36.8 C
Prizren
E premte, 19 Gusht, 2022

Krasniqi: Vetëvendosje! do të krijojë një sistem të punës në Malishevë

AlbaniKandidati i Lëvizjes Vetëvendosje! për kryetar të Malishevës, Alban Krasniqi, beson se në zgjedhjet e nëntorit në këtë qytet do të fitojë alternativa dhe ekipi i njerëzve të ndershëm e profesional. Ai thotë se Lëvizja Vetëvendosje! do të krijojë një sistem pune, i cili do të jetë në funksion të plotësimit të nevojave të qytetarëve.“Do ta departizojmë arsimin dhe çdo sektor tjetër publik që është në kompetencat tona.Po astu  do të krijojmë një administratë profesionale më afër qytetarëve, për qytetarët dhe në shërbim të tyre”, thotë Krasniqi në një intervistë për “PrizrenPress”

Ai premton se Vetëvendosje! do  të përkrah edhe iniciativat lokale prodhuese. “ Do të sigurohemi që investimet kapitale të orientohen nga  nevojat dhe prioritetet që kanë në fokus qytetarin dhe komunitetin, do të nxisim investime përmes investitorëve privat dhe grandeve si nga brenda ashtu edhe jashtë vendit, në fusha të ndryshme, si në bujqësi dhe blegtori, turizëm, rivitalizim të sektorit të industrisë minerare, në mbrojtjen dhe ruajtjen e mjedisit që do të mundësonin rritjen e punësimit, mirëqenies dhe rritjen e buxhetit komunal”, shprehet ai.

Krasniqi premton se Lëvizja Vetëvendosje! do ta përmirësojë rrënjësisht gjendjen dhe mendësinë menaxhuese në shëndetësi, arsim, kulturë dhe sport, duke i dhënë përparësi profesionalizimit dhe orientimit të buxhetit komunal nga këta sektorë, përmes shfrytëzimit të grandeve qeveritare dhe mbi të gjitha organizatave ndërkombëtare si brenda vendit ashtu edhe jashtë saj. “Këto janë vetëm disa pika të përgjithshme të alternativës qeverisëse lokale, e cila do të hartohet dhe zbatohet me qytetarët dhe për qytetarët”, tregon ai.

Ai thotë se dita e parë e punës në qeverisjen e Malishevës, do të jetë angazhimi i grupeve të auditorëve dhe organeve të tjera kompetente për të hetuar dhe audituar çdo veprim, dokument, vendim, tender dhe transaksion të qeverisë në ikje, dhe çdo shkelje e evidentuar do të dërgohet tek organet kompetente të drejtësisë. ”Qeveria në ikje e ka vjedhur mundësinë për zhvillim të qytetarëve të Malishevës.  Ajo është treguar e papërgjegjshme dhe abuzive me pushtetin dhe pasurinë. Gjatë këtyre viteve të kësaj qeverisjeje ne kemi parë keq-menaxhim të parasë publike në të gjitha aspektet që nga tenderët, luksi, e deri tek pushimet ne bregdete me para publike”, shprehet ai. Sipas tij, qeveria ne ikje është treguar diskriminuese në ndarjen e  buxhetit dhe investimeve nëpër fshatra.

Ai është i sigurt se partia që qeverisë sot me Kosovën dhe me Malishevën është duke shkuar sigurt drejt shpërbërjes se saj. “Andaj kjo shpërbërje pa marrë parasysh shkaqet dhe motivet do të thotë frymim më i lirshëm për qytetaret e Malishevës, dhe rrjedhimisht një ndër parakushtet për ndryshimet e aq shumë të pritshme por të sigurta”,thotë Krasniqi.

Sipas tij, qytetarët e Malishevës janë lodhur e dërmuar nga ky lloj i qeverisjes, i cili i mban peng qe sa vite me radhë. “Fjala shpresë, zhvillim, dije, dinjitet, mirëqenie ka kohë që janë zëvendësuar me  fjalët korrupsion, nepotizëm, varfëri, papunësi, presion politik, injorim e depresion. Unë së bashku me aktivistët dhe qytetarët e tjerë të komunës së Malishevës përkrahja e të cilëve për çdo ditë po bëhet më e madhe dhe inkurajuese do të jemi pranë të gjitha fshatrave, familjeve, e qytetarëve, pranë veteranëve dhe invalidëve të luftës, veprimtarëve politik e shoqëror, familjeve të dëshmorëve e të martirëve, pranë arsimtarëve dhe mjekëve, zejtarëve e  muratorëve, pranë grave, pensionistëve dhe të rinjve, dhe së bashku me ta dhe për ta do të hartojmë alternativën për qeverisjen lokale  cila do ta nxjerrë Malishevën nga duart e krimit dhe korrupsionit, për tua kthyer atë qytetarëve”, thotë Krasniqi. /PrizrenPress.com/

 

 

Intervista e plotë e Alban Krasniqit

PrizrenPress: Pse vendoset të kandidoni për kryetar të Komunës së Malishevës ?

 Krasniqi: Malisheva ashtu si tërë Kosova po kalon nëpër një gjendje të mjerë ekonomike, sociale dhe politike ndaj së cilës nuk mund të mbetesh indiferent. Kandidimi im për kryetar të Komunës së Malishevës është vazhdimësi e angazhimit tim politik e shoqëror përgjatë këtyre viteve si para luftës, gjatë luftës, ashtu edhe pas saj. Tani kur shteti është kapur nga pushteti aktual politik që është i zhytur në krim e korrupsion, e që është vënë mbi ligjin, është jo vetëm përgjegjësi por edhe detyrë qytetare që të ndalet ky degradim, andaj kandidimi im është në funksion të ndaljes dhe ndryshimit rrënjësor të  kësaj mendësie plaçkitëse e përçmuese, ndaj qytetarëve të komunës së Malishevës dhe pasurisë së saj.

PrizrenPress: A jeni i sigurt se do t’i fitoni zgjedhjet në nëntor?

 Krasniqi: Jam i sigurt në një gjë, që qytetarët e Malishevës janë lodhur e dërmuar nga ky lloj i qeverisjes i cili i mban peng qe sa vite me radhë. Fjala shpresë, zhvillim, dije, dinjitet, mirëqenie ka kohë që janë zëvendësuar me  fjalët korrupsion, nepotizëm, varfëri, papunësi, presion politik, injorim e depresion. Unë së bashku me aktivistët dhe qytetarët e tjerë të komunës së Malishevës përkrahja e të cilëve për çdo ditë po bëhet më e madhe dhe inkurajuese do të jemi pranë të gjitha fshatrave, familjeve, e qytetarëve, pranë veteranëve dhe invalidëve të luftës, veprimtarëve politik e shoqëror, familjeve të dëshmorëve e të martirëve, pranë arsimtarëve dhe mjekëve, zejtarëve e  muratorëve, pranë grave, pensionistëve dhe të rinjve, dhe së bashku me ta dhe për ta do të hartojmë alternativën për qeverisjen lokale  cila do ta nxjerrë Malishevën nga duart e krimit dhe korrupsionit, për tua kthyer atë qytetarëve.

 PrizrenPress: Pretendoni të fitoni në rundin e parë, apo parashikoni të mbeteni në  balotazh ?

 Krasniqi: Pikënisje e punës dhe angazhimit tonë janë  parimet dhe koncepti politik i Lëvizjes VETËVENDOSJE! që kanë në fokus interesin e vendit dhe qytetarët e saj. Është në vullnetin dhe dorën e qytetarëve që të vlerësojnë dhe japin verdiktin e tyre. Për ne mbetet e rëndësishme që qytetarët të mund të shprehin lirshëm vullnetin e tyre gjë që deri më tani u është cenuar.

 PrizrenPress: Po a i frikësoheni kryetarit aktual të komunës,dhe kandidatit të PDK-së  z. Kilaj?

 Krasniqi: Koncepti ynë politik e programor së bashku me vullnetin dhe guximin qytetar në rritje janë ato që kanë filluar ta lëkundin dhe çrrënjosin modelin keq-qeverisës dhe zhvatës të pushtetit aktual i cili si kurrë më parë është në panik dhe sillet me agresivitet dhe pa kontroll duke na rikthyer në kujtesë distancimin ideopolitik gjatë regjimit jugosllav, fatin e të cilit e dimë të gjithë ne.

 PrizrenPress: Ndarja e PDK-së në Malishevë a do t’i  ndihmojë në fitore  Vetëvendosjes ?

 Krasniqi: Përgjatë historisë ne si popull përveç se kemi parë dhe lexuar edhe kemi marrë pjesë në rrëzimin e pushteteve diktatoriale. Ne gjithashtu kemi pare edhe pushtete te cilat ne rrugën drejt diktaturës janë shpërberë. Partia pushtet që qeveris sot me Kosovën dhe me Malishevën është duke shkuar sigurt drejt shpërbërjes se saj. Andaj kjo shpërbërje pa marrë parasysh shkaqet dhe motivet do të thotë frymim më i lirshëm për qytetaret e Malishevës, dhe rrjedhimisht një ndër parakushtet për ndryshimet e aq shumë të pritshme por të sigurta.

 PrizrenPress: Po kandidaturat e partive të tjera, mund ta rrezikojnë fitoren tuaj?

 Krasniqi: Ne e shohim fitoren tonë si fitore të qytetarëve dhe konceptit tonë politik. Për ne kandidati është në funksion të konceptit dhe jo anasjelltas.

Subjektet politike ne Malisheve përveç VETËVENDOSJE!-s e kanë dëshmuar tashmë sa herë që aktivitetin e tyre politik e kanë të orientuar në sigurimin e mbijetesës politike përmes së cilës ata dhe bizneset e tyre përfitojnë nga buxheti dhe pozitat publike.

PrizrenPress: Si e vlerësoni në përgjithësi  qeverisjen aktuale në Komunën e Malishevës ?

Krasniqi: Qeveria në ikje e ka vjedhur mundësinë për zhvillim të qytetarëve të Malishevës, ajo është treguar e papërgjegjshme dhe abuzive me pushtetin dhe pasurinë. Gjatë këtyre viteve të kësaj qeverisjeje ne kemi parë keq-menaxhim të parasë publike në të gjitha aspektet që nga tenderët, luksi, e deri tek pushimet ne bregdete me para publike, ndarje diskriminuese të buxhetit dhe investimeve nëpër fshatra dhe ku investime infrastrukturore përveç se të dobëta janë vetëm në funksion të fushatës dhe jo plotësimit të nevojave qytetare, punësime familjare dhe partiake, degradim të arsimit duke kthyer shkollat nga vendi i dijes në llogore te partisë pushtet, gjendje të mjerueshme në shëndetësi ku përveç se nuk ka qasje parandaluese aty mungon edhe reagimi ndaj sëmundjeve dhe rreziqeve tjera siç është rasti i rriqrave ku vetëm gjatë këtij viti fatkeqësisht kanë humbur jetën 6 qytetarë, zaptim pronash private e publike që më pastaj janë shitur e stërshitur brenda klaneve të ndryshme të pushtetit lokal, mos-transparencë dhe mbyllje ndaj publikut për aktivitetet dhe shpenzimet që pushteti ka bërë, presion dhe shantazh me premisa diktatoriale ndaj qytetarëve dhe mendimit ndryshe. Kjo qeverisje ka sjellë shumëfishimin e pasurisë së pushtetarëve dhe varfërisë së  qytetarëve, ajo nevojave jetike të qytetarëve për zhvillim ekonomik e punësim, arsim cilësor, shërbime profesionale administrative, mirëqenie dhe jetë të shëndoshë u është përgjigjur me asfalt dhe beton, pra përgjigjja e vetme ka qenë asfalti dhe betoni i dobët dhe i shtrenjtë sepse ata punojnë me logjikën e përfitimeve afatshkurtra nga tenderët dhe përmes klientelizmit.

PrizrenPress:Vetëvendosje! disa herë ka organizuar protesta të ndryshme kundër qeverisë së Kilajt. A mendoni se në nëntor Kilaj do të merr ndëshkimin nga qytetarët për të gjitha ato që ju e keni akuazar?

Krasniqi: Aktivitetet tona protestuese kanë qenë në funksion të shpërfaqjes së të bëmave të këtij pushteti abuziv.  Ne gjithashtu kemi shërbyer si zëri i vetëm artikulues i pakënaqësisë qytetare  dhe i kërkesës së tyre për ndryshim rrënjësorë për raportin qytetarë – pushtet. Sot në Malishevë mbretëron një frymë e pakënaqësisë së madhe qytetare e cila mund të shihet tek secili qytetarë. Ne për javë të tëra kemi bashkëbiseduar me qytetarët e Malishevës nga të cilët kemi parë një zhgënjim të madh ndaj mënyrës së qeverisjes përbuzëse që ju ka bërë ky pushtet bashkë me kryetarin e saj. Qytetarët e Malishevës sot janë më të informuar dhe më të vetëdijshëm së kurrë më parë  për të bëmat e  Pronto Qeverisjes në ikje.

PrizrenPress: E konsideroni të domosdoshëm kthimin e qeverisjes së mirë në këtë komunë?

 Krasniqi: Malisheva sikur edhe e gjithë Kosova meriton  një qeverisje e cila bazohet në solidaritet, mbrojtje sociale, nxit punësimin, lehtëson iniciativat prodhuese, ofron shërbime cilësore, siguron arsim dhe përkujdesje shëndetësore cilësore, mbështet zhvillimin e kulturës dhe sportit, është e përgjegjshme dhe jep llogari për punën e bërë, dhe e bën qytetarin pjesë aktive të vendimmarrjes.

PrizrenPress: Si e parashikoni fushatën zgjedhore, do të jetë e “ashpër” në kuptimin e garës?

 Krasniqi: Angazhimi ynë nuk bazohet në konceptin e garës por në konceptin  qytetarë për ndryshime rrënjësore. Lëvizja VETËVENDOSJE! në Malishevë e ka dëshmuar se qëllimi i aktivitetit tonë politik është më shumë se sa fitorja në një garë. Fushata në Malishevë do të bëhet në mes të dy subjekteve, atyre që kanë keq qeverisur deri më tash dhe Lëvizjes VETËVENDOSJE! që kërkon besimin e qytetarëve për ndryshim. Pra koncepti i vjetër i partive politike që kanë keq qeverisur Malishevën dhe Koncepti i ri i Lëvizjes VETËVENDOSJE! që angazhohet për qeverisjen llogaridhënëse të Malishevës.

 PrizrenPress: Cka do të fitojë Malisheva me ardhjen në pushtet të Vetëvendosjes?

 Krasniqi: Malisheva do ta fitojë alternativën e qeverisjes lokale dhe ekipin e njerëzve të ndershëm,  të përgjegjshëm dhe profesional që do ta zbatojnë atë.Ne do të krijojmë një sistem pune i cili do të jetë në funksion të plotësimit të nevojave të qytetarëve, do ta departizojmë arsimin dhe çdo sektor tjetër publik që është në kompetencat tona, do të krijojmë një administratë profesionale më afër qytetarëve, për qytetarët dhe në shërbim të tyre. Do të përkrahim iniciativat lokale prodhuese, do të sigurohemi që investimet kapitale të orientohen nga  nevojat dhe prioritetet që kanë në fokus qytetarin dhe komunitetin, do të nxisim investime përmes investitorëve privat dhe grandeve si nga brenda ashtu edhe jashtë vendit, në fusha të ndryshme, si në bujqësi dhe blegtori, turizëm, rivitalizim të sektorit të industrisë minerare, në mbrojtjen dhe ruajtjen e mjedisit që do të mundësonin rritjen e punësimit, mirëqenies dhe rritjen e buxhetit komunal. Ne do ta përmirësojmë rrënjësisht gjendjen dhe mendësinë menaxhuese në shëndetësi, arsim, kulturë dhe sport, duke i dhënë përparësi profesionalizimit dhe orientimit të buxhetit komunal nga këta sektorë, përmes shfrytëzimit të granteve qeveritare dhe mbi të gjitha organizatave ndërkombëtare si brenda vendit ashtu edhe jashtë saj. Këto janë vetëm disa pika të përgjithshme të alternativës qeverisëse lokale, e cila do të hartohet dhe zbatohet me qytetarët dhe për qytetarët. Dita jonë e parë e punës do të jetë angazhimi i grupeve të auditorëve dhe organeve të tjera kompetente për të hetuar dhe audituar çdo veprim, dokument, vendim, tender dhe transaksion të qeverisë në ikje, dhe çdo shkelje e evidentuar do të dërgohet tek organet kompetente të drejtësisë.

Më Shumë

Stuhi shiu e erë, parashikimi i motit për pesë ditët e ardhshme

Përgjatë fundjavës parashihet të ketë të reshura shiu, ditën e shtunë në formë rrebeshesh me bubullima, derisa ditën e diel reshjet do të jenë...

Aksident zinxhiror në Tupec të Prizrenit, 5 vetura të përfshira

Pesë vetura janë përfshirë në një aksident zinxhiror në fshatin Tupec të Prizrenit, shkruan PrizrenPress Sipas policisë, përveç dëmeve materiale lëndime trupore kanë pësuar 5...

Lajmet e Fundit