12.6 C
Prizren
E enjte, 9 Prill, 2026
Home Blog Page 9117

Bashkimi Europian midis realizmit dhe skepticizmit

0

OpinionDaniel Guçe

Ideja se Europa nuk do të jetë një entitet politik i vetëm për momentin, u konsolidua me efektet që nxori në pah kriza ekonomike. Kjo nuk do të thotë se do ta pengojë Bashkimin Europian si organizatë në unifikimin e interesave të mëtejshëm të shteteve anëtare dhe institucioneve përfaqësuese për një fat të përbashkët. Por pyetja lind si do të formatohet dhe cila do të jetë e ardhmja e BE-së pas krizës ekonomike?

Bashkimi Europian u projektua mbi idenë e tregtisë së lirë, e cila do të rregullohej nga një burokraci qendrore e cila do të zbehte nacionalizmin si dhe për të krijuar prosperitetin pa hequr identitetin kombëtar. Monedha e përbashkët Euro është shprehja e fundit e këtij uniteti. Institucionet e Bashkimit Europian u krijuan në mënyrë të tillë për t’u përfaqësuar vendet anëtare, duke e përjashtuar nocionin e shtetit–komb, por kriza e fundit ekonomike nxori në pah elementë të nacionalizmit, gjë që nuk do ta konsideroja si pa rëndësi dhe këtu kam parasysh debatin e vazhdueshëm midis Gjermanisë dhe Greqisë. Hans Ditrih Gensher, ish-ministri i Jashtëm gjerman kohë më parë ka thënë: Unë rrjedhën nacionaliste tek qeveritë anëtare të BE e shoh me shqetësim të madh.

Është e rëndësishme të tolerojmë mbi bërthamën dhe qendrën e ideve të Europës. Pas Luftës së Dytë Botërore krijimi i shoqërisë europiane, e cila u pasua nga krijimi i Bashkimit Europian ishte një shembull i mirë për një rajon për nga veprimtaria e përbashkët dhe me ndikim ekonomik, politik dhe të sigurimit. Nëse bëjmë një krahasim në marrëveshjet e nënshkruara gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë, vërejmë qartë se marrëveshjet ekonomike kanë pasur më shumë ndikim në krahasim me marrëveshjet e tjera si ato të sigurimit apo marrëveshjet e tjera sociale. Për këtë arsye bashkëpunimi dhe integrimi ekonomik është në prioritet të marrëveshjeve rajonale, sepse në sektorin e ekonomisë, bashkëpunimi dhe integrimi ekonomik sjell më shumë përfitime sesa dëme. Pikërisht për këtë arsye vendet janë më shumë të prirura në bashkëpunimin ekonomik rajonal.

Këtë e dëshmon dhe lista e vendeve që presin të integrohen në BE. Kriza aktuale ekonomike, është testi më i madh për Europën në përballje me sfidat që dalin gjatë integrimit ekonomik. Faktorë si zhvillimet politike dhe sociale brenda vendeve anëtare të BE mund të ndikojnë negativisht dhe të sjellin të kundërtën e integrimit dhe unitetit të Europës. Politikat konservatore të ndjekura nga qeveritë e pasura në veri të Europës dhe mosimplikimi i këtyre qeverive në pagimin e shpenzimeve të integrimit, dëshmon qartë se vendet e pasura nuk dëshirojnë më të vazhdojnë procesin e integrimit. Kjo tezë vërtetohet edhe nga krijimi dhe forcimi i partive nacionaliste dhe kundër integrimit europian në vende të tilla si Gjermania, Finlanda dhe Suedia. Prioriteti i ekonomive kombëtare tek anëtarët e BE, kriza monetare dhe financiare, paqartësia e rrjedhave politike dhe sociale në sektorët kombëtarë të Europës, ka rrezikuar gjithnjë e më shumë unitetin e Europës. Çdonjëra nga vendet anëtare të BE, aktualisht përpiqet të zgjidhë problemet e brendshme, ndërsa BE ndodhet në nivelin e dytë të prioritetit të këtyre vendeve. Në këto kushte, disa kanë propozuar edhe përjashtimin e Greqisë nga Eurozona. Mirëpo moszgjidhja e krizës ekonomike dhe mosparaqitja e propozimeve ndikuese në zgjidhjen e problemeve e ka futur BE në lojën e dominosë e cila është duke e përballur BE me fundosjen graduale të unionit.

Pra opinioni publik i komunitetit europian u nda në “ne” dhe “ata” për vendet që ishin përfshirë në krizë dhe ato që jepnin kontribut të vazhdueshëm në BE. Vendet e përfshira në krizë u quajtën PIIGS-a (derrkucët) një akronim i përdorur nga analistët e bonove ndërkombëtare, akademikët dhe shtypi ekonomik, sepse këto vende vetëm merrnin nga fondi i BE-së. Bëhet fjalë për Portugalinë, Italinë, Irlandën, Greqinë dhe Spanjën. Arsyet se përse këto vende hynë në krizë ishin të ndryshme për secilën. Pa dashur t’i marr në analizë të gjitha vendet e përfshira në krizë dhe raportet e tyre me njëra-tjetrën, nëse do përqendrohesha te raporti i Gjermanisë dhe Greqisë si një rast krahasimor dhe analitik për tezën e ngritur mbi perspektivën e Bashkimit Europian, do të vëmë re shumë probleme të cilat na detyrojnë të ngremë pikëpyetje se si do t’i menaxhojë BE këto efekte negative postkrize ekonomike.

Për gjermanët, ishte papërgjegjshmëria e qeverisë greke në blerjen e pushtetit politik si dhe fshehja e borxhit publik, e cila e çoi këtë vend në krizë. Për grekët, problemi është kontrolli i Gjermanisë mbi politikën monetare të Eurozonës, e cila ka ndërtuar një sistem rregullator që ofron privilegje të padrejta.

Në fund të fundit, Gjermania dhe Greqia janë vende me sisteme vlerash dhe interesash të ndryshme. Ideja që vendet e BE-së të sakrifikojnë për njëra-tjetrën u bë pak e dyshimtë kur Gjermania zotohej të ndihmonte Greqinë, duke i sugjeruar nxjerrjen e ishujve në shitje dhe Gjermania ishte e gatshme t’i blinte me shumën që i duhej Greqisë për të dalë nga kriza. Opinioni publik gjerman dhe grek kundrejt njëri-tjetrit u bënë armiqësorë në rritje.

Franca dhe Gjermania janë dy vendet që drejtojnë politikat dhe institucionet e Bashkimit Europian, çka lë vend për skeptikët në mendimin se edhe shpërndarja e buxhetit nuk do të jetë e barabartë por preferenciale. Ky mendim e rrëzon mitin mbi të cilin BE është ngritur dhe mendimi i mësipërm prej vitesh qëndron tek grekët, spanjollët apo irlandezët. Këta të fundit, pas disa referendumesh, zgjodhën të votonin pro me një diferencë të ngushtë për Traktatin e Lisbonës, pas shumë përpjekjesh të partive politike për të bindur popullin.

Shqetësimi që ngre pikëpyetje në vetvete është nacionalizmi europian. Pas krizës ekonomike, ideja për një Europë të bashkuar ka qenë objekt diskutimi, pasi, si dhe u përmend më sipër, gjeneza e këtij bashkimi ka qenë motivi ekonomik që më tej synonte të artikulohej dhe konsolidohej dhe si bashkim politik dhe kulturor në kuptimin e vlerave të përbashkëta europiane, por pikërisht këtu qëndron dhe sfida e së ardhmes së BE-së, me zgjerimet që janë duke ndodhur: A është gati BE-ja “to hold strong” (të mbahet e fortë) dhe t’i përmbahet qëllimit, por mbi të gjitha të vetëmbahet dhe të gjejë mënyrën për të pasur një përqasje që ruan balancat dhe zgjidh njëkohësisht sfidën e zgjerimit të mëtejshëm?! Kuptohet do ishin një sërë sugjerimesh që do mund të jepeshin apriori por në fakt ajo çfarë duhet mbajtur fort parasysh është që jo pak herë krenaria dhe identiteti kombëtar ngrenë krye, ndaj pavarësisht optimizmit që do arrihet të gjendet një e mesme e artë e këtij komuniteti, që sa po vjen e po bëhet gjithnjë e më tepër një “melting pot”, e vërteta është që situata paraqitet sfiduese.

Vdiq aktori Cory Monteith

0

Cory MonteithKëngëtari dhe aktori Cory Monteith vdiq në moshën 31-vjeçare, këtë të dielë në Kanada. Burime policore bënë me dije se i riu, i njohur kryesisht për rolin e tij të Finn Hudson në serialin e suksesshëm “Glee”, u gjet i pajetë në dhomën e hotelit “Pacific Rim”, në Vankuver.

Aktualisht, jane ende të paqarta arsyet rreth vdekjes së aktorit me një karrierë premtuese, por është përjashtuar pista e vrasjes. Monteith, për të cilin përflitej një lidhje me bashkëprotagonisten e serialit “Glee”, Lea Michelle, kishte kaluar mbrëmjen me miqtë e tij dhe ishte rikthyer në dhomën e hotelit i vetëm. Dyshohet se abuzimi me ndonjë substancë narkotike apo me alkoolin të kenë luajtur rol në vdekjen e tij të parakohshme, ndërsa 31-vjeçari nuk njihet për probleme të mundshme me depresionin. / Top Channel/

Shqipëria 1949, mision i tradhtuar. Pohime të një agjenti të CIA-s

0

70539BEN ANDONI

Kur në prill të vitit 1954, në burgun e Tiranës, Hamit Matjani ngjitej në trekëmbësh, në Washington dhe Londër i vunë një vizë operacionit “Valuable”. Kishte zgjatur pesë vjet tentativa për të nxitur një luftë revolucionare në Shqipëri, për të përmbysur regjimin komunist të vendosur nga Enver Hoxha.

Në pesë vjet kishin humbur jetën qindra shqiptarë antikomunistë, besnikë të monarkisë, republikanë, liberaldemokratë, të gatshëm të luftojnë kundër shtypjes që mbështillte “Vendin e Shqiponjave”.

Me fillimin e Luftës së Ftohtë, Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe shtruan problemin për t’ia shpërblyer me të njëjtën monedhë Bashkimit Sovjetik, i cili kishte mbështetur grushtet e shtetit në Çekosllovaki, Rumani, Hungari, Poloni, Bullgari dhe që po përkrahte partizanët komunistë në luftën civile që po zhvillohej në Greqi.

U zgjodh Shqipëria për një sërë arsyesh. Para së gjithash, gjatësia e bregdetit që ndodhej pikërisht përballë Italisë dhe afërsia me Greqinë. Pastaj varfëria e vendit, i bërë akoma më i varfër nga regjimi komunist. Të arratisur të shumët ishin të vendosur të luftonin kundër regjimit të Hoxhës dhe të ktheheshin përsëri në Shqipëri si çlirimtarë. Për më tepër, gjatë Luftës së Dytë Botërore misione të shumta të Special Operations Executive (SOE) kishin operuar me partizanët, edhe se pastaj Hoxha ua kishte shpërblyer keq kortezinë. Dhe anglezët nuk e harruan.

Në operacionin “Valuable” u kryqëzuan elementë të ndryshëm: profesionalizmi dhe eksperienca e SOE-s, karakteri sipërfaqësor i bashkuar me një farë diletantizmi të CIA-s së sapokrijuar, vullnetarizmi thuajse gjithnjë i kotë i të arratisurve shqiptarë, ndër të cilët rekrutoheshin “luftëtarët e lirisë”, “faktori njeri” i paparashikuar: tradhtia e Kim Filbit, agjent i Secret Intelligence Service britanik dhe oficer ndërlidhës britanik me amerikanen “Office for Policy Coordination” (OPC), e krijuar për të organizuar subversionin në vendet evropiane armike të Shteteve të Bashkuara. Mbrëmjen e 3 tetorit të vitit 1949, një barkë e lyer ngjyrë blu dhe të verdhë, me vela portokalli, e pagëzuar Stormie Seas, (Furtuna e detit) hodhi spirancën gjysmë milje nga bregdeti i gadishullit të Karaburunit. Nga një ekzaminim sipërfaqësor, kishte të gjitha karakteristikat e një anijeje turistësh. Në realitet ishte një anije zbarkim i e “elfëve”, siç ishin quajtur partizanët antikomunistë shqiptarë. Dhe atë natë, nëntë të parët do të ktheheshin në atdhe për t’i vënë zjarrin barutit të revoltës. “Elfët” para pak ditësh kishin përfunduar stërvitjen e tyre në artin e luftës guerilje dhe të sabotimit në Maltë, në fortesën Bin Jema. Si “profesorë” kishin pasur oficerët britanikë të SOE-s, të cilët kishin luftuar kundër gjermanëve në Shqipëri.

Kur prekën tokën, “elfët” nuk mund ta dinin se misioni i tyre ishte i destinuar të dështonte. Kim Filbi, në atë moment ishte duke udhëtuar për në Shtetet e Bashkuara në bordin e transatlantikut “Caronia”. Kënaqej me udhëtimin, duke ngrënë e pirë shampanjë e duke zhvilluar biseda të këndshme. Por pak para se të largohej nga Londra, ishte takuar me “kontrollorin” e tij sovjetik dhe e kishte vënë në dijeni të operacionit “Valuable”, për të cilin kishte mësuar për shkak të detyrës së tij të re në Washington.

Duke evituar kalimet e vështira dhe burimet e ujit, të gjitha vende ideale për prita, grupi me uniformë, armë, eksplozivë, monedha floriri dhe radio, u nis drejt malit të Tragjasit. Katër burra, të drejtuar nga Bido Kuka, u drejtuan për në Kurvelesh, të tjerët u drejtuan për në Vlorë. Sapo grupi i Bido Kukës mbërriti në fshatin Gjorm, mësuan se shokët e tyre ishin zbuluar dhe kishin rënë në një pritë, në të cilën ishin vrarë kushërinjtë Lepenica dhe Zogoll Sheno, ndërsa i katërti ishte zhdukur. Një vajzë i tregoi Bido Kukës se repartet e ushtrisë shqiptare disa ditë më parë kishin rrethuar të gjithë brezin bregdetar. Nga nëntë “elfët”, katër u vranë, një u zhduk dhe katër shpëtuan.
Misioni i dytë u nda përsëri në dysh: Grupi i Korçës, i udhëhequr nga Sefer Musho dhe grupi i Gjirokastrës, i komanduar nga Bardhyl Gerveshi. Në ndryshim nga grupi i Bido Kukës, i shpëtuan gjuetisë së ushtrisë dhe të policisë. Por vunë re shumë shpejt mosbesimin që i rrethonte, pavarësisht se regjimi i Enver Hoxhës urrehej nga popullsia. Pasi u kthyen të gjithë në Greqi, bënë një raport të detajuar të situatës.

Kishte lindur një lëvizje antiqeveritare, shqiptarë të ndryshëm ishin arrestuar, torturuar nga sigurimi (policia sekrete e Tiranës) dhe eliminuar, njerëzit tregoheshin të interesuar, por më parë donin të shihnin impenjimin direkt dhe konkret të amerikanëve dhe anglezëve. Në OPC dhe në SIS vlerësuan, se përgjithësisht, nuk kishte shkuar aq keq. Me një stërvitje më të mirë dhe një përgatitje politike më të mirë, ishte e mundur që t’ia dilje mbanë në vendin e vetëm komunist, i cili nuk ishte në kufi me Bashkimin Sovjetik.

Një mision në dukje i lehtë, por i bërë i vështirë nga konkurrenca ndërmjet atyre që kishin pikësynime ndaj Shqipërisë ose një pjesë e tyre, si Greqia dhe Jugosllavia. Ose kërkonin ta bënin një zonë të influencës së drejtpërdrejtë, me Shtetet e Bashkuara që synonin të zinin vendin e Britanisë së Madhe. Në fund, dhe jo e fundit, ishte Italia, pika e mbërritjes së emigracionit shqiptar, me të paktën një komunitet të madh në Sicili, dhe interesa asnjëherë të fshehura ndaj Vendit të Shqiponjave, që kishin çuar në pushtimin pak përpara Luftës së Dytë Botërore. Veç të tjerave, shërbimet sekrete italiane kishin stërvitur agjentë shqiptarë gjatë luftës dhe vazhdonin t’i përdornin edhe më vonë, kryesisht nëse ishin katolikë ose të lidhur me partinë indipendentiste. Për më tepër, Romës nuk i pëlqente shumë që amerikanët dhe anglezët përdornin territorin italian si bazë të operacioneve subversive.

Si rrjedhim mund të orkestroheshin rrjedhje informacionesh për motive nga më të ndryshmet, por “inate” që përfundonin t’i kushtonin jetën personave me qëllim të mirë dhe të gatshëm për sakrifica për çlirimin e vendit të tyre. Rrjedhje informatash që shkonin me hap të njëjtë me lojën e dyfishtë të Filbit, që tashmë ndodhej në zemër të operacionit “Valuable”.
Sa për të dhënë ndonjë shembull, më 14 shtator të vitit 1949 “New Chronichel” e Londrës shkruante: “Vullkani shqiptar është në pikën e shpërthimit”.
Cyrus L. Sulzberger, korrespondent i “New York Times” më parë shkroi se “dobësimi dhe pastaj përmbysja e regjimit komunist ishin një objektiv bazë i Perëndimit”. Më vonë foli për rezistencë antikomuniste dhe rekrutim të bandave të luftëtarëve.
Në fund, më 27 mars të vitit 1950, Sulzberger tregoi për dy grupe agjentësh të zbarkuar në territorin shqiptar, “me qëllim për të organizuar ndërlidhjen me lëvizjen antikomuniste”. Ndërkohë Kim Filbi endte kontakte dhe fitonte simpati. Pasi ishte zbuluar tradhtia e tij, shumë vetë filluan të kujtojnë dehjet e shumta, të paraprira nga bisedat e gjata për operacionet sekrete, me agjentin e dyfishtë gjithmonë të gatshëm të vinte në dispozicion të miqve amerikanë njohuritë e “intelligence” angleze, me kërkesën për reciprocitet. Bile Filbi ndante mendimet me James Mc Cargar, një nga njerëzit e parë të rekrutuar në OPC, zyrë në të cilën analizoheshin operacionet për Shqipërinë dhe bëheshin debrifing-et pasi përfundonte misioni. Pikërisht në këtë zyrë, me Filbin u shprehën shqetësimet e drejta për fundin e grupit të Lepenicës në jug të Vlorës dhe për faktin që operacioni i spastrimit ishte drejtuar direkt nga shefi i shtatmadhorisë së ushtrisë shqiptare. Me gjithë dështimet, përmbysjet, humbjen e njerëzve dhe të materialeve, familje të tëra të shfarosura për raprezalje, misionet e “elfëve” vazhduan deri në fund të vitit 1953.

Filbi tashmë kishte përfunduar nën vëzhgimin e kundërspiunazhit, pasi Guy Burgess dhe Donald Mac Lean, shokët e tij të dehjeve dhe të tradhtive, ishin arratisur në Moskë. Ishte hequr që prej një muaj nga detyra në Washington, kur u vendos që të hidheshin tre grupe me parashutë. Dymbëdhjetë persona gjithsej, në tre zona të ndryshme të Shqipërisë, të konsideruara të “sigurta”.

Nuk arritën as të preknin tokën. Ushtria, policia dhe agjentët e Sigurimit po i prisnin në vend. Ata që nuk u vranë, u gjykuan menjëherë, edhe se procesi nuk pati jehonën e zhurmshme të proceseve të tjera “staliniane”. Jo të gjithë të arrestuarit u dënuan me vdekje. Por askush nuk u pa më gjallë.

Por goditja përfundimtare do të vinte më vonë. Lufta e Koresë impononte që të mos ndaloheshin operacionet subversive. Por askush nuk e kuptonte nivelin e organizimit, diletantizmin dhe sipërfaqësinë me të cilën drejtoheshin. Filbi mund të dëmtonte pak, i përjashtuar nga hallkat vendimmarrëse, por ajo që shërbimet sekrete sovjetike dhe shqiptare kishin mësuar nga robërit, përpara se t’i ekzekutonin, i kishte lejuar që të rindërtonin të gjitha etapat: nga rekrutimi i luftëtarëve, te stërvitja, te teknikat e infiltrimit, te sistemet e transmetimeve dhe kodet përkatëse.

Ndërsa ndodhte gjithë kjo, agjentët e CIA-s menduan se te Hamit Matjani kishin gjetur njeriun e përshtatshëm. Ishte konsideruar një lloj Robin Hudi, i aftë që të futej dhe të dilte nga Shqipëria, të kontaktonte me grupet e rezistencës, të zgjeronte lidhje, të rekrutonte luftëtarë të rinj. Më 28 prill të vitit 1952 Hamit Matjani, Xhelo Tresova, Zenel Shehu, Haxhi Gilja, Halil Branica, Hamit Prençi kapërcyen kufirin ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë në rajonin e Korçës. Branica u sëmur dhe u detyrua të kthehej mbrapsht. Të tjerët mbërritën në zonën e Matit, ku u takuan me grupet antikomuniste të rekrutuara pikërisht nga Matjani. Me ta qëndruan Prençi dhe Shehu, monarkistë të sprovuar dhe anëtarë të Gardës së Mbretit. Të tjerët u kthyen përsëri në Greqi.

Gjatë gjithë verës së vitit 1952, OPC-s nuk iu duk vërtet se merrte njoftime të sakta për progreset e operacioneve subversive në Shqipëri. Hamit Prençi transmetonte rregullisht, kërkonte të hidheshin materiale, të holla, armë, deri edhe një bidon me bojë bezhë. Tregonte pikat e hedhjes dhe ankohej për marrjen e materialeve. Sa keq që kishte mbetur viktimë e një aksidenti: kishte thyer krahun dhe duhej të transmetonte në aparatin Mors me dorën e majtë, pra sinjalet nuk ishin të përkryera. Ngjarja nuk ishte e vogël dhe padyshim bëri që të ngrihen disa pikëpyetje. Por si ta zbuloje nëse ishte pikërisht Prençi që transmetonte apo ndonjë operator tjetër? Mbretëresha Gjeraldinë sugjeroi se si ta zgjidhnin problemin.

“Më kujtohet – ka treguar sovrania e Shqipërisë – se Zenel Shehu më kishte lënë për të ruajtur sendet me vlerë të tij. U thashë amerikanëve që të pyesnin Zenelin se ku i kishte lënë gjërat e tij personale. Duhej të përgjigjej: “të zonjës së shtëpisë” ose “mamasë”. Por amerikanët, nga agjentët në Shqipëri, dëgjuan t’u përgjigjeshin që t’i linin të qetë dhe të mos bënin më pyetje budallaqe. Kaq mjaftoi. I besuan më shumë pyetjeve dhe përgjigjeve të koduara”.

Dhe erdhi shkatërrimi. I pari u hodh me parashutë Branica. Pastaj i erdhi radha Matjanit me Naum Sulën dhe Gani Malushin. Të gjithë u lëshuan në vendet e treguara nga Prençi dhe u kapën. Vetëm në fund të vitit 1953, kur asnjë nga operacionet e planifikuara nuk u konkretizua, dyshimet për transmetimet me radio u bënë më të mëdha. Në prag të vitit të ri erdhi goditja e fundit. Radio Tirana njoftoi se Matjani, shokët e tij dhe miqtë e tyre të rekrutuar në Shqipëri ishin kapur. Procesi i prillit të vitit 1954, përveç dënimeve të shumta me vdekje, zbuloi dhe përmasat e shkatërrimit dhe veçanërisht që për 18 muaj agjentët e Sigurimit, me ndihmën e kolegëve të KGB, kishin përpiluar dhe transmetuar mesazhe mbi të cilat bazoheshin vendimet amerikane.

Një disfatë therëse që lejoi edhe ironinë makabre të Enver Hoxhës në kujtimet e tij:
“Ne i detyruam agjentët e kapur të që lidheshin me radio me qendrat e tyre të spiunazhit në Itali dhe vende të tjera, duke bërë në këtë mënyrë lojën tonë dhe duke i mashtruar me turp padronët e tyre, që kishin dhënë prova se ishin të paaftë dhe miopë. Arritëm deri edhe që t’i bënim të hidhnin gjithçka që u kërkonim agjentëve të kapur në çark. Bandat e kriminelëve të hedhura me parashutë ose të futura nëpërmjet kufirit, sipas mesazheve tona, shkonin si deshët në thertore. Armët dhe materialet e tjera të hedhura ose të sjella prej tyre binin në dorën tonë. Me një fjalë, rrjetet e spiunazhit hidhnin ato që duhej të hidhnin dhe ishim ne që i merrnim. Agjentët e tyre dërgoheshin në gjyq dhe pasi kishin vjellë të gjithë thesin e poshtërsive të tyre, merrnin dënimin e merituar …Kanë qenë truket tona me radio, zgjuarsia, e drejta, vigjilenca revolucionare e popullit shqiptar dhe jo merita e një farë Kim Filbi, siç do dikush të na bëjë të besojmë, që bënë që të dështojnë me turp planet e armiqve të jashtëm”.

Në realitet, veçanërisht amerikanët nuk u dorëzuan kurrë deri në fund për subversionin shqiptar. Dhe veçanërisht, ngritën në këmbë një operacion sedërmadh të një “përgënjeshtrimi të pranueshëm”. Ende sot, megjithëse arkivat janë hapur dhe shumë dokumente janë deklasifikuar, disa hollësi të operacionit “Valuable” mbeten të mbuluara nga sekreti.

Përktheu nga origjinali italisht, Vladimir Bregu

Pohime të një agjenti të CIA-s
Enver Hoxha

Shënime-16 janar 1972

Lexova librin: “Dans le tourbillon de
l’histoire” (“Në vorbullën e historisë”)
të amerikanit C. L. Sulcberger. Janë kujtimet “gazetareske” të këtij njeriu, që hiqet si gazetar, por në fakt është një nga agjentët më të kualifikuar të zbulimit amerikan, CIA-s, e të djallit me të birin. Nëpërmjet këtij libri atë e shikon të hajë e të pijë me të gjithë njerëzit e sferave të larta, të dijë të gjitha të fshehtat dhe t’i besojnë misione diplomatike për t’i kryer.
Në kapitullin për Ballkanin ai zë në gojë Shqipërinë gjatë Luftës së Dytë Botërore, natyrisht me përbuzje, duke thënë se populli shqiptar “di vetëm të çajë dru dhe të shesë lajthi qosheve të rrugëve”. Urrejtja që ushqen për Shqipërinë e bën atë jo vetëm të nënçmojë luftën e popullit tonë, por, duke i ardhur keq që ne erdhëm në fuqi, zbulon intrigat dhe komplotet që kanë kurdisur anglezët, amerikanët dhe miqtë e tyre për të likuiduar “qeverinë e Hoxhës”, siç e quan ai pushtetin e popullit.

Më 1949 Sulcberger vë në gojën e Xhulian Emerit, oficer i misionit anglez te ne në kohën e luftës dhe pas luftës ministër, se “anglezët dhe amerikanët shumë e kanë tjerre deri në verë organizimin e revoltës brenda në Shqipëri”. “Unë jam i mendimit – thotë Emeri, – se me pak flori mund të ngremë viset e Veriut të Shqipërisë kundër Hoxhës, pa u bërë vonë etj.”. Ja si mendonin dhe vepronin atëherë armiqtë tanë. Tash këtë ata e pohojnë me gojën e tyre.
Sulcberger zbulon, po ashtu, se në nëntor të vitit 1949 anglezët hodhën te ne agjentë sabotatorë të përgatitur në Maltë, të cilët ne i kapëm dhe i shfarosëm. Rëndësi ka që këta i pohojnë tash vetë, se gjyqet tona të atyre kohëve çdo gjë e vunë në dukje me prova të padiskutueshme.
Po ashtu, Sulcberger, në këtë libër, vë në dukje trillimet e Titos, Gjilasit e të Dedijerit kundër vendit tonë dhe tregon se si këta u lidhën ca me Anglinë, ca me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ka rëndësi se si filloi dhe si mbaroi transformimi i tyre në agjentë.
Tradhtarët titistë Gjilas dhe Dedijer, me trillimet më të poshtra kundër nesh, me gojën e tyre, thonë se paskemi qenë ne, me regjimin tonë “policesk”, që gjoja provokonim jugosllavët, që sovjetikët dhe Stalini të kishin një shkak për të ndërhyrë ushtarakisht në Jugosllavi dhe për të likuiduar Titon. Kjo është një shpifje e ndyrë për të fshehur veprimtarinë armiqësore të tyre kundër Shqipërisë socialiste dhe për të krijuar besimin e plotë tek amerikanët se Jugosllavia e Titos po kërcënohej nga Bashkimi Sovjetik dhe nga Stalini.
Sulcberger në librin e tij pohon se ka qenë një nga amerikanët më në kuotë në qarqet monarko-fashiste greke. Ai hynte e dilte si në shtëpinë e tij te mbreti i Greqisë, te shefi i shtatmadhorisë, te Venizellosi dhe te gjenerali Van Fliti.
Sulcbergerin ngarkoi Titoja, nëpërmjet Gjilasit, që të shkonte te mbreti i Greqisë dhe te shefi i shtatmadhorisë greke e t’u propozonte përfundimin e një pakti Jugosllavi-Greqi-Turqi, që u nënshkrua më vonë .Por rëndësi ka ajo çka shkruan Sulcbergeri në këtë libër për ne dhe që po e kopjoj gati fjalë për fjalë:

“Paris, 28 prill 1953. Sonte në mbrëmje piva një gotë dhe bisedova me mikun tim të vjetër, Panajot Kanellopullosin, ministër i Mbrojtjes i Greqisë. Kur e pyeta si shkonin marrëdhëniet me Jugosllavinë dhe me Turqinë, ja ç’më tha haptazi ai: Në rast lufte nuk do të ketë ofensivë të përbashkët greko-jugosllave kundër Shqipërisë. Shpresohet që, brenda dy deri nëntë muajve që vijnë, do të arrihet të kryhet një grusht shteti, me anën e të cilit do të çlirohet Shqipëria nga Hoxha dhe nga sovjetikët. Në qoftë se do të jetë e nevojshme, trupat amerikane do të mbajnë qetësinë pas grushtit të shtetit. Grekët pranuan që të mos merren me çështjen dhe lajmëruan, gjithashtu, pak a shumë me terma jo aq të qartë, jugosllavët …

Megjithatë, në rast se grushti i shtetit nuk përfundon me sukses, me aprovimin e admiralit Karni, u vendos që nuk do të jetë e nevojshme të pushtohet Shqipëria. Kështu divizionet greke dhe jugosllave, që ishin vendosur të sulmonin Shqipërinë dhe të pushtonin vendin, lirohen për të kaluar në veri dhe në lindje”.

Kështu shkruan shkurtimisht ky agjent i regjur amerikan. Sigurisht komplotet e mëdha dhe të rrezikshme të amerikano-anglezëve janë të shumta. Ata nuk guxojnë t’i zbulojnë, por historianët e vendit tonë me fakte dhe me dokumente, i kanë nxjerrë në dritë dhe do të vazhdojnë të shkruajnë për to dhe t’i demaskojnë.
Marrë nga libri “Gjithmonë vigjilencë”, vol. 2, fq. 184 – 186./BW/

Muja akuzon mediat për tituj “bombastik”

0

RamadanMuja-kryetariKryetarit të Prizrenit,Ramadan Muja nuk i kanë pëlqyer titujt e mediave kur kanë raportuar për “konfliktin “, që ai ka me ministrin  Dardan Gashi rreth çështjes së Prevallës.  Ai akuzoi mediat se po nxjerrin tituj “bombastik” në ballina, pa pasur fake.”Unë e kam për obligim që t’ju njoftoj se nuk kam pasur asnjë takim dhe konflikt me ministrin Dardan Gashi. Ne nuk jemi në luftë mes veti. Mediat janë ato që kanë nxjerrë tituj bombastik kinse jam në luftë me ministrin Gashi.Le të mbetet në ndërgjegjen e tyre për ata tituj bombastik që kanë nxjerr”, ka thënë Muja në seancën e fundit të Asamblesë Komunale.

Në këtë seancë këshilltarët e të gjitha subjekteve politike kanë shqyrtuar situatën e krijuar në Prevallë. Ata janë pajtuar që të bëhet një raport i përgjithshëm për ndërtimet pa leje që janë bërë në këtë fshat turistik të Prizrenit.

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor,Dardan Gashi, ndërkaq ka adresuar 21 kallëzime penale në Prokurorinë Themelore në Prizren rreth degradimit të Prevallës.

11 raste kanë të bëjnë me mosrespektim të vendimit të ministrit Dardan Gashi, 3 prej të cilave janë për inspektorët e Komunës së Prizrenit që vepruan në kundërshtim me vendimin për ndalimin e aktiviteteve ndërtimore në atë zonë, 8 raste kanë të bëjnë me mungesë të lejeve të ndërtimit, 8 raste për mungesë të pëlqimit mjedisor.

Në disa sosh nga 21 kallëzimet penale, pronarit i është ushtruar kallëzim penal në të tri rastet: mosrespektim të vendimit të Ministrit, mosposedimit të lejeve ndërtimore si dhe mosposedimit të pëlqimit mjedisor.

Po ashtu disa kallëzime penale janë ngritur për personat që nuk kanë respektuar kushtet urbanistike, grumbullim të bimëve mjekuese pa dokumentacion përkatës e të tjera.

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Gashi ka paralajmëruar se nuk do të heq dorë nga Prevalla, degradimi i së cilës i kushton shumë natyrës dhe siguron se përgjegjësit për këtë degradim do të përballen me Kodin Penal të Republikës së Kosovës.

“Pas ndryshimit të Ligjit për Amnisti”, i miratuar të enjten më datë 11.07.2013 në Kuvendin e Kosovës, asnjë kallëzim penal dhe asnjë tjetër që do të ngritet ditëve në vazhdim nuk do të amnistohet. Ky është një lajm i keq për përgjegjësit e degradimit të Prevallës por një lajm i mirë për ne, dhe për të gjithë qytetarët e Republikës” ka thënë ministri Gashi.

Kryetari i Prizrenit, Ramadan Muja, ndërkaq ngritjen e kallëzimeve penale ndaj inspektorëve të tij nuk e sheh si “luftë”. “ Ne kemi raporte të mira me Ministrinë e Gashit, sic kemi edhe me ministritë e tjera të Qeverisë së Kosovës. Nuk jemi në luftë me askënd, por mediat janë ato që po nxjerrin tituj bombastik”, ka thënë Muja. /PrizrenPress.com/

AAK-ja dhe LDD-ja, nesër emërojnë Lulëzim Kabashin për kryetar të Prizrenit

0

Lulzim Kabashi LDDLulëzim Kabashi do të emërohet nesër(e hënë) kandidat i AAK-së dhe LDD-së për kryetar të Prizrenit. Tubimi do të mbahet në Shtëpinë e Kulturës “Xhemajli Berisha” në Prizren nga ora 12:00.

Emërimi i Kabashit për kryetar të Prizrenit, do të bëhet nga lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj dhe ai i LDD-së, Nexhat Daci.

Kryetari i AAK-së në Prizren, Fatmir Kastrati, tha se Haradinaj në ora 10: 45 minuta do të takohet me struktuarat e Degës së AAK-së , ndërsa në ora 11:15 minuta do të vizitojë Kompleksin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

“ Ndërsa në ora 11:45, Haradinaj do të vendosë lule të freskëta pranë lapidarit të dëshmorëve dhe përmendores së Remzi Ademajt”, tha Kastrati.

Lulëzim Kabashi, në zgjedhjet e 3 nëntorit të këtij viti, do të jetë kandidat i përbashkët i koalicionit LDD-AAK për kryetar të komunës së Prizrenit./PrizrenPress.com/

Ekzekutivi i Rahovecit, shqyrton ecurinë e projekteve

0

Rahoveci5-22Ekzekutivi i Rahovecit ka shqyrtuar ecurinë e projekteve të infrastrukturës me përfaqësuesit e kompanisë mbikëqyrës. Ata kanë shkëmbyer idetë e tyre për mundësinë e shtimit të mbikëqyrjes sa më të mirë të punëve në terren.

Shef i Zyrës së Prokurimit, Jetulla Kabashi, tha se ecuria e shpalljes së tenderëve është relativisht e mirë, edhe pse pranoi se ka pasur ngecje në disa raste. “Po punohet që edhe projektet e mbetura të publikohen, ndërsa nga drejtorët është kërkuar që të jenë më të shpejtë në përgatitjen e materialit të nevojshëm”, tha Kabashi.

Drejtori i Drejtorisë për Financa dhe Buxhet, Afrim Limani tha ndërkaq se po bëhen përpjekje që edhe me pagesa të ketë ecuri sa më të mirë.” Po bëjmë përpjekje që të mos mbetemi prapa me pagesa”, tha Limani.

Kryetari Smajl Latifi, në këtë takim ka kërkuar që të raportohet rreth disa projekteve më të mëdha.

Ai tha se që krahas punimeve dhe realizimit të projekteve duhet të bëhen edhe pagesat, aq sa ka mundësi buxhetore. Sipas tij, punimet janë duke u ekzekutuar në rrugët e fshatrave Dejnë, Drenoc-Bërtatin, Çifllak, Krushë e Madhe, Nagac, Pataqan i Epërm, Nashpallë, Drenoc, Hoqë e Vogël, Celinë, Apterushë-Reti, Pataqan i Ulët, Fortesë, Brestoc, Malësi e Vogël, Ratkoc, rrugët “Shkëlzen Zllanoga” e “Sakip Bellaqa” , “28 Nëntori” në Rahovec, ndërrimi i kulmit të ndërtesës së administratës komunale, ndërtimi i kanalizimit të ujërave të zeza në Dobidol, kanalizimi në Krushë të Madhe, Guri të Kuq, Nashpallë, Zatriq, Reti, Sapniq, Vrajakë, si dhe investimet në rregullimin e mirëmbajtjen e rrugëve fushore. Kryetari Latifi kërkoi që rrugët fushore të trajtohen sa më mirë të jetë e mundur.“Rrugët fushore janë jetike për bujqit tanë”, tha Latifi./PrizrenPress.com/

Dy togje të FSK-së në Turqi dhe Holandë

0

FSK6-02Në Komandën e Forcave Tokësore të Forcës së Sigurisë së Kosovës, në kazermën ,,Adem Jashari’’, sot u përcollën për jashtë vendit dy togje të FSK-së. Njëri udhëtoi për Turqi dhe tjetri për Holandë.
Një tog prej 33 pjesëtarëve, nën komandën e Major Enver Vocës, udhëtoi për në Republikën e Turqisë, ku në kuadër të bashkëpunimit bilateral në mes të Ushtrisë së Turqisë dhe FSK-së, do të marrë pjesë në trajnimin dy javor të “Kërkim – shpëtimit urban”.

Togu tjetër prej 30 pjesëtarëve, nën drejtimin e Toger Fatbardha Osaj, udhëtoi për të marrë pjesë në ,,Marshin tradicional katër ditor në Nijmegen të Holandës’’.

Ky është një marshim i ushtrive të botës, ku FSK-ja në dy vitet e kaluar ka qenë ndër të parat dhe është nderuar me medalje.

Për ti përcjellë këto dy togje jashtë vendit kishte dalë komandanti i Komandës së Forcës Tokësore (KFT) të FSK-së gjeneralmajor Rrahman Rama dhe Shefi i Shtabit të KFT-së kolonel Naim Haziri dhe epror të tjerë,transmeton Telegrafi.

Gjeneral Rama ,duke i përshëndetur pjesëtarët e FSK-së, iu uroi sukses në trajnime, duke kërkuar që ta përfaqësojnë denjësisht FSK-në dhe Kosovën. Kurse garuesve në Holandë ju uroi sukses me kërkesën që të përsërisin suksesin e dy herave të kaluara dhe të kthehen me rezultate të larta nga marshimi në Holandë.

Pikaso i besonte vetëm Gjon Milit

0

PikasoKur Gjon Mili mbërriti për herë të parë në studion e Pikasos, ndjeu sesi drita që ishte gjithnjë bashkudhëtarja e tij u zhduk menjëherë sapo tablotë e mëdha shpërndarë kudo në hapësirën e madhe u shfaqën para tij. Ishte viti 1948 dhe fotografit shqiptar nuk i ishte dashur shumë të gjente studion e artistit në Vallauris, në Francën e Jugut, ku Pikaso ishte vendosur për të punuar, transmeton Gazeta-Shqip. Me sy ai kërkoi çelësin e dritës dhe kur nuk e gjeti shkoi tek dritarja dhe e hapi.

Një dritë e lehtë çau dalëngadalë errësirën dhe subjektet në tablotë e pikturuara sikur morën një tjetër kuptim. I veshur thjesht me pantallona të shkurtra, siç ishte duke punuar, Mili iu lut mjeshtrit të vendoste duart kryq dhe të shikonte nga aparati i tij. Një mori shkrepjesh do të ktheheshin në fotot më të mira të realizuara për Pikason gjatë gjithë jetës së tij. Në vazon me lule mbi tryezën e drunjtë, Mili këputi një lule dhe ia vendosi mjeshtrit lehtë në kokë. Njeriu që i kishte dhënë aq jetë luleve, tashmë ishte i gjithi nën fuqinë e saj.

Por eksperimenti që më pas do të ndikonte dhe në pikturat e realizuara nga Pikaso ishte drita. Si fotograf novator, Mili e kishte zbuluar dritën si një element që i jepte një tjetër fuqi imazheve. Duke ia treguar Pikasos, ky i fundit do të mahnitej nga forca e saj, duke e derdhur më pas në ngjyra. Pikaso dallohej për tendencën për të shtyrë kufijtë e vetes dhe kur Mili i tregoi rrugën për të pikturuar përmes dritës, ai pranoi menjëherë. Vizatimet e dritës shfaqin Pikason duke lëvizur një dritë për të krijuar një figurë të ngjashme me kafshën që çirret në pikturën e tij, apo gruan plot forma tek “Ëndërrimtarja”. Për të krijuar efektin hipnotizues, Pikaso mbante në dorë një elektrik të vogël të cilin e lëvizte në një dhomë të errët. Për fotot u përdorën dy aparate, njëri për të kapur pamjen ballore dhe tjetri atë anësore. Duke lënë objektivin të hapur, Mili kapi vijat e dritës si vorbulla në hapësirë.

Tridhjetë fotografi janë realizuar me Pikason duke vizatuar me dritë. Nga viti 1948 deri në vitin 1967, për dy dekada, Pikaso dhe Mili do të kishin një miqësi të veçantë. Askush si Mili nuk do të mund futej thellë në psikikën e artistit dhe për ta dhënë këtë psikikë përmes fotove të rralla. Mili dhe Pikaso më shumë se miq ishin dhe dy artistë që sipas kritikës u influencuan nga arti i tyre. Kur Mili e vizitoi Pikason sërish në Vallauris, ai jetonte me Françoise Gilot, e dashura e tij prej dhjetë vitesh me të cilën kishte një djalë, Claude. Në kopshtin e shtëpisë së tyre, Mili ka realizuar një set fotosh të gruas së dashuruar me djalin. Por ajo çfarë i bën fotot e Milit të veçanta është karakteri që ai u jep atyre. Njohës i mirë i Pikasos, ai mundohet të vendosë në çdo fotografi detaje të cilat janë në thelb dhe arti i piktorit. Interesante janë dhe fotot ku Pikaso shfaqet me maskën e një gomari, të cilën Mili e gjeti në studion e tij kur e vizitoi në vitin 1967. Në atë kohë Pikaso sapo kishte dalë nga dëshpërimi i thellë që e pushtoi pas ndarjes me muzën e tij të vetme, Françoise.

Ai jetonte me gruan e dytë, Jacqueline Roque, dhe ky kolazh fotosh ku trupi i Pikasos shfaqet i zhytur nën portretin e një gomari, është një alegori e madhe për të shkuarën. Takimi i Milit me Pikason ishte një ngjarje e madhe për revistën “Life” dhe në vitin 1968 kryeredaktori i revistës, George P. Hunt, shkroi një shkrim special për këtë. Fotot e realizuara nga Mili për Pikason vijojnë të jenë si një libër për të lexuar mendjen e artistit, që shumë pak foli për vete, por vetëm pikturoi. Një nga fotografitë që vijon të ekspozohet në galeritë më të njohura të artit është ajo me titull “Pikaso duke vizatuar me dritë”. Në vitin 1952, në Paris, Mili hapi një ekspozitë kushtuar Pikasos.

Në albumin biografik të Pikasos, fotot e artistit shqiptar zënë një pjesë të madhe të hapësirës. Emri i Gjon Milit renditet në morinë e fotografëve më të njohur botëror. Ai nuk e mohoi asnjëherë origjinën e tij shqiptare dhe pse ishte vetëm 5 vjeç kur e la Shqipërinë. Për 15 vjet, ai punoi në revistën e njohur “Life” dhe fotot e realizuara prej tij, përbëjnë një pjesë të rëndësishme të fondit të kësaj reviste, e cila herë pas here i risjell në vëmendjen e publikut, për të kujtuar një ikonë të fotografisë botërore, e cila kërkonte t’i shikonte gjërat përmes dritës… Fotot e publikuara me rastin e 40-vjetorit të vdekjes së Pikasos janë ndër më të rrallat në jetën e artistit dhe e sjellin atë në momente të ndryshme të jetës, në një stil që nuk ndryshon shumë nga ai i pikturave të tij…

Nëna që lutet të vdesë para mëngjesit

0

familja e varferTre kilometra larg kompleksit memorial të Jasharëve në Prekaz, fshat ky që u bë simbol i rezistencës dhe lirisë, në një nga lagjet e tij, atë të Nezajve, banorët nuk po e jetojnë shtetësinë.

Në këtë lagje, një nënë lutet të mos e presë mëngjesin gjallë, duke menduar vazhdimisht se me çfarë do t’i ushqejë të nesërmen fëmijët e saj, me çka do t’i veshë e mbathë, me çka do t’i ngrohë… Lutjet e saj drejtohen te Zoti.

Me tërë qenien e saj ajo lutet në netët me shi, që forca hyjnore të ndalë shiun dhe të mos i lagë dy fëmijët e saj. Kjo nënë, uron që vera të zgjasë më shumë dhe fëmijët t’i fl enë të qetë natën pa iu pikuar pikat e shiut mbi trup, shkruan Zëri.

Familja Veliu jeton që nga paslufta në shtëpinë e improvizuar, me kulm llamarine, i cili është i padobishëm kur moti merr me shi dhe borë, me dysheme nga dërrasa të kalbura, me gjësende të huazuara… Institucionet për ta nuk bënë asgjë, madje edhe ndihmat humanitare për rindërtimin e shtëpisë së kësaj familjeje pas luftës u vodhën.

Çifti Hetem dhe Lumnije Veliu, nuk gëzuan ndihmën e shtetit, as në rastin kur Lumnija u diagnostikua me kancer të gjirit dhe trajtimi i saj do t’i kushtojë mijëra euro.

Shpirti i trazuar i një poeti

0

Ersa Fryn si me pareQazim Muska është një ndër ata letrarë të rrallë që u ka ngelur poezia si gjaku në deje, por nuk janë ngutur t’i shfaqen lexuesit. Ndoshta nga modestia. Ndoshta të munduar prej mendimit se të jesh poet do të thotë të jesh shok me diellin, në yllin tënd të digjesh, që të ndezësh yllin e të tjerëve, siç edhe duhet të jetë misioni e synimi i poetëve të vërtetë. Mendoj se këto do të kenë qenë arsyet që autori i vëllimeve “Mëkat të flesh dhe kur je zgjuar” dhe “Era s’fryn si më parë”, i lindur më 1965, t’i nxjerrë në dritë librat e tij në vitet 2012 dhe 2013.

Apo mbase ka pritur kohën kur do të kishte ç’të thoshte për të qenë vetvetja në çdo varg e në çdo fjalë – zë e ndërgjegje bashkëkohësish. Por, përtej këtyre hamendjeve, ajo që mund të thuhet me siguri është se vjershat e përfshira në të dy vëllimet e përmendura mbajnë vulën e shqetësimeve të tanishme, jehona të së shkuarës së afërt e pikëpyetje për të ardhmen e derdhur në krijime lirike me tharmë e theks dramatik tronditës, konkretizuar në vjersha, të cilat veçmas e bashkërisht, të shumtën e herëve përmbajnë mall e brengë, fuqi durimi e gëzim shpresimi, mendim e grishje, tingëllim fjale e vargu.

Është kënaqësi të vërehet se shpirti i trazuar i poetit prej dallgëzimesh gjeratoresh të kohës, sikurse mendimi i shqetësuar prej çështjes nga vijmë, ku jemi e ku po shkojmë, kanë gjetur në vjershat e vëllimeve në shqyrtim emëruesin e përbashkët ideoartistik, me frymën realiste të pasqyrimit, në sintonimin ideoemocional të trajtimit të çdo motivi, në përzgjedhjen e fjalës e të figurave, në shkallëzimin me theks liriko-dramatik të vargjeve zgjedhur përshtat një ndjenje trishtimi që u shëmbëllen grumbullimit të reve në pritje të ndryshimit të motit.

Konkretisht: Në lirikën intime me motive të dashurisë e të miqësisë ndeshim në dëshirën e gjaktë për të gjetur strehë e ngrohtësi në afeksione thellësisht e çiltërsisht njerëzore të një realitet egërsisht jonjerëzor, që e huazon dashurinë dhe i shpërbën verigat e shoqërisë e të miqësisë si dhe në kontrastin dramatik të këtyre ndjenjave me prirjet e çmendurisë bashkëkohore, që e bëjnë poetin të vajtojë fatin e miqve të mërguar dhe ta quajë humbjen e një shoku humbje të gjysmës së botës, ose të klithë dëshpërueshëm: Ikim, pra, e dashur/ Në heshtje/ Pa fjalë/ Kjo s’është koha jonë/ Ndoshta do të kthehemi në një epokë tjetër këtu/ Të gjallë. Me këto motive kujtojmë vjershat: I yni është mëngjesi; Ballkoni i braktisur; Vjeshtë e dashurisë së humbur; Vjen dhe ikën; Ikja që më rrënon; S’është kohë për dashuri; Ç’të bëjmë e dashur; Epoka e akullnajave; E mblodhëm botën në një vend; Nëse një ditë; Moli i vjetër; Më pas; Pa ty; Sonte pa ty; Kam frikë të them “Të dua”; Të thashë; E pashë dashurinë; Ti je e thjeshtë; Më kot; T’ia rrëmbeja brengën; Përmbytje…

Nuk janë thjesht lektisje dashurie. As thjesht blatime miqësie nuk janë. Janë më shumë se kaq, sepse janë dashuri e miqësi kohësh të trazuara, ngarkuar me shtrëngatë e tramundanë, me ndarje të dhembshme shokësh, me pasiguri dhe me udhëkryqe nga lindin shpërthime tronditëse: Ç’të bëjmë e dashur, ç’të bëjmë me veten tonë?/ Si erdhi kaq shpejt ky Shën Bartoleme/ Kur ne përplasemi verbtas ndër ciklonë/ Që si një makth kllapie fryjnë për ne?

Në vazhdim vlen të përmendet se Qazim Muska është ndër të paktët poetë të sotëm, që i është kthyer temës së atdheut, gjë që po të kihen parasysh erërat kozmopolite që fryjnë nga të katërta anët dhe distancimin gjithnjë e më dukshëm të politikanëve, intelektualëve e letrarëve prej frymës kombëtare të Rilindjes e të letërsisë së shekullit XX, përbën një tjetër meritë të padiskutueshme dhe një vlerë të shtuar, pasi tema e atdheut është përthyer në vargjet e tij me theks elegjiak bashkëkohor dhe me ngjyrim stili vetjak të përshtatshëm për t’u përcjellë lexuesve brengën e thellë për të sotmen e shqetësimin e madh, për të ardhmen në një ndërthurje motivesh patriotike e shoqërore. Nuk kuptohet pse dashuria për vendlindjen dhe për popullin, evokimi krenar i historisë dhe ndjenja e etnicitetit kombëtar, shprehja e dhembjes për vithisje vlerash dhe ndërgjegjja e përgjegjshmërisë për sigurimin e mbijetesës në një epokë integrimesh e globalizmi, disave iu duken folklorizëm, romantizëm i perënduar dhe ideologji nacionalkomuniste në kohën kur, për të përdorur fjalët e Migjenit, nacionalizmi i të tjerëve po na i përzhit fytyrat. Apo atdheu, përpara se t’u drejtojë bijve të vet pyetjen ç’duhet bërë, nuk e paska të drejtën të gjëmojë: Jam zogu në pritë i çiftes së gjahtarëve!/ Jam bukuria e këputur nga trupi i fazanëve!/ Jam mish i copëtuar, ushqim i luanëve!/ Jam qengji në hell për darkën e të marrëve!… Jam mali që barkun ma zbrazën me abort!/ Jam deti që më prenë me gërshërë si letër!/ Jam pylli që më dogjën dhe ndezën cigar’!/ Jam lumi që qaj për shtratin e vjetër!

Një atmosferë zymtësie, depërtuar aty-këtu prej shkëndijimeve lirike të natyrës, vezullime bukurie e malli për troje etnike dhe përmendje tradite, përshkon edhe vjershat me motive qytetare e politike, në të cilat ndihet një sens i përmbajtur, po i thellë kritik shpërndarë herë në formë dilemash, herë në frymë satirike. Në këtë pjesë krijimtarie pleksen si në një ngërç reflektime të dyzuara për të shkuarën socialiste, maraze të sotme dhe dilema për të ardhmen, që në disa krijime marrin ngjyrime pesimiste ushqyer prej mosbesimit e pafuqisë.
(e.m/GazetaShqiptare/BalkanWeb)