15.7 C
Prizren
E martë, 13 Maj, 2025

Siguria në Malishevë: Viti 2015, pa asnjë vrasje dhe pa asnjë grabitje

Sot është mbajtur mbledhja e gjashtë e rregullt e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB) në Malishevë, ku u tha se, nga janari i këtij viti dhe deri më sot, në Komunën e Malishevës, nuk është shënuar asnjë rast i vrasjes dhe asnjë rast i grabitjes, për çka edhe llogaritet që Malishevë, është rajoni më i sigurt në vend.

“Faleminderit të gjithëve, për kontributin e juaj në ruajtjen e një situate të qetë dhe stabile në Malishevë. Ne jemi ata që duhet ta krijojmë këtë klimë të sigurisë për të gjithë”, tha në fillim të mbledhjes së KKSB-së, nënkryetari i Komunës së Malishevës, z.Rexhep Mazreku, i cili edhe e ka drejtuar mbledhjen e sotme.

Duke folur për situatën e sigurisë së përgjithshme në territorin e Komunës së Malishevës, komandanti i stacionit policor në Malishevës, kapiteni Halil Morina, tha se “ka rënie të rasteve të krimeve”. “Gjatë këtij viti, nga janari e deri më sot, nuk është shënuar asnjë rast i vrasjes dhe asnjë rast i grabitjes (vjedhje e rëndë nën kërcënimin e armëve), ndërsa ka rënie të dukshme të rasteve tjera kriminale”, tha kapiteni Morina, i cili falënderoi edhe qytetarët për bashkëpunimin e mirë me policinë, me qëllim të krijimit të një ambienti të qetë dhe të sigurt për të gjithë.

Edhe drejtori ri Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, z.Ahmet Morina, duke folur për angazhimet e drejtorisë që drejton, tha se “gjatë këtij viti, me gjithë problemet e paraqitura, si ethet hemorragjike, zjarret dhe erërat e fuqishme, nuk është shënuar asnjë rast i vdekjes të qytetarëve të Komunës së Malishevës, as nga EHKK dhe as në raste tjera”. “Për këto çështje ka qenë një angazhim i përbashkët i të gjitha strukturave, si shëndetësia, zjarrfikësit, policia dhe të gjithë faktorët tjerë dhe falë këtij angazhimi, kemi pasur një vit të suksesshëm në menaxhimin e këtyre dukurive”, tha drejtori Morina.

Në mbledhjen e sotme, u diskutuan edhe dy çështje tjera me rëndësi, e para për sensibilizimin e opinionit për rrezikun e përdorimit të mjeteve piroteknike, që zakonisht ndodhin në fund të vitit, ku u tha se, pavarësisht që në dy vitet e fundit, përdorimi i tyre ka shënuar rënie dhe nuk ka pasur raste të lëndimeve, angazhimi i të gjithë faktorëve, nuk do të mungoj as këtë vit, në mënyrë që të mos ketë probleme dhe të përdoren sa më pak që është e mundur, mjetet piroteknike.

Ndërsa, çështja e dytë, ishte sensibilizimi dhe vetëdijesimi i rrezikut nga përdorimi i lëndëve narkotike, ku koordinatorja e QKMF-së në Malishevë, znj.Valbona Gashi, e prezantoi një hulumtim të bërë për rrezikun e përdorimit të lëndëve narkotike të ligjshme (duhani, alkooli) dhe atyre të paligjshme (drogat). Koordinatorja Gashi, bëri një njoftim për ligjëratat e mbajtura rreth kësaj dukurie me të rinjtë e shkollave të mesme, ku i kanë njoftuar ata për rrezikun e përdorimit të këtyre lëndëve narkotike, dëmet në aspektin shëndetësor, social dhe material, si dhe për nevojën e angazhimit të të gjithë faktorëve, në parandalimin e përdorimit të narkotikëve.

Lidhur me këtë çështje, komandanti i stacionit policor, kapiteni Morina, tha se “Policia e Kosovës, është e angazhuar 24 orë në luftimin e kësaj dukurie, e cila për policinë, ka tolerancë zero”. “Ne jemi shumë të angazhuar dhe në kujdes të shtuar, por mund të them se në Komunën e Malishevës, kjo dukuri nuk është e shprehur”, tha kapiteni Morina.

Më Shumë

Michael Myers JR, MVP i ndeshjes Trepça-Bashkimi

Ndjekësit në rrjetet sociale të Federatës së Basketbollit të Kosovës kanë votuar Michael Myers, MVP i ndeshjes Trepça-Bashkimi. Sipas FBK-së, basketbollisti i Trepçës ndaj prizrenasve...

KRU “Hidroregjioni Jugor” shkyç konsumatorët me borxhe të akumuluara

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Hidroregjioni Jugor” në Prizren ka njoftuar se ka filluar shkyçjen e konsumatorëve nga rrjeti i ujësjellësit për shkak të borxheve...

Lajmet e Fundit