10.7 C
Prizren
E premte, 10 Prill, 2026
Home Blog Page 9090

Policia bëhet me pajisje për luftimin e krimeve kibernetike

0

Policia e KosovesPolicia e Kosovës, respektivisht Sektori për Hetimin e Krimit Kibernetik, ka qenë pjesë e një projekti të përbashkët të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës në kuadër të CyberCrime@IPA1 i cili ka të bëjë me bashkëpunimin rajonal kundër krimit kibernetik i dedikuar për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Turqinë.

Pas përfundimit të projektit, Këshilli i Evropës ka vendosur që të ndajë në formë donacioni një komplet me pajisje i quajtur “Grab Box”.

Nga një komplet i pajisjeve është ndarë për vendet pjesëmarrëse të projektit i cili do të përdoret nga Sektori për Hetimin e Krimit Kibernetik.

Këto pajisje janë të nevojshme për kryerjen e detyrave në mënyrë profesionale kurdo që kërkohet, në këtë rast do të lehtësojë punën e zyrtarëve të Sektorit për Hetimin e Krimeve Kibernetike.

Çka po ndodh në KF Liria ?

0

rami berishaaaRami Berisha

Javët e fundit, situata në Klubin Futbollistik Liria, ishte ndër temat kryesore në qytetin e Prizrenit pasi, KF Liria, rënia e saj nga superliga u bënë “temë e nxehtë” edhe në Asamblenë komunale, ku të zgjedhurit e popullit (edhe ata që nuk e dinë a luhet futbolli me dorë apo me këmbë), debatuan dhe dolën me një zgjidhje për klubin futbollistik Liria. Liria së paku deklarativisht iu kthye komunës në masën 51 përqind, ndërsa nuk dihet e kujt mbeti 49 përqind, pasi që ka një tërheqje të heshtur të Kompanisë “Drini” që për 5 vjet e kishte në pronësi “Lirinë”.

Zhvillimet pozitive të zhvilluara jashtë skuadrës, rezultuan, me formimin e kryesisë së re në të cilën janë anëtarët e Kuvendit Komunal (nga ekzekutivi e legjislativi) dhe biznesmenët, dhe pritet që rezultati i parë (shpresojmë të mos jetë i fundit) i këtij organizimi të shihet para festës së Bajramit, kur futbollistëve u është premtuar shlyerje e një pjese të borxhit. Athua është kjo kërkesa maksimale që kryesia e re ia ka vënë vetes. Që të ia shlyej një pjesë të borxhit futbollistëve të Lirisë dhe ta marr namin për këtë pjesë, që ua vlerësojmë si meritë…sepse përtej kësaj asgjë nuk duket në horizont…sepse të mërkurën Liria, zymtë i ka filluar përgatitjet. Nga ajo që u pa të mërkurën, situata përbrenda skuadrës është e njëjtë me atë të vitit të kaluar, kur Liria u përshëndet nga superliga.

Futbollistët i mban shpresa, por në horizont nuk ka asnjë shenjë për organizim përbrenda Klubit. Shtrohet pyetja, athua gjithë ai angazhim i Asamblesë dhe asmableistëve, (edhe atyre që nuk e dinë a luhet futbolli me dorë a me këmbë) u bë që në kryesi të vijnë anëtarët e Kuvendit komunal. Ku janë emrat e njohur të futbollit prizrenas, për të cilët u premtua se do të mblidhen rreth Lirisë, për një organizim të mirëfilltë. Nuk ka asnjë shenjë se në këtë kohë të zhvillimeve rreth dhe për Lirinë është kontaktuar ndonjëri nga emrat e mëdhenj të Klubit Futbollistik Liria, dhe të futbollit prizrenas në përgjithësi, për ta marr nga ata, ndonjë “formulë” sportive për ta shpëtuar “Lirinë” në shtigje më afatgjata.

Formulat politike deri tani janë treguar me zgjidhje afatshkurtra. Liria pas luftës, disa herë ka rënë dhe është ngjitur përsëri në superligë, por nuk ka arritur të projektojë qëndrueshmërinë, edhe përkundër faktit se Prizreni e ka një 11- she reprezentative, e cila do të garantonte suksese, por që është e shpërndarë nëpër klubet e Kosovës, ndërsa e ka edhe një 11-she aktuale shumë të talentuar, por me të cilën duhet punuar…ekspertët e futbollit e jo politika. Futbolldashësit me shumë dashamirësi i kanë përcjellur zhvillimet e fundit përbrenda Klubit Futbollistik Liria, dhe kanë shpresuar e besuar (shpresojnë ende, besimi u është zbehur) se Liria më në fund do të udhëhiqet nga sportistët, sepse “fatkeqësia e Lirisë në vitet e fundit, ishte se nuk u udhëhoq nga sportistët.

Dëshirojmë të mos kemi të drejtë, në këtë që e themi dhe do të ishim të lumtur sikur zhvillimet në Liri të na demantonin, por shenja se Liria do t’i kthehet atyre që e njohin futbollin nuk ka. Në skuadër askush nuk di të thotë nëse stadiumi do të jetë gati deri në fillimin e garave, dhe më shumë për ironi askush nuk e di të thotë ku do të zhvillohen ndeshjet në edicionin e ri të garave. Ndoshta në Suharekë ose në Rahovec. Përse nuk mjaftuan 200 mijë euro që stadiumi të rregullohet deri në ditën kur fillojnë garat. Ndonjë start evenduatl i dobët Lirisë do t’i kushtojë Prizrenit, shumë më shtrenjtë se që mund ta kap mendja e shëndoshë…Apo logjika me të cilën Liria është udhëheq viteve të fundit do të jetë ende e gjallë…Punë e madhe edhe nëse “Liria” bie nga liga e parë. Nëse udhëhiqemi më këtë logjikë edhe ndodhë…/prizrenpress.com/

Fillon nesër “Diafest 2013”

0

Suhareke-diafestFesta e diasporës “Diafesti 2013” e cila do të mbahet për dy ditë me radhë dhe që fillon nesër do të tubojë rreth vetës mijëra bashkatdhetarë dhe qytetarë të cilët do të jenë pjesë e këtij manifestimi.

“Manifestimi qendror do të mbahet në qendër të qytetit të Suharekës, dhe gjatë kësaj kohe do të mbyllet rruga kryesore në këtë pjesë dhe ate nga ora 20 deri në ora 23 e 30 dhe në vend të kësaj do të shfrytëzohet rruga e transitit”, kështu u tha sot në takimin e radhës për koordinim të sigurisë lokale./PrizrenPress.com/

Komuna e Suharekës e kënaqur me shërbimet e “Ekoregjionit”

0

Blerim KuciKryetari i Komunës së Suharekës, Blerim Kuçi, ka pritur sot Nehat Bashën, drejtor ekzekutiv i kompanisë për menaxhimin e mbeturinave “Ekoregjioni”.

Ata kanë diskutuar rreth mundësive pë zgjerim të shërbimit dhe përmirësimit edhe më të mirë të ambientit në territorin e komunës së Suharekës.

“Komuna është e kënaqur me shërbimet që po ofron “Ekoregjionit”, tha kryetari Kuçi,

Ndërkaq drejtori ekzekutiv i “Ekoregjioni-t”, Basha ka theksuar se kjo kompani ka për objektiv zgjerimin e shërbimit dhe ngritjen e cilësisë në punë./PrizrenPress.com/

PDK-ja në Prizren, peng i zgjedhjes së kryetarit dhe emërimit të kandidatit

0

PDK5-27Partia Demokratike e Kosovës (PDK) në Prizren ka mbetur peng i zgjedhjes së kryetarit dhe kandidatit për Prizrenin. Procesi zgjedhor në këtë subjekt politik, edhe pse ka filluar afër një viti më parë nuk është përmbyllur.

Moszgjedhja e kryetarit të Degës, PDK-së ia ka vështirësuar përzgjedhjen e kandidatit për kryetar të Prizrenit. Kryesia e re deri më tash nuk ka mbajtur asnjë mbledhje të rregullt. “Jo nuk është mbledhur asnjëherë Kryesia e re”, tha shkurt zëdhënësi i Degës së PDK-së në Prizren, Samir Hoxha.

Gara për kryetar të Degës së PDK-së në Prizren, për shkak të përçarjeve të brendshme është shndërruar në “telenovelë”. Kandidatë për kryetar deri më tash janë Ramadan Muja, Nait Hasani dhe Nijazi Kryeziu.

Muja nuk e ka shpallur kandidaturën për kryetar të PDK-së në Prizren. Ai në Kuvendin Zgjedhor të PDK-së, ka marrë rreth 30 vota më pak se sa kundërkandidati, Nait Hasani.

Hasani, pasi ka shpallur kandidaturën për kryetar të Degës, ka paralajmëruar se nëse zgjedhet kryetar i partisë, në zgjedhjet e nëntorit planifikon të kandidojë edhe për kryetar të Prizrenit. Ai ka thënë se nëse PDK-ja ia beson kandidaturën, do të fitojë pa problem Prizrenin.

Lideri i PDK-së Hashim Thaçi, ndërkaq ka marrë vendim që cilido kandidat që do të zgjedhet kryetar i Degës së PDK-së në Prizren, nuk do të gëzojë të drejtën që në zgjedhjet lokale të jetë edhe kandidat për kryetar të Prizrenit.

Thaçi këtë vendim e ka prezantuar muaj me parë edhe para anëtarëve të Këshillit Drejtues. Ai në mbledhjen e Këshillit Drejtues, ka qenë i prerë se kryetari i Degës nuk do të jetë kandidat për kryetar të Prizrenit.

Burimet e “PrizrenPress-it” brenda PDK-së në Prizren tregojnë se zgjedhja e kryetarit të Degës dhe emërimi i kandidatit për kryetar të Prizrenit, është në dorën e Hashim Thaçit. “ Zgjedhja e kryetarit dhe kandidatit për Prizren është në dorën e Thacit”. /PrizrenPress.com/

 

Mehmeti: Lista e zgjedhjeve do të përbëhet nga njerëzit me vlera

0

FatmirMehmeti-ldk-dragashKryetari i Degës së LDK-së në Dragash, Fatmir Mehmeti, garanton se në listën e zgjedhjeve të nëntorit do të përfshihen kandidatët e rinj dhe ata që deri më tash kanë treguar suksese. Ai tha se Kryesia e LDK-së do të nxjerrë një pasqyrë të performancës edhe për këshilltarët e deritashëm të Asamblesë Komunale.
“Unë personalisht kam ndjekur të gjitha mbledhjet e Asamblesë dhe kam një pasqyrë të saktë të performancës së këshilltarëve. Këtë performancë do ta prezentoj para Kryesisë që të ketë një udhërrefyes të qartë”, tha Mehmeti për “PrizrenPress”.

Lidhjes Demokratike të Kosovës në Dragash,në mbledhjen e fundit ka diskutuar për këtë çështje. Mehmeti tha se 10 asambleistët kanë treguar suksese në Asamblenë Komunal. “Në mbledhjen e fundit kemi diskutuar për këtë çështje dhe kemi bërë një analizë të punës së 10 asambleistëve nga sesioni i zgjedhjeve të fundit. Kryesia ka vlerësuar të suksesshme punën e asambleistëve altual të partisë sonë, por nuk kemi marrë vendim për zyrtarizimin e kandidaturave të tyre në zgjedhjet e ardhshme. Është qëndrim unanim i yni se ndër kriteret esenciale për asambleistët tanë do të jetë profesionalizmi, suksesi permanent gjatë viteve, dhe mundësia e involvimimit të sa më shumë eksperteve të lëmive me interes lokal”, tha Mehmeti.

Sipas tij, LDK-ja është e përcaktuar që në përzgjedhjen e kandidatëve për këshilltarë komunalë të përfillet kriteri profesional dhe ai meritor. “Aktivistët e LDK-së janë pajtuar që të angazhohen maksimalisht në shfrytëzimin e potencialit elektoral”, tha Mehmeti./PrizrenPress.com/

Pezullohet zbatimi i marrëveshjes

0

Thaci_Dacic_Ashton5-21Zbatimi i marrëveshjes së Brukselit është pezulluar përkohësisht. Si rezultat i këtij pezullimi, nuk do të ketë lëvizje në drejtim të shpërbërjes së strukturave paralele të sigurisë, edhe as krijimit të gjykatave të reja, të paktën deri në shtator.

Kriza qeveritare në Serbi, pushimet verore por edhe problemet e Kosovës me Ligjin për Amnistinë kanë bërë që intensiteti i zbatimit të bjerë, derisa ngecja e palëve në energjetikë dhe telekomunikacion ka bllokuar edhe arritjen e marrëveshjeve të reja.

Lehtësuesit e dialogut presin që më 8 gusht të vendosin nëse palët do të takohen në nivel teknik edhe një herë para se të dy kryeministrat të takohen më 28 gusht, shkruan Tribuna.

Pala serbe duhet që të nisë në drejtim të Brukselit qëndrimet e veta rreth draftmarrëveshjeve të propozuara për energjetikën dhe telekomunikacionin.

Krasniqi: Ligji për Amnisti u procedua sipas Kushtetutës

0

Krasniqi-Jakup5-21Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka përjashtuar çdo mundësi që organi të cilin ai e drejton ka vepruar jashtë normave kushtetuese kur e ka proceduar në Presidencë Ligjin për Amnisti.

Gjatë një shpjegimi që ka dhënë për Tribunën, ai ka thënë se ky ligj është proceduar në zyrën e presidentes, ashtu siç parashihet me Kushtetutë, e jo me Rregullore të punës së Gjykatës Kushtetuese. Kjo e fundit, sipas tij, nuk përbën kurrfarë akti detyrues për Kuvendin.

“Kuvendi ka vepruar ashtu siç shkruan në Kushtetutë. Dhe aty thuhet qartë se brenda tetë ditësh i dërgohet presidentes për nënshkrim. Administrata e Kuvendit dhe unë detyrën e kemi kryer ashtu siç është e paraparë në Kushtetutë. Megjithatë dikush ka thënë që dita që miratohet është dita zero dhe numërimi i afatit tetëditësh fillon nga e nesërmja, mirëpo kjo nuk qëndron pasi Kushtetuta nuk e thotë këtë”, ka thënë Krasniqi

Baba Mondi: Skënderbeu, misionari i parë i bektashizmit

0

Baba MondiKemi fatin që vendi ynë të jetë qendra e fesë bektash iane në botë, një fe që përcjell paqe e dashuri. Kryegjyshi botëror i bektashizmit, Baba Edmond Brahimaj (Baba Mondi) i ka shërbyer këtij misioni që në vegjëli, pa e ditur se një ditë do të mbante një post kaq të lartë. I rritur në Tiranë, në familjen e tij bektashiane ishin pjesë edhe Dede Ahmeti, e njëherësh Dede Reshati, klerikët më të lartë të kësaj feje. Duke jetuar pranë tyre e duke u bërë shërbim, Baba Mondi zhvilloi dashurinë për fenë e tij. Sot Kryegjyshi jeton për bektashizmin. Nuk ka familje, por thotë se familja e tij janë besimtarët, të cilët shkojnë çdo ditë për t’i marrë uratën. Po si është historia? Pse u zgjodh ai në këtë post dhe pse u zgjodh Shqipëria qendër e botës bektashiane? Cilat janë rregullat e kësaj feje dhe cili është misioni i Kryegjyshit botëror? Përgjigjet i mësuam gjatë një takimi me Baba Mondin, i cili, ulur në kolltukun e tij, me uniformën e çallmën që nuk i heq asnjë çast, pranë librit të shenjtë, Kur’anit (të cilin e gjetëm të hapur, që do të thotë se dikush po e lexonte), na rrëfen një histori që i ka rrënjët të thella, që në kohën e Skënderbeut…
Sapo jeni kthyer nga Amerika, ku morët pjesë në iftarin e shtruar nga Departamenti Amerikan i Shtetit. Kush jua bëri ftesën?
Si fillim më duhet të them që u ndjeva i vlerësuar kur pashë se isha i vetmi klerik i ftuar nga e gjithë bota. Aty ishin të pranishëm vetëm përfaqësues të fesë nga SHBA dhe si klerik nga bota isha vetëm unë. Ftesa më ka ardhur nëpërmjet ambasadës nga Departamenti Amerikan i Shtetit. John Kerry organizon çdo vit një iftar me rastin e Muajit të Madhërueshëm të Ramazanit.
Si ishte takimi me John Kerry-n? Çfarë ju tha për Shqipërinë?
U takuam e u përshëndetëm, dhamë vlerësimet për njëri-tjetrin; ai më uroi për detyrën e re që kam marrë, dhe sigurisht edhe unë e urova atë. Po ashtu edhe e falenderova për sofrën bujare që kishte shtruar, duke mbledhur njerëz pa dallim feje, në të mirë të fesë.

A është impenjative të jesh Kryegjyshi botëror i Bektashizmit? Si është një ditë e juaja?

Në të gjitha fushat, sa më lart të ngrihesh në detyrë, aq më e vështirë është. Mirëpo në besimin fetar është akoma dhe më e vështirë, sepse je në kontakt të vazhdueshëm dhe të drejtpërdrejtë me njerëzit prej mëngjesit e deri në orët e vona. Unë çdo ditë kryej takime me këdo që vjen për të ndarë problemet e tij. Më pas i jap uratën secilit. Veç kësaj, një pjesë e mirë e kohës kalon në lutje e në falje, duke lexuar apo hulumtuar mbi fenë. Ndërkohë, më duhet edhe të drejtoj administratën e Kryegjyshatës, që kërkon një impenjim më vete, në mënyrë që gjërat të funksionojnë siç duhet, jo vetëm në Shqipëri, po në të gjithë botën bektashiane. Qëllimi kryesor është të jepet kudo mesazhi i paqes, dashurisë edhe mirësisë.
Njerëzit vijnë tek ju për t’ju treguar problemet e veta personale. Çfarë problemesh kanë kryesisht shqiptarët?
Zakonisht vijnë për probleme familjare. Problemet burojnë kryesisht nga varfëria dhe ekonomia e dobët. Duke pasur një ekonomi të mirë, edhe gjendja shpirtërore është më e mirë.

Më shumë vijnë besimtarë bektashinj, apo të feve të ndryshme? Cilat janë grupmoshat që ju frekuentojnë më shpesh?

Tek unë vijnë njerëz të të gjitha besimeve. Ata që kërkojnë ndihmë, janë të të gjitha moshave. Vijnë të vjetrit, por edhe rinia, që zakonisht kërkojnë uratë për jetën personale, lidhjet e dashurisë apo edhe për shkollën që ndjekin.

Si është bërë e mundur që një vend kaq i vogël si Shqipëria të jetë qendra botërore e bektashinjve? Cila është historia?

Tarikati islam i bektashizmit ka një prejardhje nga Haxhi Bektashi, i cili ngriti teqenë e parë në Turqi në vitin 1282. Ai ishte misionar në Ballkan dhe kishte si qëllim përhapjen e fesë islame me urtësi. Bektashinjtë janë të parët që kanë përhapur fenë islame në Perëndim, me urtësi, mirësi e dashuri, dhe kjo është baza e këtij tarikati. Më pas misionarët kanë ardhur me Perandorinë Osmane dhe bektashizmi u përhap në të gjithë Shqipërinë, me 113 teqe e 600 tyrbe. Po ashtu në Greqi ka pasur 40 objekte të kultit bektashian, në Maqedoni 53, në Kosovë 15, në Mal të Zi 3 dhe në Serbi 2 të tilla. Ndërsa në Turqi ka pasur 700 objekte të kultit bektashian.

Atëherë, pse nuk u bë Turqia qendra e bektashizmit, por u bë Shqipëria?

Turqia ishte qendra e bektashizmit, por duke qenë perandori, gjithçka kontrollohej. Bektashizmi është një tarikat i besimit islam i civilizuar, që përcillet me dashuri e paqe. Mirëpo sunduesit nuk duan dashuri, duan përçarje. Sulltan Mahmuti, duke e parë këtë besim si përparimtar, i vrau bektashianët dhe ndër ta edhe ushtrinë jeniçere, e cila zbatonte urdhrat e Haxhi Bektashit. Sulltani, duke qenë lakmitar, donte t’ia humbte gjurmët. Kjo ishte shkelja e parimeve të bektashizmit, që i dha fund bektashizmit turk. Misionari i parë bektashian ishte Skënderbeu, i cili u shkëput nga Turqia për të treguar se luftonte me parullën “Pa atdhe nuk ka fe”. Skënderbeu ishte misionar i sulltanit dhe për t’u bërë kryetar i ushtrisë, duhej të merrte dorën e të bëhej bektashi. Babai që i dha uratën dhe e bëri bektashi Skënderbeun, sulltan Mahmuti, i kërkoi ta kthente atë në Turqi. Ai refuzoi ta kthente, duke i thënë se Skënderbeu po luftonte për kombin e tij me parullën “Pa atdhe nuk ka fe”. Për këtë arsye sulltan Mahmuti e dogji në zjarr, dhe Skënderbeu vazhdoi luftën. Kjo është e vërteta, jo ajo që thonë historianët. Më pas, nga viti 1700 pati shumë baballarë bektashinj shqiptarë që i dhanë jetë këtij tarikati. Ishte Ali Pasha, i cili i mbështeti bektashinjtë dhe baballarët shqiptarë u bënë të dëgjuar dhe morën forcë. Kështu, në Kongresin e Tretë të Bektashinjve në Korçë, u vendos që qendra do të ishte Shqipëria. Bektashinjtë ishin të parët ata që u ndanë nga Perandoria turke. Në Kongresin e Lushnjës, bektashizmin për veprimtaritë patriotike e quajtën për herë të parë komunitet të veçantë. Më pas ishin vëllezërit Frashëri që i dhanë zhvillim kombëtar këtij tarikati paqësor e njëherësh patriotik. Të gjithë patriotët më të mëdhenj të Shqipërisë kanë qenë bektashinj, dhe kanë kryer një rol absolut në pavarësinë dhe rilindjen e vendit. Mbreti Zog kishte një lidhje të ngushtë me këtë tarikat dhe nëna e vet ka qenë ithtare e fortë e bektashizmit. Ishte ai që pranoi Kryegjyshatën Botërore, pas kërkesës që iu bë nga kleri bektashian dhe Kryegjyshi botëror. Madje në atë kohë, në parlament u luftua që bektashizmi të bëhej fe kombëtare, por mbreti Zog nuk e arriti dot. Papa Gjon Pali II ka thënë: “Po të mos ishin bektashinjtë, nuk do të kishte Shqipëri”.

Kush e ndërtoi Kryegjyshatën Botërore në Shqipëri?

Sanjiz Dedej reformoi bektashizmin si qendër botërore, duke mbajtur ato parime që kishin në Turqi. Shqipërinë e ndau në gjashtë gjyshata, hapi shkolla e ngriti medrese për të mësuar klerikët bektashianë. Si patriot i madh që ishte, e vranë në 28 nëntor 1941 sepse nuk firmosi pushtimin e Shqipërisë nga Italia fashiste.
Si ndodhi përfshirja juaj në gjithë këtë? Cila është origjina juaj?
Unë kam lindur në Tiranë. Filloren e kam kryer tek shkolla “Dëshmorët e Lirisë” tek stadiumi “Dinamo”. Edhe fëmijëria në atë zonë ka kaluar. Prejardhja e familjes sime është nga Fratari i Vlorës. Të dy prindërit i kam nga ai fshat; njëri nga fisi Brahimaj, ndërsa tjetri nga fisi Dervish Aliaj. Të dy gjyshërit kanë qenë patriotë. Njëri ka luftuar me Fan Nolin. Në dorë kishte një sahat me inicialet e Nolit, që e mbante gjithmonë mbuluar. Kushëri i dytë i gjyshërve ishte Kryegjyshi botëror Ahmet Myftar Dedej nga fshati Fratar. Kështu që besimin e kemi nga Dede Ahmeti. Edhe babi im ka marrë dorën prej tij, bashkë me Dede Reshatin. Babai im vazhdoi shkollën, ndërsa Dede Reshati besimin. Prej asaj kohe nuk jemi ndarë asnjëherë. Dede Ahmetin e kemi mbajtur në shtëpinë tonë. Po ashtu dhe Dede Reshati ishte gjithë kohën pranë nesh. Familja ime u ka shërbyer për vite me radhë këtyre dy Kryegjyshërve. Në atë kohë Dede Ahmetin e thërrisnim Baba Madhi, sepse nuk lejoheshin titujt fetarë. Pasi mbarova shkollën me nota të shkëlqyera, duke qenë se ishim tre fëmijë për të shkuar në shkollë, nuk mund të merrnim të tre bursë. Në atë kohë Dede Ahmeti rrinte në shtëpinë tonë dhe im atë e Baba Reshati i bënin shërbim. I thonë që donin të më çonin në ushtri. Ai u mendua pak dhe tha: “Çojeni se do të na duhet më vonë”.

Çfarë pune keni bërë pasi mbaruat ushtrinë?

Fillimisht më duhet të them se fjala e Dede Ahmetit u vërtetua, sepse unë, si ushtarak dhe topograf që isha, jam marrë me pronat në të gjithë Shqipërinë dhe bektashinjve u kam kthyer një pjesë të tyre. Në vitin 1983 u vendosa në Burrel si oficer për rreth 3 vjet. Më pas shkova, po si oficer, në Stërblev të Peshkopisë, ku Dede Ahmeti kishte kryer ushtrinë. Aty kam parë ëndrrën e parë, sikur ishte hapur feja dhe bëhej mbledhja tek reparti im. Këtë ëndërr ia tregova Baba Reshatit. Ishte viti 1989. Atëherë i thashë: “O hap kufijtë, o hap teqetë, se nuk duroj dot më”.

Po në vitet e komunizmit, e praktikonit fenë?

Pasi shkova ushtar, e kisha shumë të vështirë të takohesha me Dede Ahmetin. Megjithatë deri në vitin 1990 i kemi bërë të gjitha ritet dhe festat bektashiane në fshehtësi. Kemi kryer lutjet, kemi agjëruar, kemi mbajtur matemin, kemi festuar Sulltan Nevruzin. Datat i dinim, sepse ishte dikush që i mbante shënim. Festat i justifikonim sikur kishim ditëlindje. Këndonim këngë bektashiane, por nuk e kuptonte njeri, dhe kujtonin se këndonim këngët popullore të zonës së Elbasanit. Kështu mbulohej veprimtaria ilegale që ne bënim.
Keni jetuar për vite afër Kryegjyshit dhe e keni ditur jetën që bën një Kryegjysh. Kur ishit i ri, e ëndërronit këtë post?
Jo, sepse në kohën e rinisë sime asgjë nuk dihej. Unë e kam bërë shërbimin instiktivisht me dëshirë. Askush nuk mund ta dinte se do vinte një ditë që do hapej feja. Pavarësisht se Dede Ahmeti e kishte parashikuar. “Do vijë një kohë që do hapet feja, e unë s’do jem gjallë”, – thoshte ai. Në ato kohë unë lexoja librat e fesë e njëherësh edhe marksizëm-leninizmin. Klerikët nuk flisnin hapur për fenë, por tregonin histori, nëpërmjet të cilave mund të kuptoje mbi jetën. Unë kam shërbyer pa e ditur, pa ma thënë dikush se kështu duhej.

Si ndodhi që u bëtë Kryegjysh? Kush ju zgjodhi?

Pas viteve ‘90, kur besimi fetar u bë i lejueshëm, u mblodhën besimtarët bektashinjm ku Baba Reshati luante rolin kryesor. Erdhën të gjithë klerikët që kishin qenë të burgosur ose të internuar nëpër zona të ndryshme të Shqipërisë për shumë vjet. Kur u bë mbledhja e parë e Këshillit Bektashian, mua më caktuan si sekretar i këshillit. Që prej asaj kohe unë kam filluar shërbesën pa ndërprerje.
Gjatë këtyre viteve, a jeni tunduar nga dëshira për të bërë një jetë normale? Të shkolloheshit, të martoheshit, të krijonit familje…

Që kur Dede Ahmeti ishte ende gjallë, nëna ime gjithmonë thoshte: “Si nuk u bë njëri nga fëmijët e mi t’i shërbejë Baba Reshatit”. Nisur nga kjo, por edhe duke u afruar shumë me Baba Reshatin, fillova unë t’i shërbeja pa ndonjë qëllim të veçantë. Nuk e kam menduar asnjëherë të martohem. Falenderoj Zotin që më dha mundësinë të isha gjithmonë afër Baba Reshatit, fuqia mistike e të cilit më ka ruajtur dhe mua nga tundimet. Nuk jam rastësisht këtu ku jam.
Uniformën, e mbani veshur gjithë kohën?
Absolutisht gjithë kohën. Edhe pse prej cope, kjo që unë mbaj në kokë është një kurorë që përfaqëson një detyrë të rëndësishme.

Po me familjen, si takoheni?

Unë jam gjithë kohën në shërbim të njerëzve, jetoj brenda mureve të Kryegjyshatës, duke kryer ritet, lutjet, dhe dal prej këtej vetëm kur kam një mision që ma kërkon detyra. Edhe nëna ime vjen më takon këtu, si të gjithë besimtarët e tjerë. Familja ime janë besimtarët; ata më janë bërë prindër, motra, vëllezër e fëmijë. Kënaqësia shpirtërore që marr nga jeta vjen prej lutjeve. Pa mundim s’ka asgjë. Profeti Muhamed ka pas thënë: “Do vijë një kategori njerëzish që do i kenë zili edhe vetë profetët”. E kanë pyetur se kush janë këta. Ai është përgjigjur: “Ata që nuk krijojnë familje kur të tjerët krijojnë, ata që nuk kanë frikë kur të tjerët kanë frikë”.

Ka të rinj që duan të bëhen si ju?

Për momentin janë të rrallë, sepse edhe nuk marrin ende informacionin e duhur. Nuk është e lehtë që një i ri të marrë rrugën time dhe të baballarëve të tjerë, rrugën e vetësakrifikimit.

Ju, si i mblidhni të rinjtë të bëhen pjesë e misionit tuaj?

Ne si Kryegjyshatë Botërore kemi marrë përsipër fillimisht të regjistrojmë bektashinjtë në vendin tonë. Kemi përgatitur dy formularë në formë certifikatash, familjare dhe personale, që do plotësohen nga çdo besimtar bektashian në të gjithë Shqipërinë. Baba Reshati e ringriti bektashizmin në Shqipëri dhe strukturat e fesë, duke bërë një punë të madhe. Ai ndërroi jetë duke iu përkushtuar këtij misioni. Pastaj u veshëm ne baballarët e rinj, që po e mbajmë gjallë këtë mision me shumë mundim e sakrificë. Sfidat tona janë të shumta dhe ne do përpiqemi bashkë me baballarët e tjerë t’i realizojmë një e nga një. Do të hapim shkolla të mesme e universitete për përgatitjen e klerikëve të rinj, do të ngrihen struktura në të gjithë vendin, do të hapet një forum i gruas bektashiane, do të krijojmë marrëdhënie të shëndosha me besimtarët dhe përfaqësuesit e tyre në të gjithë botën, që të ndihmojmë njëri-tjetrin.

Janë shumë bektashinj në Shqipëri?

Mendoj që janë rreth 1 milion e gjysmë besimtarë.
Po ne tre milionë jemi gjithsej…
Mos t’ju duket e habitshme kur ju them se jemi shumë. Feja jonë i ka rrënjët të thella dhe të shpërndara në çdo cep të Shqipërisë.
Ku ndryshon bektashizmi nga myslimanizmi?

Bektashizmi është tarikat islam, pra ne jemi myslimanë. Por ne jemi më liberalë. Kështu ka qenë historikisht. Ne nuk e mbulojmë femrën, por e lëmë ta vendosë ndershmërinë me ndërgjegjen e saj. Ne falemi vetëm dy herë në ditë, falemi në mëngjes e në mbrëmje, dhe ditën shkojmë në punë. Predikojmë paqe, dashuri, dhe kjo është baza e bektashizmit./bw/

Vjen ne shqip libri “Bota që krijoi Amerika”

0

robertËshtë botuar në gjuhën shqipe libri i Rober Kagan “Bota që krijoi Amerika”. I përkthyer nga Kujtim Ymeri, nën siglën e “Botimeve IDK”, ai sjell në vëmendje pyetjen: Si do të ishte bota, nëse roli i Amerikës si superfuqi botërore, do të vijë duke rënë, teksa do të rritej ndikimi i vendeve si Kina apo Rusia?

Po a është e vërtetë që fuqia e Amerikës është duke rënë, apo kemi të bëjmë veçse me një mit? Këto e të tjera janë pyetjet që Robert Kagan, një ndër autorët më me ndikim në politikën e jashtme amerikane, përpiqet t’u japë përgjigje në këtë libër, duke na dhënë një tablo, sa të gjallë, aq dhe alarmante të asaj që do të ishte bota nëse vërtet do të binte ndikimi që ka sot Amerika në botë.

Robert Kagan është historian, politolog me ndikim të madh në politikën dhe opinionin publik amerikan. Pasi punoi në Departamentin e Shtetit, në vitin 2008 Kagan qe këshilltari politik i kandidatit republikan për president, John Mçain. Sipas revistës prestigjioze “Foreign Policy”, Kagan është sot një ndër 100 intelektualët publikë më me ndikim në botë. Ndër veprat e tij kryesore mund të përmendet “Of paradise and power” (2003), e cila u kthye në një bestseller ndërkombëtar. Libri “Bota që krijoi Amerika” (2012) është vepra e tij më e fundit, e cituar gjerësisht nga Presidenti Obama në fjalën e tij drejtuar kombit, në vitin 2012.