9.8 C
Prizren
E diel, 5 Maj, 2024

23 konkurrentë për Këshillin Drejtues të UP-së

Njëzetetre profesorë kanë konkurruar për anëtarë të Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.Ka përfunduar procedura e aplikimit për anëtarë të Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”. “Epoka e re” ka arritur t’i sigurojë emrat e profesorëve që kanë konkurruar për anëtarë të Këshillit Drejtues: Kemajl Bislimi, Visar Morina, Hava Bujupi, Blerim Kamberi, Safet Merovci, Shukri Fetahu, Afrim Hoti, Qerim Qerimi, Naser Sahiti, Alberta Troni, Isa Elezaj, Ferid Koçani, Shukri Klinaku, Azem Hajdari, Skënder Ahmetaj, Sylejman Berisha, Ismet Hashani, Ramiz Livoreka, Beqir Sadikaj, Fevzi Berisha, Hysni Daka, Zeqir Veselaj dhe Ruzhdi Sefa. Javën e ardhshme (të martën) do të përzgjidhen pesë prej tyre anëtarë të Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT), Arsim Bajrami, ka thënë për “Epokën e re” se tashmë pjesë e Këshillit Drejtues duhet të jenë vetëm njerëzit me kredibilitet kombëtar dhe të shquar. “Fillimisht uroj që gara për Këshill Drejtues, por edhe për rektor, të jetë garë akademike dhe dinjitoze, e jo siç ka qenë deri më tash, ku njerëzit përdornin metodat informale dhe joektike për të marrë një post të pamerituar. Dëshiroj të vendosim rend dhe standarde këtu. Dëshiroj që anëtarët e Këshillit Drejtues që do t’i zgjedhë UP-ja të jenë njerëz me kredibilitet kombëtar dhe të shquar”, ka thënë Bajrami.

Ai ka thënë se në Këshill Drejtues do të emërohen njerëz jo vetëm me kredibilitet kombëtar, por edhe ndërkombëtar. “Do të jemi shumë të kujdesshëm se kush do të na përfaqësojë në Këshill Drejtues. Performanca e Këshillit Drejtues është me shumë ndikim në performancën e universitetit”, është shprehur Bajrami. Ai ka bërë me dije se nuk është i kënaqur me performancën e deritashme të Këshillit Drejtues. “Jo rrallë aty ka pasur përfaqësim të grupeve të interesit. Jemi duke e ndjekur politikën që të kthehemi tek qetësia akademike, sepse te zgjedhjet gjithmonë kemi pasur presione. Dëshirojmë të krijojmë një rend, ku njerëzit do të konkurrojnë me vlera e jo me mbulesë nga partitë politike ose grupet e interesit”, ka shtuar ministri Bajrami.

Ai është i vetëdijshëm se vendosja e këtyre standardeve nuk do të jetë e lehtë. “Kjo nuk është e lehtë të bëhet, sepse njerëzit ende janë të etur për pozita të pamerituara, por kemi një test dhe mendoj se kjo është një përgjegjësi e të gjithëve që të krijojmë standarde akademike për ta përmirësuar imazhin e universiteteve të cilat momentalisht rangohen shumë poshtë në rangimin botëror. Dëshirojmë që nëpërmjet këtij procesi ta përmirësojmë imazhin tonë”, ka thënë ministrit i Arsimit, Arsim Bajrami.

Më Shumë

Beteja vendimtare mes Pejës dhe Yllit

Të shtunën zhvillohet ndeshja e pestë dhe vendimtare mes Pejës dhe Golden Eagle Yllit. Skuadra që shënon fitore, do t’i bashkohet Trepçës në finale të...

Gruaja shtatzënë që vdiq në Spitalin e Prizrenit ishte 24-vjeçare

Një rast i rëndë ka ndodhur në Spitalin e Prizrenit, ku një grua shtatzënë ka humbur jetën.  Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e...

Ylli në finale

Lajmet e Fundit