12.8 C
Prizren
E martë, 7 Maj, 2024

Shpella e Shenjtë në Jeshkovë të Prizrenit, shëron “mësyshin” dhe gratë sterile

Shpella e shenjtë, që gjendet në Jeshkovë të komunës së Prizrenit, ruan në vete histori interesante, prandaj edhe sot e kësaj dite kjo shpellë vizitohet pothuajse për të njëjtat qëllime që vizitohej edhe më herët. Gratë që nuk lindin kërkojnë trashëgimtarë, edhe pse kjo traditë është zbehur me kalimin e kohës.

Nënlokja Sadbere Berisha, 86-vjeçare, nga Hoqa e Qytetit, mban mend mbi shtatë breza që e kishin treguar rëndësinë e Shpellës së Shenjtë që e kishin quajtur, shpellën e Jeshkovës e më vonë edhe “Guri i kalloxherit”, që mendohet se ka shëruar tri sëmundje.

“Nëse nuset s’kanë lindur, kur kanë ardhur këtu dhe i ka gëzuar Zoti. Nëse fëmijët apo nuset kanë pasur mësysh, këtu janë shëruar. Nëse qumështi i nënës ka ikur vetëm këtu është kthyer”, tregon ajo.

“Dikur moti vinin këtu nga Prizreni shumë qytetarë, të gjithë bashkë edhe myslimanë, edhe katolikë e besa edhe të tjerë. Këtu zinin një hallve, bënin gazmend, pastaj shpërndanin shumë ëmbëlsira, sepse këtu besonin se nuset që nuk lindnin, vinin këtu të flinin dhe mbesnin me barrë”, shprehet ajo.

“Kishte raste kur nuseve të reja u humbte gjiri vinin këtu bënin ndonjë “nezër”, edhe bënin ëmbëlsira dhe gjiri iu vinte. Nëse kishin fëmijë të bukur, atëherë vinin këtu zinin në sepet “shportë” me ve të ngjyrosura dhe shpërndanin dhe fëmijët i ruanin nga “mësyshi”. Dikur biro këtu “mësyshi” i mbyste fëmijët”, tregon për “Kosova Sot”, nënlokja Sadbere.

Historianët tregojnë për këtë vend duke thënë se njerëzit kanë krijuar kultin e besimit për shpellën, duke kaluar tri fazat e hershme të besimit pas paganizmit e këndej. Kështu në fillim ai ishte vend i shenjtë për ilirët, ortodoksët e besimtarët katolikë dhe së fundi edhe besimtarët islamë, këta të fundit e quajnë “Guri kalloxherit”.

Ëndrra e llahtarshme

Profesori i letërsisë, Shefajet Berisha, thotë se kjo shpellë është ndër historitë më të vjetra që ka dëgjuar. Lidhur me këtë pikë të lashtë të besimit e besëtytnisë, prof. dr. Nexhat Çoçaj thotë se në kohë të lashtë, pastaj si tek besimtarët ortodoksë, ashtu edhe katolikë ky ishte një vendshërim i njerëzve, duke shtuar se kjo pikë e lartë ka ajër të pastër. Shton se në kohën e krishterimit mori emrin “Shpella e shenjtë”, e cila pastaj shtyhet si pikë besimi edhe në kohën e besimit islam ku merr emrin “Guri i kalloxherit”. Ai tregon se njerëzit e vizitonin këtë gur, duke menduar se shëron shumë sëmundje.

Në një formë të njëjtë flet për gazetën edhe prof. dr. Mejdi Elezi.

“Ky gur e kjo shpellë ka edhe legjenda të tjera. Tregohet se si një djalosh ishte sëmurë rëndë dhe familjes, duke i ardhur keq se ai ishte çmendur, e dërgojnë në këtë shpellë më shumë ta lënë për të vdekur, ngase nuk e duronin. Mirëpo, pas tri ditësh djaloshi kthehet tërësisht në gjendje të rregullt mendore dhe fillon jetën. Flitet pastaj se ai njeri ishte ndër pasanikët e Prizrenit”.

Elezi tregon se në luftën fundit serbët me fanatizmin të madh e kanë ruajtur këtë pikë.

“Jo aq shumë për strategji sa e kanë ruajtur si pikë referente të serbëve dhe duke dashur që të rikthejnë, sipas tyre, këtë shenjtëri”. /Kosova Sot/

Më Shumë

Lajmet e Fundit