Sezoni i verës ka sjellë në vëmendje dhe prodhimet artizane, që duket se si të gjithë prodhimet në Shqipëri po përballen dhe me prodhime që janë imitime.
Në dyqanet e suvenireve ofrohen prodhime tradicionale shqiptare artizanale, të cilat janë shprehja më e mirë dhe më origjinale e kësaj tradite. Por nga ana tjetër nuk mungojnë edhe krijimet e dobëta dhe shumica e këtyre mallrave vijnë nga Turqia apo dhe Kina, të cilat padyshim kanë kosto më të ulët. Edhe pse kjo gjë duket se në pamje të parë nuk ka ndonjë ndryshim të madh sa i takon materialeve që tregtohen, për specialistët e artizanatit dihet kjo gjë ka shumë ndryshim shumë të madh në vlerat që prezantohen.
Për jo pak shitës kjo ka interes, pasi këto mallra janë më lirë se sa ato origjinale shqiptare. E ndërsa për turistët ofrohen objekte të vogla e të mëdha, simbole kombëtare me flamuj, shqiponja dhe elementë të tjerë shqiptarë, ndonëse ngrenë lart lavdinë e Shqipërisë në luftën e saj kundër turqve, shumica e këtyre mallrave vijnë pikërisht nga Turqia e madje edhe nga Kina. “Që kur hyri malli nga Kina, ra interesi për punën e dorës që bëhet nga shqiptarët. Kështu jo pak problem ka sot dhe me gdhendjen e bakrit të bërë nga shqiptarët, ku është ulur shitja e punimeve me dorë”, pohon një artizane, shkruan Sotnews.
Artizanët shqiptarë janë të njohur për prodhimet e tyre të filigramit, gdhendjes në bakër, punimeve të dorës në materiale të tjera, etj, por sot artizanët shqiptarë po përballen me konkurrencën e tregut, ku janë prodhime që kanë një kosto më të ulët, por që nuk janë ai material që është vlerësuar për dekada me radhë në traditën shqiptare. Punimet artizanale veç të tjerash janë dëshmi edhe e identitetit kombëtar. Këto vlera, tashmë të kaluara brez pas brezi, ngjallin gjithnjë interes të madh tek vizitorët dhe studiuesit vendas dhe të huaj.
Kriza ekonomike ul interesin për prodhimet artizanale
Artizanati shqiptar takohet tek punimet drurit, bakrit, argjendit, etj. Që në kohët e lashta ka ekzistuar zejtaria artistike dhe tradita e punimit të veshjeve të leshta, shajakut, pëlhurave për veshje më të lehta dhe sidomos atyre festive, spikasin me artin e tyre tepër të hollë, ku qëndisjet e ndryshme me fije ari dhe argjendi janë shumë të veçanta. Ndërsa tregu shqiptar i artizanatit po përballet me jo pak probleme, shitësit e dyqaneve suvenire në kryeqytet i gëzohen më së shumti stinës së verës.
Interesin më të madh për objektet e artizanatit shqiptar paraqesin emigrantët dhe turistët e huaj, por ky interes këtë vit nuk është si një vit më parë. Flamuj kuqezi, kostume popullore, punime prej bakri, druri e balte mbushin plot vitrinat dhe numri i artikujve artizanalë është i larmishëm, por ka pak blerës. “Kriza ka ndikuar shumë. Ka rënë shitja e suvenireve apo të tjera prodhimeve artizanale. Edhe turistët e huaj janë më shumë pensionistë, të cilët vetëm kartolina blejnë dhe asgjë tjetër”, pohon shitësja e një dyqani, që tregton prodhime artizanale.
Objektet më të kërkuara vite më parë kanë qenë argjendaritë, kryesisht filigrami realizuar nga artizanët nga Shkodra. Mes prodhimeve të ndryshme, qilimat tradicionalë të Krujës dhe Kukësit si dhe veshjet popullore kërkoheshin më së shumti nga të huajt, por këtë vit duket se shumë prej tyre mjaftohen vetëm duke hyrë në dyqane dhe duke dalë prej andej vetëm duke përgëzuar për punët e realizuara.