27.7 C
Prizren
E diel, 6 Korrik, 2025

Ka disa çështje që Blushi duhet t’i sqarojë…

Nga Arjan Vasjari

Përgjithësisht Ben Blushi është koherent në sjelljen e tij politike. I afeksionuar pas standardeve dhe gati kalorësiak në betejën e tij për ta konservuar PS-në si një parti procedurash, ai përfaqëson, ndoshta, Moikanin e fundit brenda së majtës, që ende vijon ta kërkojë te rregulli sensin e politikës si organizim. Edi Rama për shembull,nuk ka kurrkund lidhje me këtë skemë të menduari. Transhendent për antonomazi, alergjik ndaj strukturës, shpërfillës ndaj disiplinës së grupit, kryeministri mishëron simbolikën perfekte të antipolitikës. Jo rastësisht, po mbush shtatë vjet pa u votuar si kryetar i socialistëve! Në këtë kuptim, Blushi ka plotësisht të drejtë kur e sulmon se është në një flagrante delicto në raport me statutin e partisë. Mirëpo bash këtu marrin udhë disa çështje që Blushi duhet t’i sqarojë publikisht. Sepse nuk janë thjesht çështje të procedurës politike, por të moralitetit politik, bartës i të cilit, zoti Blushi pretendon se është në atë parti.

Fjala vjen: çfarë ka ndryshuar sot, në sjelljen e Edi Ramës ndaj statutit të Partisë Socialiste, krahasuar me sjelljen e tij pas zgjedhjeve të vitit 2009? Cilësisht, asgjë! Në të dyja rastet, dokumenti themeltar i socialistëve është shkelur me këmbë. Statuti i socialistëve ia ndalonte Edi Ramës të vijonte të ishte kryetar i saj nëse humbte zgjedhjet. Ben Blushi asokohe, ishte i qartë në pranimin e humbjes së zgjedhjeve nga socialistët, duke besuar se “ humbja ishte jashtë kutive”, në ndryshim nga zoti Rama, i cili qartësisht besonte se “rezultati i zgjedhjeve qëndronte brenda kutive”. Se ku ishte e vërteta e atyre zgjedhjeve, nuk u mor vesh kurrë, por ndërkaq zoti Blushi, jo vetëm në heshtje, e pranoi kompromisin e shkeljes së statutit dhe asnjëherë nuk vuri në dyshim seriozisht legjitimitetin e zotit Rama si kryetar i Partisë Socialiste. Atëherë, më rezulton se Edi Rama është shumë më i “sinqertë” në arrogancën e tij për të përsëritur shkeljen e statutit publikisht, sesa Blushi në kritikën e tij për ta toleruar shkeljen e statutit, kur i intereson, dhe temperuar, kur nuk i intereson. Çështja është, a ka një “pse” morale kjo inkoherencë qëndrimesh ndaj statutit nga ana e Ben Blushit? Në fund të fundit “..moraliteti i sjelljeve tona nuk është çfarë duam, por pse e duam…”, thoshte Kant. Këtë, Blushi duhet ta sqarojë.

Në të famshmen letër të hapur drejtuar socialistit imagjinar (por jo vetëm) në prill të 2015, retorika e pyetjes së 100-të që Blushin e mundonte ishte: “A e di se, partitë e atyre që vranë në bulevard janë ende në aleancë me ne?”. E kam përgjithësisht të vështirë të besoj se zotit Blushi iu deshën pothuajse dy vjet për të kuptuar se LSI, pra, ajo që kishte vrarë në bulevard, po qeveriste me partinë e tij. Nuk besoj se një mendje e kultivuar si ajo e Blushit, kishte nevojë për kaq shumë kohë që të elaboronte një të dhënë të tillë. Megjithatë, nuk ka rëndësi… Sot Blushi është i kthjellët se socialistët kanë asgjësuar 21 janarin dhe përgjithësisht kauzën e tyre morale, kur vendosën të qeverisin me LSI-në. Çështja është esenciale dhe Blushi duhet të sqarojë esencialisht dy gjëra: e para, a duhet që socialistët të vijojnë aleancën me ata që, sipas tij, “kanë vrarë”? E dyta, a beson Blushi njësoj si në 2013-ën, kur deklaronte për MAPO se “socialistët mund të fitojnë pa LSI-në,madje mund të fitojnë më mirë”? Janë çështje, që Blushi duhet t’i sqarojë njëherë e mirë, për të kuptuar se cili është kufiri i tij i tolerancës morale në politikë.

Çështja tjetër është edhe më delikate. Blushi, duke pasur një raport shumë më të përpunuar me fjalën, ka një qëndrim antiqeveritar disa herë më të artikuluar edhe se vetë opozita politike e vendit. Në terma të kritikës, qëndrimi i tij ndaj Edi Ramës është më shumë se i ashpër, është asgjësues. Ai e akuzon atë si të dështuar në gjithçka. Të dështuar në ekonomi, të dështuar në rend publik, të dështuar në shëndetësi, të dështuar në fisk, të dështuar në rrafsh social, të dështuar në infrastrukturë, të dështuar në punësim, të dështuar në parlamentarizëm, të dështuar në politikë etj., etj., etj. Atëherë, nëse është kështu si thotë Blushi, shkelja e procedurës dhe statutit të socialistëve prej Ramës është një Theatre du Vaudeville, krahasuar me dramën që i paska shkaktuar Shqipërisë. Që do të thotë: Blushi ka plotësisht të drejtë që, në emër të statutit të shkelur prej tre vjetësh, të kërkojë votimin e Edi Ramës si kryetar i socialistëve. Por, a është i gatshëm që, në emër të programit politik të shkelur sipas tij prej Ramës, por edhe të dialektikës demokratike të alternancës t’u thotë socialistëve se, nuk duhet vetëm të votojmë kryetarin prej nesh, por të votojmë edhe partinë prej shqiptarëve? Pra, Blushi duhet ta bëjë të qartë dhe pa ekuivoke nëse për atë, Edi Rama është më shumë problem si kryetar i paligjshëm i socialistëve apo si kryeministër i dështuar i shqiptarëve, siç thotë ai. Kjo duhet bërë edhe për të fashitur zërat se beteja e tij kundër Ramës frymëzohet vetëm prej një aspirate karriere dhe asgjëje tjetër.

Nuk besoj se Blushi e ka të vështirë t’i qartësojë këto pak çështje (ka edhe të tjera sigurisht), që veç të tjerash, nuk pretendohen për herë të parë prej tij. Ka të ngjarë, ta ketë më të vështirë të zgjojë besimin tek socialistët që mund të mendojnë njësoj si ai. Duhet pranuar se braktisja e pashpjegueshme e Lëvizjes për Mendimin Ndryshe, e ka ndryshuar disi mendimin për lëvizjen e tij. Sepse, problemi tani nuk është te besimi rreth atyre që thotë Blushi, por te Blushi. Ndoshta, duke qartësuar çështjet e mësipërme, do krijojë mundësinë që t’i besohet edhe një herë tjetër. Ndoshta…

Më Shumë

NGOM Fest nis sonte në Kalanë e Prizrenit

Festivali Ndërkombëtar i Muzikës, NGOM Fest, që është bërë një nga ngjarjet më të rëndësishme muzikore në Kosovë, sonte hap dyert për adhuruesit e...

Në Malishevë ka nis fushata e korrje-shirjeve me rendimente të kënaqshme

Në territorin e Komunës së Malishevës ka nisur fushata e korrje-shirjeve të grurit, e cila po zhvillohet me rendimente të larta sipas të dhënave...

Lajmet e Fundit