12.8 C
Prizren
E enjte, 2 Maj, 2024

Kryesia së shpejti e thërret seancën për presidentin

Kuvendi Kosovës ka disa muaj që nuk është duke funksionuar normalisht për shkak të mospajtimeve pozitë-opozitë.

Edhe pse ka disa javë që ka filluar sesioni pranveror i Kuvendit, ky institucion nuk ka mbajtur asnjë seancë. Përderisa pozita është duke insistuar për mbajtjen e seancave, opozita e bashkuar me këmbëngulje është deklaruar se nuk do ta lejojë mbajtjen e tyre deri në plotësimin e kërkesave opozitare.

Shefi i grupit parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Adem Grabovci, ka bërë me dije për “Epokën e re” se Kryesia e Kuvendit të Kosovës shumë shpejt pritet ta thërrasë seancën për zgjedhjen e Hashim Thaçit president të Kosovës.

“Së shpejti do të takohet kryesia dhe do të marrë vendim se kur do të mbahet seanca. Ky vendim do të merret në përputhje me kërkesat që janë. Në seancën e cila do të mbahet së shpejti duhet të zgjedhet presidenti i vendit”, ka thënë Grabovci.

I pyetur nëse do të thirret seanca para apo pas datës 17 shkurt, Grabovci ka thënë se një gjë e tillë varet nga Kryesia e Kuvendit.

“E rëndësishme për ne është të mos lejojmë vakum institucional. Prandaj në kohën e duhur dhe në përputhje me të gjitha procedurat duhet të zgjedhet presidenti i ri”, ka thënë ai.

Se a do të zgjedhet presidenti në sallën ku mbahen zakonisht seancat plenare për shkak të paralajmërimit të opozitës se do ta bllokojë zgjedhjen e presidentit, Grabovci ka deklaruar se kuorumi e bën legjitim seancën, e jo salla ku mund të mbahet ajo.

“Kuromi e bën legjitimitetin e seancës. Për ne është e parëndësishme se në cilën sallë do të mbahet seanca. Natyrisht se do të ishte më në rregull që seanca të mbahej në sallën kryesore. Kështu që, është e rëndësishme që seanca të mbahet dhe të kalojë me ceremoni ashtu siç duhet dhe i ka hije”, ka thënë Grabovci, duke i bërë thirrje opozitës për dialog.

“I vetmi mjet i zgjidhjes së problemeve është dialogu. Çdo gjë tjetër për ne është e papranueshme”, ka deklaruar Grabovci.

Qëndrim diametralisht të kundërt me Grabovcin ka mbajtur zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje!, Frashër Krasniqi. Ai ka deklaruar për “Epokën e re” se opozita do ta vazhdojë protestën e saj në Kuvend deri në tërheqjen e marrëveshjeve dhe dorëheqjen e Qeverisë.

“Insistimi ynë është edhe më i madh, sidomos tash kur edhe Gjykata Kushtetuese na ka dhënë të drejtë, si dhe qytetarët kanë shprehur masivisht vullnetin e tyre kundër marrëveshjeve dhe kundër Qeverisë”, ka thënë Krasniqi.

Ai ka thënë se koalicioni PDK – LDK nuk ka legjitimitet për të mbajtur seancë dhe për ta zgjedhur Hashim Thaçin president.

“Kjo Qeveri duhet të japë dorëheqje. Koalicioni qeverisës nuk ka legjitimitet popullor dhe është absurde që ky koalicion ta zgjedhë një president. Nuk ka president që propozohet nga ky koalicion, që mund ta përfaqësojë unitetin popullor. Mustafa e Thaçi e kanë shkelur Kushtetutën dhe s’kanë mbështetje popullore. Ata duhet të japin dorëheqje e jo ta mendojnë presidencën”, është shprehur Krasniqi.

Liderët e tri partive opozitare, Visar Ymeri, Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj, janë takuar të mërkurën në selinë e AAK-së, ku kanë biseduar për zhvillimet e fundit politike në vend. Sipas një njoftimi të AAK-së, kryetarët e tri partive opozitare janë të vendosur në qëndrimet e tyre deri në shpërndarjen e parlamentit dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme.

Mushkolaj: Thirrja e seancës, thikë me dy tehe

Analisti politik Imer Mushkolaj ka folur rreth çështjes së seancave plenare të Kuvendit. Ai ka thënë se thirrja e seancës nga Kryesia e Kuvendit është thikë me dy tehe pasi, sipas tij, në njërën anë janë afatet e përcaktuara ligjore, në anën tjetër ka vlerësuar se nuk ka nevojë të thirret seanca pa pasur ndonjë marrëveshje.

“Kuvendi, fatkeqësisht si institucion i përfaqësimit të popullit, ka mbetur peng i mosmarrëveshjeve të partive politike”, ka thënë Mushkolaj për “Epokën e re”.

Mushkolaj ka deklaruar se nuk arsye për të thirrur seancë nëse nuk arrihet ndonjë marrëveshje në mes të pozitës dhe opozitës.

“Në këso rrethana përsëri do të kemi gaz lotsjellës dhe mbajtje të seancës në sallën alternative”, është shprehur Mushkolaj.

Sipas tij, zgjedhja e presidentit assesi nuk duhet të ndodhë nën trysninë e gazit lotsjellës.

“Zgjedhja e presidentit nën trysninë e gazit lotsjellës apo të një salle alternative nuk i konvenon askujt, pasi me rastin e zgjedhjes së presidentit është një ceremoni dhe seancë solemne. Kështu që, nuk besoj se Thaçi apo kushdo tjetër do ta pranojë një gjë të tillë”, ka thënë Mushkolaj.

Ai ka thënë se nëse nuk arrihet një ujdi për zgjedhjen e presidentit atëherë, sipas tij, akti i zgjedhjes së presidentit do ta provokojë shkuarjen e vendit në zgjedhje të reja.

Më Shumë

Moti sot me diell dhe vranësira

Moti sot parashihet të jetë me diell dhe vranësira, të cilat gjatë ditës pritet të shtohen, ku ka mundësi të sjellin ndonjë reshje të...

Familjarët e të zhdukurve përgatiten ta padisin Serbinë në Strasburg

Familjarët të cilëve u janë zhdukur më të dashurit e tyre, po përgatiten ta padisin shtetin serb në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e...

Lajmet e Fundit