“Në shtator pamë ndezje të dhunës në veriun e Kosovës, që ngriti shqetësime se si një konflikt më i gjerë mund të kthehet në Ballkanin Perëndimor. Në maj trupat e KFOR-it u sulmuan, duke lënë 93 ushtarë të NATO-s të lënduar rëndë dhe disa janë lënduar për tërë jetën. Sulmet e tilla të dhunshme janë të papranueshme, autorët e sulmit duhet të mbahen përgjegjës”, ka theksuar sekretari i NATO-s.
Stoltenberg ka thënë se për përgjegjësit e sulmit nga grupet terroriste në veri të vendit gjatë shtatorit, duhet të ketë pasoja.
“Dhuna që kemi parë në maj dhe në shtator në Banjskë është e papranueshme. Kjo është arsyeja pse kemi rritur praninë e NATO-s dhe kemi dërguar një mijë trupa të tjerë, e që është vendosja më e madhe të paktën për një dekadë. Pres që ata që janë përgjegjës për këtë dhunë, do të mbahen përgjegjës. Ky ka qenë mesazhi im që nga maji. Është e rëndësishme të ketë pasoja, sepse duhet të bëjmë çfarëdo që mundemi për t’u siguruar që dhuna nuk do të përsëritet”, ka deklaruar ai.
Stoltengerg: Çdo vendosje e Policisë së Kosovës në veri, të marrë konfirmimin e NATO-s
Tutje Stoltengerg ka thënë se çdo vendosje e trupave të Policisë së Kosovës në veri duhet të marrë konfirmimin e NATO-s dhe paqja e siguria nuk duhet të rrezikohen.
“NATO e mbështet edhe dialogun e ndërmjetësuar nga BE mes Beogradit dhe Prishtinës, të dyja anët duhet të angazhohen në mirëbesim. Mirëpres propozimet e fundit për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, ky do të ishte hap kyç drejt normalizimit të marrëdhënieve dhe drejt paqes afatgjate dhe të qëndrueshme në rajon”, ka theksuar sekretari i NATO-s.
Ndërkaq , presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka thënë se Kosova është e gatshme ta ruaj stabilitetin jo veç për vete, por për gjithë rajonin.
“Po marrim pjesë në operacione paqe ruajtëse nëpër botë bazuar në marrëveshje bilaterale. Besoj fuqishëm se përpjekjet tona të përbashkëta do ta krijojnë mundësinë për ta ruajtur mundësinë për paqen dhe stabilitetin jo veç për Kosovën, por edhe për rajonin”, ka theksuar Osmani.
Osmani ka thënë se një nga mjetet që Rusia e përdor si destabilizim të Ballkanit Perëndimor është propaganda. Ka listuar edhe disa nga mjetet e tjera.
“E dyta armët që vazhdimisht Rusia ia shet Serbisë, të cilat pastaj shfrytëzohen për sulm ndaj Kosovës dhe vendeve tjera. E treta ka të bëjë me mbështetjen politike që Rusia vazhdimisht ia jep Serbisë. Kur bëhen të tria bashkë është e qartë që është interes i Rusisë të hap edhe një front kundër perëndimit, natyrisht dëshiron ta hap në pjesë të Evropës që ende s’janë pjesë e NATO-s. Kjo e bën edhe më imperative anëtarësimin tonë në NATO, në mënyrë që të ndalohen influenca të tilla e Rusisë në rajonin tonë”, ka deklaruar Osmani.
Osmani: Serbia po ia ofron infrastrukturën Radoiçiqit për sulme të reja
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, në konferencë për media me të parin e NATO-s, ka komentuar deklaratën e kryeministrit Albin Kurti, i cili një ditë më parë ka njoftuar, se në Rashkë të Serbisë po përgatiten sulme të reja ndaj veriut të Kosovës nën udhëheqjen e terroristit, Millan Radoiçiq.
Osmani ka thënë se do të bashkëpunon me institucionet vendore në mënyrë që sulme të njëjta sikurse ai i 24 shtatorit, të parandalohen.
“Këto janë informata që institucionet e sigurisë i ndajnë edhe me mua edhe me kryeministrin e vendit. Për fat të keq Serbia jo vetëm që nuk e ka ekstraduar udhëheqësin e atij sulmit terrorist në aspektin praktik, sepse në aspektin politik udhëheqës ka qenë Vuçiq. Në vend se ta ekstradoj Radoiçiqin, po vazhdon t’ia ofrojë gjithë infrastrukturën e mundshme që ai të planifikojë sulme të reja ndaj Kosovës”, ka theksuar Osmani.
Presidentja ka thënë se pa zbatim të plotë të marrëveshjeve ndërkombëtare nuk mund të ketë dialog të suksesshëm dhe trajtim të barabartë ndaj Kosovës e Serbisë.
“Besoj duhet të jetë qartë se adresa e presionit duhet të jetë Beogradi, sepse arsyeja pse nuk zbatohen marrëveshjet është në Serbi. Kosova ka insistuar që zbatimi të jetë i plotë dhe jo të zgjidhen pika të caktuara, të cilat na përshtaten, për t’u zbatuar”, ka theksuar Osmani.
Sekretari i NATO-s sot viziton Kosovën, takohet me Osmanin e Kurtin
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, sot do të vizitojë Kosovën.
Sipas njoftimit të publikuar nga NATO, Stoltenberg do të takohet me Presidenten e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani dhe Kryeministrin e Republikës së Kosovës Albin Kurti.
Ai do të vizitojë edhe Kampin e KFOR-it “Nothing Hill”, ku do të takohet me Komandantin e KFOR-it dhe do t’ju adresohet trupave.
Stoltenberg do të takohet gjithashtu me Drejtorin e Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s, gjeneral brigade Hammerstein.
Para se të vijë në Kosovë, po sot sekretari i Përgjithshëm, Stoltenberg do të takohet me Përfaqësuesin e Lartë për Bosnje dhe Hercegovinën, Christian Schmidt. Ai do të takohet edhe me Kryetaren e Këshillit të Ministrave të Bosnjë-Hercegovinës, Borjana Krishto.
Stoltenberg do të vizitojë selinë e NATO-s në Sarajevë dhe do të ketë takime me udhëheqës ushtarakë dhe përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare.
Të martën, sekretari i Përgjithshëm do të jetë në Beograd. Ai do të ketë takime me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq dhe kryeministren, Ana Brnabiq. Stoltenberg do të angazhohet gjithashtu me shkencëtarë serbë të cilët do të prezantojnë teknologjinë e zhvilluar në kontekstin e projekteve të NATO-s Shkenca për Paqe dhe Siguri.
Më vonë atë ditë, Stoltenberg do të udhëtojë në Republikën e Maqedonisë së Veriut për t’u takuar me presidentin Stevo Pendarovski dhe kryeministrin, Dimitar Kovaçevski. Sekretari i Përgjithshëm do të takohet edhe me kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi dhe do të mbajë një fjalim para Kuvendit.
Kurse të mërkurën, Sekretari i Përgjithshëm do të marrë pjesë në një takim me liderët aleatë nga rajoni. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama; Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviç; Kryeministrin e Malit të Zi, Milojko Spajiq; dhe Kryeministri i Sllovenisë, Robert Golob, janë ftuar të marrin pjesë./rtklive