20.8 C
Prizren
E mërkurë, 1 Maj, 2024

10 vjet pa Vath Koreshin

Miq dhe kolegë do ta kujtojnë sot në një takim që do të mbahet në Akademinë e Filmit dhe Multimedias “Marubi”, ku mbante postin e Presidentit të Nderit

Nuk është rastësi që Vath Koreshi, një nga emrat më të njohur të prozës shqipe do të kujtohet sot, në dhjetëvjetorin e ndarjes nga jeta në një aktivitet në Akademinë e Multimedias dhe Filmit “Marubi”. Me emrin e Koreshit nuk lidhet vetëm letërsia, pas së cilës ai u kap fort, por dhe kinematografia, ku ai spikati si skenarist. Janë disa prodhime kinematografike ku Koreshi shfaqet si skenarist, ku më i fundit është “Dasma e Sakos”, bazuar në një novelë të tij të shkruar më 1980-n, nën regjinë e Dhimitër Anagnostit, vetëm dy vjet para se të ndahej nga jeta. “Rrugë të bardha”, filmi i realizuar në vitin 1974, i cili mbahet mend për personazhin e Dedës, interpretuar nga Rikard Larja, është shkruar nga Koreshi. Po kështu “Gjeneral Gramafoni” (1978) nën regjinë e Viktor Gjikës, dhe “Balada e Kurbinit” (1990)nën regjinë e Kujtim Çashkut, janë shkruar prej tij.

Ajo çfarë i bashkon skenarët dhe letërsinë e Koreshit është mënyra e të vështruarit të jetës. I konsideruar si shkrimtari i brendësisë, Koreshi është tejet lirik në prozën që shkroi. I lindur në Lushnjë në vitin 1936, ai do t’i përkiste brezit të letrarëve që studiuan në Universitetin e Tiranës për letërsi pas viteve ’60. Më 1964 ai përfundon studimet, për të nisur punën si gazetar më pas te “Zëri i Rinisë” ku punoi për gati 10 vjet. Më vitin 1973, teksa kishte botuar dy librat e tij të parë “Kur zunë shirat e vjeshtës” (1964) dhe “Dy të shtunat e Suzanës” (1972), Koreshi ftohet të punojë në gazetën më të madhe dhe të vetme letrare në vend “Drita”. Katër vjet do të zgjaste eksperienca e tij te “Drita” për të filluar punë më vitin 1977 si skenarist në kinostudion “Shqipëria e re”.

I dalluar mbi mënyrën sesi e strukturonte karakterin e një personazhi, Koreshi do ta kishte më të lehtë të komunikonte me gjuhën e kinemasë. Gjatë kësaj periudhe ai boton librin “Mali mbi kënetë” (1977). Në vitin 1987 ai del me profesion shkrimtar i lirë, për t’iu përkushtuar tërësisht letërsisë deri në fillim të viteve ’90, ku do të veshë mantelin e një intelektuali të angazhuar. Në këto vite ai përfshihet në politikë, dhe në vitin 1992 ai do të ishte ministër i Kulturës dhe deputet në legjislaturën XVI të Kuvendit të Shqipërisë. Pavarësisht kontributit të tij në politikë, Koreshi ruajti staturën e shkrimtarit. Janë shumë libra që ai ka lënë pas të cilët lexohen me dëshirë dhe sot, si “Rekuiem për një grua”, “Çafka”, “Një grua me të verdha” etj.

Më Shumë

Deputetja Duda Balje i përgjigjet Kurtit: Jam kundër, nuk e ndryshoj qëndrimin tim rreth Kodit Civil

Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Duda Balje dhe njëherit kryetare e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe...

Nait Hasanit nuk i lejohet t’i vizitojë ish-drejtuesit e UÇK-së në Hagë

Ish-ambasadori i Kosovës në Shqipëri dhe njëri nga themeluesit e UÇK-së, Nait Hasani, kishte bërë kërkesë për t’i vizituar Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup...

Lajmet e Fundit