17.7 C
Prizren
E shtunë, 5 Korrik, 2025

2016, po tani?!

Ilir Yzeiri

Viti që sapo ka nisur nuk ka asnjë shenjë që do të jetë i ndryshëm nga ai që kaluam sa i takon asaj që pritet të ndodhë në këtë vend. Viti që shkoi, sidomos në çastin e ndërrimit, la një shenjë të mirë, veçanërisht në Tiranë, por edhe në qytete të tjera, si Berati apo Korça. Tirana ishte zbukuruar me shije dhe nata e ndërrimit të viteve ngjante me një natë europiane, sepse të gjithë ishin në vendin e tyre dhe të gjitha ishin në vendin e duhur. Tani po bëhet modë që gjithkush apo cilido që ka aftësinë për të shkruar, të kritikojë e të shajë dhe ngazëllimi ka shkuar deri aty sa edhe dashnorët e qeverive, ata që jemi mësuar t’i shohim gjithëherës nëpër studiot që drejtojnë si maxhordomë që servirin çorbën e radhës apo kabuninë me mish si gjellë të dytë pas përfitimit të parë për qeverinë e radhës, pra edhe ata janë bërë pesimistë dhe nuk shohin rrugëdalje për qeverinë, megjithëse e gjitha kjo ndodhi pas përfitimit të radhës. Duke parë këtë zezonë mbushur me klithma dhe ulërima antiqeveritare, unë do të bëhem optimist.

Tani jam optimist

Unë do të bëhem optimist, sepse nuk kam fuqi ta ndryshoj këtë vend. Këtej e tutje do t’i nxis të gjithë që ta duan qeverinë dhe Edi Ramën. Pasi u enda për vite e vite me radhë në shkretëtirat e verdha të inatit, të kritikës dhe të qesëndisë, e pashë se po thahesha e po vyshkesha si një bimë e verdhë. Në anën tjetër të vegimit qëndronte qeveria e Edi Ramës, e cila kishte marrë kovat dhe ujiste të njëjtat bahçe si Saliu, mbante me tenderë dhe para po ata miq dhe tëharrte po ato vreshta që kishin buisur me paret publike. Në ndryshim nga Saliu, Edi Rama kërkon më shumë rregull në vatanin që ishte bërë rrumpallë. Ai nuk lë më fshatra me drogë, nuk lë më njeri të ndërtojë si të dojë, ai nuk vret njerëz si Saliu, sepse e do fshatin e tij të qetë dhe të bukur. Ka një pasion për fasadat dhe arrin të lyejë gjithçka. Tani unë e dua qeverinë time, sepse nuk kam më asnjë fuqi për ta ndryshuar atë. Unë jam optimist se tani do të kemi më pak institucione. Për shembull ka dy vjet që nuk kemi Ministri Kulture. Po çfarë na duhet ne Ministrja e Kulturës, kujt do t’i shesim mend se dimë të shkruajmë, të pikturojmë apo të bëjmë filma. Qysh kur Edi Rama erdhi në pushtet, nuk shkruhen më libra, nuk bëhet më pikturë dhe nuk prodhohen filma. E pse u dashkan të gjitha këto? Këtë gjendje që po përjeton kultura shqiptare sot e ka provuar në vitin 1945. Edhe atëherë kultura u riorganizua dhe u vendos kriteri klasor për memorien. Edhe tani, Ministria e Kulturës dhe gruaja që rri në një zyrë nga Kinostudioja nuk e njeh më kritikën letrare, historinë e letërsisë apo atë që është krijuar më parë. Ajo njeh vetëm shokët e Kryeministrit dhe me ta hapi disa vrima apo ekspozita e panaire siç quheshin dikur, derisa gjeti vrimën e munguar, të cilën e bekoi edhe Kryeministri ynë që nuk mund t’ia hash hakun në punë të vrimave. Unë jam optimist, se tani do të kemi më pak njerëz arrogantë që shkruajnë libra, që bëjnë filma apo që botojnë studime. Tani do të flitet vetëm për vrimën, përkthimin dhe pikturat e Kryeministrit tim. Unë jam optimist!

Aktorët dhe drama nuk kanë ndryshuar

Unë jam optimist se tani do të shoh po të njëjtën telefilm me seri të prodhuara në po ato studio dhe në po ato sheshxhirime. Unë jam optimist se edhe gjatë vitit 2016 ne do të vazhdojmë të harrojmë fjalë dhe do të bjerrim edhe më germa dhe trurin tonë bosh do ta mbushim me dialogët e dramës që ka si aktorë kryesorë Berishën, Topallin, Ramën apo Ballën. Vendi ynë është një vend i lumtur, sepse nuk trishtohet as nga fati filozofik që vjen prej përtypjes së kulturës dhe as nga përlotja prej emocioneve që vijnë kur dëgjon një këngë të bukur. Unë jam optimist se vendi im po i tret të gjitha. Mezi pres të vijë dita kur nuk do të kemi më asnjë këngë shqip që ta këndojmë nën zë, kur nuk do të kemi asnjë libër në shqip që ta lexojmë, kur do të mbyllen galeritë dhe Kryeministria do të kthehet në sallë kinemaje, në muzeum, në librari dhe galeri arti, ndërsa Ministria e Kulturës do të jetë një godinë në formë vrime, ku njerëzit do të shohin se si lëvizin organet tona jetëdhënëse në drejtim të të tjerave organe jetëdhënëse dhe do të ngazëllehemi të gjithë kur lëngu jetëdhënës do të spërkasë muret e Ministrisë së Kulturës që tashmë do të jetë vrima jonë e përbashkët.

Unë jam optimist se të çmendurit e vendit tim, me në krye Sali Berishën, do të shtohen edhe këtë vit, sepse skena ku ata luajnë dhe teksti që ata recitojnë është një makabritet i shkëlqyer, pa të cilin ne nuk jetojmë dot. Unë jam optimist se do të vijë dita e madhe që i gjithë vendi ynë të bëhet sa një grusht apo sa një parcelë dhe ne të gjithë do të kemi harruar se cilët jemi. Unë ëndërroj ditën kur nuk do të mbaj mend asgjë se cili jam dhe çfarë kërkoj. Unë ëndërroj që ta shoh sa më parë atë ditë. Kryeministri im po mendon që ta bëjë këtë vend si një shkarravinë që e kupton vetëm ai, që ta vendosë në një telajo që di ta ndërtojë vetëm ai. Unë jam optimist se vendi im ka filluar të mos mbajë mend asgjë, se vendi im ka hequr dorë nga bezditë qesharake që vende të tjera i quajnë kulturë. Unë jam optimist se ne do të jemi i pari vend në botë që kemi një të çmendur që bën opozitë dhe një piktor që po na e bën jetën si një tablo, në të cilën ne të gjithë paraqitemi normalë dhe të lumtur, megjithëse me koka të rrjepura e me cepa të pandreqshëm. Unë jam optimist!

Më Shumë

Një vit prej ndarjes nga jeta të kolosit të letrave shqipe, Ismail Kadare

Një vit më parë u nda nga jeta, në moshën 88-vjeçare, gjeniu i letrave shqipe, Ismail Kadare. Ai ishte shkrimtari shqiptar më i shquar brenda...

Shkurorëzimet në Kosovë 2024: Prizreni kryeson me numrin më të madh të rasteve

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar të dhënat për shkurorëzimet në vend gjatë vitit 2024. Sipas raportit të ASK-së, gjatë këtij viti...

Lajmet e Fundit