Ndonëse në parim mbetët mister se përse Prokuroria e Shtetit po pushon në arrestimin e njerëzve të fortë të pushtetit, nga vlerësimet e opozitës dhe njohësve të kësaj fushe e tëra kjo ndodh nga ndikimi i madh që ka politika mbi drejtësinë, Gjyqësorin e Prokurorinë. Megjithëse kohëve të fundit janë bërë disa arrestime, ato vlerësohen se nga ana e pushtetarëve aktualë janë bërë më tepër sa për sy e faqe dhe cilësohen si kozmetike. Por, jo edhe me qëllim për ta çrrënjosur në tërësi krimin e organizuar dhe korrupsionin, pasi vlerësohet se të njëjtat po bëhen sa për t’u munduar që t’i mashtrojnë ndërkombëtarët, të cilët kërkojnë në vazhdimësi zbatim të fortë të ligjit, shkruan gazeta Kosova Sot.
Deputeti nga radhët e koalicionit në pushtet nga LDK-ja, Adem Salihaj, thotë se në Kosovë bëhen arrestime të kriminelëve të vetmuar apo grupeve të vogla, të cilat nuk janë të lidhura me politikanët dhe me pushtetin, derisa në anën tjetër, sipas tij, kriminelët e niveleve të larta janë të paprekshëm dhe nuk do të arrestohen, përderisa shefat e tyre janë në majat e shtetit. “Andaj, ne kemi fatin e keq që të jetojmë në një shtet plotësisht të kriminalizuar dhe të korruptuar, dhe se asnjë shtyllë e shtetit nuk është jashtë kësaj. Kësisoj, do të duhen ndryshime radikale në skenën politike të Kosovës, në mënyrë që Kosova sadopak të bëjë ndonjë hap drejt vendosjes së sundimit të ligjit dhe luftimit të kriminelëve”, ka potencuar për gazetën, “Kosova Sot” Adem Salihaj.
Organi i akuzës, me duar të lidhura
Analisti Shefqet Dibrani në një prononcim për gazetën, “Kosova Sot” ka thënë se si duket në këtë drejtim, Prokuroria e Shtetit i ka duart e lidhura nga oligarkët politikë, derisa, sipas tij, në anën tjetër kjo gjendje është tejet shqetësuese, ngase shihet qartë se edhe arrestimet e fundit kishin të bënin më shumë me një spektakël mediatik sesa, siç tha, një përpjekje për t’i dhënë fund sundimit të oligarkëve, të cilët kanë keqpërdorur pozitat e tyre udhëheqëse, por në vazhdën e kësaj edhe për t’iu qitur hi syve ndërkombëtarëve. “Këso arrestimesh, të cilat duken si një lloj spektakli, kemi ndeshur edhe më parë, prandaj tani për tani reagimet e Prokurorisë së Shtetit duket se kanë të bëjnë me konsum të brendshëm, i cili nuk i duhet Kosovës, pasi drejtësia në Kosovë ka nevojë t’u nënshtrohet reformave rrënjësore, për t’i larguar nga vendet udhëheqëse të gjithë ata prokurorë e gjyqtarë, që kanë një të kaluar përplot hipoteka, si dhe të gjithë ata që kanë dosje të hapur, që janë të involvuar në krimin politik dhe atë ekonomik, nëse vërtet mendohet se në Kosovë do të nisë e mbara.
Por, derisa në kupolën e shtetit janë personalitete, për të cilët është folur shumë, madje janë akuzuar se janë bosat e krimit dhe të kriminalitetit, asnjëherë të mos presim për arrestime masive dhe asnjëherë nuk do të ndodhin reforma të përshpejtuara, për të cilat ka shumë nevojë Kosova”. Duke iu referuar rastit të fundit, Dibrani thotë se lë që të dyshohet se çdo veprim tjetër i Prokurorisë së Shtetit, por edhe i gjykatave do të harmonizohet me interesat që i ka kupola e krimit, e cila si duket po i orkestron disa lëvizje vetëm sa për t’u arsyetuar, dhe për të simuluar veprime që çojnë kah reforma. “Kësisoj, gjithmonë burgosjet selektive, të cilat bëhen vetëm sa për marketing nuk i duhen Kosovës, sepse ky vend ka nevojë për reforma rrënjësore, duke nisur në drejtësi që pastaj strukturat drejtuese me duar të pastra do të kenë mundësi për të vepruar si duhet edhe në sektorët dhe fushat e tjera”, ka thënë ai…