11.2 C
Prizren
E hënë, 13 Prill, 2026
Home Blog Page 9059

Të mërkurën fjala e prokurorit për rastin “Kleçka”

0

fatmirLimaj-tomGashi(E plotësuar) Trupi gjykues ka vendosur që të mërkurën, prokurori Mauricio Salustro, ta paraqesë fjalën e tij përfundimtare për rastin “Kleçka”. Po ashtu, trupi gjykues sot pas dite, pritet të vendos për heqjen ose jo të arrestit shtëpiak për Fatmir Limajn dhe të tjerët.

Në rast se prokurori Salustro do të arrijë ta përfundojë fjalën e tij të mërkurën, pastaj edhe pala mbrojtëse do të vazhdojë ta paraqesë fjalën e saj përfundimtare në ketë rast.

Përfundojnë provat në rastin “Kleçka”

Në seancën e sotme, kryetari i trupit gjykues, Malkolm Simons, ka përfunduar procedurat e provave në rastin “Kleçka”, ku janë të përfshirë Fatmir Limaj dhe nëntë ish-bashkëluftëtarë të tij.

Gjatë kësaj seance prokurori dhe pala mbrojtëse janë pajtuar që raportet psikiatrike të ekspertëve lidhur me gjendjen psikike të dëshmitarit “X” të merren si të lexuara. Trupi gjykues ka dhënë pauzë deri në orën 12:45, ku pastaj pritet të vendoset se kur do të vazhdohet me fjalën përfundimtare në rastin “Kleçka”.

Gashi: Limaj do të shpallet i pafajshëm

Avokati Tomë Gashi ka bërë me dije për “Epokën e re” se sot, në orën 10:00 do të vazhdojë procesi gjyqësor në rastin “Kleçka”, në të cilin janë të përfshirë Fatmir Limaj dhe nëntë ish-bashkëluftëtarë të tij. Sot, trupi gjykues i Gjykatës së Apelit pritet të vendosë për leximin e raporteve të ekspertëve britanikë lidhur me analizimin e gjendjes psikike të të ndjerit Agim Zogaj, i njohur si dëshmitari “X” .

“Mbrojtja e Limajt pret që rasti të përfundojë në shtator. Mendojmë se Limaj ka vuajtur mjaft nga sistemi selektiv i drejtësisë. Po ashtu, mendojmë se sistemi i drejtësisë është mjaft i politizuar”, ka thënë Gashi, duke shtuar se procesi gjyqësor ndaj Limajt në rastin “Kleçka” është stërgjatur pa nevojë. Gashi ka thënë se në këtë muaj do të përfundojë ky proces gjyqësor, ku Limaj do të shpallet i pafajshëm.

Përveç Limajt, në rastin “Kleçka” janë të përfshirë edhe: Arben, Naser e Nexhmi Krasniqi, Behlul Limaj, Refki Mazreku, Naser, Sabit e Shaban Shala si dhe Besim Shurdhaj. Vitin e kaluar Gjykata e Qarkut në Prishtinë, tani e Apelit, kishte shpallur të pafajshëm të gjithë të akuzuarit për rastin “Kleçka”. Po të njëjtin vit Gjykata Supreme kishte marrë vendim ta kthejë komplet në rigjykim rastin “Kleçka.

Zbulohen dy shkrime të panjohura të Fishtës

0

Gjergj FishtaNjë grup shkrimesh të panjohura të At Gjergj Fishtës janë bërë objekt kërkimi për studiuesin Kolec Çefa, një njohës i mirë i veprës së Fishtës dhe kontribues i madh i mbledhjes dhe identifikimit të saj. Ai pohon se ka vënë re, që në shumë botime ku është përmbledhur krijmtaria letrare dhe studimore e Fishtës vihet re mungesa e disa artikujve të botuar në shtypin e kohës, të cilave ju mungon autorësia, por që studiuesi i ka verifikuar përfundimisht se ato i përkasin At Fishës.

“Në gazetën “Posta e Shqypnìs” janë botue disa artikuj si: “Permbi burim të gjuhvet letrare” dhe artikulli “Mikrobët e gjuhës shqype”, të cilët, tue qenë pa firmë, janë lanë jashtë përmbledhjeve”, shënon në një studim të tij Kolec Çefa. Ai thekson se në fakt është edhe Prof. Kostallari i cili e përmend këtë fakt. Ai shkruan: “Artikulli nuk nënshkruhet, por, sipas shumë shenjave, duket se mund të jetë shkruar nga Gjergj Fishta, drejtues i këtij organi”, transmeton Shqiptarja. Po ashtu Çefa pohon se edhe Prof. Dr. Nuri Gokaj i njeh për të Fishtës.

“Subjekti gjuhësor aq shpesh i rrahun prej Fishtës, madje i rrahun me kulturë të gjanë e pasion atdhetari per tanë jetën, ka qenë i parapelqyem që në fillimet e krijimtarisë së tij. Edhe punoi e shkroi shumë për alfabetin tonë, gjuhën shqipe e shkollën kombtare”, vëren studiuesi Çefa.

Siç shkruante Fishta “gjuha letrare âsht e ujdisme me shije estetike e e xjerrme prej gurret të vet të gjallë, që âsht goja e popullit, prej visarit të kombit që âsht literatura e përbame me mund e me kohë;… se për përparim të gjuhës amtare âsht nevoja me u librue ç’prej themelit politikisht”; … se gjuhën e ndërtojnë shkrimtarët e dijetarët e zanatit”.

Nisur nga kjo studiuesi Çefa, shkruan se Fishta nuk pranonte dekrete as porosi nga nalt për gjuhën shqipe, nuk ishte për ngutje, nuk ishte për shartime dialektesh.

“Këto mendime e trajtimi i këtij subjekti, me stilin e tij fishtian; fjalori i tij i pasun e frazeologjia karakteristike në pendën e Fishtës, më çuen tek perfundimi se proza e pambledhun “Mikrobët e gjuhës shqype”, si edhe “Përmbi burim të gjuhvet letrare”, sado pa firmë autori, (ka edhe shkrime tjera në “Postë…” të Fishtës pa firmë autori të pambledhuna) kanë dalë nga mendja e penda e Fishtës, prandaj duhet të rreshtohet si krijim letrar i Fishtës.

Më tej studiuesi Kolec Çefa përmend se po në gazetën “Posta e Shqypnìs” Fishta ka botuar një reçension për veprën e Mjedës “Juvenilia”, si edhe një recensioni të dytë për “Juvenilian” me titull “Literaturë shqype”, si edhe një analizë kritike për Koliqin. Por mjaft ngacmues është edhe një shkrim, po ashtu i pafirmosur por që është vërtetuar se i takon Gjergj Fishtës, i botuar në vitin 1921 në gazetën “Shkumbini” me titullin “Fjalë të reja e mentalitete të vjetra”.

Këtë artikull sikurse edhe “Mikrobet e gjuhës shqype” po i sjellim më poshtë për lexuesin.

Artikulli i parë

 

FJALË TË REJA E MENTALITETE TË VJETRA

 

Sot âsht tuj u vra shqiptari me shqiptarë. Sot nji krahinë e përmendun e Shqipnisë, Mirdita, âsht tuj u la në gjak të shqyptarëvet! Punë fort e ligë; punë e keqe fort! Kush e ka fajin?

Qatje kah nbarimi i qershorit të këtij vjeti doli fjala e mori dhén, se paria e Mirditës, Z. Marka Gjoni i Gjomarkajve, po e kishte ba pleqni me krén të vendit, m’e shkepë Mirditën prej Qeverijet të Tiranës e me ngrefë per te nji qeveri tjetër të re, e se, per me i dalë kësaj pune në krye, po kishte kalue deri në Prizren, per me lypë prej serbëve ndihmë financjare e ndihmë morale a diplomatike.

Qeveria jonë e paska pasë ndie ket fjalë e menjiherë vendueka, me çue në Mirditë një forcë ushtarake, per me prue me fuqi t’ armëve Marka Gjonin në fille, me gjith krén e me gjith popull kreshnik t’atij vendi.

Të ndershmit deputetët e Shkodres, tuj marrë vesh se ishte kah mëkambej nji ushtri me i ra Mirditës, i tërhoqën vërejtjen qeverisë, se mëndorja e kohëve e e vendit e lypte, që bashkë me ushtri të dërgohej edhe një komision, për me u marrë vesh nji herë ma para me Kapitan Marka Gjonin e me tjerë krén të Mirditës mbi shkaqe të verteta, që i kishin shtye me lypë të ndamit e Mirdites prej qeverijet të Tiranës. Mbas projektit të të ndershemve deputetë të Shkodrës, komisioni do të përbahej prej katër vetëve: tre zotni shkodranë, dy katolikë e nji muhamedan, e Bajram Beg Curri, i cili do të ishte kryetar i komisjonit e komandar i ushtrisë, kështu që mos të dilte kurrnji kundërshtim i damshëm ndërmjet komisionit e komandet ushtarake.

Proponuem Bajram Beg Currin, pse ky vetë e shpija e tij, jo veç mbas luftave e kryengritjeve, që në këto vjett e mbrame kanë shëmtue vendin tonë, por edhe perpara, ishte në lidhni miqasore me derë të Gjomarkajve e me popull mbarë të Mirditës e, pse edhe vjet që shkoi u diftue burrë e komandar i zoti në të shtypun t’ esadistëve. Ma teper do dijtë, se i gjith populli katolik i Shqypnisë së Eper ka nji besim të plotë në burrnì e në bujarì të këtij burri të ndershëm.

Qeverija nji herë e parapa plotësisht projektin e deputetëvet të Shkodrës, por mbasandej, per arsye që parlamenti do ta kishte me detyrë me e dijtë, e qiti poshtë. Lëshoi esadistat prej burgut, siguroi miljonat në kasë të financës, edhe, nën komandë të Z. Kolonelit Ali Fehmi Bej Kosturit, ia lëshoi ushtrinë në shpinë Mirditës. E kështu, shi në këto kohë historike zunë me u vra e me u pre shqyptarët ndermjet vedit.

Edhe na jemi mendimit, që në Shqypni mos të ketë veçse nji qeveri të vetme, pse kështu njinija e jeta e kombit sigurohet ma mirë. Por kur të marrim para sysh, se edhe njeti aty-këtu nëpër botë ka shtete të mbarështueme nder kantone, me një qeveri qandrore, si Austro-Hungarija motit e Helvecia në ditë të sodit, na, per me u dashtë me u dhanë fjalëvet kuptimin e vet të vertetë, ma fort se nji tratti, çashtjen e sotme të Mirditës e mbajmë nji çashtje politike të permbrendshme: pse edhe qeverija nuk mundet me na vertetue pozitivisht, se me ket lëvizje Kapiten Marka Gjoni do pernjimend me i lëshue shteg jugosllavit, që të dalë në skele të Shnjinit.

Por edhe me pasë per të kenë e vertetë kjo fjalë, nuk kishte me kenë arsye me u çue na e me mbytë shoqi-shoqin, tue kenë se të lëshuemit a të moslëshuemit shteg jugosllavëve neper Mirditë, nuk asht nji çashtje kjo që mund të rregullohet prej Kapiten Marka Gjonit a Eljaz Beg Vrijonit, por prej Konferences së Paqes.

Prandaj na nuk kuptojmë se si mund të jetë, që shi njajo qeveri e cila jep autonominë administrative Himares, ku ende nuk asht e sigurtë, se populli i atij vendi, pa u hap nji plebishit prej anës së Konferencës së Paqes, dishmohet shqiptar: që shi njajo qeveri, e cila lëshon prej burgut njata shqiptarë, që vjet me ndihmën e serbëvet dojshin me ba që jo veç Mirdita të shkepej prej qeverijet të Tiranës, por që me gjith Shkoder t’i lëshohej Jugosllavisë, nuk kuptojmë, po thomi na, se si njajo qeveri të shkojë sod e të vrasë e të therë Mirditasit që lypin vetëm me u shkepë prej qeverijet të Tiranës, mbasi edhe Turqija, ligji i së cilës sod me sod zotnon në Shqypni, ia ka pasë njoftë nji administratë privilegjante.

Por këto janë punë që i perkasin kompetencës së parlamentit, na këtu vetem duem të pyesim qeverinë: çka bani ajo e ç’mjete të paqta perdoroj per të bamë që Mirdita mos të lypte me u shkepë prej qeverijet qandrore? Duhet dijtë, se nder shtete parlamentare nuk janë vetem mitralozat e topat, që mbajnë qetësinë nder krahina të ndryshme të atdheut, mandej ka pasë thanë edhe ai i moçmi: nandëdhetenandë urti e nji trimni.

Se asht zanë fill Shqypnia zyrtare e e ligjshme, duem me thanë, prej 1914 e deri sot, shtetin tonë e kanë sundue këto qeveri:

1. Qeverija e Princ Vidit.

2. Qeverija e Turkhan Pashës

3. Qeverija e Sulejman Beg Delvinës

4. Dy qeveritë e Eljaz Beg Vrijonit.

Tash të gjitha këto qeveri çka banë për Mirditë, ose ma mirë, të thomi, për Shqypninë Veriore?

Njiherë qeverija e Princit Vied me i lajmue s’i lajmoi popullit mbi Breg të Matës e perpjetë, se Shqypnija kishte dalë shtet më vedi e se kishte edhe nji princ suveren të vetin: pse, sa per dhetë miljonat ar që aso kohe u shpenzuen në gjashtë muej, as nji dy pare si nuk u dha per të mirë të kësaj krahine. Per qeverinë e Turkhan Pashë dihet vetem këta, që dërgoi njiherë në Lezhë për çashtje të dhetave të Zadrimës e se desh të ngrefë nji nenprefekturë në Bushat. Nen qeverinë e Sulejman Beg Delvinës u ngref lufta me jugosllavë në Hot e në Kastrat, nuk dihet se pse, edhe u rrenue Malcija e Madhe, nji krah i fortë i Shqypnisë.

Ma teper kjo qeveri organizoi nji operacjon ushtarak në Zadrimë e t’i lëshoi mbi shpinë atij populli Shkoder e Postrripë, ushtarë e bashibuzukë, e gjendarë gjithfarë ngjyret e veshet, me bajrakë e me burija e me teneqe, të cillët, mandej, kjenë gati tue u vra shoq me shoq, pse ky po hante pata ma shum, jo pse ai po rruente biba e desh e qè të Zadrimës, si t’ishte kjo armik e jo pjesë plotësuese e Shqypnisë. E po qeverija e Eljaz Vrijonit? Si të gjitha tjerat. As ndreqi rrugë, as shtroi urë, as çili treg, as vu rend e rregull e nder 503 shkolla, që mban shteti shqyptar në të gjith prefekturën e Shkodrës ngrefi vetem tetëmbëdhetë shkolla fillore e dy qytetëse.

Një punë tek asht: të kallëzoj vetë ç’të mirë i suell qeverija e tij Shqypnisë së Eper, që me terheqë prej vedit besimin e saj? Këtu, posë mungesash të kësaj qeverije, kishim me mujtë të njehim edhe shum e shum gabime e shperdorime auktoriteti të bame prej anës së kësaj qeverije, por ngushtica e fletores na pengon të zgjanohemi ma teper nder këto fjalë. Tash nji qeveri që s’asht e zoja t’i sjell nji të mirë vendit dhe asht e ngushtueme të ngrefë luftë dy-tri herë në vjetë me popull të vet, dmth, se gjindja e saj ende s’e kanë mentalitetin e perbamë, per me vu nevojët e kohëve të sodshme e të systemeve të reja. Edhe Turqit e Ri dhanë konstitucjonin e mbasandej çuen Turgut Pashat e Xhavit Pashat me topa e mitraloza nëper Shqypni.

Por mos të harrojë qeverija, se ka thanë i moçmi, që: “kush mbjellë erë, korrë duhi”.

(Kjo prozë , e panjohun si e Fishtës, u botue në gazetën “Shkumbini”, nr. 30, datë 16.9.1921.)

 

Artikulli i dytë

 

MIKROBËT E GJUHËS SHQYPE

Pernjimend se asht nji punë per t’u çuditë, që nji grusht njerëz në gji t’Europës, që jemi na shqyptarët, tue kenë ndoshta kombi ma i vjetri i të gjithë Europës e rrethue per gjith anesh prej kombeve të tjera ka mujtë me ruejtë deri sod gjuhën e vet m’vedi e krejt të dame prej gjuhëve tjera europjane. E pra, kush nuk u pershkue neper ne! Mjaft me thanë romakët e turqit, dy pushtete të perfrigueshme: e me gjith kta, shqypja gjallë se gjallë, e, shka asht ma teper, perditë tue u zhdrivillue ma fort.

Asht lypë forca e konservatorizmi i nji kombi shqyptar, per me e ruejtë gjuhën e vet të gjallë e të kerthneztë ndermjet zhumhurit të gjuhëve të slavëve, të grekve e nen imperjalizem të kulturës latine, pse dihet që ka kombe n’Europë, të cillat sod nuk flasin ma gjuhen origjinale të veten, por gjuhë të hueja. Por tue vu në oroe korespondencën e perditshme, që na vjen prej Shqypnijet, shkrimet që çohen me u botue në shtypshkrojë tonë, mundena me thanë, se çka nuk mërrijtjen me ba në gjuhë shqype grekët, romakët, gotët, slavët etj. janë tue e ba sod shqyptarët vetë: janë tue e hupë gjuhën shqype!

Nen shkak që gjuha shqype s’ka literaturë të veten, kanë nisë të shkruejnë shqyp secilli mbas atij qirificit të mendes së vet, pa e vû në oroe aspak a natyrën e gjuhës, a shijen estetike e arsyetimin e ligjeratës njerëzore. Kanë këndue ndonji fletore të hershme, ase, neper tê, edhe ndonji liber shqyp, botue prej ndoj geget a tosket si neper kllapì a me pasë kenë tue qitë laknuer me nêne e qe se ato 10-15 kokrra fjalë ekzotike, që u kanë mbetë nder trû të shtypuna a librat shqyp, kanë per t’u mundue me e folë, kanë per t’i mbjellë aty-ktu neper shkrime të veta si me lëshue guraleca në brûm të bukës kallamoqe, në short me të thye dhambët e tmallët e shëndosha.

Tjerët kahë nuk i ka lanë shpija mbrendë, kanë kerkue dhenë si parja e kuqe, e kur kanë shtegtue neper Shqypnì, të ngushtuem me u marrë vesht a gega me toskë, a toska me gegë, kanë shkue tue shartue njanin djalekt me tjetrin, pa kurrfarë mjeshtrijet porsi me shartue shegat me fiq e të kanë perba nji gjuhë krejt në vedi, që s’di a asht kàl, a mushk, a gomar e që ma fort se gjuhë shqype, kishte me u dashë me e quejtë sallahane.

E, ka asish masandej, e janë sidomos do nëpunësa në Shqypnì e nxanësat tonë jashta Shqypnije, të cillët, ma fort se me studiue natyrën e gjuhës a librat shqyp kanë per t’u mundue me folë e me e shkrue shqypen mbas mëndyrës që ta flasë drejtori i zyres, per në kjoftë nëpunës e, per në kjoftë nxanës ka per t’i marrë të gjitha veset e shqyptimit e gabimet gramatikore të atij që ta ketë porositë me e marrë në shkollë perjashta: e atëherë na mblon aj breshen fjalësh shumë të bukura e që me shmangien e formave dialektare, per me trajtue kështu gjuhën letrare shqype, si bje fjala njikto rreshta që po i nxjerrim prej nji lajmit botue tash së vonit:

Gjithë pjestarvet i ngufoi zemra në gëzim tue ndigjue kto fjalë me randësi tue u qeshun fëtyra, u shperndanë kadalë. Të gjithë dija e gjuhës shqype ka mbetë, per në kjoftë gegë shkruesi me shkrue shumë ë nder fjalë, e per në kjoftë toskë, tue vu sheje hundakësh, punë e pa punë; e kështu, vjen e bahet letra me pikla, e thue se ke shprazë në tê nji kubure kaçalluke mbushë me shasme.

E, shka të bindë e të neveritë ma fort asht kta që të gjithë po duen me u mbajtë filologë. Hin e fol me ta, paj, qe besa e besës, ta bajnë kryet per voe kahë vehen kinse me të spjegue, se kjo fjalë vjen prej sanskritishtes, se kjo tjetra asht indo-gjermane, se ajo e treta rrjedh drejtperdrejt prej persishtes: se Majeri i ka thanë kështu, se Pederseni ka shkrue ashtu e kështu Jockel e kështu Jagiç e kështu etj., etj. të tana fjalë si me u pasë ra lnjyra e me kenë tue folë këllapì. Per ta të gjithë literatyra s’asht tjetër veçse nji etimologjì fjalësh e kurrgja ma teper.

Kahë pritojnë me u vu e me zanë më libra shqyp, kta s’e zanë se ka shkrue kush shqyp kurr, e pse gja të veten s’kanë të shkrueme, kështu gjithmonë kanë per të mbajtë per fjalë të shkrimtarëve të huej, si mbahet kungulli haes per gardh. E Kështu, kahë rrijnë kta garguj tue britë permbi filologji e literatyrë, gjuha shqype ka ardhë e asht perzie si flokët e harapit sa me mbërrijtë njeriu me i thanë vedit, jarebi, a di unë shqip, apo jo? Per në ngjatët puna kso doret, s’ka me shkue shum e na kemi me kenë të ngushtuem me folë e me shkrue në gjuhë të huejen, pse gjuha shqype ka me dekë, pa dyshim, mbassi i kanë hî sod mikrobët që janë shkrimtarët e padije e të pa zeje.

Thonë se gjuha shqype s’ka literatyrë e gjuhë letrare të veten. Asht rrenë! Gjuha shqype ka literatyrë, veçse s’ka lertrarë, sa kishte me u dashtë. Padija në literatyrë e një shumicës së madhe të shqyptarëvet të sodshëm, ka ba që perparimi i literatyrës së gjuhës shqype sod ka kthye, pak me thanë, 50 vjet mbrapa. Prej zekthit të marrë që me u dukë letrarë pa kenë, sod asht pshtjellue gjuha shqype në mënyrë që mos me mujtë me këndue dy rreshta shqyp, perpa t’u çue vneri. Urojmë që shqyptarët e meçëm e sidomos Komisjoni Letrar kanë me u mundue me i shtypë me shkrime të veta kta mikrobë parazita të gjuhës shqype.

David Frost: Si e shihja Shqipërinë nga Korfuzi në vitin 1988

0

72310Gazetari britanik David Frost, i njohur për intervistat e tij me ish-presidentin amerikan Richard Nikson, vdiq nga një atak kardiak në moshën 74-vjeçare, njoftoi familja në një komunikatë. “David Frost vdiq në bordin e anijes ‘Queen Elizabeth'”, theksoi familja. David Frost, i cili punoi për “BBC”-në gjatë karrierës së tij në televizion mbi 50 vjet, kishte intervistuar Richard Niksonin lidhur me skandalin “Watergate”, pas dorëheqjes së presidentit amerikan. Intervistat, të publikuara në vitin 1977, mundësuan realizimin e një filmi në 2008-ën. David Frost, në një intervistë për “Tonight” të Ilva Tares, rrëfeu si i pa brigjet shqiptare në vitin 1988 dhe impresionet nga projektorët gjigantë që ruanin të arratisurit e mundshëm.

IT: Sir David, pse mendoni që “Watergate” është ende skandali më i famshëm i gazetarisë investigative në botë? A nuk ka pasur skandale të tjera në këto 40 vitet e fundit? Apo gazetaria investigative nuk ka mundur të tregohet e ashpër me Peshqit e mëdhenj?
DF: Po unë mendoj që “Watergate” ishte i jashtëzakonshëm. Mjafton të themi që Niksoni ishte presidenti i vetëm që u detyrua të jepte dorëheqjen për shkak të këtij skandali në më shumë se 200 vjet dhe kjo e bën “Watergate”-n unik në këtë drejtim. Por kemi të bëjmë edhe me vetë personazhin.
Pavarësisht se ç’mendojnë njerëzit për Niksonin, ai ishte shumë i diskutueshëm dhe intrigues, por edhe shumë i pasigurt me disa njerëz. I ndërtoi vetes një lloj muri përreth vetes, pra Niksoni ishte karakter joshës dhe siç del dhe në film mbante një qëndrim të tipit: Kush e bëri? Vetëm nga fundi i intervistës dhe i xhirimeve ai pranoi në një farë mënyre përgjegjësinë dhe u fal për çfarë kishte bërë. Ishte hera e parë që e bëri atë gjest. Kësisoj kishte mister në ajër, ishte ky personazh intrigues në pikëpyetje, një skandal i pashoq siç ishte përgjimi i njerëzve dhe mbi të gjitha ai u detyrua të ikte nga Shtëpia e Bardhë… Unë mendoj që këto ishin arsyet që kishin elementët e dramës dhe detajet e çështjeve njerëzore të përfshira.
Ju keni të drejtë. Ne duhet të jemi të shqetësuar për skandale të tjerë dhe ngjarje të renda siç janë zhvillimet e tmerrshme në Siri dhe në vende të tjera. Por “Watergate” ishte i fokusuar tek një njeri i vetëm, një qenie misterioze, ndonjëherë i çuditshëm, me raste simpatik, në më të shumtën e tyre aspak… Çfarë karakteri ishte! Ndoshta Presidenti më interesant që ka ekzistuar ndonjëherë!

IT: Duke ju dëgjuar se si e përshkruani Niksonin, më krijohet përshtypja që ju e pëlqenit. E vërtetë?

DF: Në kohën kur i bëra intervistën nuk e pëlqeja, sepse rreth 30 njerëz ishin në burg pasi kishin bërë gjëra për të cilat Niksoni kishte urdhëruar. Ishte e vështirë të mendoje që ata ishin në qeli teksa ne zhvillonim intervistat, ndaj ishte e vështirë ta pëlqeje Niksonin apo të kishe simpati për të. Ndjeja një lloj keqardhjeje për tragjedinë e këtij njeriu, që siç e kam thënë edhe në libër, e kishte shumë për zemër të ishte i jashtëzakonshëm, por nuk ia doli të ishte i tillë.
Dua të shtoj se fjala “e pëlqeja” është shumë personale për ta përdorur në rastin e Niksonit, sepse ai e izolonte veten nga bota dhe nga njerëzit.

IT: Nëse “Watergate” nuk do të kishte ndodhur, a mendoni se Niksoni do të kishte qenë presidenti më i madh i SHBA-ve?

DF: Kjo është një pyetje shumë-shumë interesante. Mendoj që jo dhe dua ta shpjegoj pse. Ajo që shkaktoi skandalin e “Watergate” ishte paranoja e Niksonit. Ai gjithmonë thoshte: “Ata që nuk janë me ne janë kundër nesh.” Dhe kjo nuk është e vërtetë, sepse për këtë çështje një numër i madh njerëzish ishin pro tij, disa të tjerë kundër tij, por një pjesë e konsiderueshme e opinionit publik, që ishte në qendër dhe nuk kishte asnjë qëndrim, nuk do të thoshte automatikisht që ishin kundër. Pra dua të them se ai po e ekzagjeronte me nivelin e armiqësisë që mendonte se i drejtohej atij. Ja të jap një shembull për paranojën e Niksonit. Në një pjesë të intervistës ai tha: “Ata flasin për paranojën time, por paranoja për paqen nuk është gjë e keqe”. Dhe dy ditë më vonë, anëtarë të stafit të tij dhe timit vendosën etiketa ku shkruhej: “Paranojë për paqen.”

Me fjalë të tjera, ajo që dua të them është se cilësitë që ai kishte dhe karakteri i tij në lidhje me paranojën do të dilnin në pah në mënyra të tjera dhe ndoshta mund të kishte ndodhur një skandal tjetër apo në një dekadë tjetër, por gjasat janë që do të kishte ndodhur gjithsesi.

IT: Sir David, besoj se mund të njihni edhe raste të tjera udhëheqësish, politikanësh që sillen si Niksoni, pra, ose duhet t’i pëlqesh e të jesh me ta, ose je kundër tyre, por ata janë ende në pushtet dhe nuk janë detyruar të largohen.
DF: E vërtetë! Unë mendoj që të gjithë politikanët kanë një grimcë paranoje brenda tyre, madje edhe pse përpiqen ta fshehin këtë dhe të jenë bujarë me kritikët e tyre. Por, ata nuk e shmangin dot faktin që, kur shkojnë në shtëpitë e tyre, qoftë kjo Shtëpia e Bardhë apo kudo ndodhen, të mendojnë se njerëzit që i qortojnë janë paksa jopatriotë. Kjo lloj paranoje gjendet pothuaj në çdo politikan.

IT: Kjo ishte dhe pyetja ime e radhës. A jeni në “Facebook?

DF: Jo jo, nuk e kam përqafuar “Facebook”-un. As “Twitter”-in apo Youtube. Jam shkollë e vjetër në atë drejtim. Nuk di ta shpjegoj pse nuk më tërheqin. Disa nga teknologjitë e fjalës së fundit ne i përdorëm në Al Jazeera English kur filluan transmetimet me celular. Kur një gazetar ndodhej në Irak, e filmonte ngjarjen dhe s’kishte nevojë ta transmetonte diku në një qendër televizive, por mund të dilte direkt nga çanta e tij.
IT: Kam parë disa intervista tuajat të viteve të shkuara në Youtube dhe pashë që të ftuarit ju bënin dhurata. Kështu, Jon Lenno me Yoko Ono ju dhuruan Kutinë e Buzëqeshjes me pasqyrën brenda. Çfarë bëni me këto dhurata, i ruani?
DF: E doja shumë atë dhuratë. E vetja gjë është se është vjedhur nga një dhomë hoteli. Por folëm për këtë fakt disa ditë më parë kur takova Yoko Onon.
IT: Kjo është dhurata që po ju sjell nga Shqipëria. Është një bunker-souvenir. Gjatë diktaturës, Enver Hoxha ndërtoi rreth gjysëm milioni bunkerë, të realizuar me beton, nga frika e ndonjë pushtimi armik të jashtëm. Mendova që ishte një detaj interesant nga historia e vendit tim.
DF: Oh, të falenderoj shumë. Më kujtohet kur kam qenë në Korfuz në 1988; liria kishte filluar të vinte në vendet e Lindjes, – edhe pse në Shqipëri erdhi pak më vonë, – dhe ishin disa projektorë të fortë kërkimi që më bënë shumë përshtypje, pasi nuk kisha parë kurrë më parë të tillë. Siç më shpjeguan, vinin nga brigjet shqiptare për të kontrolluar arratisjen e mundshme të shqiptarëve. Çdo mbrëmje e shihnim këtë skenë dhe dëshironim që liria të vinte dhe tek ju dhe falë zotit tani e keni.

IT: Lavdi zotit e kemi! A keni një këshillë të fundit për studentët që duan të bëhen gazetarë në të ardhmen?

DF: Nëse po intervistoni dikë, gjithmonë dëgjoni. Gjithmonë përpiquni ta pasoni pyetjen me një tjetër. Gjithmonë rrini vigjilent për ngjarjen e pritshme. Një kufi i ri, një horizont, gjithçka e re. Gjithmonë kërkoni një mundësi të re. Dhe është shumë e rëndësishme të mos pranoni kurrë ‘Jo’-në si përgjigje.
Edhe nëse iu duhet të ktheheni sërish tek i njëjti person për të marrë përgjigje, edhe nëse iu duhet të trokisni sërish tek e njëjta gazetë për të filluar punë. Besoj se kjo është gjëja më e rëndësishme. Është detaji që i bën njerëzit të kthejnë sytë nga ty, ai është çelësi që ngacmon publikun. Dhe e fundit, kurrë mos prano ‘Jo’-në si përgjigje përfundimtare.

Fletëvotimet në zarf

0

Zgjedhjet-ksPak ditë para se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të vendosë për përmbajtjen e fletëvotimeve, krerët e partive më të mëdha të vendit janë pajtuar me kërkesën e Serbisë që në fletëvotimet për kryetar komunash dhe për Asambletë Komunale mos të ketë simbole të Republikës së Kosovës.

Megjithëkëtë liderët e PDK-së, LDK-së, AAK-së dhe AKR-së kanë insistuar që stema e Republikës së Kosovës të mbetet në materialet zgjedhore dhe si kompromis janë pajtuar për një formë të re të materialit zgjedhor. Sipas marrëveshjes që liderët politikë e kanë arritur të shtunën pasdite, materiali zgjedhor në zgjedhjet e 3 nëntorit do të përbëhet nga një letër mbështjellëse e dy fletëvotimeve, shkruan Tribuna.

Letra mbështjellëse do t’i përmbajë gjitha elementet e shtetësisë së Kosovës, përfshirë stemën e shtetit dhe logon e KQZ-së, ndërsa, brenda asaj flete mbështjellëse do të futen fletëvotimi për kryetar komune dhe ai për Asambletë Komunale të cilat nuk do të përmbajnë kurrfarë simboli shtetëror.

Filloi viti shkollor

0

Shkolla-nxenesitSot në gjithë Kosovën fillon viti i ri shkollor 2013-2014. Sipas të dhënave të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, mësimi fillor dhe i mesëm në nivel vendi zhvillohet në 1113 objekte shkollore, ku do të vijojnë mësimin mbi 420 mijë nxënës dhe 28 mijë mësimdhënës.

Klasën e parë do ta fillojnë 29 mijë nxënës. Drejtori i Administratës së Arsimit Parauniversitar, Alush Istogu ka pohuar se MAShT, në bashkëpunim me Drejtoritë Komunale të Arsimit kanë bërë të gjitha përgatitjet e duhura administrative dhe profesionale për vitin e ri shkollorë, i cili do të nis më 2 shtator.

Ndërkohë, këtë vit do të fillojë pilotimi i Kurikulës së Re të Arsimit Parauniversitar, në 10 shkolla, në nivel vendi, transmeton KP.

Viteve të fundit, sistemi i arsimit në Kosovë, është ballafaquar me probleme nga më të ndryshmet. Sipas prindërve të nxënësve, ekspertëve të arsimit dhe përfaqësuesve të opozitës, problemet fillojnë nga cilësia e arsimit, klasat e mbipopulluara, politizimi i strukturave udhëheqëse të shkollave, e deri te mosaplikimi i kurikulave të Republikës së Kosovës në nivel vendi.

Krasniqi: Vetëvendosje! do të krijojë një sistem të punës në Malishevë

0

AlbaniKandidati i Lëvizjes Vetëvendosje! për kryetar të Malishevës, Alban Krasniqi, beson se në zgjedhjet e nëntorit në këtë qytet do të fitojë alternativa dhe ekipi i njerëzve të ndershëm e profesional. Ai thotë se Lëvizja Vetëvendosje! do të krijojë një sistem pune, i cili do të jetë në funksion të plotësimit të nevojave të qytetarëve.“Do ta departizojmë arsimin dhe çdo sektor tjetër publik që është në kompetencat tona.Po astu  do të krijojmë një administratë profesionale më afër qytetarëve, për qytetarët dhe në shërbim të tyre”, thotë Krasniqi në një intervistë për “PrizrenPress”

Ai premton se Vetëvendosje! do  të përkrah edhe iniciativat lokale prodhuese. “ Do të sigurohemi që investimet kapitale të orientohen nga  nevojat dhe prioritetet që kanë në fokus qytetarin dhe komunitetin, do të nxisim investime përmes investitorëve privat dhe grandeve si nga brenda ashtu edhe jashtë vendit, në fusha të ndryshme, si në bujqësi dhe blegtori, turizëm, rivitalizim të sektorit të industrisë minerare, në mbrojtjen dhe ruajtjen e mjedisit që do të mundësonin rritjen e punësimit, mirëqenies dhe rritjen e buxhetit komunal”, shprehet ai.

Krasniqi premton se Lëvizja Vetëvendosje! do ta përmirësojë rrënjësisht gjendjen dhe mendësinë menaxhuese në shëndetësi, arsim, kulturë dhe sport, duke i dhënë përparësi profesionalizimit dhe orientimit të buxhetit komunal nga këta sektorë, përmes shfrytëzimit të grandeve qeveritare dhe mbi të gjitha organizatave ndërkombëtare si brenda vendit ashtu edhe jashtë saj. “Këto janë vetëm disa pika të përgjithshme të alternativës qeverisëse lokale, e cila do të hartohet dhe zbatohet me qytetarët dhe për qytetarët”, tregon ai.

Ai thotë se dita e parë e punës në qeverisjen e Malishevës, do të jetë angazhimi i grupeve të auditorëve dhe organeve të tjera kompetente për të hetuar dhe audituar çdo veprim, dokument, vendim, tender dhe transaksion të qeverisë në ikje, dhe çdo shkelje e evidentuar do të dërgohet tek organet kompetente të drejtësisë. ”Qeveria në ikje e ka vjedhur mundësinë për zhvillim të qytetarëve të Malishevës.  Ajo është treguar e papërgjegjshme dhe abuzive me pushtetin dhe pasurinë. Gjatë këtyre viteve të kësaj qeverisjeje ne kemi parë keq-menaxhim të parasë publike në të gjitha aspektet që nga tenderët, luksi, e deri tek pushimet ne bregdete me para publike”, shprehet ai. Sipas tij, qeveria ne ikje është treguar diskriminuese në ndarjen e  buxhetit dhe investimeve nëpër fshatra.

Ai është i sigurt se partia që qeverisë sot me Kosovën dhe me Malishevën është duke shkuar sigurt drejt shpërbërjes se saj. “Andaj kjo shpërbërje pa marrë parasysh shkaqet dhe motivet do të thotë frymim më i lirshëm për qytetaret e Malishevës, dhe rrjedhimisht një ndër parakushtet për ndryshimet e aq shumë të pritshme por të sigurta”,thotë Krasniqi.

Sipas tij, qytetarët e Malishevës janë lodhur e dërmuar nga ky lloj i qeverisjes, i cili i mban peng qe sa vite me radhë. “Fjala shpresë, zhvillim, dije, dinjitet, mirëqenie ka kohë që janë zëvendësuar me  fjalët korrupsion, nepotizëm, varfëri, papunësi, presion politik, injorim e depresion. Unë së bashku me aktivistët dhe qytetarët e tjerë të komunës së Malishevës përkrahja e të cilëve për çdo ditë po bëhet më e madhe dhe inkurajuese do të jemi pranë të gjitha fshatrave, familjeve, e qytetarëve, pranë veteranëve dhe invalidëve të luftës, veprimtarëve politik e shoqëror, familjeve të dëshmorëve e të martirëve, pranë arsimtarëve dhe mjekëve, zejtarëve e  muratorëve, pranë grave, pensionistëve dhe të rinjve, dhe së bashku me ta dhe për ta do të hartojmë alternativën për qeverisjen lokale  cila do ta nxjerrë Malishevën nga duart e krimit dhe korrupsionit, për tua kthyer atë qytetarëve”, thotë Krasniqi. /PrizrenPress.com/

 

 

Intervista e plotë e Alban Krasniqit

PrizrenPress: Pse vendoset të kandidoni për kryetar të Komunës së Malishevës ?

 Krasniqi: Malisheva ashtu si tërë Kosova po kalon nëpër një gjendje të mjerë ekonomike, sociale dhe politike ndaj së cilës nuk mund të mbetesh indiferent. Kandidimi im për kryetar të Komunës së Malishevës është vazhdimësi e angazhimit tim politik e shoqëror përgjatë këtyre viteve si para luftës, gjatë luftës, ashtu edhe pas saj. Tani kur shteti është kapur nga pushteti aktual politik që është i zhytur në krim e korrupsion, e që është vënë mbi ligjin, është jo vetëm përgjegjësi por edhe detyrë qytetare që të ndalet ky degradim, andaj kandidimi im është në funksion të ndaljes dhe ndryshimit rrënjësor të  kësaj mendësie plaçkitëse e përçmuese, ndaj qytetarëve të komunës së Malishevës dhe pasurisë së saj.

PrizrenPress: A jeni i sigurt se do t’i fitoni zgjedhjet në nëntor?

 Krasniqi: Jam i sigurt në një gjë, që qytetarët e Malishevës janë lodhur e dërmuar nga ky lloj i qeverisjes i cili i mban peng qe sa vite me radhë. Fjala shpresë, zhvillim, dije, dinjitet, mirëqenie ka kohë që janë zëvendësuar me  fjalët korrupsion, nepotizëm, varfëri, papunësi, presion politik, injorim e depresion. Unë së bashku me aktivistët dhe qytetarët e tjerë të komunës së Malishevës përkrahja e të cilëve për çdo ditë po bëhet më e madhe dhe inkurajuese do të jemi pranë të gjitha fshatrave, familjeve, e qytetarëve, pranë veteranëve dhe invalidëve të luftës, veprimtarëve politik e shoqëror, familjeve të dëshmorëve e të martirëve, pranë arsimtarëve dhe mjekëve, zejtarëve e  muratorëve, pranë grave, pensionistëve dhe të rinjve, dhe së bashku me ta dhe për ta do të hartojmë alternativën për qeverisjen lokale  cila do ta nxjerrë Malishevën nga duart e krimit dhe korrupsionit, për tua kthyer atë qytetarëve.

 PrizrenPress: Pretendoni të fitoni në rundin e parë, apo parashikoni të mbeteni në  balotazh ?

 Krasniqi: Pikënisje e punës dhe angazhimit tonë janë  parimet dhe koncepti politik i Lëvizjes VETËVENDOSJE! që kanë në fokus interesin e vendit dhe qytetarët e saj. Është në vullnetin dhe dorën e qytetarëve që të vlerësojnë dhe japin verdiktin e tyre. Për ne mbetet e rëndësishme që qytetarët të mund të shprehin lirshëm vullnetin e tyre gjë që deri më tani u është cenuar.

 PrizrenPress: Po a i frikësoheni kryetarit aktual të komunës,dhe kandidatit të PDK-së  z. Kilaj?

 Krasniqi: Koncepti ynë politik e programor së bashku me vullnetin dhe guximin qytetar në rritje janë ato që kanë filluar ta lëkundin dhe çrrënjosin modelin keq-qeverisës dhe zhvatës të pushtetit aktual i cili si kurrë më parë është në panik dhe sillet me agresivitet dhe pa kontroll duke na rikthyer në kujtesë distancimin ideopolitik gjatë regjimit jugosllav, fatin e të cilit e dimë të gjithë ne.

 PrizrenPress: Ndarja e PDK-së në Malishevë a do t’i  ndihmojë në fitore  Vetëvendosjes ?

 Krasniqi: Përgjatë historisë ne si popull përveç se kemi parë dhe lexuar edhe kemi marrë pjesë në rrëzimin e pushteteve diktatoriale. Ne gjithashtu kemi pare edhe pushtete te cilat ne rrugën drejt diktaturës janë shpërberë. Partia pushtet që qeveris sot me Kosovën dhe me Malishevën është duke shkuar sigurt drejt shpërbërjes se saj. Andaj kjo shpërbërje pa marrë parasysh shkaqet dhe motivet do të thotë frymim më i lirshëm për qytetaret e Malishevës, dhe rrjedhimisht një ndër parakushtet për ndryshimet e aq shumë të pritshme por të sigurta.

 PrizrenPress: Po kandidaturat e partive të tjera, mund ta rrezikojnë fitoren tuaj?

 Krasniqi: Ne e shohim fitoren tonë si fitore të qytetarëve dhe konceptit tonë politik. Për ne kandidati është në funksion të konceptit dhe jo anasjelltas.

Subjektet politike ne Malisheve përveç VETËVENDOSJE!-s e kanë dëshmuar tashmë sa herë që aktivitetin e tyre politik e kanë të orientuar në sigurimin e mbijetesës politike përmes së cilës ata dhe bizneset e tyre përfitojnë nga buxheti dhe pozitat publike.

PrizrenPress: Si e vlerësoni në përgjithësi  qeverisjen aktuale në Komunën e Malishevës ?

Krasniqi: Qeveria në ikje e ka vjedhur mundësinë për zhvillim të qytetarëve të Malishevës, ajo është treguar e papërgjegjshme dhe abuzive me pushtetin dhe pasurinë. Gjatë këtyre viteve të kësaj qeverisjeje ne kemi parë keq-menaxhim të parasë publike në të gjitha aspektet që nga tenderët, luksi, e deri tek pushimet ne bregdete me para publike, ndarje diskriminuese të buxhetit dhe investimeve nëpër fshatra dhe ku investime infrastrukturore përveç se të dobëta janë vetëm në funksion të fushatës dhe jo plotësimit të nevojave qytetare, punësime familjare dhe partiake, degradim të arsimit duke kthyer shkollat nga vendi i dijes në llogore te partisë pushtet, gjendje të mjerueshme në shëndetësi ku përveç se nuk ka qasje parandaluese aty mungon edhe reagimi ndaj sëmundjeve dhe rreziqeve tjera siç është rasti i rriqrave ku vetëm gjatë këtij viti fatkeqësisht kanë humbur jetën 6 qytetarë, zaptim pronash private e publike që më pastaj janë shitur e stërshitur brenda klaneve të ndryshme të pushtetit lokal, mos-transparencë dhe mbyllje ndaj publikut për aktivitetet dhe shpenzimet që pushteti ka bërë, presion dhe shantazh me premisa diktatoriale ndaj qytetarëve dhe mendimit ndryshe. Kjo qeverisje ka sjellë shumëfishimin e pasurisë së pushtetarëve dhe varfërisë së  qytetarëve, ajo nevojave jetike të qytetarëve për zhvillim ekonomik e punësim, arsim cilësor, shërbime profesionale administrative, mirëqenie dhe jetë të shëndoshë u është përgjigjur me asfalt dhe beton, pra përgjigjja e vetme ka qenë asfalti dhe betoni i dobët dhe i shtrenjtë sepse ata punojnë me logjikën e përfitimeve afatshkurtra nga tenderët dhe përmes klientelizmit.

PrizrenPress:Vetëvendosje! disa herë ka organizuar protesta të ndryshme kundër qeverisë së Kilajt. A mendoni se në nëntor Kilaj do të merr ndëshkimin nga qytetarët për të gjitha ato që ju e keni akuazar?

Krasniqi: Aktivitetet tona protestuese kanë qenë në funksion të shpërfaqjes së të bëmave të këtij pushteti abuziv.  Ne gjithashtu kemi shërbyer si zëri i vetëm artikulues i pakënaqësisë qytetare  dhe i kërkesës së tyre për ndryshim rrënjësorë për raportin qytetarë – pushtet. Sot në Malishevë mbretëron një frymë e pakënaqësisë së madhe qytetare e cila mund të shihet tek secili qytetarë. Ne për javë të tëra kemi bashkëbiseduar me qytetarët e Malishevës nga të cilët kemi parë një zhgënjim të madh ndaj mënyrës së qeverisjes përbuzëse që ju ka bërë ky pushtet bashkë me kryetarin e saj. Qytetarët e Malishevës sot janë më të informuar dhe më të vetëdijshëm së kurrë më parë  për të bëmat e  Pronto Qeverisjes në ikje.

PrizrenPress: E konsideroni të domosdoshëm kthimin e qeverisjes së mirë në këtë komunë?

 Krasniqi: Malisheva sikur edhe e gjithë Kosova meriton  një qeverisje e cila bazohet në solidaritet, mbrojtje sociale, nxit punësimin, lehtëson iniciativat prodhuese, ofron shërbime cilësore, siguron arsim dhe përkujdesje shëndetësore cilësore, mbështet zhvillimin e kulturës dhe sportit, është e përgjegjshme dhe jep llogari për punën e bërë, dhe e bën qytetarin pjesë aktive të vendimmarrjes.

PrizrenPress: Si e parashikoni fushatën zgjedhore, do të jetë e “ashpër” në kuptimin e garës?

 Krasniqi: Angazhimi ynë nuk bazohet në konceptin e garës por në konceptin  qytetarë për ndryshime rrënjësore. Lëvizja VETËVENDOSJE! në Malishevë e ka dëshmuar se qëllimi i aktivitetit tonë politik është më shumë se sa fitorja në një garë. Fushata në Malishevë do të bëhet në mes të dy subjekteve, atyre që kanë keq qeverisur deri më tash dhe Lëvizjes VETËVENDOSJE! që kërkon besimin e qytetarëve për ndryshim. Pra koncepti i vjetër i partive politike që kanë keq qeverisur Malishevën dhe Koncepti i ri i Lëvizjes VETËVENDOSJE! që angazhohet për qeverisjen llogaridhënëse të Malishevës.

 PrizrenPress: Cka do të fitojë Malisheva me ardhjen në pushtet të Vetëvendosjes?

 Krasniqi: Malisheva do ta fitojë alternativën e qeverisjes lokale dhe ekipin e njerëzve të ndershëm,  të përgjegjshëm dhe profesional që do ta zbatojnë atë.Ne do të krijojmë një sistem pune i cili do të jetë në funksion të plotësimit të nevojave të qytetarëve, do ta departizojmë arsimin dhe çdo sektor tjetër publik që është në kompetencat tona, do të krijojmë një administratë profesionale më afër qytetarëve, për qytetarët dhe në shërbim të tyre. Do të përkrahim iniciativat lokale prodhuese, do të sigurohemi që investimet kapitale të orientohen nga  nevojat dhe prioritetet që kanë në fokus qytetarin dhe komunitetin, do të nxisim investime përmes investitorëve privat dhe grandeve si nga brenda ashtu edhe jashtë vendit, në fusha të ndryshme, si në bujqësi dhe blegtori, turizëm, rivitalizim të sektorit të industrisë minerare, në mbrojtjen dhe ruajtjen e mjedisit që do të mundësonin rritjen e punësimit, mirëqenies dhe rritjen e buxhetit komunal. Ne do ta përmirësojmë rrënjësisht gjendjen dhe mendësinë menaxhuese në shëndetësi, arsim, kulturë dhe sport, duke i dhënë përparësi profesionalizimit dhe orientimit të buxhetit komunal nga këta sektorë, përmes shfrytëzimit të granteve qeveritare dhe mbi të gjitha organizatave ndërkombëtare si brenda vendit ashtu edhe jashtë saj. Këto janë vetëm disa pika të përgjithshme të alternativës qeverisëse lokale, e cila do të hartohet dhe zbatohet me qytetarët dhe për qytetarët. Dita jonë e parë e punës do të jetë angazhimi i grupeve të auditorëve dhe organeve të tjera kompetente për të hetuar dhe audituar çdo veprim, dokument, vendim, tender dhe transaksion të qeverisë në ikje, dhe çdo shkelje e evidentuar do të dërgohet tek organet kompetente të drejtësisë.

Xhabali: Dhjetë mijë qytetarë kanë nënshkruar peticionin kundër degradimit urbanistik të Prizrenit

0

Valon XhabaliAfër 10 mijë qytetarë kanë nënshkruar peticionin për ndalimin e degradimit urbanistik të Prizrenit. Koordinatori i Programit për Trashëgimi Kulturore në OJQ “EC Ma Ndryshe”, Valon Xhabali tha se peticioni do të jetë i hapur deri në dhjetor të këtij viti, kur edhe pritet të marrë detyrën kryetari i ri apo kryetarja e re e Komunës së Prizrenit “Deri më tash këtë peticion e kanë nënshkruar afër 10 mijë qytetarë. Besojmë se deri në dhjetor numri i qytetarëve që do të nënshkruajnë këtë peticion do të rritet”,  tha  Xhabali.

Organizata Joqeveritare “Ec Ma Ndryshe” dhe “Dokufest”, muajin e kaluar kanë nisur iniciativën qytetare për të ndalur degradimin e mëtejshëm urban të qytetit të Prizrenit. Disa nga kërkesat më të rëndësishme të këtij peticioni janë: Ndalimi i të gjitha aktiviteteve ndërtuese që nuk janë në pajtim me ligjet, rrënimi i të gjitha strukturave të ndërtuara që nuk janë në pajtim me ligjet, shpallja e vitit 2014, si vit të luftës kundër praktikave degraduese dhe kundërligjore në urbanizmin e qytetit, themelimi i një grupi punues për të hartuar Planin e Veprimit për Rend Urbanistik, krijimi i mekanizmave konkret të bashkëpunimit me organizatat e shoqërisë civile, kujdesi i veçantë ndaj Qendrës Historike të Prizrenit.

Xhabali tha se pikat aktuale të mbledhjes së nënshkrimeve janë: Sheshi ‘Shatërvan’, shëtitorja ‘Marashi’, ekipet lëvizëse nëpër lagjet e qytetit dhe një numër i lokaleve afariste kryesisht në qendër të qytetit.”Qyteti i Prizrenit duhet të mbrohet nga ndërtimet e egra. Fatkeqësisht Zona Historike cdo ditë po shkatërrohet nga këto ndërtime”, tha Xhabal.

Sipas tij, iniciativa për të realizuar këtë peticion është marrë pasi që institucionet nuk kanë treguar vullnet që të ndalin degradimin urbanistik të Prizrenit. “ Nuk kemi parë vullnetin e institucioneve që të ndalojnë degradimin urbanistik të Prizrenit”, tha ai.

Xhabali fton të gjithë qytetarët që të nënshkruajnë këtë peticion dhe t’i dalin në mbrojtje ndalimit të degradimit urbanistik të Prizrenit. “ I ftoj të gjithë qytetarët që të nënshkruajnë peticionin dhjetë mbrojnë qytetin nga ndërtimet e egra që po bëhen në zonat historike”. /PrizrenPress.com/

Gashi: Limaj po vuan nga drejtësia e politizuar

0

TomeGashi5-31Avokati i Limajt, Tomë Gashi, ka deklaruar për Kosovapress se nesër do të vazhdojë shqyrtimi kryesor në rastin “Kleçka” dhe se pritet që nesër të vendoset për leximin e raporteve të ekspertëve lidhur me analizimin e gjendjes psikike të dëshmitarit ‘X’.

“Mbrojtja e Limajt pret që rasti të përfundoj në shtator. Mendojmë se Limaj ka vuajtur mjaftë nga sistemi selektiv i drejtësisë dhe mendoj se sistemi i drejtësisë është mjaft i politizuar”, ka thënë Gashi.

Hoxha nuk pranon të jetë pjesë e listës zgjedhore të LDK-së në Prizren

0

Ridvan Hoxha LDKRidvan Hoxha nuk do të jetë pjesë e listës zgjedhore të LDK-së në Prizren. Ai nuk ka pranuar që në zgjedhjet e nëntorit të garojë për këshilltar të Asamblesë Komunale.

Burimet e sigurta të “PrizrenPress-it” bëjnë të ditur se Hoxha ka refuzuar ofertën e kandidatit të LDK-së për kryetar të Prizrenit,Eqrem Kryeziut, që të jetë pjesë e listës zgjedhore. “ Hoxha vetë nuk ka pranuar që të jetë pjesë e listës zgjedhore”, tregon burimi.

Këshilltari i LDK-së në Prizren, Ridvan Hoxha, gjatë këtij mandati ka qenë kritiku më i madh i “Qeverisë Muja”.

Sipas burimeve, Hoxha shumë shpejt do t’i jep edhe arsyet pse nuk ka pranuar të jetë pjesë e listës zgjedhore të LDK-së në Prizren.” Nesër ose pasnesër ai do të njoftojë opinionin për arsyet se pse nuk ka pranuar të jetë në listën zgjedhore të LDK-së”, tregon burimi i “PrizrenPress-it”.

Kala kandidat i KDTP-së për kryetar të Prizrenit

0

kalaErgin Kala do të jetë kandidat i Partisë Demokratike Turke të Kosovës (KDTP) për kryetar të Prizrenit.  Kryesia e këtij subjekti politik në Prizren dhe Prishtinë, është pajtuar që Kala të emërohet kandidat për Prizrenin.

“Kala është emruar kandidat i KDTP-së për Prizrenin”, tregon burimi i “PrizrenPress-it”.

Gjatë këtij mandati Kala, ka qenë shef i këshilltarëve të KDTP-së në Kuvendin Komunal të Prizrenit. /PrizrenPress.com/