11.3 C
Prizren
E enjte, 23 Janar, 2025

Falsifikimi dhe intriga

Në pasqyrën e gjerë të shtypit të huaj është edhe një lajm mbi shqiptarët që i jep shkas Konicës të reagojë me një koment dhe me një varg të dhënash mbi popujt e Ballkanit në përgjithësi e mbi shqiptarët në veçanti.

Në lajmin që botohet në të përkohshmen e Bukureshtit, La Gazeta Makedonici, me datë 13 qershor 1897, shkruan: “Një dijetar serb ka botuar kohë më parë në gazetë zyrtare të Beogradit artikullin me titull: ‘Kombi serb në Turqi’. Ky dijetar ‘kujton se të gjithë sllavët në Gadishullin Ballkanik – me përjashtim të disa lokaliteteve të Bullgarisë, ku banojnë bullgarët e vërtetë – janë serbë.

Sipas tij, popullata e Mbretërisë së Serbisë është e përbërë vetëm prej serbëve, me të nja 4000 rumunëve, të gjithë pothuajse të serbizuar me anë të shko­llave, kishave dhe ushtrisë. Në Mal të Zi ka 250 000 serbë dhe 800 shqiptarë të serbizuar të cilët do të bëhen sërbë pas njëqind vjetësh. Numri i shqipta­rëve nuk është më i madh se 850 000, që nuk përkon me statistikën e njohur në përgjithësi, që e paraqet numrin e tyre 1 750 000 banorë.

Fundi i fundit ‘arnautët’ janë të përzier me grekët, vllehët dhe sllavët. Shkurt: shqiptarët nuk shkojnë mirë me njëri-tjetrin dhe nuk kanë kërkesa për të jetuar në një shtet të Pavarur”. Reagimi i Konicës në këtë raport është sa lakonik aq dhe origjinal e ironik: “Është për të ardhur keq që kolegu ynë i zellshëm i La gazeta Macedonici, – vëren Konica, – nuk e ka parë të udhës që ta përmendë gazetën serbe duke i bërë nder me këtë”.

Më tej Konica vijon: “Ne do t’ia kërkonim adresën e atij ‘dijetari’ serb për t’i dërguar si shpërblim për kërkimet e tij të ndërgjegjshme dhe të thella një dhuratë të vogël: disa kilogramë elb”. Pas kësaj ironie të rrallë ndaj një falsifikatori që e shpërdor të vërtetën, faktin dhe shkencën, Konica jep disa të dhëna për numrin e popullsisë shqiptare kah fundi i qindvjetëshit të shkuar, duke vënë në dukje se 800 000 është vetëm numri i luftëtarëve shqiptarë që mund të luftojnë, ndërsa numri i përgjithshëm i tyre është tre milionë e gjysmë dhe, sipas tij, shqiptarët nuk jetojnë vetëm në Perandorinë Osmane, po edhe në Mbretërinë e Serbisë, Mbretërinë e Greqisë, në Bosnjë, në Mal të Zi, në Itali. Është interesant të përmendet se Konica, “shqiptarë” të vërtetë i pandeh ata “të cilët, me t’i pyetur ‘ç’je?’, të përgjigjen troç: “Jam shqiptar”.

Për vllehët beson se janë mbi 700 mijë. Lidhur me falsifikimet, gënjeshtrat dhe pretendimet serbe, ai ka këtë reagim: “Tani e shohim të udhës t’u japim një këshillë sërbëve. Ata e dinë që ka pesë shekuj që shqiptarët kanë bërë një aleancë me turqit vetëm e vetëm që të munden ta dërrmojmë sojsorollopin e sërbëve. Këngët popullore serbe e kanë glorifikuar disfatën në Betejën e Kosovës. Shqiptarët janë të gatshëm për të. Ka mjaft flakadanë dhe barot në Shqipëri që të ndizet një flakë e të përhapet deri në Beograd… Serbët e kanë më mirë që t’i lënë gënjeshtrat dhe intrigat e poshtra dhe të jetojnë me ne si fqinjë të mirë”.

Më Shumë

Reagimi i Vetëvendosjes për fjalët e Kurtit: Prizreni e do Kryeministrin, ashtu siç edhe ai e do Prizrenin

Lëvizja Vetëvendosje në Prizren ka reaguar pas përpjekjeve për keqinterpretimin e fjalëve të kryeministrit Albin Kurti lidhur me qytetin e Prizrenit. Ata theksuan se...

Moti për sot i vranët dhe me kushte për riga shiu

Në Kosovë sot do të mbajë mot kryesisht i vranët dhe me kushte për riga shiu. Në njoftimin e Institutit Hidrometeoroligjik të Kosovës thuhet se...

Lajmet e Fundit