16.8 C
Prizren
E enjte, 28 Mars, 2024

David Frost: Si e shihja Shqipërinë nga Korfuzi në vitin 1988

72310Gazetari britanik David Frost, i njohur për intervistat e tij me ish-presidentin amerikan Richard Nikson, vdiq nga një atak kardiak në moshën 74-vjeçare, njoftoi familja në një komunikatë. “David Frost vdiq në bordin e anijes ‘Queen Elizabeth'”, theksoi familja. David Frost, i cili punoi për “BBC”-në gjatë karrierës së tij në televizion mbi 50 vjet, kishte intervistuar Richard Niksonin lidhur me skandalin “Watergate”, pas dorëheqjes së presidentit amerikan. Intervistat, të publikuara në vitin 1977, mundësuan realizimin e një filmi në 2008-ën. David Frost, në një intervistë për “Tonight” të Ilva Tares, rrëfeu si i pa brigjet shqiptare në vitin 1988 dhe impresionet nga projektorët gjigantë që ruanin të arratisurit e mundshëm.

IT: Sir David, pse mendoni që “Watergate” është ende skandali më i famshëm i gazetarisë investigative në botë? A nuk ka pasur skandale të tjera në këto 40 vitet e fundit? Apo gazetaria investigative nuk ka mundur të tregohet e ashpër me Peshqit e mëdhenj?
DF: Po unë mendoj që “Watergate” ishte i jashtëzakonshëm. Mjafton të themi që Niksoni ishte presidenti i vetëm që u detyrua të jepte dorëheqjen për shkak të këtij skandali në më shumë se 200 vjet dhe kjo e bën “Watergate”-n unik në këtë drejtim. Por kemi të bëjmë edhe me vetë personazhin.
Pavarësisht se ç’mendojnë njerëzit për Niksonin, ai ishte shumë i diskutueshëm dhe intrigues, por edhe shumë i pasigurt me disa njerëz. I ndërtoi vetes një lloj muri përreth vetes, pra Niksoni ishte karakter joshës dhe siç del dhe në film mbante një qëndrim të tipit: Kush e bëri? Vetëm nga fundi i intervistës dhe i xhirimeve ai pranoi në një farë mënyre përgjegjësinë dhe u fal për çfarë kishte bërë. Ishte hera e parë që e bëri atë gjest. Kësisoj kishte mister në ajër, ishte ky personazh intrigues në pikëpyetje, një skandal i pashoq siç ishte përgjimi i njerëzve dhe mbi të gjitha ai u detyrua të ikte nga Shtëpia e Bardhë… Unë mendoj që këto ishin arsyet që kishin elementët e dramës dhe detajet e çështjeve njerëzore të përfshira.
Ju keni të drejtë. Ne duhet të jemi të shqetësuar për skandale të tjerë dhe ngjarje të renda siç janë zhvillimet e tmerrshme në Siri dhe në vende të tjera. Por “Watergate” ishte i fokusuar tek një njeri i vetëm, një qenie misterioze, ndonjëherë i çuditshëm, me raste simpatik, në më të shumtën e tyre aspak… Çfarë karakteri ishte! Ndoshta Presidenti më interesant që ka ekzistuar ndonjëherë!

IT: Duke ju dëgjuar se si e përshkruani Niksonin, më krijohet përshtypja që ju e pëlqenit. E vërtetë?

DF: Në kohën kur i bëra intervistën nuk e pëlqeja, sepse rreth 30 njerëz ishin në burg pasi kishin bërë gjëra për të cilat Niksoni kishte urdhëruar. Ishte e vështirë të mendoje që ata ishin në qeli teksa ne zhvillonim intervistat, ndaj ishte e vështirë ta pëlqeje Niksonin apo të kishe simpati për të. Ndjeja një lloj keqardhjeje për tragjedinë e këtij njeriu, që siç e kam thënë edhe në libër, e kishte shumë për zemër të ishte i jashtëzakonshëm, por nuk ia doli të ishte i tillë.
Dua të shtoj se fjala “e pëlqeja” është shumë personale për ta përdorur në rastin e Niksonit, sepse ai e izolonte veten nga bota dhe nga njerëzit.

IT: Nëse “Watergate” nuk do të kishte ndodhur, a mendoni se Niksoni do të kishte qenë presidenti më i madh i SHBA-ve?

DF: Kjo është një pyetje shumë-shumë interesante. Mendoj që jo dhe dua ta shpjegoj pse. Ajo që shkaktoi skandalin e “Watergate” ishte paranoja e Niksonit. Ai gjithmonë thoshte: “Ata që nuk janë me ne janë kundër nesh.” Dhe kjo nuk është e vërtetë, sepse për këtë çështje një numër i madh njerëzish ishin pro tij, disa të tjerë kundër tij, por një pjesë e konsiderueshme e opinionit publik, që ishte në qendër dhe nuk kishte asnjë qëndrim, nuk do të thoshte automatikisht që ishin kundër. Pra dua të them se ai po e ekzagjeronte me nivelin e armiqësisë që mendonte se i drejtohej atij. Ja të jap një shembull për paranojën e Niksonit. Në një pjesë të intervistës ai tha: “Ata flasin për paranojën time, por paranoja për paqen nuk është gjë e keqe”. Dhe dy ditë më vonë, anëtarë të stafit të tij dhe timit vendosën etiketa ku shkruhej: “Paranojë për paqen.”

Me fjalë të tjera, ajo që dua të them është se cilësitë që ai kishte dhe karakteri i tij në lidhje me paranojën do të dilnin në pah në mënyra të tjera dhe ndoshta mund të kishte ndodhur një skandal tjetër apo në një dekadë tjetër, por gjasat janë që do të kishte ndodhur gjithsesi.

IT: Sir David, besoj se mund të njihni edhe raste të tjera udhëheqësish, politikanësh që sillen si Niksoni, pra, ose duhet t’i pëlqesh e të jesh me ta, ose je kundër tyre, por ata janë ende në pushtet dhe nuk janë detyruar të largohen.
DF: E vërtetë! Unë mendoj që të gjithë politikanët kanë një grimcë paranoje brenda tyre, madje edhe pse përpiqen ta fshehin këtë dhe të jenë bujarë me kritikët e tyre. Por, ata nuk e shmangin dot faktin që, kur shkojnë në shtëpitë e tyre, qoftë kjo Shtëpia e Bardhë apo kudo ndodhen, të mendojnë se njerëzit që i qortojnë janë paksa jopatriotë. Kjo lloj paranoje gjendet pothuaj në çdo politikan.

IT: Kjo ishte dhe pyetja ime e radhës. A jeni në “Facebook?

DF: Jo jo, nuk e kam përqafuar “Facebook”-un. As “Twitter”-in apo Youtube. Jam shkollë e vjetër në atë drejtim. Nuk di ta shpjegoj pse nuk më tërheqin. Disa nga teknologjitë e fjalës së fundit ne i përdorëm në Al Jazeera English kur filluan transmetimet me celular. Kur një gazetar ndodhej në Irak, e filmonte ngjarjen dhe s’kishte nevojë ta transmetonte diku në një qendër televizive, por mund të dilte direkt nga çanta e tij.
IT: Kam parë disa intervista tuajat të viteve të shkuara në Youtube dhe pashë që të ftuarit ju bënin dhurata. Kështu, Jon Lenno me Yoko Ono ju dhuruan Kutinë e Buzëqeshjes me pasqyrën brenda. Çfarë bëni me këto dhurata, i ruani?
DF: E doja shumë atë dhuratë. E vetja gjë është se është vjedhur nga një dhomë hoteli. Por folëm për këtë fakt disa ditë më parë kur takova Yoko Onon.
IT: Kjo është dhurata që po ju sjell nga Shqipëria. Është një bunker-souvenir. Gjatë diktaturës, Enver Hoxha ndërtoi rreth gjysëm milioni bunkerë, të realizuar me beton, nga frika e ndonjë pushtimi armik të jashtëm. Mendova që ishte një detaj interesant nga historia e vendit tim.
DF: Oh, të falenderoj shumë. Më kujtohet kur kam qenë në Korfuz në 1988; liria kishte filluar të vinte në vendet e Lindjes, – edhe pse në Shqipëri erdhi pak më vonë, – dhe ishin disa projektorë të fortë kërkimi që më bënë shumë përshtypje, pasi nuk kisha parë kurrë më parë të tillë. Siç më shpjeguan, vinin nga brigjet shqiptare për të kontrolluar arratisjen e mundshme të shqiptarëve. Çdo mbrëmje e shihnim këtë skenë dhe dëshironim që liria të vinte dhe tek ju dhe falë zotit tani e keni.

IT: Lavdi zotit e kemi! A keni një këshillë të fundit për studentët që duan të bëhen gazetarë në të ardhmen?

DF: Nëse po intervistoni dikë, gjithmonë dëgjoni. Gjithmonë përpiquni ta pasoni pyetjen me një tjetër. Gjithmonë rrini vigjilent për ngjarjen e pritshme. Një kufi i ri, një horizont, gjithçka e re. Gjithmonë kërkoni një mundësi të re. Dhe është shumë e rëndësishme të mos pranoni kurrë ‘Jo’-në si përgjigje.
Edhe nëse iu duhet të ktheheni sërish tek i njëjti person për të marrë përgjigje, edhe nëse iu duhet të trokisni sërish tek e njëjta gazetë për të filluar punë. Besoj se kjo është gjëja më e rëndësishme. Është detaji që i bën njerëzit të kthejnë sytë nga ty, ai është çelësi që ngacmon publikun. Dhe e fundit, kurrë mos prano ‘Jo’-në si përgjigje përfundimtare.

Më Shumë

Në SBASHK shtohen kërkesat për të rikthyer protestat e grevat

Në takimin e rregullt me kryetarët e nivelit komunal dhe të universiteteve që ka organizuar SBASHK-u janë zhvilluar biseda për situatën aktuale në arsim...

Policia shqipton mbi dy mijë gjoba në trafik brenda 24 orëve

Policia e Kosovës njofton se për 24 orë, ka shqiptuar 2084 gjoba në trafik. Sipas policisë, gjatë 24 orëve të fundit janë evidentuar disa aksidente...

Lajmet e Fundit