9.3 C
Prizren
E diel, 12 Prill, 2026
Home Blog Page 9078

Historia që fshihet nën tokë

0

HistoriaAdile, banore e lagjes “Toma Kalefi” në qytetin e Elbasanit, e sheh çdo ditë trupin e madh të dalë prej nëntokës, së kalasë “Jeniçer”. Në mëhallë që fëmijë, kishte dëgjuar për historinë e një kalaje tjetër të vjetër, që kishte ekzistuar dikur, në qytet, e ndërtuar nga turqit, por nuk mund ta mendonte se, gjatë gjithë jetës së saj, ajo kishte jetuar mbi trupin e saj. Muret e vjetra të dala në sipërfaqe nga gërmimet, e kanë bërë më të plotë portretin e kësaj fortese, që duhet të ketë qenë e rëndësishme për osmanët, përderisa e kanë quajtur dhe “Jeniçer”, (ushtarët turq quheshin të tillë). Kjo kala duhet të ketë qenë e preferuara e ushtarëve, të cilët kalonin në të pjesën më të madhe të kohës. E ndërtuar bri rrugës, tregon mbi gatishmërinë e Perandorisë Osmane, e cila ka qenë e përgatitur në çdo kohë nga sulmet. Qyteti i Elbasanit ka qenë një vend kyç për Perandorinë. Nëse shohim fizionominë e Kalasë kryesore të qytetit, vetëm muri i saj jugor tregon për përmasat dhe fuqinë e fortifikimeve. Vetëm kjo kala ka pasur 26 kulla në largësi të barabartë nga njëra-tjetra, gjatë gjithë murit me lartësi 9 m. Me fjalë të thjeshta, Adilja, kërkon të shpjegojë gjithë mallëngjimin që ndien, teksa kujton rrëfimet e mbartura në kohë nga më të vjetrit për historinë e kësaj kalaje, e cila ndodhet rreth 500 metra larg kalasë historike të qytetit. Ca shkallë të dala në sipërfaqe, të ftojnë të futesh në dhomat që duhet të kenë shërbyer, për nga mënyra se si janë ndërtuar dritaret, si dhoma vrojtimi… Shtrati i gjatë i murit, i cili shkon deri në fund të rrugës ku vijojnë gërmimet, tregojnë për një shtrirje edhe më të madhe të mureve rrethues. Është e vështirë të skicosh një portret të pamjes së saj të dikurshme, kur dokumentet historike mbi këtë kala nuk ekzistojnë. Përmendet vetëm shkarazi ekzistenca e saj, më pas janë gojëdhënat, që ndonjëherë janë shpirti i qytetit dhe ato që mbajnë gjallë të vërteta që koha nuk mund t’i mbajë dot, ato që e konfirmojnë. Duke pasur parasysh faktin se Kalaja e madhe e qytetit mbart brenda saj një mori monumentesh kulture, dhe pse jo në përmasat e saj, ky objekt monument duhet të ketë në trupin e saj elementë të tillë.

E ndodhur në këtë rrugë prej mijëra vitesh, u desh një gërmim i zakonshëm për kanalizimin e kësaj rruge për të nxjerrë në pah ekzistencën e saj, e cila sjell dëshmi të jashtëzakonshme mbi periudhën otomane në Shqipëri, por është dhe një monument tjetër që i shtohet trashëgimisë sonë kulturore.

Pak kohë më parë, në afërsi të sheshit të Namazgjasë, në Elbasan, u zbuluan rastësisht rrënojat e një muri. Ky zbulim ngjalli interesin e jashtëzakonshëm të arkeologëve, të cilët kanë vendosur ta ndjekin nga afër ecurinë e punimeve për zbulimin e rastësishëm. Fillimisht, specialistët dyshuan se ato ishin rrënoja të xhamisë së vjetër të Namazgjasë. Por pas verifikimeve të para të tyre, rezultoi se rrënojat janë pjesë e një muri kalaje dhe po studiohet teza e lidhjes së tyre me kalanë në qendër të qytetit të Elbasanit.

Banorët e kësaj zone thonë se shenjat për një zbulim të një përmase ndoshta jo të tillë janë dhënë vite më parë. Punimet për rrugën, 50 vite më parë kanë hasur në detaje të elementëve që mund të çonin drejt zbulimeve arkeologjike, por sistemit të dikurshëm duket se nuk i ka interesuar të vijojë një kërkim të tillë. 50 vjet më pas, kalaja e Jeniçerit, del pjesërisht në sipërfaqe, duke dhënë shenjat e para se qyteti mbart një tjetër qytet brenda tij. Kjo nuk është hera e parë, ku në zona urbane shfaqen shenja të gjurmëve të vjetra romake, të cilat mund t’i vijnë në ndihmë trashëgimisë sonë. Në pjesën më të madhe, këto gjurmë janë mbuluar në heshtje, për t’ia lënë sërish fatit, nëse do të jetë me to, për t’u zbuluar sërish… Arkeologu Skënder Bushi, i cili ka ndjekur këtë zbulim, thotë se “nuk mund të përcaktohet koha e saktë, pasi dihet që periudha otomane fillon nga shekulli 16 dhe vazhdon deri në shekullin 19. Gërmimet e mëtejshme në brendësi të kullës mund të na japin të dhëna të reja dhe mund ta çojnë më herët”. Deri tani, është zbuluar vetëm kulla dhe një nga muret e kalasë, që shkon në drejtim të Jugut, paralel me shkollën. Mendohet se mund të jetë një tjetër mur në Jug-perëndim. Gërmimet e mëtejshme në këtë zonë janë disi të vështira për ndërtimet që mbart, por edhe sepse është një rrugë e cila bllokon trafikun.

Duke pasur parasysh vendin në të cilin duhet të vazhdojnë gërmimet,dalja e plotë në sipërfaqe e trupit të Kalasë, ku dikur ushtarët turq kalonin ditët shqiptare, me sytë përtej hapësirave të vogla, që sot duken në dritaret që janë ruajtur ende në nëntokë, dalja e trupit të saj të plotë do të jetë e vështirë. Por ajo çfarë tregon ky monument, me të cilin banorët e zonës “Toma Kalefi” përballen çdo ditë, është fakti se sa pak e njohim nëntokën tonë, e cila çdo ditë na nxjerr në sipërfaqe shenja për të treguar se një tjetër jetë vijon të fshihet poshtë nesh…

Therren me thika në shesh, një i plagosur

0

Thika5-22Mbrëmë në orët e vona, pak para orës 12 në sheshin “Ibrahim Rugova”, ka ndodhur një perleshje mes disa të rinjëve, ku një i ri i moshës 19 vjeç është plagosur me thikë.

Të përfshirë në përleshje kanë qenë rreth dhjetë të rinjë, bëjnë të ditur burime të Indeksonline.
Burime të Indeksonline, bëjnë të ditur se i riu ka kërkuar ndihmë në QKUK, dhe se është jashtë rrezikut për jetën.

Imitimet e lira kineze shkatërrojnë tregun e artizanaleve

0

Shqiperi- tregu artizanalSezoni i verës ka sjellë në vëmendje dhe prodhimet artizane, që duket se si të gjithë prodhimet në Shqipëri po përballen dhe me prodhime që janë imitime.

Në dyqanet e suvenireve ofrohen prodhime tradicionale shqiptare artizanale, të cilat janë shprehja më e mirë dhe më origjinale e kësaj tradite. Por nga ana tjetër nuk mungojnë edhe krijimet e dobëta dhe shumica e këtyre mallrave vijnë nga Turqia apo dhe Kina, të cilat padyshim kanë kosto më të ulët. Edhe pse kjo gjë duket se në pamje të parë nuk ka ndonjë ndryshim të madh sa i takon materialeve që tregtohen, për specialistët e artizanatit dihet kjo gjë ka shumë ndryshim shumë të madh në vlerat që prezantohen.

Për jo pak shitës kjo ka interes, pasi këto mallra janë më lirë se sa ato origjinale shqiptare. E ndërsa për turistët ofrohen objekte të vogla e të mëdha, simbole kombëtare me flamuj, shqiponja dhe elementë të tjerë shqiptarë, ndonëse ngrenë lart lavdinë e Shqipërisë në luftën e saj kundër turqve, shumica e këtyre mallrave vijnë pikërisht nga Turqia e madje edhe nga Kina. “Që kur hyri malli nga Kina, ra interesi për punën e dorës që bëhet nga shqiptarët. Kështu jo pak problem ka sot dhe me gdhendjen e bakrit të bërë nga shqiptarët, ku është ulur shitja e punimeve me dorë”, pohon një artizane, shkruan Sotnews.

Artizanët shqiptarë janë të njohur për prodhimet e tyre të filigramit, gdhendjes në bakër, punimeve të dorës në materiale të tjera, etj, por sot artizanët shqiptarë po përballen me konkurrencën e tregut, ku janë prodhime që kanë një kosto më të ulët, por që nuk janë ai material që është vlerësuar për dekada me radhë në traditën shqiptare. Punimet artizanale veç të tjerash janë dëshmi edhe e identitetit kombëtar. Këto vlera, tashmë të kaluara brez pas brezi, ngjallin gjithnjë interes të madh tek vizitorët dhe studiuesit vendas dhe të huaj.

Kriza ekonomike ul interesin për prodhimet artizanale

Artizanati shqiptar takohet tek punimet drurit, bakrit, argjendit, etj. Që në kohët e lashta ka ekzistuar zejtaria artistike dhe tradita e punimit të veshjeve të leshta, shajakut, pëlhurave për veshje më të lehta dhe sidomos atyre festive, spikasin me artin e tyre tepër të hollë, ku qëndisjet e ndryshme me fije ari dhe argjendi janë shumë të veçanta. Ndërsa tregu shqiptar i artizanatit po përballet me jo pak probleme, shitësit e dyqaneve suvenire në kryeqytet i gëzohen më së shumti stinës së verës.

Interesin më të madh për objektet e artizanatit shqiptar paraqesin emigrantët dhe turistët e huaj, por ky interes këtë vit nuk është si një vit më parë. Flamuj kuqezi, kostume popullore, punime prej bakri, druri e balte mbushin plot vitrinat dhe numri i artikujve artizanalë është i larmishëm, por ka pak blerës. “Kriza ka ndikuar shumë. Ka rënë shitja e suvenireve apo të tjera prodhimeve artizanale. Edhe turistët e huaj janë më shumë pensionistë, të cilët vetëm kartolina blejnë dhe asgjë tjetër”, pohon shitësja e një dyqani, që tregton prodhime artizanale.

Objektet më të kërkuara vite më parë kanë qenë argjendaritë, kryesisht filigrami realizuar nga artizanët nga Shkodra. Mes prodhimeve të ndryshme, qilimat tradicionalë të Krujës dhe Kukësit si dhe veshjet popullore kërkoheshin më së shumti nga të huajt, por këtë vit duket se shumë prej tyre mjaftohen vetëm duke hyrë në dyqane dhe duke dalë prej andej vetëm duke përgëzuar për punët e realizuara.

Ekspozita “One goal” e Pep Bonet çel “DokuPhoto”

0

OneGoal-Pep BonetDokuPhoto, element i fotografisë së DokuFest, mbush 10 vite këtë edicion. Për të shënuar përvjetorin DokuFest sivjet po organizon ekspozitën me fotografin e njohur spanjoll Pep Bonet, të quajtur ONE GOAL (Një qëllim). Ekspozita do të hapet të premten, më 16 gusht në Muzeun e Hamamit në Prizren dhe do të qëndroj e hapur deri më 25 gusht.

Bonet poashtu do ta udhëheq punëtorinë DokuPhoho e cila po organizohet në këtë edicion të festivalit. Punëtoria do të sjell 12 fotografë profesionistë dokumentar të cilët do të punojnë në krijim e një storie vizuele për Kosovën.

Ekspozita One Goal – (Një qëllim) ka për temë ekipin e futbollit e të amputuarve në Sierra Leone, të cilët janë një trashëgimi e ashpër nga lufta civile e viteve 1991-2001. Një nga askpektet më brutale të konfliktit ishte përdorimi i amputimit si një armë e frikës, nga të dy fraksionet. Shumë nga viktimat ishin të rinjë të pafajshëm, të cilët janë targetuar për ti parandaluar të luftojnë në anën tjetër. Në kampin për të amputuar Murray Town në Freetown, shtëpi e mbi 2,000 njerëzve të gjymtuar gjatë luftës, një grup i këtyre të rinjëve janë bashkuar për të formuar Klubin e Sportit të Amputuarve Single Leg (Single Leg Amputee Sports Club -SLASC). Përmes futbollit, të rinjtë kanë rikthyer krenarinë dhe vetbesimin. Qëllimi i tyre është të luajnë kundër ekipeve ndërkombëtare dhe të fitojnë jetesën nga sporti. Pep Bonet e vazhdoj projektin e tij afatgjatë mbi ekipin në gusht të vitit 2007 duke i fotografuar lojtarër dhe jetën e tyre.

Pep Bonet është një fotograf fitues i shumë çmimeve i cili ka udhëtuar për të kapur momente të cilat tregojnë botën e çekuilibruar në të cilën jetojmë. Puna e Bonet është shpërblyer me shumë çmime. Mes tyre bëjnë pjesë World Press Photo Joop Swart Masterclass me punën e tij “Faith in Chaos” në vitin 2002; Fotografi i vitit në Kodak Young Photographer në vitin 2003 në festivalin Visa pour l`image; nominimi për Luchetta Foundation in Trieste për fotoreporterin më të mirë në vitin 2004; Grantin e W. Eugene Smith Humanistic në fotografi në vitin 2005; vendin e dytë në World Press Photo në kategorinë e sportit në vitin 2007; vendin e dytë në World Press Photo me punën e tij “Forced Identity” në vitin 2009; dhe vendin e parë në çmimin World Press Photo – Online Short me punën e tij “Into the Shadows” në vitin 2013. Bonet është një nga themeluesit e agjencisë së fotografisë Noor. Ai shpesh ligjeron në punëtori të ndryshme për fotografi./PrizrenPress.com/

Streha e fundit e horrave

0

IsmailKadare6-30Shkruan: Ismail Kadare

Gjatë gjithë vitit 1999, për herë të parë në jetën time, për shkak të luftës në Ballkan, kam mbajtur, në mënyrë të vijueshme, shënime. Nën titullin “Ra ky mort e u pamë”, shënimet, në trajtë ditari, janë botuar si libër më vete në shqip dhe në disa gjuhë europiane. Ditën e 31 majit 1999, në kulmin e bombardimeve të NATO-s, shënimi i ditës merret me një polemikë midis shqiptarësh në gazetën “Illyria” të Nju-Jorkut. Shkak është shkrimi “Skënderbeu e kishte nënën sllave” (me autor Fatos Lubonjën), botuar pak ditë më parë në “Courrier International” të Parisit. Autori shqiptar i shkrimit fajësohet me një gjuhë tejet të ashpër, për qëndrim antishqiptar e njëherësh antieuropian.

Pra, është 31 maj i vitit të fundit të mijëvjeçarit të dytë. Shprehja “ora e keqe”, më shumë se metaforë, është përcaktim i saktë i kohës për Kosovën. Ajo mezi po merr frymë nën masakrën serbe, një nga më të egrat e shekullit. NATO-ja është duke bombarduar Serbinë, për shkak të shqiptarëve të Kosovës dhe shqiptarët po paguajnë taksën. Shkurt, për ndëshkimin e Serbisë, NATO-ja ka vënë aviatorët dhe avionët më modernë të saj, kurse Kosova ka vënë gjënë më të vjetër në botë, në kësi rastesh: gjakun. Liria e kërkon se s’bën këtë karburant të vjetër, dhe shqiptarët e dinë këtë. Hakmarrja serbe është në kulmin e saj: grirje foshnjash, përdhunime vajzash e grash, djegie shtëpish, vrasje verbazi, shpërngulje, tmerr.

E deshët ndërhyrjen e NATO-s! Ja NATO-ja! Gëzojuni asaj! Kosova është me shpirt ndër dhëmbë. Gati po jep shpirt. Dhe pikërisht mu midis makthit, në një nga revistat më ndikuese evropiane, një rimohues shqiptar e boton këtë shkrim, për të cilin ndërgjegjja e tij, sipas fajësuesve, duhej të përgjigjej më pas. Shkrimi do të quhej, as më pak, as më shumë, thikë në shpinë kundër Kosovës.

Ishte e ngutur një akuzë e tillë? Ishte ky shkrim një lajthitje e rastit, kapardisje antikombëtare, snobizëm, etje për t’u dukur modern? Ishte një përzierje e të gjithave, madje diçka më e rëndë? Shkrimi, para së gjithash, kishte të bënte me një polemikë nga më të ashprat në Shqipërinë paskomuniste. Në qendër të kacafytjes (një fjalë disi më e saktë në këtë rast), ishte Gjergj Kastrioti, por, siç ndodhte shpesh me zotin Gjergj K., kur hynte në skenë, gjithë çështjet madhore të kombit shqiptar, Rilindja, gjuha shqipe, zanafilla ilire e shqiptarëve, raportet e mitit me historinë, vetë çmitizimi dhe mitet e rrejshme shqiptare, do të ndërlikoheshin rreth tij.

Dy grupimet që do të ndesheshin, “albanologët e rinj”, ose rimohuesit, siç u quajtën shkurt, dhe kombëtaristët, kundërshtarët e tyre, do të përdornin kundër njëri-tjetrit gjithë minierat e gjuhës shqipe, çka do të ishte një festë për përpiluesit e fjalorëve, nëse ende kishte të tillë. Thënia “patriotizmi, streha më e fundit e horrave”, ishte ajo që, më shumë se çdo tjetër, do të përdorej në kronikën shqiptare. Pavarësisht se autori i saj herë shpallej Xhefersoni, herë Sokrati, herë Nëna e Çërçillit, Volteri apo Xhon Lenoni, kjo nuk pengonte aspak që të bëhej thënia më e njohur në vend. Fajësimet e të dyja palëve, për nga mizoria, ngjanin si pika uji. Ndërsjelltazi, ashtu siç edhe pritej, u quajtën tradhtarë, reaksionarë parakë, kombëtaristë, antishqiptarë, fashistoidë, nënëterezistë, kanunorë, gjer te llaci-faci, shule, e natyrisht ylberistë, çka dihej ç’nënkuptonte.

Në pranverë të vitit 1999, ndaj autorit të shkrimit të “Courrier International” do të përdoreshin së paku gjysma e këtyre cilësorëve. Për strehsat, të thoshe se nëna e Skënderbeut ishte serbe, e sidomos ta thoshe këtë pikërisht në maj të vitit 1999, ishte vërtetimi më i saktë se punoje për serbët. Në thelb, akuza tingëllonte groteske. Me nënë jo sllave ose sllave (çka mund të ishte e vërtetë për Vojsava Tribaldën, një sllave, me sa dukej, e martuar me Gjon Kastriotin, të atin e Gjergjit, sipas dokeve mesjetare, kur feudalët në krushqitë e tyre shkërbenin mbretërit), Gjergj Kastrioti mbetej po ai. Madje, edhe të atin ta kishte serb (do t’i vinte radha edhe këtij), përsëri nuk ndryshonte asgjë. Ai ishte heroi i parë i Shqipërisë dhe i shqiptarëve, i njohur nga gjithë bota si i tillë dhe vetëm si i tillë, dhe kjo nuk mund të ndryshohej kurrë në kurrfarë rrethanash nga kurrkush.

Por, strehsat nuk dorëzoheshin lehtë. Ata e kishin kuptuar se do të ishte më mirë të përdornin më pak sharje e më shumë logjikë. Kështu, në vend që të kuptonin se po tronditnin botën, duke shpallur se sa skandaloze ishte amësia ose atësia e rreme e Skënderbeut, u vunë të zhbironin ca dokumente e ca arkiva, aq sa ua lejonte, natyrisht, vrulli i tepërt polemist. Së pari, e kuptuan se duhej t’u mbushnin mendjen të tjerëve, se pse ishte i keq shkrimi famëkeq në “Courrier International”, ditën e fundit të muajit maj, në vitin e fundit të mijëvjeçarit të dytë. Ata zbuluan se “çmitizuesi” shqiptar nuk ishte aspak origjinal, siç kishin kujtuar.

Tezën e prindërve serbë të Skënderbeut, e kishte marrë nga dikush tjetër dhe ky dikush tjetër nuk ishte veçse famëkeqi, sipas tyre, Vuk Drashkoviç, një nga ministrat e Millosheviçit, rrjedhimisht një ndër përgjegjësit për plojën e Kosovës. Së dyti, se kjo tezë ishte botuar në vitin 1987, pra, dymbëdhjetë vjet përpara plojës, në gazetën franceze “Le Monde Diplomatique” dhe bënte pjesë në tezat që duhej të përgatisnin shpërnguljen e shqiptarëve nga Kosova. Së treti, se as Drashkoviçi nuk ishte origjinal, por përsëriste në shkrimin e tij teza të vjetra serbe, të Radonicit, 1942, e teza edhe më të vjetra të Vladan Gjorgjeviçit, të Grashaninit, të Çubrilloviçit, të Millosheviçit, që flisnin jo vetëm për zanafillën serbe të Skënderbeut, por, kryesorja, e lidhnin këtë zanafillë me këmbënguljen e tyre se Kosova kishte qenë e mbetej djepi i serbizmit, ndaj serbët nuk do ta lëshonin kurrë atë. Së katërti, strehsat zbuluan se shumicën e argumenteve, qoftë për Skënderbeun, qoftë për rrënjësinë e shqiptarëve në Ballkan, mohsat i kishin marrë nga famëkeqja, sipas tyre, Akademia serbe e Shkencave.

Kthim te “Courrier International”,

31 maj 1999

Është tmerr në Kosovë. Është kulm i krimit, i shpërnguljes, i përdhunimit të grave e të vajzave, shkurt, i hakmarrjes meskine serbe kundër shqiptarëve. Propaganda serbe, me frymën e fundit të saj, kërkon të përligjë masakrën, atë për të cilën po ndëshkohet nga Evropa dhe Aleanca Atlantike. Ajo kërkon të përligjë sidomos famëkeqin “spastrim etnik”, sepse ky i fundit i kujton gjithë botës holokaustin kundër hebrenjve. I kanë shpenzuar të gjitha argumentet, ndaj bëjnë ç’bëjnë i kthehen më të vjetrit, atij prej të cilit kanë pasur gjithmonë fat: Kosova djep i Serbisë e i serbizmit.

Kanë shpresë se edhe këtë herë kjo histori nuk do t’i lërë në baltë. Në mos i përligjtë plotësisht, së paku për të zbutur disi zemërimin europiano-amerikan, vetëm ajo mund të shërbejë, historia e djepit serb. Ninullat me djepe e me foshnja kanë qenë gjithmonë të përshtatshme për të ndjellë keqardhje. Ato i kujtonin gjithkujt se ishte e lehtë të bombardoje Serbinë, por duhej bërë një përpjekje për të kuptuar shpirtin e saj, brengën shekullore, kujtimet, ahtin e saj. Ishte e vështirë për ballkanasin të ndahej nga djepi historik. E aq më tepër për serbin. Ndaj dhe në ishin bërë gabime, për diçka që quhej e shenjtë ishin bërë, për kujtimet e vjetra, nostalgjinë, ahtin e madh. Dhe historia, e përmendur qindra-mijëra herë, përsëritet: Kosova ishte shpirti i pavdekshëm i serbizmit, kuptimi, simboli, Jerusalemi, dhimbja, triumfi, zia, shkurt, nyja ku gjithçka nis e po ashtu sos.

Në shkrimin e tij, Vuk Drashkoviçi, shkrimtar dhe ministër i Jashtëm i Serbisë, flet për të gjitha këto. Autori i këtyre radhëve e ka një kujtesë më tepër për këtë tekst, për arsyen e thjeshtë se teksti i Drashkoviçit është shkruar në trajtë letre të hapur, drejtuar pikërisht “kolegut I. Kadare”. Pas daljes në shtypin serb më 1987, letra e hapur është botuar në “Le Monde Diplomatique”, në prag të festimit të gjashtëqindvjetorit të betejës së Kosovës, aty ku Millosheviçi lëshoi rrufetë kërcënuese kundër shqiptarëve. Ajo është ribotuar, në të njëjtën gazetë, dymbëdhjetë vjet më pas, më 1999, kur Kosova digjej në flakë, pikërisht nga këto rrufe. Drashkoviçi, në të dyja rastet, më drejtohej si kolegu kolegut, më kujtonte shenjtërinë e artit, më bënte thirrje të braktisja vegullitë kombëtariste shqiptare e të bashkohesha me të (për çështjen e djepit natyrisht) dhe këtë ma thoshte me zemër në dorë, duke pasur si dëshmitare Francën, në kryeqytetin e së cilës e shpallte këtë kumt ngashëryes.

Duke qenë vetë lehtësisht i sulmueshëm, siç janë zakonisht shkrimtarët, Drashkoviçi më drejtohej me një keqardhje prej kolegu, duke më kujtuar, ndër të tjera, gjithë kronikën e “djepit”, historinë, kujtimet, manastiret, betejën e Kosovës e martirizimin e princ Llazarit, shkurt, gjithë shenjat dhe vulat tokësore dhe hyjnore, që dëshmonin, sipas tij, përkatësinë serbe të Kosovës. Ndërkaq, pikërisht në radhën e këtyre vulave, ai shtonte diçka që, ndonëse e përmendur edhe më parë aty-këtu, këtë herë merrte një ngarkesë simbolike të dorës së parë: zanafillën serbe të Skënderbeut. Me fjalë të tjera, jo vetëm që Kosova, bashkë me varret, manastiret, katundet, dhimbjet e gjithçka tjetër të epërme, ishte kryekrejet serbe, por dhe vetë kryeheroi i shqiptarëve Gjergj Kastrioti Skënderbeu ishte i tillë. Thënë ndryshe, Kosova, përveç djepit, mëtonte tani edhe kurorën.

Në letrën e tij, Drashkoviçi, pasi më hapte zemrën, siç ndodh midis kolegësh, më kujtonte se isha një përhapës i ideve antiserbe të Vatikanit dhe të Austrisë katolike, gjithmonë si kolegu kolegut, më shkruante me keqardhje se isha në anën e gabuar, domethënë, sipas tij, në anën e vrasësit të Arkimedit, të atyre që dogjën Xhordano Brunon, që i morën jetën në duel Pushkinit, madje që torturuan njëzet e tri herë rresht Kampanelën! Këtë tekst ka kopjuar çmitizuesi i vockël shqiptar F. Lubonja, në maj të vitit 1999, në kohën kur Kosova, për shkak të teksteve të tilla, digjej, masakrohej e përdhunohej. Shkrimi në “Courrier International”, për çdo kohë, por sidomos për kohën kur u shkrua, ishte, sipas strehsave, një dhuratë për serbët. Por, historia e djepit nuk mbaronte me kaq.

Sipas strehsave, falë zellit serb dhe falë çirakëve vullnetarë shqiptarë, ndërhyrja e të cilëve kishte vlerë të veçantë, trillimi kundër Skënderbeut ishte bërë disa herë pjesë e pasioneve politike bashkëkohore në Evropë. Për të dhënë vetëm një nga shembujt e shumtë, do të përmendej programi politik I kryetarit të FPO-së (Partisë Konservatore të skajshme austriake), Heinz-Christian Strache, mik i Serbisë dhe antishqiptar, ku, ndër të tjera, për çudi, flet për çështjen e Kosovës, duke e lidhur me kinse zanafillën serbe të Skënderbeut. “Kosova është rajon i stërlashtë serb… Përveç kësaj, heroi kombëtar i shqiptarëve Gjergj Kastrioti Skënderbeu, që ka jetuar nga 1403-i gjer më 1468, ka qenë në të vërtetë serb, me nënë dhe baba serb”. Këto fjalë thuhen në Vjenë, më 2008, kur Millosheviçi, xhelati i shqiptarëve, ai për të cilin ky fashist austriak derdh lot, ka kohë që ka vdekur.

Por fjalët thuhen në të njëjtin vit, kur në Tiranë, në kryeqytetin shqiptar, vlon një polemikë e ashpër pikërisht për Skënderbeun, për mitet që kinse janë krijuar për të, e që duhen çmitizuar, pra, rrënuar me ngut. E midis këtyre kinse miteve, ai që, siç u pa më lart, qëndron përbri çështjes së Skënderbeut është rrënjësia e shqiptarëve, ajo që në histori njihet si zanafillë e tyre ilire.

Kush janë horrat dhe cila është streha

Historia e re me Gjergj Kastriotin është më e vjetër se ç’duket. Ajo ka nisur fill pas rënies së komunizmit. Një roman i shkurtër, i titulluar “Mekami”, i një shkrimtari të quajtur problematik, K. Trebeshina, botuar në rrethana të dyshimta në Kosovën ende nën sundimin serb, shënon fillimin e fushatës së egër kundër personazhit. Në atë libër, heroi i parë i shqiptarëve, trajtohet as më pak, as më shumë si hajdut kuajsh dhe agjent i Italisë. Vetë autori, i përndezur prej sulmit të vet, e shpall veten turk. Ndërkaq, autori i librit mëton cilësimin si disident. Ndaj pyetjes, për ç’merita? Përgjigjja është e prerë: për një promemorie që i paska dërguar Enver Hoxhës, më 1953. Sipas saj, është ndoshta shkrimtari i parë në Shqipëri, që ka guxuar t’i shkruajë diktatorit: ti dhe shokët e tu jeni vrasës, që jo vetëm do të vrisni më pas njëri-tjetrin, por do ta mbytni vendin në gjak!

Tingëllon disi e pabesueshme për cilindo, por sidomos për strehsat. Dyshimi për promemorien dyfishohet kur sillet ndër mend e kaluara letrare e personazhit: shkrimtar si shumë të tjerë, me lavde për komunizmin dhe kulmi, pikërisht në mars të vitit 1953, pak kohë përpara promemories, me poemën më himnizuese, kushtuar Stalinit, në ditën e vdekjes së tij. Këto kujtime prekëse nuk e ndryshojnë aspak statusin e personazhit. Madje, ai nuk lëkundet as kur strehsat, këtë herë të zemëruar keq, zbulojnë se kinse disidenti, ose kinsi, siç do të quhej shkurt, jo vetëm s’ka qenë kundër regjimit, por ka qenë oficer i Ministrisë famëkeqe të Brendshme, pra, pjesë e thelbit gjakatar të shtetit. Që njeriu gëzonte mbrojtje të fshehtë, kjo ishte e qartë. I turbullt ishte shkaku.

Mbrojtja shtrihej në të dyja regjimet: në komunizëm dhe në paskomunizëm. Nga të dy krahët e politikës: e djathta dhe e majta. Vetvetiu bëhej pyetja: disident kundër kujt kishte qenë në të vërtetë kinsi? Me ç’dilte, disidenca e tij më e qartë paskësh qenë kundër Skënderbeut. Ajo kundër regjimit mbetej për t’u vërtetuar.

S’do të kalonte shumë kohë dhe, pas Kastriotit, do të hidhej hija e keqe për atë që quhej periudha më e ndritur e historisë shqiptare dhe bijë e drejtpërdrejtë e Iluminizmit evropian Rilindjen Kombëtare. E pas saj, mbi gjithçka të shpallur si vlerë morale e kulturore e kombit: mbi gjuhën shqipe, mbi zanafillën ilire të saj dhe të gjithë shqiptarëve, mbi themeluesin e shtetit shqiptar më 1912, gjer mbi Nënë Terezën, që gjatë ceremonisë së çmimit “Nobel”, në Oslo, kishte treguar moselegancën të zinte ngoje zanafillën e vet shqiptare. Strehsat, merret me mend, e humbën çdo durim. Pas shpenzimit me tepri të epitetit “antishqiptar” e bënë disi më të larmishme listën e sharjeve. Iu kujtuan mohsave prejardhjen nomenklaturore, duke mos harruar t’i krahasonin me vezë të gjarprit, që donin të mbronin krimet e etërve të tyre, gjë që nuk u prit mirë prej opinionit publik. Një etikë e heshtur ishte bërë zotëruese, ndërkaq, në Shqipëri, që gjëra të tilla të mos kujtoheshin. (Marrë nga Dita)

Merr flakë shtëpia, vdes 50-vjeçari në Prizren

0

Djeg shtepinePolicia e Prizrenit ka njoftuar se të mërkurën në këtë qytet ka humbur jetën një njeri i moshës 50-vjeçe nga zjarri që kishte përfshirë shtëpinë e tij, në rrugën “Vatrat shqiptare”.

Sipas raportit policor, në momentin e shpërthimit të zjarrit në shtëpi kanë qenë katër persona. Tre nga ta ia kanë dalë të shpëtojnë, kurse 50-vjeçari ka humbur jetën.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitet përkatëse të Policisë së Kosovës dhe zjarrfikësit.

Me urdhër të prokurorit publik, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion./PrizrenPress.com/

Hoxhaj: UNMIK pengesë për anëtarësimin e Kosovës në OKB

0

Enver Hoxha, ministerPas arritjes së marrëveshjes Kosovë-Serbi, UNMIK-u duhet të largohet përfundimisht nga Kosova, deklaron për DW shefi i diplomacisë kosovare. Ai flet edhe për rolin e misionit të OSBE-së në zgjedhjet e tre nëntorit.

“Sipas mendimit tim, ne duhet të fillojmë një debat të ri në Kosovë sa i takon rolit që duhet ta ketë UNMIK-u në Kosovë. Unë jam i bindur që roli që ka pasur UNMIK-u në Kosovë nga qeshori i vitit 1999 deri në dhjetorin e vitit 2007 mund të cilësohet si ndër misionet më të sukseshme që ka pasur OKB-ja në të gjitha misionet nëpër botë, meqenëse, UNMIK-u ka qenë në kuadër të një organizate ombrellë në kuadër të së cilës janë krijuar parakushtet dhe ka lindur shteti i Kosovës tha ai.

Sipas tij, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ka pasur zhvillime të mëdha të rëndësishme që mua më bën të mendojë që UNMIK-u duhet ta përfundojë misionin e tij përfundimisht në Kosovë.

“Së pari ne kemi pasur jetësimin e planit të Marti Ahtisarit dhe largimin e ICO-së vitin e shkuar, së dyti janë 100 shtete që e kanë njohur Republikën e Kosovën dhe së treti Kosova është anëtarësuar në organizata të mëdha financiare dhe së katërti ne kemi pasur një dialog me Serbinë dhe një marrëveshje me Serbinë përmes së cilës marrëveshje Serbia e njeh sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës dhe së pesti ne së shpejti do të fillojmë si shtet sovran dhe i pavarur negociatat me Bashkimin Evropian për marrëveshjen e stabilizim asociimit. Pra të gjitha këto zhvillime mua më bëjnë të mendojë se UNMIK-u duhet ta përfundojë misionin në Kosovë që është totalisht i panevojshëm i padomosdoshëm dhe se UNMIK-u duhet vetëm ta ndihmojë Kosovën që të anëtarësohet në OKB, sepse aspirata jonë e fundit si shtet është anëtarësimi në OKB. Pas anëtarësimit të Kosovës në OKB, zyrat e UNMIK-ut mund të shndërrohen në zyre të OKB-së në Kosovë, sikurse ka ndodhur në disa vende. Mendoj që është koha e fundit që anëtarët e KS-it dhe anëtarët e tjera të OKB-së të kontribuojnë në përfundimin e madatit të UNMIK-ut”, ka theksuar Hoxhaj për DW.

”Padyshim që prania e UNMIK-ut në Kosovë dhe aktivitet e tij pa një mandat, “sepse UNMIK-u për mendimin tim e ka përmbushur mandatin të cilin e ka pasur deri në dhjetor të vitit 2007”, paraqesin pengesë për anëtarësimin e Kosovës në OKB, prandaj ftesa ime është që UNMIK-u të shndërrohet në partner se si Kosova të anëtarësohet në OKB dhe KS-it dhe institucionet e tjera relevante të mendojnë se si atë buxhet që UNMIK-u e perdor në Kosovë ta perdori për vendet e tjera në botë, qoftë në Afrikë apo Azi ku ka domosdoshmëri për ndonjë prani të ndonjë misioni të OKB-së. Më së paku UNMIK-u ka një mandat, një mision dhe një rol në shtetin e pavarur të Kosovës në vitin 2013:, thekoi Hoxhaj.

Në pyetjen për një sërë skandalesh dhe shkelje të shumta nga punonjësit e shërbimit diplomatik të Kosovës, Hoxhaj tha se nuk ka dyshim që diplomacia është imazhi i gjallë i një vendi dhe “unë si ministër i Jashtëm në atë moment kur jam informuar për paraqitjen e ndonjë sjelljeje jodinjitoze të ndonjë diplomati, kam marr masa në përputhje me ligjet e Kosovës dhe kam vendosur siç ishte rasti me diplomatin në Zagreb, Urtak Hamiti për ta tërhequr në Prishtinë.

“Mendoj që një rast i tillë padyshim se e dëmton imazhin e shtetit të Kosovës, por në të njëjtën kohë për pjesë të tjera që janë raportuar në mediat kosovare mendoj se i tejkalojnë fokuset kryesore të asaj se çfarë bën politika e jashtme. Nëse raportohet në gjerësi dhe gjatësi për një shkresë dhe një e-mail të diplomatëve kosovarë dhe krijohet përshtypja e një invencioni që është skandal, unë them se rastet e tilla nuk paraqesin asnjë skandal”, deklaroi Hoxhaj.

Brukseli nuk e konfirmon marrëveshjen për telekom

0

ashtonBrukseli nuk e konfirmon arritjen e marrëveshjës për telekom në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Maja Kocijançiq, zëdhënësja e shefës për politikë të jashtme, Catherine Ashton e cila ka ndërmjetësuar takimet e kryeministrave të Thaçi e Daçiq, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se ende nuk ka asgjë të re rreth kësaj teme.

“Ende nuk ka ndonjë lajm për pranimin e marrëveshjes. Ne shpresojmë që të dyja palët të arrijnë marrëveshjen sa më shpejtë që është e mundur”, ka thënë shkurtimisht Kocijançiq.

Një ditë më parë, delegacioni kosovar për dialogun teknik i kryesuar nga zëvendës kryeministrja Edita Tahiri kishte thënë se pala kosovare është pajtuar me versionin e fundit të marrëveshjës, ndërsa pala serbe ka kohë deri sot.

Marrëveshja është që pala kosovare të marrë kodin ndërkombëtar, +383, ndërsa për këtë të aplikojë një prej vendeve anëtare të BE-së.

Mediat kosovare sot kanë raportuar se marrëveshja është arritur pasi edhe delegacioni serb është pajtuar për këtë gjë, por kjo zyrtarisht ende nuk është konfirmuar.

Shtëpia e Bjeshkatarëve në Prizren, së shpejti me terrene rekreative

0

Shtëpia e Bjeshkatarëve-PrizrenShtëpia e Bjeshkatarëve në Komunën e Prizrenit, së shpejti do të bëhet më terrene rekreativ. Këtë projket do ta realizojë Qendra Europiane për Ruajtjen e Natyrës nga Holanda në bashkpunim me Komunën e Prizrenit. Projekti do të kushtojë mbi 40 mijë euro dhe do të përfundojë brenda tetorit, si dhe do t’i lihet në shfrytëzim pushuesve dhe Shoqatës së Bjeshkatarëve “Sharri” falas.

Shtëpia e Bjeshkatarëve ndodhet në Grykën e Lumëbardhit, në largësi vetëm 15 kilometra, nga qyteti i Prizrenit dhe pak kilometra nga rajoni i Opojës së Dragashit. Kjo shtëpi, është rindërtuar pas luftës së fundit, dhe ka 13 dhoma gjumi, ku janë të vendosur 70 shtretër, për turistë malor.

Shpresa Doda, që është përballur me një sëmundje të rëndë, kohë më parë, beson se ajri i pastër dhe veçoritë klimatike të këtij vendi, bënë që ajo të rimkëmbet. Që nga ajo kohë, Shpresa, së bashku me bashkëshortin, janë frekuentues të rregull të kësaj natyre të bukur, transmeton RTK.

Por, në një terren të tillë, që shfrytëzohet më së shumti nga anëtarët e Shoqatës së Bjeshkatarëve dhe personat me probleme shëndetsore, nuk ka asnjë ambient rekreativo- sportiv. Për këtë Komuna e Prizrenit dhe Qendra Europiane për Ruajtjen e Natyrës, kanë nënshkruar një marrveshje bashkpunimi ku pjesë e tij është edhe ndërtimi i objekteve rekreative-sportive në Shtëpinë e Bjeshkatarëve.

Këto terrene do të menaxhohen nga Shoqata e Bjeshkatarëve ”Sharri” dhe do të jetë në shërbim të qytetarëve, falas.

Ngritja e këtyre objekteve rekreativo-sportive do ndikoj drejtpërsëdrejti në shtimin e numrit të pushuesve dhe shfrytëzimin e kapaciteteve të Shtëpisë së Bjeshkatarëve. Do të zhvillohet eko-turizmi, në këtë pjesë të rajonit të Prizrenit, e cila deri më tani pothuajse është e paeksploruar nga pushuesit.

Besimtarët myslimanë po festojnë Fitër Bajramin

0

Besimtarët myslimanëBesimtarët islam të Kosovës po festojnë sot Fitër Bajramin, pas përfundimit të Muajit të madhëruar të Ramazanit. Manifestimi qendror u mbajt në Xhaminë ‘Sulltan Mehmet Fatih’ (Xhamia e Madhe) në Prishtinë. Manifestimi filloi në orën 5:00 me faljen e namazit të sabahut. Kurse namazi i Fitër Bajramit u fal në orën 6:12 minuta, të cilit i priu dr. Hajredin Hoxha.

Hytben e Fitër Bajramit e mbajti Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, i cili uroi të gjithë besimtarët për Fastën e Fitër Bajramit. “Duke u bazuar në parimin se të gjithë jemi njerëz, dhe bijtë e Ademit dhe Havasë, ju ftoi që mes njerëzve të dominoi uniteti, vëllazërimi, harmonia, solidariteti dhe bashkimi i ndërsjellë, sepse vetëm kështu jeta do ta ketë kuptimin e saj”, tha ndër të tjera Myftiu i Kosovës.

Me rastin e festës së Fitër Bajramit, presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, i ka uruar udhëheqësit e Bashkësisë Islame të Kosovës dhe gjithë besimtarët myslimanë. “Dita e Bajramit të Madh është një ditë feste, që vjen pas muajit të Ramazanit, e karakterizuar me sakrificë dhe solidaritet mes gjithë njerëzve. Uroj që këtë ditë ta shënoni së bashku me më të dashurit tuaj, me të mirat që ua ka dhuruar Zoti”, ka thënë Jahjaga në urimin e saj.

Jahjaga ka thënë se ashtu si në gjithë festat e tjera të Kosovës, edhe në këtë ditë të shënuar duhet të shtohet kujdesi për të gjithë ata të cilët kanë nevojë për ndihmë. “Në këtë ditë t’i përkujtojmë me respekt të gjithë ata që sot nuk janë në mesin tonë, të gjithë ata që me sakrificën e tyre bënë që ne sot të kemi shtetin tonë, të jetojmë të lirë”, ka thënë në urimin e saj, presidentja Jahjaga.

Edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, i ka uruar besimtarët islamë të Kosovës për festën e Fitër Bajramit. Në urimin e tij Krasniqi ka thënë se muaji i Ramazanit, që kurorëzohet me Bajramin e Madh, simbolizon sakrificën, përkushtimin e besimtarëve dhe solidaritetin me njëri-tjetrin.

Ai ka thënë se bashkëjetesa e harmonia ndërfetare bëjnë pjesë në thesarin e madh të vlerave civilizuese e humane të popullit tonë. “Në emrin tim dhe të Kuvendit të Republikës së Kosovës uroj që në Kosovë të mbretërojnë paqja, respekti, toleranca dhe mirëkuptimi”, është thënë në urimin e Krasniqit.

Me rastin e festës së Fitër Bajramit, edhe kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka përgëzuar kryetarin e Bashkësisë Islame të Kosovës, myftiun Naim Tërnava dhe besimtarët islamë të Kosovës. “Kam nderin dhe kënaqësinë që në emër të Qeverisë së Kosovës dhe në emrin tim t’jua uroj festën e Fitër Bajramit”, ka thënë Thaçi në urimin e tij.

Kryeministri Thaçi ka vlerësuar se qytetarët e besimit islam shquhen për kultivim të vlerave humane, për urtësi, shpirt paqësor, tolerant dhe respekt për njerëzit e besimeve të ndryshme. “Urojmë që kjo frymë e mirëkuptimit dhe kultivimit të vlerave që na bashkojnë të vazhdojë dhe të thellohet gjithmonë në mesin tonë, duke e bërë Kosovën vend të paqes, përparimit dhe harmonisë midis njerëzve të përkatësive të ndryshme etnike dhe religjioze”, ka thënë kryeministri Thaçi në urimin e tij.