14.4 C
Prizren
E premte, 10 Prill, 2026
Home Blog Page 9102

Hapet Universiteti Veror Ndërkombëtar në Prishtinë

0

Universitetit Veror NdërkombëtarRreth 600 studentë vendor e ndërkombëtar, nga të gjitha viset e botës, nga data 22 korrik deri më 2 gusht, do të jenë pjesëmarrës të këtij evenimenti tashmë tradicional me ç`rast do të ndjekin kurse të ndryshme si dhe do të këmbejnë përvoja akademike.

Më këtë rast, ministri Buja, në fjalën përshëndetëse tha se “ju sollëm këtu në ambiente të Muzeut të Kosovës jo rastësisht, që të mësojmë pak nga e kaluara jonë, të qëndrojmë në realitetin tonë bashkë me ju, dhe të ecim përkrah juve në të ardhmen tonë të përbashkët”.

Ndërsa, duke folur për rëndësinë e këmbimit të përvojave dhe qëllimin e këtij universiteti, ministri Buja theksoi edhe miqësitë që do të lidhen gjatë takimeve mes studentëve vendas dhe atyre të shteteve të ndryshme, të cilët kanë ardhur për të ndjekur ligjëratat në këtë universitet.

“Jo rastësisht thuhet se armiqësitë krijojnë të pabërat dhe të zezat e botës, ndërsa miqësitë krijojnë mrekullitë”, tha në fjalën përshëndetëse ministri Buja.

Punën e këtij Universiteti e shpalli të hapur rektori i Universitetit “Hasan Prishtina”, Ibrahim Gashi.

Ndryshe, ky është Universiteti i 13-të Veror Ndërkombëtar që organizohet me sukses në Prishtinë, ndërsa sipas agjendës, pjesëmarrësit përveç tjerash, do të ndjekin kurse nga disiplina të ndryshme si shkencat sociale, juridike, ekonomike, bujqësore, arti, mjekësia etj, ndërsa ligjërues do të jenë profesor vendor dhe ndërkombëtar./PrizrenPress.com/

Amerikanët në 1913: Vjena do lidhet me hekurudhë me Shqipërinë

0

DerSpiegel-gazeta-gjermaneDihet se kontributi i Perandorisë Austro-Hungareze në kohën e shpalljes së pavarësisë, por edhe më parë, ka qenë jo vetëm evident, por edhe përcaktues në fatin e Shqipërisë. Kjo përsa i përket aspektit politik, ku ajo spikati më shumë. Por një dimension tjetër i rolit të saj në Shqipëri, është edhe ai ekonomik. Kështu, perspektiva që i ofrohej shtetit të ri për të thithur investime madhore prej monarkisë dualiste – të cilat, nëse do të ishin realizuar do bënin që Shqipëria të mos ndjehej aspak inferiore në aspektin infrastrukturor në përballje me fqinjët e saj – në vitin 1913, ishte mëse konkrete.

Për më tepër, kur statistikat e nxirrnin zhvillimin e industrisë e ekonomisë në mbarë hapësirën që zotëronte kjo perandori e famshme, në kuota shumë pozitive, duke favorizuar dëshirën për investime afatgjata e madhore në mbarë hapësirën ballkanike, pavarësisht se në krahasim me fuqi të tjera të kohës, ajo sigurisht se zinte tashmë një vend më modest. Një vektor shumë i rëndësishëm për ekonominë botërore të kohës ishin edhe investimet në hekurudha, ku sidomos Vjena kishte vepruar me kohë dhe planifikonte të “hidhej në sulm”, për të marrë plotësisht në dorë përfitimet afatgjata që vinin si pasojë e ndërtimit të rrjeteve që i siguronin asaj akses nga Alpet në Egje, nga Danubi në Adriatik e më tej, për të përfunduar pastaj deri në Oqeanin Indian.

Sigurisht, këto duhej të ishin veçse elementë të veçantë të planeve megalomane që ajo ushqente për momentin, pas saldimit të një aleance “për jetë a vdekje”, në dukje vërtetë ngadhënjimtare, me Kaizerin Gjerman. Një artikull i një gazete amerikane (“Balkan Rail Lines”, Akron Weekly Pioneer Press, 17 tetor 1913, fq. 6) na rrëfen në detaje se cilat ishin linjat që pritej të ndërtoheshin në mbarë Ballkanin, sa shkonte vlera e këtij projekti madhor dhe në ç’mënyrë do të financohej projekti? Sa gjatë në kohë do të shtrihej zbatimi i këtij plani dhe tek e fundit: çfarë do të përfitonte shteti i ri shqiptar, vetëm një vit pas shpalljes së pavarësisë dhe pak muaj pas njohjes ndërkombëtare, nga e gjitha kjo ndërmarrje?

Gjithashtu, një tablo shumë interesante të planeve (gjithsesi të dështuara e të pavëna kurrë në jetë) për ndërtimin e hekurudhave në hapësirat mbarëshqiptare të kohës, na e jep edhe një artikull shumë më i vonshëm (“Lok auf See”, Revista “Der Spiegel”, 26.4.1982, fq. 178-181), i cili në një shumicë pasazhesh na rrëfen hollësira për atë që mendohej të lidhte shqiptarët me kohë në një mënyrë moderne, qysh prej 100 vjetësh. Diku, aty theksohet se paskëshin qenë madje vetë shqiptarët, të cilët për shkak të thashethemeve dashakeqe të xhonturqve, paskëshin bërë që të mos merrte udhë një ëndërr që akoma dhe sot e kësaj dite ka mbetur e parealizueshme.

Duket se gjithçka paska qenë destinuar të mbesë vetëm një utopi mjerane, nëse kujton se çfarë rezervuan kohët e mëvonshme e për më tepër, se cila është gjendja e hekurudhave sot e kësaj dite në vendin tonë. Fati e desh që Austro-Hungaria të dështojë në “Luftën e Madhe” -siç quhej Lufta e Parë Botërore deri në kohën që vendin ia zuri e Dyta – e bashkë me të edhe të gjitha idetë e saj madhore, në atë që ishte projektuar si domen i saj: Ballkanin, në të cilin sigurisht se Shqipëria, do të kishte hisen e vet, për kohën tejet pozitive.
Plane madhore për ndërtimin e hekurudhave në Ballkan

Në materialin e botuar nga gazeta amerikane në vitin 1913, gazetari qysh në fillim të herës citon nga Vjena një zyrtar të lartë të bankës austro-hungareze, një institucion i madh shtetëror në këtë vend, prej të cilit ai kishte marrë disa detaje rreth ndërtimit të një numri të madh hekurudhash të reja dhe përmirësimit të atyre ekzistuese në vendet ballkanike, sidomos në ato në të cilat Austro-Hungaria ka interesa. Më tej ai shkruan se: “Megjithëse monarkia dualiste nuk është e pasur në kapitale, krahasuar me disa vende të tjera, ajo do të ndërmarrë një hapje të konsiderueshme investimesh në ndërtim veprash madhore.
600 milion dollarë USA

Në lidhje me shifrën totale të investimit, autori theksonte se ajo nuk do të ishte më e vogël se 600 milion dollarë amerikanë, një shumë kjo stratosferike për kohën. Po kështu, periudha kohore që i parashikohej projektit për zbatim ishte ajo pesëvjeçare, por ndoshta edhe më shumë. “Këto para do të përfitohen në formën e kredive dhe ato do të lëvrohen në Paris, Vjenë, Berlin dhe Londër. Të gjitha vendet ballkanike, duke përfshirë edhe Bullgarinë dhe Shqipërinë, do të përfitojnë kredi të tilla.
Linjë direkte Vjenë-Shqipëri

Më tej, në lidhje me përfitimet konkrete të palës shqiptare, autori shkruante: “Linjat e reja të Shqipërisë – të parat që ky vend pritet të ketë – do ta lidhin atë me Greqinë dhe Serbinë; një linjë prej tyre do të nisë nga Manastiri drejt Durrësit, dhe tjetra do të përfshijë linjën nga Vlora deri në Janinë”. Por në artikull megjithatë hidheshin dyshime nëse do të mjaftonte kapitali austriak për vënien në jetë të projektit që do të lidhte kësisoj Danubin me Adriatikun, pasi sipas autorit, nuk do të mjaftonin vite të tëra për të shlyer kreditë. Por, theksonte më tej autori, “nëse realizohet, atëherë do të ketë një lidhje direkte hekurudhore mes Vjenës dhe Shqipërisë”.
“Transballkanika” qysh në 1913

Më tej në shkrim flitej për linjat që preknin territoret e Bullgarisë, Rumanisë e Greqisë, duke i cilësuar si një projekt madhor transballkanik. Kështu për shembull, Bullgaria do të merrte përsipër ndërtimin e linjës nga Dedeagaçi (qyteti i Aleksandropullit, sot në Greqi) në Egje, që do lidhej më pas me linjat rumune, gjë e cila do t’i jepte Bullgarisë një sistem perfekt hekurudhor. Sipas autorit, për Greqinë, tashmë do të dilte pak problematike sigurimi i fondeve për të shtrirë rrjetet e saj hekurudhore në territoret e reja që ajo sapo i kishte përfituar, pas vendimeve të Konferencës së Londrës. Kurse për ndërmarrjet hekurudhore serbe, thuhej se “do të kapitalizohen nga Franca”.

 

Synimet afatgjata të austriakëve

Në lidhje me përfitimet afatgjata të këtyre investimeve, pretendohej se: “këto projekte për ndërtim linjash hekurudhore, do t’u mundësojnë eksporteve austriake e hungareze një akeses më të madh e më alternativ drejt detit Egje, Adriatik, atij të Zi dhe Oqeanit Indian”. Po ashtu, në fund nxirrej në pah edhe stabiliteti ekonomik që po përjetonte ish-Perandoria dualiste, vetëm një vit para shpërthimit të Luftës së Parë Botërore dhe gjashtë vjet para shuarjes përfundimtare të këtij shteti nga harta e botës: “Evidencat tregojnë se është vënë re në të gjitha fushat një lulëzim i industrisë në qendrat kryesore të Perandorisë; Vjenë, Trieste, Fiume ( Rijeka e sotme në Kroaci), Lemberg ( qyteti i Lvivit në Ukrainën e sotme), Pragë, Krakov, Budapest, Grosswardein ( qyteti i Nagyváradit ose Oradeas, sot në Rumaninë Perëndimore)”.

 

“Der Spiegel” në 1982: Shqiptarët dikur i dështuan vetë planet austriake

“Ëndrra për një linjë hekurudhore ndërkombëtare ka qenë ravijëzuar në fakt qysh me lëvizjet e para për pavarësinë e Shqipërisë, rreth 100 vjet më parë. Patrioti Sami Frashëri, i biri i një familjeje feudale, i parashkroi popullit të vet mirëqenie dhe civilizim, nëse ndërtohej një e tillë. E për këtë të fundit, e interesuar asokohe ishte edhe Perandoria Austro-Hungareze që po hynte thellë në Ballkan. Por kur inxhinierët e Kajzerit ia nisën punës me matjet në terren në zonën e Kosovës, 20 mijë fshatarë të irrituar shqiptarë i penguan ata me armë. Oficerët xhonturq kishin hapur fjalë se Sulltani kishte rënë dakord me Kajzerin në Vjenë që toka e përdorur për hekurudhë të mos kompensohej, pra për fshatarët vendas nuk do të kishte asnjë të ardhur. Xhonturqit donin të ushtronin presion mbi sovranin e tyre: nga frika se kryengritja popullore në Kosovë mund të përhapej në mbarë Perandorinë Osmane, Sulltani u paraqiti rebelëve të tij një kushtetutë që parashihte reforma – duke shënuar kësisoj edhe fitoren e parë të lëvizjes së xhonturqve. Konsulli austriak në Mitrovicë, ndërkohë, e shihte ndryshe këtë punë: ai ia hidhte fajin – në një letër të dërguar prej tij për ministrin e Jashtëm në Vjenë, Kontin Lexa von Aehrenthal – agjentëve të Serbisë për dështimin e planeve për hekurudhën. Gjashtë vite më vonë nisi – e sigurisht edhe me ndihmën e kontributin e serbëve – ajo që njihet si Lufta e Parë Botërore. Me një lidhje hekurudhore mes zonës së banuar me shqiptarë të Kosovës dhe Shkupit maqedonas e duke vijuar deri në Selanik, shqiptarët qysh në atë kohë tashmë mund të thuhet se kishin lidhje me botën e jashtme – gjithsesi, me Orientin në fakt: ajo u shërbente turqve si një shembull, për të dërguar në vend ekspedita ndëshkimore për shqiptarët që nuk rrinin urtë. Në luftë për të poseduar këtë linjë, për herë të parë u ngrit flamuri kuqezi i indipendencës shqiptare kundër Perandorisë Osmane. Kështu, ëndrra e një hekurudhe u ngjiz me frikën se në këtë mënyrë do të humbej edhe pavarësia. Kur Shqipëria në vitin 1912 u bë e pavarur, më shumë se gjysma e zonave të banuara me shqiptarë mbeti jashtë shtetit të ri, e para së gjithash ajo e Kosovës, të cilën sot e kësaj dite akoma e mban Serbia – me të vetmen linjë hekurudhore që të shpie në botën e jashtme. Importet drejt vendit të padepërtueshëm të shqiptarëve, e para së gjithash drithi, dhe madje edhe një pinjoll me gjak gjerman, Princi Vilhelm Vid, erdhën nëpërmjet detit. Fqinji Serbi dëshironte të ndërtonte një hekurudhë që do të kalonte nëpër Veri të vendit – për t’u lidhur kësisoj me pjesën e mbetur të Shqipërisë. Por shqiptarët vlerësuan se ishin italianët ata që kishin të drejtë, ndërsa e pretendonin për vete një gjë të tillë. Në vitin 1925, Kryeministri shqiptar, Ahmet Zogu, i dha kompanisë italiane hekurudhore “Ferrovie dello Stato Italiano” një koncesion. Por kjo e fundit nuk shtroi asnjë metër binarë, por u përqendrua në nxjerrjen e naftës në zonën që iu dha për përdorim”./dita/

Shkëputur nga Revista “Der Spiegel”, 26.4.1982, fq. 178-181

Prizrenasi rrëfen nga kampi afër Rumanisë: Po na maltretojnë

0

Mjerimi në HungariGjendja e kosovarëve në burgjet dhe kampet e Hungarisë vazhdon të jetë alarmante. KTV-ja ka kontaktuar gjatë ditës me një qytetar nga Prizreni, i cili gjendet në një kamp në kufi me Rumaninë. Ai ka rrëfyer për keqtrajtimet që po u bëhen dhe i ka bërë thirrje shtetit të Kosovës t’iu ndihmojë. Halit Jonuzaj ka treguar nëpërmjet telefonit se janë të mbyllur në një kamp afër Rumanisë, ku janë të maltretuar vazhdimisht. Jonuzaj ka treguar se nuk di asgjë për fatin e disa shokëve të tij, të cilët kishin shkuar bashkë në Hungari.

Të gjithë qytetarët e Kosovës, të cilët gjenden në burgjet dhe kampet e Hungarisë dhe Francës, duhet të presin ende që t’iu bëhet një zgjidhje dhe të kthehen në shtëpitë e tyre. Ata do të vazhdojnë jetën në kushte të mjerueshme, ndërsa Qeveria është zotuar se do të bëjë aq sa mundet për gjetjen e një zgjidhjeje.

Gjatë këtij viti 5 400 kosovarë kanë hyrë ilegalisht në Hungari dhe aktualisht në këtë shtet ndodhen rreth 1 100 prej tyre, më shumë se 250 në burgje dhe të tjerët në kampe të lira.

Zafiri merr përkrahje nga Jakup Krasniqi për kryetar të Prizrenit

0

Zafir Berisha 1Kryetari i Bashkimit Demokratik, Zafir Berisha ka filluar t’i marrë mbështetjet e para për kryetar të Prizrenit. Të hënën (nesër) ai do të lidhë koalicionin e parë me një subjekt politik në Prizren.

Në ftesën e dërguar mediave nuk saktësohet se cili subjekt politik do të mbështes kandidaturën e Zafir Berishës për kryetar të Prizrenit. “Bashkimi Demokratik të hënën organizon konferencë për media në të cilën do të bëhet prezantimi i Shtabit Zgjedhorë dhe prezantimi i koalicionit me një subjekt politik, i cili do të mbështet kandidaturën e kandidatit të Bashkimit Demokratik për kryetar të Komunës së Prizrenit, Nexhat Isufit të Komunës së Dragashit për zgjedhjet lokale të 3 nëntorit “, thuhet në njoftimin e BD-së dërguar mediave.

Burimet e “PrizrenPress-it“, ndërkaq bëjnë të ditur se kryetari i BD-së,Zafir Berisha nesër do të bëjë koalicion me partinë,Balli Kombëtar. ”Balli Kombëtar do të mbështes Zafirin në Prizren dhe Nexhat Isufin në Dragash”, konfirmon burimi i “PrizrenPress-it”. Kandidati për kryetar të Prizrenit,Zafir Berisha kohët e fundit ka zhvilluar disa takime edhe me personalitete të subjekteve të tjera politike.

Sipas burimeve të sigurta të “PrizrenPress’it”, ish-kryetari i PDK-së, Zafir Berisha, ka zhvilluar një takim edhe më kryeparlamentarin Jakup Krasniqin dhe deputetët e Vetëvendosjes, Rexhep Selimin dhe Afrim Hotin. “Zafiri ka pasur një takim me kryeparlamentarin Jakup Krasniqin nga i cili ka marrë përkrahje se do ta mbështes në zgjedhjet lokale të nëntorit për kryetar të Prizrenit”, konfirmon burimi i “PrizrenPress-it”.

Kandidati i BD-së,  Zafir Berisha, ndërkaq në bisedat e zhvilluar me Rexhep Selimin dhe Afrim Hotin, kanë diskutuar vetëm për mundësin e hyrjes së një koalicioni të përbashkët në zgjedhjet e nëntorit, por nuk kanë arritur ndonjë marrëveshje konkrete. “Nuk është marrë kurrfarë vendimi, por vetëm kanë diskutuar për këtë çështje”, tregon burimi./PrizrenPress.com/

 

Të rinjtë: Shumë arsye për migrim

0

Emigrant kosovarPavarësisht fushatave të shumta të autoriteteve në Prishtinë, për të parandaluar migrimin e qytetarëve të Kosovës, shumë të rinj kanë shprehur dëshirën e tyre se do të iknin nga Kosova për të shkuar në ndonjë nga vendet perëndimore.

Në rubrikën e përjavshme “VOX” të Radios Evropa e Lirë, ata flasin edhe për arsyet se pse do të migronin. Por, ka edhe të rinj, të cilët perspektivën e tyre shohin në Kosovë dhe jo diku tjetër.

Emir Haxhibeqiri ka përfunduar tre vjet të studimeve në Fakultetin Juridik. Ndonëse me shumë vështirësi financiare, ia kishte dalë të përfundonte këto vjet studimesh.

Emiri kishte një dëshirë – që pas studimeve të gjente një punë dhe me ato të ardhura të ndihmonte familjen, e cila ishte përkujdesur për edukimin e tij. Por, ajo nuk ndodhi. Ai nuk arriti të gjente punë dhe arsyeja se pse ai dëshiron të migrojë, është pikërisht punësimi.

“Kudo vetëm jashtë Kosovës kisha shkuar. Këtu nuk ka perspektivë. Përfundon fakultetin dhe nuk arrin të gjesh punë. Është bërë njëjtë si për ata që përfundojnë shkollim superior si për ata që nuk kanë fakultet, të gjithë janë pa punë”, thotë Emiri.

Së fundi, është rritur ndjeshëm numri i kosovarëve që migrojnë drejt vendeve të perëndimit për të kërkuar azil.

Javë më parë vetëm në Hungari janë evidentuar rreth 4 mijë kosovarë, të cilët kishin mësyrë vendet perëndimore për të kërkuar azil, por që ishin ndaluar nga autoritetet hungareze.

Lum Plakiqi ka përfunduar shkollën e mesme dhe sivjet do të fillojë studimet në Universitetin e Prishtinës. Lumin e takuam në një lokal të kryeqytetit, derisa po pinte kafen e tij të mëngjesit.

Ai thotë se nuk e dëshiron aspak jetën larg familjes, por nëse do t’i jepej rasti të jetonte diku jashtë Kosovës, do të linte gjitha dhe do të shkonte. I pakënaqur me kushtet ekonomike dhe financiare, në të cilat jeton, mungesa e perspektivës, siç thotë ai, janë vetëm disa nga arsyet pse dëshiron të migrojë.

“Çdo kund e ke më mirë, në shtetet e zhvilluara të ofrojnë kushte më të mira të jetës standarde jetësor më të mirë, punësim dhe gjithçka që nuk ta ofron vendi ynë”, thotë Lumi.

Ndryshe nga Lumi shprehet mikja e tij Laureta, e cila mendon se nuk duhet migruar. Përveç që migrimi, thotë ajo, është i rrezikshëm, pasi që ka të bëjë me migrim ilegal, ajo konsideron se duhet ndërtuar një jetë në vendin tënd.

“Ne duhet të rrimë këtu, në vendin tonë. Nuk duhet të dalim të gjithë jashtë Kosovës. Duhet studiuar këtu dhe punuar këtu, edhe pse nuk janë kushtet e mira”, konsideron Laureta.

Deklaratat e zyrtarëve qeveritarë për të mos migruar, disa të rinj nuk i marrin në konsideratë, por sugjerojnë që ky fenomen të parandalohet duke krijuar kushte më të mira për të rinjtë, të krijohen vende të reja të punës dhe studim më cilësor.

“Në Kosovë nuk ka jetë të mirë, nuk të ofrojnë asgjë, nuk ka jetë të mirë për të rinj. Kosova nuk ta ofron punën shkollimin, gjithçka shkon keq këtu, dhe në momentin që na jepet, rasti do të kishim ikur nga Kosova”, shprehet Genta.

Ka të rinj kosovarë, të cilët do të migronin edhe në mënyrë ilegale për të shkuar në ndonjë shtet perëndimor vetëm për të bërë studime, siç i quajnë ata, cilësore.

Merita Bekteshi është njëra nga ato që sistemin e shkollimit në Kosovë e quan të dobët dhe larg standardeve evropiane.

“Do të migroja në Londër për të studiuar mjekësinë. Ajo çfarë të ofron Londra, nuk ta ofron Kosova, në asnjë mënyrë. Po të më jepet mundësia sot do ta lija Kosovën”, shprehet ajo.

Sidoqoftë, për Njomza Preniqin, studente e Mjekësisë, Kosova është një vend që të ofron perspektivë që asnjë shtet tjetër nuk do t’iu ofronte kosovarëve.

“Nuk kam dëshirë të dal jashtë vendit për të jetuar. Këtu më duket se ka më shumë prospektivë se sa jashtë vendit”, thotë njomza.

Ngjashëm mendon edhe Gresa Kastrati:

“Më pëlqen Kosova dhe nuk kam dëshirë të shkoj diku tjetër, dua të krijoj jetën time në vend tim”.

Edhe pse e di se shtete perëndimore ofrojnë më shumë për studentët, Fitorja thotë se ato të mira ato shtete i ofrojnë për studentet e tyre dhe jo për kosovarët.

“As unë nuk isha dalë jashtë, kisha qëndruar më mirë këtu, ndoshta për shkollim është më mirë, por prapë nuk do ta ndërroja Kosovën me as një vend tjetër”, shpreh mendimin e saj Fitorja.

Hulumtimet e bëra kohë më parë nga organizata joqeveritare në Kosovë vlerësojnë të jetë e kuptueshme që në një papunësi mbi 40 për qind, ekziston një potencial i lartë për migrim.

Rreth 49.8 për qind, ose gjysma e grupmoshës 20 deri 35 vjeçe, sipas hulumtimeve të bëra, thuhet se kanë tendencë për migrim.

Zyrtarë qeveritarë vazhdimisht kanë theksuar se do të krijojnë infrastrukturë të nevojshme për qytetarët e Kosovës, në mënyrë që këta të fundit të mos migrojnë në vende të ndryshme perëndimore, për të kërkuar jetë më të mirë.

Ata kanë premtuar se do të krijojnë kushte më të mira për të gjithë dhe fenomeni i migrimit t’i takojë së kaluarës.

Kabashi nuk frikësohet nga kundërkandidatët pensionistë

0

Lulzim Kabashi LDDKandidati i AAK-së dhe LDD-së në Prizren, Lulëzim Kabashi nuk dyshon aspak në fitoren e 3 nëntorit të këtij viti. Ai tha se fitorja e tij, do të jetë e padiskutueshme. “ Është e padiskutueshme që do të fitoj në zgjedhjet e nëntorit”, tha Kabashi për “PrizrenPress”.

Kandidati i AAK-së dhe LDD-së, Kabashi, madje nuk sheh as konkurrencë në garën për kryetar të Prizrenit. “S’kam kundërkandidat. Përballë pensionistave sigurisht që do t’i fitojë pa problem zgjedhjet”, shprehet ai.

Kabashi tha se aktualisht është duke hartuar programin me të cilin do të garojë në zgjedhjet e nëntorit për kryetar të Prizrenit. Ai shpreson se ky program do të mirëpritet nga qytetarët.” Jam duke e punuar programin me të cilin do të garoj për kryetar të Prizrenit. Shpresoj se nga fundi i muajt do të përfundoj dhe do të filloj ta prezantoj para qytetarëve”, tha Kabashi. /PrizrenPress.com

Dardanët e Dragashit kalojnë në LDK

0

Foto dragash1Lidhja Demokratike e Dardanisë(LDD) në Dragash, ka kaluar në Lidhjen Demokratike të Kosovës(LDK).

Kalimi i dardanëve në LDK është bërë sot në një konferencë për media.Në këtë konferncë kanë marrë pjesë edhe zyrtarët e LDK-së nga Prishtina, Naser Osmani, Sadri Ferati , Nazim Bytyçi dhe Naser Rugova.

Në këtë konferencë gjithashtu ishte i pranishëm edhe kryetari i deritashëm i LDD, Vahidin Halili, nënkryetari, Qamil Kolloni dhe dy kryesitë respektive, bashkë me FR Të LDK si dhe Forumin e Gruas të LDK.

Në konferencën për media, kryetari i Degës, Fatmir Mehmeti tregoi rrjedhën e ngjarjeve që ka rezultuar deri te ky bashkim.

“LDK-ja në këtë komunë aktualisht është subjekti më i madh me gjthsej 10 delegatë të Asamblesë komunale, që matematikisht krijon parakushtet e një fitoreje reale në zgjedhjet e 3 nëntorit. Kështu përfundimisht LDK –ja tregon potencën e vet si subjek i traditës”, tha Mehmeti. /PrizrenPress.com/

Stavileci: Avdullah Hotin e LDK-së, e paska kap zhegu i Rahovecit

0

BlerandStavileci-ministerMinistri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe zëdhënësi i PDK-së, Blerand Stavileci i është përgjigjur Avdullah Hotit, nënkryetarit të Komunës së Prishtinës dhe anëtarit të kryesisë së LDK-së, lidhur me akuzat se “Rahoveci turpërohet nga Qeveria e Hashim Thacit”.

“Avdullah Hotin e LDK-së, e paska kap zhegu i Rahovecit dhe paska filluar të “përcëllohet” nëpër rrjete sociale. Zheg i paska ardhur edhe dje prej fjalimit të kryeministrit në Akademinë Përkujtimore “Epopeja e Rahovecit”, saqë “hije” paska kërkuar në sektorin e bujqësisë. Po, po, paska kërkuar “hije” pikërisht aty ku “djeg” zhegu më së shumti dhe ku mund të “digjet” më së lehti edhe në politikë”, ka shkruar Stavileci në profilin e tij në Facebook.

Ai i ka thënë Hotit se komuna e Rahovecit, si rajon bujqësor që është, ka arritur të përfitojë përkrahje financiare më shumë se të gjitha komunat e tjera nga Ministria e Bujqësisë.

“Madje, edhe më shumë se komuna e Prishtinës, ku ju keni zënë hije si nënkryetar, e cila është e treta në listë. Kanë përfituar, sepse, PO, ashtu sikurse kryeministri, edhe ju keni të drejtë në këtë pikë: Janë punëtorë! Janë punëtorë dhe ne krenohemi me punën e tyre dhe ata dinë ta vlerësojnë përkrahjen institucionale që ju është dhënë. Ndërsa, nga ju, gaboni nëse mendoni që presim vlerësime. Nga ju presim që të “përcëlloheni” edhe më shumë nga zhegitja në Rahovec, sepse nuk po dini ku të kërkoni as hije!”, ka shkruar Stavileci.

Me tej ai ka i ka thënë Hotit se nuk ka të drejt morale të flasë në emër të bujqve, sepse gjatë gjithë viteve të pasluftës sa ka qenë LDK-ja në pushtet, rezultantja e investimeve në bujqësi ka qenë e barabartë me zero.

“Por, ju mirëkuptojmë, derisa ju shohim kështu të zhegitur edhe politikisht, sepse vetëm 4344 vota i paska pasur LDK-ja në zgjedhjet e fundit komunale në Rahovec dhe as matematika sinergjike nuk ju bën punë!”, ka shkruar tutje Stavileci.

“Paske përmendur rrushin dhe po ta rikujtoj z. Hoti, veçanërisht, sepse e di që nuk të pëlqen, që kjo qeveria qendrore, ju ka dal në përkrahje vreshtarëve edhe në ditët e tyre më të rënda, duke i subvencionuar me rreth 1.4 milionë euro 2250 vreshtarë, me nga 1 mijë euro në një hektarë vreshta të variteteve industriale. Përsëri, kjo qeveria qendrore, me investimet e veta ka përkrahur gjithsej 585 projekte të vreshtarëve për ngritjen e plantacioneve të reja dhe rregullimin e atyre ekzistuese, që shprehur në hektarë ka ngritur dhe rregulluar 374 hektarë të rinj me vreshta. Kjo qeveria qendrore, ka ndërtuar 32 serra moderne në këtë komunë dhe deri në vitin e kaluar, nga komuna e Rahovecit kanë arritur të përfitojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë grante investive dhe subvencione gjithsej 6398 fermerë/3,162,681 euro. Pra, z. Hoti, për të mos u zgjatur më shumë, ju nuk jeni i denjë për të folur në emër të bujqve të Rahovecit, sepse përpos faktit që LDK-ja juaj nuk ka investuar asnjëherë në bujqësi, ka numër shumë më të madh të bujqve që janë përkrahur në mënyrë të drejtpërdrejtë nga Ministria e Bujqësisë në këtë komunë, se numri i votave që keni ju si LDK!

Vera është e gjatë z. Hoti dhe mos u ngutni shumë, sepse do të zhegiteni edhe nëpër hije”, ka shkruar në fund Stavileci./PrizrenPress.com/

PDK-LDK, sërish bashkë?

0

HashimThaci-IsaMustafaDy partitë kryesore në vend, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, mund të qeverisin sërish bashkë.

Konsultimet për një lidhje të mundshme mes dy partive që kanë një rivalitet tradicional, kanë filluar qysh tash, edhe pse zgjedhjet parlamentare mbahen vitin e ardhshëm.

Diplomatë të rëndësishëm në Prishtinë e kanë shtruar për diskutim këtë çështje, si në takimet me Kryetarin e PDK-së, Hashim Thaçin ashtu edhe atë të LDK-së, Isa Mustafën.

Burime ndërkombëtare i kanë thënë Gazetës Express se në bazë të sondazheve aktuale, shihet se krijimi i Qeverisë së ardhshme do të jetë problematik.

“Partia e z. Behgjet Pacolli duket se nuk do të jetë ndonjë faktor determinues i krijimit të Qeverisë së ardhshme. AAK, ndërkaq, ka betonizuar qëndrimin e saj se do të futej në Qeveri me secilën parti poqëse i jepet posti i Kryeministrit, dhe kjo vështirëson ndjeshëm negociatat. Faza në të cilën ndodhet Kosova (procesi i integrimeve europiane, raportet me Serbinë dhe shtimi i njohjeve të reja) diktojnë formimin e një Qeverie me bazë të gjerë përfaqësimi”, ka thënë një diplomat perëndimor në kushte anonimiteti për Gazetën Express.

Ai thotë se ideja nuk është pritur keq, as në PDK as në LDK.

“Asnjëra palë nuk ka dhënë shenja krejtësisht refuzuese. Liderët e dy partive janë të gatshëm të hyjnë në bisedime pas zgjedhjeve parlamentare për një koalicion PDK-LDK”.

“Rezultati i parë i kësaj pune është zbutja e qëndrimit të LDK-së karshi koalicionit me PDK-në. Tash, as në LDK nuk e përjashtojnë një bashkëqeverisje të re me PDK-në”, ka shtuar ai.

Aktualisht, sipas disa sondazheve, PDK vazhdon të jetë partia e parë në Kosovë e pasuar nga LDK-ja dhe Vetëvendosje – e cila ka tendencë ngritje, ndërsa partia e katërt vazhdon të mbetet AAK e Ramush Haradinajt.

Megjithëkëtë, diplomati që foli për gazetën ka thënë se nuk përjashtohet plotësisht inkuadrimi i AAK-së në Qeverinë e ardhshme.

“AAK mund të bëhet pjesë e këtij koalicioni meqë Ramush Haradinaj ka treguar konstruktivitet dhe gatishmëri për të punuar si me PDK-në ashtu edhe me LDK-në. Haradinaj dëshiron që mos të mbetet përsëri në opozitë”.

Lideri i AAK-së ditë më parë ka thënë se dëshiron të bëhet Kryeministër, pa marrë parasysh se me cilën parti politike bën koalicion.

Ndërsa, Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka thënë se elektorati i partisë së tij më shumë e dëshiron një koalicion me AAK-në por nuk e ka përjashtuar edhe koalicionin me PDK-në.

E, Lideri i PDK-së dhe Kryeministri aktual, Hashim Thaçi i ka lënë të hapura të gjitha mundësitë për të bërë koalicione me partitë tjera.

Deri më tash, vetëm Lëvizja Vetëvendosje nuk ka qenë në pushtet, ndërsa PDK, LDK, AAK dhe AKR kanë qeverisur Kosovën prej vitit 1999.

Jemi në dijeni për problemet

0

Ibrahim Makolli2Ministri i Diasporës, Ibrahim Makolli, ka thënë se është në dijeni që mërgimtarët që po vijnë në Kosovë për pushime verore po hasin në probleme gjatë rrugës për në territorin e Serbisë dhe Malit të Zi, por edhe në pikat kufitare. Ai ka thënë se kanë bashkërenduar aktivitetet edhe me MPJ-në dhe MPB-në në mënyrë që mërgimtarëve të mos u krijohen vështirësi në pikat kufitare apo gjatë kalimit nëpër Serbi e Mal të Zi.
Makolli ka apeluar te mërgimtarët që hasin në telashe të tilla ta njoftojnë Ministrinë e Diasporës.

“Kemi marrë njoftime nëpërmjet formave të tjera për këto probleme. Është i njëjti avaz që kur ka një fluks të madh mërgimtarësh, autoritetet e Malit të Zi dhe të Serbisë duan t’i sanksionojnë njerëzit. Ka njoftime se gjatë kalimit nëpër territorin e Malit të Zi, por edhe të Serbisë, mërgimtarëve, përkatësisht vozitësve, u kërkohen shuma të ndryshme parash, me pretekstin se kanë bërë kundërvajtje në komunikacion që përdoren si arsye për plaçkitje. Ne nuk kemi ndonjë ankesë të drejtpërdrejtë të mërgimtarëve në mënyrë që të na mundësohet t’u referohemi rasteve veç e veç”, ka thënë për “Epokën e re” Makolli.

Ai ka treguar se me kontaktet që ka pasur me autoritetet e këtyre vendeve, për ankesat që kanë mërgimtarët, ka marrë përgjigje se praktikat e tilla do të ndalen.

“Jemi të vetëdijshëm se ka njerëz që abuzojnë me ligjin kur krijohen radhë të gjata në kufi dhe mërgimtarëve u kërkohen para ta kalojnë sa më shpejt kufirin. Këto raste janë shqetësuese”, është shprehur Makolli.

Ai ka thënë se Ministria e Diasporës do të jetë në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet serbe dhe ato malaziase që rastet e tilla të mos përsëriten.

“Do të komunikojmë vazhdimisht, kurse prej mërgimtarëve kemi kërkuar që rastet e tilla t’i denoncojnë te ne, në mënyrë që ne, me fakte të drejtpërdrejta, të komunikojmë me këto autoritete. Po i bashkërendojmë aktivitetet edhe me Ministrinë e Punëve të Jashtme edhe atë të Punëve të Brendshme, në mënyrë që njerëzve tanë të mos u krijohen vështirësi, qoftë në pikat kufitare qoftë në territoret e këtyre shteteve”, ka thënë ministri Makolli.