë se nuk ka kurrfarë shansesh të dështojë realizimi i këtij projekti. “As ëndërr nuk mund të shihet dështimi i projektit për ndërtimin e xhamisë së madhe në Prishtinë”, ka thënë Tërnava, duke e vlerësuar lart tolerancën fetare në Kosovë. Ndërkaq me rastin e festës së Kurban Bajramit, myftiu Tërnava i ka uruar të gjithë besimtarë islamë shqiptarë për këtë festë, duke kërkuar nga ta të solidarizohen njëri me tjetrin dhe t’i harrojnë zënkat e mosmarrëveshjet mes vete.

“Epoka e re”: Myfti Tërnava, çfarë vlerësimi keni për zhvillimet që kanë ndodhur në Kosovë, sidomos në BIK?
Tërnava: Fillimisht më lejoni që emër të Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK) të gjithë besimtarëve të besimit islam, kudo që ata gjenden, brenda dhe jashtë trojeve etnike, t’ua uroj ftesën e Kurban Bajramit, duke e lutur Allahun xh.sh për shëndet dhe harmoni familjare. Mendoj se zhvillimet në përgjithësi në Kosovë kanë shkuar mirë. Kosova si shtet është duke u konsoliduar dhe po ec në hapat e saj drejt një të ardhme të ndritur, ndërkaq për sa i përket gjendjes mund të them se brenda BIK-ut çdo gjë është duke funksionuar sipas normave të lejuara. Në BIK është duke u punuar me një intensitet të shtuar në të gjitha drejtimet.

“Epoka e re”: Edhe këtë festë myslimanet do ta falin namazin e Kurban Bajramit pa xhaminë e re. Kur do të fillojë ndërtimi i kësaj xhamie? Në opinion ka zëra se do të dështojë ky projekt?
Tërnava: Punët janë duke ecur jashtëzakonisht mirë. Nuk kemi as edhe dyshimin më të vogël se ky projekt mund të dështojë. Zërat që dalin për dështimin e ndërtimit të xhamisë janë zëra dashakëqij, të cilët nuk dëshirojnë ta shohin një xhami të tillë në Prishtinë. E them me plot përgjegjësi se Kuvendi Komunal i Prishtinës është duke i kryer punët që i takojnë, kurse edhe ne i kemi kryer shumicën e punëve që na takojnë. Brenda këtyre ditëve presim ta marrim lejen përgatitore për fillimin e punëve për ndërtimin e xhamisë së madhe. Pra, në këtë drejtim nuk ekziston as problemi më i vogël në mes të BIK-ut dhe Kuvendit Komunal të Prishtinës. As ëndërr nuk mund të shihet dështimi i projektit për ndërtimin e xhamisë së madhe në Prishtinë.

“Epoka e re”: Pra, xhamia do të ndërtohet në vendin e caktuar?
Tërnava: Po. Kjo punë tashmë ka marrë fund.

“Epoka e re”: A janë siguruar mjetet?
Tërnava: Besoj se edhe mjetet do t’i gjejmë. Ende nuk kemi fonde të siguruara, por me ndihmën e Allahut xh.sh dhe besimtarëve islamë shqiptarë brenda e jashtë trojeve shqiptare do t’ia dalim ta fillojmë ndërtimin e xhamisë dhe do të përfundojnë punimet në një afat rekord.

“Epoka e re”: Do të ndërtohet xhamia në vitin 2014?
Tërnava: Xhamia nuk mund të ndërtohet për një vit sepse ajo nuk është thjesht një xhami. Ajo është një xhami shumë e madhe në krahasim me këto që i kemi. Ajo xhami do të jetë një simbol i Prishtinës dhe do të marrë pak kohë, por ju siguroj se do të ndërtohet në afat rekord. Xhamia e Madhe do t’ia rritë edhe më shumë krenarin Prishtinës dhe do të bashkëjetojë viza-vijë me të gjitha faltoret që janë këtu në Prishtinë.

“Epoka e re”: Cili është vlerësimi juaj për tolerancën fetare në Republikën e Kosovës?
Tërnava: Për sa i përket tolerancës fetare Kosova është një shtet model që duhet ta ndjekin shtetet më të fuqishme të globit, përfshirë edhe ato të rajonit. Toleranca fetare në Kosovë është një dhunti, pasuri dhe thesar të cilin ne shqiptarët nuk po dimë sa duhet ta proklamojmë nëpër botë, sepse shumë shteteve dhe kombeve u mungon kjo pasuri të cilën ne e kemi. Do të vazhdojmë të punojmë edhe më tutje në ruajtjen e vlerave dhe besimeve që bashkëjetojnë në Kosovë.

“Epoka e re”: Myfti, deri ku ka shkuar procesi i zgjedhjeve brenda BIK-ut?
Tërnava: Çdo gjë në Bashkësinë Islame të Kosovës (BIK) është duke ecur dhe evoluar në bazë të rregulloreve, statutit dhe Kushtetutës së këtij institucioni. Ju të gjithë e dini se më 18 shtator janë shpallur zgjedhjet brenda BIK-ut dhe do të vazhdojnë deri më 18 nëntor. Për informata më të detajuara mund ta pyesni kryetarin e KQZ-së në BIK, sepse ai është më i informuar se unë. Por, mund t’ju them se çdo gjë është duke shkuar sipas planifikimeve. Deri më tani nuk ka pasur ndonjë pengesë ose ndonjë problem.

“Epoka e re”: Do të rikandidoni për kryetar të BIK-ut?
Tërnava: Kjo çështje nuk varet nga unë. Këtë e kam thënë disa herë.

“Epoka e re”: Nga kush varet?
Tërnava: Varet nga dëshira dhe vullneti i Këshillave të Bashkësisë Islame të Kosovës sepse në BIK nuk ka kandidat. Mediet shpeshherë nuk janë duke ditur ta shpjegojnë këtë. Sipas Kushtetutës së BIK-ut, askush nuk mund ta shpallë veten kandidat për myfti, por duhet të propozohet së paku nga pesë këshilla të Bashkësisë Islame të Kosovës. BIK-u ka afër 30 këshilla. Nëse dikush ka pesë këshilla që e përkrahin, ai vetvetiu bëhet kandidat i mundshëm për myfti.

“Epoka e re”: Para disa ditëve Libia e ka njohur shtetin e Kosovës. Për këtë njohje keni pas paralajmëruar qysh në festën e Fitër Bajramit. Jeni në kontakte me ndonjë përfaqësues të ndonjë shteti mysliman që nuk e ka njohur Kosovën?
Tërnava: Më vjen shumë mirë që shumica e shteteve islame e kanë njohur Kosovën dhe kanë mbetur edhe pak shtete prej tyre që nuk e kanë njohur Kosovën. Kontribut për njohjen e Kosovës nga shtetet islame ka dhënë edhe BIK-u sikurse të gjithë njerëzit që dëshirojnë të kontribuojnë për shtetin tonë, duke përfshirë edhe MPJ-në dhe Qeverinë. Po ashtu, më vjen mirë që Kosova është njohur nga 105 shtete. Në të ardhmen e afërt do të na njohin edhe shtete të tjera. Sipas mendimit tim, në radhë për ta njohur Kosovën janë Tunizia dhe Siria, sidomos tani me rënien e regjimit.

“Epoka e re”: Jeni në kontakt me përfaqësuesit e Tunizisë dhe Sirisë?
Tërnava: Me përfaqësuesit e Sirisë nuk kam kontakte, kurse me përfaqësuesit e Tunizisë po.

“Epoka e re”: Cili është qëndrimi i përfaqësuesve të Tunizisë në raport me shtetin e Kosovës?
Tërnava: Përfaqësuesit e Tunizisë kanë qëndrime jashtëzakonisht të mira për Kosovën. Besoj se Kosova do të njihet nga Tunizia ashtu siç kam thënë se do të njihet nga Libia. Tunizia ka disa probleme të brendshme tani, por njohja do të ndodhë. Dua të them se MPJ-ja është shumë aktive në atë pjesë të botës. Kjo nuk do të thotë se unë po ia mbaj krahun MPJ-së, por kjo është një e vërtetë e madhe.

“Epoka e re”: Pritet të na njohë Tunizia së shpejti apo do të presim deri në Fitër Bajram?
Tërnava: Shumë shpejt do ta vizitoj Tunizinë. Atje do të pritem nga përfaqësuesit e këtij shteti. Po ashtu, do t’i vizitoj disa shtete të cilat nuk janë vizituar nga askush deri më tani. Ende nuk kemi prekur në Algjeri, e atje do të jem atje shumë shpejt.

“Epoka e re”: Do të loboni në këto shtete?
Tërnava: Do t’i vizitoj këto shtete.

“Epoka e re”: Kur?
Tërnava: Pas përfundimit të zgjedhjeve në BIK.

“Epoka e re”: Në cilësinë e myftiut të Kosovës?
Tërnava: Unë nuk e thash këtë.

T’i harrojmë zënkat e mosmarrëveshjet. Për festën e Kurban Bajramit ta shtrijmë dorën e pajtimit.

“Epoka e re”: Myfti Tërnava, mesazhi juaj për besimtarët islamë me rastin e festës së Kurban Bajramit?
Tërnava: Çdo festë e ka vlerën e vet. Kësaj feste vlerën ia shton më së tepërmi haxhi, i cili është një prej kushteve të islamit. Edhe këtë vit kemi 800 haxhilerë që kanë shkuar nga Kosova, të cilët janë duke i kryer ritet fetar dhe janë shëndosh e mirë. Derisa kjo festë karakterizohet nëpërmjet haxhit dhe kurbanit, duhet rikujtuar gjithherë Ibrahimin a.s. dhe birin e tij, Ismailin, ku i madhi Zoti tregoi mëshirën dhe rahmetin e vet, duke e zëvendësuar flijimin e birit të Ibrahimit me prerjen e kurbanit. Prandaj nëpërmjet kësaj ne e rrisim vetëdijen në raport me Allahun xh.sh. Nëpërmjet kësaj sakrifice dhe ndihmës që duhet t’ua bëjmë atyre të cilët kanë nevojë për këtë. Ne tregojmë vullnetin dhe gatishmërinë për zgjatjen e dorës për ata njerëz që kanë nevojë. Unë i porosis të gjithë besimtarët e besimit islam, të kontribuojnë shumë në shpërndarjen e mishit të kurbanit, në mënyrë që për një moment ta kthejmë buzëqeshjen në fytyrat e fëmijëve të varfër.

Mesazhi i kësaj feste është t’i harrojmë zënkat, mosmarrëveshjet dhe ta shtrijmë dorën e pajtimit dhe të punojmë të gjithë bashkërisht për një të ardhme sa më të mirë të Kosovës, sepse i madhi Zot këtu na ka krijuar dhe këtu ne duhet të japim tërë atë që mundemi për avancimin e çdo gjeje që shkon kah e mira në Kosovë. Andaj, të gjithë besimtarëve myslimanë të Republikës së Kosovës ua uroj festën e Kurban Bajramit, duke u dëshiruar lumturi dhe mbarësi në familjet e tyre!

Shkup, Akademi përkujtimore me rastin e 80 vjetorit të atentatit ndaj Hasan Prishtinës

0

HasanPrishtinaShoqata e Historianëve Shqiptarë në Maqedoni dhe Sekretariati për Implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, organizuan Akademinë përkujtimore me rastin e 80 vjetorit të atentatit ndaj Hasan Prishtinës dhe 101 vjetorit të Kuvendit të Shkupit, si dhe promovuan librin në gjuhën shqipe dhe maqedonase: “Hasan Prishtina”, nga autori Branko Sinadinovski.

Fillimisht, në emër të SHHSHM-së, një referat historik e paraqiti Sevdail Demiri, i cili theksoi se këtë vit, shënohet 80 vjetori i vrasjes së njërit nga burrat më të ndritur të kombit shqiptar, Hasan Prishtinës. Atentati ndaj tij u krye në Selanik, më 13 gusht të vitit 1933, nga dora e shqipfolësit Ibrahim Çelo, i cili sikurse kishte deklaruar para organeve të hetuesisë greke, vrasjen e kishte bërë për motive politike.

“Ndërsa, sot më 14 tetor, bëhen plotë 101 vjet nga organizimi i Kuvendit të Shkupit, nga ana e Komitetit ‘Shpëtimi’, në shtëpinë e atdhetarit Sali Gjuka, ku ishte marrë vendimi që shqiptarët të kalonin nga kërkesa e deriatëhershme për autonomi brenda Perandorisë Osmane, në kërkesën për shkëputje të plotë prej saj dhe për pavarësi”, theksoi Demiri, transmeton Portalb.

Ndërsa, zëvendëskryeministri për Implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, Musa Xhaferri, u shpreh se fati dhe fatkeqësia ka qenë që Hasan Prishtina në mënyrë tragjike e përfundoi jetën.

“Ka pasur një jetë të vështirë pasi edhe bashkëpunëtorët e tij paraprakisht ndiqen dhe ekzekutohen, por për të gjitha gjeneratat figura e Hasan Prishtinës mbetet një frymëzim. Ai është figura më e kompletuar edhe nga aspekti i shkollimit, vizionit politik, i sakrificës, i mosluhatjes ndaj konjukturave të asaj kohe”, tha Xhaferri.

Më tej, Mehmet Prishtina, nipi i Hasan Prishtinës, ka falënderuar shqiptarët dhe përfaqësuesit e tyre politik që po i zyrtarizojnë datat historike dhe nuk po e lënë në harresë figurën kombëtare të Hasan Prishtinës dhe atdhetarëve tjerë shqiptarë, që sakrifikuan aq shumë për kombin tonë.

Deputeti Behixhudin Shehapi, theksoi se po bëhen përpjekje maksimale që në Kuvendi i Maqedonisë, të miratohen për manifestim data të rëndësishme të historisë sonë kombëtare, siç është edhe rasti me 80 vjetorin e atentatit ndaj Hasan Prishtinës dhe 101 vjetorin e Kuvendit të Shkupit.

Më pas u promovua libri në gjuhën maqedonase “Hasan Prishtina”, nga autori Branisllav Sinadinovski, i përkthyer në shqip nga Shkëlzen Halimi.

Pesë nëndegë të PDK-së i bashkëngjiten Iniciativës Qytetare për Malishevën

0

iniciativa malishevIniciativa Qytetare për Malishevën njofton se pas zhvillimeve të krijuara në Komunën e Malishevës po vazhdon karvani i shuarjes se nëndegëve te Partisë Demokratike të Kosovës në Malishevë, duke iu bashkuar kësaj iniciative.

“Pesë nëndegë të Partisë Demokratike të Kosovës në Malishevë i janë bashkuar Iniciativës Qytetare për Malishevën (IQPM).

Në Iniciativën Qytetare për Malishevën kaluan nëndegët e PDK-së: Seniku, Goriqi, Dragobili, Burimi, dhe Tërpeza e Ulët”, thuhet në kumtesën e IQPM-së. /PrizrenPress.com/

IQPM: Thaçi iku nga Malisheva i nervozuar me Kilajn

0

IQPM-logooIniciativa Qytetare për Malishevë ka komentuar vizitat e shpeshta që kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi po ia bën këtij qyteti. Sipas kësaj iniciative, Thaçi ka filluar të marrë shumë afër zemrës humbjen e PDK-së në Malishevë.

“Kreu i Qeverisë Hashim Thaçi si duket e ka marrë shumë për afër humbjen në Malishevë, prandaj po merr mundin çdo ditë të vizitojë këtë komunë. Një vizitë të tillë tentojë ta bëjë sot tek komuniteti i biznesit në Malishevë, por ata e refuzuan plotësisht, sidomos kur panë se në shoqërim të tij ishte Isni Kilaj së bashku me grupin jo formal”, thuhet në komunikatën e IQPM-së.

Sipas IQPM-së, Thaçi është bërë nervoz në Kilajn, pas refuzimit të komunitetit të biznesit që të takohet më të.

“Nga ky injorim i komunitetit të biznesit dhe qytetarëve të rastit Kryeministri e ndërpreu këtë vizitë duke u shfaqur i nervozuar në Isni Kilajn. Ai pa u përshëndetur me Kilajn u largua nga Malisheva”.

IQPM edhe një herë iu ka me dije të gjithë se nuk mundë të ndryshohet vullneti i qytetarëve të Malishevës me vizita të tilla dhe me tendenca manipulative. ”Tani më qytetarët kanë marrë vendimin për të përkrahur masovikisht IQPM, dhe nëpër mes votës së lirë do të largojnë nga pushteti këtë grup qeverisës dhe do ta kthejnë qeverisjen tek qytetarët”. /PrizrenPress.com/

 

 

Haradinaj: Latifi e ka dëshmuar veten për të qenë kryetar

0

Haradinaj-Krushë e MadheDega e Aleancë për Ardhmërinë e Kosovës në Rahovec, ka mbajtur tubim parazgjedhor në Krushë të Madhe. Të pranishëm në këtë tubim ishte kryetari aktual i Komunës dhe kandidat për kryetar, Smajl Latifi, i shoqëruar nga kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj, deputeti i Kuvendit të Kosovës Ramiz Kelmendi dhe anëtarë të tjerë të kryesisë së partisë.

Hardinaj foli për virtytet personale të kandidatit për kryetar të Komunës së Rahovecit Smajl Latifi, duke potencuar faktin se ai ka treguar praktikisht se si ndërtohet shteti dhe si duhet t’ju shërbehet më së miri qytetarëve.

“Smajli i ka dhënë mësimin më të mirë klasës politike në Kosovë. Ai ka dëshmuar se është i denjë për të qenë në krye të kësaj Komune edhe për katër vitet e ardhshme, sepse në pranverë ne do të punojmë së bashku në vepra të mëdha”, tha Haradinaj. Duke shtuar, ai tha se pas marrjes së detyrës si kryeministër i vendit do të punojmë me partnerët tanë ndërkombëtar për rregullimin e shtratit të lumit Drini i Bardhë që nga Peja deri në Gjonaj. “Kjo do të krijojë mundësi për shfrytëzimin sa më racional të tokave bujqësore, si dhe ndalimin e degradimit”, tha Haradinaj.

Haradinaj ka folur edhe për “vjedhjen” e ideve nga partitë tjera, pasi që kohë më parë AAK ka prezantuar idenë e rregullimit të shtratit të Drinit të Bardhë, përfshirjen e sa më shumë njerëzve në procesin e prodhimit dhe përpunimit të prodhimeve bujqësore, si dhe ide të tjera që ndikojnë në mirëqenien e familjeve kosovare.

Kurse, kandidati për kryetar të Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, tha se gjatë kësaj kohe të shkurtër që i është dhënë mundësia të qeverisë me pasurinë e qytetarëve të Komunës së Rahovecit, ka dëshmuar angazhim dhe përkushtim të madh.

“Janë realizuar shumë vepra kapitale, që kanë ndikuar në përmirësimin e kushteve socio-ekonomike të qytetarëve. Mirëpo, të gjitha këto do të mbeten nën hije të punëve që do të kryhen në periudhën katërvjeçare. Ndër këto punë mund të përmend vazhdimin e fazës së dytë të punimeve në shtëpinë-muze të Ukshin Hotit, funksionalizimin e kanalizimit të ujërave të zeza, si dhe përfundimin e punimeve në rregullimin e rrugëve në fshat”, tha Latifi.

Ai tha se përkushtimi kryesor do të vazhdojë të mbetet në bujqësi. “Në këtë drejtim do të ofrojmë gjithë mbështetjen profesionale dhe materiale e teknike në hapjen e qendrave të reja të grumbullimit dhe përpunimit të pemëve e perimeve, si dhe do të stimulojmë ekonomitë familjare, si mundësia më e mirë për të tejkaluar gjendjen e rëndë ekonomike në vend”, shtoi ndër të tjera Latifi.

Nërkaq, deputeti i Kuvendit të Kosovës Ramiz Kelmendi i ftoi banorët e Krushës dhe të rrethinës që të mbështesin Aleancën, pasi që projektet që do të realizohen në territorin e Komunës së Rahovecit do të jenë një mundësi e madhe për bujqit e vyeshëm të kësaj ane. “Siç edhe mund të jeni në dijeni, ne kemi filluar ngritjen e një qendre për grumbullim dhe përpunim të perimeve në Xerxë, ku do të punohen dhjetëra qytetarë të kësaj komune. Kjo do të ofrojë siguri më të madhe për perimtarët e Rahovecit”, tha Kelmendi, duke kërkuar mbështetje për Smajl Latifin dhe listën e AAK-së./PrizrenPress.com/

LDK-ja në Malishevë vizitoi Bashkësinë Islame

0

LDK-malisheve vizitoi BIDega e LDK-së në Malishevë në krye me kryetarin, Januz Kastrati dhe kandidatin për kryetar Komune Salih Morina, kanë vizituar Bashkësisë Islame në Malishevë me rastin e festës së Kurban Bajramit.

Kastrati shprehu mirënjohjen e tij për punën dhe angazhimin e Bashkësisë Islame në ruajtjen e vlerave humane dhe fetare në Malishevë. Ndërsa kandidati për kryetar komune Salih Morina, u zotua se do të përkrahë BIK-un në aktivitetet e saj në dobi të qytetarëve të Malishevës

Ndërkaq, nënkryetari i BIK-ut Mulla Selim Paqarizi si dhe Imami i Xhamisë së Malishevës Fatmir Krasniqi, falenderuan përfaqësuesesit e LDK-së për vizitën e tyre./PrizrenPress.com/

LDK, BD e VV në Prizren, urojnë myslimanët për Kurban Bajramin

0

LDK-BD-VVLidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Bashkimi Demokratik (DK) dhe Lëvizja Vetëvendosje! (VV) në Prizren kanë uruar të gjithë besimtarët myslimanë me rastin e Festës së Kurban Bajramit.

Dega e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Prizren dhe kryetari i saj, Eqrem Kryeziu, gjithë qytetarëve të besimit islam ju uron Festën e Kurban Bajramit .

“Kjo është festa e sakrificës së njeriut në emër të Krijuesit. Festa e Kurban Bajramit qëndron fuqishëm mbi parimet e bujarisë, flijimit, sakrificës, pajtimit dhe solidaritetit. Andaj, kjo festë gjithashtu na e zgjon ndjenjën e dashurisë ndaj të vërtetës, ndaj drejtësisë dhe ndaj çdo gjëje që është e mirë dhe njerëzore.

Prandaj çdo njeri duhet të kuptoj se jeton për të bërë vepra të mira dhe për ta luftuar të keqën. Çdo njeri ka për obligim të promovoj vlera të dashurisë, të përhap respekt, harmoni dhe kënaqësi te të gjithë ata që jetojnë pranë tij, pavarësisht përkatësisë nacionale apo besimit fetar”, thuhet në urimin e LDK-së.

Edhe Bashkimi Demokratik dhe kryetari i saj, Zafir Berisha, ua uron të gjithë besimtarëve islam Festën e Kurban Bajramit. “I dëshiruar të gjitha të mirat, që çdo ditë e juaja të jetë festë e përcjellur me gëzime dhe dashuri mes juve dhe familjeve tuaj.

Festat tona qofshin festa të bekuara në rrugën tonë për forcimin e lidhjeve mes nesh duke shtuar respektin e ndërsjellë, mirësinë dhe interesin e përbashkët për ndërtimin e një shteti I cili respekton të drejtat e çdo qytetari”, thuhet në urimin e BD-së.

Ndërkaq, Lëvizja Vetëvendosje! në Prizren, gjithashtu uron gjithë besimtarët islam për festën e Kurban Bajramit. “Kjo festë e shënuar në mbarë komunitetin islam simbolizon besëlidhjen mes njeriut e perëndisë, në emër të së ardhmes. Përmes sakrificës simbolike, historia e Kurban Bajramit na përcjell detyrën e respektimit dhe përkujdesjes për brezin e ri, për brezat e ardhshëm. Na përcjell detyrën për të ndërtuar familje të shëndosha, shoqëri të shëndoshë e një shtet e komb funksional që të garantojë sa më shumë drejtësi sociale, solidaritet e mirëqenie për bijtë e bijat tona.

Gjithashtu urojmë që qytetarët të lidhen edhe më fort në bashkësi e në shoqëri, duke i ruajtur e duke i përparuar vlerat, zemërgjerësinë, tolerancën fetare dhe shpirtin e sakrificës. Ne urojmë lumturi për ju dhe për familjet e tuaja, duke shpresuar që në vitet e ardhshme kjo festë të na gjejë edhe më mirë”, thuhet në urimin e VV-së./PrizrenPress.com/