9.8 C
Prizren
E shtunë, 4 Maj, 2024

‘1 milion arsyet’ për protestën e 18 prillit, sipas Kurtit e Limajt

Dy përfaqësues të partive opozitare që kanë bërë thirrje për protestën e 18 prillit- Albin Kurti i Lëvizjes Vetëvendosje dhe Fatmir Limaj i Nisma për Kosovën- kanë folur sonte në emisionin “Jeta në Kosovë” për arsyet që i shtynë ata që t’i thërrasin qytetarët të dalin sërish në rrugë, më pak se tre muaj pasi sheshet e Prishtinës u përgjakën nga një protestë e dhunshme.

Në intervistat e ndara, Kurti e Limaj i kanë thënë Jeta Xharrës se protestat janë e vetmja rrugë për t’i kthyer proceset në binarë, pasi që të dy e shohin shtetin “të kapur” nga strukturat e partive në pushtet- PDK dhe LDK.

Sipas Kurtit, janë protestat të cilat mund t’i sjellin lëvizje pozitive vendit.

Dhe këtë ai e bazon në rezultatin që nxorën dy protestat e kaluara të 24 dhe 27 janarit të cilat e shtynë kryeministrin Isa Mustafa ta largojë nga qeveria ministrin e tij, Aleksandar Jabllanoviq.

Ai pret që protestat e 18 prillit ta shtyjnë Mustafën ta largojë një ministër tjetër, Hajredin Kuçin dhe ta detyrojë kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, të japë dorëheqje.

“Protestat e 24 dhe 27 janarit kanë treguar se protestat japin rezultate. Përpara na thoshin nuk hiqet Jabllanoviqi, por ja që u bë. Tash po na thonë nuk hiqet Enver, Hasani, Hajredin Kuçi e menaxhmenti i RTK-së sepse kolapsin. Jo, nuk kolapsin por çlirohet. Ndoshta kolapsin regjimi”, tha Kurti.

Ai e pranon që reagimi është i vonë, sidomos për një peticion qytetar kundër shtrenjtimit të rrymës, por thotë se kjo nuk duhet të ndikojë që qytetarët të zmbrapsen.

“Këto pesë kërkesa janë jetike për qytetarët dhe ne i ftojmë të gjithë qytetarët që të na bashkohen në protestë”, tha Kurti.

Ai tha se nuk ka marrë leje nga policia për këtë protestë, ndërkohë që i ka bërë thirrje policisë të mos i vendosë barriera protestuesve.

“Nuk mund të marr leje për diçka që ma garanton Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut. Unë jam në protesta qe 18 vjet dhe nuk kam marrë leje kurrë”, tha Kurti.

Protestat për të cilat Kurti po u bën thirrje qytetarëve që të marrin pjesë, nga ministri i jashtëm Hashim Thaçi u paralajmëruan se do të jenë të dhunshëm.

Ndërsa Kurti pati një përgjigje për deklaratat e Thaçit.

“Në vend se të sillet si ministër i jashtëm i një shteti demokratik, Thaçi po sillet si ministër i brendshëm i një shteti diktatorial”, u shpreh Kurti.

“Ai dha një deklaratë të dhunshme për protestën tonë paqësore. Pikërisht te ky person ka dhunë, e jo te qytetarët e Kosovës”, u shpreh ai.

Për një deklaratë tjetër të Hashim Thaçi u kap edhe Fatmir Limaj, kryetar i Nismës për Kosovën.

Sot në Kuvend, Thaçi tha se një lider opozitar i ka 12 familjarë të punësuar në RTK.

Limaj tha se nuk e di në kë ka aluduar Thaçi, por u shpreh i shqetësuar për deklaratat e tij

“Nuk e di për kë e ka pasur fjalën por ai fjalim ka qenë kërcënim dhe frikësim ndaj qytetarëve që janë të pakënaqur. Regjimet e tilla ose të fusin në burg ose të kërcënojnë”, tha Limaj.

Ai e pranoi se nga familjarët e tij, vetëm një motër e tij punon në RTK si grimere, por problemin me RTK-në e sheh diku tjetër.

“RTK është temë sepse ShIK-u e ka marrë kontrollin e RTK-së, ka censurë në RTK. Nëse vazhdon kështu, RTK është duke u rrënuar dhe nuk duhet ta lejojmë rrënimin e një institucioni i kapur nga nëntoka”, tha Limaj.

Ai tha se protesta e së shtunës do të jetë paqësore, ndërsa ironizoi me paralajmërimet e Hashim Thaçit për protesta të dhunshme.

“Qeveria po paralajmëron protesta të dhunshme. Unë nuk e di a është qeveria organizatore e protestave. Nëse qeveria është duke organizuar protesta, ose duke tentuar t’i prishë protestat, është diçka tjetër. Protestat tona do të jenë paqësore. Ne distancohemi nga çdo akt dhune, nga çdo provokim”, tha Limaj.

“Janë 1 milion arsye, 1 milion motive për të protestuar dhe secili ka motivet e veta. Në këtë vend është problem të mos gjesh sebep për të protestuar”, u shpreh kryetari i partisë Nisma për Kosovën./Kallxo.com/

Më Shumë

Aksidenti me fatalitet në Suharekë, shoferja dyshohet se nga pakujdesia kaloi në shiritin e kundërt dhe u godit me motoçikletën

Policia e Kosovës përmes raportit 24-orësh ka dhënë detaje lidhur me aksidentin me fatalitet që ndodhi të dielën në Shirokë të Suharekës, ku për...

Gabimi i Noes

Enver Sulaj Sot bie shi mbi çatinë time Dhe mbi qepallat tua të egërsuara nga mërzia e stinës. Diejt e përflakur janë zbehur sot Vranësira ka hijezuar të papriturën...

Lajmet e Fundit