Isa Mustafa e Hashim Thaçi po punojnë intensivisht që zgjedhja e këtij të fundit për president të vendit të kryhet në fillim të këtij muaji.
Burime të RTV Dukagjinit kanë shpjeguar se të dy liderët e partive më të mëdha PDK dhe LDK nëse arrijnë të sigurojnë votat e mjaftueshme për zgjedhjen e presidentit dhe eventualisht të kenë pajtim me opozitën që mos të përdoret gazi lotsjellës, atëherë gjasat që Hashim Thaçi të provoj të zgjidhet i pari i shtetit, është data 11 shkurt.
Partitë në koalicion sipas këtyre burimeve po presin që opozita të mos pengoj seancën solemne përmes gazit, por që ta kontestojnë zgjedhjen e Hashim Thaçit në Gjykatën Kushtetuese për të parë nëse gjatë këtij procesi ka pasur shkelje kushtetuese.
Burimet më tej kanë rrëfyer se nëse partitë opozitare Vetëvendosje, Aleanca dhe Nisma, insistojnë që të ketë gaz lotsjellës gjatë tentimit të parë të Thaçit për zgjedhjen e tij në krye të presidencës, atëherë Thaçi do të mund të provoj zgjedhjen përmes Kuvendit më 18 shkurt, një ditë pas protestës së radhës të partive opozitare.
Burime të RTV Dukagjinit më tutje kanë shpjeguar se kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi është në gjendje që të zgjidhet në krye të shtetit edhe në sallat alternative të Kuvendit të Kosovës, në rast se opozita e bashkuar nuk do të tërhiqet nga ideja e bllokimit të seancës përmes gazit apo edhe metodave të tjera.
Mirëpo zgjedhja e Thaçit në sallën alternative do të paraqiste problem pasi që procedurat e përjashtimit të opozitës janë mjaftë të komplikuara.
Sipas rregullores së punës, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, nuk do të mund të merrte vendim për përjashtimin e komplet opozitës.
Për ta bërë kushtetuese zgjedhjen e Hashim Thaçit president pa praninë e opozitës , kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, do të duhej të pres sjellje jo konstruktive nga secili deputet veç e veç në mënyrë që t`i suspendoj një nga një.
Nëse kjo llogaritet, teknikisht do të qonte në një seancë të pafundme.