9.3 C
Prizren
E diel, 12 Prill, 2026
Home Blog Page 9079

Kristo Frashëri: Aleks Buda, refuzoi propozimet e Enverit për detyra politike

0

Aleks BudaProfesor Aleks Buda, kryetari i parë i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, është padyshim historiani më erudit dhe më i kompletuar që pati Shqipëria gjatë shek. XX. Ai u shqua në mënyrë të veçantë si dijetar i sintezave historike, si analist i ngjarjeve të mëdha të historisë së shqiptarëve, të cilat i vëzhgoi nga optika e filozofisë së historisë. Merita e tij kryesore si shkencëtar, është trajtimi i ngjarjeve të historisë së Shqipërisë nga metodologjia shkencore, sipas së cilës ngjarjet historike mund të interpretohen drejtë nëse zbatohen dy kriteret hegeliane. E para, historiani duhet të mbështetet jo vetëm në kronikën e ngjarjeve, por edhe në faktorët e shkencave të ndryshme shoqërore, të dukshme dhe të padukshme, siç janë, sipas rastit, objektet arkeologjike, prodhimtaria letrare, faktorët ekonomikë, ndërtesat e kultit, banesat qytetare, lëvizjet shoqërore, mendimet filozofike, normat kanunore, korpuset legjislative të kohës që historiani studion. E dyta, historiani duhet të hetojë edhe ndërlidhjen e ngjarjeve historike të një epoke me fenomenet historike të epokës së mëparshme, mbasi vetëm kështu mund të arrihet në vlerësimin e tyre të saktë.

Kush e ka njohur nga afër profesorin e nderuar dhe kush është përpjekur të ecë në gjurmët e tij, ka vënë re se ai mundohej të përvetësonte rezultatet që kishin nxjerrë në fushën e studimeve shqiptare të të gjitha epokave të gjitha shkencat shoqërore. Dëshmi janë temat që ai ka trajtuar, të cilat u përkasin periudhave të ndryshme të historisë që nga agimi i historisë e deri në kohët moderne.
Pikënisje e këtij koncepti metodologjik mbi trajtimin e historisë u bë edukimi i tij arsimor dhe kulturor në periudhën midis dy luftave botërore. Kalimi nga shkolla fillore shqipe e Elbasanit në shkollën unike italiane të Leçes, vazhdimi i mëtejshëm në gjimnazin austriak të Salzburgut dhe vitet universitare në Vjenën e kulturuar, e pajisën profesorin me një bagazh kulturor si klasik aq edhe modern. Nga ky cikël arsimor, fillorja e Elbasanit i dha atij dashurinë për gjuhën amtare dhe për atdheun e tij. Kultura austriake dhe shkolla e Vjenës, si hallka e fundit e ciklit arsimor, e pajisën atë me parametrat kulturore më përparimtare të kulturës botërore. Në Vjenë, Aleks Buda përvetësoi pikëpamje të majta, ashtu siç qenë njerëzit më të shquar në mbarë botën në periudhën midis dy luftave botërore. U bë jo komunist bolshevik, por i majtë demokrat, ashtu siç kultivohej në Perëndim. Në thelb, Aleks Buda mbeti deri në fund ndaj atdheut një militant patriot shqiptar dhe ndaj shoqërisë një mendimtar i majtë demokrat.

Kur Shqipëria u pushtua nga okupatorët nazifashistë italianë dhe gjermanë ai u reshtua në Frontin Antifashist Nacional-Çlirimtar. Këtë rreshtim ai e zgjodhi nga bindja se okupacionet nazifashiste ishin përdhunime që i bëheshin pavarësisë kombëtare të Shqipërisë. Veç kësaj, ai ndjeu për detyrë të jepte si shqiptar kontributin e vet për rivendosjen e Pavarësisë Kombëtare.

Vendosja e pushtetit komunist e gjeti prof. Aleks Budën 35-vjeçar, pra të formuar dhe të kompletuar tërësisht nga pikëpamja ideologjike dhe politike si një demokrat i majtë. Megjithatë, ai e gjykoi regjimin jo nga këndi i diktaturës, por si një pushtet që mbronte pavarësinë e atdheut. Për këtë arsye, si shumë demokratë të tjerë, ndonëse u pajtua me diktaturën komuniste, ai qëndroi larg radhëve të partisë së saj. Enver Hoxha, i cili e pati për disa kohë koleg në Liceun e Korçës, kishte një konsideratë të veçantë për të si njeri i kulturuar. Aleksi e ndiente për detyrë t’i shërbente vendit vetëm në fushën e arsimit dhe kulturës shqiptare. Kur në konferencën e frontit që u mbajt në Berat, në nëntor 1944, E. Hoxha i propozoi A. Budës funksione politike në Ministrinë e Arsimit dhe të Kulturës, ai refuzoi. I tha se ishte i gatshëm të merrte përsipër detyrën e Bibliotekës Kombëtare. Edhe më vonë, ai nuk pranoi asnjëherë detyra të karakterit politik.
*
Veprimtarinë shkencore në fushën e historiografisë Aleks Buda e nisi në fillim të vitit 1949. Në atë kohë sapo kishte përfunduar punimet Kongresi I i Partisë Komuniste Shqiptare. Kongresi i kishte nxjerrë jashtë raundit disa funksionarë të saj, ndonjëri nga të cilët ishte përpjekur të denigronte personalitetin historik të Skënderbeut. Duke u kapur nga prapashtesa -Bej që mbante emri Skënder i Heroit, pra Skënder-bej, titull i cili në shek. XV në të vërtetë kishte kuptimin e gjeneralit, ata e trajtonin atë si bej në kuptimin që kishte në atë kohë, pra si pronar çifligar. Si rrjedhim, ata e konsideronin Skënderbeun si përfaqësues të bejlerëve çifligarë, të cilët në ato vite goditeshin me egërsinë e xhunglës. Për të ndriçuar portretin e vërtetë historik të Skënderbeut, prof. Aleks Buda në atë kohë shef i seksionit të Historisë në Institutin e Shkencave të krijuar dy vjet më parë, shfrytëzoi 17 janarin 1949, përvjetorin ndonëse jo jubilar të vdekjes së Heroit.
Atë ditë u thirr një konferencë e posaçme as partiake, as shtetërore, por personale e Aleks Budës, kushtuar figurës së Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Ishte konferenca e parë në Tiranë, por edhe në Shqipëri me temë historike, që mbahej vetëm nga një konferencier. Mund të thuhet se qe një eveniment. Konferenca u mbajt në sallën e Teatrit Popullor. Salla qe e mbushur plot. Ajo u ndoq me vëmendje jashtëzakonisht të veçantë për shkak të kryetemës kushtuar Heroit Kombëtar të shqiptarëve.
Në referatin e vet Aleks Buda e vlerësoi lart figurën e Gjergj Kastriotit dhe vendin që ai zë në historinë e Shqipërisë. Ai e filloi referatin me këto fjalë:

“Fytyra e Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, përkujtimit të të cilit i është kushtuar kjo ditë, zë një vend të shquar në historinë e popullit tonë, mund të themi në historinë e Evropës. Siç është e jashtëzakonshme jeta e tij – e çuditshme dhe e jashtëzakonshme është edhe historia e famës së tij. Në mos tjetër e dëshmon një bibliografi e pasur qindra e qindra vëllimesh prej vitit 1500 gjer në ditët tona, ku kanë hedhur mbi kartë qindra e qindra historianë, politikanë, poetë, ushtarakë nga viset e kohët më të largëta e më të afërta entuziasmin, admirimin, nganjëherë dyshimin e tyre skeptik – që u zgjon figura e këtij njeriu të madh që doli nga gjiri i një populli të vogël, që luftoi në një vend të vogël dhe pa përshkuar distanca të largëta, bëri vepra aq të mëdha e të lavdishme, sa që është e madhe, e lavdishme lufta e një populli që lufton për të thyer vargonjtë e robërisë, për të mbrojtur lirinë, pavarësinë e jetës e të tokës së vet”.

Duke folur mbi premisat, të cilat duhet të ketë parasysh historiani kur vlerëson një figurë historike, ai sqaroi:
“Madhësia e një figure, e një lëvizjeje, e një ideje nuk mund të matet vetëm me numrin e vëllimeve, me sasinë e kartës që ështe shkruar për të. Matësi më i mirë dhe më i sigurtë për të gjykuar është konstatimi nëse një figurë, një lëvizje, një ide rron, vepron akoma, ngjall fuqi të reja në zemrat e njerëzve të shtypur, për të përmbysur situata të kalbura, për të shembur robërinë, sepse këtë mund ta bëjë vetëm një ide e madhe përparimtare që ndihmon procesin historik të eci përpara…”. Më tej ai shtonte: “Matësi më i sigurtë është konstatimi nëse vepra që nis një personalitet historik, qoftë edhe nëse mbetet përgjysmë, qoftë edhe nëse rrethanat e vështira nuk e lejojnë të realizohet, megjithatë është një nevojë historike që më vonë do të realizohet medoemos”.

Duke ngulur këmbë mbi kriteret që duhen patur parasysh kur trajtohet një figurë historike, profesor Aleks Buda theksonte më tej: “Figurë e madhe është çdo nismëtar që parasheh dhe fillon të realizojë, që kontribuon mbrojtjen e asaj që akoma s’është, por që po përgatitet, që duhet dhe që do të vijë”.

Në këtë referat tashmë të mbuluar nga pluhuri i kohës – themi nga pluhuri i kohës, mbasi nuk dimë përse redaktorët e kanë lënë jashtë katër vëllimeve botuar nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, ku janë përfshirë “Shkrimet historike” të Aleks Budës – profesori ynë i nderuar nënvizonte se vepra kryesore e Skënderbeut qëndronte te fakti se lufta e tij heroike mbajti gjallë frymën e rezistencës kombëtare për pesë shekuj, derisa u realizua plotësisht më 28 Nëntor 1912.

Aleks Buda vuri në dukje dy tendencat kontradiktore midis tyre që përshkojnë bibliografinë e pasur skënderbegiane. Njëra karakterizohet nga prirja për ta ngritur lart veprën e Skënderbeut, tjetra për ta ulur poshtë personalitetin e tij. Si shembull të vlerësimeve negative për Skënderbeun profesori sillte tre autorë: i pari historiani gjerman George Voigt, i cili shihte te Skënderbeu një kryetar mjeran hajdutësh që paguhej prej Perëndimit për të luftuar turkun; i dyti historiani rumun Nikolla Jorga, i cili e shihte Skënderbeun si një kapedan që ndihmohej nga venedikasit, mbrohej nga napoletanët dhe nxitej nga hungarezët; rastin e tretë ai e përgjithësonte me historianët jugosllavë, të cilët gjithashtu janë përpjekur ta zhvlerësonin veprën historike të Skënderbeut. Profesori nuk pajtohej jo vetëm me kritizerët e Heroit, por as me apologjetët e tij, disa nga të cilët, nënvizonte ai, e ngrenë Heroin në shkallën e legjendës, disa të tjerë e shndërrojnë atë në mit. Vepra e Skënderbeut, mendonte profesori, duhet gjykuar vetëm duke u mbështetur në burimet historike dokumentare dhe vetëm nëse ato burime shpjegohen dhe analizohen me objektivitet shkencor.

Thelbin e referatit që prof. Aleks Buda mbajti më 17 janar 1949, pra që në shfaqjen e tij të parë si historian para publikut shqiptar, nuk e përbën vetëm vlerësimi dhe gjykimi i tij i drejtë mbi veprën e Heroit të shekullit XV, por ca më tepër kriteret metodologjike që duhet të zbatojë historiani kur trajton një personalitet, një ngjarje, një periudhë historike. Në referatin e përmendur, profesori i dha një vlerë të veçantë ndriçimit të kushteve ekonomike dhe marrëdhënieve shoqërore, të cilat sipas tij, përbëjnë bazën, burimin dhe shpjegimin e madhështisë së luftave të Skënderbeut. Pa ndriçuar këto probleme është vështirë të bindesh për saktësinë e fitoreve ushtarake që korri Skënderbeu. Në një kohë kur në vendet e tjera të Gadishullit Ballkanik, nënvizonte prof. Aleks Buda, lulëzonin marrëdhëniet feudale dhe mbizotëronte bujkrobëria, në Shqipëri nuk kishte depërtuar kudo gangrena feudale. Këtu mbizotëronte fshatarësia e lirë. Mbizotëronte jo bujaria feudale, por bujaria fisnore.

Në shek. XV, në kohën e vërshimit të invazorëve osmanë, shteti i tyre ndodhej ende në fazën e feudalizmit ushtarak. Kjo do të thotë se ato ende nuk e njihnin bujkrobërinë e fshatarëve. Si rrjedhim, për bujkrobërit e Ballkanit timari feudal-ushtarak turk sillte një farë lehtësimi nga pikëpamja ekonomike e shoqërore, mbasi i njihte fshatarit pronësinë dhe ekonominë individuale. Kjo është arsyeja, nënvizonte prof. A. Buda, përse fshatarët në disa vende të Ballkanit nuk iu kundërvunë invazionit osman, madje sipas një kronike mesjetare, vinin pas tyre me kënaqësi (lo seguivano col piacer). Përkundrazi, fshatarët e lirë shqiptarë, të cilët përbënin shumicën e popullsisë – meqenëse qytetet kryesore të vendit ndodheshin nën zotërimin e Venedikut – shihnin te invazori osman jo vetëm shtypjen kombëtare, por edhe robërimin shoqëror. Për këtë arsye, nënvizonte profesori, fshatarët e lirë së bashku me bujarinë fisnore u ngritën si vullkan për të mbrojtur lirinë e tyre.

A. Buda u rikthye te vlerësimi i figurës së Skënderbeut dhe dy vjet më vonë. Rastin e dha botimi nga Fan Noli më 1947 në Neë York i disertacionit në anglisht mbi Gergj Kastriot Skënderbeun, i cili arriti në Shqipëri me pak vonesë. A. Buda u entuziasmua në vija të përgjithshme me përmbajtjen e tij. Kjo për arsye se Fan Noli kishte bërë para tij orvatje për të ndriçuar bazën shoqërore të epopesë së shekullit XV. Në një recension që A. Buda botoi në “Buletinin e Institutit të Shkencave” më 1951, vlerësoi kontributin që sillte Noli në historiografinë skënderbegiane. Meritë të veçantë patën, sipas nënvizimit të A. Budës, argumentet dokumentare që sillte Fan Noli për të provuar, në kundërshtim me skepticizmin e shfaqur nga disa historianë të huaj, se fitoret ushtarake që Skënderbeu kishte korrur ndaj sulltanëve turq nuk ishin tregime legjendare, por fakte të vërteta historike; e dyta, se Noli sillte argumente serioze historike që vërtetonin se Skënderbeu nuk ishte si mendonin disa historianë skeptikë, kapedan çetash kryengritësish, por kryetar i një shteti të pavarur; e treta, se Skënderbeu kishte zhvilluar marrëdhënie diplomatike me disa nga shtetet kryesore të kohës së tij, pra ishte njohur si kryetar shteti edhe në arenën ndërkombëtare. Megjithatë, A. Buda pati edhe tri vërejtje ndaj monografisë së peshkopit shqiptar të Amerikës. E para, nuk u pajtua me tezën e tij se Skënderbeu nuk kishte vajtur peng në oborrin e sulltanit. E dyta, se Noli nuk duhej të mbështetej te vepra e G. M. Biemmi-t, i cili nënvizonte A. Buda, ishte një falsifikator; e treta, se baza shoqërore e epopesë së shek. XV, siç e kishte trajtuar Noli, kishte nevojë të rishikohej. Tri vërejtjet e profesorit u trajtuan me një urtësi kulturore dhe me një logjikë shkencore që la përshtypje të thellë.

Pavarësisht se argumentet që solli prof. Aleks Buda mund të jenë të diskutueshme, po aq të diskutueshme sa dhe ato të Fan Nolit, vetë stili i debatit tregoi rrugën që duhej të ndiqnin historianët dhe dijetarët e Shqipërisë komuniste, krejt ndryshe nga debatet që bënin gazetarët dhe aktivistët partiakë për çështje politike.
*
Me gjithë vështirësitë e krijuara për historianët nga presioni ideologjik-politik i Partisë së Punës, qarqet shkencore përsëri gjenin shtigje për të krijuar hapësirë për liri debati dhe diskutimi, natyrisht brenda kufijve politikë, kapërcimi i të cilave ishte ndaluar rreptësisht nga diktatura. Profesor Aleks Buda ishte mjeshtër i shtigjeve. Në shtatorin e vitit 1952, u organizua nga Instituti i Shkencave në Tiranë, një konferencë shkencore – e para konferencë shkencore e organizuar nga vetë shqiptarët. Konferenca kishte dy tema, secila me disa seanca. Tema e parë “Formimi i kombit shqiptar”, tema e dytë “Fillimet e lëvizjes kombëtare shqiptare”. Organizatori i konferencës ishte profesor Aleks Buda. Si një mjek që mat pulsin e të sëmurit, edhe Aleks Buda diti të maste pulsin e situatës. Se si e se qysh veproi profesori nuk u mor vesh asnjëherë, por kur pjesëmarrësit hynë në sallën e madhe të Bibliotekës Kombëtare – në sallën e ndërtesës së vjetër – në murin përballë, prapa presidiumit ishte shkruar me gërma të mëdha parulla: “ASNJË SHKENCË NUK MUNT TË ZHVILLOHET DHE TË PËRPAROJË PA LUFTË MENDIMESH DHE PA LIRI KRITIKE”. Nën parullë emri – STALIN”.
Parulla ishte një ftesë me dy adresa. Njëra ftonte pjesëmarrësit të diskutonin pa frikë se liria e debatit ishte e garantuar. Tjetra u drejtohej partiakëve vigjilentë të mos i kundërviheshin Stalinit.

Kriteret shkencore hegeliane Aleks Buda i shtriu në temat e tjera dhe në periudhat e ndryshme të Historisë së Shqipërisë. Kështu për shembull, në Kuvendin I të Studimeve Ilire në vitin 1972 ai shtroi si detyrë studimin e lidhjeve gjenetike shqiptaro-ilire jo me frazeologji romantike, as me citate klasike, por me argumente të disa disiplinave shkencore-historike, arkeologjike, gjuhësore, etnografike e antropologjike – të ndërlidhura dhe të ndërvarura midis tyre. Në të njëjtën kohë, ai porositi që studimi i ilirëve të mos ngushtohej vetëm me procesin e vetë ilirëve, por të shihej më gjerë. Më “gjerë” do të thotë që historia e ilirëve të shihej ashtu siç e kishte theksuar më 1774 themeluesi i ilirologjisë Johan Thunmann, edhe nga një këndvështrim më i gjerë, si popullsi që morën pjesë në proceset themelore shoqërore e kulturore, në ngjarjet kryesore politike që përshkuan botën antike të Mesdheut. Prof. Aleks Buda theksonte tekstualisht: “Thelbin e këtij kompleksi shkencor e përbëjnë çështje të tilla të rëndësishme si ajo e kulturës më të lashtë të Ilirisë e të bartësve të saj; problemi i prejardhjes së ilirëve dhe i gjuhës; i organizimit eknomik, shoqëror e politik të tyre; i vendit që mbanin ilirët në botën antike; më në fund, studimi i premisave që ata krijuan për historinë mesjetare e të re të Gadishullit Ballkanik”.

Një nga problemet të cilit prof. A. Buda i kushtoi kujdes ishte dhe çështja e formimit të popullit shqiptar, e gjuhës dhe e kulturës së tij. Fillimisht këtë problem ai e trajtoi në një referat që ai mbajti në Ankara në gusht 1979 në Kongresin IV të Shoqatës së Studimeve për Evropën Juglindore (AIESEE). Në takimin e Ankarasë ai pohoi se etnogjeneza e shqiptarëve, formimi i kombësisë shqiptare mbi një bazë etnike të lashtë, me gjuhën e kulturën e vet, përbën një nga problemet qendrore të shkencave albanologjike. Edhe në trajtimin e kësaj teme, prof. A. Buda, ngulte këmbë për bashkërendimin e të dhënave që dalin nga hulumtimet historike, arkeologjike, gjuhësore, etnografike dhe kulturore. Vetëm kështu, nënvizonte profesori ynë, mund të dalin konkluzione të shëndosha dhe jo duke u kapur pas të dhënave të një fushe të vetme.

Këtë temë profesor Buda e zhviloi dhe e thelloi në Konferencën Kombëtare për Formimin e Popullit Shqiptar të Gjuhës dhe të Kulturës së tij, e cila i zhvilloi punimet në Tiranë tre vjet më vonë, në korrik të vitit 1982. Në këtë konferencë prof. A. Buda ripohoi se studimi i etnogjenezës shqiptare është një problem kompleks. Për këtë arsye, problemi nuk mund të shihej vetëm në guackën e etnografisë shqiptare, por të rishihej edhe në kuadrin e etnografisë ndërkombëtare. Në mënyrë të veçantë, Aleks Buda e shihte të nevojshme trajtimin e problemit të etnogjenezës shqiptare në kuadrin e ballkanistikës. Ai theksonte tesktualisht:

“Konferenca jonë ka kapur një temë qendrore edhe për ballkanistikën, sepse problemi i formimit të popullit shqiptar, i vazhdimit dhe i autoktonisë së tij, i formimit të territorit të tij historik, i gjuhës, i kulturës së tij, është lidhur me fije të shumta edhe me probleme analoge të historisë së popujve fqinje ballkaniker, me të cilët shqiptarët, si një nga popujt më të vjetër të këtij gadishulli rrojnë tashmë prej shekujsh në lidhje të vazhdueshme marrjesh e dhëniesh ekonomike e kulturore, gjuhësore e politike”.

Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, organizatën shqiptare që veproi në vitet 1878-1881, prof. Aleks Buda e ka trajtuar përveçse për publikun shqiptar edhe në disa takime për publikun e huaj si për shembull në Ankara, Paris, Athinë e gjetkë. Sintezën më të goditur besoj se e ka dhënë në referatin që mbajti në konferencën ndërkombëtare kushtuar njëqindvjetorit të themelimit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, e cila u mbajt në Tiranë në qershor 1978. Në histori ka raste, tha profesori, kur një popull në përpjekjet e tij për të dalë nga errësira në dritë, ka dy rrugë: njëra, në pamje të parë duket e lehtë, por ajo është e mbyllur, madje edhe përpjekjet që janë bërë për të ndjekur ato rrugë në dukje të lehta shpesh janë rrugë pa krye ose rrugë që përfundojnë në greminë. Përrkundrazi, vazhdoi ai, ka rrugë që janë me të vërtetë të vështira, por që ato kur çahen me luftë e vështirësi më në fund të çojnë drejt horizonteve të hapura. Pikërisht në udhëkryqin që ndodheshin shqiptarët në krizën lindore të viteve ’70 të shekullit XIX ata ndoqën, me themelimin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, rrugën e dytë, rrugën tepër të vështirë.

Edhe në këtë temë prof. A. Buda kërkoi të zbatoheshin po ato kritere të metodologjisë studimore të historiografisë. Pra, ai kërkoi që të vlerësoheshin dhe të gjykoheshin jo vetëm ecuritë e ngjarjeve të organizatës, por edhe forcat lëvizëse që vepronin në sektorët e tjerë të jetës shqiptare dhe në mënyrë të veçantë në arenën diplomatike ndërkombëtare.
*
Do të shkonte gjatë po të përmendnim në këtë referat kriteret e njëllojta që ai ka zbatuar edhe në temat e tjera të historisë së Shqipërisë. Këtu mjafton të thuhet se me qartësinë dhr kthjelltësinë e pikëpamjeve të veta mbi metodën studimore dhe mbi vlerësimin e ngjarjeve historike, profesor Aleks Buda fitoi konsideratën e mbarë qarqeve shkencore, kulturore dhe artistike të vendit. Këtë konsideratë ai e ruan edhe sot e kësaj dite.

Veç kësaj, ai e përfaqësoi Shqipërinë me dinjitet kombëtar në shumë takime shkencore ndërkombëtare. Si njohës i shumë gjuhëve, ai mori pjesë në debate duke iu përgjigjur sipas rastit historianëve të huaj në gjuhën e tyre amtare: në gjermanisht, anglisht, frëngjisht, italisht, rusisht, spanjisht dhe shpeshherë me fraza të shkurtra në greqisht, serbisht, bullgarisht. Në sajë të këtyre meritave, profesor Aleks Buda ashtu si profesor Eqerem Çabej u bënë ambasadorët shkencorë shëtitës të Shqipërisë. Ishin dy korifejtë që përfaqësuan për disa dekada dy shtyllat e albanologjisë shqiptare – njëri historinë, tjetri gjuhësinë. Pavarësisht nga synimet që kishte Enver Hoxha, vendimi i tij për të vënë prof. Aleks Budën në krye të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë kur ajo u krijua më 1972 ishte një zgjidhje e goditur. Me të ai nderoi jo aq Aleks Budën sesa historiografinë shqiptare dhe vetë Shqipërinë.

Po e mbyll këtë homazh të profesorit tim me dy fjalë të përzemërta. Profesor Aleks Buda edhe kur ishte i thjeshtë dhe ecte në këmbë, edhe kur u bë shef dhe vinte në zyrë me biçikletë, edhe kur u bë kryetar i Akademisë dhe udhëtonte me makinë, mbeti po ai: njeri i thjeshtë, i qeshur, i ngrohtë, i urtë me këdo. Dëgjonte me kujdes çdo njeri që vinte në zyrë dhe përpiqej me aq sa mundej të zgjidhte problemet jo të pakta që kishte ai që fliste me të. Ndoshta këto veti personale një ditë do të harrohen, por ato që do të mbeten të ngurosura në historinë tonë kulturore dhe shkencore janë kriteret metodologjike që ai kërkonte të zbatonin historianët shqiptarë të zbatonin, në çdo rast dhe për çdo temë. Këtë trashëgimi duhet të ketë parasysh patjetër brezi i ri që angazhohet në studimin e shkencave shoqërore shqiptare.
(BalkanWeb)

Edhe Partia Konservatore uron për festën e Fitër Bajramit

0

PartiaKonservatoreeKosoves-logoEdhe Partia Konservatore ka uruar të gjithë myslimanët për festën e Fitër Bajramit. “Sot është dita e fundit e muaji të bekuar të Ramazanit,gjatë të cilit besimtarët Islame treguan devotshmëri,dashuri,sakrificë,solidaritet dhe adhurim ndaj Krijuesit të Madhërishëm. Lutemi tek Zoti mëshirëplotë për pranimin e lutjeve dhe veprave të mira gjatë këtij muaji të bekuar”, thuhet në urimin e Partisë Konservatore.

“ Feste e Bajramit shënon fitoren e njeriut ndaj të keqës dhe porositë e sëcilës na mesojnë që në këto ditë feste me shumë të mendojmë për prindërit,familjarët,fqinjët dhe të afermit tanë. Andaj,me rastin e Fitër Bajramit,të gjithë qytetarëve të Kosovës urojmë që këto vlera universale të jenë udhërtëfyes në jetën e përditshme të tyre”./PrizrenPress.com/

 

Koncesionet vrastare

0

Bekim rexhepiBekim Rexhepi

Prej pas luftës koncesionet për Kosovën nuk janë ndalur fare, ato vazhdojne akoma te behen edhe pas 13 viteve me të njejtin intensitet në dem të qytetarëve dhe të Kosovës. Por pika e koncesioneve sa vije e behet me nevragjike, me plote dyshime se ato s’do te kene te ndalur ndohere, per aq sa kohe te jene ne fuqi segment te nje pushteti qe para interesit shteteror e qytetar kane ate interesin personal e fisnor. C’pas demilitarizimit te UCK-se, e deri te kerkesa e sotme Serbise qe te menaxhoj me liqenin e ujmanit dhe me Trepcen. Nese keto dy te fundit arrihen te behen koncesione definitivisht ato do te jene dhe do te mund te quhen koncesione vrastare per Kosoven.

Liqeni i Ujimanit (Gazivodës)

Pse Serbia synon qe ky liqe të futet nën juridiksionin apo nën kontrollin e asosacionit serb të komunave serbe në Kosovë, sepse përpos shkritores se xehes e metaleve të tjera syno të mbaj edhe shkritoren në Zveçan. Pra një gjysmë kontrollit i minierës së Trepçës në Stan Terg, i liqenit dhe i shkritores përfundimisht Serbin e bene te jete faktor i rëndësishëm në Kosove po aq sa edhe qeveria ne Prishtinë sepse defakto qeveria duke bere koncesione e defaktorizon vetveten dhe faktorizon Serbinë, sepse arrin te mbaj nen kontrolle tri asetet me te çmuara ne vend.

Me këto koncesione e fundit ne marrëveshjen me Serbin për Kosovën, Qeveria e Kosovës mund te shkoi edhe deri ne koncesionet e reja dhe vrastare për Kosovën sikur te lëshoi pe me liqenin dhe me Trepçën. Pra, Serbia me çdo kusht përpiqet qe për serbet e Kosovës, dhe qe janë edhe serb te Serbisë sepse tashme është e qarte tendenca e Serbisë se për serbet e Kosovës dëshiron qe këta serb here tu thotë se ata janë qytetar te Kosovës dhe here te Serbisë. Por pavarësisht keti perceptimi Serbia ne Kosove synon qe për këta serb të krijoj një sistem të pavarur funksional dhe fare jashtë një varësie nga qeveria e Kosovës dhe shteti i Kosovës. Më këtë duket se synohet qe definitivisht kjo pjesë e veriut të Kosovës të mund të shkëputur nga administrimi qendror, me qëllim që më pastaj ne kohe te tjera te mund të krijoj parakushte të një secesioni.

Sa për kujtesë në vitin 1981, një terrorist serb ishte nisur me një destinacioni terrori, pikërisht ne liqenin e Ujimanit. I mbushur një arkivol me përplot eksplozivi, qëllim për ta shpërthyer paranojën e liqenit, dhe me pas te mund te shkaktoi një dem te papare, të shkarkonte sasinë e pakontrolluar të ujit dhe të shkaktonte dëme të mëdha, të paparashikueshme për qytetin e Mitrovicës me rrethinë. Por, ky qëllimi i kriminelit serb, ishte përmbysur pasi një shofer taksie-shqiptar qe po e voziste automjetin me arkivol, pas te gjitha dyshimeve qe kishte, arriti që para aktit të krimit të paralajmëroj policin, dhe ishte kapur befas ky terrorist. Në memoria kjo ngjarje nuk mund te shlyhet lehte, por ç’mund të bëhet nëse qeveria e papërgjegjshme do tregohet ne bisedime me Serbin, e cila po planifikon një kontroll serb, lokal për Liqenin, akoma pa u bërë marrëveshja për kërkesën e qeverisë serbe, qeveria e Kosovës e njohur për lëshime marramendëse mund të tregohet edhe më shumë e papërgjegjshme, edhe më këtë rast ndaj një reagim i qytetareve do te duhej te ishte me i pranishëm.
Serbet qe mund ta kenë nën kontroll liqenin një ditë, mbase do të mund të luajnë me pjesën jugore të Mitrovicës me rrethinë, pasi që dihet se sasia e ujit qe lëshohet nga liqeni i Ujmanit është jetike edhe për pjesën jugore.
E nëse ky aset ekonomik i Kosovës, shpërdorohet, apo u epet në duart atyre që janë te stisur ta marrin, pa u shkëputur fare nga ato ngarkesa, dhe elemente raciste se nuk duan dhe nuk munden të jetojnë në një shtet ku shumice shqiptare, pra një minoriteti serb prej 4%, qe gjithnjë e më shumë synon të pavarësohet nga administrimi juridik i Kosovës përbën një rrezik të paimagjinueshëm për qytetin e Mitrovicës dhe rrethinën e saj por edhe për tërë Kosovën sepse rrënon perspektiven ekonomike te saj.

Trepça

Trepça është dhe mbete aseti me i rëndësishëm ne vend, ndaj këtu duhet pasur kujdes se çfarë te behet me te. Serbia mund te pretendoi qe ka aksionet e saja ne te. Por te gjitha këto aksione te saja janë bere ne kohe te paligjshme juridike dhe me dhune e arbitraritete politike ekonomike dhe nacionale. Pra Kuvendi i Kosovës apo edhe qeveria me vendimet e saja politike duhet t’i japi fund spekulimeve dhe tendencave te mëtutjeshme te arbitraritetit me Trepçën. Kuvendi apo Qeveria duhet ti shpalli te gjitha marrëveshjet e mëhershme inekzistenet sa i përket Trepçës ngase ato janë bere me arbitraritet te njëanshëm duke shkele te gjitha vendimet politike ekonomike dhe kushtetuese te Kosovës. Me dhune dhe me forma te tjera Trepça është kolapësuar me qellim qe te mund te vihet deri tek këto kontestime te cilat kanë vetëm një adrese serbe. Pra Trepça duhet te menaxhohet nga Qeveria me qellim qe te pushojnë te gjitha spekulimet rrethe saj. Qe te mund te rikthehet punësimi ne te dhe te kthehet gjendja fizike e popullsisë. Me këtë mund te kemi pastaj edhe rezultate ne shkolle me fëmijët, ulje ne kriminalitet, ndryshime brenda familjes dhe perspektiva me e madhe ne shtet dhe për shtet.

Shkritorja në Zveçan

Kjo shkritore është e rëndësishme po aq sa vet miniera e Trepçës sepse aty behet shkrirja e metaleve dhe me këto shkrirje, ne mbase mund te kemi rritje ekonomike te brendshme te dobishme duke mos shpenzuar shkrirjen e metaleve ne vendet e tjera përreth. Nuk mund te epen këto asete ne duart e ekstremisteve serb qe veriun e mbaj te bllokuar me barrikada me tensione politike. Dhe ne emër te këtyre tensioneve te bëhen lëshime-koncesione qe ata kinse te mund te integrohen ne sistemin e shtetit te Kosovës. Duhet bere e qarte se serbet e Kosovës nuk mund te diktojnë edhe me tej politiken e Kosovës përmes bojkotit dhe krimit te organizuar ne veri, pa çka se Serbia shfaqe interesin e saj nacional. Ne kemi interesin tone nacional ne secilën pëllumb te Kosovës e edhe serbet janë pjese integrative e shtetit tone ndaj nuk mund te krijojmë paradokse politike për hatër te një pakice qe ushtron terror dhe dhune te vazhdueshme.

 

Vetëpromovohet si kandidat për Prizrenin

0

Nait HasaniDeputeti i PDK’së, Nait Hasani e ka shpallur kandidaturën e dyfishtë të tij për të udhëhequr Partinë në Prizren dhe për t’i hyrë garës zgjedhore për kreun e Komunës.

Ai ende pa e marrë mbështetjen e PDK’së në Prizren, dhe në Qendër, ka vendosur të promovohet si pretendent për të udhëhequr me Partinë dhe me Komunën e Prizrenit.

“Po unë jam kandidati Kryesor për Kryetar të PDK’së dhe për Kryetar të Prizrenit”, ka thënë Hasani, për Express, të mërkurën.

“Besoj se do ta fitoj garën në Prizren edhe me mbështetjen e PDK’së”, ka shtuar ai.

Ndryshe, kandidaturën për Kryetar të Degës së PDK’së e pati shpallur edhe kryetari aktual i Komunës, Ramadan Muja, i cili është tërhequr nga gara pasi po përballet me gjykimin nën akuzat për korrupsion.

Më herët, Lideri i PDK’së pati dalë në përkrahje të Mujës për të udhëhequr me PDK’në në Prizren.

Zgjedhjet në PDK kanë përfunduar në fillim të këtij viti, por për shkak të përçarjeve, Dega e Prizrenit ende nuk e ka zgjedhur Kryetarin e saj.

Megjithëkëtë, Nait Hasani thotë do të jetë Kryetar i Degës së PDK’së dhe i Prizrenit dhe se për këtë do ta ketë mbështetjen e Hashim Thaçit.

“Jemi në kontakt me Kryetarin. Në momentin që do të zyrtarizohet kandidatura ime do ta kem edhe përkrahjen e z. Thaçi”, ka thënë ai.

Hasani ka thënë se nuk ka ende një kundër-kandidat për të udhëhequr me PDK’në në Qytetin e Vjetër.

“Ende nuk ka kundër kandidat. Unë jam i vetmi kandidat për Kryetar të Degës së PDK’së në Prizren. Të tjerat janë përfolje”, ka shtuar ai.

Hasani ka mohuar mundësinë që PDK të humb pushtetin në Prizren për shkak të përçarjeve dhe akuzave të zyrtarëve të saj se janë të përfshirë në korrupsion.

Ai është i bindur se me ndihmën e Partisë do të fitoj Prizrenin, apo ndryshe siç njihet “Jerusalemi i PDK’së.

“Unë do ta fitoj Jeruzalemin edhe Prizrenin. Unë jam i sigurt se do ta fitoj edhe Prizrenin edhe Jerusalemin”, ka thënë ai.

Deri më tash, vetëm LDK’ja dhe AAK’ja i kanë publikuar kandidatët e tyre për Prizrenin.

Partia e Isa Mustafës ka vendosur të garojë me Eqrem Kryeziun ndërsa ajo e Ramush Haradinajt me Lulëzim Kabashin, i cili përkrahet edhe nga LDD’ja e Nexhat Dacit.

Pavarësisht kësaj, Nait Hasani fol fjalë të mira për kundërkandidatët nga partitë e tjera derisa thotë se është i bindur se do të fitoj.

“E vlerësoj Eqrem Kryeziun si kandidat. Por, unë besoj në fitoren time”, ka thënë Hasani.

Berisha: Urime Fitër Bajrami!

0

zafir berisha 7Kryetari Bashkimit Demokratik në Prizren, Zafir Berisha ka uruar të gjithë besimtarët mysliman festën e Fitër Bajramin.“Në emër te strukturave të Bashkimit Demokratik dhe në emrin tim personal shfrytëzoj rastin të uroj Fitër Bajramin të gjithë besimtarëve islam. Kjo festë vjen pas muajit të madhërishëm të Ramazanit, muajit të sakrificës dhe solidaritetit”, thuhet në urimin e Berishës.

Sipas tij, festa Fitër Bajramit, vjen në mbarë njerëzimin për t’i sjellë botës mesazhin e respektit, tolerancës, dashurisë dhe solidaritetit. “Në këtë ditë të gjithë besimtarët përjetojnë ndjenja të përbashkëta për një jetë më te mirë ne vendin e tyre duke reflektuar respekt dhe solidaritet me ata që kanë nevojë për mbështetje dhe ndihmë vëllazërore”/ PrizrenPress.com/

Hamami i Prishtinës po restaurohet, shumë shkelje

0

Hamami i prishtinesPas 6 vitesh punë, me ndërprerje të shpeshta, ruajtja dhe restaurimi në Hamamin e Prishtinës, më në fund, ka arritur në fazën e suvatimit final.

I shoqëruar me pezullime të punës dhe debate, në lidhje me cilësinë e punimeve, as edhe në këtë fazë të punës, nga jashtë nuk vërehen elementë të kulturës otomane, së cilës i takon ky monument historik i shekullit të 15-të.

Në kohën kur ekipi i Top Channel vizitoi Hamamin, përveç punëtorëve që suvatonin, nuk takoi asnjë zyrtar, mbikqyrës apo ekspert të kësaj fushe.

Drejtoresha e Këshillit për Trashëgimi Kulturore të Kosovës, institucion i themeluar nga Kuvendi i Kosovës, Gjejlane Hoxha, duke e konsideruar si shqetësuese gjendjen momentale të Hamamit të Prishtinës, akuzon Departamentin për Trashëgimi Kulturore në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, se në gjithë këtë projekt ka shkelje të mëdha ligjore, kryesisht në aspektin arkitektonik.

Por, drejtoresha për Trashëgimi Kulturore në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, u shpreh e kënaqur me punën e deri tanishme, e cila – sipas saj – po inspektohet dhe menaxhohet nga një komision profesional.

Ndërprerja e punimeve, për herë të fundit, ndodhi më 7 shkurt 2013, nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, për shkak të analizave të llaçit të vjetër, që ka qenë aty, dhe llaçit të ri, i cili u vendos në muret e objektit, dhe me përmirësimin e kërkesave të komisionit, sipas zonjës Aliu, rifilluan punimet, për të cilat ende nuk dihet koha e përfundimit.

PDK-ja në Prizren, uron kryetarin e BI-së dhe besimtarët islam

0

PDK-logo8-07Me rastin e festës së Bajramit të Madh, dega e PDK-së në Prizren, uron kryetarin e Bashkësisë Islame dhe të gjithë besimtarët islam të komunës së Prizrenit.

“Urojmë që kjo festë e madhe, e cila vjen pas Muajit të shejtë e të bekuar të Ramazanit, muajit të sakrificës, vetëpërmbajtjes, faljes, lutjes dhe përkushtimit ndaj Zotit Krijues, të na udhëheqë në çdo ditë të jetës sonë, në familje,në punë, e në shoqëri, gjithmonë në të mirë të kombit.

Le të jetë kjo festë, moment i unitetit dhe mirëkuptimit edhe ma të madh me njëri tjetrin, si një vlerë e domosdoshme edhe sot aktuale për ne shqiptarët, për të punuar e vepruar për një të ardhme sa më të mirë të brezave që vijnë duke vënë interesin e përgjithshëm mbi intertesat përsonale.

Dhashtë Zoti, që Festa e Bajramit, të stolisë familjet tona me gëzim, dashuri, mirëkuptim e solidaritet të ndërsjellë mes njerëzve”, thuhet në urimin e PDK-së./PrizrenPress.com/

KDI lavdëron performancën e LDK-së në Suharekë

0

KDI-NaimCahanaj-ArbenHoxhaInstituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka publikuar Fletënotimin i cili përmban analizë dhe notim për punën individuale të 35 anëtarëve të Kuvendit të Komunës së Suharekës dhe subjekteve politike të përfaqësuara në këtë kuvend për periudhën Janar-Qershor 2013.

“Qëllimi i publikimit të këtij Fletënotimi është informimi i paanshëm dhe objektiv i qytetarëve për punën e të zgjedhurve të tyre gjatë mbajtjes së seancave të Kuvendit të Komunës së Suharekës në periudhën Janar-Qershor 2013, notim ky i bazuar në nëntë shtylla të vlerësimit”, tha Naim Cahanaj përfaqësues i KDI-së.

Sipas tij “anëtarët që kanë treguar rezultate më të mira në të gjitha kategoritë në Kuvendin e Komunës së Suharekës janë: Murtez Zekolli (PDK) me 10.6 %, Shefket Kolgeci (LDK) me 9.7 %, dhe Nexhat Ramadani (LDK) me 8.5 % të vlerësimit të përgjithshëm. Anëtarët që nuk kanë treguar asnjë rezultatet në të gjitha kategoritë janë: Reshat Kabashi (AAK) me 0.0 %, Zymer Llugaxhiu (AAK) me 0.0 %, Leonora Reshitaj (AAK) me 0.0 %, Rexhep Kuqi (LDK) me 0.0 %, Elmaze Bytyqi (LDK) me 0.0 % , Fatmir Guraziu (Pavarur) me 0.0 % derisa Lulzim Berisha (AAK), dhe Jemin Zeqiraj (PDK) gjatë kësaj periudhe nuk kanë treguar asnjë rezultat dhe kanë munguar në njërën nga seancat e mbajtura në këtë periudhe duke treguar rezultat tejet të dobët me – 0.1 % të notimit të përgjithshëm”.

Gjatë seancave të mbajtura në periudhën janar-qershor nga ana e anëtarëve janë ngritur gjithsej 67 çështje, prej të cilave 31 % nga fusha me interes për qytetarët e Suharekës, ndërkaq 69 % e çështjeve të iniciuara kanë qenë të lidhura me aspekte procedurale të punës së organeve të Komunës së Suharekës.

“Anëtarët e LDK-së prijnë për nga inicimi i çështjeve me gjithsej 40.3 % të çështjeve të ngritura, të përcjellë nga anëtarët e PDK-së me 26.9 % të çështjeve të ngritura derisa Murtez Zekolli (PDK) ka shënuar numrin më të lartë të çështjeve të ngritura me gjithsej 11.9 % i përcjellë nga Nexhat Ramadani (LDK) me 10.4 % të çështjeve të ngritura”, tha Cahanaj.

Arben Hoxha, përfaqësues tjetër i KDI-së u ka thënë se “në këtë periudhë janë propozuar gjithsej 12 amandamente, nga këto, LDK ka propozuar gjithsej 58.3 %, PDK me 33.3 % dhe AAK 8.3 të amendamenteve. Anëtarët më aktiv në propozimin e amendamenteve në seancat e mbajtura në Kuvendin e Komunës së Suharekës kanë qenë Lira Mala (LDK) me 41.7 % dhe Murtez Zekolli (PDK me 25 % të propozimeve të përgjithshme për amandamentim”.

Në kuvendin e komunës së Suharekë në seancat e mbajtura gjatë kësaj periudhe ky institucion ka shqyrtuar Rregulloren mbi rregullimin e punës së institucioneve shkollore, kodin e mirësjelljes dhe masat disiplinore si dhe ka miratuar Rregulloren për ndarjen e Subvencioneve derisa vetëm tre nga anëtarët kanë propozuar rregullore komunale për miratim në Kuvendin e Komunës. Gjatë kësaj periudhe Shefket Kolgeci (LDK) ka propozuar Rregulloren për Qendrën zejtare nr.2, Sami Jupa (LDK) ka propozuar ndryshimin e Rregullores për ndarjen e bursave si dhe Gëzim Gega (VV) ka propozuar që të harmonizohet Rregullorja për personat me aftësi të kufizuara.

“Anëtarët e Kuvendit të Komunës së Suharekës kanë bërë gjithsej 50 pyetje ndaj ekzekutivit të kësaj komune nga të cilat gjithsej 36 % kanë qenë të lidhura me aspekte procedurale të punës së organeve të Komunës së Suharekës ku anëtarët e LDK-së prijnë me numrin e pyetjeve të bëra gjatë kësaj periudhe me gjithsej 42.0 % të pyetjeve, të pasuar nga anëtarët e PDK-së me 34.0 % të pyetjeve të përgjithshme, derisa anëtarët më aktiv në parashtrimin e pyetjeve janë Shefket Kolgeci (LDK) me 14.0 %, Gëzim Gega (VV) dhe Shaban Gollopeni me 12.0 % përkatësisht 10.0 % të pyetjeve të përgjithshme”, tha Arben Hoxha.

Fletënotimi për periudhën Janar-Qershor 2013 është përgatitur në kuadër të projektit “Pjesëmarrja qytetare dhe principet për një qeverisje të mirë” projekt i mbështetur nga The Olof Palme Centre (OPIC)./PrizrenPress.com/

LDK-ja në Prizren, uron besimtarët islam Fitër Bajramin

0

LDK-logo5-23Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Dega në Prizren, të gjithë besimtarëve islam i uron Fitër Bajramin.

“Besimi tek Zoti është një forcë e madhe, e jashtëzakonshme e njeriut, përbën një forcë të pashtershme shpirtërore të përkushtimit të tij për veten, për familjen, për vendin, për shoqërinë.

Ne jemi të bindur në një vlerë të madhe historike që e karakterizon popullin tonë, dhe në ketë vlerë qëndron edhe mesazhi më i shkëlqyer që shqiptarët përcjellin tek kombet e tjera. Në historinë e shqiptarëve, besimet fetare nuk kanë qenë asnjëherë shkak konfliktesh, luftërash apo përballjesh politike.

Urojmë që Fiter Bajrami të sjell më shumë begati, dhe solidaritet në mes nesh”, thuhet në urimin e LDK-së.

Komuna nuk parandalon “ngjyrosjën” me të kuqe të Lumëbardhit (Foto)

0

Lumbardhi 5Lumëbardhi i Prizrenit është bërë vendi më i përshtatshëm i hedhjes së mbeturinave të ndryshme. Edhe përkundër reagimit të qytetarëve në javën e kaluar, Komuna e Prizrenit nuk ka marrë asnjë masë në parandalimin e hedhjes së mbeturinave në Lumëbardh.

Therjet e bagëtisë dhe hedhja e mbeturinave të tyre në lumë, po përbëjnë kulmin e degradimit të këtij lumi,që tashmë mund të quhet i kuq.

Lumbardhi1

Gjaku i bagëtive vazhdon të “ngjyros” në të kuq Lumëbardhin e Prizrenit. Fotot që janë realizuar dje në mesditë tregojnë se këtij lumi i është ndryshuar ngjyra në të kuq. /PrizrenPress.com/

Lumbardhi 3